UASHINGTON – Pas gati një çerek shekulli në politikë, Senatori demokrat Chuck Schumer pritet të marrë drejtimin si udhëheqës i shumicës në një Senat ku palët janë të përfaqësuara në nivel të barabartë. Ai do të jetë kështu në epiqendër të betejave legjislative që do të pasojnë inaugurimin me 20 janar të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Zoti Schumer, 70 vjeç, njujorkezi i parë dhe personi i parë me origjinë hebre që do të mbajë postin e udhëheqësit të maxhorancës në Senat, do të pasojë udhëheqësin e tanishëm të shumicës republikane Mitch McConnell nga shteti Kentaki, në një moment plot rreziqe. Shtetet e Bashkuara i ka mbërthyer pandemia vdekjeprurëse, ekonomia është goditur rëndë dhe vendi është ende i tronditur nga sulmet ndaj Kapitolit të mërkurën e kaluar nga një turmë mbështetësish të Presidentit Donald Trump.
Kreu i pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke folur gjatë rimbledhjes së Senatit pas sulmeve ndaj Kapitolit (6 janar 2021)
Për më tepër, zoti Schumer ka gjasa ta marrë rolin e tij të ri udhëheqës në mesin e një tjetër beteje të nxehtë për të larguar Presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse mandatit të presidentit republikan po i vjen fundi.
Senati i ri me shumicë demokrate nuk ka gjasa të veprojë për shkarkimin derisa të jetë betuar në detyrë Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden më 20 janar. Ndër detyrat e para të zotit Schumer do të jetë hartimi i një strategjie për të konfirmuar anëtarët e kabinetit të zotit Biden dhe njëkohësisht për të miratuar iniciativa jetike legjislative, ndërsa paralelisht zhvillohet një gjyq në Kongres ndaj zotit Trump.
Në një letër drejtuar kolegëve në Senat këtë javë, zoti Schumer u zotua se procesi i hetimit dhe gjykimit nuk do të ndërhyjë tek axhenda e Partisë Demokrate, ku përfshihet miratimi i paketës së stimulit ekonomik ndaj pandemisë së koronavirusit, ku do të jepen pagesa individuale prej 2 mijë dollarësh, si dhe asistencë për shtetet amerikane dhe qeverisjen lokale.
Ai radhiti edhe objektiva të tjerë, si “legjislacion të guximshëm për të triumfuar përballë krizës klimatike” dhe përpjekje për të ndrequr sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të kujdesit për fëmijët, raportoi agjensia e lajmeve Associated Press.
Zoti Biden ka inkurajuar zotin Schumer dhe udhëheqësit e tjerë demokratë të ndjekin një përqasje me dy fronte, duke ndarë ditët legjislative ndërmjet gjyqit në Kongres dhe konfirmimit të të emëruarve të tij në postet e larta qeveritare.
Megjithëse Presidenti Trump nuk do të jetë më në detyrë kur Senati të zhvillojë gjyqin ndaj tij, zoti Schumer, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe demokratë të tjerë, kanë vënë në dukje se zotit Trump do t’i ndalohej kandidimi sërish për president në vitin 2024, nëse shpallet fajtor për nxitje të dhunës ndaj qeverisë.
Kamala Harris dhe Chuck Schumer
Momenti i paqartë i kalimit të kontrollit të Senatit
U desh fitorja e dy vendeve të Senatit në balotazhet në Xhorxhia më 5 janar, që kontrolli i Senatit të kalonte nga republikanët tek demokratët, duke ngritur kështu edhe zotin Schumer nga udhëheqës të pakicës në detyrën më të lartë drejtuese.
Është momentalisht e pamundur të përcaktohet dita e saktë kur zoti Schumer do të marrë kontrollin e Senatit, pasi Senati është i ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes dy partive, si dhe për shkak të disa veçantive në ligjin zgjedhor.
Senati do të jetë i përbërë nga 50 demokratë dhe 50 republikanë dhe vota e Nënpresidentes Kamala Harris do të sigurojë fitoren për demokratët. Sidoqoftë, të gjitha këto nuk mund të realizohen derisa të fillojnë detyrën zëvendësuesi i zonjës Harris, e cila aktualisht është vetë senatore, si dhe dy senatorët e zgjedhur në Xhorxhia.
I emëruari për të zëvendësuar zonjën Harris, Sekretari i Shtetit të Kalifornisë Alex Padilla, mund të fillojë detyrën sapo të inaugurohet zonja Harris. Por, dy senatorëve të zgjedhur në Xhorxhia, Raphael Warnock dhe Jon Ossoff, mund t’u duhet të presin deri në 22 janar për të marrë postet e tyre, në varësi të kohës kur zyrtarët e atij shteti çertifikojnë rezultatet.
Ish-Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Senatorin Schumer në përvjetorin e 19-të të sulmeve terroriste në Nju Jork (11 shtator 2020)
Një histori pragmatizmi
Megjithëse pozicioni i tij si udhëheqës partie e vendos zotin Schumer në epiqendër të skenës politike, historiku i tij në politikë në nivelin e shteteve amerikane dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara gjatë 45 viteve të fundit është karakterizuar nga një gjurmë e thellë pragmatizmi dhe dëshire për të arritur marrëveshje me palën tjetër.
Në veçanti, zoti Schumer ka shërbyer si urë lidhëse mes partive për çështje të lidhura me sektorin e shërbimeve financiare, një ndër sektorët më të rëndësishëm të shtetit nga i cili ai vjen. Ai është kritikuar shpesh nga anëtarët e partisë së tij për afërsinë me Wall Street-in.
Ai gjithashtu u përpoq të arrijë marrëveshje dypartiake për çështje të debatueshme. Ai ishte anëtar i “Grupit të 8-shes”, një grup senatorësh që në vitin 2013 udhëhoqën një përpjekje të suksesshme dypartiake për të kaluar në Senat një ligj për reformimin gjithëpërfshirës të emigracionit. Më pas ligji u bllokua në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë viteve, zoti Schumer ka qenë një mbështetës i fortë i shumë objektivave të politikave të lidhura me Partinë Demokrate. Në veçanti, ai ka qenë një aktivist i fortë për kontrollin e armëve, zgjerimin e qasjes në sigurimet shëndetësore dhe të drejtën e grave për të zgjedhur abortin.
Sidoqoftë, ai gjithashtu ka qenë i gatshëm të shkëputet nga partia e tij. Ai ndonjëherë i ka rezistuar përpjekjeve për të rritur taksat për njerëzit me të ardhura të larta, duke theksuar se në zona me kosto të lartë si Nju Jorku, nivelet e të ardhurave që do të konsideroheshin shumë të larta diku tjetër, janë të nevojshme për të ruajtur një mënyrë jetese të klasës së mesme.
Mbështetja e fortë e zotit Schumer për Izraelin e ka lënë atë në kundërshti me partinë e tij në raste të caktuara. Ai votoi kundër marrëveshjes bërthamore të Iranit të negociuar nga administrata Obama në 2015 dhe foli në favor të vendimit të diskutueshëm të Presidentit Trump për të lëvizur ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Izrael në qytetin e kontestuar të Jeruzalemit.
Një aktivist dhe organizator i aftë politik, zoti Schumer nuk ka humbur kurrë zgjedhjet në karrierën e tij. Ai gjithashtu drejtoi Komitetin e Fushatës Senatoriale Demokrate (DSCC), duke udhëhequr partinë në rimarrjen e kontrollit të Senatit në 2006 dhe duke larguar nga detyra gjashtë senatorë republikanë. Në zgjedhjet pasuese, ende nën udhëheqjen e zotit Schumer, DSCC ndihmoi partinë të fitonte edhe tetë vende të tjera.
Aftësitë e tij si politikan do të testohen plotësisht në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, ku mekanizmat përmes së cilëve edhe një senator i vetëm mund të bllokojë një propozim ligjor, mund ta bëjnë të vështirë miratimin e ndonjë legjislacioni me më pak se 60 vota, dhe ku edhe masat që mund të kalohen me një shumicë të thjeshtë, do të duhet të kënaqin demokratët më konservatorë në Senat.
“Schumer është i kufizuar si nga taktikat bllokuese, ashtu edhe nga preferencat e anëtarëve të tij më pak liberalë”, tha Kyle Kondik i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias. “Kjo listë fillon me senatorin Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore”.
“Duket sikur pagesat stimuluese prej 2 mijë dollarësh do të jenë një çështje e hershme e axhendës për Kongresin e ri. A mund ta strukturojë Schumer në një mënyrë të tillë që të mund të sigurojë votën e Manchin-it, i cili ka thënë se nuk i sheh pagesat si një përparësi kryesore? Apo, nëse ai humbet mbështetjen e Manchin-it, a mund të gjente votat e republikanëve? Mënyra se si do të zhvillohen gjërat do të jetë një provë interesante e hershme për Schumer-in si udhëheqës i shumicës”.
Në Park Slope, të Bruklinit, njerëzit marrin pjesë në votimin hershëm (27 tetor 2020, Bruklin, New York)
Një bir i Bruklinit
Ngritja e zotit Schumer në një prej pozicioneve më të fuqishme në vend vjen si kulmim i një karriere politike që është shtrirë përgjatë pesë dekadave. Duke filluar si anëtar i asamblesë së Nju Jorkut në 1975, zoti Schumer ngjiti shkallët vazhdimisht, duke shërbyer 18 vjet si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, përpara se të zgjidhej në Senat për herë të parë në vitin 1998.
I lindur në Bruklin, Nju Jork, në vitin 1950, zoti Schumer ende jeton po aty, në lagjen Park Slope, së bashku me bashkëshorten e tij prej 40 vitesh, Iris Weinshall. Ata kanë dy vajza të rritura. Zoti Schumer ndoqi Kolegjin e Harvardit dhe Fakultetin Juridik të Harvardit, si dhe u liçensua në avokaturë në shtetin e Nju Jorkut, megjithëse nuk e ushtroi kurrë këtë profesion.
Zoti Schumer është kushëri i dytë i aktores dhe komedianes Amy Schumer.
Zoti Schumer është bërë shpesh objekt i shakave në Kapitol për shkak të tendencave të tij protagoniste dhe dëshirës për publicitet. Ish-udhëheqësi i shumicës dhe kandidati republikan për president Bob Dole u shpreh dikur se “vendi më i rrezikshëm në Uashington është ndërmjet Charles Schumer-it dhe një kamere televizive”.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi dje se do t’i drejtohet kombit nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën (sot, 17 dhjetor), me një fjalim televiziv.
Ai e konfirmoi duke shkruar një mesazh në rrjetin e tij social “E Vërteta” (Truth), teksa shtoi shkurtimisht se viti që po mbyllet ka qenë “i jashtëzakonshëm” që kur ai u rikthye në pushtet në janar.
Fjalimi do të mbahet të mërkurën në orën 21:00 (ora lokale amerikane dhe 03:00 e mëngjesit të së enjtes në Evropë), Donald Trump nuk e përmendi temën e fjalimit të tij.
“Bashkëkombëtarët e mi amerikanë: Do t’i drejtohem kombit nesër në mbrëmje, drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, në orën 21:00”, shkroi ai, duke shtuar:
“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për vendin tonë dhe më e mira ende nuk ka ardhur!”.
Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas kanë thënë se kanë arritur përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve të zhvilluara më 15 dhjetor, me qëllim të përfundimit të luftës së nisur nga Rusia në tokën ukrainase, teksa Uashingtoni raportohet t’i ketë ofruar Kievit garanci të sigurisë të modelit të Artikullit 5 të NATO-s.
Ndonëse ende ka pikëpyetje për çështje me rëndësi, përfshirë fatin e territorit që Kievi vazhdon ta kontrollojë në rajonin lindor Donjeck, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se duket që një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore është më afër se kurrë.
“Po përpiqemi ta finalizojmë, besoj se jemi më afër tani”, u ka thënë Trump gazetarëve në Zyrën Ovale më 15 dhjetor pasi delegacionet amerikane, evropiane dhe ukrainase kanë zhvilluar disa ditë negociata në Berlin.
“Kemi zhvilluar disa biseda me presidentin [rus, Vladimir] Putin të Rusisë dhe besoj se jemi më afër se kurrë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë”.
Trump e ka përmendur se ka biseduar së fundmi me presidentin rus, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenky ka thënë se bisedimet kanë qenë të vështira, por të dobishme dhe që shefi i tij negociator, Rustem Umerov ka thënë se ka pasur “përparim real” në Berlin me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, që kanë qenë pjesë e delegacionit amerikan.
“Këto biseda nuk janë gjithmonë të lehta, do të jem i sinqertë me ju. Por ka qenë bisedë produktive, me shumë hollësi, me të vërtetë shumë”, ka thënë Zelensky në një forum bizensor gjermano-ukrainas që është mbajtur pas takimit SHBA-Ukrainë.
Në një konferencë për media të zhvilluar më vonë nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, Zelensky ka thënë se palët “kanë dallime” sa u përket territoreve, dhe që çështja “nuk është mbyllur”.
“Çështja territoriale është e dhimbshme. Ne e dimë 100 për qind çfarë dëshiron Rusia, dhe është shumë me rëndësi që amerikanët më kanë dëgjuar në këtë drejtim”, ka thënë Zelensky.
“Unë besoj që amerikanët, si ndërmjetësues, do të analizojnë mënyra të ndryshme si t’i zgjidhin këto çështje”, përfshirë territorin dhe ndarjen e fondeve për rindërtim të Ukrainës.
Zelensky i ka refuzuar propozimet që kërkojnë nga Kievi të heqë dorë nga një pjesë e rajonit të Donjeckut, që ende e ka nën kontroll. Dhe ai ka sugjeruar që nëse Ukraina duhet të largohet nga vija e frontit në Donbas, atëherë edhe forcat ruse duhet të veprojnë njëjtë.
Rusia, në anën tjetër, insiston në koncesione territoriale, duke kërkuar gjithë rajonin ukrainas të Donbasit. Nëse nuk ndodh ashtu, Putini ka thënë se rusët do ta marrin atë rajon me forcë.
Kancelari Merz ka thënë se tani është shansi më i madh për proces të paqes prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022 dhe që Shtetet e Bashkuara kanë bërë kontribut të madh për garanci të sigurisë për Ukrainën.
Një grup prej shtatë shteteve të Bashkimit Evropian, liderët e BE-së dhe Zelensky e kanë publikuar një deklaratë të përbashkët duke thënë se mbështesin një ushtri ukrainase prej 800.000 trupash, një forcë multikombëtare të udhëhequr nga evropianët dhe një mekanizëm të udhëhequr nga amerikanët për monitorim dhe verifikim për të zbatuar një armëpushim eventual.
Ndërkohë, shumë agjenci të lajmeve i kanë cituar zyrtarët amerikanë të kenë thënë se propozimet e diskutuara në Berlin i ngjasojnë Artikullit 5 të NATO-s.
Ky artikull parasheh që sulmi ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare të aleancës.
Uashingtoni nuk ka dhënë hollësi se si do t’i ofrojë garancitë e sigurisë, ndonëse ka pasur zyrtarë që kanë thënë se një ofertë e tillë nuk do të jetë përgjithmonë në tavolinë.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ka thënë më 15 dhjetor se heqja dorë e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO është “gurthemel” për një marrëveshje për paqe në sytë e Kremlinit, dhe që Rusia prej të dëgjojë nga zyrtarët amerikanë se çfarë është diskutuar në Berlin, pasi Moska nuk ka qenë e përfshirë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Në LinkedIn Vladimir Kara-Murza lajmëron intervistën e tij tek FRANCE 24 dhe shkruan :“Putini nuk është vetëm një diktator dhe një uzurpator i paligjshëm – ai është gjithashtu një vrasës, në një kuptim shumë të drejtpërdrejtë dhe të mirëfilltë të këtij termi”.
Në FRANCE 24 për të diskutuar luftën në Ukrainë, represionin në Rusi dhe përgjigjen e Perëndimit.”
Vladimir Vladimirovich Kara-Murza është një gazetar, politikan, aktivist dhe regjisor rus me shtetësi britanike, një figurë e shquar e opozitës politike ndaj Vladimir Putinit dhe një ish-i burgosur politik. Në vitet 2015 dhe 2017, ai ishte viktimë e dy atentateve me helmim me kimikate të paidentifikuara, për të cilat ai fajësoi Putinin.Në prill 2023, ai u dënua me 25 vjet burg (dënimi më i lartë politik për një krim jo të dhunshëm që nga BRSS) me akuza për tradhti, pjesëmarrje në një “organizatë të padëshirueshme” dhe “lajme të rreme ushtarake” sipas ligjit të censurës për kritikat e tij ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe u deportua në një burg të sigurisë maksimale në Siberi.Procedurat penale kundër Kara-Murzës konsiderohen nga kundërshtarët e regjimit, vëzhguesit ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës si një gjyq shfaqjeje, dhe ai i ka krahasuar ato me ato të epokës staliniste.Amnesty International e ka shpallur atë të burgosur të ndërgjegjes. Në vitin 2024, ai u vlerësua me Çmimin Pulitzer për komentim për artikujt që vazhdoi të shkruante nga qelia e tij e burgut.Kara-Murza u lirua më 1 gusht 2024, si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe vendet perëndimore.Ai vazhdoi aktivitetin e tij politik në mërgim, duke u vendosur në një listë të kërkuar nga Rusia.Ai ishte nënkryetar i Open Russia dhe aktualisht është nënkryetar i Free Russia Foundation, dy organizata të themeluara nga Mikhail Khodorkovsky.Ai është gjithashtu konsulent i Human Rights First dhe studiues në Qendrën Raoul Wallenberg për të Drejtat e Njeriut. Ai ishte gjithashtu një president themelues i Fondacionit Boris Nemtsov për Liri, dhe është ndër themeluesit e Komitetit Rus Kundër Luftës dhe një nga iniciatorët e Platformës së Forcave Demokratike Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.Lideri kryesor i opozitës ruse së bashku me Yulia Navalnaya, në vitin 2025 roli i tij si një president i mundshëm i qeverisë në mërgim u deklarua nga forcat e opozitës.[
Negociatat mbi garancitë e sigurisë që Ukraina kërkon të marrë nga SHBA dhe Evropa kanë bërë përparim të konsiderueshëm, raporton media amerikane Axios.
Një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se administrata e Donald Trump është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës një garanci bazuar në nenin 5 të NATO-s, i cili do të miratohet nga Kongresi dhe do të jetë ligjërisht i detyrueshëm.
“Ne duam t’u japim ukrainasve një garanci sigurie që nuk është një çek i bardhë nga njëra anë, por që është mjaftueshëm e fortë nga ana tjetër. Ne jemi të gatshëm ta hedhim në votim në Kongres”, tha zyrtari amerikan për Axios.
Më herët, presidenti i SHBA theksoi se është bërë shumë përparim drejt zgjidhjes së konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në frontin diplomatik, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të takohet me udhëheqësit evropianë dhe Volodymyr Zelensky në Berlin këtë fundjavë. Ky vendim për të dërguar Witkoff nënvizon përshpejtimin e përpjekjeve të SHBA-së për të arritur një marrëveshje paqeje para fundit të vitit.
Çfarë parashikon neni 5 i NATO-s?
Neni 5 i NATO-s parashikon që nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar. Panorama
Sot shënohet 76-vjetori i Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës. Për dekada të tëra, përmes errësirës së pushtimit sovjetik dhe sundimit komunist, rilindjes së Ukrainës si një komb i pavarur dhe luftës së saj të vazhdueshme për të ndërtuar një të ardhme demokratike, Zëri i Amerikës ishte një zë i besueshëm për popullin ukrainas – duke ofruar lajme dhe informacione të pacensuruara dhe duke ofruar një dritare mbi Amerikën. Ai projektoi vlerat e Amerikës, përparoi interesat strategjike të SHBA-së dhe kundërshtoi propagandën dhe dezinformimin antiamerikan.
Tani, ndërsa Rusia përdor fuqinë e saj për të shtypur një komb që përpiqet të jetojë në paqe, liri dhe dinjitet, zëri i Amerikës është heshtur. Çmontimi i Zërit të Amerikës ka krijuar një boshllëk pikërisht në momentin kur Amerika duhet të dëgjohet dhe kur ukrainasit – dhe kombet e tjera që kërkojnë liri në të gjithë botën – kanë nevojë për raportim të vërtetë nga Shtetet e Bashkuara. Kjo heshtje ka minuar interesat kombëtare të SHBA-së, ka zvogëluar fuqinë e butë të Amerikës dhe ka dobësuar aftësinë për të komunikuar dhe mbrojtur objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së në një rajon ku lufta e informacionit është qendrore për konfliktin. Ukrainasit kanë nevojë për llojin e përmbajtjes që ofron VOA: raportim i bazuar në fakte, qasje e drejtpërdrejtë në zërin dhe debatet e Uashingtonit dhe një burim i besueshëm qartësie mes dezinformimit.
Është e domosdoshme që Administrata të anulojë çmontimin e VOA-s dhe të rivendosë programacionin e saj jetësor. Dhe Kongresi duhet të miratojë fondet e nevojshme për ta mbajtur VOA-n në transmetim – plotësisht, fuqishëm dhe pa vonesë.
Rivendosja e VOA-s është thelbësore për besueshmërinë dhe interesat kombëtare të Amerikës. Është gjithashtu një litar shpëtimi për të gjithë ata që besojnë në atë që përfaqëson Amerika dhe për miliona njerëz që ende mbështeten në raportimin e vërtetë.
Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten se forcat e armatosura të vendit së shpejti do të fillojnë të nisin sulme në tokën venezueliane për të parandaluar dërgesat e drogës të arrijnë në Shtetet e Bashkuara, mes krizës së vazhdueshme midis dy vendeve.
Presidenti republikan e ka bërë vazhdimisht paralajmërimin në javët e fundit.
Qeveria amerikane njoftoi të enjten sanksione të reja kundër Venezuelës, duke vendosur kufizime për tre nipërit e Presidentit Nicolas Maduro dhe gjashtë cisterna nafte dhe kompanitë e transportit detar që i operojnë ato.
Vendimi erdhi ndërsa SHBA-të kanë vendosur forca ushtarake në Karaibe, me Presidentin Donald Trump që përsëriti në një intervistë të kohëve të fundit me Politico se ai beson se ditët e Maduros në pushtet janë “të numëruara”.
Të mërkurën, Trump njoftoi se forcat amerikane kishin sekuestruar një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi sanksione ndaj gjashtë cisternave naftëmbajtëse që transportonin naftë nga Venezuela dhe një numri të barabartë kompanish transporti detar të lidhura me to. Katër nga cisternat – përfshirë H. Constance dhe Lattafa – janë me flamur panamez. Të tjerët janë me flamur të Ishujve Kuk dhe me flamur të Hong Kongut.
Të gjithë janë supercisterna që kishin ngarkuar së fundmi naftë bruto nga Venezuela, sipas dokumenteve të brendshme nga kompania shtetërore e naftës PDVSA.
Lista e sanksioneve të SHBA-së përfshin gjithashtu Franky Francisco Flores de Freitas, Efren Antonio Campo Flores dhe Carlos Eric Malpica Flores, nipër të gruas së Presidentit Venezuelian Maduro.
Dy të parët u arrestuan në vitin 2015 në një operacion të Administratës Amerikane për Zbatimin e Ligjit kundër Drogës në Haiti. Ata u dënuan me 18 vjet burg për trafik droge, por u liruan në vitin 2022 si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi të të burgosurve me Venezuelën.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka publikuar një listë me emrat e kriminelëve të huaj më të rrezikshëm, të arrestuar nga Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).
“Nën drejtimin e nënsekretares Noem, burrat dhe gratë punëtore të DHS dhe ICE po përmbushin premtimin e Presidentit Trump dhe po zbatojnë deportime masive – duke filluar me më të këqijtë e më të këqijve – përfshirë emigrantët e paligjshëm që shihni këtu”, thuhet në njoftim.
Në listë rezultojnë edhe katër shqiptarë.
Ata janë:
Vasil Vukaj, i dënuar për vrasje, i arrestuar në Kaliforni.
Florjan Delija, i dënuar për sulm, i arrestuar në Nju Jork.
Adush Muçaj, i dënuar për sulm, i arrestuar në Jutah.
Marian Makai, i dënuar për vjedhje, sjellje të parregullt, kërcënime terroriste, i arrestuar në Kaliforni.
Qëndrimet e Amerikës me interes për Kosovë të Kodifikuara me Ligjin NDAA 2026!
Një ndër ligjet më të rëndësishme në SHBA është NDAA – National Defense Authorization Act (Ligji mbi Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare) që është në fazën finale të aprovimit nga Kongresi i SHBA, pasi që ka marrë dritën jeshile të Senatit, dhe pas aprovimit edhe nga Dhoma e Përfaqësuesëve, NDAA për vitin fiskal 2026 do jetë në tavolinën e Zyrës Ovale për dekretim nga Presidneti Trump.
Në tekstin e draft ligjit NDAA të publikuar para pak orëve (mbi 3000 faqe), që përcaktojnë thuajse gjithëçka që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të SHBA-ve — që nga pajisjet ushtarake e prokurimi i tyre, pagat e ushtarëve, e deri tek strategjitë mbrojtëse e buxheti i mbrojtjes — është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.
Jam i lumtur të ndaj me ju vetëm një pjesë të vogël, por vlerëmadhe të Ligjit në fjalë — sipas NDAA 2026:
— SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE;
— SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke;
— SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje, apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve në Ballkan!
Ky është një lajm fantastik!
Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të parreshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate çdo ditë e më shumë.
Kosova asnjë s’ka humbë krah Amerikës.
Sot më shumë se kurrë, angazhimi im vazhdon edhe më fuqishëm, bashkë me miq e dashamirë në DC e kudo në Amerikë për ta bërë Kosovën ashtu siç kanë ëndërruar shumë gjenerata para nesh — të fuqishme, demokratike, të zhvilluar, e në miqësi permanente me SHBA-të. Kosova mbi të gjitha — Kosova e Para!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është “disi i zhgënjyer” nga homologu ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit nuk ka lexuar ende propozimin për planin e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Komentet Trump i bëri në tapetin e kuq të Kennedy Center Honors, ku gazetarët e pyetën për zhvillimet më të fundit të negociatave.
“Po flasim me Putinin dhe me udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelensky-n. Duhet të them se jam pak i zhgënjyer që ai nuk e ka lexuar ende propozimin,” u shpreh Trump. “Besoj se Rusia është dakord. Nuk jam i sigurt për Zelensky-n, megjithëse njerëzve të tij u pëlqen,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, Zelensky bëri të ditur në një postim se kishte folur me Stephen Witkoff dhe Jared Kushner për ecurinë e bisedimeve.
“Përfaqësuesit amerikanë e njohin mirë pozicionin bazë të Ukrainës. Ishte një bisedë konstruktive, edhe pse jo e lehtë. Ne po vazhdojmë punën,” tha presidenti ukrainas. Panorama
Bombardimi i Pearl Harbor ishte një sulm i befasishëm ndaj një baze detare amerikane nga Perandoria e Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sulmi ndodhi të dielën e 7 dhjetorit 1941. Avionët e Marinës Perandorake Japoneze goditën anijet dhe instalimet e Flotës amerikane të Paqësorit në Pearl Harbor, në ishujt Hauai.Sulmi i papritur ajror e shkatërroi fuqinë detare amerikane në Paqësor, dhe nxiti hyrjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Të nesërmen, gjatë një fjalimi në Kongres presidenti Frenklin Ruzvelt e quajti 7 dhjetorin “një datë turpi”. Përfshirja e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore shihet si një pikë kthese e madhe në konfliktin kundër fuqive të Boshtit të Gjermanisë naziste, Italisë dhe Japonisë Perandorake.Sulmi mbi Pearl Harbor pasoi disa muaj negociatash midis qeverive japoneze dhe amerikane, të cilat dështuan. Gjatë dekadës së mëparshme, Japonia kishte synuar të zgjeronte territorin e saj në Paqësor dhe në kontinentin aziatik për të siguruar tokë dhe burime natyrore.Japonia kishte qenë në luftë me Kinën që nga viti 1937, gjë që ndikoi në marrëdhëniet e SHBA-së me të dyja vendet. Në vitin 1940, forcat japoneze pushtuan Indokinën franceze (Vietnamin e sotëm), ndërsa SHBA-ja, Britania dhe aleatët e saj u përgjigjën duke vendosur një embargo tregtare ndaj Japonisë. Kjo i shkaktoi dëme të mëdha ekonomisë japoneze.
Rezervat e pakta të naftës, nënkuptonin se Japonia duhej të vepronte përpara se Marina Perandorake të gjymtohej nga mungesa e karburantit. Në këto kushte japonezët zgjodhën të dyfishonin agresionin.
Në verën e vitit 1941, SHBA vendosi një sërë sanksionesh të mëtejshme ekonomike, dhe i vendosi Japonisë një ultimatum për të tërhequr trupat e saj nga Indokina franceze. Ky akt bëri që qeveria japoneze të arrinte në përfundimin se lufta me SHBA-në ishte e vetmja mundësi që kishte në dispozicion.
Sulmi mbi Pearl Harbor ishte planifikuar nga admirali Isoroku Jamamoto, komandanti i përgjithshëm i flotës japoneze. Jamamoto kishte qenë një aviator i marinës dhe kishte studiuar në Universitetin e Harvardit.Po ashtu gjatë viteve 1920, ai kishte shërbyer si atashe ushtarak në ambasadën japoneze në Uashington.
Më 26 nëntor 1941, duke shmangur komunikimet në radio, 6 aeroplanmbajtëset e Flotës së Parë Ajrore Japoneze – Akagi, Kaga, Soryu, Hiryu, Shokaku dhe Zuikaku – u nisën nga ujërat e tyre. Ata u shoqëruan nga 31 luftanije të tjera dhe mjete mbështetëse.
Sulmi ishte planifikuar në 2 valë, me 353 avionë luftarakë në total. Ata do të synonin të shkatërronin 6 luftanije të mëdha marinës amerikane të ankoruara në skajin lindor të ishullit Ford. Ato ishin “USS Oklahoma”, “Maryland”, “West Virginia”, “Tennessee”, “Arizona &Nevada” dhe“USS California”.
Niveli i gatishmërisë së SHBA-së ishte i pamjaftueshëm. Arsyet ishin të shumta, por kryesorja ishte mungesa e të kuptuarit mbi atë që ishte e aftë të bënte Marina Perandorake Japoneze. Sulmi mbi Pearl Harbor filloi rreth orës 7:55 të mëngjesit me kohën lokale, kur grupi i parë i avionëve japonezë arriti mbi objektivat e tyre.
Pesë nga anijet e mëdha u dëmtuan rëndë gjatë valës së parë të sulmit, përfshirë “USS Arizona”që u mbyt brenda pak minutash, duke i marrë jetën mbi 1.100 anëtarëve të ekuipazhit. Pavarësisht disa paralajmërimeve, forcat amerikane në Hauai, të drejtuara nga admirali Hazbënd Kimel dhe gjeneralit Uollter Short, ishin të papërgatitura për sulmin.
Ata kishin injoruar pamjet e hershme të nëndetëseve në zonën përreth Pearl Harbor, por edhe zbulimin me radar të valës së parë të avionëve japoneze. Një paralajmërim me shkrim nga Uashingtoni u mor shumë vonë. Grupi i dytë prej 167 avionësh u nis nga aeroplanmbajtëset në orën 7:25 të mëngjesit me orën lokale.
Të gjitha luftanijet në port, si dhe disa kryqëzorë dhe destrojerë amerikanë u dëmtuan rëndë. Në atë sulm gjetën vdekjen 2.403 amerikanë, ndërsa japonezët humbën 29 avionë dhe pesë nëndetëse. Përveç sulmit mbi Pearl Harbor, japonezët i shkaktuan dëme të rënda bazave të tjera detare amerikane në rajon.
Në përgjithësi, sulmi japonez ishte shumë i suksesshëm, por ekspertët gjykojnë se ai dështoi të dëmtojë objektiva të rëndësishme infrastrukturore,si për shembull rezervat e naftës dhe objektiva të tjerë të ngjashme.
Ndërkohë aeroplanmbajtëset “USS Lexington”, “Enterprise” dhe “Saratoga”, ishin në det të hapur në momentin e sulmit, ndaj mbetën të padëmtuara. Ato u bënë guri i themelit i rimëkëmbjes dhe i hakmarrjes së Marinës së SHBA-së ndaj Japonisë.
Ndërkohë, sulmi mbi Pearl Harbor e tronditi publikun amerikan dhe shkaktoi një rritje të mbështetjes për luftën. Vetëm gjashtë muaj pas sulmit, marina amerikane i shkaktoi një disfatë të tmerrshme Jamamotos dhe flotës japoneze në Betejën e Miduejit, që ishte një pikë kthese gjatë Luftës së Dytë Botërore në zonën e Paqësorit.
Sulmi japonez ndaj Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941, të cilin Presidenti i SHBA-së Franklin Delano Roosevelt e quajti “një datë që do të jetojë në turp”, çoi në hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore dhe shkaktoi frikë dhe mosbesim, duke kulmuar me Urdhrin Ekzekutiv 9066, të lëshuar më vonë nga Roosevelt.
Sulmi shkatërroi Flotën Amerikane të Paqësorit dhe alarmoi kombin, i cili më parë kishte ndjekur një kurs kryesisht neutral.
Më 8 dhjetor 1941, Roosevelt i kërkoi Kongresit të shpallte luftë ndaj Japonisë, e cila u miratua me shumicë dërrmuese.
“Dita e Turpit”: Në fjalimin e tij të famshëm drejtuar Kongresit, Roosevelt shpiku këtë frazë për të dënuar brutalitetin e sulmit dhe për të bashkuar kombin.
Vendimi për luftë: Sulmi i dha fund neutralitetit amerikan dhe e tërhoqi vendin plotësisht në luftë në Evropë dhe Paqësor.
Burgosja e amerikanëve japonezë: Në përgjigje të frikës për sigurinë kombëtare, Roosevelt lëshoi Urdhrin Ekzekutiv 9066 në shkurt të vitit 1942, i cili çoi në rekrutimin dhe burgosjen me forcë të amerikanëve japonezë në “kampe zhvendosjeje”.
Viktimat e sulmit në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941 ishin kryesisht personel ushtarak amerikan, me një total prej gati 2,400 amerikanësh të vrarë, përfshirë rreth 2,341 anëtarë të shërbimit dhe 68 civilë, me gati gjysmën që vdiqën në USS Arizona;viktimat japoneze ishin shumë më të ulëta, me rreth 64 të vrarë.Shumë familje pësuan humbje të mëdha, me shumë vëllezër që shërbenin së bashku në anije si Arizona dhe Oklahoma, dhe civilë, përfshirë fëmijë, gjithashtu humbën jetën për shkak të sulmit dhe zjarrit miqësor.
Komiteti për Evropën i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA mbajti të martën një seancë dëgjimore me temën ‘Pika e nxehtë: rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor’.
Në një analizë të publikuar në Peacefare.net, profesori amerikan Daniel Serwer vlerësoi se, ndonëse rajoni ende nuk është ‘pikë e nxehtë’, ai shumë lehtë mund të kthehet në të tillë.
Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e stabilitetit, por mungesa e ndryshimit politik demokratik, pasi ‘stabiliteti aktual mbahet përmes korrupsionit, tensioneve etnike dhe autokracisë’.
Gjatë seancës, dëshmitarët dhe anëtarët e Kongresit amerikan u pajtuan se Serbia mbetet një prej faktorëve më të mëdhenj destabilizues në Ballkan, për shkak të korrupsionit të përhapur, qeverisjes gjithnjë e më autokratike, lidhjeve të ngushta ushtarake e tregtare me Kinën si dhe marrëdhënieve të forta politike e ekonomike me Rusinë.
Serwer shtoi se përpjekjet e viteve të fundit për ta orientuar Serbinë drejt Perëndimit kanë dështuar.
Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë interes të frenojë korrupsionin, të distancohet nga Moska dhe Pekini, apo të garantojë më shumë liri mediatike dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë.
Duke folur për situatën në Kosovë, Serwer theksoi se vendi ka nevojë për më shumë sovranitet, jo më pak.
Ai paralajmëroi se statusi i paqartë i Kosovës krijon hapësirë për ndikim rus dhe kinez.
‘Mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën duhet të jetë prioritet, sidomos përballë presionit serb’, deklaron ai.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, beson se konflikti ukrainas do të zgjidhet përfundimisht dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë “shumë fort për këtë”.
“Po bëjmë paqe në të gjithë botën”, tha Trump para ceremonisë së ndezjes së dritave të Pemës Kombëtare të Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC.
“Po i zgjidhim luftërat në nivele që askush nuk i ka parë më parë. Tetë të tilla. Po kërkojmë edhe një. Kjo është Rusi-Ukrainë, nëse kjo është e mundur dhe mendoj se do ta arrijmë përfundimisht. Duhet ta ndalojmë këtë, po punojmë shumë për këtë”, shtoi ai.
Uashingtoni kishte propozuar më parë një plan prej 28 pikash për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Dokumenti shkaktoi pakënaqësi midis Kievit dhe partnerëve të tij evropianë, të cilët u përpoqën ta rishikonin atë në mënyrë të konsiderueshme. Më 23 nëntor, SHBA-të dhe Ukraina zhvilluan konsultime në Gjenevë.
Më vonë, Presidenti i SHBA-së Trump tha se plani fillestar për një zgjidhje paqësore ishte rishikuar për të marrë në konsideratë qëndrimet e Moskës dhe Kievit, duke lënë vetëm disa çështje të diskutueshme. Ai gjithashtu vuri në dukje se numri i pikave ishte reduktuar në 22.
Më 30 nëntor, përfaqësuesit e SHBA-së dhe Ukrainës u takuan në Florida për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit, zgjidhjet afatgjata për çështjet ekonomike dhe të sigurisë, perspektivat për zgjedhjet në Ukrainë dhe çështjen territoriale.
Më 2 dhjetor, Presidenti rus Vladimir Putin u takua në Kremlin me të dërguarin special presidencial të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, biznesmenin Jared Kushner. Tema kryesore ishte zgjidhja e çështjes në Ukrainë. Biseda zgjati rreth pesë orë. Sipas ndihmësit të Kremlinit, Yury Ushakov, palët diskutuan thelbin e propozimeve nga katër dokumentet mbi planin e paqes të SHBA-së. bw
Komentet