Një mjet shpërthyes është vendosur gjatë natës nën makinën e gazetarit dhe moderatorit të emisionit investigativ Report, Sigfrido Ranucci.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, në Campo Ascolano, një zonë midis Romës dhe Pomezias, në jug të kryeqytetit italian.

Automjeti ka shpërthyer, duke dëmtuar edhe makinën tjetër të familjes dhe shtëpinë ngjitur.
Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët, zjarrfikësit dhe njësitë e policisë, ndërsa Prokuroria kompetente është vënë në lëvizje për hetimet e para dhe është njoftuar Prefekti.
Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të emisionit ‘Report’, fuqia e shpërthimit ka qenë aq e madhe sa mund të kishte vrarë këdo që do të kalonte në atë moment.
LEXO EDHE: Attentato a Sigfrido Ranucci, bomba distrugge le auto del giornalista di Report. «L’esplosivo avrebbe potuto uccidere»
Shpërthimi ka dëmtuar edhe makinën tjetër të familjes, të cilën e përdorte zakonisht vajza e gazetarit dhe që ishte parkuar vetëm pak minuta më herët, rreth orës 21:40.
Edhe banesa e Ranuccit ka pësuar dëmtime në pjesët e jashtme, por për fat të mirë nuk raportohen as viktima, as të plagosur.

Gazetari ka folur me Corriere della Sera pak pas orës dy të mëngjesit:
“Vajza ime kaloi përpara makinës sime vetëm pak minuta para shpërthimit — mund ta kishin vrarë…”
Sipas tij, ngjarja mund të mos jetë rastësore:
“Është e mundur që kjo ngjarje të ketë lidhje me faktin se para pak ditësh kam njoftuar temat e reja të hetimeve të Report,” — është shprehur Ranucci.
Në vendngjarje forcat e zjarrfikësve punuan për të shuar flakët që përpinë automjetet dhe për të siguruar zonën. Sipas Ranuccit, në sulm “është përdorur të paktën një kilogram eksploziv”.
PROFILI:
Sigfrido Ranucci ka zhvilluar disa investigime të bujshme mbi Shqipërinë, kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.
Në programin Report të RAI3, ai trajtoi marrëveshjen Rama–Meloni për refugjatët, si dhe dyshimet për lidhje mes krimit dhe qeverisë shqiptare.
Pas transmetimit të dokumentarit, Ranucci u përfshi në një polemikë të ashpër me Edi Ramën, i cili telefonoi drejtuesit e RAI-t për të shprehur pakënaqësi.
Gazetari e krahasoi reagimin e Ramës me atë të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke thënë se “vetëm Kremlini është ankuar ndonjëherë në atë mënyrë për një emision të Report”.
Ranucci ka deklaruar gjithashtu se investigimet ndaj qeverisë shqiptare do të vazhdojnë, dhe se emisioni i ardhshëm i Report do të publikojë të tjera detaje.