Janë 251 masa sigurie të lëshuara nga SPAK që prej krijimit të saj nuk janë ekzekutuar. Kjo e dhënë u konfirmua nga vetë SPAK në përgjigje të një informacioni të kërkuar nga Syri Televizion.
Bosë të krimit kundër jetës dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, qarkullojnë të lirë brenda dhe jashtë vendit, çështje që në disa raste ka ngritur polemika sa i takon temës mbi dekonspirimet apo influencave të këtyre personazheve.
Në një intervistë për Syri Tv, Avokati Genc Gjokutaj e quan shifër alarmante që nëse nuk do të shkaktonte shkarkime do të kishte dorëheqje. Mos arrestimi i tyre është provë se kokat e krimit janë ata që mbështesin maxhorancën për të fituar zgjedhjet.
“ 251 urdhërarresti të paekzekutuara është një shifër alarmante. Përqindja më e madhe e urdhërarresteve të paekzekutuara janë ajo kategori njerëzish e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Kullat që mbijnë nga dheu janë të këtyre personave dhe parave që vijnë. Pa frikë mund të thuash se është kapje e shtetit.
Kjo maxhorancë i ka ‘krushq’ në zgjedhje këta persona. Kjo shifër në mos shkarkime, duhej të shkaktonte dorëheqje. Urdhrat e ekzekutuar janë urdhrat që vijnë nga jashtë. Kjo polici e prokurori që nxjerr zvarrë ish presidentin nga makina, të jetë kaq e verbër përballë një fenomeni të tillë?! Është provë që kërcet fort” thotë Gjokutaj në një intervistë për Syri Tv.
Nëse ka vullnet janë të gjitha mjetet dhe mundësitë për ta bërë, por mungesa e vullnetit, ose bashkëpunimi me krimin apo kapja e këtij organi, ku u jepet lista e atyre që duhen arrestuar dhe ata që nuk duhen arrestuar. Shkoni në QKB dhe çfarë kanë pasuri këto persona të cilët janë në kërkim, kur aktiviteti në Shqipëri vijon vrullshëm. Janë individë ekonomikisht të fuqishëm” tha Gjokutaj.
Kriliminelët që s’u arrestuan
Nuk bëhet fjalë për personazhe të zakonshme, por për bosë krimi që kanë urdhëruar vrasje, kanë korruptuar policë, gjyqtarë e prokurorë deri ligjvënës si Altin Hajri në dosjen “Çyrbja”, por pavarësisht kësaj, ato shijojnë lirinë, dhe për disa prej tyre, ka sinjalizime që vijojnë aktivitetin e paligjshëm brenda dhe jashtë vendit.
251 persona me rrezikshmëri të lartë që ndodhen në kërkim, është një shifër shqetësuese, që jo pak herë ka nxitur polemika publike ose jo mes SPAK dhe policisë.