Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik dhe duke kërkuar nëpër arkivat greke gjeta gazetën greke “Μακεδονικα Νεα” (Maqedonia e Re) të asaj kohe që mbetet i vetmi dokument historik që sjell një foto të Hasan Prishtinës të vdekur si dhe ngjarjen me imtësi, shkruan Arben Llalla.
Në gazetën “Μακεδονικα Νεα” (Maqedonia e Re) e datës 14.8.1933, është botuar edhe fotografia e vrasësit Ibrahim Çelo. Gazeta shkruan për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij, që deri më sot shumë historianë shqiptarë e kanë gabuar, duke shënuar si datë të vrasjes 14 gushtin e vitit 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 gusht 1933.
Afër vendit ku është qëlluar Hasan Prishtina ndodhej vendi i punës ku unë punoja prej disa vitesh në Selanik, ndërsa shtëpia e tij ishte afërsisht 1 km larg dhe mund të kaloja disa herë në ditë asaj rruge, por asnjëherë nuk do më shkonte ndërmend se ai vend do të kishte lidhje me një ngjarje tragjike për historinë e kombit tonë. Për fat të keq, nga shumë studiues dhe historianë, që janë marrë me figurën e Hasan Prishtinës, anashkalohet data e vrasjes së tij dhe shtëpia në qytetin e Selanikut.
Përshkrimi i atentatit nga gazeta greke e kohës
Gazeta “Μακεδονικα Νεα” e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruan për ngjarjen që tronditi Selanikun një ditë më parë. Gazeta shkruan se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit e politikanit të madh, duke shkruar: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.
Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte edhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhanja. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu drejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretin në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.
Fill pas krimit, vrasësi, që t’i ikën rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae”, të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron”, ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut Dukidhis, ku edhe iu dorëzua rojës së policisë. Por nuk mundi t’i ikë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën edhe ata duke thirrur: “Shqyeni, shqyeni, vrasësin”. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi t’ia mbyllte derën e jashtme turmës së zemëruar.
Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia.
Në orën 2.50 minuta pas dite, oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se e njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.
Vrasësi nënvizoi se akti i tij u bë për arsye politike. Ndërkaq, pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogu. Planet, thotë atentatori, mi tregoi Hasan Prishtina përpara 15 ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Zogu.
Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Zog dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar.
Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte edhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të çlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre, Hasan Prishtina i kish treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.
Komentet