E pakta kam 15 vjet që merrem me këtë temë. Dua të zbuloj dhe prapë sa nuk zbuloj, po aq dhe zbuloj. Dhe e gjitha kjo nuk është thjesht temë sportive. Është diçka më tepër se kaq. E shkruar, sidomos prej autorit të këtushëm, historia olimpike e Shqipërisë, tejet modeste, e harruar, e vonë, e shtrembëruar, e shkatërruar, e rilindur, prapë e rënë, mashtruese, sot e kësaj dite nuk i ka dhënë kombit të saj ende asnjë medalje olimpike.
E fryrë tejet pjesëmarrja e saj e parë, ajo e vitit 1972 që pati vetëm një personazh të lartësisë botërore, peshëngritësin e madh Ymer Pampuri, me gjithë gjakftohtësinë tonë për ta shkruar ashtu siç ishte, kjo histori prej një kategori shkruesve “guximtarë” të orëve të fundit, që kurrë nuk janë marrë me tema hulumtuese kësisoji, vazhdon të shtrembërohet, për fat të keq me rreshta të tanë të pavërtetash. Dhe natyrisht pa asnjë risi, pa asnjë të re, ndonëse historia shkruhet e rishkruhet, sepse dalin fakte të reja.
Po edhe fakti i ri “anagrafik”, nëse mund ta përcaktojmë kësisoji, teksa po prekim një 80-vjetor të rrallë si ky, në fund të fundit është një risi apo rishkrim i historisë. Qëllimi i së cilës është jo thjesht të tregojë, por prej tregimit të saj ta shohësh edhe një herë në pasqyrë për të vlerësuar të vërteta, për të flakur tej rrènat dhe për të vepruar përmes nderimit dhe vënies në vend të protagonistëve e themeluesve çka në Shqipëri ende nuk është bërë.
Në këtë kontekst hyn dhe ky Dossier që i kushtohet 80- vjetorit të dukjes apo paraqitjes së parë, për ne disi të bujshme, të Shqipërisë në një Olimpiadë. Themi kështu se Shqipëria nuk mori pjesë, nuk dërgoi atje sportistë, nuk fitoi asnjë medalje. E megjithatë, plot 80 vjet më parë ajo ishte aty, çka historiani apo gazetari profesionist, jo ai amator që shkruan thjesht se ka qejf të shkruajë apo ngaqë ka do interesa meskine vetjake, e ka pra për detyrë ta trajtojë.
Sidomos kur sheh se me gjithë përpjekjet tona askush nuk i përmend, askush nuk i citon, askush nuk përkujton dhe nderon qoftë dhe personazhet e asaj “pjesëmarrjeje” të 80 vjetëve më parë, të atij viti 1936 për fat nën shkëlqimin berlinez të Gjermanisë Naziste. E pra?…
“ZBULIMI” I FLAKËS OLIMPIKE ‘36 PRANË KUFIRIT SHQIPTAR DHE KRITIKA E FORTË E “ARBËNISË”!
Mû këto ditë pra, në prag të Olimpiadës së Rio Janieros, në përpjekjet e mia hulumtuese zbulova një dokument të rrallë. Është një dokument që vjen prej kancelerive të Olimpiadës së Berlinit 1936. Është një dokument i rrallë, disi dhe gjeografik. Nuk është gjë tjetër veçse një hartë. Një hartë për mua fantastike për kah vlerat e historisë sportive dhe jo sportive.
Po e botojmë këtu në gazetën “Panorama” për herë të parë në Shqipëri. E shihni që është një hartë që përfshin gjithë Gadishullin e Ballkanit, përballë me atë Apenin të Bregut Italian, pak më lart bashkangjitur me Europën Qendrore dhe që mbërrin deri në Berlin. Vija udhëtuese që sundon hartën në drejtimin nga jugu në veri, nuk është asgjë tjetër, veçse rruga e Flakës Olimpike që niset nga Olimpia e që mbërrin deri në Berlin. Shihet qartë që Flaka Olimpike e Olimpiadës së Berlinit 1936 nuk kaloi nëpër Shqipëri.
Harta e rrugëtimit pranë Shqipërisë së Flakës Olimpike të Olimpiadës 1936
Dhe nuk ka kaluar asnjëherë deri më sot nëpër Shqipëri, ndonëse e shihni në hartë se Olimpia e lashtë prej ku niset Flaka Olimpike është shumë afër Shqipërisë. Si ka mundësi vërtet që sot e kësaj dite asnjëherë rrugëtimi i saj nuk është përshkuar në Shqipëri? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse Shqipëria kurrë nuk e ka dashtë që Flaka të kalojë në Shqipëri!
Ajo kurrnjiherë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, çka sigurisht do ta ngarkonte me punë e përgjegjësina që, me sa duket, Shqipëria nuk i dëshiron. Ngaqë kalimi apo përshkimi i Flakës Olimpike në tokën e Atdheut tënd i ka do punë, detyron do organizime, që kërkojnë jo pak kulturë e disiplinë që Shqipëria olimpike asesi nuk është e zoja ose nuk ia ka ânda t’i marrë përsipër.
Edhe sepse gjithë këto vite njerëzit e Komitetit Olimpik Kombëtar, apo të ministrive përkatëse, nuk duan telashe asisoji. Sepse jo pak prej tyre kanë vetëm një ndërgjegje, ndërgjegjen e përfitimeve vetjake!… I kthehem vitit 1936 përmes kësaj harte. Rrugëtimi i Flakës Olimpike ka nisur nga Olimpia e Greqisë – vendlindja olimpike, ka mbërritur deri në Kosan e Veria, që ndoshta nuk janë më shumë se nja 150 kilometra larg kufirit të Shqipërisë, ka nxituar për në Selanik dhe drejt e në Sofje të Bullgarisë.
Prej këtu ka hyrë në Jugosllavi, për fat pa e shkelur kurrsesi tokën e Kosovës, ka hyrë në Nish e me radhë në Jagodina, Kragujevac e drejt e në Beograd – Budapest – Vjenë – Pragë – Drezden – Berlin! Shqipëria mënjanë si gjithnjë! Ajo nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në Lojërat Olimpike.
Nuk do të mirrte pjesë as këtë herë, por me një ndryshim të madh: kësaj here ajo do të ishte aty, si të thuash, në një mënyrë apo një tjetër. Nuk ka dyshim se viti 1936 është ndër vitet më liberale që kalon Shqipëria e Ahmet Zogut. Asnjëherë si në këtë vit të qeverisë Mehdi Frashëri, sidomos shtypi, nuk është ndjerë më i lirë. Gazeta “Arbënia” e Nebil dhe Ikbal Çikës (por jo vetëm ajo) është pa dyshim flamurtare e kësaj lirie dhe kritikuese e rreptë e dukurive penguese që mbart koha.
Kështu, në numrin e 2 gushtit 1936, në faqen 4 të saj, “Arbënia” ka shkrimin e aperturës (kreut) që zë thuajse krejt faqen, me titullin “Olimpiada e Berlinit dhe Federata “Vllaznia Shqiptare”, ku më i rreptë, madje i pamëshirshëm, është sidomos nëntitulli: “Federata na vuri një njollë të zezë”. Gazeta shkruan se “Federatës “Vllaznia Shqiptare” i mungon iniciativa dhe kompetenca”. (Gati si sot, më 2016!)
Dihet që Federata “Vllaznia Shqiptare” është organizata sportive e kohës, një lloj Komiteti Olimpik i sotëm. Kritika është ndoshta më e ashpra që i bëhej një organizimi të pushtetit, sepse e tillë ishte edhe “Vllaznia Shqiptare” në gjithë vitet e Mbretërisë, teksa kujton se kryetar i saj ishte ministri i Arsimit, Dr. Nush Bushati. E jashtëzakonshme dhe e fshehur në pluhurat e arkivës është ajo çka mësojmë nga shtypi: më 1935, Komitetit Olimpik i Gjermanisë kërkon që Flaka Olimpike të kalojë për 1 kilometër edhe në Shqipëri, duke ia pasuar atë Jugosllavisë.
Befasia e madhe qëndron te fakti se një delegacion olimpik gjerman kishte ardhur posaçërisht në Tiranë dhe përmes Legatës së Gjermanisë në Shqipëri, ishte pritur në Ministrinë e Arsimit, ku u takua me kryetarin, sekretarin dhe nënkryetarin e Federatës, duke paraqitur edhe ftesën zyrtare për pjesëmarrje të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Berlinit, deri dhe me një përbërje prej “50 djemsh, gratis pa asnjë shpenzim”!
Ndërkaq, mësojmë se Federata e paska refuzuar ftesën dhe propozimin për të pranuar të paktën shoqërimin e Flakës Olimpike në Kapshticë dhe duke e përcjellë atë përmes Bilishtit, Korçës e Pogradecit për në Jugosllavi. Ndërkohë që në Athinë, Flakën e kishte shoqëruar vetë kryetari i bashkisë dhe në Jugosllavi e kishte pritur vetë regjenti Paul. Ajo që të bën përshtypje krejt të pazakontë, është ftesa gjermane, në një kohë që Shqipëria nuk ishte anëtare e Komitetit Olimpik.
Por mos ndoshta “ishte” dhe ne kemi dalë prej tij Mbasluftës së Dytë, për t’u ripranuar më 1959?… Ky dyshim duket si paradoksal, po tashmâ, kur dimë se ende në Shqipërinë tonë vazhdon errësira mbi historinë kombëtare, thjesht për shkakun se ajo mbahet peng nga historianë të regjimit të shkuar, të cilët vazhdojnë të mbajnë monopolin e Arkivit, të Institutit, të Studimeve, e tjerë e tjerë, e drejta për të dyshuar nuk mund të na mohohet asesi. Si ka mundësi gjithë kjo ftesë për pjesëmarrje në Olimpiadë pa qenë anëtar i CIO-s (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar)?…
Dihej ndërkaq, Shqipëria kishte vetëm 12 vjet (1924-36) me shtet të rregullt të sajin, e pra shumë pak për të zhvilluar një sport kombëtar të stilit europian. Megjithatë, këto kaq pak vjet ne mund t’i përcaktojmë si 12 vitet e themelimit, apo të vënies së bazave të para të fuqishme për gjithë ecurinë e mëmbasme të sportit kombëtar. Gjashtë vjet më parë, më 6 qershor 1930, ishte themeluar Federata Sportive Shqiptare me emrin “Djelmnia Shqiptare”, e shtrirë me seksionet e saj në gjithë Prefekturat e Shqipërisë nën Patroneshën e Naltë të Sportit, N.S. Mbretënore Princesha Myzejen, për të vazhduar qysh nga 1935 me institucionin e emrit fisnik të bashkimit të popullit, “Vllaznia Shqiptare”.
E, në mënyrën më moderne, ajo ishte e ndarë në tri kategori: lojna sportive, atletikë dhe shumësportet e ndryshëm. Duke pasur në fillim kryetar Izedin Beshirin, mandej Musa Jukën dhe Dr. Mirash Ivanajn, Federata, e cila më 1936 kishte kryetar të saj ministrin e Arsimit, Dr. Nush Bushatin, ia kishte arritur t’i jepte një hop sportit kombëtar brenda një periudhe shumë të shkurtër: Ajo kishte organizuar deri në këtë periudhë 6 Kampionate Kombëtare të Atletikës së Lehtë (1929, 30, 31, 32, 33, 34); 6 Kampionate Kombëtare të Futbollit (1930, 31, 32, 33, 34, 36); 4 Kampionate Kombëtare të Notit (1931, 32, 33, 34); 2 Rrethe Çiklistike të Shqipërisë (1925 dhe 1936), ku ai i 1925-s ishte i pari në Europë për amatorët. Shqipëria ishte pranuar ndërkaq, zyrtarisht anëtare e IAAF dhe në FIFA, që janë Federata Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë dhe të Futbollit. Ajo kishte marrë pjesë rregullisht në 4 Kampionate Ballkanike të Atletikës së Lehtë (1932, 33, 34, 35). Kaq mjafton për të kuptuar se tashmâ Shqipëria kishte një sport mirëfilli të organizuar.
Dhe themelet tona sportive janë pikërisht këtu, në këtë periudhë, e cila vazhdon të injorohet në mënyrën më të pafalshme nga organizmat tona të sotme sportive, qeverisëse e shtetërore! E pra, mendimi publik shqiptar i asokohe për të shkuar në Olimpiadën e Berlinit 1936, ishte unanim dhe më se i përligjur. A do të shkonte?…
ÇKA ISHTE BERLINI 1936
Kështu, nëse më 2 gusht botohet kritika e pamëshirshme, kur Olimpiada fillon më 1 gusht 1936, delegacioni shqiptar tashmë gjendet në Stadiumin Olimpik të Berlinit! Çka tregon se shtypi nuk është i mirinformuar në kohë për praninë e Shqipërisë si shtet, si Federatë Sportive, si “Komitet Olimpik”. Por është i saktë në kritikën e tij për mospjesë- marrje në garat me sportistë.
Kjo do të dalë më në pah, kur mbas mbarimit të Olimpiadës, shtypi, madje vetë kritikuesja më e fortë ndaj Federatës, gazeta “Arbënia”, sikur ndërron kah dhe i bën jehonë jo të paktë pranisë së Shqipërisë, ndonëse pa pjesëmarrje me sportistë në gara e ndeshje. E vërteta është se Olimpiada ishte një rast ideal për ta shpalosur madhështinë e kësaj Gjermanie, si forca e botës. Dhe falë disiplinës, seriozitetit e mundësive të tyre të pashtershme, gjermanët ia arrijnë të organizojnë Olimpiadën më të mirë që kishte njohur bota qysh nga e para, ajo e vitit 1896.
Kampioni Olimpik, legjende i 1896-s, greku Spiridon Louis, duke i dhuruar Kancelarit te Gjermanise, Adolf Hitler, degen e pemes se ullirit ne ceremonine e celjes se Olimpikades se Berlinit 1936
Nëse sot shikon filmimet nga Olimpiada e Berlinit, sidomos të filmit epokal të regjisores Leni Riefenstahl, ithtarja më e fortë e vetë Adolf Hitlerit, e kupton se Berlini përfaqëson Olimpiadën më moderne të kohës. Është 1936. Lufta dukej ende larg. Ndonëse Italia fashiste vetëm pak javë më parë kishte pushtuar Etiopinë. Në Francë kishte triumfuar Fronti Popullor me Leon Blumin. Në Spanjë gjenerali Franko i ishte sulur qeverisë spanjolle të Frontit Popullor të atjeshëm, duke nisur kështu Lufta Civile. Dhe një vit më parë Hitleri kishte denoncuar Traktatin e Versajës.
E në Gjermani spikat shkëlqimi më paqtor që mund të merrej me mend. Ky është dhe paradoksi historik. Gjermania kishte triumfuar unanimisht ndaj kandidaturës së Barcelonës për organizimin e Lojërave dhe Presidenti i CIO-s-, belgjiani Henri de Baillet-Latour, kishte firmosur për Gjermaninë. Janë 3956 sportistë pjesëmarrës, më shumë se asnjëherë tjetër! Janë 49 shtete, më shumë se asnjëherë tjetër! Janë 328 sportiste femra, më shumë se asnjëherë tjetër! Ajo do të ishte Olimpiada e parë në historinë e njerëzimit që do të transmetohej në televizion!
25 ekrane u vendosen në Berlin dhe rrethinat e tij, që njerëzit të shihnin Olimpiadën. Pa harruar rastin e paprecedentë të shtypjes çdo ditë të buletinit të Lojërave “Olympia Zeitung” në 300.000 kopje dhe në 14 gjuhë! Dhe ndoshta ky është rekordi i rekordeve të Olimpiadës së Berlinit, i pathyer sot e kësaj dite! Pa dyshim në gjithë këtë organizim gjigant të papamë, mbi gjithçka spikasin ekzaltimet klasike teutonike, por edhe të miteve klasike me shqiponjat që mbushin gjithë Berlinin.
Me kohë qe thënë se Adolf Hitleri nuk e dëshironte këtë Olimpiadë në Gjermani, duke e përcaktuar publikisht si “një festival i padenjë dhe i sunduar nga hebrenjtë”. Por në kohë ka ndërhyrë ministri i propagandës, Joseph Göbbels, i cili arrin ta bindë Fyhrerin se, përkundrazi, Olimpiada do të ishte “një rast i mrekullueshëm për të shpalosë para botës imazhin e Gjermanisë dhe të regjimit me këmishë ngjyrë kafe, duke e shndërruar Olimpiadën në një makinë gjigande të propagandës”.
Dhe Gjermania, e cila do të triumfonte edhe në kahun e garave sportive. SHBA shkon në Berlin, humb Olimpiadën (33 medalje ari Gjermania, 24 SHBA) dhe presidenti i Komitetit Olimpik të saj, miliarderi i njohur Avery Brundage, njeriu i cili Mbasluftës do të jetë për 20 vjet President i CIO-s, kur kthehet në Uashington, deklaron me bujë: “Kemi shumë për të mësuar nga gjermanët”. 120.000 shikues presin dukjen e Fyhrerit në “Olimpia Stadion”, nën tingujt e himnit gjerman, marshit të nderit të Wagnerit dhe himnit të Olimpiadës simbas muzikës të Richard Strauss, ndërsa në qiell fluturojnë 100.000 pëllumba të paqes, një ide befasuese e shtetit i cili mbas 2-3 vjetëve do të shpallte Luftën e Dytë Botërore!
Një biondin me emrin Fritz Schilgen i jep jetë disaditore flakës olimpike që del nga tubat e çelikta të Krupit, prodhuesi i madh i topave të luftës! Dhe fjalët sublime të çeljes që dalin nga goja e Fyhrerit, atij që mbas 40 muajve në gjithë botën, do të njihet si simbol i së keqes: “Popuj. Qofshi miqtë e vendit tonë. Juve po ju çelim dyert, fjala jonë qoftë paqja. Olimpiada, festë e Paqes!”.
Mandej shfaqet Kampioni Olimpik legjendë i 1896-s, greku Spiridon Louis, i cili ka ardhur posaçërisht nga Athina për t’i dhuruar Fyhrerit degën e pemës së ullirit, ajo që më 2004 iu vu si kurorë në krye, medalistëve të Athina 2004! Foto Hitler-Louis që botojmë këtu bën rrethin (xhiron) e botës tash 80 vjet! Ajo ishte olimpiada e 4.5 milionë spektatorëve nga e gjithë Gjermania, në dispozicion të të cilëve ishin vënë 1000 trena! Ishte dhe Olimpiada e zezakut fenomenal, Jasmes “Jesse” Owens, katër medalje ari (100, 200, 4×100 dhe së gjati), sfidë kundër epërsisë së racës së bardhë ariane!
Dhe Adolf Hitleri, i cili braktis katër herë tribunën për të mos qenë i pranishëm në fitoret e racës së zezë mbi atë të bardhë! Kjo ishte olimpiada, flaka olimpike e së cilës gati e preku edhe tokën shqiptare…
NJË GAZETAR – SHQIPTARI I PARË I AKREDITUAR NË NJË OLIMPIADË: ANTON MAZRREKU
Dhe prapë e merr fjalën dokumenti autentik, provë e vërtetësisë historike që gjithashtu po e ribotojmë këtu. Ky është dokumenti krejt i thjeshtë që vërteton praninë e parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike 80 vjet të shkueme. Është edhe ky një dokument zyrtar, autentik i kancelerive të Olimpiadës.
Gjendet brenda “Official report”, “Raporti zyrtar i Olimpiadës” dhe është ky dokumenti që vërteton akreditimin e një përfaqësuesi shqiptar për herë të parë në një olimpiadë. Kishte ndodhur pra, në vitin 1936, Olimpiada e 11-të, çast kur në analet e saj për herë të parë është regjistruar zyrtarisht edhe emri shtetëror “Albania” (Shqipëria). Vështroni dokumentin tonë. Është faqja që tregon gazetarët e akredituar për lojërat (“Press Quotas According to Nations”) siç lexohet, të ndarë simbas shteteve. Në kolonën e shteteve gjen të shkruar “Albania”, që, simbas alfabetit, vjen menjëherë mbas Afganistanit e para Argjentinës. Dhe paralel me “Albania” është numri “1”.
Anton Mazrreku, shqiptari i parë në histori i akredituar në një Olimpiadë
Që do të thotë se Shqipëria ka akredituar “1” gazetar. Ishte 1 midis 593 gazetarëve. Nuk di a kemi sot në Olimpiadën e Rios 2016 të paktën 1 gazetar?!… Siç pata shkruar me kohë, e gjitha kjo dukej si një fakt i vogël, sidomos kur sheh se ballkanikët e tjerë kanë pasë shumë më tepër se Shqipëria: Bullgaria 11 gazetarë, Greqia 8, Rumania 10, Turqia 12, Jugosllavia 13 gazetarë.
Po për hir të së vërtetës, për ne ky është një fakt i madh sepse na zbulon që më 1936 një shqiptar ka qenë i akredituar në Lojërat Olimpike. Çka nënkupton se Shqipëria zyrtarisht është përfaqësuar në Olimpiadë. Dhe nëse është përfaqësuar vetëm me gazetarin dhe gazetarinë, prapë ky është një përfaqësim, ndonëse disi “sui generis”, kur kujton ndërkaq se asnjë sportist shqiptar nuk ka qenë në Berlin! Cili ishte ky njeri?
Askush tjetër përveçse Anton Mazrekut, futbollisti i dikurshëm i “Studente Shkodra”, por sidomos i Skënderbeut të Korçës, drejtori dhe themeluesi i gazetës “Sporti Shqiptar”, më 28 nëntor 1935, kryetari i Federatës Sportive Shqiptare (1945), botuesi i gazetës “Sporti” (1945), zëvendëskryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar (1958), zëvendëskryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (Mbasluftës), inspektori i FSHF, radiokronisti i madh, madje themelues i radiokronikës së parë, qysh më 1938.
Në kohën e sotme me nderimin përmes Çmimit “Anton Mazrreku” të themeluar prej autorit të këtij shkrimi dhe mikut të tij të paharrueshëm, Tonin Paloka. Më duhet të rikujtoj pra se kjo do të thotë që Shqipëria e ka filluar edhe në këtë rast me gazetarinë, mu me atë gazetari profesioniste të sprovuar, që na mungoi në Olimpiadën e Londrës 2012 e na mungon edhe në këtë të Rio De Janeiro-s!
Ky është paradoksi “olimpik” shqiptar i shekullit XXI i mundur keqas prej shekullit të shkuar XX”! Në paradoks me Shqipërinë e tij, shkruante Anton Mazrreku nga Berlini: “Prej Rrethit të Dytë të Shqipnis n’Olympiadën e përbotëshme të Berlinit: nji varg i gjatë parafytyrimesh e mbresash kalojnë si në një film cinematografik përpara mendes s’eme: tokohen, shndrrohen, përzihen.
Shoh një Owens të çuditshëm e kujtesa prap pushon mbi zotësin e ethet e Kërrëkut, kam parasysh një Stöck madhështor e nuk vonojnë të më dalin përpara tubolarit e çpuem të Gurashit, shijoj botën e Univesitarve italjan, deri diku paset e japonezve e mendoj prap fatkeqësin e Myftarit e të Kaçaçës, vërej kualt e Argjentinës që dërmojnë Anglin në Polo e më shkon mendja te Ljarja gjakftohtë, jam në Berlin e më duket sikur sot po nisem me çiklistat nga Berati…”…
Mbas pak ditëve, ai kulmon me shkrimin e fundit problematik, përimtues (analitik) me titullin “Mësimi i mosvalvitjes së flamurit t’onë në Olympiadën e Berlinit”. Thotë penda e tij: “… Kur flamujt e të pesë kontinenteve tundeshin në erë të gëzuar e faqebardhë afër njëri-tjetrit, atmosfera e evenimentit të pashoq m’i lagu mollëzat e faqeve me dy pika lot. Dy pika e jo më tepër, po të mjafta për të tërhequr vërejtjen e një biondeje të ndodhur rastësisht pranë meje.
Gjermania e tëra bionde: bionde në leshrat, bionde në sytë, bionde në mveshje, bionde dhe në zë po të duash, nuk ndenji dot pa më pyetur: “Warum weinen Sie?” Pse qani? Nuk mori përgjigjen e vërtetë. Po e merr sot: “Nuk jemi duke u përgatitur si duhet në fushën sportive”. Kështu apo ndryshe, na pëlqen apo nuk na pëlqen, Shqipëria pra ka qenë për herë të parë në Lojërat Olimpike jo më 1972, por më 1936, plot 80 vjet më parë, në Lojërat Olimpike të Berlinit.
Dhe ka qenë përmes gazetarisë! Ose e thënë më qartë: përfaqësuesi i parë shqiptar në Lojërat Olimpike ka qenë një gazetar. Emri i tij është Anton Mazrreku. Një befasi e madhe? Natyrisht! Ndonëse mbas kësaj do të kishte edhe befasi të tjera më të mëdha shqiptare që do të mbërrinin deri tek Adolf Hitleri…
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Investimi në vlerë prej afër 2 milionë euro, përfshin përveçse tribunën e lindjes dhe ulëse të reja, përfshin mbulim të tribunave perëndimore, veriore dhe jugore, si dhe ndriçim të plotë të fushës, duke mundësuar kështu zhvillimin e ndeshjeve edhe në mbrëmje.
Kryeministri Kurti tha në prononcimin e tij se Klubi Futbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, dhe nga këtu kanë dalë edhe yje të futbollit, në mesin e tyre Fadil Vokrri dhe Fevzi Rama. “Prandaj, përveç që e kemi obligim, besoj që është tejet e dobishme sepse investimi në sport, e posaçërisht në futboll në këtë stadium këtu në Podujevë do të inkurajojë, do të zbulojë, e do të ushqejë talente të reja, të cilët në vitet në vijim natyrisht se do ta ngrisin lartë e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi”, tha ai.
Gjithashtu theksoi se këto investime do ta shndërrojnë Stadiumin “Zahir Pajaziti” në stadium sipas kritereve të UEFA-s, e që natyrisht do të jetë një shtysë më shumë për suksese edhe më të mëdha.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, profesor Shpejtim Bulliqin dhe me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun, si dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria dhe Kuvendi, me rastin e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti” këtu në Llap, ku luan Klubi Futbollistik “Llapi”.
Klubi Futbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, pra edhe pak bëhet 100 vjeç ky klub dhe ne i kemi shumë borxh për shkak se nga këtu kanë dalur yje të futbollit, e në historinë tonë më të re që e mbajmë mend edhe vetë ne duhet përmendur Fadil Vokrrin dhe Fevzi Ramën. Prandaj, përveç që e kemi obligim, besoj që është tejet e dobishme, sepse investimi në sport, e posaçërisht në futboll në këtë stadium këtu në Podujevë do të inkurajojë, do të zbulojë, e do të ushqejë talente të reja, të cilët në vitet në vijim natyrisht se do ta ngrisin lartë e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi.
Siç mund ta shini këtu janë tri tribunat, perëndim, veri dhe jug dhe vendosja e gurthemelit për tribunat e lindjes, praktikisht e kompleton këtë stadium dhe kur i shtojmë edhe kulmet e ulura që do të jenë rreth e rrotull e gjithashtu edhe ndriçimi sipas standardeve ndërkombëtare, e shndërrojnë Stadiumin “Zahir Pajaziti” në stadium sipas kritereve të UEFA-s, e që natyrisht do të jetë një shtysë më shumë për suksese edhe më të mëdha.
Gëzuar e urime Klubit Futbollistik “Llapi” dhe të gjithë llapjanëve e dashamirësve të futbollit e të sportit. Zyra e Kryeministrit
Skiatori 22-vjeçar shqiptar shkëlqeu në garën e Slalomit, duke zënë vendin e parë me 1:29:41, me kohë shumë më të mirë se dy francezët, Hout-Marchand dhe Lopez.
FRANCE – Nëse mendoni se në përfaqësuesen tonë të skive kemi vetëm Lara Colturin, italianen e natyralizuar që po na bën krenarë duke ngritur flamurin kuqezi në pistat dhe arenat më të mëdha dhe të famshme botërore të këtij sporti, gaboheni.
Paralelisht me të është edhe Deni Xhepa, një prej skiatorëve më premtues për meshkuj që vazhdon të sfidojë emrat e Skive Alpine në alpet europiane. Rezultati i tij i fundit është mbresëlënës. Denni Xhepa shkëlqen në Val Cenis në Ski Chrono Samse Tour, aktivitet i FIS Alpine Skiing World Cup 2025-2026.
Skiatori 22-vjeçar shkëlqeu në Slalom, duke zënë vendin e parë me 1:29:41, me kohë shumë më të mirë se dy francezët, Hout-Marchand dhe Lopez. Më herët Denni u ngjit në vendin e 3-të të podiumit në Giant Slalom më 8 dhjetor dhe vendin e 10-të më 9 dhjetor.
Me këtë ecuri fantastike Xhepa ka ulur me 23 pikë renditjen e tij, duke u shndërruar në një kandidat potencial për të qenë pjesë edhe ai në cirkuitin e garave të vlefshme për Kupën e Botës në skitë Alpine, nëse vazhdon të konfermohet me këto paraqitje në garat pasardhëse
Denni Xhepa është pjesë e ekipit kombëtarë përfaqësues të Shqipërisë në Lojërat Olimpike dimërore, Milano-Cortina 2026.
Pasi udhëtoi tetëmbëdhjetë orë me autobus për të komentuar nga maja e një kodre finalen e fundit të Copa Libertadores, 15-vjeçari Cliver Huaman Sanchez u bë simbol dhe një yll në Perunë e tij të lindjes. Sonte, “gazetari” në zhvillim e sipër do të jetë në mikrofon për ndeshjen e Ligës së Kampionëve midis Real Madridit dhe Manchester Cityt.
SPANJE – Ai vesh një kostum të gjatë, thotë fjali me një ritëm marramendës dhe Peruja gumëzhin për të: djali i vogël që la një fshat të harruar në malet Ande në ndjekje të ëndrrës së tij.
Vetëm një javë më parë, 15-vjeçari Cliver Huaman Sanchez njihej vetëm në Huampica, qytetin e tij të lindjes në jug rural të vendit latino-amerikan, por udhëtimi i tij për në Lima – 900 kilometra, një udhëtim tetëmbëdhjetë orësh me autobus – e ka shndërruar atë në një yll. Një yll të vërtetë.
Historia e një adoleshenti të vendosur për t’u “bërë një komentator i shkëlqyer futbolli” dhe për ta vërtetuar këtë gjatë finales së Copa Libertadores, ekuivalenti i Ligës së Kampionëve në Amerikën e Jugut, midis Flamengos dhe Palmeiras (1-0), të zhvilluar të shtunën e kaluar në kryeqytetin peruan.
Qëllimi i tij: të ofronte komentim të drejtpërdrejtë të ndeshjes braziliane për pak ndjekës të llogarisë së tij në TikTok.
Por pa akreditim, të rezervuar për të rritur, ose një biletë hyrjeje, e cila ishte shumë e shtrenjtë, nxënësi i shkollës së mesme u kthye mbrapsht në portat e Estadio Monumental (80.000 vende).
Një telefon, një trekëmbësh, një mikrofon
“Mendova se të paktën mund të qëndroja pranë stadiumit për të mbuluar atmosferën para ndeshjes, por kjo nuk ishte e mundur”, u ankua gazetari i ri për median në gjuhën spanjole.
Dhe kështu, fillimisht “i trishtuar dhe i demotivuar” nga dështimi i planit të tij, ai e gjeti veten, me këshillën e një miku, në majën e Cerro Puruchuco, një kodër e thatë me pamje nga stadiumi me një pamje panoramike të megalopolisit (10.4 milionë banorë) të vendosur në buzë të Oqeanit Paqësor.
Një telefon, një trekëmbësh, një mikrofon dhe transmetimi i improvizuar më në fund mund të fillonte, nën vështrimin e gëzuar të një grushti aventurierësh të tjerë të tërhequr nga pika e improvizuar e vrojtimit.
“E kisha të vështirë t’i njihja lojtarët,” pranoi “Pol Deportes” (pseudonimi i tij) për programin në internet Satelite+. “Menjëherë u lidhën 500 njerëz. Numri u rrit në 10.000. Zëri im u bë gjithnjë e më emocional duke parë mbështetjen nga njerëzit.”
Cliver Huaman Sanchez tani ka mbi 2 milionë ndjekës në mediat sociale. Udhëtimi i tij i pabesueshëm është mbuluar nga mediat në të gjithë kontinentin, duke përfshirë CBS Sports, gazetën Marca dhe emisionin El Chiringuito. Ylli argjentinas i reggaeton-it Bizarrap, Manchester City Football Club dhe lojtarë profesionistë e kanë uruar publikisht, ndërsa Federata Peruviane e Futbollit i bëri një turne të ambienteve të ekipit kombëtar.
“Është e pamundur të mos prekesh nga ajo që bëri”, admiron Lola del Carril, komentatore për shërbimin argjentinas të DAZN. “Ai i kushtoi kaq shumë zemër dhe ndjeshmëri; ai fjalë për fjalë u ngjit në një mal (me motoçikletë-taksi dhe pastaj në këmbë, sipas tij)… Dhe e gjithë kjo pa asgjë: pa kontratë, pa para, pa pajisje. Ai thjesht tha: Dua të komentoj për këtë finale. Dhe e bëri. Është një mësim i bukur për kapërcimin e vështirësive”.
Në mikrofon për Real Madrid-Manchester City
“Ai është një i ri shumë frymëzues, sepse mishëron peruanin mesatar që përpiqet të dalë nga errësira nëpërmjet përpjekjeve, guximit dhe pasionit të madh”, duartrokiti Ricardo Montoya Descalzi, bashkëprezantuesi i tij me përvojë atë mbrëmje në Estadio Nacional.
“Ai ka një lehtësi të natyrshme, diksion të saktë dhe një zë të stërvitur mirë. Gjithë potencialin për t’u bërë një i madh në profesion”. Shkrimtari uruguaian Jorge Chagas, një tifoz i vërtetë i futbollit, theksoi “guximin e mrekullueshëm” të reporterit me kravatë të kuqe.
Ai e përshkruan veten si “pak të turpshëm”, megjithatë nuk tërhiqet kur interviston ultras që takon në rrugë, as kur përballet me kolegë që ia testojnë talentin përpara se t’i ofrojnë një smartphone, një televizor ose rroba të reja para kamerave.
Në këtë vorbull lumturie, fenomeni, tani një simbol, mori dy lajme të papritura: një premtim politik për një bursë për të studiuar gazetari në Lima dhe një ftesë nga kanali televiziv peruan Latina Noticias për të komentuar ndeshjen e Ligës së Kampionëve midis Real Madridit dhe Manchester Cityt, drejtpërdrejt nga stadiumi Santiago Bernabéu të mërkurën në mbrëmje. Magjike!
Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të historisë së sportit të Kosovës, ka ndërruar jetë.
74-vjeçari ka pasur karrierë të pasur si boksier. Ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës që për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.
Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij.
Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.
Gjenerata e artë e boksit
Ka dyshime për ndonjë datë, por emrat i kujton shumë mirë. E kujton edhe rëndësinë që klubi prishtinas i boksit kishte për sportin në shtetin e atëhershëm federativ.
Mehmet Bogujevci flet me krenari për sukseset që janë arritur nga klubi Radniçki, që në fund të viteve shtatëdhjeta e ndryshoi emrin në Prishtina. Bogujevci, për kohë të gjatë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, mban në zyrën e vogël të federatës disa fotografi të gjeneratave më të suksesshme të klubit prishtinas. Ai është në të gjitha fotografitë. Thotë se vetëm një titull Prishtina e ka fituar pa të në skuadër. Nga zyra e vogël, Bogujevci vazhdon të udhëheq boksin e vendit. Pranon se tani është shumë më vështirë dhe se përsëritja e sukseseve të viteve shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar është e pamundur. Përmend shumë arsye për këtë.
Për Bogujevcin, njëjtë si për gjithë boksierët e gjeneratës së tij dhe gjeneratës pas tij, tema e sukseseve të Prishtinës është e pëlqyer. Në secilën bisedë jep ndonjë detaj nga ndonjë ngjarje. Flet shpesh për bashkëpunimin me trajnerin e ndjerë, Lah Nimani, për përballjet e mbetura në kujtesë me boksierët më të mirë jugosllav të kohës.
Ai vlerëson se rritja e klubit Prishtina ka ndikuar që të ngrihet niveli i boksit në të gjithë Jugosllavinë. Tregon për kohën kur interesimi për boksin amator ishte jashtëzakonisht i madh. Kur të gjithë në Kosovë frymonin me sukseset e klubit të boksit.
Bogujevci në dhjetor të vitit 1969 iu bashkua Radniçkit, pasi për disa vjet kishte arritur suksese te Spartaku i Suboticës, vend ku ishte për shkollim. Gjatë kohës sa ishte në Suboticë, kishte shumë kohë të lirë dhe kishte vendosur të provonte boksin. Nuk kishte besuar se me kohë do të bëhej boksieri më i mirë në kategori dhe prej sportistëve më të mëdhenjë në histori të Kosovës. Titujt e parë individual i kishte fituar te Spartaku. Por pasi kreu shkollën e mesme, u kthye në Kosovë dhe iu bashkua klubit Radniçki.
Klubi i kategorisë së dytë
Radniçki ishte klub i kategorisë së dytë, por ngadalë nisi rritja e tij. Ishte klub dukshëm më i vogël dhe më pak i organizuar se Spartaku. Por kjo nuk zgjati shumë.
Ndryshimi i madh në klubin prishtinas ndodhi me ardhjen e trajnerit Lah Nimani nga Mitrovica.
“Kam filluar të boksoj për Prishtinën në mars 1970. Prishtina ka qenë në Ligën e Dytë, një klub jo fort mirë i organizuar, i lodhur. Me hyrjen në Ligën e Parë, ndërkohë është ndryshuar gjendja. Ka ardhur Zhivorad Shishkoviq për trajner, një ish-boksier i shkëlqyer i klubit të boksit Prishtina, një pedagog, një trajner i mirë. Kemi filluar të bëjmë rezultate të mira. Klubi Prishtina u bë i fortë kur u përforcua me boksierët e Trepçës, Faruk Gërxhaliun, Xhevdet Pecin dhe Enver Hajredinin dhe trajnerin Lah Nimani. Me ata tre boksier Prishtina shumë shpejtë ka filluar të korr suksese të njëpasnjëshme”, thotë Bogujevci.
Pak vite pas ardhjes së tij, Radniçki kaloi në ligën e parë federative. Ndryshimet vazhdonin të ndodhnin dhe gjendja në klub përmirësohej. Nuk vonoi dhe erdhi edhe suksesi i shumëpritur.
Titullin e parë Radniçki e fitoi në edicionin 1975/76. Pos Bogujevcit, që shpejt ishte graduar në kapiten të skuadrës, titullin e parë e sollën edhe Bajram Hashani, Xhevdet Peci, Nazif Gashi e shumë të tjerë. Bogujevci është i kujdesshëm me emrat. Nuk përmend shumë. Thotë se do t’iu mbetet hatri nëse e harron ndonjë. Edhe me data nuk merret shumë. Nuk merren as të tjerët, por e përbashkëta e të gjithëve është se flasin për pesë titujt, që Prishtinën e kthyen në skuadër të “pavdekshme”.
Në fakt Radniçki, përkatësisht Prishtina, fitoi disa tituj rresht, ndërsa pas një pauze, titullin e pestë e fitoi në vitin 1984. Bogujevci tashmë ishte i pensionuar, njëjtë si shumë boksierë tjerë të gjeneratës së parë të suksesshme.
Pasi fitoi titujt e parë, Prishtina vazhdimisht ishte prej klubeve kryesore në Ligën e Parë të Jugosllavisë, ndërsa disa herë doli nënkampione.
Bogujevci dhe të tjerët pretendojnë se kanë merituar më shumë tituj dhe se ka pasur padrejtësi të mëdha.
Ish-nënkampioni i botës ka thënë se Prishtina atëbotë ishte klub profesional i boksit amator. Ka treguar për përkrahjen e madhe që kishte klubi.
“Pas ndryshimeve kushtetuese të 74-s u ndryshua edhe kryesia e klubit. Kishte më shumë shqiptarë. Ekipi u përforcua me boksier të Kosovës. Vendasit pak më ndryshe ishin, kishte aq shumë publik sa që nuk i zinte stadiumi i sporteve të vogla, që ishte përplot i mbushur”, thotë Bogujevci.
“Automatikisht është rritur edhe konkurrenca. Të gjitha klubet e ish-Jugosllavisë u përgatitnin për të na mundur. Ka qenë problem për të na mundur. Aty-këtu e humbnim ndonjë ndeshje, por kryesisht kemi shënuar fitore”, ka shtuar ai.
Bogujevci thotë se ishte privilegj që të shikoheshin nga afër meçet e Prishtinës. Thotë se nderi më i madh që mund të bëhej ishte që t’i bëhej një ftesë dikujt. Ai ka treguar se ka pasur raste që meçet janë zhvilluar edhe në stadiumin e Prishtinës për shkak të interesimit të madh.
Kampioni i Jugosllavisë në konkurrencë ekipore caktohej në bazë të sukseseve që arriheshin në kampionatin që zhvillohej çdo javë, me xhiro të rregullta. Zhvilloheshin dhjetë duele dhe skuadra më e mirë fitonte përballjen.
Një prej boksierëve bartës te klubi prishtinas ishte Nazif Gashi. Ai e përcjell ende boksin, por nuk është i përfshirë direkt në sport. Gashi ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës në fund të viteve shtatëdhjeta, kur ishte periudha më e suksesshme.
Nazif Gashi tregon për ndryshimet e bëra e që sollën suksesin e Prishtinës së famshme, që mbahet në mend si njëra prej skuadrave më të suksesshme të Kosovës në kohën e shtetit federativ.
“Unë kur kam ardhur në klubin e Prishtinës, kur kam hyrë në ekipin e parë, në vitin 71, klubi vetëm sa ka hyrë në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Në atë kohë prej fundit të tabelës ne u bëmë kampion. Ishte një sukses i mirë, bëhej punë e mirë në klubin e Prishtinës, një ndryshim pozitiv. Pesë tituj rresht i kemi fituar”, thotë Gashi. Në rrethe të boksit, bisedohet shpesh për duelet e Gashit me kundërshtarë nga vende tjera të Jugosllavisë. Përmendet stili i tij i boksimit dhe fitoret e mëdha që ai i ka arritur.
Gashi e njeh kontributin e të ndjerit, Lah Nimani, për rritjen e jashtëzakonshme të Prishtinës. Tregon për raportet shumë të mira të trajnerit me boksierët e që, sipas tij, ishte çelës i suksesit.
“Filluam punën, filloi puna e mbarë, filloi vullneti te ne boksierët. Filloi afërsia e trajnerit me ekipin. Filluam me punë ndryshe, më me vullnet dhe energji për suksese”.
Shpresat për të ardhmen
Rrugën që e bëri Lah Nimani, nga Mitrovica për në Prishtinë, disa vjet më pas e bëri edhe Sefedin Braha. Ai në vitin 1978 kaloi te Prishtina dhe deri në vitin 1989 ishte ndihmës i Nimanit në klubin më të madh të boksit në Kosovë.
Braha së fundi është kthyer nga Gjermania në Kosovë dhe ka hapur një klub të boksit në Mitrovicë. Klubi quhet Trepça, si gjitha klubet e mëdha të qytetit të minatorëve.
Braha është i bindur se sërish do të dalin boksierë të nivelit të lartë, që do të fitojnë medalje në kampionate botërore e evropiane.
Të tillë ishin boksierët e klubit Prishtina. Aziz Salihu ka medalje të bronztë olimpike, Mehmet Bogujevci medalje të argjendtë botërore, ndërsa edhe të tjerët kanë fituar medalje të mëdha në atë kohë.
Në fakt, kur Prishtina ishte dominante në Jugosllavi, boksi në shtetin federativ ishte në nivelin më të lartë. Medaljet në të gjitha garat ndërkombëtare e dëshmojnë këtë.
“Është një periudhë që nuk mund të përsëritet, pavarësisht talenteve dhe kushteve që mund të sigurohen tani. Vetë fakti i pesë titujve të ish-Jugosllavisë dëshmon këtë. Në të gjitha kampionatet, duke përfshirë kampionatet evropiane, botërore e Lojërat Olimpike kemi pasur suksese. Kemi marrë medalje”, kujton Braha.
Ai punon me përkushtim me pak boksierët që i ka në stërvitje. Pajisjet i ka siguruar vet. Thotë se ka hasur në përkrahje të mirë dhe se talenti e vullneti nuk mungon. Por pranon se duhet shumë punë që të arrihet maja.
Te gjenerata e artë e Prishtinës, puna nuk ka qenë problem. Skuadra kryesisht ka qëndruar në kampe përgatitore. Në Saraj të Shkupit më së shumti, thotë Bogujevci. Incizimet e kohës dëshmojnë për atmosferën shumë të mirë në stërvitje. Edhe puna e të ndjerit Lah Nimani çmohet nga të gjithë. Vlerësohet kyçe, por përkahjes nga njerëzit që atëbotë ishin në pozitë të rëndësishme.
Boksi në Kosovë, si në shumicën e vendeve të rajonit, është në nivel dukshëm më të ulët. Sukseset ndërkombëtare mungojnë, ndërsa shikuesit janë të paktë. Interesimi për boksin amator ka rënë shumë. Edhe numri i të rinjve që vendosin për karrierë në sportin e ringut, nuk është i madh.
“Ka talente, nuk besoj se do të mungojnë rezultatet. Nuk mund të paragjykoj, por talentet, aspiratat, vullneti ekziston. Shpresoj do të nisemi në një rrugë të tillë, ku kemi qenë me gjeneratën e mëparshme”, thotë Braha.
Prishtina tani nuk është as klubi më i fortë në Kosovë. Por e kaluara e tij mbetet e madhe. Me sukseset e Prishtinës mburren të gjithë, jo vetëm ish-boksierët./Koha.net
Shqipëria dhe Kosova janë pjesëmarrëse në play-off të Kupës së Botës dhe padyshim do të duhet të kalojnë fillimisht sfidat shumë të vështira të muajit mars për të siguruar biletën e tyre për në fazën finale të turneut, Por nëse ndodh, ekziston një mundësi e vogël, që këto dy ekipe të përballen mes tyre në fazën me eliminim direkt të turneut.
Shqipëria është e pozicionuar në Grupin F dhe Kosova në Grupin D, nëse arrijnë të shkojnë në këtë aktivitet. Dhe mes skenarëve të ndryshëm atje, në të cilat të dy skuadrat kalojnë fazën në grupe, gjithmonë duke folur hipotetikisht, ekziston një i tillë në të cilin në ndeshjen e fazës së parë me eliminim direkt, të ketë një përballje mes tyre.
Nëse hipotetikisht Kosova fiton Grupin D, ndërsa Shqipëria merr vendin e tretë në Grupin F, atëherë sipas kalendarit të paracaktuar, ekziston mundësia e përballjes mes tyre në fazën me eliminim direkt ma datë 1 qershor në një ndeshje që do të luhej në stadiumin e Siatëllit.
Kosova mund të shkruajë historinë nëse arrin të kalojë Sllovakinë në gjysmëfinalen e plejofit të Botërorit 2026 dhe më pas fiton finalen e 31 marsit në Prishtinë ndaj fituesit të duelit Turqi–Rumani. Në rast kualifikimi, përfaqësuesja dardane do të vendoset në Grupin D, ku e presin tre kundërshtarë të fortë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Paraguai dhe Australia.
Deri tani Kosova nuk ka luajtur asnjëherë ndaj asnjërës prej këtyre kombëtareve, çka do t’i jepte një ngjyrë të veçantë pjesëmarrjes së saj të parë të mundshme në fazën finale të Kupës së Botës që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Nga ana tjetër, Shqipëria pozicionohet në Grupin F të Botërorit, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë, duke qenë se është ballafaquar vetëm me holandezët në histori. Kuqezinjtë kanë luajtur katër herë me Holandën dhe i kanë humbur të gjitha takimet: dy herë në kualifikimet e Botërorit 1966, me rezultatin 2:0 në të dyja ndeshjet e vitit 1964, dhe dy herë në kualifikimet e Euro 2008, ku Shqipëria u mund 2:1 në transfertë dhe 1:0 në shtëpi. Goli i vetëm i shënuar ndaj “Tulipanëve” mban firmën e Debatik Currit.
Shqipëria duhet të kalojë fillimisht Poloninë në Varshavë më 26 mars dhe më pas të luajë finalen e plejofit më 31 mars, sërish në transfertë, kundër fituesit të ndeshjes Ukrainë–Suedi. Fituesi i këtij rrugëtimi të vështirë do të jetë pjesë e Grupit F në verën e vitit të ardhshëm. gsh
Shqipëria ka mësuar kundërshtarët për Kupën e Botës, gjithnjë nëse arrin të kualifikohen.
Kuqezinjtë e Silvinjos do t’i zhvillojnë dy ndeshje në play-off në muajin mars, teksa rast që arrijnë fitore atëherë do të presin biletën për në Kupën e Botës.
Në shortin e tërhequr në Uashington, Shqipëria ka mësuar se do të jetë në grupin F, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Nëse finalizon me sukses ëndrrën e madhe të grupeve të Botërorit, ndeshjen e parë Shqipëria e luan ndaj Tunizisë.
Kujtojmë, gjysmëfinalja e play-offit do të zhvillohet më 26 mars, finalja më 31 mars, kurse Kupa e Botës nis më 11 qershor.
Donald Trumpi është nderuar me çmimin e ri të paqes të FIFA-s gjatë shortit të Kupës së Botës.
Organizata drejtuese e futbollit botëror, e cila e shpalli këtë çmim vjetor muajin e kaluar, tha se ai do t’u jepet “individëve që kanë ndërmarrë veprime të jashtëzakonshme dhe të pazakonta për paqen”.
Trump ka kërkuar prej kohësh një Çmim Nobel për Paqen për angazhimin e tij në zgjidhjen e konflikteve globale, përfshirë edhe armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe Hamasit në tetor.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me presidentin amerikan, e mbështeti atë për Çmimin Nobel më herët këtë vit.
Infantino i dorëzoi Trump-it një trofe të madh të artë, të formuar nga duar që mbajnë globin, si dhe një medalje ari, të cilën ai tashmë e mbante në qafë.
Donald Trump, gjatë fjalës së tij në shortin e Kupës së Botës 2026, deklaroi se ky ishte “një nga nderet më të mëdha të jetës sime.”
“Ne shpëtuam miliona jetë, Kongo është një shembull, 10 milionë njerëz kishin vdekur dhe shumë shpejt po shkonin drejt shifrës 10 milionë të tjerë. Po ashtu edhe me Indinë dhe Pakistanin, ne ndaluam luftëra që ishin gati të shpërthenin.
Gianni ka bërë një punë të jashtëzakonshme, keni vendosur rekord të ri në shitjen e biletave. Është një tribut i bukur për ju dhe për lojën e futbollit, ose siç e quajmë ne, soccer. Shifrat janë përtej asaj që mendonim se ishte e mundur”, tha ai.
Më tej, Trump shtoi: “Bota tani është një vend më i sigurt. SHBA nuk po kalonte një periudhë të mirë një vit më parë, ndërsa tani jemi vendi më ‘i nxehtë’ në botë.” gsh
Kupa e Botës është një aktivitet i cili shpesh është lidhur me histori të çuditshme. Dhe padyshim më e çuditshmja është ajo që i përket grupit të famshëm F. Historia tregon se asnjë përfaqësuese e cila e ka nisur turneun si pjesëmarrëse në Grupin F, nuk ia ka dalë të fitojë trofeun, edhe pse i ka shkuar shpesh afër.
Që në vitin 1982, kur u zgjerua në 24 skuadra aktiviteti, u desh të rritej edhe numri i grupeve dhe u shfaq edhe Grupi F. Në atë grup u bë menjëherë pjesë Brazili i madh i Sokrates, favorit për turneun. Por u eliminua rrugës nga Italia.
Katër vite më vonë, në Meksikë 1986, e kishte radhën Anglia e cila u eliminua nga Argjentina e Maradonës. Në 1990, përsëri ishin anglezët në grupin e mallkuar dhe këtë herë dështuan në gjysmëfinale përballë Gjermanisë. Më pas e kishin radhën Holanda dhe Gjermania, apo në vitin 2002, shorti vendosi në të njëjtin Grup F Anglinë dhe Argjentinën, por asnjëra nuk pat sukses.
E vetmja përfaqësuese e cila thuajse e theu mallkimin, ishte Argjentina e Mesit në vitin 2014, pasi ajo arriti deri në finale, por atje u mund nga Gjermania dhe pa të shuhej ëndrra e Botërorit. Kështu që në shortin e sotëm, të gjithë do të duan padyshim të shmangin një grup të veçantë, për të pasur një telash më pak në rrugëtimin e tyre.
AEK triumfoi 2-3 në derbin ndaj Panathinaikos, në supersfidën e kampionatit grek. Në Apostolos Nikolaidis Stadium (Athens), protagonist për AEK ishte edhe portieri Thomas Strakosha.
“Gardiani” kuqezi i priti 11-metërshin polakut Sëiderski, në minutën e 28-të. Paraqitja e Strakoshës pas sfidës u vlerësua me notën 6.7.
30-vjeçari ka luajtur 12 ndeshje në këtë sezon. Për të, ky është edicioni i dytë me fanellën e AEK. bw
AEK Athina tronditi Fioren brenda në “Franchi”, me ekipin grek që doli me 3 pikë, kjo falë edhe paraqitjes spektakolare të Thomas Strakoshës, një portier që në Serie A e njohin shumë mirë pasi prej vitesh ishte pjesë e Lazio-s, shpesh një nga portierët më të lakuar në treguan e Italisë. Pas 10 vitesh në kryeqytet, Strakosha zgjodhi të largohej drejt Anglisë, por për fat të keq gjërat nuk shkuan si duhet në ishull.
Rikthimi i tij në Athinë, tek AEK rezultoi një lëvizje e gjetur pasi më fund gardiani kuqezi është rikthyer të luajë në nivele të larta. Një intervistë për mediat në Itali, Strakosha u rikthye pas në kohë duke falënderuar fillimisht Simone Inzaghin, trajneri i cili i dhuroi debutimin në Serie A:
2
“Inzaghi është një trajner që të largon presionin, e falënderoj gjithnjë, ishte ai që më dhuroi debutimin. Te Lazio kam kaluar 10 vite të bukura, por e dija që nuk do të qëndroja gjithmonë aty, e kisha të qartë që një ditë do të rikthehesha në shtëpinë time, në Athinë. Të largohesha nga shtëpia në moshën 16 vjeçare nuk ishte e lehtë, por më ndihmoi shumë të rritesha si person. Pas Lazio-s kalova në Premier League, por ai dëmtim më bëri të humbas afro 1 vit karrierë, më pas kisha dyshime nëse do të rikthehesha edhe një herë si më parë. Tani tek AEK Athina janë rikthyer të jem i lumtur, kjo shihet edhe në fushë. Athina është shtëpia ime, unë kam lindur këtu, por zgjodha Shqipërinë për familjen time”, u shpreh ndër të tjera Strakosha. bw
Ndeshja e xhiros së katërt do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.
KOSOVE – Sot (e enjte) është në program për t’u zhvilluar ndeshja e dy klubeve shqiptare, Dritës dhe Shkëndijës në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Gjilanasit janë pritës të tetovarëve në ndeshjen e xhiros së katërt, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.
Ekipi Drita i Zekirija Ramadanit është në një formë të mirë në kampionat, por e ka nisur mirë edhe në Ligën e Konferencës, pasi ka dy barazime dhe një fitore nga tri ndeshjet e para.
Trajneri i skuadrës nga Gjilani, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe duke theksuar se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e Dritës në arenën ndërkombëtare.
“Kemi presion. Luajmë para tifozëve tonë. Është ndeshja më e vështirë që e kemi pasur në arenën ndërkombëtare. Patjetër që besoj te ekipi, është mirë që i gjithë grupi është në dispozicion, përveç Mesas, që do të mungojë edhe një kohë të gjatë”. Gjithsesi te Drita deklarohen se ndaj Shkëndijës: “Jemi të motivuar dhe të gatshëm për fitore”.
Në formë të mirë është edhe ekipi i Shkëndijës së Jeton Beqirit, pasi kuqezinjtë kanë një barazim dhe një fitore në dy ndeshjet e fundit në Ligën e Konferencës, kështu që duan rezultat edhe nga ky udhëtim i vështirë.
Përtej aspektit sportiv, kjo ndeshje do të jetë interesante edhe për faktin se vjen një ditë para festës së flamurit, 28 Nëntorit, dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë nga të gjitha trojet shqiptare, përveç dy qyteteve si Gjilani dhe Tetova.
Komentet