Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar debatin e fundit në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage, për çështjen e emigracionit dhe krimit shqiptar në Britani.
I ftuar në emisionin “Log.”, Lubonja u shpreh kritik i ashpër ndaj qeverisë, duke e akuzuar për mungesë përgjegjësie në lidhje me gjendjen alarmante të kriminalitetit.
Gjithashtu, Lubonja, duke iu referuar të dhënave të organizatës Inside Crime, e cila ka analizuar periudhën 2018-2020, theksoi se kriminelët shqiptarë, pasi përfitojnë nga aktivitetet kriminale jashtë vendit, rikthehen për të investuar paratë në Shqipëri.
Lubonja: Shqipëria është kthyer në një inkubator të krimit. Në Evropë, shqiptarët janë kampionë për numrin e të dënuarve për trafik kokaine. Pas tyre vijnë brazilianët, më pas kolumbianët. Shqipëria me 2-3 milionë banorë prodhon më shumë kriminelë se Brazili me mbi 200 milionë.
Vijnë, pastrojnë paratë këtu, zaptojnë territorin, shkatërrojnë qytetin. Ndërkohë, kryeministri nuk jep llogari për këtë realitet, por bën spektakël televiziv me Farage për të shmangur thelbin.