Të dashur kolegë e të nderuar miqtë e dashamirët e mi…Një mik imi më pyeti ditët e fundit nëse më kujtohej se cili ishte shkrimi im i parë, i botuar? Nuk m’u kujtua menjëherë, por pas pak kërkimi, ma mori mendja se duhej të kishte qenë revista “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, me Drejtor Përgjegjës Dr Monsinjor Zef Oroshin. 54-vjet më parë, ishte viti 1971. Në Amerikë isha më pak se një vit. Në moshën 21-vjeçare, ende kisha në plan të vazhdoja studimet që kisha filluar në Kroaci si seminarist. E si rrjedhim, gazetarinë (karrierën time më vonë pranë Zërit të Amerikës) as nuk e kisha ndër mend fare, por i angazhuar pranë Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, nën drejtimin e Monsinjor Zef Oroshit, ndonëse pa asnjë përvojë në fushën e gazetarisë, me inkurajimin e Dr Oroshit, megjithse pa përvojë, fillova të shkruaja për revistën e lartë përmendur, Jeta Katolike Shqiptare.
Ishte pra, viti 1971. Regjimi i Enver Hoxhës kishte shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist – kundër Zotit dhe ishte në kulmin e luftës kundër fesë dhe klerit shqiptarë në përgjithësi, por sidomos inatin e madh e kishte me klerin katolik shqiptar. Kjo luftë kundër fesë dhe klerit, ishte shtrirë edhe në Nju Jork, ku përfaqësuesit e regjimit komunist të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara i kishin shpallur luftë veprimtarisë së klerikëve shqiptarë që vepronin në botën e lirë, sidomos në Nju Jork dhe Detroit, e të cilët ishin arratisur vite më parë nga Shqipëria komuniste për të shpëtuar jetën. Përfaqësuesit “diplomatikë” të Shqipërisë komuniste gjatë 1970-ave dhe 1980-ve në OKB nuk mund të na shiten tani si “patriotë”, sepse veprimtaria e tyre në atë kohë ishte shumë shkatërruese dhe tepër përçarëse dhe aspak e “lavdishme”, në komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe. Por nejse, qoftë e shkuar ajo kohë!
Qëllimi i këtij shënimi është për miqtë e mi, më shumë personal – në përgjigje të pyetjes së mikut tim se cili ishte shkrimi i parë i botuar i imi dhe ku – por po e ndaj më gjërsisht edhe për kuriozitet të kolegëve dhe dashamirësve të tjerë, sa për informacion.
Ishte pra ky shkrim me karakter fetar për një revistë fetare në mbrojtje të klerit katolik shqiptar, të sulmuar, të vrarë, të burgosur e të përsekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për dekada e që me hir ose pa hir hahahaahaha filloi, si të thuash, karrierën time modeste në fushën e gazetarisë. The rest is history, my friend!



