Gazetarja Klodiana Lala raportoi se, grupi hetimor i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) të gjithë dokumentacionin e prokurimit të mirëmbajtjes, materiale këto që priten të dorëzohen organit të akuzës brenda një afati prej një jave.
ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas që bllokoi juglindjen e vendit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se, grupi hetimor i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) të gjithë dokumentacionin e prokurimit të mirëmbajtjes, materiale këto që priten të dorëzohen organit të akuzës brenda një afati prej një jave.
Hetimi po fokusohet specifikisht te tenderi i mirëmbajtjes dhe nëse ka parregullësi në procedura. Ekspertët po analizojnë me kujdes termat e kontratës së lidhur mes ARRSH-së dhe kompanisë fituese. Gjithashtu po hetohet leja për marrjen e inerteve në lumin Shkumbin dhe zbatimi i saj në terren.
Referuar të dhënave të Open Data, tenderi i mirëmbajtjes rezulton se është fituar nga kompania InfraKonsult. Verifikimet e para tregojnë se kjo kompani nuk i ka përmbushur detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kjo shkelje e ligjit dyshohet se u bë shkak për shembjen e rrugës dhe bllokimin e qarkullimit. Prokuroria ka ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.
Dosja hetimore përfshin gjithashtu veprat penale të shkatërrimit të rrugës dhe ndotjes së mjedisit. Ndonëse situata në këtë segment rrugor është normalizuar, problemet teknike mbeten ende mjaft evidente. Për ditë me radhë automjetet nuk qarkulluan dot për shkak të rrëshqitjes masive të tokës./Dosja.al