Dorëshkrimi i 29 marsit 1832, Lbs 1305 80, që i përket Thorsteinn Gíslassonit nga Stokkahlödhum (1776-1883), gjithashtu dijetar laik dhe poet i njohur, përmban edhe tekstin ‘Sagan af Furstanum Skanderbeg’, e cila sipas faqes paraqitëse është përfunduar më ’29 Martj’. Është e dyta nga nëntë pjesë të dorëshkrimit, ndërsa të tjerat janë romanca origjinale e të përkthyera. Paraqitja shqip nga BBK më 1997 është me gabime. Autori nuk e ka mbiemrin ‘Forestien’, por Thorstein. Të dhënat e tjera janë për dorëshkrime të tjera, ndërsa tani kemi një informacion të përpiktë për këtë konkretisht. Edhe njoftimet për rimuret e H. Bjarnasonit nuk janë të rregullta dhe më poshtë do t’i përshkruaj të plota.
Ndërsa Thorsteinn Thorsteinssoni nga Heidhi (1792-1863) ka qenë një ndër shkruesit më prodhimtarë të shekullit XIX. Nuk kishte marrë ndonjë shkollim; që në moshë të re nisi të mblidhte dhe të kopjonte dorëshkrime, e kështu ka rreth gjashtëdhjetë dorëshkrime me dorën e tij (kryesisht Lbs 660-706 40), të gjitha së bashku nja 16.000 faqe.
Janë nja dyqind cikle rimuresh dhe po aq saga e përmbledhje të tjera, por jo të gjitha të bëra me kujdes. Lbs 676 40, njësia e parë e dorëshkrimit, është shkruar rreth 1840-50 me titullin “Sagann af theim nafn fræga fursta SKANDERBEG Epiróta kappa’, që do të thotë për Skënderbeun si prijës i Epirit.
Një dorëshkrim me dy njësi, Lbs 854 b 80, e ka shkruar më 1860 Einar Gudhnasoni (1853-1901), autor edhe i dy grupeve rimuresh. Njësisë së parë i mungon faqja e titullit, por pastaj shfaqet gjithandej emri i Skënderbeut.
Sipas M. Driskollit, dorëshkrimi më i gjerë që përmban një sagë për Skënderbeun është Lbs 1767 40, shkruar ndërmjet viteve 1857 dhe 1863 nga Jöhannes Jönsson (1798-1877), një nga shkruesit më pjellorë të shekullit XIX, por prej tij kanë mbetur pak gjëra, nja 7 dorëshkrime të plota, ndonëse vetë ka treguar se ka kopjuar disa qindra himne dhe poema, 49 grupe rimuresh dhe mbi 130 tekste sagash. Dorëshkrimi ka një titull të gjatë: ‘Njëzet e gjashtë saga perandorësh, mbretërish, dukësh, kontësh, baronësh, fermerësh, shërbëtorësh e skllevërish, të mirë e të këqij etj.”, duke përfshirë edhe sagën përkatëse për Skënderbeun në njësinë 26, në faqet 269-275. Nga një burim tjetër del se Saga af þerri nafnfrægn hetju Skanderbeg (Saga e prijësit të famshëm Skënderbeu) me këtë titull ndodhet në një tufë prej 104 faqesh, ajo vjen e dyta mes katër njësive të tjera, i përket vitit 1862 dhe është ribotuar më 2014, por këtë dhe një Histori të Skënderbeut po të këtij autori, të vitit 1861, nuk kam pasur mundësinë t’i njoh dhe të jap ndonjë të dhënë tjetër për to.
Dorëshkrimet mbajnë emrat e shkruesve, por mes tyre shkruesi më i zellshëm e prodhimtar duket se ka qenë Magnús Jónssoni (1835-1922). Ai ka jetuar kryesisht në fermën e vet në Tjaldanes në Islandën Perëndimore dhe prej tij kanë mbetur 43 dorëshkriume të bëra gjatë viteve 1874-1916. Sagat e kopjuara i ka përmbledhur nën titullin e përgjithshëm ‘Fornmannasögur Nordhurlanda’ (‘Saga të njerëzve të lashtë të veriut’). Njëzet vëllime prej tij me nga 880 faqe ruhen në Bibliotekën Kombëtare: Lbs 1491-1510 40. I përkasin një periudhe nga viti 1880 deri më 1909. Nëntë vëllime të tjera janë në zotërim privat dhe gjithsej prej tij janë 162 saga (!). Dorëshkrimet pas vitit 1888 kanë nga një parathënie për secilën sagë, ku shpjegohet se si i ka gjetur tekstet dhe i krahason me të tjera saga që i njihte. Përmend gjithashtu nëse ka pasur rimure të mbështetura në sagat.
Tri prej 13 sagave për Skënderbeun janë me dorën e Magnusit. Njëra është e fundit në dorëshkrimin e tij më të vjetër: Oslo UB 1159 80, ndoshta para vitit 1880. Dy të tjerat kanë datë dhe parathënie të shkurtër. Dorëshkrimi më i vjetër prej tyre është në zotërim privat, meqë Magnusi ia kishte dhuruar së bijës, Kristinës. Me kërkesën e M. Driskollit, Biblioteka e mori hua dhe i është bërë digjitalizimi. Shpresoj që Biblioteka jonë Kombëtare mund ta marrë në këtë trajtë Sagën e Skënderbeut, që është e nënta nga dhjetë njësitë e përmbledhjes, të përmendura më sipër, ndërsa del edhe në Lbs 1505 40, të shkruar tre vjet më vonë, më 1900. Ajo është përkthyer nga libri i L. Holbergut dhe u bë aq popullore në Islandë, saqë gjendet në 10 dorëshkrime të tjera dhe në një tufë rimuresh.
Te Holbergu nuk ka pasur ndarje të tekstit në krerë, por te 3 dorëshkrimet e Gudhmundur Helgasonit të vitit 1820, Lbs 1305 80 të vitit 1832 dhe Lbs 676 40 rreth 1840-50 ka dhjetë krerë, në njërin (Lbs 1767 40 të vitit 1862) ka tetëmbëdhjetë, të plotë me tituj, si p.sh. kreu 1 për rritjen e Skënderbeut. Për një prej tyre tyre, Lbs 1305 80, na kishte vënë në dijeni drejtori F. Gudhmundson që më 1985.
Sagat vetë kanë qenë mjaft popullore, por kanë qenë gjithashtu pikënisja për një varg rímuresh. Përkthimin nga teksti i L. Holbergut e ka shndërruar në vargje me rima, domethënë në rimure, sr. Hannes Bjarnason a Rip (1776-1838). I ka hartuar më 1821-1824 dhe janë shtypur më 1861 si Rímur af Skanderbeg Epirótakappa në Akureyri, qyteti i dytë më i madh i Islandës. Teksti origjinal është hedhur në internet, por nuk lejohet të kopjohet i plotë. Ka të ngjarë që Bjarnasoni të kishte lexuar për Skënderbeun sagën e Gísli Konrádhssonit, të cituar më sipër.
Këto rimure janë ruajtur në pesë dorëshkrime (Lbs 691 40, Lbs 2173 40, JS 95 80 , JS 98 80 dhe ÍB 206 40 ). Siç e tregon Bjarnasoni në pjesën e hyrjes të tufës së parë (I.6-7), dikush që nuk e njihte, i kishte dërguar një kopje të sagës bashkë me kërkesën që të hartonte një grup rimuresh me atë subjekt. Janë bërë mjaft ndryshime kundrejt përkthimit, por sidomos që vargjet t’u përshtateshin konvencioneve të rrëfimit islandisht. Për shembull, pohimet në vetën e parë nuk njihen në stilin e sagave islandeze, ndërsa në fund mbyllja nuk bëhet duke e ndërprerë rrëfimin, por duke shtuar diçka. Ashtu si në eposin tonë, edhe në islandishten përdoren shpesh togfjalësha ose shprehje si formula tipike. Nganjëherë për termat e panjohur shtohen shpjegime ose ndryshohen, si për shembull, përkthyesi nuk e dinte se cilët ishin ‘Dabrensere’: banorët e qytetit të Dibrës, prandaj i ka dhënë thjesht ‘luftëtarët’. Është mjaft e këndshme shtesa aty, ku flitet për Skënderbeun, i cili kur dëgjoi se kishin ardhur turqit, u përpoq të ngrihej dhe veshi armorin; islandishtja shton: ‘dhe kur turqit dëgjuan se ai kishte veshur armorin, menjëherë ua mbathën dhe nuk deshën të qëndronin më’. Mbretërve dhe prijësve nëpër saga u vishen rregullisht cilësi të shquara, prandaj nuk mund të lë jashtë ato për Skënderbeun: ’përveç guximit dhe trimërisë së tij të veçantë, ai kishte edhe këto cilësi: ishte shumë i pashëm dhe me dinjitet, si njeriu më i madh e më i fuqishëm, ndërsa ishte shumë i dashur me miqtë, besnik dhe i sjellshëm me njerëzit e vet e gjithashtu mendjehapur e bujar’.
Einar Bjarnasoni, që e përmenda më sipër, dorëshkrimit më të hershëm prej tij ÍB 251 40, të shkruar më 1806-1807, kur e ka shndërruar në rimur, i ka shtuar tri strofa, në të cilat Skënderbeu krahasohet me heronjtë e Dhiatës së vjetër, Davidin dhe Juda Makabeun. Nga shqyrtimi që u ka bërë M. Driskolli, del se po këto tri strofa, me disa variacione të vogla, gjenden te dorëshkrimi i Gudhmundur Helgasonit i vitit 1820, krahas me një strofë të katërt, të shtuar ndërmjet së dytës dhe të tretës, e cila sipas stilit ndoshta ka prejardhje gojore, te dy dorëshkrime të tjera, Lbs 1305 80 dhe Lbs 676 40 . Saga islandeze ka pothuaj po aq tekst sa edhe burimi danisht, ndërsa rimuret janë afër dy herë më të gjata sesa proza.
Përfundimi i studiuesit M. Driskoll është se historia e Skëndebeut u prit mirë në Islandë, duke u bërë menjëherë pjesë e një korpusi të teksteve të sagave popullore dhe rimureve, që kanë qarkulluar në Islandën e shekullit XIX, kurse cilësia epike e rrëfimit përftohej sepse vetë M. Barleti për jetën e bëmat e Skënderbeut kishte pasur si një prej modeleve kryesore Homerin. Kështu Skënderbeu mund ta zinte pa vështirësi vendin krahas heronjve tradicionalë islandezë, si: Starkadhr gamli, Fridhthjófur frækn-i dhe Sigurdhur thögli. Nuk mund të mos shprehem, se punimi i M. J. Driskollit është i nivelit të lartë shkencor, rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe është mbështetur te autorë të mëparshëm të afirmuar në këtë fushë, si G. Petroviqi (1881) dhe F. Pall (1938). Madje ai i ka vijuar kërkimet në këtë fushë, siç e dëshmon punimi i tij “The Long and Winding Road: Manuscript Culture in Late Pre-Modern Iceland” (Rruga e gjatë me dredha: Kultura e dorëshkrimeve në Islandën e periudhës së vonë para kohës së re).
Po shtoj këtu, se Libri i biografive familjare nordike (“Nordisk familjebok”, Owl.13) i vitit 1910 në faqen 1233 jep zërin: “Kastriota, Georg — me kombësi shqiptare, i njohur më shumë si Skanderbeg”. Është një jetëshkrim i shkurtër, ndërsa në bibliografi del se është mbështetur në burime me peshë: Paganel, Geschichte Skanderbegs (1856); Pisko, Skanderbeg (1894); Cuniberti, L’Albania ed il principe Skanderbeg (1898).
Ndërkohë, marrim dijeni edhe për hulumtime të tjera. Harry Hodgkinson ka botuar në Londër më 2005 librin Skënderbeu: nga peng i osmanëve te një hero shqiptar (Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero). Është e vërtetë, se historianët tanë tashmë e quajnë të provuar, se Skënderbeu nuk ishte marrë peng, por kishte qenë sanxhakbej në zotërimet e të atit. Besoj se sulltani e largoi nga ajo detyrë, nga frika se ai mund të mos i nënshtrohej lehtë, duke gëzuar mbështetjen e bashkatdhetarëve. Do të shtoja me këtë rast, se spekulimet sikur Skënderbeu iu kundërvu osmanëve vetëm sepse donte tokat e të atit e jo më tepër, janë qesharake. Këta spitullaqë të sotëm të historisë, me sa duket, nuk e dinë se fjala ‘atdhe’ do të thotë toka e atit, madje ne e kemi sipas gjermanishtes, ku është pikërisht po ashtu: Vaterland. Si mund të mohohet, që Skënderbeu, duke luftuar për dheun e të atit, nuk paska luftuar për at-dheun!?
Siç tregova, literatura islandeze është mbështetur te burimet danisht. Ky burim nuk paska shterur edhe sot. Më 1988 Universiteti i Aarhusit ka botuar një përmbledhje Fortælling og erfaring: tilegnet Johan Fjord Jensen, nga Ole Birklund Andersen e të tjerë, në të cilën në faqet 135-58 është edhe një artikull nga Minna Skafte-Jensen kushtuar veprës së M. Barletit mbi Skënderbeun, duke e qujtur në titull: “Një rrëfenjë historike: Skënderbeu i Marin Barletit midis krijimtarisë gojore dhe letërsisë” (‘En heltehistorie: Marin Barleti Skanderbeg mellem mundtlighed og skriftlighed’; anglisht A Heroic Tale: Marin Barleti’s Skanderbeg between Orality and Literacy, Århus, 1988). M. Skafte-Jensen (lindur më 1937) është profesore e greqishtes dhe latinishtes; anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Letrave Daneze, Norvegjeze e Belge. Ka punuar në Universitetin e Kopenhagës më 1969-1993 dhe në Universitetin e Danimarkës Jugore më 1993-2003. Titulli mund të kuptohet drejt, në qoftë se do të shtoj që ajo punon në fushën e epikës arkaike greke, në teorinë e formulimit gojor dhe për poezinë latine e të Rilindjes në Danimarkë. Punimet e saj do të ishte e mira të njiheshin nga folkloristë tanë.
Shoqata e Miqësisë Shqiptare-Daneze e ka hedhur në internet këtë artikull si në origjinalin danisht, ashtu edhe shqip. Përkthimin nga anglishtja e ka bërë Almira Muçaj dhe e ka redaktuar Ganimete Hoxha më 2007. Ato meritojnë të përgëzohen për këtë punë të mirë që kanë bërë. Ndërsa në faqet suedisht të WikiZero dhe të WikiVisual ka një artikull me mjaft ilustrime të çmueshme, si dhe përmenden një varg veprash letrare e artistike kushtuar Skënderbeut. Nuk do ta lija pa shënuar, se aty jepet edhe ky njoftim: “Më 7 tetor 2005 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë lidhur me 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, duke e nderuar atë si ‘burrë shteti, diplomat e gjeni ushtarak, për rolin e tij për të shpëtuar Europën Perëndimore nga pushtuesi osman”. Teksti mbështetet edhe në “Librin biografik nordik”, botimi i vitit 1926. Marrim vesh gjithashtu se:
— 1837 suedisht është shkruar “Skënder Beu: një pjesë teatrale historike në tre akte” nga Thure Gustav Rudbeck (1806-1876), autor pjesësh, përkthyes dhe historian.
— 2010 Anna Larsdotter ka botuar “Skanderbeg: han ledde kampen mot osmanern” (Skënderbeu: ai udhëhoqi luftën kundër osmanëve), në Allt om historia, nr. 7, f. 56-59.
Gjithashtu një kolonel, Theodore Felix, ka dërguar në qershor 2015 një faqe anglisht për Betejën e Torviollit, ku shënohet se Skënderbeu paska pasur 15.000 trupa dhe Ali Pasha 45.000. Duket që të dhënat janë marrë nga Barleti, por shënohet “Nga një libër i botës katolike”.
Shkrime të tjera, të cilat nuk do të ishin në vëllimin I të botimit nga BBK, e vlen të shënohen me këtë rast:
1961 — Jan de Vries, Heldenlied und Heldensage, Munich.
1968 — Josef Matl, “Georgius Castriota (Kastriot) Scanderbeg in der balkanischen und europäischen Literatur’, Bulgarische Jahrbücher, 1 (1968), f. 101-10.
1974 — Peter Bartl, artikujt ‘Barletius’ dhe ‘Scanderbeg’ në Biografisches Lexicon zur Geschichte Südosteuropas. Munich.
Parashtrimi i mësipërm besoj që jep të dhëna bindëse për pohimin, se është shtuar edhe interesimi për vetë literaturën rreth figurës së Skënderbeut.
Fund
Komentet