VOAL – BEOGRAD – Gjykata e Lartë në Beograd ka rehabilituar udhëheqësin e lëvizjes çetnike, Dragolub Drazha Mihajlloviq, dhe i ka kthyer të drejtat civile, të cilat i janë marrë në vitin 1946, kur është gjykuar për bashkëpunim me nazistët dhe pushtuesit.
Gjykatësi Aleksandar Treshnjev ka thënë se gjykata ka miratuar kërkesën për rehabilitim dhe ka përmbysur verdiktin, sipas të cilit, Mihajlloviq, më 15 korrik të vitit 1946, është dënuar me vdekje dhe dy ditë më vonë është pushkatuar.
Ndaj këtij vendimi, sipas Ligjit për rehabilitim në Serbi, nuk ekziston e drejta e ankesës. rel
Papa Leo XIV theu protokollin dhe përqafoi vëllanë e tij Luis gjatë përshëndetjeve me delegacionet në fund të ceremonisë së inaugurimit. Pasi shtrëngoi duart me JD Vance dhe Marco Rubio, vëllai Louis iu afrua Papës duke shkëmbyer përqafime me njëri tjetrin.
Prevosti foli për disa çaste dhe pastaj vazhdoi me përshëndetjet institucionale.
Në një homeli të mbajtur në Meshën e inaugurimit të tij, Papa Leo XIV ka përcaktuar prioritetet duke kujtuar ato të paraardhësit të tij, Françeskut , ndërsa ka bërë thirrje për unitet brenda kishës së tij në një kohë përçarjesh të kërcënuara në SHBA dhe më gjerë.
“Do të doja që dëshira jonë e parë e madhe të ishte një kishë e bashkuar, një shenjë uniteti dhe bashkësie, e cila bëhet maja për një botë të pajtuar”, tha ai.
Rreth 200,000 besimtarë morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leonit të XIV i cili u zgjodh pas vdekjes se Papa Fraceskut.bw
Palestinezë duke inspektuar vendin e një sulmi izraelit mbi një shtëpi, në Jabalia, në veri të Rripit të Gazës, më 18 maj 2025.
Radio Evropa e Lirë
Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 100 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës gjatë natës, thanë të dielën autoritetet lokale shëndetësore, ndërsa ndërmjetësit zhvilluan një raund të ri bisedimesh për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
Nuk pati ndonjë koment për këto sulme nga ushtria izraelite, e cila ka zgjeruar sulmet ndaj enklavës, duke vrarë qindra njerëz që nga e enjtja, në përgatitje për një ofensivë të re tokësore për të arritur “kontroll operacional” në pjesë të Gazës.
“Kemi të paktën 100 dëshmorë që nga nata. Familje të tëra janë fshirë nga regjistri civil për shkak të bombardimeve izraelite”, tha për Reuters përmes telefonit zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, Khalil Al-Deqran.
Izraeli ka bllokuar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gazë që nga fillimi i marsit për të ushtruar presion mbi Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – që të lirojë pengjet izraelite dhe ka miratuar plane që mund të përfshijnë marrjen nën kontroll të të gjithë Rripit të Gazës dhe ndihmave humanitare.
Hamasi thotë se do të lirojë pengjet vetëm në këmbim të një armëpushimi izraelit.
Ndërmjetësit Egjipti dhe Katari, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, filluan një raund të ri bisedimesh të tërthorta për armëpushim mes dy palëve të shtunën, por burime pranë negociatave i thanë Reutersit se nuk kishte ndonjë përparim.
Sky Arabia dhe BBC raportuan gjatë natës se Hamasi kishte propozuar lirimin e rreth gjysmës së pengjeve izraelite në këmbim të një armëpushimi dymujor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
I kontaktuar nga Reuters, një zyrtar i Hamasit tha: “Qëndrimi i Izraelit mbetet i pandryshuar, ata duan lirimin e të burgosurve të tyre, pa u zotuar të përfundojnë luftën”.
Duke e ndërlikuar potencialisht më tej procesin e armëpushimit, raporte në mediat izraelite dhe arabe thanë se lideri i Hamasit, Mohammed Sinwar, mund të jetë vrarë.
Hamasi as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi lajmin. Ministria e Mbrojtjes së Izraelit nuk pati ndonjë koment.
Në Izrael, Einav Zangauker, nëna e pengut të Hamasit, Matan Zangauker, tha se kryeministri Benjamin Netanyahu po refuzon të përfundojë luftën në këmbim të lirimit të pengjeve që kanë mbetur, për shkak të interesave të tij politike.
“Qeveria izraelite ende këmbëngul në marrëveshje të pjesshme. Ata po na torturojnë qëllimisht. Sjellni fëmijët tanë mbrapsht, të gjithë 58!”, shkroi Zangauker në platformën sociale X.
Po mbahet Ceremonia e kurorëzimit të Papës së ri ka nisur në Bazilikën e Shën Pjetrit, me procesionin që u formua duke u drejtuar drejt sheshit.
Në fjalën e tij para besimtarëve në sheshin Shën Pjetri, Papa u ndal tek humbja e madhe e botës së krishterë me ndarjen nga jeta të Papa Franceskut.
Më tej Papa Leoni ka bërë thirrje në themelimin e një kishe të bazuar në dashuri.
Papa Leoni XIV: Përshëndes të pranishmit.
Në ditët e fundit kemi përjetuar ndjesi intensive, vdekja e Papa Franceskut na solli trishtim në zemër.
Kemi marrë në ditën e Pashkës bekimet e tij të fundit. Zoti nuk e braktis kurrë popullin e tij.
Vi para jush si një vëlla që do t’ju shërbejë në besimin dhe lumturinë tuaj. Duke ecur me ju në rrugën e dashurisë së Zotit që na do të bashkuar. Dashuria është unitet. Këto janë dy misionet e dhëna nga Jezusi për Shën Pjetrin.
Vëllezër dhe motra kjo është ora e dashurisë.
Të krijojmë një kishë misionare që i hap krahët botës dhe është e bazuar në dashuri.
Sipas autoriteteve policore, pritet që në këtë ngjarje të marrin pjesë rreth 250,000 njerëz.
Gjithashtu të pranishëm janë 200 përfaqësues nga e gjithë bota, përfshirë zëvendëspresidentin e SHBA-së J.D. Vance, Volodymyr Zelensky dhe Princin Edward.
Për këtë arsye, masat e sigurisë janë të rrepta. Operacioni i sigurisë është i ngjashëm me atë në funeralin e Papa Françeskut, me 6,000 oficerë policie shtesë dhe mijëra vullnetarë.
Një grup snajperistësh dhe pajisjesh kundër dronëve është vendosur gjithashtu në vend. Papa mbërriti në Vatikan me një automjet të hapur dhe përshëndeti besimtarët. Me një Popemobile të hapur (mjeti transportues i Papës), Leo mbërriti në Sheshin e Shën Pjetrit, ku përshëndeti turmat e besimtarëve. bw
Ditën e sotme në Vatikan do të mbahet mesha me të cilën fillon zyrtarisht papnia e Papa Leonit të XIV. Mesha është caktuar të fillojë në orën 10:00.
Në këtë ceremoni do të jenë të pranishëm personalitete fetare dhe politike nga e gjithë bota, për të shënuar nisjen e rrugëtimit të ri të Kishës Katolike nën drejtimin e Papës së sapozgjedhur.
Sot në ceremoninë e përurimit të shenjtë Papnor të Papa LEO XIV marrin pjesë nga Shqipëria një delegacion i lartë shtetëror, i përfaqësuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Nga Kisha Katolike, do të jetë i pranishëm Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore (KISH) Imzot Gjergj Meta dhe Zëvendëspresidenti i KISH, Imzot Simon Kulli dhe Imzot Arjan Dodaj.
Pjesë e delegacionit nga Kisha Ortodokse do të jenë Hirësi Nikolla, Mitropolit i Apolonisë dhe i Fierit dhe At Ignat Todri.
Nga Komuniteti Mysliman do të jetë i pranishëm Bujar Spahiu dhe Ejup Lila.
Nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane do jetë i pranishëm Kryegjyshi Baba Mondi, si dhe gazetari Ferdinand Samarxhi.
Delegacionet shoqërohen nga Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, Znj Majlinda Frangaj.
Liturgjia do të shënojë fillimin zyrtar të shërbesës së tij si pasardhës i detyrës së lartë katolike. sn
Palestinezë duke u larguar nga shtëpitë e tyre, pas sulmeve ajrore izraelite në pjesën veriore të Rripit të Gazës, më 16 maj 2025.
Radio Evropa e Lirë
Forcat ajrore izraelite vranë të paktën 146 palestinezë dhe plagosën shumë të tjerë në sulmet e fundit mbi Gazën gjatë 24 orëve të fundit, thanë të shtunën autoritetet lokale shëndetësore, ndërkohë që Izraeli duket i vendosur të vazhdojë me një ofensivë të re tokësore.
Sulmet izraelite, që nisën të enjten, kanë sjellë një nga fazat më vdekjeprurëse të bombardimeve që prej dështimit të armëpushimit në mars.
Sulmet e fundit ndodhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përfundoi të premten turneun e tij në Lindjen e Mesme pa ndonjë përparim të dukshëm drejt një armëpushimi të ri.
“Që nga mesnata kemi pranuar 58 dëshmorë, ndërkohë që një numër i madh viktimash mbeten nën rrënoja. Situata brenda spitalit është katastrofike”, tha drejtori i Spitalit Indonezian në veri të Gazës, Marwan Al-Sultan.
Autoritetet lokale shëndetësore thanë se 459 persona janë plagosur nga sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit.
Ushtria izraelite tha të shtunën se po zhvillonte sulme të gjera dhe po mobilizonte trupa si pjesë e përgatitjeve për të zgjeruar operacionet në Rripin e Gazës dhe për të arritur “kontroll operacional” në disa zona të enklavës palestineze.
Sistemi shëndetësor i Gazës është thuajse jofunksional, me spitalet që janë goditur në mënyrë të përsëritur nga ushtria izraelite gjatë luftës 19-mujore dhe me furnizimet mjekësore që po shterohen, pasi Izraeli e ka shtrënguar bllokadën që nga muaji mars.
Përshkallëzimi, që përfshin edhe grumbullimin e forcave të blinduara përgjatë kufirit, është pjesë e fazave fillestare të ‘Operacionit Karrocat e Gideonit’, që Izraeli thotë se synon të mposhtë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe të rikthejë pengjet e tij.
Një zyrtar i mbrojtjes izraelite tha më herët këtë muaj se operacioni nuk do të niste para se Trumpi ta përfundonte vizitën e tij në Lindjen e Mesme.
“Ne po rrisim gradualisht forcat; Hamasi mbetet sfidues”, tha ushtria të shtunën.
Ekspertë të Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë se uria ekstreme kërcënon Gazën pasi Izraeli bllokoi dërgesat e ndihmave në këtë territor 76 ditë më parë, ndërkohë që shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, pyeti këtë javë Këshillin e Sigurimit nëse do të vepronte për të “parandaluar gjenocidin”.
Trump pranoi të premten krizën në rritje të urisë në Gazë dhe nevojën për dërgimin e ndihmave, ndërsa presioni ndërkombëtar mbi Izraelin po rritet për të rifilluar bisedimet për armëpushim dhe për t’i dhënë fund bllokadës së Gazës.
Një fondacion i mbështetur nga SHBA-ja synon të fillojë shpërndarjen e ndihmave për banorët e Gazës deri në fund të majit, duke përdorur kompani amerikane të sigurisë dhe logjistikës, por OKB-ja ka thënë se nuk do të punojë me këtë fondacion sepse nuk është i paanshëm, neutral apo i pavarur.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha më 5 maj se Izraeli po planifikon një ofensivë të zgjeruar dhe intensive kundër Hamasit, pasi kabineti i sigurisë miratoi plane që mund të përfshijnë marrjen e kontrollit të të gjithë Rripit të Gazës dhe kontrollin e ndihmave.
Të premten, ushtria izraelite urdhëroi banorët e Gazës të lëvizin në jug pas sulmeve të rënda në qytetin verior Beit Lahia dhe në kampin e refugjatëve Jabalia. Banorët, megjithatë, thanë se tanket po përparonin drejt qytetit jugor Khan Younis.
Qëllimi i deklaruar i Izraelit në Gazë është eliminimi i aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, i cili sulmoi komunitete izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje.
Fushata ushtarake e tij ka shkatërruar enklavën e vogël dhe të mbipopulluar, duke zhvendosur pothuajse të gjithë 2 milionë banorët e saj nga shtëpitë dhe duke vrarë më shumë se 53.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.
NBC News raportoi të premten, duke cituar pesë persona me njohuri për çështjen, se administrata Trump po punon për një plan për të zhvendosur përherë deri në një milion palestinezë nga Rripi i Gazës në Libi.
Palestinezët, përfshirë Hamasin dhe autoritetin rival të Presidentit Mahmoud Abbas, e kundërshtojnë çdo zhvendosje të njerëzve jashtë tokës së tyre.
Papa Leoni XIV ka propozuar Vatikanin si një vend për bisedime paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi diskutimet në Stamboll nuk dhanë fryte, sipas sekretarit të shtetit të Vatikanit.
Kardinali Pietro Parolin e përshkroi rezultatin e bisedimeve në Turqi si “tragjik”.
“Është e gjitha tragjike sepse shpresonim që një proces do të fillonte, ndoshta ngadalë, por me një zgjidhje paqësore të konfliktit. Në vend të kësaj, jemi kthyer në pikën fillestare”, tha ai në një aktivitet të organizuar nga Kisha Katolike Greke Ukrainase në Romë.
“Nëse është e nevojshme, Papa do të sigurojë Vatikanin, Selinë së Shenjtë, për një takim të drejtpërdrejtë midis dy palëve”, shtoi ai.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, sapo ka dhënë një njoftim për gazetarët ukrainas pasi bisedimet me Rusinë që u mbajtën sot në Stamboll kanë përfunduar.
Umerov tha se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila.
“Kemi diskutuar çështjen e armëpushimit. Dhe çështjen e shkëmbimeve të të burgosurve. Rezultati është shkëmbimi i 1,000 të burgosurve ukrainas për 1,000 të burgosur rus. Ky është rezultati i takimit tonë.”
Data është caktuar, por nuk po bëhet publike, tha ai.
Umerov tha gjithashtu se është diskutuar një takim i mundshëm midis Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin dhe se së shpejti do të shpallet një njoftim për një raund të ri të mundshëm bisedimesh.
U diskutuan gjithashtu “të gjitha modalitetet” e një armëpushimi, shtoi Umerov. sn
Roma po përgatitet për ceremoninë e zgjedhjes së Papa Leo XIV në krye të Vatikanit, e planifikuar për të dielën. Prefekti i Romës, Lamberto Giannini, njoftoi ndalimin e lundrimit në pjesën e lumit Tiber ngjitur me Vatikanin duke filluar nga e shtuna, dhe një “zonë ndalim-fluturimi” për sigurinë ajrore dhe aktivitetin kundër dronëve.
Plani përfshin gjithashtu praninë e zhytësve dhe snajperëve nga policia dhe karabinierët. Gjithashtu, me rastin e meshës së kurorëzimit, njoftohet një intensifikim të mbikëqyrjes rrugore për shkak të rritjes së trafikut drejt kryeqytetit.
Mbi 200 delegacione zyrtare të huaja priten në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me të paktën 250,000 besimtarë. Për të garantuar sigurinë e tyre, do të ketë 6,000 oficerë të zbatimit të ligjit të ndihmuar nga afërsisht një mijë vullnetarë.
Zona maksimale e sigurisë
Tre zona sigurie dhe dy hapa kontrolli për akses në zonën maksimale të sigurisë. Janë planifikuar pesë pika kontrolli para-filtrimi, të ndjekura nga kalimi nëpër pikat e kontrollit të pajisura me detektorë metalesh. Për ata që nuk mund të shkojnë në Shën Pjetër, do të vendosen ekrane të mëdha në dy sheshe. Do të monitorohen gjithashtu aeroportet, stacionet hekurudhore, stacionet kryesore të metrosë së qytetit dhe rrugët e fluksit të besimtarëve.
Intensifikohen shërbimet e mbikëqyrjes
Përveç aktiviteteve normale, janë planifikuar 7 stacione shtesë operative për të shtunën dhe të dielën përgjatë autostradave Grande Raccordo Anulare dhe Romë-Fiumicino, në ndërlidhjet e autostradave dhe degët drejt aeroporteve të Fiumicino dhe Ciampino, për të siguruar mbikëqyrjen dhe menaxhimin e çdo problemi kritik.
Dhoma e Operacioneve Territoriale e Lacios dhe Dhoma Kombëtare e Situatave, në lidhje të ngushtë me Policinë Rrugore, do të kryejnë monitorim të vazhdueshëm të trafikut. bw
Palestinezët inspektojnë rrënojat e shtëpisë së familjes Al-Lahham, të shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite në Han Junis, Rripin e Gazës, më 15 maj 2025.
Radio Evropa e Lirë
Ushtria izraelite ka kryer sulme të shumta në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Han Junis, gjatë natës së mbrëmshme dhe në mëngjesin e së enjtes, duke i vrarë më shumë se 50 njerëz, thanë autoritetet.
Kjo ishte nata e dytë radhazi që ushtria izraelite kryen bombardime të rënda në Gazë.
Ndërkohë, një sulm tjetër ajror në veri të territorit palestinez la të vdekur më shumë se dhjetëra njerëz, thanë autoritetet.
Sulmet ndodhën derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndodhet në Lindjen e Mesme, ku po i viziton vendet e Gjirit, por jo edhe Izraelin.
Ka pasur shpresa të mëdha se vizita rajonale e Trumpit mund të çonte në një marrëveshje armëpushimi, ose në rifillimin e rrjedhës së ndihmave humanitare për Gazën. Izraeli e ka ndaluar futjen e ndihmave në Gazë tash e tre muaj.
Një kameraman i Associated Press në Han Junis numëroi 10 sulme ajrore mbi këtë qytet gjatë natës deri në mëngjesin e së enjtes dhe pa shumë trupa të dërguar në morgun e spitalit Nasser.
Morgu i spitalit konfirmoi se 54 njerëz janë vrarë.
Në mesin e të vdekurve është edhe një gazetar që punonte për rrjetin televiziv nga Katari, Al Araby TV, njoftoi rrjeti në rrjetet sociale, duke thënë se Hasan Samour u vra së bashku me 11 anëtarë të familjes së tij në një nga sulmet në Han Junis.
Ushtria izraelite nuk i ka komentuar këto sulme deri tani.
Kjo ishte nata e dytë e bombardimeve të rënda, pas sulmeve ajrore të së mërkurës në veri dhe jug të Gazës që vranë të paktën 70 njerëz, përfshirë dhjetëra fëmijë.
Izraeli zotohet se do ta përshkallëzojë luftën
Të martën, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “nuk ka shanse” që Izraeli ta ndalë luftën në Gazë, duke shuar shpresat për arritjen e ndonjë armëpushimi.
Në komunikatën e publikuara nga zyra e Netanyahut të martën, kryeministri tha se forcat izraelite janë vetëm disa ditë larg përshkallëzimit të premtuar të forcës dhe do të futën në Gazë “me forcë të madhe për ta përfunduar misionin… Kjo do të thotë shkatërrimin e Hamasit”.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli e ka ndaluar plotësisht importin në Gazë, përfshirë importimin e ushqimit dhe ilaçeve, për më shumë se 10 javë.
Organizatat humanitare thonë se furnizimet me ushqime janë drejt përfundimit dhe uria është përhapur gjerësisht.
Izraeli thotë se po e bën këtë në mënyrë që të ushtrojë trysni ndaj Hamasit për t’i liruar pengjet.
Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.
Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.
Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
Të paktën 22 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës mëngjesin e së mërkurës si pasojë e sulmeve të pareshtura ajrore të Izraelin në gjithë Gazën, thanë zyrtarët shëndetësorë dhe spitalet lokale.
Në këto sulme u vranë të paktën 60 njerëz në përgjithësi, raportoi Ministria e Shëndetësisë në Gazë, përfshirë gati 50 njerëz rreth Xhabalias në veri të Gazës dhe 10 të tjerë në qytetin jugor Han Junis.
Sulmet ndodhën një ditë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – e liroi një peng izraelito-amerikan në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, dhe derisa presidenti Donald Trump po kryente një vizitë në Arabinë Saudite.
Të martën, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “nuk ka shanse” që Izraeli ta ndalë luftën në Gazë, duke shuar shpresat për arritjen e ndonjë armëpushimi.
Ushtria izraelite nuk ka dashur të flasë për sulmet e së mërkurës, por kishte paralajmëruar banorët e Xhabalias që të largoheshin të martën vonë në mbrëmje, për shkak të infrastrukturës militante në zonë, përfshirë raketahedhësve.
Në komunikatën e publikuara nga zyra e Netanyahut të martën, kryeministri tha se forcat izraelite janë vetëm disa ditë larg përshkallëzimit të premtuar të forcës dhe do të futën në Gazë “me forcë të madhe për ta përfunduar misionin… Kjo do të thotë shkatërrimin e Hamasit”.
Izraeli e ka ndaluar plotësisht importin në Gazë, përfshirë importimin e ushqimit dhe ilaçeve, për më shumë se 10 javë.
Organizatat humanitare thonë se furnizimet me ushqime janë drejt përfundimit dhe uria është përhapur gjerësisht.
Izraeli thotë se po e bën këtë në mënyrë që të ushtrojë trysni ndaj Hamasit për t’i liruar pengjet.
Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.
Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.
Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
“Ta çarmatosim komunikimin nga të gjitha paragjykimet, inatet, fanatizmat dhe urrejtjet; ta pastrojmë nga agresiviteti. Nuk na duhet një komunikim i zhurmshëm, për të treguar muskujt, por një komunikim i aftë për të dëgjuar, për të paraqitur zërin e më të brishtëve, që nuk kanë zë. T’i çarmatosim fjalët dhe do të kontribuojmë në çarmatosjen e Tokës”. Kështu Papa Leoni XIV, në takimin e sotëm me mediat
R.SH. – Vatikan
“Të dashur miq, me kalimin e kohës do të mësohemi ta njohim më mirë njëri-tjetrin. Kemi jetuar – mund të themi së bashku – ditë vërtet të veçanta. I kemi, i keni ndarë së bashku me çdo mjet komunikimi: TV, radio, internet, media sociale. Do të doja që secili prej nesh të thoshte për to se na zbuluan diçka nga misteri i të qenit njeri dhe se na lanë dëshirën për dashuri dhe paqe”.
Me këto fjalë i përshëndeti sot Papa Leoni XIV gazetarët e përfaqësuesit e tjerë të mediave, që i takoi në Sallën Pali VI në Vatikan, në një atmosferë të ngrohtë, bërë nga shtrëngime duarsh e buzëqeshje. Por Ati i Shenjtë nuk harroi të vërë në dukje edhe të gjitha sfidat, që përballuan e do të përballojnë profesionistët e komunikimit, në punën e tyre të përditshme.
Komunikim, që nuk kërkon konsensus me çdo kusht
Vërtet, ishte një lloj traktati mbi etikën profesionale ai, që Papa Leoni XIV u paraqiti gazetarëve, ardhur nga e gjithë bota. Një fjalim, që vuri në dukje ndjenjën e përgjegjësisë në të cilën është i thirrur çdo gazetar për të çuar përpara “shërbimin ndaj së vërtetës” dhe paqes. Impenjimi, për të cilin bëri thirrje Ati i Shenjtë, është i qartë:
“Të çohet përpara një komunikim i ndryshëm, që nuk kërkon konsensus me çdo kusht, nuk vishet me fjalë agresive, nuk përqafon modelin e konkurrencës, nuk e ndan kurrë kërkimin e së vërtetës nga dashuria me të cilën duhet ta kërkojmë ne atë me përvujtëri”.
T’i thuhet “jo” luftës së fjalëve dhe imazheve
Mënyra se si komunikojmë, theksoi Papa, ka “rëndësi themelore”:
“Duhet t’i themi “jo” luftës së fjalëve dhe imazheve, duhet ta hedhim poshtë paradigmën e konfliktit”.
Të lirohen gazetarët e burgosur dhe të mbrohet liria e shtypit
Papa përmendi edhe të gjithë gazetarët e burgosur, për të cilët kërkoi të lirohen: ata janë dëshmitarë të guximshëm, që mbrojnë “dinjitetin, drejtësinë dhe të drejtën e popujve për t’u informuar, sepse vetëm popujt e informuar mund të zgjedhin lirisht”:
“Vuajtja e këtyre gazetarëve të burgosur i bën thirrje ndërgjegjes së Kombeve dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke na kërkuar të gjithëve të mbrojmë pasurinë e çmuar të lirisë së shprehjes dhe të shtypit”.
Të vihet në pah bukuria e dashurisë së Krishtit
Papa Prevost u ndal më pas në kohët, që sapo kaluan: nga ritet e Javës së Madhe të Pashkëve te vdekja e Atit të Shenjtë Françesku, “e cila ndodhi në dritën e Pashkëve” e, deri te “ditët e lodhshme” të Konklavit. Gjatë të gjitha këtyre ngjarjeve, nënvizoi, punonjësit e komunikimit “arritën të rrëfejnë bukurinë e dashurisë së Krishtit, që na bashkon të gjithëve dhe na bën një popull të vetëm, të udhëhequr nga Bariu i Mirë”.
Mos u dorëzoni kurrë para mediokritetit, komunikimi krijon kulturë
Sfida, pra, në kohë “të vështira për t’u kuptuar dhe për t’u treguar”, është të “mos i nënshtrohemi kurrë mediokritetit”, duke u larguar nga stereotipet, që shpesh përdoren për të interpretuar jetën e krishterë dhe Kishën.
“Sot, një nga sfidat më të rëndësishme është promovimi i një komunikimi të aftë të na bëjë të dalim nga “Kulla e Babelit” në të cilën ndodhemi nganjëherë, nga konfuzioni i gjuhëve pa dashuri, shpesh ideologjike, ose të njëanshme… Komunikimi, në fakt, nuk është vetëm transmetim informacioni, por krijon kulturë, krijon ambiente njerëzore dhe dixhitale, që bëhen hapësira për dialog dhe konfrontim”.
(@Vatican Media)
Sfida e inteligjencës artificiale
Mendimi i Papës shkoi më pas në sfidën e Inteligjencës Artificiale, në “potencialin e saj të jashtëzakonshëm”, i cili, gjithsesi, kërkon “përgjegjësi dhe aftësi shqyrtimi”, në mënyrë që t’i sjellë vërtet dobi gjithë njerëzimit.
Çarmatosja e komunikimit nga urrejtja dhe paragjykimet
Duke përsëritur ftesën e Papës Françesku në mesazhin e tij të fundit për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2025, Ati i Shenjtë Leoni XIV bëri thirrje:
“Ta çarmatosim komunikimin nga të gjitha paragjykimet, inatet, fanatizmat dhe urrejtjet; ta pastrojmë nga agresiviteti. Nuk na duhet një komunikim i zhurmshëm, për të treguar muskujt, por një komunikim i aftë për të dëgjuar, për të paraqitur zërin e më të brishtëve, që nuk kanë zë. T’i çarmatosim fjalët dhe do të kontribuojmë në çarmatosjen e Tokës”.
(@Vatican Media)
Për një komunikim të çarmatosur dhe çarmatosës
“Një komunikim i çarmatosur dhe çarmatosës”, përsëriti së fundi Ipeshkvi i Romës fjalët që tha edhe për paqen, në përshëndetjen e tij të parë nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, në ditën e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, “na jep mundësinë të ndajmë me të tjerët pikëpamje të ndryshme për botën dhe të veprojmë në përputhje me dinjitetin tonë njerëzor”. Kjo është arsyeja, përfundoi Papa, pse është e nevojshme të “zgjedhim me vetëdije dhe guxim rrugën e një komunikimi të paqes”.
Një ofertë e papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 12 maj, për t’iu bashkuar bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen këtë javë në Stamboll, ka nxitur bisedë mes diplomatëve amerikanë dhe evropianë, të cilët vazhdojnë të kërkojnë një rrugë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Mos e nënvlerësoni të enjten në Turqi”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para nisjes për një udhëtim në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke iu referuar bisedimeve të mundshme më 15 maj.
“Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten”, tha Trump. “Kam aq shumë takime… Ndoshta do të jem atje, nëse e shoh që mund të ndodhë diçka”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi më vonë, më 12 maj, një bisedë telefonike me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Ukrainës dhe me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit, përmes zëdhënëses Tammy Bruce.
“Udhëheqësit diskutuan për hapat e mëtejshëm drejt një armëpushimi dhe rrugës për paqe në Ukrainë”, tha Bruce.
Aleatët e Ukrainës, më herët më 12 maj, ishin skeptikë për mundësinë e bisedimeve dhe për sinqeritetin e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Nuk mund të ketë bisedime nën zjarr, nëse nuk ka armëpushim”, tha Kallas gjatë një takimi për Ukrainën në Londër. “Duam të shohim që edhe Rusia e dëshiron paqen. Duhet që të dyja palët ta duan paqen; për luftë mjafton vetëm një – dhe po shohim që Rusia e do luftën”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më herët në platformën X se është i gatshëm të takohet me Putinin më 15 maj në Stamboll.
Nuk ka ende përgjigje nga Kremlini për ofertën e Zelenskyt, dhe Moska nuk ka komentuar as ofertën e Trumpit për të marrë pjesë në bisedime.
Zelensky ka propozuar një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, duke thënë se kjo do ta afronte ndjeshëm paqen.
“Ukraina e ka propozuar këtë prej kohësh, partnerët tanë gjithashtu, dhe e gjithë bota po e kërkon”, tha ai më 11 maj. “Po presim një përgjigje të qartë nga Rusia.”
Më 12 maj, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me homologun e tij turk, Hakan Fidan, për të diskutuar bisedimet e drejtpërdrejta me Kievin – një propozim i dalë nga Putini gjatë fundjavës, sipas Ministrisë së Jashtme ruse.
Nuk dihet ende se kush nga pala ruse do të marrë pjesë në bisedime, të cilat do të ishin të parat mes dy palëve që nga fillimi i luftës së plotë në shkurt të vitit 2022.
Oleg Saakian, analist politik që foli për Current Time, tha se si Ukraina, ashtu edhe Evropa, e dinë që nuk mund t’i besojnë Putinit dhe se ai ndoshta ka filluar përgatitjet për një fazë të re të luftës, duke forcuar pozitat e tij përmes bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së fundit në Moskë.
“I gjithë ky spektakël rreth armëpushimit dhe bisedimeve është ndërtuar për një spektator – Trumpin – me qëllim që të ekspozohet Putini si një figurë me të cilën nuk mund të bësh marrëveshje”, tha Saakian, duke shprehur dyshime për mundësinë që Putini të udhëtojë në Stamboll, apo që të ketë ndonjë marrëveshje të mundshme atje.
“Fokusi tani me shumë gjasë do të zhvendoset drejt boshtit transatlantik dhe gatishmërisë së Perëndimit për të vendosur së bashku sanksione të forta ndaj Rusisë”, shtoi ai. “Kjo është çështja kyç dhe do të formësojë ndjeshëm të ardhmen e bisedimeve”.
Konstantin Kosachev, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, i tha gazetës Izvestia se bisedimet mes Moskës dhe Kievit mund të shkojnë më tej se sa ato të vitit 2022.
“Nëse delegacioni ukrainas vjen në këto bisedime me një mandat për të hequr dorë nga ultimatume dhe për të kërkuar pika të përbashkëta, jam i bindur se mund të arrijmë më shumë se sa atëherë”, citohet të ketë thënë Kosachev.
VOAL- Papa Leo XIV i fton gazetarët të jenë “punëtorë të paqes”, duke i inkurajuar ata “të kërkojnë me dashuri” të vërtetën dhe duke i thënë “jo luftës së fjalëve dhe imazheve”. Ne duhet të “hedhim poshtë paradigmën e luftës”, tha ai në fjalimin e tij para përfaqësuesve të mediave nga e gjithë bota gjatë takimit në Sallën VI të mbajtur sot, të hënën.
Prevost i ftoi gazetarët “të angazhohen për të çuar përpara një komunikim të ndryshëm, i cili nuk kërkon konsensus me çdo kusht, nuk vishet me fjalë agresive, nuk përqafon modelin e konkurrencës, nuk e ndan kurrë kërkimin e së vërtetës nga dashuria me të cilën duhet t’i shikojmë me përulësi të tjerët, t’i dëgjojmë të tjerët, të flasim për të tjerët dhe, në këtë kuptim, mënyra se si komunikojmë është me rëndësi themelore”, tha Papa.
Gjatë takimit, Leo XIV donte të përsëriste “solidaritetin e Kishës me gazetarët e burgosur për kërkimin dhe thënien e së vërtetës”, duke kërkuar “lirimin” e tyre. “Kisha njeh në këta dëshmitarë – mendoj për ata që tregojnë luftën edhe me koston e jetës së tyre – guximin e atyre që mbrojnë dinjitetin, drejtësinë dhe të drejtën e popujve për t’u informuar, sepse vetëm popujt e informuar mund të bëjnë zgjedhje të lira”.
Komentet