-Kur SK “Tirana” zë vendin e fundit…
Një gol i minutës 93 me autor Qosen në ndeshjen e kësaj të hëne, që ishte kjo AF Elbasani–SK Tirana 2-1, mbasi i mbajti për dy ditë peng plot 5 skuadra dha verdiktin dramatik. Një gol i fitores elbasanase lëvizi pra gjysmën e skuadrave të kampionatit. KF Laçi la vendin 6-të dhe zbriti në të 7-tin, Teuta la vendin e 7-të dhe u ngjit në 6-tin, Bylis la vendin e 8-të dhe zbriti në të 9-tin, Skënderbeu la vendin e 10-të dhe u ngjit në të 8-tin. Dhe mandej drama: Sportklub Tirana la vendin e 9-të dhe zbriti në vendin e 10-të, pra e fundit! Kështu, Sportklub Tirana – skuadra fitimtare 28 Kampionateve të Shqipërisë – mbas bukur 8 vjetëve (2017), rrezikon përsëri për të rënë. Ky fakt, apo pozitë e skuadrës së famshme të kryeqytetit, e bëka “të bukur” një kampionat kësisoj “të pabukur”. Dhe jo vetëm këtë kampionat, por një tufë kampionatesh të Shqipërisë të këtij shekulli XXI. Kampionate që çuan në kategoritë e dyta e deri në të treta, të gjithë më të mëdhenjtë e historisë sonë: me Partizan e Dinamo, me Vllazni të Shkodrës e SK Tiranë, me Flamurtar të Vlorës e Elbasan, me Besë të Kavajës, me Skënderbe të Korçës; me Tomor të Beratit e Luftëtar të Gjirokastrës; me Lushnje e Apoloni e Fierit.

Duke mbërritur tek ajo ku nuk kishim mbërritur kurrë njëherë: te thuajse të gjitha njëkohësisht në kategori të dyta e të treta! Thjesht se doni të keni vetëm 10 skuadra në kampionat. Kjo pra qenka e “e bukura” e këtyre kampionateve “të pabukur”, që gjithë këto vite i dhanë aq pak futbollit shqiptar. Analizë e vjetruar kjo tashmâ. Kësisoj, nuk na mbetet gjë tjetër veçse “t’i gëzohem” një rënieje të mundshme të Sportklub Tiranës, pse jo, edhe të Skënderbeut të Korçës, përmes një gare që na qenka fort tërheqëse, siç guxojnë disa ta thonë plot buzëqeshje. E para, për t’u zëvendësuar nga qyteza përbri, ajo e Vorës, e dyta nuk di se prej kujt… Situata është përtej dramatikes. Kryefortësia për një kampionat me të ashtuquajturin “final four” me 4 skuadrat e para që do të luftojnë për titullin, përveç të tjerave jo në fushë asnjanëse apo me shkuarje e ardhje, por me 90-minutësh të vetmuar, të luajtura detyrimisht vetëm në Tiranë?!
Qe një tjetër dëm i madh, çka e pasqyron më së miri boshatisja e stadiumeve prej spektatorit shqiptar. E dini sa ishin në javën 32? Ishin mesatarisht vetëm 1300 spektatorë për 1 ndeshje të vetme! Dhe kjo thjesht falë stadiumit të Elbasanit ku ishin 4000 spektatorë. Kuptohet, për hir të mallit të qytetarëve të Elbasanit, të cilët për plot 9 vjet radhazi e kishin skuadrën e tyre historike, në Kategorinë 2! Dhe ja, “mrekullia” tjetër që na thotë se katër javë para përfundimit të kampionatit, Egnatia e Rrogozhinës, Dinamo e Tiranës dhe Vllaznia e Shkodrës kanë siguruar katërshen e titullit. Dhe ec e merre vesh se për çka do të luajnë dhe çka do të bëjnë këto tri skuadra, në këto katër javë të fundit. Kjo ngaqë edhe sikur t’i humbin të katërta ndeshjet e mbetura, në të vërtetë ato nuk do të humbasin asgjë. Ndërkohë, të kap “tmerri” kur mendon se ato kanë për të luajtur ndeshje të tilla si: Dinamo–Teuta, Egnatia–Skënderbeu, Dinamo–SK Tirana apo Vllaznia–KF Laçi. Dhe teksa në këtë rast, as Egnatias, as Dinamos, as Vllaznisë, humbjet e mundshme nuk iu prishin asnjë punë, ndërsa dytat kërkojnë fitoret e shpëtimit me çdo kusht, çka mund të ndodhë? Bamirësi?
Si ajo e tipit të fitores 4-1 të Skënderbeut ndaj Dinamos pretenduese, që u paraqit deri dhe me lojtarë rezervë? Dhe askush nuk bëzani. E shihni se çka i keni bërë Kampionatit të Shqipërisë me këtë skemë – armike të “fair play”-t e me plot 10 vjet me vetëm 10 skuadra? Deri aty saqë edhe nëse renditesh i 8-të, pra edhe nëse je një nga 8 skuadrat më të mira të Shqipërisë, mund të degdisesh në Kategorinë e Dytë. Sepse bëjnë ligjet “play–out” apo “play–off”-et e famshme shqiptare, që në fund të tri kampionateve mbërrijnë deri në rreth 20 të tillë! Tjetër “rekord europian” ky i markës shqiptare të futbollit! Dhe jo vetëm kaq. Për të hutuar mendjet naive vazhdoni ta quani Kategori të Parë, Kampionatin e Kategorisë së Dytë! Nuk njihni as minimumin e historisë, përderisa nuk e ditkeni se për një gjysmë shekulli Kampionatit parësor Kombëtar i Shqipërisë është quajtur “Kampionati i Kategorisë së Parë”! Doemos, siç kam shkruar me kohë: “Shko e rrêj ndoj tjetër”. Në të vërtetë, ju nuk e dini sa çka është futbolli i qyteteve. Nuk e dini se çka është futbolli i qyteteve themeluese të këtij sporti në Shqipëri.
Kush mund t’iu shpëtojë pra, prej kësaj katastrofe që mund të përjashtojë një Tiranë, apo një Korçë a Durrës? Vetëm vendimi i menjëhershëm për shtimin e skuadrave. Dhe siç e kemi thënë kushedi sa herë, për këtë vit, të mos ketë rënie nga kategoria, ajo që quhet Superligë. Ashtu siç kanë qenë rreth 50 Kampionate të Shqipërisë, të kemi 14 skuadra për kampionatin pasardhës. Mandej, me atdhetarinë në zemër – sepse edhe kjo është atdhetari – t’i thoni, bie fjala, Vlorës apo Kavajës “mirë se ktheheni në Kampionatin e Shqipërisë, e na falni që nuk ju kemi pranuar tash sa vjet”. A thue mund të guxoni e të na thoni “se këtë nuk e lejon rregullorja”? Po, a vërtet nuk i keni shkelur asnjëherë rregulloret ju, deri dhe tash së fundi, madje? Me sa duket, nuk vlen as retorika e këtij editoriali… Dhe duhet të jeni të lumtur sepse shteti apo qeveria e Shqipërisë ua ka falur Kampionatin ju, e as ata nuk bëzajnë. Lum kush ju ka!/Gazeta Panorama