Shqipëria ka nevojë që të ketë një ndryshim politik si ai që ndodhi në Hungari dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të sinqertë të bllokut opozitar.
Kështu u shpreh sot në mbrëmje në emisionin “Studio 24” kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj.
Ndërsa ai përshëndeti fitoren e opozitës së drejtuar nga Peter Magyar në Hungari, e mori si shembull për atë diskurs dhe aksion opozitar që duhet të ndodhte në Shqipëri, për të rrëzuar regjimin autokrat të Edi Ramës.
Ai shprehu rezerva të hapura ndaj Partisë Demokratike dhe e ftoi të ishte e sinqertë për të korrigjuar gabimin që bëri me ndryshimet në Kodin Elektoral të fundit, që i dha fitoren PS-së zgjedhjet parlamentare të kaluara.
“Vendi ka nevojë për ndryshim siç ndodhi në Hungari, ka nevojë për ndryshime thelbësore dhe rrënjësore. U bë një gabim fatal edhe nga PD me Kodin Elektoral, ndryshimet, që i dhanë Ramës atë fitore në zgjedhjet e kaluara. PD ka shansin të tregojë një sinqeritet për atë Kod dhe të kërkojë ndryshimin. Raporti ynë me opozitën do varet nga mënyra se si ajo do të veprojë në kërkimin e ndryshimit të Kodit Elektoral. Në presim që PD të adresojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor”, tha Lapaj për “News 24”.
Ai nënvizoi se disa nga piketat që ka vendosur Shqipëria Bëhet dhe shumë parti të tjera janë listat e hapura, ku qytetarët të votojnë kandidatët që duan.
Ai ftoi opozitën për një përballje në bllok me pushtetin dhe për të gjetur një zgjidhje.
“Një zonë zgjedhore, lista të hapura, garë në nivel këshillash me lista të hapura ku qytetarët të zgjedhin ata që votojnë. Unë nuk flas për garë të përbashkët apo kandidatë të përbashkët, unë flas për moment politik, përtej këtij momenti, për përballjen me partinë në pushtet dhe për të gjetur zgjidhje”, vijoi ai.
Në fund, shpjegoi se Shqipëria Bëhet po përgatit një platformë dhe synimi kryesor mbetet bashkimi i faktorit opozitar dhe përballja reale me pushtetin autoritar.
“Përsa i përket bashkëpunimit dhe platformës ne do e bëjmë të ditur në ditët e ardhshme, ku opozita të tregojë nevojën qytetare për përballje reale me pushtetin”.