Nganjëherë disa personazhe të rinj, njerëz që si papritur hyjnë në albumin e kujtimeve të jetës, të ngrenë siparin e një skene tjetër. Në dukje rastësisht, hyjnë në jetën tonë, mbase me të zakonshmen e “përbuzur”, që e kthejnë në respekt. Ata mund të ndikojnë ndjeshëm duke ofruar impakt, duke na sfiduar, madje duke na ndryshuar dhe konceptet për jetën. Këto takime mund të shihen si rastësi kuptimplote, ose “sinkronizime” të momentit, ku një person shfaqet me dramën, që është çelësi i asaj historie, duke të ofruar mënçuri, shoqëri apo një mënyrë të re, për të parë veten dhe botën.
…Festa e krishtlindjeve dhe e vitit të Ri, si dy binjakë fisnikë, që celebrojnë sëbashku, të veshur me sharminë, shkëlqimin e magjinë intriguese, të rrëmbejnë në botën e tyre, dhe të kthejnë për pak si dhuratë, çaste nga vitet e fëmijërisë. Një ditë prej tyre, bashkë me familjen shkuam në qendër, në sheshin e Sintagmës, për të shijuar nga afër, mrekullinë e pemës madhështore të vitit të Ri, plot ngjyra, drita, në një ambjent gëzimi e hareje të shprehur, në tingujtë e muzikës të kombinuar, me decibelët e shfrenuar,
Athina në festat e fundvitit
në masë maniakale. Një skenë si në përrallë, ku ndërthuren imazhe nga Renoir, Rembrand e deri në ato moderne “art collection”, të Gerhard Richter apo të Emma Cownie…Veç në të qëndron diku e strukur, kronika e dhimbjes njerëzore. Duke medituar atë spektakël mendova, ose njerëzit janë bërë tepër modest, ose shkëlqimi i rremë joshës, u jep një eufori elektrizuese, prehëse deri në ngazëllim amnezik…
Mbasi bëmë xhiron e prezantimit, u ulëm në një stol parku, midis pemëve dhe gjelbërimit të ndriçuar, duke shijuar lëng frutash dhe “passa tempon”. Ashtu duke biseduar, e mes shakarave, shikimi im befas, u fiksua tek një bordurë pranë, mes luleve, ku qëndronin të menduar, një meso burrë, brun me mjekër e mustaqe të zeza, me një stil veshjeje jo të zakontë, tip pizhamash, ngjyrë gri, sipër saj një xhakete të errët pa mëngë dhe mbi të, një mantel të zi. Kishte një fytyrë të thatë, ku zhbironin dy sy të zinj dhe skicohej një pamje e vuajtur. Më ngjante me ikonën e Jesuit, në version bardh e zi. Ajo që e bënte të dallohej ishte se në kokë, kishte të lidhur një shirit gëzofi me shkëlqim, si kadife e zezë, ku ishin qëndisur rruaza me ngjyra dhe në anë të saj, dukej një pendë e një shpendi, mbase prej shqiponje. Ai mbante shtrënguar në dorën e tij, dorën e një vogëlusheje, me sy jeshil skuro, por plot dritë, rreth 5-6 vjeç, veshur me një fustan të gjatë, me motive e, kombinim ngjyrash dhe një xhakavento jeans “extra large” për të,
Pema e Vitit të Ri me libra, krijim i emigrantit
e cila e kishte mbështetur kokën në gjoksin e tij dhe na shikonte me kureshtje. Në krah kishin krijuar një imitacion, të pemës së vogël të vitit të ri, formuar nga libra të ndryshme, ku reflektonin dritat e dyqaneve përreth. Në qoshe të pemës ishte një sak në formë zemre, ku çdokush mund të hidhte ndonjë monedhë. Ky imazh aq i zgjuar, më intrigoi dhe më ngjalli interes për ta.
Ndërkaq nipi im mbante në dorë një top të vogël, ngjyrë portokalli, duke bërë masazh të duarve, mandej ma hidhte mua dhe unë ja ktheja servisin, spontanisht i futur në lojë. Për një çast trajektorja e topit përfundoi në duartë e vogëlushes. Ajo shpejt ja solli, me një ecje të veçantë spazmodike, duke buzëqeshur. Unë mbasi e përkëdhela, vura re një nishan të zi në mes të ballit: “Si të quajnë”? e pyeta, Asha, mu përgjegj, e druajtur, me kokë të ulur, ose “Shpresa” belbëzoi në greqisht, por jam indiane, vazhdoi. Mënyra e të folurit dhe nazet që e shoqëronin, e bënin më të lezetshme. Në atë moment u dëgjua zëri i burrit, që mesa duket e këshillonte të kthehej pranë tij. Shko tek babai i thashë, ajo duke u larguar shtoi, se nuk ishte babai i saj…Kjo më bëri të isha më i rezervuar. Vazhdonim të bisedonim midis nesh dhe të argëtoheshim me ambjentin e festës. Melodia e “Christmas lights”, që shoqëronte karrocën plot lodra dhe libra, të një shitësi ambulant i veshur si plaku i vitit të ri, solli një notë tjetër hareje. Por ai nuk falte dhurata, i shiste me muzikë. U ngrita dhe unë bashkë me nipin, ftuam me dorë dhe Ashën. Ajo erdhi me kënaqësi, por vura re se ajo bënte hapa zvarritëse, si gërshërë. Nuk i dhashë të kuptonte ndjenjën që më pushtoi, e mandej filluam të zgjedhim dhuratat. Unë i gjeta dy libra, një me përralla antike dhe tjetra aq e njojtur, Kozeta e V.Hygoit, atë e kanë quajtur dhe “shkrimtar i vuajtjes njerëzore“,…i spjegova vogëlushes. Asha preferoi gjithashtu, një zog të bukur të mbyllur në një sferë kristali, “E di pse me pëlqen kjo se më ngjan mua dhe unë kam mbetur si një zog i vetëm”, tha me zë të ulët. Buzëqeshja ime u tret, dhe në fytyrë më zbriti trishtimi…Doja të mësoja mbi historinë e saj, kështu duke e mbajtur nga dora, ju afrova zotnisë që e shoqëronte. Sintetizuat filozofinë e jetës në një simbolikë, vetëm në një metër katror, shqiptova. “Libri më bënë të mendohem dhe të menduarit akoma nuk përbën mëkat”, u shpreh ai me kënaqësi. Mund të kem një libër, i thashë mbasi hodha disa euro në sak. Ai mori një libër nga sipër dhe ma ofroi. Nuk ka gjë i thashë, pasi vura re lëkundjen e “pemës”.
Fillimisht më priti ftohtë, por me respekt, më tha se e quanin Pradeep (Ndriçim) e Mathej, dhe se ishte indian, i krishterë, mbasi u mendua pak, mes emocionesh, vazhdoi rrëfimin prekës: …”Por identiteti ynë është Emigrant, që zhvendosemi si hije të mjerueshme, shpesh të padëshiruara, për të mbijetuar…Mbas një shtegëtimi plot surpriza, para një viti, po i afrohreshim me një skaf të vogël brigjeve të Greqisë, por një moment i papritur, i ndryshoi të gjitha. Dallgët e fuqishme të Egjeut, rrëmbyen në gjirin e tyre, gruan dhe vajzën time të vogël dhe bashkë me to dhe mikun tim, të jatin e Ashas, pasi nënën e saj pak kohë më parë, e mori me vete vdekja. Ndërsa Asha u aksidentua në këmbë. Kështu mbeta me Ashan, të cilën e kam si vajzën time, në kërkim të lirisë dhe mundësive. Herë pas here shkojmë në breg të detit lutemi dhe thërrasim mes lotësh emrat e tyre, por veç zhurmës së valëve nuk dëgjojmë tingull tjetër”.
Nuk mund ti nënshtronte ato emocione, nuk mund të mbyllesh ajo plagë, që shtrihesh nga drama në një romancë intriguese, megjithëse kishte kaluar një vit… Njerëzit të magjepsur nga shkëlqimi i rremë i vitrinës e harrojnë atë realitet, apo e neglizhojnë. Për tja bërë bisedën më të qetë, i propozova të merrnim diçka për të pirë, apo ndonjë snack (kolacion). Fillimisht refuzoi, mandej me insistimin tim, preferoi një capuccino fredo. Asha donte një chicken burger dhe Amita motion, ndërsa unë mora një espresso. Dërgova nipin në Mc Donalds-in pranë nesh, i cili i gatshëm, bëri dhe garsonin. Dukesh të tregohesha i kujdesshëm, se biseda emocionale mund të shndërrohej nga miqësore, në një debat të ashpër, të pa dëshiruar… Mbasi thithi me forcë kafen, Pradeepi vazhdoi narracionin:
“Vet jeta është një koleksion dramash e tragjedish. Dhe fillimi i jetës mes Adamit dhe Evës, nis me simbolikën e një tragjedie, që ne e mbartim në gene. Unë jam nga një zonë e veriut të Indisë, Malana quhet, është një luginë në këmbët e Himalajeve (Himachal Pradesh), thuhet se jemi pasardhës të Aleksandrit të Madh. Jemi të krishterë, pasues të Saint Thomas, por respektojmë dhe fenë hinduiste. Por jam me origjinë Raja (aristokrat fisnik), duke më treguar, pendën e shqiponjës në kokë. Fliste ngadalë në anglisht, por i futej dhe ndonjë shprehje greqisht. Kuptova se mbarte një kulturë të mirë dhe një karakter të fortë. Ashtu siç ishte duke folur, hapi bluzën dhe tregoi kryqin e varur në qafë, mandej nxorri nga xhepi një foto ( të laminuar me cipë plastike ) nga një mural, që tregonte influencën e stilit helen në veshje, në muzikë, me amfora, në Indi, të shek.IV B.C. gjatë Achaemenid dynasty...“Kjo është pasaporta dhe licenca ime, shtoi duke buzëqeshur, sapo jua tregoj policëve, ata nuk më ndalojnë, kështu evitoj deportimin”…Mbasi e dëgjova me vëmendje vazhdova bisedën: “Diku kam lexuar diçka interesante mbi filozofinë Hindu, ku analizohet raporti i të dukshmes “drista “, dhe të padukshmes ”adrista”, ku aludohet se gjithë qëniet njerëzore ndajnë dhuntinë hyjnore, e cila ndihmon të arrihet uniteti harmonik dhe çlirimi nga padija. Pradeepi më pyeti, nëse isha historian, unë e mohova, dhe ai nguli këmbë se diçka me vlerë përfaqësojë. Jam doktor në pension i thashë. Ai ndryshoi shprehjen e fytyrës, u ngrit në këmbë e u përkul me respekt, duke artikuluar me ngazëllim: ”Pra në gjykimin tim kam të drejtë. Dëgjo, doktor. Në filozofinë tonë të jetës, veç Hindusë klasike me Brahman-in, indipendent, Vetveten dhe Materjen ekziston dhe pilona e Budizmit Helenistik, influenca e të cilit, mbetet e padiskutueshme, pasi përfaqëson kombinimin e kulturave tona me kulturën helene, e ndodhur kaq larg, por dhe aq afër. Tani ne si emigrantë duhet të përshtatemi, me një mjedis dhe stil jetese të panjohur, duke ruajtur aspekte të kulturës tonë dhe duke e pasuruar me kulturat që kontaktojmë”. Asha dhe nipi im dëgjonin të fiksuar plotësisht në bisedë. Mbeta në meditim duke menduar për ato ikona, aq interesante, që mbartnin një tragjedi dhe jetonin një dramë. Atyre që në vend të humanizmit,
Fotua mbi influencën helene në jetën Indiane
disa u servirën psikozën e “fantazmofobisë”, duke i konsideruar si “atraksion misterioz”. Sa shumë paralele gjejmë midis jetës së tyre dhe tonës, çka aborton çdo ndjenjë snobizmi dhe afron një mesazh empatie. Unë nxorra nga xhepi një kartëvizitë timen dhe duke shtuar, vazhdova: “Këtu përveç identitetit tim, keni dhe numrin e telefonit, për çdo nevojë. Jeta ndërtohet mbi ura dhe urat mbështeten tek njerëzit”…Veç mos të jenë ura psherëtimash, për më tepër, destina të mos na vendosi përballë “perëndive të Olimpit”, vërtetë ne mbajmë barrën e një etikete, por nuk jemi të gjithë të njëjtë, shtoi nën zë Pradeepi. “E mbështes diversitetin me vlera, e cila ngjan me një kopësht plot me lule të ngjyrave të ndryshme, ndërsa e kundërta ngjan me një kopësht me bimë të egra ku lulet mungojnë”, artikulova me ngulm, e për pak çaste mbeta në meditim, me përshtypjet e mësimit intelektual dhe njerëzor që ndamë. “Dëgjo mik, liria e vërtetë fillon nga autonomia e brendshme”, përfundova duke buzëqeshur. Mandej duke i përshëndetur, mbasi përkëdhela Ashen, i urova për festat e u bëra gati të largohesha, shoqëruar nga imazhi që ndesha. Atë çast u befasuam nga një surprizë interesante, kur qielli u ndriçua nga projeksioni me Laser i imazheve fluturuese grimcash plazmatike dhe një pasthirrmë e zgjatur Uau…,që u kthye në jehonë, nga shfaqja e figurës të një globi plot ngjyra dhe një pëllumbi me degën e ullirit në gojë, si simbol i paqes, që fluturonte mbi të. Ndërkaq Pradeepi dhe Asha u ngritën në këmbë, të përkulur bashkuan duartë, si në një ritual lutjeje dhe diçka pëshpëritën… Ishte hymni i zemrës mirënjohëse që bashkon njerëzit, janë ato momente që të duket se prek lumturinë, momente që shpirti buzëqesh. Ktheva shikimin prapa, e në introspeksion mendova, si përsëriten në dinamikën e jetës çastet, momentet, si ndryshohen rolet, si zhvendoset fokusi dhe perceptimi?! Por një gjë është e vërtetë, se vetëm…“Humanizmi dhe mirënjohja çliron plotësimin e Jetës dhe pasuron ndjenjat“…
Dhjetor 2025


