François-René de Chateaubriand
(4 shtator 1768 – 4 korrik 1848)
Vijmë kështu në kapitullin e fundit të romanit të Lidhjes së Shenjtë. Dhe është plotësisht në stilin e saj të shfaqet, madje edhe në faqet e fundit, si të dashuruarit që janë armiq të betuar, por ndërkohë një prej romantikëve më të shquar të epokës, vikonti i Shatobrianit, shkrimtar i madh, politikan ambicioz dhe diplomat plot imagjinatë. Ambasador në Londër, Shatobriani u zgjodh që të përfaqësonte Francën në konferencën e Veronës për ku ishte nisur me shpresa të mëdha. Shatobriani nuk u zhgënjye. Mbeti përjetë i dashuruar, por me një veçori interesante, pasi shpirtërisht ai veç ka tradhtuar. Ai gjeti te njerëzit, që bënin politikën botërore, një mikpritje shumë mikluese. Madje asnjë qoshe karakteri s’i lanë pa puthur. Kështu, Cari e bëri njeriun e tij të besuar, e informoi edhe për projektin e ndërhyrjes së Spanjë. Por Franca ishte vendi më i përshtatshëm për të vënë në jetë manovrën. Shatobriani thjesht u magjeps nga zoti i gjithë Rusisë, tek i cili ai gjeti një vëlla shpirtëror, pa u ngutur dhe ndërkohë duke lënë pas një shtëllungë shenjash e trillesh, sado të bekuara qofshin. Që të dy e kuptonin rëndësinë e krishterimit, që të dy vinin shumë imagjinatë në shërbim të politikës.
Shatobriani nuk ngurroi të thoshte me zë të lartë se pas vdekjes së Napoleonit, Aleksandri ishte burri më i madh i kohës. Poetikisht dikush i përmendi si dy hëna që veniten netëve duke zënë valë e shtruar dallgë.
Fransua-Rëne, vikonti i Shatobrianit, ambasador i Luigjit XVIII në Londër (1821-1823), ishte një zotëri i madh, gastronom i zoti (kuzhinieri i tij, edhe ai i famshëm, i dha zotërisë së tij një tjetër motiv përjetësimi, duke krijuar fileto viçi, që mban ende emrin e tij). Tërë jetën gastronomia nuk iu zvordh, edhe kur hoqi dorë prej saj, mbeti një i apasionuar i thekur, ndonëse shpirtin kurrë s’ia njohu. Kryetar i delegacionit diplomatik, raportet e tij dëshmonin stilin më të bukur të Diplomacisë. Ai u bë skifter i saj, ishte gati ta tjetërsonte sa herë binte në paqe. Në letërsi, Shatobriani ishte një krenari evropiane, babai shpirtëror i Atalas, indiania fisnike dhe bukuroshe, që tretej në pasionin e një dashurie të pamundur, një tregim i cili «mallëngjente bashkëkohësit e tij, aq sa derdhnin lot». Ndërkaq mendo që lufta në sy i shfaqej edhe se mbetej karakteri më besnik, por që e tradhtonte shpirtin sa herë ngrinte mijëra fije të thurura me mjeshtëri, pasi kur duhej t’i shërbente asnjë s’e kapi dot. Ai kishte dhuruar gjithashtu Gjeniun e Krishterimit, që i thurte lavde bukurisë së fesë së krishterë dhe “rimëkëmbte katedralen gotike”, në po atë çast kur Konsulli i parë nënshkroi Konkordatin. Njëlloj si t’i jepej instinktit bazë me dalldinë e papërmbajtshme të orgazmës. Me këtë vepër, Shatobriani kishte nënshkruar edhe ai paqen me Napoleon Bonapartin, sepse Gjeniu i Krishterimit i shërbente shumë politikës së Konsullit të parë, i cili u interesua për këtë burrë, që dukej në atë kohë si shkrimtari më i shquar i Francës dhe kishte thënë fjalën e duhur në çastin e duhur. Por Napoleoni nuk vuri dot re se ai njeri diplomacinë e kishte shndërruar, duke e dashur fort në skelet, diçka të mbetur prej dashurisë së zjarrtë, ku shpirti pat ikur me kohë, ku mund të gjeje vetëm gjurmë nojmash e ledhkash të ndryshkura. Megjithatë, Napoleoni e futi Shatobrianin në shërbimet e tij diplomatike. Por këto marrëdhënie të mira nuk do të vazhdonin gjatë. Për nderin e tij të lartë, Shatobriani dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër vrasjes së dukës së Engienit. Nuk mund të mbetej një peng i pabindur. Në koniunkturën e epokës, ishte treguar shumë guxim. Po ja që Shatobriani ushqente një admirim të thellë për Konsullin e parë, Napoleon Bonapartin, i cili i kishte dhënë fund Revolucionit dhe kishte rimëkëmbur Francën, por, përkundrazi, ai ndjente vetëm përbuzje për perandorin, Napoleonin e Parë. Pas këtij përcaktimi që mbeti në histori, ku s’ka fare dualitet, s’mund të shqiptonte asgjë më tepër. Gjatë shumë viteve, Shatobriani do të mblidhte armë kundër Napoleonit, ndonëse duke e nderuar, teksa i konsideronte cilësitë e tij si të barabarta me të tijat. «S’kam ç’shkruaj më! – thoshte. – Unë jam në moshën që hesht edhe pse mendoj e flas në mënyrë klasike.» Në vitin 1814, kur Napoleoni u rrëzua për herë të parë, Shatobriani ishte gati ta vinte me shpatulla pas murit rivalin e tij përpara Francës dhe botës. Pamfleti i tij Mbi Napoleonin dhe Burbonët do të shprehte urrejtjen e hapur dhe «do ta damkoste me hekur të kuq» korsikanin, që kishte përçmuar francezët dhe kishte derdhur gjakun e tyre në katër anët e Evropës, tiranin, i cili shtypte lirinë e mendimit dhe të fjalës. Mirëpo, në një kënd të nënvetëdijes, ai mbetej i ardhangët, po edhe i dashuruar, që shkelte vesën e mëngjesit në zhegun e epshit të tij, i cili merrte formën e mosmirënjohjes. Sido, hendeku u krijua shumë shpejt edhe mes Shatobrianit dhe pasuesit të Napoleonit, Luigjit XVIII. Në vitin 1816, vikonti publikoi një nga shkrimet e tij më të bujshme, Monarkia dhe Kushtetuta, një sulm i ashpër kundër politikës së mbretit. Nuk u kap dhe as u lidh për t’u mbajtur fort me liane, me thonj e me dhëmbë pas jetës dhe politikës së përditshme, shoqëruar me vetmi të mëdha. Vepra mbronte kërkesat e qarqeve ultra-monarkiste, që kërkonin më shumë influencë, por ajo mbronte gjithashtu parlamentarizmin, parimin sipas të cilit monarku duhet të formojë qeverinë e tij në marrëveshje me shumicën e përfaqësisë popullore. Idetë liberale të veprës përbënin, sipas vetë autorit, një «katekizëm të vërtetë kushtetues.» Këto qenë surprizat më të mëdha që pati politika, të cilat s’mund të mos i mbaje mend. Kjo gjë s’e pengonte të pohonte se meqenëse froni i Shën Luigjit ishte i shenjtëruar nga Kisha duhej t’i jepej gjithë madhështia e traditës monarkike.
Pamfleti i Shatobrianit pasqyronte shumë mirë konfuzionin e jetës politike në Francën e Rimëkëmbjes. Luftohet me forcë për vendin që kushtetuta e vitit 1814 i jepte monarkisë. «Ia plasën buzën Francës, – thoshte ai, – dhe s’dimë ç’surprizë tjetër t’i bëjmë!»
Luigji XVIII dëshironte pajtimin kombëtar, një synim për të cilin ai vijonte të bënte të pamundurën, gjithnjë me durim, me shumë njerëzì, por edhe me aq mendjemprehtësi dhe me një dinakëri të rrallë. Këto poeti i shihte, i ndiente thellë dhe nuk e gënjente mendja, ndonëse ndihej herë-herë si një episkop në meshë, që nuk bënte dot aq gjysmën e asaj që ndiente. Ai shihte qartë se ithtarët e dinastisë, emigrantët e ardhur në vend, viktimat e Revolucionit dhe të Perandorisë, ‘ultrasit’ e çdo lloji, kërkonin pa më të voglën vetëpërmbajtje, t’u jepej ajo çfarë ata e konsideronin si të drejtën e tyre të natyrshme. Ata donin që aristokracisë së Francës t’i ktheheshin të gjitha privilegjet, Kishës i gjithë ndikimi i saj i para viteve 1789, duke përfshirë edhe fushën e arsimit. Në verën e vitit 1815, monarkistët ekstremistë nisën ‘Terrorin e Bardhë’ dhe masakruan më shumë se një mijë komandantë të vjetër revolucionarë dhe bonapartistë. Ata pushkatuan mareshalin Nej. Në Dhomën e përfaqësuesve, e vënë tërësisht nën ndikimin e tyre, ata ushtruan një presion të madh mbi mbretin. Të thuash që të gjitha këto nuk i vinte re Shatobriani? Kurrsesi! Por ama, atë askush nuk e gjeti nëpër këmbë, askush s’e vuri re, se, me sa duket, askush nuk e kishte mendjen gjer në fund tek ai, gjithnjë pa e ditur se çfarë surprize përgatiste, sidomos kur qeshte kthinave se kish harruar përgjigjen e duhur…
Franca u çlirua atëherë nga trupat e huaja pushtuese dhe u rimëkëmb me shpejtësi. Industria pati një zgjerim të madh, paratë vërshuan në arka, jeta kulturore mori një zhvillim të paparë. Por me gjithë këtë begati, ekstremistët vazhduan fushatën e tyre. Të tjerët as gëzonin, as trishtonin, duke shpresuar se aty, në vendin e tyre, përherë do të këndonte zogu i parajsës. Ndërkohë Evropa mundi të shohë në Francë një grupim ultra-monarkist në opozitë të ashpër me mbretin e saj, një parti reaksionare ekstremiste, që filloi aty për aty një politikë tërësisht liberale, sepse besonte se do të mund të fitonte më shumë fuqi falë Kushtetutës dhe ta detyronte mbretin t’i zgjidhte këshilltarët e vet midis anëtarëve të saj. Dikush kish gjetur një copë bukë në rrugë dhe e mbajti në duar, i përgjëruar, duke dëgjuar zërin e Francës: Me këtë grupim do të bashkohej Shatobriani, një Shatobrian shumë luftarak, gjithnjë në kulmin e aktivitetit për të sulmuar qeverinë në gazetën e tij Konservatori. Mos kjo qe surpriza? Po, pse jo. Në këtë epokë shtypi filloi të luante një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në jetën publike. Sulmet e tij drejtoheshin sidomos kundër favoritit të mbretit, dukës Dekaz, në krye të qeverisë që prej vitit 1818, edhe zbatuesi kryesor i manovrave gjithmonë të matura të Luigjit XVIII. Konservatori luftonte për idetë e përmbledhura në tri fjalë: «Monarki, Kishë, Kushtetutë». «Tani puthe copën e bukës, – thoshte poeti, – nëse sikur puth Francën time dhe tënde, vër buzët pastaj edhe mbi madonën sikstine.» Por Dekaz nuk e hante thatë, ai s’kishte asnjë dëshirë të pranonte kërkesat e reaksionarëve. Duke i treguar mbretit rrugën politike që duhej ndjekur, ministri mbështetej kryesisht te grupi liberal, i mbledhur në gjirin e borgjezisë së madhe, grup i cili filloi të merrte gjithnjë e më shumë rëndësi dhe kërkonte ndër të tjera përhapjen e së drejtës së votës. Mes përfaqësuesve më të shquar të kësaj partie ndodhej Benxhamin Konstant, autori i Adolfit, që është romani i skllavërisë së një njeriu.
Dekaz e kuptonte fort mirë që kampi ekstremist nuk ishte e vetmja vatër e trazirave. Bonapartizmi numëronte ithtarë të shumtë sidomos mes 16 mijë oficerëve të Armatës së Madhe, që ishin lënë me një palo rrogë nga Rimëkëmbja. Dhe Ai, tjetri, poeti, kërkonte t’i bënte një surprizë Francës! Pak surpriza pati në jetë kjo Franca e tij, duke iu blatuar popullit dhe duke iu gëzuar atij, sa herë lindnin fëmijë që do të pagëzoheshin në kishë, të cilët vetë Franca, sipas Shatobrianit do t’i puthte në ballë, siç bënte prifti në psaltir.
Ja si vinin punët: Duka i Berrit u vra në shkurt 1820. Ai ishte biri i një vëllai më të vogël të Luigjit XVIII, konti i Artuasë, pritej nga Berri që ai të përjetësonte shtëpinë e Burbonëve. Atentati ishte pra një sulm i drejtpërdrejtë kundër dinastisë mbretërore. Reaksionarët ekstremistë, me në krye Shatobrianin shfrytëzuan rastin për të bërë disa fjalime nxitëse.
Dekaz u detyrua t’u linte vendin. Qeveria iu besua dukës Rishëlje, por në fakt reaksionarët ekstremistë dominonin të gjithë skenën. Që atëherë, regjimi i Luigjit XVIII u bë dukshëm reaksionar, tendencë të cilën nuk mundën ta fshihnin as lëshimet e Rishëljesë, as urtësia e pasardhësit të tij në vjeshtë 1821, kontit të Vilelës, një konservator shumë i moderuar.
Megjithatë do të vinte shumë shpejt ora e Shatobrianit. Politika ndërkombëtare mori një kthesë shumë të favorshme për shkrimtarin-politikan. Që në Konferencën e Vjenës, në vitin 1822, cari e kishte marrë mënjanë të deleguarin francez dhe i kishte rrëfyer planet e tij për ndërhyrjen në Spanjë. Shatobriani i kishte kuptuar menjëherë të gjitha mundësitë që dhuronte ky propozim. Vikonti kishte rivendosur tashmë prestigjin e krishterimit. Ai do të rivendoste tani prestigjin e Francës. Dhjetë vjet më parë, Napoleoni kishte pësuar një disfatë fatale në Spanjë. Sot, Shatobriani do të bënte atë që nuk kishte mundur të arrinte rivali i tij i urryer dhe i admiruar në të njëjtën kohë, me këtë rast ai do të konsolidonte fuqinë e Burbonëve dhe të reaksionarëve ekstremistë. «Puthe, bir dhe kujto mirë kur Franca të lutej në fëmijëri me emër nëne! Që atëherë s’të kam dëgjuar dhe ti kurrë s’e ke mbajtur premtimin…»
Këto sillte ndërmend Shatobriani, kur u bë Ministër i Punëve të Jashtme. Duka i Angulemit, djali i madh i kontit të Artuasë, u emërua kryekomandant duke pasur nën urdhrat e tij një numër të madh gjeneralësh të vjetër të Napoleonit. Në prill 1823, armata franceze u vu në marshim «për të ndihmuar mbretin Ferdinand që të shkelte premtimin e bërë popullit të tij për të mbajtur monarkinë kushtetuese.» Ekspedita qe një sukses i vërtetë. Spanjollët mezi rezistuan. Mbreti Ferdinand, rob i liberalëve spanjollë të revoltuar, u lirua dhe u rivendos në pushtetin e tij absolut. Spanja përjetoi nga ana e saj një ‘Terror të bardhë’ të tmerrshëm. I mallkuari edhe sot vjen erë luftë e barut dhe e la vendin në mëshirë, por jo të mbetej përgjysmë, si shumë të tjerë. E, megjithatë, Shatobriani ëndërronte ende të tjera fitore. Duhej vazhduar politika e ndërhyrjes. Pasi u vu rregulli në vetë Spanjën, duhej vënë paqja në kolonitë rebele të këtij vendi në Amerikën Latine.
Këto projekte mbetën në vendnumëro sepse në vitin 1824 erdhi edhe rrëzimi i Shatobrianit. Mbreti ia komunikoi me letër që, ai nuk ishte më Ministër i Punëve të Jashtme të Francës. Ndër të tjera ky qe një nga aktet e fundit qeveritare të Luigjit XVIII. Ai vdiq pak më vonë, duke ia lënë fronin Karlit X. «Ç’bën Franca, ku humbi? Ka ndezur qiri një ikonë dhe lutet për bijtë e saj? Apo përsëri ka vdekur në gjumë zoti ynë atje në qiell?», shkruante dhe lutej poeti.
Reaksionarëve ekstremistë u qe dashur të dorëzoheshin teksa shikonin zëdhënësin e tyre të dëbohej nga qeveria. Mirëpo fati, si shpërblim, do t’u mundësonte një mbret, që do t’u shkonte shumë për shtat. Dikur, në një kohë tashmë shumë të largët, konti i Artuasë, favoriti i mbretëreshës Maria-Antuaneta, kishte bërë një jetë mes qejfesh. Ai ishte tani më pak bishtpërdredhur, por paksa më shumë inteligjent. Si të thuash priste hënën të bëhej e hollë si gjilpërë dantelle! Mbreti i ri jetoi për të nderuar Francën padyshim, por gjithashtu për të rivendosur Regjimin e Vjetër. Karli X qe mbrojtësi i drejtësisë dhe biri i nënshtruar i Kishës. Asgjë nuk do t’i pëlqente më shumë sesa të mund të fshinte nga historia, me një të hequr të penës, gjithçka kishte ndodhur nga 1789 deri në 1815 dhe, me qejf, edhe nga 1815 deri në 1824.
Mirëpo Karli X nuk e pengoi historinë të ndiqte udhën e saj drejt lirisë në Botën e Vjetër, ashtu si edhe në Botën e Re.
Tiranë, rishikuar, korrik 2025