Mes fëmijëve të Elizabeth II, Princesha Anne është ndoshta ajo që i ngjan më shumë. Ajo ka përvetësuar në mënyrë të përkryer ndjenjën e detyrës, përmbajtjen dhe aftësinë për të ruajtur qetësinë edhe përballë krizave më të rënda.
Megjithatë, edhe ajo duket se është prekur nga pasojat e skandalit të lidhur me Jeffrey Epstein. Përballë akuzave ndaj vëllait të saj, ish-princit Andrew, nuk reagoi me vendosmërinë e zakonshme, por duke lëkundur mes solidaritetit fillestar dhe një zemërimi të madh.
Sipas raportimeve, ajo ishte e vetmja në familjen mbretërore që u përpoq ta ndihmonte ish-Dukën e Jorkut, të paktën deri në publikimin e dosjeve Epstein.
Deri më tani, Princesha Anne ka ruajtur heshtje absolute mbi këtë çështje. Kjo ka nxitur kuriozitet mbi mendimin e saj për ish-princin Andrew dhe nëse qëndrimi i saj ka ndryshuar me kalimin e viteve, sidomos pas publikimit të dokumenteve të sipërmarrësit amerikan.
Sipas ekspertit mbretëror Richard Kay për Daily Mail, në fillim të skandalit ajo nuk u rreshtua menjëherë kundër të vëllait, por preferoi një qasje më të matur. “Sa i përket marrëdhënies me vëllain, kam mësuar se qasja e saj ishte ajo e një personi që mendon me kokën e vet”, u shpreh ai.
Telefonata “sekrete”
Vendimi për të mos ndjekur menjëherë qëndrimin e ashpër të pjesës tjetër të familjes nuk ishte shenjë dobësie. Përkundrazi, princesha zgjodhi fillimisht të vlerësonte situatën dhe të kuptonte të vërtetën.
Madje, thuhet se ajo nuk u mjaftua vetëm me mbështetje morale. Gjatë Krishtlindjeve, ndërsa pjesa tjetër e familjes ishte në Sandringham, ajo telefonoi në Royal Lodge, ku ish-princi Andrew qëndronte i izoluar. Sipas disa raportimeve, ajo mund ta ketë ftuar të transferohej në rezidencën e saj në Gatcombe Park.
Ky gjest nuk duhet parë si përpjekje për të justifikuar ish-princin Andrew. Në fakt, Princesha Anne duket se u gjend mes detyrës ndaj Mbretit Charles III dhe ndjenjës njerëzore ndaj vëllait.
Sipas Richard Kay, ofrimi i ndihmës ishte jo vetëm një akt “mëshire”, por edhe një përpjekje për ta rrethuar atë me mbështetje familjare. Megjithatë, ajo nuk e minimizoi kurrë skandalin: thuhet se ishte e zemëruar me lidhjet e tij me Jeffrey Epstein dhe ndikimin negativ mbi monarkinë, duke i kërkuar shpjegime.
Me publikimin e dosjeve Epstein, qëndrimi i saj ndaj të vëllait u ashpërsua. Zbulimet dhe fotografitë e reja e shtynë të rishqyrtojë mbështetjen e mëparshme. Fillimisht, ishte e vështirë për të të pranonte që një anëtar i familjes mbretërore të përjashtohej nga roli i tij, por më pas ajo pranoi se mbrojtja e ish-princit Andrew ishte e pamundur.
Lidhjet familjare mbeten
Sot, Princesha Anne thuhet se mbështet linjën e ndjekur nga Mbreti Charles III, si dhe nga Princi William dhe Catherine, Princesha e Wales, duke e konsideruar të drejtë distancimin nga Andrew për të mbrojtur reputacionin e institucionit.
Megjithatë, ajo nuk mund të shkëpusë lidhjen vëllazërore. Sipas raportimeve, vazhdon të mbajë kontakt me të dhe është e shqetësuar për gjendjen e tij mendore, duke qenë se jeta e tij është përmbysur.
Në publik, Princesha Anne ka vazhduar të përmbushë detyrimet zyrtare, edhe në kulmin e krizës së shkaktuar nga arrestimi i ish-princit Andrew më 19 shkurt 2026.
Madje, vetëm një ditë më pas ajo zhvilloi një vizitë në burgun HM Prison Leeds në West Yorkshire, një dalje që tërhoqi vëmendje për shkak të kohës së saj. Ndërkohë, Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla vazhduan agjendën e tyre zyrtare, duke theksuar distancimin nga çështja.
Gjatë një vizite tjetër zyrtare në Guiseley, një qytetar e pyeti publikisht për arrestimin e të vëllait. Princesha Anne nuk reagoi, duke ruajtur qetësinë dhe duke vazhduar aktivitetin pa koment.
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndara, disa e konsideruan pyetjen të papërshtatshme, ndërsa të tjerë e panë si legjitime. Megjithatë, shumë përdorues vlerësuan seriozitetin dhe përkushtimin e saj ndaj detyrës.
Popullariteti i saj mbetet i lartë, pavarësisht krizës që po kalon monarkia britanike. Madje, disa kanë shkuar deri aty sa të shprehen: “Princesha Anne duhej të ishte Mbretëreshë e Anglisë”. gsh