Pas përfundimit të referendumit në Itali për disa ndryshime në reformën në drejtësi të kërkuara nga qeveria “Meloni”, ku qytetarët u shprehën me një “Jo” në shumicë dhe pjesëmarrje masive, reagimet kanë qenë të shumta.
Mes tyre edhe në Shqipëri, ku më e fundit është deklarata e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Me një reagim ditën e sotme (25 mars), kjo Shoqatë përshëndet rezultatin, që e cilëson si një “mbështetje e qartë për shtetin e të drejtës” dhe vetë drejtësinë.
“Rezultati i këtij referendumi tregoi një mbështetje të qartë për pushtetin garantist të shtetit të së drejtës, i cili sigurohet vetëm nga një sistem drejtësie që zotëron hapësirën e nevojshme për të funksionuar në mënyrë efiçente dhe të pavarur”, theksohet mes të tjerash në reagim.
Por gjithashtu nënvizohet se edhe Prokurorët dhe Gjyqtarët në Shqipëri do ta vijojnë misionin e tyre për mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, pavarësisht problematikave.
“Sistemi i drejtësisë, me gjithë problematikat që mund të ngrihen në drejtim të tij, përbën oksigjenin e lirive themelore të qytetarëve. Procesi referendar në Itali dëshmoi edhe një herë se pavarësia e sistemit të drejtësisë në tërësi mbetet gur themeli i çdo sistemi demokratik funksional. Në këtë kontekst, shoqatat tona mbeten të vendosura dhe të angazhuara maksimalisht për ta realizuar këtë mision themelor të garantimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, duke marrë përvojat më të mira nga shoqatat homologe të vendeve fqinje”, mbyllet kjo deklaratë.
Deklarata e plotë e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve dhe Gjyqtarëve:
“DEKLARATË E PËRBASHKËT
E Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë ndjekur me mjaft interes procesin referendar në Republikën e Italisë, lidhur me ndryshimet e propozuara kushtetuese në sistemin e drejtësisë.
Pas përfundimit të procesit dhe zyrtarizimit të rezultatit, shprehim vlerësimin dhe urimet e rastit për Shoqatën Kombëtare të Magjistratëve të Republikës së Italisë, e cila, përmes rolit të saj aktiv dhe angazhimit profesional, kontribuoi në nxitjen e një debati të hapur, për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave kushtetuese. Rezultati i këtij referendumi tregoi një mbështetje të qartë për pushtetin garantist të shtetit të së drejtës, i cili sigurohet vetëm nga një sistem drejtësie që zotëron hapësirën e nevojshme për të funksionuar në mënyrë efiçente dhe të pavarur.
Magjistratura italiane ka treguar gjithnjë pjekuri në përballjet dhe sfidat e saj, jo pak të vështira. Ajo, ndoshta më shumë se çdo sistem tjetër i Evropës, e ka merituar pavarësinë që gëzon sot, mbi të gjitha, për martirët që i ka dhuruar kauzës së vendosjes së drejtësisë dhe triumfit të ligjshmërisë. Angazhimi i Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve të Republikës së Italisë dëshmoi se një sistem drejtësie i ndërgjegjshëm për misionin e tij merr pjesë në mënyrë aktive dhe të përgjegjshme në jetën demokratike, duke mbrojtur vlerat mbi të cilat ndërtohet drejtësia.
Një angazhim i tillë forcon njëkohësisht lidhjen ndërmjet sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve, duke garantuar llogaridhënien dhe ndërtimin e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë. Edhe në vendin tonë, është detyre e organeve të sistemit të drejtësisë dhe e çdo magjistrati në veçanti për të rritur besimin e qytetarëve, sikurse edhe përgjegjësia e qytetarëve për t’i ofruar besimin e duhur institucioneve të dhënies së drejtësisë, të cilat ekzistojnë për t’i shërbyer atyre, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë kushtetuese nga çdo ekses prej pushteteve të tjera.
Sistemi i drejtësisë, me gjithë problematikat që mund të ngrihen në drejtim të tij, përbën oksigjenin e lirive themelore të qytetarëve. Procesi referendar në Itali dëshmoi edhe një herë se pavarësia e sistemit të drejtësisë në tërësi mbetet gur themeli i çdo sistemi demokratik funksional.
Në këtë kontekst, shoqatat tona mbeten të vendosura dhe të angazhuara maksimalisht për ta realizuar këtë mision themelor të garantimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, duke marrë përvojat më të mira nga shoqatat homologe të vendeve fqinje”. gsh