Thashë se ishim në kushte të vështira atmosferike, më pas më takoi ministri Kadri Hazbiu, më kërcënoi me pranga
“Goool i Panos, një tjetër mrekulli e tij…..”; “Gooool, gooool,….ka shënuar Josa, Minga..Shqipëri-Belgjikë 2-0, entuziazëm i madh i pa përshkruar këtu në ‘Qemal Stafa’ të nderuar dëgjues të Radio Tiranës…”. Ky ka qenë zëri i Ismet Bellovës, zëri kryesor i radio-kronikës sportive, që për më shumë se një gjysëm shekulli i ka mbajtur “peng” shqiptarët brenda e jashtë kufijve të qëndrojnë pranë radios, ta ëndërrojnë takimin, të krijojnë imazhin dhe figurën, e të marrin informacionin e shumëpritur. Por, cili ishte ky djalë i ri, energjik të cilit Mazreku i besoi mikrofonin me premtimin se se “ky vend është i yti”? Nga minutat e para tek kronika e fundit, nga “Rubrika Sportive” tek “Nga njëra ndeshje tek tjetra”, nga transmetimet e paharruara, te golat e Panos, ato ndaj Belgjikës, kërcënimet, angazhimet, familja, një histori e papërsëritshme e legjendës së mikrofonit shqiptar, në një rrëfim unikal të “Profesorit” që dje u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare.
Fillimet, as letërsi, muzike e teatër, por…!
Lindur më 1934, djalë i një familje pa traditë për të qenë radio-kronist, por me dëshirën për artin, letërsinë muzikën apo teatrin, si preference të adoleshencës, jeta, karriera brilante e Ismet Bellovës, pionierit që luante tek “Ura e Brarit”, te “Vija e ujit e Galipit”, apo te e Llagamëve pranë Spitalit ku kishte shtëpinë, do të ndryshonte, kur aktivitetet tek “Shallvarja”, pastaj Lojërat Ballkanike në Futboll, do të zbulonin pasonin e fshehur të tij për sportin, kryesisht futbollin. Aq më shumë për mikrofonin, aftësinë e zërin që kishte, të cilat do të shpërthejnë pak vite më vonë kur, nxënës në Shkollën e Fizkulturës, gjen mësues të futbollit e të gjeografisë, Anton Mazrekun, madje dikush i thotë atij se Bellova ka dëshirë dhe i pëlqen të transmetojë.
“Më thirri e fillova të shkoj rregullisht çdo të dielë në ‘Qemal Stafa’”- kujtonte Bellova. Dhe nga ato çaste përkrah Anton Mazrekut, në stol, apo kabinë do të shfaqej një i ri i pasionuar, që nuk është më shumë se 16-vjeç. Dhe ashtu siç i pati thënë Mazreku, se; “ky vend është i yti”, mikrofoni sportiv shqiptar në dekadat që do të vijojnë, do të ketë Ismet Bellovën zërin kryesor. “Me Mazrekun ka qenë një rrugëtim i gjatë sa profesional aq edhe jetësor, deri kur padrejtësisht në vitin 1966, në moshën 58-vjeçare e nxorën në pension dhe kur më 3 gusht të 1969, papritur u nda nga jeta” – kujtonte Bellova.
Për të gjithë ai është pasuesi i Mazrekut
Ndonëse nga Mazreku trashëgoi gjithçka ka mundur; edukatën, kulturën, sjelljen, marrëdhëniet, komunikimin, pasionin, anën profesionale, madje edhe atë publicistike, e drejtuese siç ishte ai një ideues dhe organizator i shkëlqyer, në mikrofon Bellova krijoi stilin dhe profilin e tij. “Ishte një ‘zanat’ që kërkonte kujdes, të zotëroje një fjalor të pasur e improvizues, duke i dhënë jetë çdo aksioni edhe atij më ‘banal’ të lojës” – thoshte Bellova. Korrekt, serioz para mikrofonit me radio-kronika direkte, ka mbajtur “peng” mijëra dashamirës, duke bërë që familjet sportistët, gazetarët, të qëndrojnë të grumbulluar para radiove në pritje të komentit të tij.
“Vështirësi në njohjen e futbollistëve kishim kur luanin skuadra të huaja. Shpesh me Mazrekun një ditë para takimit, shkonim në hotelin ku ishin grumbulluar skuadrat takonim lojtarët, për t’i njohur nga afër”- tregonte Bellova. Nga Mazreku ruan përgatitjen, kur dita fillonte me leximin e shtypit, bllokun me shënime, kujdesi për anën estetikën, një kravatë, një kafe pastaj me biçikletë për në stadium, te drejtori Osman Palushi, për të marrë çelësin e kabinës. Mazreku, zakonisht shkonte gjysëm ore para lojës, e në kabinë e gjatë transmetimit mbante edhe Adelinën, vajzën e tij.
“Pak ujë, ndonjë karamele në pushim, dhe pas saj shijonte një cigare, një kafe tek “Kafe-Reka”, pa harruar të merrte një akullore te ish-pastiçeria në Rrugën “Konferenca Peza” (Sot “Rruga Kavajës”), përballë Kishës Katolike. “Nuk më bënte asnjëherë vërejtje, kjo nga fisnikëria që kishte. Ndaheshim gjithmonë tek shtëpia e tij” –përfundonte Bellova, teksa na tregonte për Mazrekun. Dhe në fund, ruante një makinë shkrimi, atë tradicionalen. Nuk përdorte kompjuter, por vazhdonte të shkruaj mbi tastierën e “Olivettit”. “Kam shumë kujtime, një jetë me të e kam lidhur, nuk jemi ndarë dhe nuk do të ndahemi. Më ka shërbyer si asgjë tjetër. E kam një mik të mirë- më thoshte për të edhe Mazreku”- rrëfente Bellova.
Nga e para tek e fundit, falë edhe kordave vokale
Më 29 nëntor 1950, është finalja e Kupës së Republikës, “Partizani”-“Dinamo” 0-1, që regjistron vetëm 9 minutat e para në mikrofon për të riun Bellova. Nuk e njihte askush, por Mazrekut nuk i ndërhynte njeri në vendimet apo përzgjedhjet që bënte. Në vitin 1952, në “Qemal Stafa” luajnë përfaqësuesja e Tiranës dhe një skuadër çeke nga Praga, ku sërish disa minuta për Bellovën, për të ardhur te “Partizani”-“Vllaznia” 4-1, pas të cilës shumë shpejt ai do të jetë “ortak” me Mazrekun, gjysëm loje ai, tjetrën Bellova, shoqëruar me një shpërblim i vogël, 150 lekë, që i merrte te Posta në “Rrugën e Elbasanit”.
“Goool, goool, ka shënuar…”, – ishte shprehja, fraza mitike kur ai shpërthente e komentonte njëherazi golin e realizuar, emocione që do t’i përcillte me entuziazëm përgjatë karrierës radiofonike, duke mos iu ndarë mikrofonit deri te e fundit, ajo e 23 gushtit 2013, “FC Kukësi” – “Trabzanspor”. Një periudhë kohe rekord, për më shumë se një gjysëm shekulli, me mbi mbi 5000 ndeshje, një rast i papërsëritshëm nga askush tjetër, jo vetëm në Shqipërinë radiofonike sportive. “Ato që nuk më tradhtuan asnjëherë, kanë qenë kordat vokale”- na thoshte Bellova. Falë tyre asnjë ndeshje e munguar dhe asnjë moment shëndetësor shqetësues, pasi e ka karakterizuar një jetë korrekte, asnjëherë duhan dhe alkool. I ka qëlluar të transmetojë të shtunën, të dielë, të mërkurë edhe të enjte, deri katër herë në javë, gjithmonë ndeshjen më të rëndësishme.
Nga “Rubrika Sportive”, te “Nga njëra ndeshje tek tjetra”!
E tillë ka qenë e do të mbetet. Në Shqipërinë e viteve ‘60-të, “Rubrika Sportive”, ajo e të dielës në 21.00 të mbrëmjes, e ideuar e praktikuar fillimisht nga Anton Mazreku, kishte interesim të jashtëzakonshëm, madje në orën e këtij emisioni, shoferët ndalonin udhëtimet, ndërpritej puna, deri edhe dasmat, në veçanti momenti kur pas një sigle të shkurtër muzikore, vinte zëri i folëses: “Rreth ndeshjeve të javës së Kampionatit Kombëtar të Futbollit”, apo “Rreth aktivitetit futbollistik të javës”, – duke e shoqëruar me: “Në mikrofon komentatori ynë Ismet Bellova”. Në atë çast e gjithë Shqipëria ndalonte frymëmarrjen, heshtje totale për të dëgjuar atë koment sa sportiv e informues ku përshkruheshin ndeshjet njëra pas tjetrës.
“Ishte një punë intensive, gjithçka në pak kohë, pasi mungonte informacioni i shpejtë, madje shpesh vinte jo i plotë. Në Radio shkoja menjëherë pas ndeshjes dhe deri pak minuta para fillimit të emisionit, komunikoja në linjë telefonike ndërmjet Postës Qendrore, e cila ishte me prenotim si dhe Centralit Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, në pritje të më lidhnin me korrespondentët e qyteteve ku ishin zhvilluar takimet, të merrja madje edhe rezultatet e Kategorisë së Dytë, e të rinjve” – rrëfente Bellova. Në vitet kur televizioni shqiptar ishte ende eksperimental e kishte mungesë telekronistësh, Mazreku e Bellova alternoheshin një pjesë loje në radio, tjetrën në ekran.
“Ndërronim portat, si në ndeshje” – tregon mjeshtri mikrofonit sportiv. Deri kur me to u bashkua Skifter Këlliçi e më pas Ahmet Shqarri e Vladimir Grillo. Pastaj ndalet te; “Nga njëra ndeshje tek tjetra”, kur pas siglës hapëse për herë të parë shqiptarët dëgjuan: “Linja në ‘Qemal Stafa’, në mikrofon Ismet Bellova…! “Linja në ‘Vojo Kushi’ për Ymer Stërniqin…”! “Linja në Gjirokastër për Ficon….”! “Ishte një kryevepër e Ahmet Shqarrit, njeriut që e projektoi dhe e realizoi” – kujtonte Bellova. Ka qenë tetori i vitit 1983, kur mori udhë ky emision, që në pak kohë do të jetë më i ndjekuri me një rekord dëgjuesish, protagonist, madje në “vijën e parë” do të jetë Ismet Bellova. E bashkë me të edhe; Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Stërniqi, Fatmir Mneri, Fico, Qiqi, Ymer Kurti, Rrok Preçi, Fatmir Efica, Sefedin Allkja, Arbër Emiri, Mikel Mbriçaj, Bujar Qesja, Ngjela, Moisi Dalipi, Fype, Agron Kaja, Q. Kurti, Xinxifi, Piro Ruvinën, etj, etj.
Komentet që shqetësuan Enver Hoxhën…!
Viti 1961, në Tiranë luajnë “17 Nëntori” – “Traktori”, koha e keqe me rrebesh, stuhi, së bashku me Mazrekun ndodhen në një kabinë dërrase. “Ishte një moment kur unë thashë se bën ftohtë, fryn erë, shi, duket sikur po bien kërcunj nga qielli, ne po transmetojmë nga një kabinë primitive, dhe po mprehim gozhdë. Fusha është bërë si një kënetë dhe po ngatërrohet futbolli me vatër-polin! Ndërsa ajo po luhej, në të njëjtën kohë po zhvillohej edhe mbledhja e Byrosë Politike e, duke qenë se mjaft anëtarë të saj ishin tifozë, pasi kanë ndjekur takimin në radio, vjen e më takon në sheshin përpara stadiumit, ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Me një ton të ashpër më thotë se kjo që kisha bërë, ishte e rëndë dhe fjalët e thëna kishin mërzitur shokun Enver. Më kërcënoi duke më treguar prangat, e më tha se meritoja të shkoja në burgun e Spaçit”, kujtonte Bellova një nga momentet më të vështira të karrierës së tij si radio-kronist.
Ajo frazë thënë i kushtoi disa muaj larg mikrofonit. “Në një Kongres Rinie, në pushim, kam takuar Enver Hoxhën, i cili pasi më vlerësoi për talentin që kisha, më tha të tregohesha më i kujdesshëm me emocionet gjatë transmetimit në radio” – kujtonte Bellova takimin me udhëheqësin kryesor të Shqipërisë komuniste. Po kështu ai kujtonte edhe një rast tjetër kur Mazreku në koment e sipër, thotë se: “djaloshi Ramazan Rragami, la dasmën e shokët dhe shkoi në ndeshje”, dhe të nesërmen Thanas Nano, drejtor i RTSH-së i tërhoqi vëmendjen, duke i thënë se; “Rragami nuk është anëtar Byroje”.
Për një rast të tillë analog, edhe Bellovën e kanë pezulluar gjashtë muaj në vitin 1974, kur në ndeshjen e Shpresave, Shqipëri – Republika Federale Gjermane, u ka kujtuar dëgjuesve se atë ditë, mbrojtësi kavajas Naim Allaj, kishte 20 vjetorin e datëlindjes. “I treti, sërish 6 muaj pezullim, vjen në vitin 1990, kur djali im hyri në ambasadën gjermane”- tregonte Bellova. Ndonëse e kanë akuzuar si tifoz të “Partizanit”, por profesioni nuk ja ka lejuar të demonstronte publikisht se cilën skuadër simpatizonte. “Për mua të gjitha skuadrat ishin njëlloj, ndërsa ajo që më lidh me atë klub, është se kam qenë drejtues atletike dhe për shumë vite pedagog në Shkollën e Bashkuar”, -sqaronte ai.
Në Kavajë, në terren të hapur!
Në Kavajë në prillin e largët të vitit 1963, zhvillohet takimi i dytë final i Kupës së Republikës, midis “Besës” e “17 – Nëntorit”. “Transmetimin e kemi bërë jashtë, në mjedis të hapur. Terreni ishte i rënduar nga shiu, dhe luhej te fusha e vjetër. Interesim i madh jo vetëm nga kavajasit, por kishte edhe tifozë të Tiranës që kishin ardhur. Gjuajtjet e penalltive dhe pritjet e Ali Memës kanë qenë tejet dramatike, dhe në mikrofon kujtoj se ishte Mazreku, që vetëm stili tij mund t’i përcillte me aq emocion ato çaste”- tregonte Bellova. Pastaj i rikthehet një ndër ndeshjeve të paharruara, në veçanti për radio-kronistët kur në “Qemal Stafa” me 31 tetor të vitit 1965, luhet derbi “Partizani” – “17 Nëntori”, stadiumi i tejmbushur dhe “Partizani” pas pjesës së parë kryeson 1-0 me golin mitik të Qoljes.
“Ishte një moment kur papritur në pjesën e dytë dëgjohet një zhurmë rrëqethëse, shpërthejnë britma, dhe në pak sekonda ndeshja u ndërpre e njerëz që vërshuan në fushë. Çaste pasigurie, tronditje e madhe, situatë kaotike e pashpjegueshme, aq më shumë për ne që nga kabina që nuk kuptonim asgjë. Kujtuam fillimisht për një tërmet por Mazrekut, pa e dramatizuar situatën, qetë, sqaroi se nuk kishte ndodhur asgjë e rëndë, nuk ka njerëz të dëmtuar, por janë disa rreshta me shkallë dërrase të portatives përballë tribunës që janë shembur”, – kujtonte Bellova një koment tejet delikat dhe i pazakontë, me të cilat ai përshkoi ato 20 minuta të gjata ankthi, deri kur loja rifilloi.
Transmetimet e rralla, i pari jashtë vendit
Të parën radikoronikë jashtë vendit, e ka pak ndryshe: Ndonëse i njoftuar se do shkojë në Këln me “Partizanin”, por i zëvendësuar në minutat e fundit, Bellova do të priste 25 marsin e vitit 1987, për të regjistruar të parën radiokronikë jashtë vendit, me ekipet kombëtare, në Bukuresht, ku do të luhet Rumani-Shqipëri. “Një borë e madhe gjatë gjithë ditës e bënte të pamundur zhvillimin e saj” – kujtonte ai. “Por vendasit mundën ta pastronin fushën dhe në darkë ajo u zhvillua normalisht. Përfundoi 5-1 dhe golin për ne e realizoi Muça” – kujtonte Bellova. Pastaj në Spanjë, në nëntor, në harkun e pak ditëve dy takime: Në Sevilja, Spanjë-Shqipëri 18 nëntor dhe në “Camp Noë”, një vit pas Ahmet Shqarrit, ka transmetuar “Barcelona” – “Flamurtari”, 4-1.
Por, në karrierën e tij ka disa transmetime që nuk i harron. Ndodhej në Berlin si trajner i ekipit shqiptar të krosit e maratonës për amatorë, së bashku me tre atletët, Sokol Morina, M. Arapi dhe P. Keta. Pikërisht në ato periudhë atje është edhe “Partizani” për një turne miqësor, me “Forverstin” e Berlinit. “Kam transmetuar ndeshjen, por nuk e kishte dëgjuar njeri. I detyruar kam bërë një koment shtesë të shkurtër në darkë për Radio-Tiranën. Kur u ktheva më erdhi një faturë 37 mijë lek nga posta, për një bisedë telefonike nga Gjermania. Pasi ja shpjegova drejtorit, ai e grisi” – rrëfente Ismet Bellova.
I ka takuar të hipë edhe në një pemë (carac) e të komentojë një ndeshje me sovjetikët nga fusha e vjetër e Durrësit, apo në një kullë rreth 20 m. të lartë në qytetin e Laçit të Kurbinit. Edhe nga Pallati i Sportit ka transmetuar: Kampionatin Ballkanik të Basketbollit, atë të vitit 1965, ndeshjen e volejbollit “Dinamo” – “Bloker” të Hollandës. Kujton se ka “folur” edhe në gjuhën kineze, në transmetimet e ndeshjeve me miqtë kinezë, duke patur vështirësi në njohje e shqiptim të emrave të tyre. Por, edhe nga Delvina në vitin 1988, për Kupën e Republikës, takimin “Bistrica” – “Partizani”.
Nga golat me Belgjikën, tek Best, Pano, Bekenbauer, Myler, Përnaska, Boniek….!
“Në çastin e golave ndaj Belgjikës nuk e kam përmbajtur veten dhe gjithçka me doli jashtë kontrollit. Deri aty sa nga entuziasmi kam thënë se; Josa është një nxënës i imi ishkëlyer….”, – kujtonte Bellova. Pastaj, ato më Republikën Federale Gjermane, barazimi 0-0 në Tiranë dhe ndeshja në Hanovër, më 11 tetor 1997. “Ka qenë dramë e vërtetë, plot ankth dhe emocione, sidomos, fundi i saj. Deri në minutën e 91-të rezultati ka qenë i mbërthyer në 3-3.
Në Shqipëri, në ato çaste, ishin fikur dritat dhe njerëzit kanë gëzuar para kohe rezultatin e barabartë. Më vonë, unë kam dhënë një kronikë të zgjeruar dhe ata mësuan rezultatin e vërtetë, 4-3 për vendasit” -rrëfente Bellova. Ndërsa sfidat që nuk do t’i kujtojë, janë disa por ai veçon humbjet e thella në Tiranë me Republikën Demokratike Gjermane, Rumaninë, në Sevilje me Spanjën dhe Hungari-Shqipëri 12-0, radiokronikën e të cilës e ka dëgjuar bashkë me Ilia Shuken, te Sheshi “Avni Rustemi”. / Memorie.al










Po mire ne diktature,po pse i late te udheheqin dhe sot pas 27 vjetesh.pse ne krye te Partise demokratike nuk u vu nje ish persekutuar?pse ne PD u pranuan ish komunista.
Trashëgimi apo vazhdimësi. .
Stop këtij traxicioni të zi..