Grupi vullnetar “Shpëto Vlorën”, i krijuar rishtazi pas lejeve të ndërtimit që kanë rikthyer presionin mbi zonat e mbrojtura, protestoi të shtunën në Pishë–Poro–Nartë.
Ndryshe nga një javë më parë, kur aktivistët rrëzuan rrethimin dhe arritën të hyjnë në zonën e mbrojtur, këtë herë hyrja u bllokua. Territori ishte rrethuar nga të dyja anët nga një gardh me tela me gjemba, që shtrihej deri në det.
“Është bërë një rrethim gjigant si në kohën e pushtimit gjerman”, thotë për Citizens Gëzim Zile, mësues matematike në Vlorë, tashmë në pension, njëkohësisht edhe ish-kryetar i Bashkisë në fund të viteve ’90.
Banorët: Nuk dimë kush po ndërton
Zile thotë për Citizens se në terren mungon çdo formë transparence. Sipas tij, nuk ka asnjë tabelë informuese, asnjë të dhënë për kompaninë që po kryen punimet dhe asnjë shpjegim për qytetarët.
Ai shton se “është rrethuar edhe deti, i cili nuk është pronë private”.
“Është nga Porto Novo deri te Hidrovori, një perimetër i rrethuar prej rreth 15 km, me një thellësi që varion deri në 100–200 metra dhe rreth 600 hektarë pyll”, thotë ai.
Protestuesit u shprehën se në zonë nuk kishte asnjë përfaqësues të firmës apo të bashkisë që të jepte sqarime. Në terren, sipas tyre, kishte vetëm forca të Policisë së Shtetit.
“Ne ishim rreth 200 veta, po aq ishin edhe forcat policore”, thekson Zile.
Ai e lidh këtë zhvillim me projektet e mëdha turistike të përfolura për zonën e Vlorës dhe Zvërnecit, përfshirë edhe projektin e Jared Kushner për ishullin e Sazanit, i cili është reklamuar dhe mbështetur publikisht nga qeveria shqiptare.
“Tre-katër fshatra që janë përballë Sazanit arrijnë deri në kufijtë e Vlorës, siç tha edhe Ivanka kur erdhi: ‘Po më pëlqekan shumë këto’”, ironizon Zile.
Edhe aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ishte pjesë e protestës, thotë për Citizens se kundërshtia e vlonjatëve nuk do të ndalet këtu dhe se protestat do të vijojnë edhe fundjavën e ardhshme.
“Pati kërkesa për të hapur derën e kantierit, por nuk na u lejua hyrja. Të shtunën do t’i bashkohemi organizatës PPNEA. Do të jetë një protestë më e madhe”, tha ai.
Citizens tentoi të kontaktojë kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, por kontaktet e vendosura në faqen zyrtare nuk rezultojnë funksionale. Numri i telefonit është i padisponueshëm, ndërsa brenda dy javësh kompania ka ndryshuar tre herë adresën e emailit.
Emri i kompanisë u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, “Zvërnec South Adriatic Development” po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh, mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.
Megjithatë, vendimi i plotë nuk është zbardhur ende. Vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.
Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.
Shënjestrimi i aktivistëve dhe gazetarëve
Ndërsa dokumentet e plota për projektin nuk janë bërë publike dhe kompania mbetet e paarritshme, aktivistët dhe gazetarët që po ndjekin çështjen janë përballur me shënjestrim publik dhe presion në terren.
Disa media të shtypit të shkruar i kanë etiketuar aktivistët si “agjentë grekë” që po bllokojnë “investimet e Trump”.
“A është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike?”, shkruan në Facebook Laureta Petoshati, një nga aktivistet e grupimit vullnetar “Shpëto Vlorën”.
Presioni është shfaqur edhe në terren. Protestuesit kanë publikuar video ku persona civilë të paidentifikuar ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe protestuesve, duke i intimiduar me fjalët: “Po ju evidentojnë një nga një”.
Përveç organizimit të paralajmëruar për fundjavën e ardhshme në Nartë, një tjetër protestë është thirrur më 26 maj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Protesta do të mbahet në orën 14:00, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë.
“Nuk mund të lejojmë që një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë të shkatërrohet para syve tanë. Mos heshtni përballë shkatërrimit të Vjosë–Nartës”, thuhet në thirrjen e PPNEA./citizens.al