Shkrimi im i 3 shtatorit përshkruan mekanizmin, ngjarjet e tetorit (protestat studentore që u përshkallëzuan, përdorimi i plumbave të gomes, arrestime masive dhe deklaratat e Ramës) çka tregon vijimësinë e pushtetit të Tiranës.
“Fabrikimi i një kërcënimi të jashtëm dhe i ‘sulmit hibrid” po zbatohet në kohë reale, bazuar tek fjalët e vetë kryeministrit.
Rama, duke folur nga një objekt i djegur, e ka thënë qartë: protesta “nuk ka lidhje fare me studentët”, se është “po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën”, dhe se “duar të huaja” që “nuk e duan Shqipërinë të qetë” dhe “nuk e duan në BE” janë pas saj.
Ky është saktësisht ndërrimi i narrativës që parashikohej: nga pakënaqësi konkrete (kosto arsimi, korrupsion) një “sulm hibrid” dhe kërcënim për integrimin.
Nuk ka nevojë për spekulime të mëtejshme. Fjalët e tij janë prova.
Protestat e përditshme (Flamingo) zgjatën për muaj derisa studentët u bashkuan dhe protestat u përshkallëzuan. Pas përshkallëzimit, Rama e zhvendosi menjëherë fajin te “duar të huaja” dhe opozita, duke mohuar lidhjen me kërkesat e studentëve.
Sipas mendësisë së tij, kjo i jep garanci për masa të jashtëzakonshme, arrestime (qindra të raportuara) dhe paraqitjen e vetes si i vetmi garantues i “Shqipërisë 2030 në BE”
Dilema e rreme “unë ose kaosi” është e deklaruar hapur.
Strukturat e sigurisë nuk e kanë shtypur frontalisht që në fillim protestën. E kanë lënë të zgjerohet dhe pastaj e kanë kornizuar si destabilizim. Kjo është logjika e “anarkisë së kontrolluar”.
Nëse dikush e cilëson si “teori konspirative”, përgjigjja është: jo, është citim i drejtpërdrejtë i deklaratave të kryeministrit në ditët e fundit.
Nëse kundërshtarët thonë se ai “po mbron rendin”, përgjigjja është se muaj të tërë të protestave paqësore nuk u adresuan. Qeveria priti përshkallëzimin për të ndryshuar narrativën.
Analiza ime e 3 shtatorit nuk ishte parashikim. Ishte përshkrim i mekanizmit që Rama sapo e aktivizoi: ‘nuk ka lidhje me studentët’, ‘duar të huaja’, ‘nuk na duan në BE’.
Ky është boshti i dytë i anarkisë së dirigjuar — fabrikim i kërcënimit të jashtëm për të ruajtur pushtetin dhe për t’i vendosur kancelaritë perëndimore para dilemës ‘unë ose vakumi.