Shtetet e Bashkuara kanë miratuar zyrtarisht një marrëveshje të re ushtarake me Poloninë, që përfshin shitjen e 400 raketave ajër-ajër AIM-120D me rreze të mesme veprimi, me një vlerë të përgjithshme prej 1.33 miliardë dollarësh (1.17 miliardë euro).
Lajmi u bë publik të martën nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili konfirmoi gjithashtu se Kongresi është njoftuar për të dhënë miratimin përfundimtar.
Paketa përfshin gjithashtu komplete sistemesh udhëzimi, pjesë këmbimi, kontejnerë transporti dhe akses në softuerin amerikan të nevojshëm për funksionimin e raketave, që do të fuqizojnë më tej mbrojtjen ajrore të Polonisë. Sipas Agjencisë Amerikane të Bashkëpunimit dhe Sigurisë në Mbrojtje (DSCA), ky bashkëpunim synon të përforcojë mbrojtjen ajrore të aleatëve të NATO-s dhe të rrisë kontributin e Polonisë në sigurinë rajonale.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e snPolonisë për t’u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme,” thuhet në deklaratën zyrtare të DSCA, duke theksuar se ky zhvillim mbështet objektivat strategjikë të politikës së jashtme të SHBA-së.
Ky hap vjen në një moment kur Varshava synon të rrisë buxhetin e mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2026, në përputhje me kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka bërë thirrje të përsëritura që vendet anëtare të NATO-s të rrisin ndjeshëm kontributin e tyre ushtarak.
Vetëm një javë më parë, Estonia shpalli një projektligj për rritjen e shpenzimeve ushtarake në rreth 5.4% të PBB-së, duke ndjekur të njëjtin drejtim me Poloninë në përballje me kërcënimin rus pas pushtimit të Ukrainës.