Eurodeputetja italiane e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, e cila mori pjesë në protestën e 30-të qytetare të zhvilluar në Tiranë, vlerësoi mobilizimin e qytetarëve, duke e cilësuar atë një mesazh të fortë në mbrojtje të natyrës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Në një intervistë për News24, Guarda tha se vizita e saj në Shqipëri kishte për qëllim njohjen nga afër të situatës në vend dhe zhvillimin e takimeve me qytetarë, shoqërinë civile dhe aktorët politikë.
“Si grup i Gjelbër në Parlamentin Europian, ne ndiheshim shumë afër protestave, meqenëse ato filluan nga çështjet mjedisore. Por, nga perspektiva jonë, ne padyshim vumë re se po ndodhte diçka më shumë. Dhe donim të shihnim jo vetëm vendet, por edhe të flisnim drejtpërdrejt me njerëzit, të flisnim me shoqërinë civile, të flisnim edhe me politikanët, në mënyrë që të kuptonim më mirë se çfarë po ndodh këtu në Shqipëri”, u shpreh eurodeputetja.
E pyetur nga gazetari i News24, Erion Kaçorri, se si e vlerëson mobilizimin qytetar dhe mesazhin që ai përcjell, Guarda u shpreh se ishte e impresionuar nga pjesëmarrja dhe karakteri paqësor i protestës.
“U ndjeva shumë krenare për ju, sepse ndjeva se ky mobilizim po i thërret njerëzit nga histori të ndryshme, të moshuar, të rinj, fëmijë, familje së bashku në një mënyrë paqësore, dhe ndjeva një mesazh vërtet të fuqishëm. Që sot e kësaj dite shohim edhe në Evropë që ndoshta nuk e vlerësojmë aq shumë atë që kemi, ligjet dhe mundësinë që kemi, dhe duke parë njerëz që po ngrihen për t’u dëgjuar, për të mbrojtur natyrën dhe të drejtat e njeriut, e ndjeva mesazhin shumë të fuqishëm”, deklaroi ajo.





Komentet