Miq e dashamirë,
Kohët e fundit objekt qendror i medieve dhe i diskursit publik është bërë arrestimi i një personi të dyshuar si spiun i Serbisë.
Është shqetësuese gjithë kjo kakofoni kur, në vend të logjikës së shëndoshë që kjo dosje serioze t’u lihet vetëm organeve të drejtësisë për t’i shkuar çështjes deri në fund i hapet rruga euforisë kolektive e primitive të turmës…
Sidoqoftë, në dy vazhdime do t’ua përshkruaj disa raste drastike kur ne i zbulojmë spiunët vetëm pasi ata ta kenë kryer detyrën, pra pasi të na kenë bërë dëme kolosale, ose pasi të kenë vdekur.
I
MANOJLO VOJIQ ALIAS XHAVIT PASHA
Në vitin e kahershëm 1870, një toger i ushtrisë serbe me emrin Manojlo Vojiq, me origjinë nga një fshat afër Uzhicës, për shkak të gjoja një krimi të rëndë, ikën nga ushtria dhe kërkon strehim në Turqi.
Natyrisht, ky ishte një inskenim klasik.
Pas disa dekadash, togeri i ri serb u bë gjeneral i njohur i ushtrisë turke me emrin Xhavit Pasha. Historia na mëson se ky gjeneral, me shërbim kryesisht dhe jo rastësisht në tokat shqiptare gjithandej në Vilajetin e Kosovës, ishte ushtaraku më gjakpirës e më i pafre që shtypi me zjarr e me hekur kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në kapërcyell të dy shekujve dhe në prag të shpalljes së Pavarësisë, më 1912.
Ky ishte gjenerali që, që veç të tjerash, rrënoi me topa kullat e Isa Boletinit dhe i cili në bashkëpunim të ngushtë me klerikët serbë të Patriarkanës së Pejës dhe Manastirit të Deçanit, ua futi fitilin e i përçau keq dy fshatra të mëdha të Deçanit, Isniqin dhe Strellcin, duke shkaktuar luftë vëllavrasëse.
Kudo që ka shkelur këmba e këtij gjenerali serboturk, aty janë djegur fshatra të tëra dhe janë hapur varre të panumërta.
Gjatë Luftërave Ballkanike, Xhavit Pasha ishte njëri ndër gjeneralët kryesor të Armatës turke në Evropë.
Ky, gjatë Betejës së Kumanovës, sipas të gjitha gjasave, krijoi shtigje të sigurta depërtimi të komandosëve serbë që bënë kërdi mbi trupat turke, shumë prej të cilave ishin shqiptarë.
Në kohën kur ushtria turke pësoi disfatë të plotë në Betejën e Kumanovës dhe kur ajo nisi tërheqjen drejt Turqisë, Xhavit Pasha, me disa njësi të tia, u nis drejt Shqipërisë me qëllim që të pengonte Shpalljen e Pavarësisë.
Disa oficerë të shtabit të tij, më në fund, pasi e kuptuan rolin e tij të vërtetë, dikund te lumi i Matit, e masakruan me singia e shpata…
Por ishte vonë, ky tashmë e kishte kryer detyrën.
Ajo që është më e rënda në këtë histori do të duhej të ishte kjo:
Rreth 20 vjet rresht Xhavit Pasha, gjegjësisht Manojlo Vojiq, i ka terrorizuar shqiptarët në gati krejt Vilajetin e Kosovës me armët, ushtarët dhe dajakun e ushtrisë turke, ndërkohë që elitat shqiptare kishin shumë ndikim në administratën e Portës së Lartë.
Mjafton të lexosh librat e Syrja dhe Eqrem bej Vlorës për të kuptuar këtë…
Mirëpo asnjërit prej personaliteteve shqiptare me ndikim të asaj nuk i ka shkuar mendja të pyes kush është në fakt ky gjeneral famëkeq që po i vret e po i djeg shqiptarët, u çuan apo s’u çuan ata në kryengritje?
Dhe për të ndërmarrë masa kundër tij, qoftë për demaskimin ose likuidimin e tij…
Mjafton ky rast për të kuptuar pse, edhe në kthesa vendimtare e dramatike të historisë, elitat shqiptare silleshin, e vazhdojnë të sillen edhe sot, si gomarët e Buridanit.