Kur më dhanë fjalën, falënderova Bashkinë e Kukësit që e bëri Havzi Nelën me çati mbi krye. E bënë prapë me shtëpi, të varurin në litar, poetin, të përndjekurin me 18 vjet burg, malësorin Havzi Nela.
Në mendësinë shqiptare shtëpia është simboli më kryesor i ekzistencës. Edhe sot pyetet, : a ka shtëpi? Thuhet : Shtëpi e mirë, shtëpi e nderit, shtëpi bujare, shtëpi ku pihet kafja… shtëpi pushke… shtëpi, e ëmbla shtëpi… shtëpi o bukë e hi, m’u bëftë varri si ti…
Gratë labe e urojnë shoqa-shoqen me fjalët: Të rruatë binaja. Të të rrojë shtëpia, që nënkupton të të rrojë i zoti i shtëpisë, burri, rreth të cilit mblidheshin fëmijtë, gruaja, toka, gjëja, pasuria e familjes.
Shteti i diktaturës kishte një mëri të madhe me shtëpitë e atyre që i quante armiq. Disa i rrafshonte me themel, disa qëllimshëm i rrënonte, me njerëzit e vet i kthente në gërmadha, u vidhte dhe gurët.
M’u kujtua poezia “Kur në dritare rri me mall” e poetit të pushkatuar Genc Leka, botuar dhe te revista “Illëz”. Kur u arratis i ati i tij, shtëpinë e madhe të fëmijërisë, shtëpinë me dy kate, të armikut Bardho Leka e rrëzuan e rrafsh me tokën. Familja u shpërnda, u internua. Mbas vitesh kur u mblodhën prapë, një i afërm u dha për banesë kasollen e tij. Përballë kishte gurët e shtëpisë së babait. Genci ka shkruar:
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë
Më shfaqen si vegim përballë
gërmaddhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E drojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithënjë
me ëndrrat e mia.
Të gjithë e kemi me vete një shtëpi të fëmijërisë. Ajo ka qenë shtëpia e lumturisë sonë. Shtëpia e Parajsës. Me kohë atë e humbasim. Ajo shtëpi mbase është diku. Është këtu është atje…
Havzi Nelës sot ia kthyet shtëpinë e lumturisë së tij.
Ju të Bashkisë Kukës keni bërë një vepër të madhe.
Pak a shumë, shkurt, këto fjalët më lart thashë. Kisha dhe të tjera. I kisha në mendje po nuk i thashë. Ja, e çmova shumë atë gjestin e gruas së Havzi Nelës që u përgjunj dhe puthi pragun e shtëpisë. Doja të thosha dhe që sonte kur të erret, shpirti i Havzi Nelës do të shkojë të futet në shtëpinë e tij të. Mbase do të flejë atje.
Nuk i thashë se do të dukesha patetik. Por kaq herë i mendova.
Komentet