VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Sekretari Pompeo shpreson në një marrëveshje me Turqinë për kurdët

By | January 12, 2019

Komentet

Presidenti Trump paralajmëron Iranin

Presidenti Donald Trump dha një paralajmërim për Iranin nëpërmjet mediave sociale, disa orë pasi zyrtarët amerikanë të mbrojtjes konfirmuan se Teherani kishte qëlluar një avion amerikan pa pilot mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Iran made a very big mistake!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) June 20, 2019

“Irani bëri një gabim shumë të madh!” tha presidenti Trump në Twitter të enjten, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen pas sulmeve të dyshuara mbi dy anije çisternë në Ngushticën e Hormuzit javën e kaluar.

​Zëdhënësi i Komandës Qendrore Amerikane Bill Urban tha të enjten se një raketë iraniane tokë-ajër goditi një avion pa pilot të mbikqyrjes detare të marinës amerikane në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Ai e quajti atë një “sulm të paprovokuar mbi një pajisje mbikqyrëse amerikane”, dhe tha se avioni pa pilot është përdorur për misionet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit mbi rajonet oqeanike dhe bregdetare.

Ushtria amerikane tha se Irani u përpoq të rrëzonte një dron amerikan javën e kaluar dhe tensionet mes dy vendeve u rritën me sulmet kundër anijeve çisternë në rajon për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, por që Irani i mohon.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizon programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Rrëzimi i dronit shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj krize.

حسین سلامی جانشین فرمانده کل سپاه پاسداران انقلاب اسلامی

“Ne nuk kemi ndonjë synim për luftë me asnjë vend, por jemi plotësisht të përgatitur për luftë,” tha komandanti i Gardës Revolucionare Hossein Salami në një fjalim në televizion.

Duke folur para një grumbulli njerëzish në qytetin perendimor të Sanandajit, Salami tha se droni amerikan “shkeli sigurinë tonë kombëtare kufitare”.

“Kufijtë janë vija jonë e kuqe,” tha Salami. “Çdo armik që shkel kufijtë do të asgjësohet”.

Sanksionet e reja amerikane kanë dëmtuar ekonominë e Iranit dhe Teherani ka njoftuar rritjen e prodhimit të uraniumit të pasuruar, ndërsa kërkon ndihmë nga vendet evropiane për të shmangur sanksionet amerikane.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit siguroi dje Kongresin se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë luftë me Iranin. Por demokratët në Kongres janë të shqetësuar se tensionet në rritje me Republikën Islamike do t’i japin administratës Trump një justifikim për të hyrë në një konflikt ushtarak. Ata paralajmërojnë se Presidenti Trump duhet të respektojë fuqinë kushtetuese të Kongresit për të shpallur luftë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin tha se politika e Presidentit Trump në Iran synon përfundimisht të sjellë Teheranin në tryezën e negociatave.

brian hook hearing

Brian Hook informoi ligjvënësit në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën mes shqetësimeve të disa prej anëtarëve të Kongresit se situata në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet në konflikt ushtarak.

“Askush nuk duhet të jetë i pasigurt lidhur me dëshirën tonë për paqe apo gatishmërinë tonë për të normalizuar marrëdhëniet, nëse mund të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Disa në Kongres kanë shprehur shqetësime se dërgimi i trupave amerikane, presionet e sanksioneve dhe retorika e nxehtë mund të tërheqin aksidentalisht Shtetet e Bashkuara në një konfrontim ushtarak me Iranin.

Trumpi premton dëbime masive të emigrantëve të paligjshëm

Presidenti Donald Trump, i cili nisi zyrtarisht fushatën për rizgjedhje, thotë se autoritetet amerikane të emigracionit do të fillojnë deportimin e miliona emigrantëve pa dokumente. Disa analistë pohojnë se kërcënimet e tij nuk janë tjetër përveçse pjesë e retorikës së nxehtë të fushatës, por për miliona njerëz mesazhi i tij është një paralajmërim serioz. Ramon Taylor i Zërit të Amerikës sjell këto hollësi.

Duke nisur zyrtarisht fushatën, Presidenti Trump u bëri jehonë disa temave të njohura:

“Ne besojmë se vendi ynë duhet të jetë vendi i shenjtë për qytetarët që respektojnë ligjin, jo për të huaj kriminalë”, tha ai.

Përpara kësaj, ai publikoi një numër komentesh në Twitter, ku paralajmëronte se autoritetet e emigracionit do të kryejnë dëbime masive, duke filluar nga java e ardhshme. Një operacion i tillë do të kërkonte qindra, apo mijëra agjentë dhe personel ligjzbatues, të cilët qysh tani përballen me një vëllim të madh pune. Analistët thonë se qeverisë i duhen më shumë mjete dhe njerëz.

Jessica Vaughn, është me Qendrën për Studimet e Emigracionit.

“Mendoj se gjëja e parë është se qeveria duhet të ketë kapacitetin, aftësinë dhe burimet për të zbatuar ligjin. Me fjalë të tjera, jepini fund krizës në kufi pastaj sigurohuni që autoritetet të jenë në gjendje të bëjnë punën në brendësi të vendit.”

Momenti kur Presidenti e dha njoftimin ngriti menjëherë pikëpyetje sa i përket qëllimeve të tij. Por kundërshtarët paralajmërojnë se retorika e tij tashmë është provuar se vjen me pasoja.

“Mendoj se nuk mund të lejojmë qeverinë federale të bëjë atë që ajo thotë se do të bëjë. Ne pamë se si ata nuk i ndryshuan planet për ndarjen e familjeve në kufi dhe, siç e dini, sado që kjo rezultoi diçka e tmerrshme, nuk i pengoi ata ta zbatonin. Prandaj duhet të besojmë se ata do të përpiqen ta bëjnë edhe këtë”.

Avokati i emigracionit Matthew Cameron thotë se një operacion masiv deportimi thjesht nuk është i mundur, por nuk ka dyshim se kjo do të ngjallë frikë në komunitetin e emigrantëve pa dokumente.

“Kjo do të thotë që njerëzit nuk do të shkojnë në takimet me mjekun, nuk do të shkojnë të marrin fëmijët nga shkolla, nuk do të shkojnë dot të punojnë, nëse vërtet besojnë se ka mundësi që kjo të ndodhë”.

Në të njëjtën ditë që kërcënoi për deportime masive, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara po përgatiten të nënshkruajnë një marrëveshje me Guatemalën, për të mos lejuar njerëzit nga ky vend i Amerikës Qendrore të largohen për t’i shpëtuar përndjekjeve dhe të vijnë të kërkojnë strehim në SHBA.

Ish drejtorja e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë dëshmon në Kongres

Në SHBA, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillon të mërkurën një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me ish-drejtoren e Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Hope Hicks. Kjo është hera e parë që ligjvënësit marrin në pyetje një person të rrethit të ngushtë të presidentit, që prej publikimit të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në muajin prill.

Demokratët e konsiderojnë dëshminë e zonjës Hicks, ish-ndihmëse e ngushtë e Presidentit Donald Trump, një fitore të rëndësishme pasi zoti Trump i ka penguar gjerësisht hetimet e nisura prej tyre.

Komisioni kërkoi fillimisht që dëshmia e zonjës Hicks të ishte publike, por në fund ra dakord për një seancë me dyer të mbyllura. Një transkript i seancës pritet të publikohet në ditët në vazhdim.

Është e paqartë se sa informacion të ri do të ofrojë Hope Hicks. Ajo ka bashkëpunuar gjerësisht me hetimin e zotit Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Një avokat i Shtëpisë së Bardhë, i pranishëm gjatë seancës dëgjimore, pritet ta ndalojë atë t’u përgjigjet disa pyetjeve.

Në një letër dërguar të martën kryetarit të komisionit Jerry Nadler, avokati i Shtëpisë së Bardhë Pat Patrick Cipollone shkruante se zoti Trump e kishte udhëzuar zonjën Hicks që të mos i përgjigjej pyetjeve “në lidhje me periudhën e shërbimit të saj si këshilltare e lartë e presidentit”.

Zoti Cipollone tha se zonja Hicks, si një nga ish-këshilltaret e larta të zotit Trump është “absolutisht imune” lidhur me dëshminë për shërbimin e saj ndaj presidentit për shkak të ndarjes së pushteteve mes degëve ekzekutive e legjislative. Shtëpia e Bardhë ka përmendur gjithashtu privilegjin ekzekutiv në lidhje me shumë nga kërkesat e demokratëve, duke përdorur fuqinë e presidentit për të refuzuar dhënien e informacionit për të mbrojtur konfidencialitetin e procesit vendimmarrës të Zyrës Ovale.

Demokratët kanë argumentuar se përgjigjet e zonjës Hicks nuk mbrohen nga imuniteti apo privilegji ekzekutiv, sidomos pas bashkëpunimit të saj me zotin Mueller. Komisioni i ka kërkuar zyrtarisht zonjës Hicks të paraqesë dokumente, por ajo është pajtuar vetëm pjesërisht me këtë kërkesë. za

Ligjvënësja e SHBA i kërkon Facebook-ut të ndalë planet për monedhën digjitale

Një ligjvënëse në SHBA i bëri thirrje komanisë Facebook të ndalë zhvillimin e monedhës digjitale, si dhe ftoi drejtuesit e kompanisë për të dëshmuar para Kongresit.

Deklarimet e saj janë pjesë e shqetësimeve botërore, lidhur me ndikimin në privatësi dhe në sigurinë e të dhënave, që mund të ketë monedha Libra.

Ligjvënësja demokrate, Maxine Waters, që kryeson Komitetin për Shërbime Financiare të Kongresit, tha se Facebook duhet të ndalë planet derisa Kongresi dhe rregullatorët të mund të shqyrtojnë çështjen.

“Facebook ka të dhëna për miliarda njerëz dhe vazhdimisht ka treguar një shpërfillje për mbrojtjen dhe përdorimin e kujdesshëm të këtyre të dhënave”, tha ajo në një deklaratë.

Edhe ligjvënësi republikan, Patrick Mc Henhry, gjithashtu kërkoi një seancë të Komitetit për nismën e re të Facebook-ut.

Të martën, kompania Facebook ka zbuluar planet për të lëshuar në qarkullim, vitin e ardhshëm, një monedhë të re digjitale, të quajtur Libra.

Facebook tha se njerëzit do të jenë në gjendje të bëjnë pagesa me monedhën nëpërmjet aplikacioneve të tyre, si dhe përmes shërbimit të mesazheve WhatsApp.

Presidenti Trump fillon zyrtarisht fushatën për rizgjedhjen

Jim Malone

Presidenti Donald Trump fillon zyrtarisht fushatën elektorale për rizgjedhjen e tij, në një shtet kyç – Floridën. Presidenti Trump shpreson se votuesit do ta shpërblejnë në votime vitin e ardhshëm për ekonominë e fortë të vendit. Por, ndërsa i afrohemi garës së vitit 2020, anketime të ndryshme tregojnë se ai mbetet jopopullor në segmente të mëdha votuesish. Kjo është zakonisht një shenjë rreziku për një president që kërkon të rizgjidhet.

Air Force One ulet për një miting në Pensilvani, një ndër shtetet kryesore për zgjedhjet e 2020-s, dhe ku Presidenti Trump fitoi me vështirësi në vitin 2016.

Presidenti Trump e shikon ekonominë amerikane si avantazhin e tij kryesor në këtë fushatë elektorale.

“Politika është një botë e çmendur. Por, kur kemi shifrat më të mira të punësimit në histori; kur kemi nivelin më të ulët historikisht të papunësisë; kur kemi ndoshta ekonominë më të mirë që kemi patur ndonjëherë… Nuk di se si mund t’i humbasim këto zgjedhje, apo jo?”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Një reklamë e re televizive e fushatës Trump u kujton votuesve arritjet e tij.

Ndërsa shpall zyrtarisht në Florida synimin për të rikandiduar, Presidenti Trump duke se është gati të përballet me këdo që mund të shfaqet nga një mori kandidatësh demokratë për president.

Për momentin, ish-Nënpresidenti Joe Biden kryeson në radhët e demokratëve, ndërsa është përqëndruar tek kritikat ndaj Presidentit Trump.

“Në pikëpamjen time, ai është një kërcënim, një kërcënim ndaj vlerave tona thelbësore. Katër vitet e Donald Trump-it do të shihen si një anomali në historinë amerikane. Tetë vite do të ndryshonin me themel atë çfarë ne jemi si komb, dhe se si na sheh bota”, deklaroi zoti Biden.

Të dhënat e anketimeve më të fundit i kanë nxjerrë në avantazh zotin Biden dhe disa kandidatë të tjerë demokratë, në një matje teorike përballë Presidentit.

Presidenti Trump hodhi poshtë edhe anketimet e brendshme të fushatës së tij, të cilat gjithashtu tregonin se zoti Biden dhe disa kandidatë të tjerë demokratë do të fitonin me diferencë të madhe në disa shtete kyçe.

Por, anketimet në një fazë kaq të hershme për zgjedhjet presidenciale mund të jenë jo të sigurta.

“Siç e pamë në vitin 2016, anketimet dhe gara mund të ndryshojnë papritur. Mendoj se presidenti mund të detyrohet të pranojë realitetin duke thënë se ka mbetur prapa dhe se nuk është hapur sa ç’duhet. Megjithatë është e rëndësishme që demokratët të kuptojnë se anketimet mund të ndryshojnë parpritur dhe shpesh nuk tregojnë se si është pozicionuar publiku amerikan”, i tha kanalit ABC analisti politik Mattthew Dowd.

Megjithë ekonominë e fortë, niveli i miratimit për Presidentin Trump vazhdon të jetë historikisht i ulët.

Dhe ka mbetur kështu për pjesën më të madhe të presidencës së tij.

“Nëse shqyrtojmë vetëm anketimet mund të themi se asgjë nuk ka ndryshuar. Donald Trump ka qenë gjatë gjithë presidencës së tij në nivelin nga 30% deri në mbi 40% të miratimit”, thotë Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias”.

Nga anketimet del se megjithëse Presidenti Trump ka mbajtur përgjithësisht të kënaqur bazën e tij politike, atij i duhet të gjejë mënyrat për ta zgjeruar këtë bazë në mënyrë që të rrisë shanset e fitores.

Presidenti Trump thotë se udhëheq garën me demokratët, anketat tregojnë ndryshe

Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi të hënën se ai udhëheq garën me një grup kandidatësh demokratë për president, që kërkojnë ta rrëzojnë atë në zgjedhjet e vitit 2020, megjithëse fushata e tij i hodhi poshtë si të pavërteta tre anketa, pas zbulimit të rezultateve të tyre, duke treguar se zoti Trump është shumë prapa udhëheqësit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden.

“Vetëm sondazhet e rreme na tregojnë se jemi pas grupit Motley Crew,” shkruante zoti Trump në Twitter, duke ju referuar një grupi muzikor të viteve 1980, “Ne po paraqitemi me të vërtetë mirë, por është shumë herët të përqendrohemi tek kjo çështje. Mbetet shumë punë për të bërë! Do ta bëjmë përsëri madhështore Amerikën!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1140591670280564737

Sipas mediave amerikane, Donald Trump ishte i zemëruar që sondazhet që u bënë publike nga vetë fushata e tij, tregojnë se ai po e humb betejën me rivalin demokrat Biden në shtetet kyçe për betejën presidenciale, që ka gjasa të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020.

Një sondazh i brendshëm në muajin mars tregonte se Presidenti Trump vinte pas zotit Biden në anketa, i cili aktualisht po udhëheq 22 demokratë të tjerë që kërkojnë emërimin e partisë presidenciale, me 16 përqind në Pensilvani, 10 për qind më tepër në Wisconsin dhe shtatë përqind më shumë në Florida. Presidenti Trump fitoi në të tre këto shtete në zgjedhjet e vitit 2016, ndaj demokrates Hillari Klinton dhe ka gjasa që ata t’i duhen përsëri për të fituar një mandat të dytë katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Menaxheri i fushatës së zotit Trump Brad Parscale, i konfirmoi rezultatet e sondazhit, por tha se ato ishin të vjetëruara.

Për të minimizuar rrezikun e rrjedhjes së informacionit në zgjedhjet e ardhshme, fushata e zotit Trump i pushoi nga puna tre nga 5 personat që punonin për anketat e tij.

Sondazhet e pavarura gjithashtu tregojnë se presidenti amerikan është prapa disa prej rivalëve të tij në anketa, thuajse 17 muaj përpara zgjedhjeve.

E pasigurt e ardhmja e kompensimeve të punonjësve të shpëtimit të 11 shtatorit

Komediani amerikan Jon Stewart shprehu indinjatën ndaj ligjvënësve që nuk morën pjesë në një seancë për një fond që do të kompensonte plotësisht punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë gjatë sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork.

Zoti Stewart, një avokat i hershëm për anëtarët e ekipeve të shpëtimit të 11 shtatorit e drejtoi dorën nga karriget e zbrazëta në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i quajti ata “një turp për vendin dhe një njollë për institucionin” e Kongresit. Ish-drejtuesi i programit satirik “The Daily Show” akuzoi gjithashtu anëtarët e komisionit se po tregonin “mungesë të papranueshme respekti”, për punonjësit e emergjencës.

“Indiferenca juaj u ka kushtuar këtyre burrave dhe grave gjënë më të çmuar: kohën. Është e vetmja gjë që po u mbaron. Rolet duhet të ndërrohen në këtë seancë. Këta burra dhe gra duhet të jenë në podium dhe Kongresi duhet të jetë aty poshtë duke iu përgjigjur pyetjeve se pse dreqin qenka kaq e vështirë dhe pse u dashka kaq shumë kohë”, tha zoti Stewart.

Mbi 7 miliardë dollarë u përfshinë në një fond për të kompensuar zjarrfikësit, ekipet e ndërtimit, policët dhe punonjës të tjerë të ndërhyrjes së shpejtë që nxituan në rrënojat e Qendrës Botërore të Tregëtisë, duke thither pluhur, tym, kimikate dhe lëndë të tjera të rrezikshme.

Shumë vetë po vuajnë nga probleme frymëmarrjeje, çrregullime me sistemin e tretjes, kancer në mushkëri dhe kancere të tjera.

“Ky fond nuk është biletë për në parajsë. Është për të mbajtur familjet tona, kur ne nuk mundemi. Asgjë më shumë. Ju të gjithë thatë se nuk do të harroni kurrë. Unë jam këtu që të sigurohem që vërtet nuk do të harroni. Më detyruat të vij këtu një ditë para raundit të 69-të të kimioterapisë. Dhe unë do të bëj të pamundurën që të mos harroni kurrë të kujdeseni për ekipet e shpëtimit të 11 shtatorit”, – tha Luis Alvarez, ish-detektiv i policisë së Nju Jorkut që ishte pjesë e ekipit të shpëtimit të 11 shtatorit.

Departmenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se fondi po tkurret pas nuk ka mekanizëm në Kongres që të mos ta lejojë një gjë të tillë, para se të skadojë programi vitin që vjen.

Pagesat e sigurimeve janë reduktuar dhe 21 mijë kërkesa janë ende pezull.

Zoti Stewart dhe të tjerë po i kërkojnë Kongresit që të miratojë një ligj që të sigurojë se fondi do të vazhdojë të funksionojë për 70 vitet e ardhshme. za

Presidenti Trump dhe ish nënpresidenti Biden zhvillojnë fushatë në Ajova

Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden dhanë të martën mesazhin e tyre politik në shtetin e Ajovas, secili me synimin për t’i bindur votuesit e zgjedhjeve të vitit 2020, se ai është njeriu me vizionin dhe forcën për të udhëhequr vendin. Trump dhe Biden kanë shkëmbyer replika që nga koha kur ish nënpresidenti amerikan njoftoi kandidaturën e tij për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, kur zoti Trump e portretizoi demokratin Biden si një njeri që i mungon energjia; zoti Biden, nga ana e tij, kritikoi stilin agresiv të Presidentit Trump. Por replikat e tyre u bënë edhe më të forta, kur të dy u shfaqën në të njëjtin shtet, Ajova.

Gjatë aktiviteteve të tij të së martës në Ajova, zoti Trump u pa qartë se kishte në mendje zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Presidenti republikan, i cili pritet të kandidojë për t’u rizgjedhur, shfrytëzoi çdo rast për të minuar punën e administratës Obama dhe për të përbuzur ish-nënpresidentin Biden:

“Amerika nuk duhet të jetë kurrë peng i furnizuesve të huaj me energji, sikurse ndodhi nën drejtimin Obama-Biden. Joe gjumashi!”

Argumenti kryesor i zotit Trump në favor të tij, ka qenë rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Por politikat e tij për tarifat kanë dëmtuar fermerët amerikanë dhe disa prodhues, duke shkaktuar shqetësim se ekonomia mund të shkojë drejt rënies. Presidenti Trump këmbënguli se nga tarifat përfitojnë fermerët amerikanë.

“Ne jemi duke marrë miliarda nga ato miliarda dollarë që hyjnë në vendin tonë përmes tarifave – u dhamë fermerëve 16 miliardë dollarë, sepse kjo ishte shuma më e lartë që Kina kishte përdorur ndonjëherë për të blerë produktin tuaj”,tha zoti Trump.

Më parë gjatë ditës së martë, zoti Trump shkroi një sërë tweetesh, ku shprehte besimin e tij për t’u rizgjedhuar, duke përfshirë një vlerësim ndaj tij në kohët e fundit në anketa. Sipas Raportit Rasmusen, mbështetja për të është tani rreth 50 për qind.

Megjithatë, një sondazh i Universitetit Quinnipiac i botuar të martën, tregoi se Joseph Biden është 13 pikë para zotit Trump në mbështetjen që ai ka në nivel kombëtar.

Zoti Biden e filloi vizitën e tij dy-ditore në Ajova më herët të martën, duke vënë në shënjestër stilin e udhëheqjes së zotit Trump.

“Unë mendoj se ai përbën me të vërtetë një kërcënim për vlerat tona kryesore. Ai është gjithashtu kërcënim për imazhin tonë në botë. Gjatë ceremonive me rastin e përvjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi më la pa mend fakti që ai i sulmoi me tweete të gjithë, nga kryebashkiaku i Londrës tek aktorja amerikane Bette Midler.”tha zoti Biden.

Kandidati demokrat për president me më tepër mbështetje, kritikoi gjithashtu deklaratat e zotit Trump mbi tarifat:

“Fakti është se ai e tërhoqi kërcënimin për tarifat me Meksikën kohët e fundit, sepse e kuptoi se rrezikonte të humbiste Michiganin, Ohajon, Ajovën dhe papritur – siç themi ne në Delauerin jugor – atij i vika një thirrje nga Zoti… Por do të shikoni, nëse situata vështirësohet, ai do të fillojë përsëri të kërcënojë me tarifat. Sipas mendimit tim, për të punëtorët amerikanë janë veçse një peng i lojës së tij”.

Tani për tani zoti Biden dhe zoti Trump janë në pararojë të garës së partive të tyre përkatëse për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por nëntori i vitit 2020 është ende larg dhe zgjedhjet e 2016-ës treguan se surprizat e minutës së fundit nuk mund të përjashtohen. za

20-vjetori i Çlirimit, Palmer: SHBA do të jenë përkah jush

Matthew Palmer, zv.ndihmes Sekretari Amerikan i Shtetit

KOSOVE- Në fjalimin e tij para të pranishmëve në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Matthew Palmer, zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje për të mirën e qytetarëve të dy vendeve.

Pjesë nga fjala e Palmer:

Qytetarët e Kosovës kanë treguar se mund të jenë një partner i besueshëm për SHBA. Ruajtja e vlerave për Kosovën që sot është e rritur dhe e pjekur, në 20-vjetorin kanë ndryshuar tensionet në jetët tona. Sot, SHBA do të jenë përkah jush, por sot nuk merr më askush vendime për ju. Duhet lënë mënjanë retorika nacionaliste. Shpalosja e viktimave të luftës nuk ju ndihmon ju për të ndërtuar një shtet demokratik. Sot, Kosova duhet të punojë për një paqe demokratike. Duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që do të sillte pranimin e dyanëshëm. Jeta e qytetarëve do të përmirësohej. Kosova dhe Serbia do të jenë gjithnjë fqinj. Të dy vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen dhe të drejtohen nga ardhmëria dhe përparimi. Nëse Kosova nuk ecën përpara, atëherë do të prishet cikli. Shfrytëzojeni mundësinë për një të ardhme më të mirë. Kjo është koha më e mirë.

Gjenerali Wesley Clark sot në Kosovë – Ja si i shkruan presidentit Bill Clinton!

Ish-komandanti i NATO-s gjatë bombardimeve kundër caqeve serbe më 1999, gjenerali i pensionuar, Wesley Clark, do të qëndrojë të mërkurën në Kosovë, në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Gjenerali Clark ka njoftuar në llogarinë e tij në Twitter se do t’i bashkohet ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në festimet që do të organizohen më 12 qershor në Prishtinë.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Albright, kanë arritur të martën në Kosovë.

Clinton dhe Albright janë pritur nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Gjenerali Wesley Clark ka qenë komandant i forcave të NATO-s në kohën e bombardimeve të forcave aleate kundër ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat po kryenin krime kundër njerëzimit dhe kishin ndërmarrë fushatë të pastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës.

12 qershori konsiderohet dita e çlirimit të Kosovës pasi më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjes tre ditë më herët me forcat serbe, të cilat u pajtuan të largoheshin nga Kosova.

Marrëveshja teknike-ushtarake ishte nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë pas 78 ditë bombardimesh ajrore nga forcat e NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

(Video) Clinton: Krenar që isha president kur duhej dikush që do t’i kundërvihej spastrimit etnik

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të martën në Prishtinë se Kosova meriton të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj përpara.

“Mendoj se Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër që mund të anëtarësohet një shtet i pavarur. Unë kam qenë shumë i lumtur që pasardhësi im presidenti Bush njohu Kosovën dhe pavarësinë e saj. Në një mjedis të paqartë politik në Amerikë, Kosova duket të jetë e vetmja temë për të cilën pajtohen të gjithë amerikanët prandaj ju uroj sukses dhe besoj se vendi im do të vazhdojë të ju mbështesë në përparimin tuaj”, tha ish presidenti Clinton.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e dekoroi ish presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Ish presidenti Clinton tha se mbarë bota mund të marrë Kosovën si shembull të demokracisë dhe përkushtimit për të përparuar dhe jetuar në paqe me fqinjët.

“Kjo është diçka për të cilën të gjitha shtetet duhet të punojnë brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj se ju e keni rastin të vendosni edhe një shembull të ri për botën edhe për njëzet vjetët e ardhshme. Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”, tha ish presidenti amerikan.

Ai u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, i cili pas takimit shkroi ne rrjetet sociale: “Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj”.

Ish presidenti Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në veprimtaritë me të cilat pritet të shënohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare dhe administrimit serb të Kosovës.

Roli i të dy zyrtarëve amerikanë vlerësohet vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë dhe hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës.

“Jam i nderuar të kthehem në Kosovë për të kremtuar 20 vjet paqe – një arritje e qytetarëve të Kosovës që duhet të kremtohet jo vetëm në këtë përvjetor, por çdo ditë”, shkroi presidenti Clinton në rrjetet sociale.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli pritën ish presidentin Clinton në aeroportin e Prishtinës.

“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stabilitetit në të gjithë rajonin. Mbështetja e palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës!”, shkroi në rrjetet sociale ish presidentja Jahjaga.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, shkroi se “Liria dhe Pavarësia jonë është e lidhur ngushtë me emrin e njeriut që sot po viziton Republikën tonë. Presidenti Klinton do të jetë i nderuar për jetë e mot nga Kosova”.

Ish presidentja Jahjaga, priti ne aeroportin e Prishtinës edhe ish sekretaren Albright.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarss Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen”, shkroi ajo.

Viti 2019 në Kosovë është shpallur vit i NATO-s në shenjë nderimi për ndërhyrjen e saj 20 vjet më parë.

 

 

 

Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës e Serbisë për njohje reciproke

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të lenë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre.

Në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha:

“Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit.”

“E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të veprojnë tani e të mos ua lënë punën brezave të ardhshëm. za