Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj ka deklaruar se protestat kundër qeverisë pritet të intensifikohen gjatë muajit shtator, duke paralajmëruar edhe mundësinë e kalimit në një fazë të mosbindjes civile.
Në një intervistë për News24, Zotaj tha se protestuesit kanë synuar që ndryshimi politik të realizohet në mënyrë paqësore, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Ai kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur nga kryeministri Rama ndaj protestuesve, duke pretenduar se qeveria nuk ka reflektuar ndaj kërkesave të qytetarëve.
“Shtatori do të jetë më i frytshëm. Ne kemi kërkuar që në rrugë paqësore të bëjmë ndryshimin, duke kërkuar që kryeministri të japë dorëheqjen. Gjuha e tij arrogante nuk u ndal asnjëherë. Por tani në fund ka filluar ti bjerë ndërmend se populli nuk është dele. E ka kuptuar që shqiptarët janë ata që kanë qenë gjithmonë, shpërthejnë si një vullkan dhe i japin rrugë fatit të kombit, pasi qeveria nuk ka reflektuar.
Në do të detyrohemi të ndryshojmë metodën e protestës. Me shtatorin, shpresojmë dhe i bëjmë njerëzve që të vijnë sa më shumë njerëz në shesh. Kur të kemi një numër të konsiderueshëm në shesh do të detyrohemi të dalim në mosbindje civile dhe prej kësaj studio do ti kërkoja mirëkuptimin cdo qytetari që nëse nuk na bashkëngjitet të na mirëkuptojë. Interesi i kësaj proteste është stop tranzicionit 35 vjeçar mafioz shtetëror. Nuk duhet të udhëhiqet shteti nga kupolat e krimit, por nga njerëz me integritet”, tha ish luftëtari i UCK Meçan Zotaj.