Gjyqet në arbitrazh po i kushtojnë qeverisë shqiptare një “mal” me para. Veç vendimeve që humbet shpeshherë në shuma stratosferike, nga buxheti i shtetit dalin disa herë brenda vitit qindra miliona lekë për shpenzime administrative, për avokatët dhe studiot ligjore kryesisht të huaja etj.
Vetëm pak ditë më parë, qeveria ka miratuar 2 vendime, nëpërmjet të cilave akordon afro 1 miliard lekë të vjetra shpenzime për gjyqe të tilla që vazhdojnë të “rrjepin” buxhetin për vite me radhë. Kështu, në mbledhjen e datës 22 shtator, qeveria vendosi t’i shtojë Ministrisë së Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, fondin prej 39 050 000 lekësh, për kryerjen e pagesës së tarifave të avokatëve të kontraktuar për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar ICSID, nr. ARB/14/26, Albaniabeg Ambient, sh.p.k., M. Angelo Novelli dhe Costruzioni, S.R.L., kundër Republikës së Shqipërisë, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet (ICSID). Sipas vendimit të qeverisë, fondi prej 39 050 000 lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Për zbatimin e këtij vendimi që tashmë ka hyrë në fuqi, është ngarkuar Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Financave. Në mbledhjen epo kësaj dite, qeveria vendosi që Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e organit të interesuar, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 220 mijë USD, për pagesën e shpenzimeve administrative të arbitrazhit, dhe kundërvlera në lekë e fondit prej 200 000 mijë eurosh, për kryerjen e pagesave të faturave të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar IÇ, nr. 20564/EMT Hydro, S.R.L., kundër Shqipërisë, nëpërmjet kontratës për ofrimin e shërbimeve ligjore, datë 17.3.2015. Efekti financiar do të përballohet nga fondi i kontingjencës, i miratuar për vitin 2015. Edhe ky vendim ka hyrë në fuqi dhe për zbatimin e tij do të përgjigjet Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Gjyqi me kompanitë e Beketit
Kompanitë Albaniabeg ambient sh.p.k., Angelo Novelli and Costruzioni S.R.L. kanë hedhur në gjyq qeverinë shqiptare, duke i kërkuar 150 milionë euro dëmshpërblim për mosrespektim të kontratës për djegien e plehrave të sjella edhe nga Italia, duke prodhuar energji nga impianti termovalorizator. Ndërsa gjyqi tjetër ka të bëjë me (mos) ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi Vjosë nga kompania Hydro Srl. Shtetit shqiptar i kërkohet të paguajë një shumë prej 10 milionë eurosh për TVSH-në lidhur me këtë projekt.
Hidrocentrali i Kalivaçit
Hidrocentrali i Kalivaçit, i pari që do të realizohej mbi Vjosë, ndërkohë që nuk kishte ende një studim përfundimtar lidhur me shfrytëzimin e burimeve hidrike të këtij lumi për qëllime të prodhimi të energjisë, dha shpresën për ardhje të investitorëve seriozë në Shqipëri, pas rrëmujave të 1997-ës dhe “epokës së piramidave”. Projekti tejet ambicjoz për kohën, duhej të përfundonte në harkun kohor të pesë viteve. Por, para vitit 2000 kompania e Francesco Beçhettit nuk kreu asnjë punim derisa Këshilli i Ministrave të miratonte ndryshime të rëndësishme në kontratën fillestare, duke lejuar koncensionarin që të transferonte të drejtat në një kompani tjetër të kontrolluar prej tij. Pas rreth 15 milionë eurosh investime, janë ndërruar aksionerë e nënkontraktorë. Në vitin 2007 BEG krijon “Hydro” S.r.l. në Itali, që mori përsipër zbatimin e kontratës së koncesionit për Kalivaçin. Më 2007, BEG krijon “Kalivaç Green Energy” sh.p.k. në Shqipëri dhe i kaloi kësaj koncensionin, pa asnjë miratim dhe në kundërshtim me kushtet e vendosura nga shteti shqiptar. Pak ditë më vonë, “Kalivaç Green Energy” sh.p.k. i shitet 100% “Hydro” S.r.l. HEC-i nuk u realizua, por duket se ideatori i rrjetit të kompanive që zunë fill me këtë projekt kishte zgjedhur rrugë të tjera për të fituar nga mjedisi shqiptar.
Aktualisht, kompanitë italiane kanë hedhur në arbitrazh ndërkombëtare në Paris shtetin shqiptar, duke i kërkuar 10 milionë euro detyrime për TVSH.
Plehrat
Ndërkohë, një çështje tjetër ka qenë ajo e përpunimit të mbetjeve urbane, që edhe mund të importoheshin nga Italia, për t’u ricikluar dhe për të përfituar energji nëpërmjet një termovalorizatori dhe centrali termik. Edhe këtu, nisma ishte e ish-kryeministrit Nano, në vitin 2004, që miratoi një marrëveshje me kompaninë italiane “Albanian Beg”, për një impiant plehrash në Tiranë që lejohej të importonte plehra nga Italia në Shqipëri. Një marrëveshje që shkaktoi shumë reagime dhe protesta masive para Kryeministrisë. Berisha, në atë kohë në opozitë, ishte kundër kësaj marrëveshjeje, të cilësuar antishqiptare, por në 2010, një projektligj pikërisht i qeverisë Berisha, që në 2004-ën e kundërshtoi, u miratua në Kuvend me vetëm 69 vota. Me ardhjen në pushtet, kryeministri Edi Rama e shfuqizoi sërish marrëveshjen. Kjo mjaftoi që kompanitë e grupit të Beçhettit të zbarkojnë sërish në Arbitrazh ndërkombëtare në SHBA, duke kërkuar tani shifrën e 150 milionë eurove nga shteti shqiptar si zhdëmtim për anulim kontrate.
Komentet