I thashë çunit tim: “Nuk do të keni më fatin të jetoni me fëmini në diktaturë siç ndodhi me ne. Jepi dhe ti…”, por Donaldi ishte i vogël dhe nuk arrinte të kuptonte domethënien e fjalëve të mia.
Të nesërmen, paraditen e 21 shkurt 199, pa asnjë organizim, pa asnjë lajmërim u mblodhëm në qendër të Tiranës sepse ende nuk na ishte shuar në shpirt zjarri urrejtës i të djeshmes. U dyndëm tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Tek ura e Lanës, në cepin e lulishtes “Rinia” e Hotel “Dajti-t”, turma u ndal. Larg, andej nga godina e Komiteti Qendror, papritmas u dëgjuan disa krisma automatiku me breshëri.
“Krisi në bllok”- tha njëri.
“I hëngërshin kokat e njëri-tjetrin!”- shtoi një tjetër.
“Të shkojmë e ti japim dorën e fundit!”- e pasuan.
Përballë njerëzve që synonin të marshonin drejt bllokut të udhëheqjes, me synimin për ta pushtuar e shkatërruar, doli një tank dhe u ndalua aty tek ura e Lanës. Turma u drodh dhe u mblodh në fillim. Pastaj u gjallërua sërish. U trimërua.
Mbaj mend se një shofer i Kinostudios, më duket shoferi Tom G., burri i pastrueses Nadire, më thirri në emër e me tha: “Kol, mos u frikëso nga tanket se jemi përgatitur mirë”.
Ngriti cepin e palltos dhe me tregoi një bombë molotov. Kështu i thonë shisheve me benzinë. Por tanku u tërhoq pas ndërmjetësimit me protestuesit të mikut të Ramiz Alisë, Neritan Ceka.
Ai hipi mbi një makinë e me megafonin që mbante në dorë na tha: “Mos u shqetësoni se Ramizin e kemi gjallë. Kthehuni. Të shkojmë nëpër shtëpira”
…Pastaj nisi të tregojë një histori koti me djalin që e mbante në krahë.
E ne ja kthyem: “Neritan, pirdhu më gjithë Ramiz Alinë!”.
Në turme pati reagime kundërshtuese dhe u krijua bindja se Neritan Ceka ishte një emisar i dërguar për të fashitur urrejtjen e njerëzve për kastën e Ramiz Alisë dhe për të shpëtuar bllokun e udhëheqjes nga shkatërrimi. Dhe ja arriti. Por edhe ja shpërblyen. U kthyem në sheshin “Skënderbeu”. Disa djem hipën në tarracën e Pallatit të Kulturës dhe prishën parullën PPSH, nga e cila kam ruajtur deri vonë një copë peciklas të bardhë. Njerëzit ishin të tejngopur me urrejtje për regjimit ndaj atë ditë donin të bënin diçka pa tjetër. Lindi mendimi për të shkuar tek Shtëpia e Partisë ti vinim flakën.
Ky ishte mendimi i përgjithshëm i njerëzve që nuk donin të shpërndaheshin, madje u lëshuan thirrje më zë të lartë nga e gjithë turma:
“Te shtëpia e Partisë! Te shtëpia e Partisë!”.
U nisëm. Arritëm deri tek Medreseja, por atje rruga ishte shumë e ngushtë dhe policia ishte gardh. Nuk ishte e mundur të kalohej. Qëndruam ca kohë por asnjë shenjë se policia dhe “sambistët”, forcat më brutale të diktaturës, do të tërhiqeshin e do të na hapnin rrugë. Vendosëm të shkojmë përsëri në sheshin “Skenderbeu”. Në kthim, pak pa hyrë në qendër, turma u ndal para librarisë “Flora” ku shiteshin librat e diktatorit. Nuk kishte shitëse brenda. Me gurë i thyen xhamat. Pastaj ju vu flaka. Libraria u dogj. Flaka vazhdoi gjatë dhe në kujtesën time vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të përflakën veprat e diktatorit të urryer, por edhe i dashuruar marrëzisht prej bacileve të kuqe të kolerës komuniste të rigjallëruar skajshëm vitet e fundit, shkruajnë kujtime, bëjnë promovime, trumbetojnë anti-Mukje, anti-Balliste. Aq përdhunshëm ky revansh i bijve të kolerës së kuqe, sa të thuash ka ardhur koha që meritojnë të ri-pshurrën sërish prej çamarrokëve të Tiranës veprat e teveqeleve të komunizmit që nuk paskan ngordhje, si atëherë kur në hi i përfundoi e gjithë ajo histori. Rri e mendoj e them: Eh, sa të thella kanë qenë e vazhdojnë të jenë punët në këtë Shqipërinë tonë. Kush nuk u dekorua e kush nuk u pasurua ani pse ishin një tufë spiunësh e lakenjsh, ku nuk depërtuan e nuk dolën sërish në krye të punëve enveristët e djeshëm. Të isha unë president, ata çamarrokët e Tiranas do ti dekoroja me tituj “Nderi i Kombit” para se ata që u futën në grevë të urisë, ndenjën ca ditë pa ngrënë, por ama kanë 25 vjet që e hanë si të babëzitur me “bark të pangishëm,” siç thoshte Migjeni, këtë të mjerën Shqipëri. Lavdi maskarenjve!
Komentet