SHOQËRIA QË PRODHON “PUNË” PA PUNË.
Fjalë, fjalë, fjalë…, fjalë pa fund dhe vetëm fjalë! Fjalë në familje, fjalë në rrugë, fjalë në bar, fjalë në televizion, fjalë në parlament. Fjalë edhe në punë, atje ku ka punë. Të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon. Një lum fjalësh që shkon në det. Një garë e pafund me fjalë të zgjedhura e banale, fyese e lavdëruese. Në emër të “fjalës së lirë” flasin të gjithë, pa përjashtim. Të gjithë shesin “dituri”, ata që dinë dhe ata që s’dinë. Flasin dhe askush s’lë hapsirë për të folur. Fol unë e fol ti, një kaos i vërtetë, pa kuptim, pa sens, pa konkluzione. Moderatorët, edhe ata, shpesh bien në kurthin e llafazanëve, por thjeshtë për t’i dominuar e orientuar të bëjnë lojën e tij, meqënse të gjithë “fjalëmëdhenjtë” e tavolinave të rrumbullakta, paguhen për fjalë.
E gjithë kjo prodhon vetëm zhurmë. Një zhurmë marramendëse që varfëron njeriun dhe shton stresin. Sikur të bëhej një studim mjeksorë, me siguri që sëmundjet për shkak të stresit, do të rreshtoheshin në krye të listës. Stresi, tashmë, është bërë shtresë. Kjo ide u bë shtysë, që kohë më parë, të shkruaj një poezi, e cila, është bërë e njohur për të gjithë lexuesit e mi:
Stres!…
Stres!…
Stres!…
Stresi u bë shtresë,
Nuk fshihet me fshesë!…
Të gjithë ankohen nga stresi, të mëdhenj e të vegjël. “Mos më streso” është bërë shprehja e ditës. Kjo vjen nga “zhurma” e fjalëve, e fjalëve “pa bereqet”. Them kështu, sepse në to, s’ka as ide, as zgjidhje. Kjo është e frikshme. E frikshme, sepse vetë ne, njerzit, me qëndrimin tonë, po krijojmë një shoqëri “llafazane”. Një shoqëri që ofron “punë”, pa punë. Dëshmi e gjallë është mbushja e shesheve, rrugëve, shëtitoreve, bareve, diskotekave, lojrave të fatit etj., me mizëri njerzish të të gjitha moshave. Nuk jam i zoti të jap një balancë të njerzve që punojnë, ndaj atyre që nuk punojnë, por nuk dyshoj fare, se pesha, anonë në anën e të dytëve. Kjo vërtetohet me faktin se qytetet nuk i sheh kurrë të boshatisur, madje as të rralluar, në asnjë orë të ditës e të natës bashkë. Në se do të ishte gjallë nëna ime, ndjesë pastë, do të thoshtee habitur: “ç’bëhet kështu xhanëm, me se ushqehet gjithë ky farë mileti?!” Të papunët, po i “mbysin” puntorët, jo vetëm me shifra por edhe me mentalitetin ndaj punës. Qëndrimi larg saj, tashmë është një realitet i hidhur. Pasuria “pa punë” po i shtrinë metastazat në trupin e shoqërisë si një kancer që përparon me shpejtësi. Rrugët e shtembëra, helm – mbjellëse, si droga, prostitucioni, kontrabanda, e korrupsioni në tërësi, janë “legale” dhe një pjesë e mirë e njerzve, i shohin si mundësinë e vetme për të bërë pasuri. Nuk është më kot e njohur ajo shprehja e vjetër: “shih rrushi rrushin, e piqu!” Nga ana tjetër, ata që kanë bërë lekë, nuk i adresojnë fëmijët e tyre drejtë punës. Shoqëritë e pasura po mbahen nga refugjatët. Ata e shtrojnë mirë kurrizin, se janë nevojtarë. Një thirrje “të vogël” bëri Gjermania për krahë pune dhe “popuj” të tërë, të pashpresë, u vunë në lëvizje. Afrikanë, aziatikë dhe ballkanas, nisën lëvizjet e mëdha drejt Evropës Perëndimore. A nuk u ngjanë kjo zhvendosjeve të popujve në lashësi, në kërkim të kushteve më të mira për të mbijetuar?! Kohës kur “hante njeriu – njerinë”?!…Kuptohet, lëvizin nevojtarët, të uriturit dhe të ndershmit, se të tjerët, ata që nuk “e hanë” punën e krahut, bëhen hajdut, kriminelë, kontrabandistë, që të nesërmen, të gdhihen kapitalist dhe më pas, t’i futen politikës për të pastruar paratë. Ka ndodhur, që kjo, të bëhet edhe “temë e ditës”. Janë folur fjalë, shumë fjalë, dhe asnjë masë konkrete për ta zvogëluar sado pak të keqen, sepse për ta ndalur me vrapin që ka marrë, do të duhet kohë, e cila mund të matet me breza njerzorë. Sigurisht me breza, sepse vetë shoqëria po rrit një brez që nuk e do punën, sidomos punën prodhuese, pa të cilën edhe zhvillimi, ecja përpara, bëhet e pamundur.
Në këtë mënyrë, duke iu larguar punës, po i largohemi edhe “njeriut”, të cilin e bëri të tillë puna. Dhe kjo nuk ka emër tjetër veçse kthim prapa, dhe po nuk u ndal, do të jetë kthim në origjinë, kthim në atë kohë kur “hante njeriu – njerinë”…
Qerim Skënderaj. Pistoia, më 18/05/2015
Komentet