VOAL

VOAL

SHBA paralajmëron se pushtimi i Ukrainës do të ishte i “tmerrshëm”

January 29, 2022

Komentet

UGSHPD: AJRI DHE UJI KANË NGJYRËN LEJLA SIPAS RILINDJES SOCIALISTE

“…Shqipëria në turizëm me sezon 365 ditë në vit”, thotë ministrja Kumbaro.
 
Nuk jemi të qartë se nga dalin dhe se ku mbështeten këto deklarata, por e mjera Shqipëri nuk është vetëm turizëm!
Qeveria e Ramës dhe Bashkia e Veliajt vihen re si dy njësitë më të sëmura pas imazhit gjë që i ka bërë ata ndër vite të jenë edhe ndikuesit më njohur jo vetëm të lajmit të rremë dhe të mashtrimit, por edhe të shtytjes së një agjende progresiste që i ka çoroditur rregullat e lojës së demokracisë së brishtë shqiptare në emër “të shoqërisë së hapur”. Sidomos kjo mund të vërtetohet gjatë tre mandateve 2013-2025. 
Kryeqyteti i kapur si i tillë është bërë shembulli për gjithë vendin se si mund të përçahet dhe manipulohet popullsia e një vendi. Materialisht Tirana nuk është vetëm ri-jetësimi i simboleve të institucioneve të diktaturës komuniste nga paratë e taksapaguesve, por bashkë me paranë e shpenzuar po synohet përqafimi i ideologjisë social-komuniste të Rilindjes Socialiste si nostalgji. Pushteti dhe paraja ishin në dorën e një grushti njerëzish që e mbajtën mbyllur Shqipërinë për gati gjysmë shekulli. Ndërsa sot po i kthehemi diktatit njëpartiak që po e kontrollon të gjithë jetën e vendit. Kemi parë të jenë hedhur miliona edhe përmes projekteve ndërkombëtare duke ribërë më parë se nevojat më jetike të qytetarëve, piramida dhe bunkerë dhe prapë vazhdojnë të hidhen miliona për fasadat, ndriçimet nga ku propaganda me shumëngjyrëshin e saj formal të gjithë përfshirjes është tonuar në ngjyrën “shpresëdhënëse”, lejlanë. 
Lejlaja është shplarja e atyre Socialistëve të sigluar në Rilindje ku për çdo veprimtari, qofshin ato tubime politike, artistike, të mikpritjeve samitore apo edhe gjithfarëshe për nga tematika milionat, e hedhura pas tyre kurrë nuk janë bërë transparente. Rendja pas lejlasë është kthyer në shenjën dalluese të një force politike si të ishte një epidemi që të pështjellon neveritshëm dhe në këtë kohëzgjatje sundimi është shndërruar në traumën e ngjyrës, në porfirofobi*. 
E futur dhe e trajtuar thellë, lejlaja e preku së fundmi edhe turizmin. 
Këtu do të ndalemi dhe do të përpiqemi ta tregojmë se si në rastin kur një kompani si “One Albania” që përfaqësohet me ngjyrën lejla në logon e saj u lidh organikisht me politikën e turizmit të qeverisë dhe ajo merr status dhe prezantohet si sponsore, bashkëpunëtore dhe promovuese kryesore e turizmit shqiptar prej Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Këtë lajm e përcolli ATSH-ja më 15 Maj, kur hodhi sloganin e vitit turistik 2024 “Albania All Senses” (“Shqipëria me Gjithë Shqisat”), një strategji të cilën ministrja përgjegjëse Kumbaro ishte ajo që  e lartësoi. Por përpara se të shkojmë tek shqisat që turistët do ta ndjenin  vërtetë Shqipërinë si vizitorë dhe çfarë rëndësie ka reklama që përpiqet të bëjë qeveria, le të ndalemi së pari tek përjetimi i realitetit shqiptar.
Së pari tek pamundësia e vendasve, shqiptarëve për të zotëruar prona në peizazhin natyror, pasuruar nga puna e tyre, nga punësimi sezonal apo gjithë vjetor për të mbajtur ekonominë familjare sikurse edhe në rastin që po patën kursyer nga pamundësia e rritjes së çmimeve, shtrenjtësia e jetesës dhe detyrimi i taksave, shqiptarët të kenë mundësinë për të pushuar me dinjitet qoftë edhe disa ditë në bukuritë që i ka falur perëndia vendlindjes së tyre.
Pra përpara sloganit rilindas “Albania All Senses” (“Shqipëria me Gjithë Shqisat”), le të ndalemi tek mesazhet kontradiktore që dalin nga fjalimet dhe deklaratat në periudha të ndryshme prej kabinetit qeveritar me në krye Ramën. Në qoftë se Ministri i Brendshëm Balla flet për sigurinë dhe rendin dhe zv. kryeministrja Balluku përuron segmente të infrastrukturës dhe personalisht inspekton strukturat akomoduese turistike për cilësinë e ujit, energjisë elektrike dhe gazit, në një kohë kur në Shqipëri krimi, trafiqet, tregu informal, papunësia, shërbimi shëndetësor, transporti, aksidentet rrugore etj. dëmtimi i natyrës, ndotja e ujit dhe e ajrit, bashkë me mos përpunimin e plehrave janë pjesa më e vështirë e jetesës së një popullsie të përgjysmuar, reklama për turizmin është një fryrje e qëllimshme dhe renditje jashtë kategorisë së Evropës.
Por Kryeministri Rama e cilësoi turizmin në Shqipëri me “Champions League” në qoftë se do t’i mbajë ritmet e rritjes duke u bërë konkurrente me Italinë, Francën, Greqinë, Kroacinë, Spanjën, Slloveninë dhe këtë çdo shqiptar do ta çmonte për veten në qoftë se turizmi nuk është vetëm një fjalë në erë. Ka mbi një vit që fluksi turistik shënoi rritje dhe siç shprehet ministrja Kumbaro; gjeneroi në vitin 2023 rreth 4,2 miliardë euro për ekonominë shqiptare”, por gjatë gjithë kësaj periudhe nuk u pa investimi dhe ngritja e një shkolle profesionale për kualifikimin për rinisë shqiptare në fushën e turizmit dhe shërbimeve. Në të kundërt, kur thuhet se rritja për 2024 ndryshe nga viti i kaluar do të jetë me 40% më shumë, pra 14 milion turistë, po kjo ministre deklaron se; “… Shqipëria është në negociata me Filipinet dhe me Indonezinë për të marrë fuqi punëtore,…”
Pyetja për publikun mbetet se çfarë po promovohet kur shqiptarët nuk përfitojnë nga politikat e qeverisë në një kohë kur ekonomia e vendit gjeneron miliarda euro?
A mbrohet natyra?
A rriten cilësitë e shërbimeve?
A ulen çmimet?
A rritet prodhimi vendas bujqësor e blegtoral?
A po e rrisim dijen, shëndetin dhe mirëqenien?
A po afrohemi më pranë me kulturën e zhvilluar evropiane duke treguar mikpritjen, apo shqiptari bëhet edhe më i varfër dhe më lehtësisht i manipulueshëm nga një elitë që di ta nxjerrë lekun dhe pasurohet?
Ja pra pse rendja pas lejlasë e kthyer në propagandë është në një porfirofobi. Kur qeveria flet për “Albania All Senses” (“Shqipëria me Gjithë Shqisat”) renditja e shqisave;  shikimi, dëgjimi, nuhatja dhe shija pa i marrë atyre atë se çfarë natyra i jep Shqipërisë dhe çfarë perëndia i ka krijuar, këto shqisa janë më të dhimbshmet kur i ndesh në realitetin shqiptar sepse politika e mbrapshtë shikimin na e ka verbuar, dëgjimin na e ka shurdhuar, nuhatjen na e ka ndotur dhe shijen na e ka prishur së pari ne shqiptarëve. Ndërsa për shqisën e të prekurit, për atë që njerëzit janë bërë tashmë më të pandjeshëm prej varfërisë dhe grabitjes nga qeverisja vërteton se shqisa e të prekurit është paraja. Paraja nxit të prekurin e xhepit të qytetarëve duke u bërë thelbi i korrupsionit tashmë i shprehur me formulën e re e përfitimit, të propagandës dhe të sundimit të qeverisjes së Rilindjes Socialiste.
________
 *Porfirofobia (Porphyrophobia) : Është një lloj kromofobie, e cila shpreh gjendjen frikës nga ngjyrat. Njerëzit me porfirofobi mund të përjetojnë ankth kur shohin ose përfytyrojnë ngjyrën lejla në çfarëdo forme ajo shfaqet, madje reagojnë edhe ndaj nuancave të kësaj ngjyre.
 
 

22 Maj, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kurti në Londër: Armatimi i madh, tregues se Serbia do përshkallëzim

Kryeministri Albin Kurti e ka hapur Konferencën e Mbrojtjes në Londër duke përmendur me shqetësim kërcënimin e Rusisë dhe Serbisë në Kosovë, por dhe duke specifikuar rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve për demokraci.

Sipas tij, armatimi i madh i Serbisë, është një tregues së ajo synon përshkallëzim të situatës, transmeton klankosova.tv.

Tutje ai ka specifikuar se derisa Kosova bashkëpunon me partnerët e saj SHBA, MB e BE, Serbia zgjedh Rusinë, Kinën e Iranin.

“Ndërsa Republika jonë bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, si SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian. Serbia intensifikon bashkëpunimin e saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin”.

“Demokracia ka nevojë për siguri dhe siguri në mënyrë që të lulëzojë. Sipas një studimi të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, 87% e Kosovës mbështesin politikën pro BE-së dhe Pro-perëndimit. Kjo është përqindja më e lartë e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor”, citohet të ketë deklaruar Kurti.

Kosova në rendin e ditës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s më 25 maj në Sofje

Kosova është në rendin e ditës për seancën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje që fillon më 25 maj.

Asambleja Parlamentare do të votojë miratimin e kërkesës së Kuvendit të Kosovës për avancim nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar,

statusin më të lartë në AP deri në anëtarësimin në NATO.

‘Bukuria i kishte 16 pranvera, po sot u bënë 25 vjet nga zhdukja e saj, masakra serbe në Vushtri’ – Nga Albin Kurti

Bukuria i kishte 16 pranvera. Më 26 gusht 1999 do të mbushte 17 vjet. Sot janë bërë 25 vite prej zhdukjes së saj.

Më 22 maj 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë dhe masakruan mizorisht 68 civilë shqiptarë në Vushtrri. Pas ekzekutimit, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit, trupat e pajetë i dërguan në Serbi. Eshtrat e 67 shqiptarëve të vrarë në këtë masakër u gjetën në Batajnicë të Beogradit. Nuk u gjet Bukuria.

Në Batajnicë afër Beogradit janë gjetur trupat e pajetë të 744 shqiptarëve nga Kosova. Aty zhvillohen parada ushtarake të Serbisë pa asnjë pllakë apo shenjë tjetër përkujtimore që tregon se ka pasur një varrezë masive.

Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë nuk mund të fshehen e as fshihen. Këto krime nuk mund të mbeten të pazbardhura e kriminelët të pandëshkuar.

Në këtë përvjetor, kujtojmë të vrarët në masakrën e Vushtrrisë:

1 Afrim (Osman) Bajrami (31 vjeç)
2 Agim (Arif) Zeka (20 vjeç)
3 Agim (Hamdi) Dallku (26 vjeç)
4 Agim (Islam) Shaqiri (17 vjeç)
5 Ahmet (Qazim ) Uka (35 vjeç)
6 Ajshe (Azem) Uka (31 vjeç)
7 Ali (Ibrahim) Melenica (58 vjeç)
8 Arian (Emurullah) Prokupla (30 vjeç)
9 Arsim (Hazir) Sejdiu (33 vjeç)
10 Arsim (Ismajl) Musa (20 vjeç)
11 Avdi (Hamit) Bardiqi (56 vjeç)
12 Bahri (Mahmut) Syla (24 vjeç)
13 Bajram (Habib) Islami (38 vjeç)
14 Bajram (Ramadan) Meha (46 vjeç)
15 Bashkim (Hamdi) Dallku (23 vjeç)
16 Bedri (Ramadan) Kutllovci (38 vjeç)
17 Besnik (Ramadan) Shaqiri (15 vjeç)
18 Brahim (Rrahim) Maloku (48 vjeç)
19 Bujar (Dibran) Krasniqi (19 vjeç)
20 Bukurie (Hasan) Shkreli (16 vjeç)
21 Burim (Rafet) Behrami (17 vjeç)
22 Driton (Rifat) Murseli (27 vjeç)
23 Driton (Shaban) Merovci (31 vjeç)
24 Ekrem (Jahir) Feka (30 vjeç)
25 Faik (Raif) Mulaku (57 vjeç)
26 Fatmir (Halim) Keqolli (26 vjeç)
27 Fazli (Zenel) Shabani (56 vjeç)
28 Fehmi (Ukshin) Musa (37 vjeç)
29 Ferki (Zeqir) Kadriu (58 vjeç)
30 Hajdin (Ramadan) Shaqiri (19 vjeç)
31 Haki (Zeqir) Kadriu (16 vjeç)
32 Hamdi (Ragip) Dallku (62 vjeç)
33 Hamit (Adem) Halili (60 vjeç)
34 Hasan (Ibrahim) Melenica (51 vjeç)
35 Hilmi (Hamit) Halili (27 vjeç)
36 Ibrahim (Bajram) Zeqiri (36 vjeç)
37 Ibrahim (Habib) Islami (49 vjeç)
38 Idriz (Ragip) Hasani (21 vjeç)
39 Irfan (Ilaz) Zhilivoda (38 vjeç)
40 Isak (Sylë) Maçastena (33 vjeç)
41 Jeton (Rifat) Vërbovci (33 vjeç)
42 Kemajl (Tefik) Tërnava (41 vjeç)
43 Lulzim (Hamdi) Bajrami (27 vjeç)
44 Mensur (Ferat) Gërguri (35 vjeç)
45 Miradie (Hajzer) Feka (62 vjeç)
46 Muhamet (Ahmet) Kadriu (56 vjeç)
47 Muharrem (Hamdi) Bajrami (32 vjeç)
48 Murat (Ferat) Tiriqi (24 vjeç)
49 Muzafer (Avdulla ) Muhaxheri (42 vjeç)
50 Naim (Osman) Bajrami (37 vjeç)
51 Naser (Arif) Zeka (25 vjeç)
52 Nexhmedin (Arif) Zeka (22 vjeç)
53 Nistret (Ali) Melenica (31 vjeç)
54 Rafet (Qazim) Behrami (53 vjeç)
55 Ramadan (Bajram) Meha (15 vjeç)
56 Ramadan (Sefë) Shaqiri (50 vjeç)
57 Rrahim (Ali) Shatrolli (43 vjeç)
58 Rrahim (Hasan) Shkreli (19 vjeç)
59 Rrahman (Idriz) Ferati (18 vjeç)
60 Sekine (Qazim) Uka (24 vjeç)
61 Serhat (Ferat) Tiriqi (22 vjeç)
62 Shaban (Ibrahim) Melenica (49 vjeç)
63 Shahidin (Shefqet) Maxhuni(20 vjeç)
64 Shahin (Xhevat) Feka (40 vjeç)
65 Shefki (Musli) Melenica (22 vjeç)
66 Xhafer (Ramadan) Shaqiri (18 vjeç)
67 Zeqir (Rexhep) Kadriu (46 vjeç)
68 Zeqir (Rrahman) Zeqiri (45 vjeç
Lavdi!

Dumani: Krimi shqiptar, i shtrirë në gjithë vendin dhe i përfshirë në tregun ndërkombëtar të drogave të forta

VOA/Ilirian Agolli

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar raportoi sot para dy komisioneve të Kuvendit për tregje kriminale shqetësuese dhe për grupe aktive në territore të gjera nga Tirana, Durrësi, Vlora e Gjirokastra dhe deri tek Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.

Krimet më të shpeshta janë vrasjet, trafikimi i narkotikëve, tregtimi i armëve, lëndëve shpërthyese dhe i makina të vjedhura për ngjarje kriminale, si dhe korruptimi i njerëzve të ligjit.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, bëri të ditur deputetëve se në Tiranë dhe disa qytete bregdetare këto grupe kriminale merren kryesisht me pastrimin e parave të paligjshme.

“Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimi në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike si Vlora, Durrësi dhe Lezha. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose në të afërm të të dyshuarve”, tha zoti Dumani.

Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore me Komisionin e Ligjeve dhe me Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit, ku është dorëzuar një raport vjetor mbi veprimtarinë e këtij institucioni.

Ndërsa ka regjistruar 299 procedime të reja, Prokuroria e Posaçme ka hetuar 750 procedime penale, më shumë se gjysma të mbartura nga një vit më parë. Statistikat e këtij institucioni tregojnë veçse shtim të punës hetimore dhe ndëshkuese ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zoti Dumani theksoi se Prokuroria e Posaçme ka hetuar 863 materiale, për të cilat 7 nga çdo 8 dosje vendosi nisjen e hetimit, madje ka rritur ndjeshëm edhe nisjen e hetimeve kryesisht me nismën e vet.

Ai kërkoi shtimin e prokurorëve për shkak se puna në këtë institucion është shtuar mjaft, se kriminaliteti ka hyrë në një fazë të sofistikimi dhe teknologjie, ndërsa propozoi që mandati i prokurorëve duhet të ripërtërihet, në mënyrë që t’u shkohet deri në fund çëshjteve gjyqësore.

Një nga skemat e pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane, tha zoti Dumani, ndërsa veçoi një operacion në këtë fushë.

“Në një rast një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësuesve të mafias ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave, që pasatj do të transferoheshin jashtë vendit po me ndihmën e biznesit vendas. Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU-t- tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, tha zoti Dumani.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme tha se në një vit u sekuestruan 41 milionë euro pasuri të paligjshme, pasi u kryen 22 hetime pasurore.

Ai tha se GJKKO ka marrë 20 vendime për konfiskimin e 4 pasurive të paluajtshme 11 pasuri të luajtshme si dhe para në cash, si dhe janë dënuar 9 zyrtarë të nivelit të lartë. Për korrupsionin janë shënuar deri tani 909 procedime penale dhe përgjimet janë shtuar ndjeshëm, po ashtu.

Sipas tij, u regjistruan 3 procedime për terrorizëm, kryesisht për mbështetje të dhunës përmes internetit.

Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme ka nisur autoriteteve gjyqësore jashtë vendit 122 kërkesa për çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu ka një rritje të kërkesave për ekstradim dhe për shpalljen e personave në kërkim ndërkombëtar

“Hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta, duke pasur dhe kontrolluar trafikun në cikle të mbyllura dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kriminale kanë aktivitet edhe në tregje ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe si dhe në rajon”, tha zoti Dumani.

Prokuroria e Posaçme ka nisur 97 kërkesa për gjykim me 547 të pandehur për krim të organizuar dhe për korrupsion.

Ndërkohë janë ekzekutuar 79 vendime gjykate dhe janë dënuar 269 të pandehur, 160 nga të cilët me burgim, ose sa 60% e tyre.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se bashkëpunimi i policisë me krimin është realitet, duke e cilësuar si ulëritës faktin që ndërsa mijëra punonjës policie sakrifikojnë përditë përballë krimit, disa drejtues policorë kanë rezultuar si të lidhur me krimin e organizuar, mes tyre, ish-drejtori i njësisë operacionale, disa drejtues komisariatesh apo shefa krimesh.

Ndjekjes nga Prokuroria e Posaçme nuk u kanë shpëtuar as prokurorë dhe gjyqtarë. Prokuroria e Posaçme ka hetuar 4 ish-magjistratë, të cilët u shkarkuan nga procesi i vetingut dhe 2 ish-magjistratë janë dënuar.

Po ashtu vjet u arrestua një prokuror në detyrë dhe u procedua një gjyqtare në detyrë nga SPAK-u, drejtues të të cilit janë të vetëdijshëm se nuk janë ta imunizuar nga korrupsioni as ata gjyqtarë e prokurorë që kanë kapërcyer me sukses procesin e vetingut.

Prokuroria e Posaçme ka qenë në qendër të akuzave nga një pjesë e opozitës, por zoti Dumani tha se kjo prokurori është e shurdhër ndaj çdo presioni apo sulmesh politike.

Kurti: Të burgosurit e Dubravës, dëshmi e së vërtetës të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të gjithë të burgosurit në Dubravë ishin dhe janë dëshmi e së vërtetës të Kosovës, gjatë homazheve që ka bërë në 25-vjetorin e masakrës së Dubravës nga forcat serbe.

Sipas Kurtit, nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, u vranë e u masakruan 116 të burgosur dhe një u zhduk, nga 980 sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës.

“Prej tyre 771 i mbijetuan kësaj masakre,  ndërsa 185 mbetën të plagosur  nga forcat serbe”, ka thënë Kurti.

Emra e të vrarëve në memorialin në Dubravë, sipas Kurtit, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës.

“Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës. Emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër,  janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës”, ka shtuar ai.

Kryeministri ka theksuar se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, “është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur”:

“Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e  kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të  qëndresës së popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe tri gjeneratat që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave, gjatë viteve ’50-të, ’60-të, e të viteve të ’70-të; gjenerata e dytë, e quajtur edhe Brezi ’81, që përfshinë të burgosurit politikë pas demonstratave studentore  të vitit 1981, si dhe gjenerata e tretë e viteve ’90-të, duke përfshirë edhe të burgosurit gjatë luftës.

“Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”, ka deklaruar Kurti.sn

“Ulëritëse se si zyrtarë të lartë bashkëpunojnë me krimin”, Dumani: Drejtues komisariatesh e shefa policie të lidhur me bandat

Kreu i SPAK-së, Altin Dumani ka reaguar në lidhje me deklaratën e tij që bëri pak kohë më parë në KLP sa i takon bashkëpunimit me Policinë e Shtetit.

Ai tha se fenomeni i bashkëpunimit të policisë me krimin është real, ndërsa e cilësoi ulëritëse faktin që drejtues të kësaj strukture kanë rezultuar se ishin pjesë e këtyre krimeve.

“Do të doja të kishim 200 prokurorë, e them nga ngarkesa e madhe që kemi. Po punojmë bashkërisht që të arsyetojmë kërkesat tona për rritjen e numrit të hetuesve. Lidhur me bashkëpunimin me policinë e shtetit, shqetësimi që kam adresuar sa i takon kësaj strukture, duhet ta them që në krye të herës. Është e rëndësishme që të bëjmë dallimin mes shumicës absolute mes punonjësve të policisë që janë të angazhuar me mish e shpirt me luftën kundër krimit. Dua të distancoj këtë pjesë, nga një pakicë e inkriminuar. Sicc është paraqitur në raport, bashkëpunime me policinë është në parametra pozitiv. Ky numër u rrit në 63% në 2023. Në shumë nga hetimet tona janë evidentuar lidhje të krimit me funksionarë të policisë. Fenomeni në radhët e agjencive ligjzbatuese është real. Kam pasur në konsideratë në atë deklaratë para KLP, rezultatet nga 2020 deri në 2023 lidhur me subjekte, punonjës të proceduar penalisht. Më rezulton se janë proceduar rreth 70 punonjës nga ne. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të policisë së shtetit, të lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë në krime që krimi i organizuar kryen. Shembujt janë publik. Ish-drejtori i Operacionales. Disa drejtor komisariatesh apo shefa krimesh.”, tha Dumani.

(BalkanWeb)

Dumani: Bankat përdoren për pastrim parash nga mafia ndërkombëtare. Me pasuritë e krimit blihen apartamente dhe biznese në Tiranë e bregdet

Kreu i SPAK Altin Dumani, në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dha një pasqyrë të punës së Strukturës së Posaçme gjatë 2023.

Dumani theksoi se bankat dyshohet se janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave, përmes bashkëpunimeve të bizneseve me mafian ndërkombëtare.

“Shpresojmë të gjejmë mbështetje nga Kuvendi për shtim të prokurorëve. Nuk dimë çfarë ndodh me ne, s’kemi status pas përfundimit të mandatit. Grupet kriminale janë përfshirë në trafikim të drogave të forta. Grupet kanë aktivitete poli-kriminal, duke përfshirë dhunën për shkak të kontrollit të territorit, komunikimi i koduar, konvertimi i parave në kriptovaluta. Ka shumë grupe kriminale që operojnë përmes call center. Dëmi ndaj viktimave është në mijëra euro. Qytetet më problematike janë Tirana, Elbasani, Durrës, Vlorë, Kurbin, Shkodër, Laç, Fushë Krujë. Në Fushë Krujë ka veprimtari kriminale si vrasja dhe shpërthimet. Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Gjithashtu dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare, ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi.”, deklaroi Dumani.bw

“Serbia po vepron si një “Rusi e vogël” në rajon”, Kurti për The Times: Kremlini po përdor Beogradin për të nxitur tensione në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar për rolin e rrezikshëm të Serbisë në rajon, duke vepruar si një “Rusi e vogël” në Ballkan.

Në një intervistë për “The Times”, Kurti ka theksuar se ka një valë “të paprecedentë” dezinformimi që po del nga Serbia.

“Rusia po bashkëpunon ngushtë me Serbinë në fushata të dezinformimit dhe në sulme kibernetike kundër atyre vendeve të Ballkanit që po mbështesin Ukrainën,” ka deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Kremlini po përdor lidhjet e veta me Beogradin, një aleat i ngushtë, për të nxitur tensionet në Ballkanin Perëndimor.

“Në Ballkan, Serbia po vepron si një ‘Rusi e vogël.’ Mënyra se si mediat serbe kanë pasqyruar konfliktin në Ukrainë, duke pretenduar menjëherë pas pushtimit rus se Ukraina ka sulmuar Rusinë, tregon mbështetjen e tyre për Rusinë.”

Ai shtoi se dezinformimi po vepron si një front i dytë i luftës, me mediat serbe që paraqesin ngjarjet në veri si të provokuara nga Qeveria e Kosovës. Kurti u shpreh se qëllimi i këtyre operacioneve është të provokojnë përplasje të mëtejshme dhe të shpërndajnë lajme të rreme.bw

SPAK nis procedimin penal dhe hetimin për pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij

SYRI ka siguruar në mënyrë ekskluzive kërkesën që prokurori i SPAK, Ols Dado i ka drejtuar të gjitha bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, që të japin informacion për pasurinë e Erion Veliajt, bashkeshortes se tij, Ajola Xoxa, vellait, Arbër Veliajt dhe nenes se tij, Shqiponjë Veliaj.

Në kërkesën e SPAK për bankat, kërkohet që të vendoset në dispozicion çdo informacion që lidhet me veprimet bankare dhe transaksionet financiare të kryera brenda dhe jashtë vendit për personat e cituar më lart.

Gjithashtu SPAK ka kërkuar informacion edhe nëse këta persona kanë marrë kredi.

ImageImage

Anketa e IDM: 80 % e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur, besojnë më tepër institucionet ndërkombëtare

 

VOA

Anketa vjetore e opinionit publik “Besimi në Qeverisje 2023”, zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në të 61 bashkitë e Shqipërisë, zbuloi se shumica e pjesëmarrësve (81.5%) e vlerësojnë korrupsionin e madh si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”, duke shënuar një rritje me 4.8 pikë në krahasim me vitin 2022. Vetëm 15.6% e qytetarëve e shohin atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Rritje ka shënuar edhe mosbesimi ndaj prokurorisë. Një pjesë e madhe e të anketuarve (62.8%) nuk besojnë tek aftësia e prokurorisë për të trajtuar rastet e korrupsionit të madh, ose shprehin 5.9 për qind më shumë mosbesim nga një vit më parë, kur ky tregues ishte 56.9%.

Një shumicë po aq e madhe (81.3%) e tyre vlerësojnë korrupsionin e vogël si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”. Vetëm 16.2% që e konsiderojnë atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Ndërsa 56.8% e tyre shprehën mungesë besimi tek prokuroria, se ajo mund të ndjekë në mënyrë të efektshme rastet e korrupsionit të vogël. Gjithsesi besimi është rritur me 9 % nga viti 2022, kur mosbesimi ishte 65.8%.

Nga bashkimi i të dhënave doli që tetë në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni i vogël dhe i madh është i përhapur dhe shumë i përhapur në vend. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara në vitin 2023 janë drejtësia (17.5%), shëndetësia (14.8%) dhe policia (7.2%). “Edhe në këtë anketim vijon tendenca e gjithë këtyre viteve të fundit me përqindje shumë të larta të perceptimit, që ka publiku shqiptar në lidhje me përhapjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe atij të ulët. Mesatarja ndër vite është mbi 77 për qind e të anketuarve. Për të kuptuar shkaqet thelbësore të këtij perceptimi tepër të lartë mbi korrupsionin, duhen studiuar shumë zhvillime sociale e politike në vend”, thotë për Zërin e Amerikës, Besjana Kuçi një nga autoret e këtij studimi.

Megjithë këtë perceptim të lartë mbi përhapjen e korrupsionit, vetëm 14.7% e anketuarve pohuan se ishin dëshmitarë në rastet e korrupsionit të qeverisjes qendrore dhe 21.6% e tyre thonë se ishin dëshmitarë në korrupsion të qeverisjes vendore.

Gjatë kësaj ankete pohuan se kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime një e treta e qytetarëve (29.8%) tek zyrtarët e qeverisjes qendrore dhe po aq qytetarë për zyrtarë të qeverisjes vendore. Ndër arsyet për dhënien e ryshfetit më shumë se gjysma e qytetarëve (57.8%) pohuan se ryshfeti u ishte kërkuar, pjesa tjetër (21.7%) thanë se paguan për të marrë shërbime më të mira herën tjetër, ndërsa të tjerë (14.8%) se paguan si mirënjohje për shërbimet e marra. Vetëm një pakicë (10.9%) e atyre që paguan ryshfete, e raportuan atë tek autoritetet. Një pjesë e madhe (39%) e atyre që nuk e raportuan, thanë se e shohin ryshfetin si praktikë të zakonshme, të tjerët (32.2%) e mendonin denoncimin si të padobishëm dhe më pak (8.3%) thanë se kishin frikë nga hakmarrja.

Institucionet më pak të besuara në Shqipëri gjatë vitit 2023 janë partitë politike (25.5%), parlamenti (29.1%), gjykatat (33.4%), madje me një rënie nga 3-5 pikë krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, besimi i publikut te presidenti ka rënë me 6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Organet e drejtësisë shfaqen në këtë anketë me pamje të kundërta; gjykatat (33.4%) dhe prokuroria (33.7%) renditen si institucionet më pak të besuara për qytetarët. Por nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – SPAK (60.3%) renditet ndër institucionet më shumë të besuara, madje shënoi një rritje të konsiderueshme prej 10 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Më shumë se gjysma e të anketuarve (50.2%) pohojnë se sistemi i reformuar i drejtësisë po jep ndihmesë pozitive në zhvillimin e vendit, ndërsa në krahun tjetër, një pjesë e konsiderueshme (44.9%) e qytetarëve nuk janë dakord me këtë pohim.

Të anketuarit renditin si institucionet më shumë të besuara organizatat ndërkombëtare si NATO (76.7%), OKB (74.3%) dhe BE (74.7%), dhe më pas vijnë institucionet fetare vendase (67%), si dhe organizatat e shoqërisë civile (55.7%).

Ashtu si renditën ndër organet më pak të besuara, të anketuarit cilësojnë gjykatat (35.5%) dhe prokurorinë (35.3%) si institucionet më të ndikuara politikisht nga gjithë të tjerët ndonëse me një përmirësim në krahasim me vitin 2022 (përkatësisht 41.8% dhe 38.6% e të anketuarve). Perceptimi sa i takon ndikimit prej politikës është përmirësuar gjatë 2023 karahasuar me një vit më parë në të gjitha institucionet, por ndryshimet më të mëdha u shënuan tek mediat (-9 pikë), SPAK-u (-8 pikë) dhe gjykatat (-7 pikë).

Afro 60 për qind e shqiptarëve të anketuar mendojnë se qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë transparencë e llogaridhënie. Pjesa më e madhe tyre mendojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më shumë se sa institucionet vendase. Kontrolli i Lartë i Shtetit (58.6%) dhe parlamenti (49.5%) cilësohen si institucionet vendase më të efektshme për llogaridhënien e qeverisë, ndonëse me një rënie të konsiderueshme një vit më parë (përkatësisht -5 dhe -9 pikë).

Pasiguria e qytetarëve në jetën e përditshme është rritur po ashtu. 67.6% e qytetarëve të anketuar thonë se nuk ndjehen të sigurtë në jetën e përditshme, me një rritje të ndjeshme prej 8 pikë përqindje nga niveli 59.3% në 2022. Të anketuarit pohuan se tre arsyet kryesore të pasigurisë janë kriminaliteti, shëndetësia pa cilësi e standarte, dhe pasiguria e vendit të punës. Pjesa tjetër, 32.4%, thanë se ndjeheshin të sigurt.

Në vitin 2023, 38.3% e të anketuarve pohuan se dëshirojnë të largohen nga vendi për të emigruar, afërsisht po aq sa edhe në vitin 2022. Shumica e tyre janë të rinj, 18-25 vjeçarë dhe studentë. Ndër arsyet kryesore të dëshirës për të shkuar në një shtet tjetër ata renditin punësimin, paga më të mira, mundësi më të mira arsimimi dhe mjekimi si dhe bashkimin me pjesëtarët e tjerë të familjes. Vetëm 5.5% e të anketuarve deklarojnë se duan të zhvendosen në zona të tjera brenda vendit. Pjesa tjetër (56.2%) e të anketuarve thanë se nuk po planifikojnë të largohen nga vendbanimi i tyre.

Pjesëmarrja e qytetarëve në konsultime dhe tubime ka mbetur e ulët apo ka rënë më tej. Të anketuarit theksuan se fushat më të rëndësishme që duhen trajtuar me përparësi nga qeveria ne 5 vitet e ardhshme janë kujdesi shëndetësor (54%) dhe arsimi (38%), pasuar nga turizmi, infrastruktura e transportit dhe bujqësia. Vetëm një pakicë e tyre (10.9%) pohuan se ishin ftuar në proceset e konsultimit të qeverisë qendrore, dhe vetëm një pakicë (18.5%) kishin marrë ftesa për konsultime në nivel vendor, ndërsa pjesëmarrja aktuale ka mbetur vazhdimisht e ulët gjatë viteve, nën 25% e qytetarëve. Pjesëmarrja e tyre në një demonstratë / tubim apo nënshkrim peticioni ra në 25.2% në 2023, kundrejt 32.2% një vit më parë.

Vetëm katër nga dhjetë qytetarë (39.3%) thanë se ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike bazë. Pakënaqësitë më të mëdha lidhen me shërbimet gjyqësore, me transportin publik dhe shërbimin policor, ndërsa vlerësime më të larta kanë marrë furnizimi me ujë (47.2%), shërbimi i pastrimit (47.3%), arsimi (46.2%) dhe shërbimet shëndetësore publike (44%). Shumica dërrmuese e të anketuarve (90.7%) mendojnë se mbrojtja e të dhënave personale është e rëndësishme ose shumë e rëndësishme, por vetëm një e treta e tyre (35%) besojnë në aftësinë e aktorëve publikë për të menaxhuar të dhënat personale elektronike dhe më akoma më pak prej tyre (30.8%) pohuan të njëjtën gjë për sektorin privat.

Anketa “Besimi në Qeverisje” vëren se opinioni publik po ndikohet nga përparimi në procesin integrues në BE, ndërsa autorët pohojnë se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, dhe shumica e përgjigjeve nga qytetarët janë nxitur prej hapave të ndërmarra për ta luftuar atë, krahas hetimeve penale, ku janë përfshirë zyrtarë të të lartë si ish-ministra dhe deputetë.

Këlliçi: Vjedhja që kemi parë në këto 9 vite në Bashkinë e Tiranës, e paprecedentë dhe për vendet e Afrikës

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, pjesëmarrës në protestën e sotme u shpreh se vjedhja që është parë në këto 9 vite në Bashkinë e Tiranës është e paprecedentë dhe për vendet e Afrikës dhe për vendet e treta.

Erion Veliaj do mbahet mend si simbol i vjedhjes i hajdutërisë, jo vetëm të parave të qytetarëve të Tiranës, por edhe të votave të qytetarëve të Tiranës.

Para meje folën shumë  qytetarë, të cilët theksin e vunë te intelektualët, qytetarët e ndershëm të këtij vendi, të cilët po largohen masivisht për shkak të bëmave  të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Unë në emrin tuaj, do doja të mbanim sot një minutë heshtje për një ikonë të këtij qyteti, nipi i Qazim Mulletit, të cilin diktatura e sulmoi aq fort, intelektual  anti-komunist i përndjekur politik, një njeri me vlera, i cili ka qenë dhe mbetet krenaria e këtij qyteti.

Janë këta qytetarë fisnikë, ikona të këtij qyteti, që pas viteve 90, punuan me mish e me shpirt, për një Tiranë, për një Shqipëri që do ishte si Europa dhe që do bënte të mundur ëndrrën që nisën studentët e dhjetorit… për ta çuar bashkë Shqipërinë në Europë, dhe që sot për fatin tonë të keq Erion Veliaj po na e çon më larg se Afrika.

Vjedhja që kemi parë në këto 9 vite në Bashkinë e Tiranës është e paprecedentë dhe për vendet e Afrikës dhe për vendet e treta. sn


Send this to a friend