Komisioni Europian ka publikuar Progresraportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku vlerëson përparimin e vendit në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por njëkohësisht evidenton një sërë problematikash që kërkojnë ndërhyrje dhe rezultate konkrete.
Në fokus të raportit janë reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma zgjedhore, liria e medias, funksionimi i institucioneve dhe respektimi i balancës mes pushteteve.
Në dokumentin prej 127 faqesh, Komisioni Europian e konsideron të arritshëm objektivin për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2027.
Megjithatë, Brukseli nënvizon se ky proces duhet të shoqërohet me përmbushjen e reformave dhe adresimin e mangësive që vijojnë të pengojnë funksionimin e institucioneve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Një vlerësim i rëndësishëm në raport i kushtohet punës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Komisioni Europian evidenton rezultatet e arritura nga kjo strukturë, duke vlerësuar pavarësinë e treguar në hetimin dhe ndjekjen e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, pavarësisht këtyre rezultateve, korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime për ndërhyrjet e papërshtatshme politike në sistemin e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Sipas Komisionit Europian, gjatë periudhës së raportimit kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim mbi sistemin gjyqësor, përfshirë edhe SPAK-un.
Në dokument theksohet se, ndonëse përfundimi i procesit të vettingut ka ndihmuar në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, problemet me burimet njerëzore dhe numrin e magjistratëve vijojnë të ndikojnë në cilësinë e shërbimit gjyqësor.
“Mungesa e burimeve njerëzore, përfshirë magjistratët dhe stafin mbështetës ligjor e administrativ, vijon të ndikojë në cilësinë e drejtësisë. Gjatë periudhës së raportimit vijuan përpjekjet e zyrtarëve publikë apo politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Megjithëse numri i çështjeve të prapambetura është ulur pjesërisht, mbeten për t’u adresuar probleme urgjente që lidhen me efikasitetin, cilësinë dhe integritetin e gjyqësorit, përfshirë infrastrukturën e gjykatave, sigurinë dhe vonesat në ngritjen e një sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve”, thuhet në raport.
Për këtë arsye, Komisioni Europian kërkon forcimin e mëtejshëm të llogaridhënies dhe reduktimin e ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë. Një tjetër rekomandim lidhet me garantimin e emërimeve, ngritjeve në detyrë, vlerësimeve dhe inspektimeve transparente, të bazuara në meritë dhe në standardet e vendosura nga procesi i vettingut.
KE kërkon gjithashtu plotësimin e vendeve vakante në gjykata, rritjen e numrit të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë, përmirësimin e infrastrukturës dhe përshpejtimin e krijimit të një sistemi të integruar elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore.
Shqetësimi për mosheqjen e imunitetit të Belinda Ballukut
Një prej çështjeve që merr vëmendje në raport është edhe mosheqja e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Komisioni Europian e lidh këtë zhvillim me funksionimin e mekanizmave të kontrollit institucional dhe ruajtjen e balancës mes pushteteve.
Në raport shprehet shqetësimi se mosveprimi në këtë drejtim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionojnë mekanizmat që duhet të garantojnë kontrollin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.
Çështja përmendet në një kontekst më të gjerë, ku Komisioni Europian kërkon që institucionet shqiptare të respektojnë pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe të mos pengojnë ushtrimin e kompetencave të tyre.
Reforma zgjedhore, një nga urgjencat përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027
Një tjetër rekomandim i fortë i Progresraportit lidhet me reformën zgjedhore. Komisioni Europian e konsideron atë urgjente, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
“Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, theksohet në dokument.
Brukseli kërkon që procesi të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash politike, por të shoqërohet me angazhim konkret të palëve për adresimin e problematikave të evidentuara në proceset zgjedhore. Në raport përmendet gjithashtu se Kuvendi ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita dhe nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Këto problematika, sipas vlerësimit të Komisionit Europian, lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve demokratike, kontrollin parlamentar dhe respektimin e ndarjes së pushteteve.
Protestat në Tiranë, KE kërkon dialog konstruktiv
Progresraporti ndalet edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë, të cilat, sipas dokumentit, nisën nga shqetësimet mjedisore lidhur me një investim të huaj në Zvërnec, por më pas morën përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një lëvizje për transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.
Komisioni Europian e përshkruan mobilizimin qytetar si një nga më të mëdhenjtë që prej tranzicionit demokratik të vendit.
“Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport.
Dokumenti evidenton se, pavarësisht përmasave të protestave dhe kërkesave të ngritura nga qytetarët, deri në periudhën e raportimit nuk ishte zhvilluar një dialog mes palëve për adresimin e shqetësimeve.
Për këtë arsye, Komisioni Europian u bën thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në një proces komunikimi dhe dialogu.
“Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”, thekson Komisioni Europian, duke e vendosur zgjidhjen e tensioneve përmes dialogut në një nga kërkesat e tij për institucionet dhe aktorët politikë.
KE kritikon përdorimin e tepruar të paraburgimit
Një tjetër çështje e ngritur në Progresraport është përdorimi i paraburgimit në Shqipëri. Komisioni Europian vëren se masa e arrestit në burg vazhdon të përdoret gjerësisht gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit, ndërsa kërkon që institucionet të përdorin më shumë masat alternative.
“Paraburgimi vazhdon të mbetet masa kryesore shtrënguese e vendosur gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit. Institucionet përkatëse duhet të marrin masa për të garantuar përdorimin më të gjerë dhe më efektiv të masave alternative ndaj paraburgimit”, thuhet në raport.
Komisioni Europian evidenton gjithashtu problematika që lidhen me respektimin e të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar. Mes tyre përmenden e drejta për t’u informuar gjatë procedimeve penale, respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, e drejta për të pasur akses te një avokat që në fazat e para të hetimit dhe sigurimi në kohë i ndihmës juridike.
“Problemet që lidhen me të drejtat procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar vazhdojnë të jenë të pranishme dhe duhet të adresohen, përfshirë çështje serioze që kanë të bëjnë me të drejtën për informim gjatë procedimeve penale, mbrojtjen e parimit të prezumimit të pafajësisë, të drejtën për të pasur akses te një avokat që në fazat më të hershme të hetimit, si dhe aksesin në ndihmë juridike në kohën e duhur”, theksohet në dokument.
Një prej rekomandimeve konkrete është rifillimi urgjent i monitorimit elektronik, i cili sipas raportit është pezulluar që prej vitit 2019. Ky mekanizëm shihet si i nevojshëm për të mbikëqyrur zbatimin e masave të arrestit në shtëpi dhe shërbimit të provës.
Liria e medias mbetet sfidë, KE kërkon transparencë dhe mbrojtje për gazetarët
Progresraporti i vitit 2026 ndalet edhe te gjendja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri. Komisioni Europian vlerëson se vendi ka shënuar njëfarë progresi në përafrimin e kuadrit ligjor me standardet europiane, por thekson se ende nuk ekzistojnë garanci të mjaftueshme ligjore për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të veprimtarisë mediatike.
Sipas raportit, pavarësia dhe pluralizmi i medias vijojnë të ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë së mediave dhe mungesa e transparencës mbi burimet e financimit.
“Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, ndërsa mjedisi në të cilin operojnë mediat duhet të përmirësohet, në mënyrë që ato të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, thuhet në Progresraport.
Komisioni Europian nënvizon se depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe ndërthurja e interesave të ndryshme ndikojnë negativisht në pavarësinë editoriale. Në të njëjtën kohë, raporti përmend përqendrimin e lartë të pronësisë së mediave, mungesën e transparencës së financimit, frikësimet, fushatat denigruese dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP.
“Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe nga ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe interesave të tjera”, vëren Komisioni Europian.
Një tjetër shqetësim lidhet me kushtet e pasigurta të punës së gazetarëve dhe ndikimin e mundshëm politik në emërimet në autoritetin rregullator të medias dhe në transmetuesin publik.
Raporti evidenton se Shqipëria ka përjashtuar gazetarët e regjistruar nga dispozitat penale për shpifjen në kushte të caktuara, por dekriminalizimi i plotë i shpifjes ende nuk është realizuar.
Për vitin e ardhshëm, Komisioni Europian kërkon reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të medias, me synim garantimin e transparencës së pronësisë, forcimin e pluralizmit mediatik dhe pavarësisë editoriale.
Në rekomandime përfshihet edhe transparenca e financimit të mediave nga burimet private dhe shtetërore, forcimi i autonomisë së autoritetit rregullator dhe pavarësisë së transmetuesit publik, si dhe shfuqizimi i plotë i dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen.
KE kërkon gjithashtu shpërndarje të drejtë dhe transparente të reklamave shtetërore dhe përmirësim të aksesit të gazetarëve në informacionin publik.
Mbrojtje më e madhe për gazetarët dhe kushte më të mira pune
Në një pjesë të veçantë, Komisioni Europian kërkon që Shqipëria të garantojë mbrojtje efektive për gazetarët nga kërcënimet, sulmet, frikësimet dhe fushatat denigruese. Raporti nënvizon nevojën për zbatimin e ligjit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe ndjekjen e tyre nga organet gjyqësore.
“Të garantojë më tej tolerancë zero ndaj frikësimeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese, si dhe të sigurojë mbrojtje efektive kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP)”, është një prej rekomandimeve të Komisionit Europian.
Gjithashtu, kërkohet forcimi i kapaciteteve të organeve ligjzbatuese për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë incidentet gjatë protestave. KE kërkon udhëzime të qarta për institucionet, procedura disiplinore, administrative dhe gjyqësore, si dhe mbledhje e administrim më të mirë të të dhënave për këto raste.
Një tjetër pikë e rëndësishme është përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve shqiptarë, përmes forcimit të të drejtave të punësimit dhe të drejtave sociale, si dhe zbatimit të njëtrajtshëm të Kodit të Punës.
Në përfundim, Progresraporti i vitit 2026 paraqet një panoramë me dy anë të ecurisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian: nga njëra anë, vlerëson rezultatet e SPAK-ut, përparimin në reformën në drejtësi dhe mundësinë për mbylljen e negociatave në vitin 2027; nga ana tjetër, evidenton korrupsionin, ndërhyrjet politike në drejtësi, problematikat e procesit zgjedhor, përdorimin e paraburgimit dhe mangësitë në lirinë e medias si çështje që kërkojnë zgjidhje konkrete./Hashtag.al






Komentet