VOAL

VOAL

Rusia dhe Fronti i saj Lindor

August 9, 2022
blank

Komentet

blank

Rusisë i ka ardhur lufta në shtëpi -Nga Owen Matthews

Një javë me mesazhe disi të përziera nga Kremlini. Një ditë Vladimir Putin hapi karuselin më të madh të Evropës dhe drejtoi vetë festimet në Moskë me rastin e 875-vjetorit të themelimit të qytetit, i qetë e me humor, dhe luftën vetëm sa e zuri me gojë kalimthi. Pak ditë më pas, doli në televizionin kombëtar dhe i bëri të ditur botës se nuk po luante blofin për përdorimin e armëve bërthamore dhe shpalli mobilizimin e pjesshëm. Putin nuk ka provuar kurrë zgjedhje të luftuara në jetën e tij, kështu që nuk ka qenë ndonjëherë i dalluar në komunikimin me njerëzit. Por në fjalimin e fundit dukej po aq i zbehtë e me sy të shuar sa një vampir.

Rusët e dinë më mirë se kushdo se sa më tepër të mohohet diçka, aq më tepër gjasa ka që të ndodhë. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu doli pas Putinit për të shpjeguar se mobilizimi do të aplikohej vetëm për deri në 300 mijë rezervistë me përvojë luftarake. Në praktikë, povestki – thirrja për t’u paraqitur në qendrën e rekrutimit – me sa duket u bë me kë të kapte lapsi. Të gjithë të sapodiplomuarit e një kursi arkitektësh moskovitë u thirrën bazuar në faktin që ata kishin bërë zbor të detyrueshëm ushtarak si pjesë e programit universitar. Babai 55-vjeçar i shokut të komshiut tim mori fletëthirrjen edhe pse nuk kishte shërbyer kurrë më parë në ushtri. Ai shkoi në zyrën e rekrutimit për të shpjeguar se ishte bërë gabim. Dy orë më pas ishte në autobusin që shkonte në kampin e stërvitjes.

Në Rusi, çdo krizë është edhe një rast i mirë për biznes. Një mike biznesmene më tregonte se pa u mbushur end një ditë nga shpallja e mobilizimit nga Putin, u ngrit menjëherë një rrjet këshilltarësh të specializuar në bronirovanie – që fjalë për fjalë është si të blindosh diçka me armaturë. Meqenëse “specialistët” e përcaktuar në mënyrë të mjegullt përjashtohen nga thirrja, menaxherët pajisin punonjësit e tyre me dokumente që vërtetojnë që ata nuk janë të disponueshëm. Çmimi: 120 paund për person, një pjesë e madhe e të cilit shkon për zyrat e rekrutimit që bëjnë përjashtimin. Tashmë ka dalë edhe një tarifë e pranuar gjerësisht për kalimin e kufirit pa letra nga zyra ushtarake: 300 paund në dorë rojeve të kufirit.

Disa shakaxhinj që hiqeshin si oficerë rekrutimi telefonuan djalin e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, duke e urdhëruar të paraqitej për kontrollin mjekësor. “Pa diskutim që jo”, u përgjigj 32-vjeçari Nikollaj Peskov. “Duhet ta kuptoni që nuk ka mundësi që unë të paraqitem atje. Do ta zgjidh në tjetër nivel”. Fjala kyç: “Pa diskutim”. Ideja që fëmijët e elitës së Rusisë mund të shërbejnë për vendin për ta është absurditet i qartë.

Shenjë treguese: “Shkëmbej një Toyota Corolla për një biletë vetëm vajtje për Stamboll”, shkruan në median sociale prindi i një rekruti të mundshëm. Në stacionin e autobusit në Moskë, hapësira e reklamave, e lënë bosh pas largimit të 1200 kompanive të huaja, është mbushur me afishe patriotike. Disa përfshijnë karikatura të stilit sovjetik të Dajës Samit të lig e të urryer që mban kukulla të Pipi Çorapegjatës dhe Moomins (personazhe komikë për fëmijë finlandezë) të veshur me ngjyrat e flamujve të Suedisë e Finlandës. “Mos u bëni marioneta në duart e të huajve”, thoshte diçitura. M’u desh një moment ta kuptoja se afishja e stilit të vjetër nuk kishte synim ironie.

Në një vizitë të kohëve të fundit në Kiev pashë që lufta kishte përfshirë gjithçka, që nga numri i djemve të rinj me uniformë – edhe në kafene – deri në alarmet e rregullt ajrorë. Por për shumicën e moskovitëve lufta ka qenë thuajse e padukshme deri në shpalljen e mobilizimit nga Putin. Ose të paktën pasojat e saj ishin diçka jo më tepër se një irritim i butë: s’ka më Apple Pay apo Zoom, as përditësim software apo banking ndërkombëtar, McDonald’s dhe Starbucks të zëvendësuar me klone lokale. Por baret, restorantet dhe teatrot ishin plot. Supermarketet e Moskës ishin të mbushura me çdolloj gjëje – përfshirë plot mallra nga Evropa e sanksionuar. Megjithatë, pas mobilizimit të kësaj jave, lufta befas u shndërrua nga një bezdi e largët e injorueshme për dhjetëra miliona rusë me familjarë në moshë ushtrie në diçka tepër të afërt e personale.

Lajmet raportuan për tre shpërthime që dëmtuan tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 të Gazpromit, duke shkaktuar sipërfaqe të mëdha turbulence teksa 300 milion metra kub gaz nga secili prej tubacioneve shkuan dëm duke dalë në sipërfaqe. Zyrtarët danezë e suedezë ishin të matur në caktimin e fajtorëve. Të njohurit e mi moskovitë, më pak. “Putin po hedh gjithçka në erë para se të rrëzohet”, thotë një mik tregtar energjie – dikur patriot i madh, tani një rekrut potencial i frikësuar. Në kohë më të qeta, tubacionet Nord Stream ishin një mjet i Kremlinit për të shtrirë kontrollin mbi Evropën. Ndërprerja nga Putin e furnizimeve përmes Nord Stream 1 në korrik për t’i bërë presion Evropës që të ndalonte përkrahjen për Ukrainën ishte ekuivalenti diplomatik i një jeleku vetëvrasës. Për habinë dhe zhgënjimin e tij, Evropa reagoi shpejt duke u kaluar alternativat e gazit të lëngshëm. A ishte hedhja në erë e tubacioneve Nord Stream ekuivalenti modern i djegies së anijeve në plazh nga Cortez? (Më 1519, pas mbërritjes me 600 burra në Botërn e Re, Hernán Cortés dogji anijet për të dhënë mesazhin që s’kishte kthim prapa – Syri.net)

Taksistët e Moskës rrallë janë në një mendje. Ata janë gati të luftojnë nëse Rusia sulmohet, por jo “për t’i marrë shtëpinë tjetrit”. Një javë më parë, Putin mund të kishte deklaruar fitoren, të kishte propozuar një plan paqeje e të përçante përkrahësit e Ukrainës. Por me mobilizimin që shkaktoi protesta në vende deri tani besnike si Dagestani, ai e bëri ndryshimin e regjimit një mundësi reale. Disa javë më parë shkruaja se pasuesit e mundshëm të Putinit vështirë se do të jenë më të mirë se ai. Siç thotë poeti dhe kritiku Dmitri Bijkov, Putin nuk është Hitler, ai është Kaiser Wilhelm II. Pas disfatës ushtarake në Ukrainë vjen një version i ri i Versajës, Republika e Vajmarit, e më pas katastrofa e vërtetë. “Nuk i druhem një Rusie të korruptuar”, thotë Bijkov. “I druhem një Rusie vërtet fashiste”.

Karuseli që hapi Putin u prish dy ditë më pas, duke lënë pasagjerët të ngecur në lartësi e të pashpresë në mekanizmin ku kishin hipur plot besim./.spectator.co.uk/

syri.net

blank

Shqipëria ka probleme të thella me korrupsionin, drejtësinë dhe lirinë e shtypit – Nga Mandoline Rutkowski, Die Welt

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po e bashkon më shumë Evropën. Anëtarët e rinj duhet të forcojnë BE-në dhe të formojnë një mburojë kundër Moskës. Por problemet e Ballkanit janë ende të mëdha, siç tregon një vizitë në Shqipëri. Disa masa madje kanë çuar në rezultate absurde

 

Krerët e qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e kapën dorën e Ursula von der Leyen duke e shtrënguar fort. Thuajse sikur kishin frikë se presidentja e Komisionit Evropian mund të ndryshonte mendje dhe të shkëputej nga shtrëngimi i duarve dhe kështu edhe nga një premtim që Bashkimi Evropian ua kishte bërë më parë shtetarëve Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.

Skena u filmua më 19 korrik- ditën kur nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e dy vendeve në BE. Me këtë njoftim, dy shtetet tani janë zyrtarisht në ballë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së.

Fotot e unitetit vinin në Bruksel në kohën e duhur. Sepse lufta e Ukrainës në dyert e Evropës u ka dhënë aleancave perëndimore një moment rilindjeje. Ekziston një konsensus se Perëndimi duhet të afrohet më shumë që të përballet me agresorin rus, Vladimir Putin. Jo më pak për shkak të kësaj, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE në qershor.

Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rëndësishëm strategjikisht për BE-në, pasi ata formojnë urën tokësore mes krahut juglindor të NATO-s dhe Evropës Qendrore. Megjithatë, po e bëhet e qartë se, pavarësisht nga momenti aktual, ka ende një sërë sfidash që qëndrojnë në rrugën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e dukshme në Shqipëri.

Shqipëria festoi momentin historik pas gati tre dekadash: në vitin 2003, Tirana paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim. Në ditët pas shpalljes, një flamur i stërmadh i BE-së zbukuroi ndërtesën e qeverisë në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.

Afiniteti me BE-në është shumë i lartë në vendin me 2.8 milionë banorë. Sipas Barometrit Publik Ballkanin, 89 përqind e shqiptarëve e vlerësojnë anëtarësimin në BE si pozitiv. Në bisedat me vendasit, afërsia me BE është e sigurt, dyqanet evropiane mbulojnë peizazhin e qytetit në Tiranë, kurse euro është të paktën jozyrtarisht monedha e dytë kombëtare.

Me distancë nga Kina

Marrëdhënia e Tiranës me BE-në është e ngushtë. Prej vitesh, vendi, i cili u çlirua nga komunizmi në vitin 1991 dhe iu përkushtua vlerave perëndimore dhe demokratike, është përpjekur të shkojë në të njëjtën linjë me Brukselin në politikën e jashtme.

Në luftën e Ukrainës, Tirana mbështeti pa kushte sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në ndryshim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Tirana po përmbahet edhe ndaj investimeve nga Kina, me të cilat Pekini kërkon të forcojë ndikimin e tij në rajon.

Vitet e fundit, një reformë në drejtësi dhe futja e të ashtuquajturës Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit- SPAK si prokurori speciale e pavarur, ka çuar përpara përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

“Ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit,” tha Christiane Hohmann, ambasadorja e delegacionit të BE-së në Shqipëri. Ajo na mirëpret në zyrën e saj me një pamje panoramike të kryeqytetit për një intervistë. “Por puna jonë është larg përfundimit, ka ende një detyrë gjigante përpara”.

Në fakt, korrupsioni është një plagë në Shqipëri, e cila është shumë e vështirë për t’u shëruar. Vendi renditet i 110-ti nga 180 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të ‘Transparency International’. Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencës/Open Data Albania, e di se sa serioz është problemi.

“Korrupsioni është një problem i jashtëzakonshëm në Shqipëri,” thotë ekspertja e analizës së të dhënave me fokus transparencën, kontrollin dhe anti-korrupsionin. “Nuk është i pranishëm vetëm në rangjet e larta, por edhe në jetën e përditshme të çdo qytetari- qoftë te vizita te mjeku apo te zgjedhja e shkollës fillore”.

Shqipëria nuk është në gjendje të ushtrojë kontroll gjyqësor, kushtetues dhe parlamentar mbi qeverinë, thotë Brahaj, pra, de facto, kryeministri Rama e ka dorën e lirë.

Lista e skandaleve rreth Ramës e vërteton këtë deklaratë. Kreu i Partisë Socialiste, i cili bëri dikur fushatë për luftën kundër korrupsionit, akuzohet për lidhje me mafian.

Skandalet po shumohen edhe në orbitën e tij të pushtetit. Së fundmi, politikani i PS-së, Alqi Bllako u arrestua në fund të muajit prill pasi thuhet se është i përfshirë në një skandal korrupsioni prej 430 milionë eurosh. Opozita e akuzon Ramën si organizatorin e aktiviteteve kriminale.

Në fakt, qeveria ka bërë përpjekje për të vënën nën kontroll korrupsionin në vend. Në vitin 2016, me nxitjen e BE-së, ajo miratoi një reformë gjyqësore që përfshinte rishikim intensiv të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket kompetencave profesionale, pasurisë dhe integritetit.

Sipas të dhënave të “Raportit për Shqipërinë 2021”, të Komisionit të BE-së, 62 përqind e procedurave të rishikimit kanë përfunduar me largim nga detyra ose shkarkim. Reforma u vlerësua pozitivisht në Bruksel dhe ambasadorja e BE-së, Hohman gjithashtu e quajti procedurën e vetingut një ‘masë të suksesshme’, e cila nuk është parë kurrë më parë në rajon.

Por ekspertja e korrupsionit, Brahaj nuk është dakord. Kontrollet ishin ‘me qëllime të mira, por të planifikuara keq’: Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk kishin staf të plotë për vite me radhë dhe de facto nuk ishin në gjendje të vepronin. Një gjyqësor me të meta ka lejuar qeverinë të miratojë ‘ligje të korruptuara’.

Shumë prapa kur bëhet fjalë për lirinë e shtypit

Një fushë që Brukseli po e shqyrton nga afër për ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE, dhe që shqetëson ambasadoren e BE-së, Hohmann, është liria e shtypit në vend: “Kuptimi i shtypit si korrigjues ka nevojë për zhvillim në Shqipëri”. Vendi renditet nga Reporterët pa Kufij i 103-ti nga 180 vende.

Mediat transmetuese janë kryesisht në duart e disa sipërmarrësve të pasur me lidhje politike. Kryeministri Rama bëri bujë së fundmi pasi kërcënoi gazetarët me ‘riedukim’ pas pyetjeve kritike dhe i përjashtoi nga konferencat për shtyp. “Ne presim që të gjithë politikanët t’i trajtojnë gazetarët me respekt,” thotë Hohmann.

Vendi kandidat ka ende shumë për të bërë përpara se Shqipëria të anëtarësohet në aleancën evropiane. Për Sokol Dedjan, kreun e çështjeve politike në Ministrinë e Jashtme, përpjekje nuk kërkohen vetëm nga Tirana. “Në funksion të luftës në Evropë dhe dhënies së statutit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, BE-ja tani duhet të tregojë më shumë besueshmëri se premtimet e bëra për vendet kandidate se zgjerimi i BE-së është proces serioz”.

Me fjalë të tjera, BE-ja duhet t’i dëshmojë Rusisë se uniteti i vendeve evropiane shkon përtej terminologjisë, edhe në shenjë frenimi. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prioritet për t’u bashkuar me aleancën sepse janë ‘më të avancuara në përgatitje’.

Nga ana tjetër, ambasadorja e BE-së, Hohmann thekson se lufta në Ukrainë nuk sjell si pasojë zgjerimin automatik të BE-së. “Çdo vend do të vazhdojë të konsiderohet individualisht. Argumenti gjeostrategjik nuk duhet të fshehë faktin se vendet natyrisht duhet të plotësojnë edhe kërkesat e tyre për të hyrë në BE”.

Sipas Hohmann, Tirana tani duhet të provojë se besimi i vendeve anëtare është i justifikuar. “Shqipëria tani po përballet me një maratonë”.

blank

Shteti më i drejtë në botë, po vodhe miliona euro, të bëjnë hero- Nga Klodian Tomorri

1-Fusin në burg mjekun që mori 20 mijë lekë, por nuk prekin asnjë nga ata që vjedhin 100 milionë euro në vit me tenderat dhe koncesionet e shendetësisë.

2-Fusin në burg kamerierët dhe lavazhierët për skemat e faturave fiktive, por asnjë nga ndërtuesit e mëdhenj që blejnë faturat. As emrat nuk u nxjerrin dot.

3-Fusin në burg plakën 82 vjeç për kotecin, por asnjë nga trafikantët dhe ndërtuesit e mëdhenj të kullave pa leje në Tiranë.

4-Futen gjithë Lushnjën në burg për kanalin e Bishtqethmit që ishte 200 mijë euro gjithsej. Por nuk prekin asnjë nga ata që bëjnë batërdinë qindra milionë euro me tenderat e rrugëve.

5-Kanë mbushur burgjet me punëtorë hashashi, por trafikantët ndërkombëtarë i presin me nderime në kryeministri.

6- Futën në burg me mijëra njerëz për energjinë elektrike. Por nuk kapën dot asnjë hajdut tek tenderat e energjisë. As atëherë kur KESH zbrazi kaskadën në mënyrë kriminale për të shkëmbyer energjinë ditën me natën me privatin.

7-Donin të fusnin në burg gazetarët për dokumentat e hakeruara nga iranianët. Por nuk arrestuan asnjë nga përgjegjësit te AKSHI. Madje vazhdojnë t’i japin miliarda kontraktorit privat pergjegjës për sigurinë kibernetike. Sepse ajo është kompania e oborrit.

Morali këtu është kështu. Në Shqipëri po je fakir, që merr ndonjë copë bukë për mbijetesë të dërrmojnë. Po vodhe miliona euro të bëjnë hero. Ky është shteti më i drejtë në botë.

Ah po. E ka fajin llumi i drejtësisë dhe policët e korruptuar. Kush mendon ndryshe e faltë Zoti.

blank

MARLENE LARUELLE DHE SHËMBJA E PUTINIT – Nga PAOLO LEPRI – Përktheu Eugjen Merlika

 

“Rusia është e shqetësuar”, shkruan Marlene Laruelle, doçente e çështjeve ndërkombëtare në George Washington University. Në fakt, së bashku me të tjerë shënja që tregojnë një pakësim të miratimit, zhvillimet johenike të luftës në Ukrainë, kanë nxjerrë njerëzit nëpër sheshe me një vendosmëri befasuese. Si do të përfundojë? “Nuk ka siguri që skajorët në pushtet të pranojnë shtypjen e brëndëshme në këmbim të suksesit ushtarak”, vëren studjuesja franceze në një artikull në New York Times, duke shtuar që “me një ushtri të drobitur”, Putini “duhet të gjejë një mënyrë për të patur një rezultat ushtarak që të mund të inkuadrohet së paku si një fitore e pjesëshme “. Nuk e ndihmon pastaj fakti që Kina dhe Hindia, “kanë filluar të shprehin shqetësimet e tyre”. Kjo nuk do të thotë se për presidentin rus po avitet përfundimi. “Edhe me të gjitha këto vështirësi – vazhdon – do t’ishte një gabim parashikimi i një shëmbjeje. Por Putini, ashtu si çdo drejtues, varet nga përligjia që siguron pushtetin e tij. Në javët e muajt e ardhshëm mund të zbulojë që toka nën këmbët e tij ka filluar të lëvizë”.

Me gjithë maturinë thelbësore të tyre, përimtimet e drejtoreshës së studimeve evropiane, ruse e dhe evroaziatike të universitetit amerikan – 49 vjeçe, studimet e kryera në Inalco dhe Sciences-po të Parisit – duken të përpikta dhe hapin një rreze shprese mbi mundësinë e ndryshimeve në kohë të shkurtëra në ish mbifuqinë, që synon , siç ka thënë Joe Biden, të “fshijë të drejtën e Ukrainës për të qënë si popull”. Më pak bindëse duken qëndrimet e saj mbi shkaqet e konfliktit, përgjegjësia e të cilit bie tërësisht mbi projektet zotëruese të Putinit. Autore e një syzimi të botuar vitin e shkuar, Is Russia fascist?, Marlene Laruelle pohon se ideologjia në pushtet në Rusinë e sotme është “iliberalizmi”. Një shëmbëllesë mjaft aktuale, që gjen të tjerë ndërpretues ende më të afërt me ne, si Hungaria e Orbánit – pikat e palëvizëshme të të cilit janë ngjitëse rrezikshmërisht: mos pranimi i institucioneve shumëpalëshe, përparësia e Shtetit-komb, sulmi të drejtave të pakicave.

“Corriere della Sera”, 23 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

SI NDIHET NDIKIMI I KINËS- Nga DANILO TAINO – Përktheu Eugjen Merlika

 

Njëheret, regjimet autoritare, në krye Bashkimi Sovjetik, përdornin shpesh keqnjoftimin për të bërë të dukeshin më të mira politikat e tyre e më të këqia ata të kundërshtarëve. Më vonë, veçanërisht mbas lindjes së rrjeteve sociale, janë zhvilluar fake news. Tani që jemi të pranishëm në shkrepëtimat e një lufte të re të ftohtë, përdorimi i armëve të komunikimit është më I ndërlikuar, pjesë thelbësore e një lufte të përzjerë. Freedom House, organizata që mbikqyr ndryshimin e shkallës së lirisë e demokracisë në botë, ka sendërtuar një studim të thelluar mbi veprimtarinë e Kinës në kërkimin e shtimit të ndikimit të saj ndërkombëtar nëpërmjet përdorimit të propagandës, fushatave të keqnjoftimit, çensurës së fituar nëpërmjet frikësimit, kontrollit të infrastrukturave vendore të njoftimit, shpërndarjes të përmbajtjeve të favorshme për të.

Përimtimi ka marrë në shqyrtim ndërhyrjen e Pekinit në 30 Vënde dhe përgjigjen e tyre ndërmjet janarit 2019 e dhjetorit 2021. Në 16 prej këtyre 30 Kombeve, fuqia e përpjekjeve kineze është vlerësuar e “lartë” apo “shumë e lartë”. E në periudhën, në 18 Vënde përpjekja është shtuar. Gazetarë, akademikë dhe grupe të shoqërisë qytetare i janë përgjigjur këtyre sulmeve në të gjitha situatat e shqyrtuara, por vetëm 50 % e Vëndeve ka ligje dhe liri njoftimi të tillë që t’i bëjnë “të qëndrueshëm”; gjysma tjetër është e “dëmtueshme”. Raste frikësimi ose nxitjeje të çensurës për kë qorton Pekinin janë regjistruar në 24 Vënde në 30. Në 17, ka patur ndërhyrje qeveritare ose të vetë mediave për të asgjësuar njoftimet e pafavorshme për Kinën. Në 16 Vënde , autoritetet kineze kanë frikësuar gazetarët. Në tetë , kanë qënë raste të shtrigërive që kanë kryer dhunime të rrjeteve sociale. Në shtatë Vënde janë kryer sulme kibernetike. Në të gjithë këto veprimtari Italia është përfshirë gjithmonë.

Përpjekjet kineze në territorin italian janë gjykuar nga Freedom House “të larta”, në nivelin 43 një një shkallëzim që shkon nga zeroja në 85 (më i larti). Edhe niveli italian i “qëndresës e përgjigjes” është vlerësuar “i lartë”, 45 në 85. Përimtimi kushtuar Italisë është një lexim mjaft interesant: kujton përkujtesën e famshme of understanding të marsit 2019 për hyrjen e Italisë në Rrugën e Re të Mëndafshit dhe përmënd marrëdhëniet e politikanëve e organizatave me Pekinin. Bën thirrje të kenë kujdes.

“Corriere della Sera”, 21 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

MUSTAFA KRUJA (Formimi, karakteri, personaliteti në shoqëri e ne familje) Nga Eugjen Merlika

 

Kanë kaluar plot 50 vite nga ajo mbrëmje e 27 dhjetorit 1958, kur në një klinikë amerikane, n’afërsitë e ujvarës së famshme të Niagarës mbyllte sytë përgjithmonë Mustafa Merlika Kruja. Një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth, në dukje e thjeshtë, shënoi fundin e parabolës së një jete të ndërlikuar, të filluar në një natë marsi me stuhi të 71 viteve më parë në Krujën legjendare të kryetrimit t’Arbërit, të ndërthurur me shumicën e ngjarjeve të trazuara të të parit shtet të bashkuar e të pavarur në historinë e shqiptarëve e të përfunduar në vetminë trishtuese të një mërgimi të gjatë nëpër Vënde të ndryshme, deri në strehimin mikpritës të Vëndit simbol të demokracisë.

Në qytetin ku lindi kaloi vetëm fëmijërinë, por Kruja mbeti në zemrën e Mustafait, jo vetëm si vendi me të cilin u lidhën kujtimet e para e të pashlyeshme fëminore, të shoqëruara nga portretet e familjarëve, ndër të cilët spikat ai i nënës me dhimbjen e thellë të largimit të saj të parakohshëm, por edhe sepse emri i saj i u bashkangjit mbiemrit të tij për të formuar atë tog fjalësh, që do të dukej në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, duke u bërë një pikë riferimi në jetën politike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë.

Në moshë ende të njomë, n’agim të djalërisë, mori rrugët e botës për të studjuar, më parë në Janinë e më pas në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në një periudhë vendimtare për formimin e vetëdijes kombëtare dhe themelimin e Shtetit shqiptar. Djaloshi nga Kruja i kaloi me sukses të gjitha provat shkollore, duke ngjitur një nga një shkallët e dijes, në sajë të një vullneti të hekurt, të një zgjuarsije mbi normalen e të një vendosmërie të pazakontë për të arritur synimet. Këto ishin disa nga tiparet më të spikatura të personalitetit të fortë të Mustafa Merlikës. Një ligj madhor hipotetik kompensimesh të mundësive potenciale e të kushteve reale, në rastin e tij ndoshta shërbente si një shtysë e fuqishme për të shkuar përpara.

I lindur në një familje të mesme krutane, pa ofiqe e pa pasuri, i vetëdijshëm se vetëm me forcat e tij do të hapte rrugën e jetës, u shqua që në të ri për horizontin e gjërë të interesave kulturore në fusha të ndryshme të dijes. Poezitë e Naim Frashërit, “ lyriku shqiptar mâ i kënduemi, mâ i ndiemi, mâ i kuptuemi e mâ i çëmuemi” e traktati i Sami Frashërit, “mâ i madhi dijetar qi ka pjellë deri sod raca e jonë”, mbi Shqipërinë e mbanin të lidhur me vendin e lindjes, por frëngjishtja e mësuar heret i hapte horizontet e Iluminizmit, e fuste në shtigjet e eseizmit të shekullit 17 (La Bruyère, La Rauchefoucauld), madje dhe në teoritë e socializmit. Shkolla turke që ndiqte i jepte mundësi të depërtonte në fushat e gjëra të kulturës arabe, persiane e orjentale në përgjithësi.

Me këtë pasuri kulturore në mëndje, në moshën 23 vjeçare, u diplomua në Mylkijen e famshme të Stambollit për Shkenca politike e administrative. Veprimtaria atdhetare, e nisur me shkrimet në fletoret turke të kohës, që nga ai çast trupëzohet e merr formë me kthimin n’Atdhe e mospranimin e postit të zv.guvernatorit të një province të Perandorisë. Mbi veprimtarinë e Mustafa Krujës në fushën politike, të studimeve gjuhësore e historike, e mbi mendimin e tij politik folën studjuesit e shquar në Konferencën shkencore përkujtimore, të mbajtur në Tiranë, në ditën e 50 vjetorit të largimit të tij nga jeta tokësore. Un do të mundohem të ravijëzoj këtu portretin e njeriut Mustafa Kruja, një portret i skalitur më së miri nga autoritete të kulturës shqiptare si Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Tahir Kolgjini, Lazër Shantoja etj., që e njohën nga afër e bashkëpunuan me të.

Un kam fatin të mbaj në deje gjakun e tij, jam nipi i lindur n’atë vit në të cilin ai u largua përfundimisht nga Atdheu. Isha vetëm pesë muajsh, kur gjyshi u nis me nxitim për në Austri, ku xhaxhai im i vogël, Besimi, ishte shumë i sëmurë në një klinikë të Vjenës. Para se të nisej, në një ditë fundi gushti 1944, më mori në krah, më puthi, e me një ofshamje dëshpërimi pëshpëriti: “ Të mijtë nuk i rrita dot vetë, as këtë nuk do të mundem t’a rris”. N’albumin e vjetër të vitit të parë të jetës është një fotografi e tij me mua në krahë. Kështu, “i mërguemi i përhershëm”, siç do t’a përkufizonte Koliqi, filloi ciklin e fundit të mërgimit të tij, atë më të dhimbëshmin e më të vështirin. E përballoi me forcën e karakterit dhe me ndershmërinë, për të cilën ishte shquar që në të rit e tij.

Nëse do të hartohej një listë e cilësive vetiake të Mustafa Krujës, mendoj se në krye të saj do të ishte ndershmëria, në kuptimin më të gjërë të fjalës. Ishte një cilësi e lindur por edhe kultivuar në një familje patriarkale, ku vlerat njerëzore i mëkoheshin fëmijës që kur thithte qumështin e nënës. Ishim një popull i varfër në mjete të jetesës, në përvojë qytetërimi e në kulturë, por i pasur në tradita, parime e vlera njerëzore siç ishin besa, mbajtja e fjalës së dhënë, respekti për të moshuarin, për familjen, për prindërit, për mikun e dashamirin. Mustafa Kruja ishte bir i kësaj Shqipërie që, fatkeqësisht, është në grahmat e fundit. Gjatë gjithë jetës së tij punoi që këtë Shqipëri t’a fuste në hullinë e qytetërimit t’Evropës e të zhvillimit bashkëkohor, kryelartë e pa kompleksin e përulësisë, në sajë të ruajtjes së atyre vetive. Krenaria për virtytet njerëzore të popullit të tij e shoqëroi kudo e kurdoherë. Çaste të shfaqjes së saj i gjejmë tek “Kujtimet …” e tij që nga episodet e tregtarëve të Vjenës e të Selanikut e deri tek “bujtina” e Krujës e kujtimet e Dom Nikoll Kaçorrit.

Ndershmëria, e shfaqur në të gjthë çastet e jetës së tij vetiake, familjare e shoqërore, ishte një motiv krenarie për gjthë fisin e Merlikve që e deshi deri n’adhurim “Lalën” e tij. Në vitet e gjata të mërgimit, në “vetmitoret” e Egjyptit, të Italisë, të Francës apo të SHBA ai i thonte motrës Haxhire apo djalit Bashkim, të vetmit familjarë pranë, që ta thërrisnin “Lalë”. Kështu, thonte ai, më duket se kam pranë gjithë familjen e fisin…Ishte një formë vetë hipnotizimi për të lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë që kishte në shpirt. Ndershmëria e tij admirohej nga miqtë e bashkëpuntorët por vlerësohej edhe nga kundërshtarët. Ndershmëria ishte korrektësi e përkryer në marredhëniet me të tjerët, por ishte edhe respekt i bindjeve që ai i shfaqte hapur në lojën e ndërlikuar të politikës. Ka mbetur proverbiale korrektësia e tij në kuadrin e jetës bashkëshortore. Në “Kujtimet e vogjlisë e të rinisë” tregohet një episod i një bisede të autorit me Luigj Gurakuqin e At Gjergj Fishtën, në një restorant të Parisit, pikërisht mbi këtë temë. Luigj Gurakuqi ishte beqar, ishte një burrë i hijshëm, shpirtmadh, i lakmuar nga gratë. Në jetën e tij vetiake, sidomos n’Itali këto të fundit nuk i mungonin. Megjithëse Luigji për Mustafain ishte një idhull ai nuk i a kursente kritikat n’atë drejtim e shoku, “i martuar me Shqipërinë”, i kujtonte atij “gabimin” që kishte bërë, duke krijuar familje në një Vend në të cilin shpesh pasojat e veprimeve të politikanëve binin mbi familjarët e tyre. Por për Mustafain familja ishte institucioni më i domosdoshëm e më i respektuar në jetën e njeriut, një detyrë së cilës nuk duhej t’i shmangej në çfarëdo rrethanash. Kështu vrejtjes së të birit, Petritit, mbi papërshtatshmërinë e aktit të martesës në periudhën e luftës, ai i u përgjigj me një letër të gjatë në të cilën mbronte tezën se luftërat nuk kanë qenë asnjëherë, në historinë e njerëzimit, pengesa për martesat e njerëzve dhe lindjet e fëmijëve. Kështu ngulmimi i tij arriti synimin t’a martonte të birin me vajzën e mikut të tij të vjetër, Sotir Gjikës, Elenën. Kjo qe nusja e vetme që ai pati në shtëpi, një nuse që në pak kohë u bë për të një bijë e vërtetë, jo rastësisht ishte e vetmja në familje që e thërristë “Babë”, duke gjetur në të dashurinë e munguar të të jatit që e la jetime në moshën 7 vjeçare. Dhe ajo e deshi dhe e respektoi me gjithë forcën e shpirtit të saj e gjatë kalvarit më se dyzetvjeçar të përndjekjes komuniste, i përballoi vuajtjet e gjata kryelartë sepse ishte e reja e Mustafa Krujës. Zemra prej prindi u gëzua shumë kur mori vesh se edhe djali i dytë, Fatosi, ishte martuar me mbesën e një miku e bashkëpuntori, të Kolë Bibë Mirakajt. Ai nuk arriti të marrë me vete gëzimin e martesës së djalit të tretë, Bashkimit, por letrave të nuses së ardhëshme i përgjigjej gjithmonë me ngrohtësinë e prindit.

Në moshën 25 vjeçare, në Vlorë, ishte sekretar i Ismail Qemalit, për të cilin ruajti gjithmonë respektin e bindjen se “Plaku i Vlorës” ishte një atdhetar i panjollë që punonte për Shqipërinë. Besnik i kësaj bindjeje u kundërvu ndaj Esat Pashë Toptanit, njeriut që kishte vendosur drejtimin e shkollimit të tij, gjë të cilën për pak e pagoi me kokë. I dorëzuar tek Esati si pasojë e kërcënimit të tij për të vrarë të gjithë meshkujt e familjes, nuk nguroi t’i thotë atij në sy arsyen e qëndrimit të tij. Para një rreziku vdekjeje duhej guxim e kurajo të shpalosje bindjet dhe armiqësinë ndaj të fuqishmit, duke patur duart e lidhura. Guximi dhe kurajoja ishin pjesë përbërëse të karakterit të tij që nuk parapëlqente dredhat dhe transformimet e politikës. Ishte më shumë një Burrë Shteti se sa një diplomat, punonte më shumë i shtyrë nga parimet e bindjet se sa nga interesat vetiake. Madhore për të ishin vetëm interesat e Shqipërisë, ashtu siç i konceptonte ai. Para tyre mund të sakrifikoheshin të gjitha: fitimi, pozita madje edhe familja. Për të mbrojtur ata interesa, nuk nguron të sfidojë opinionin publik, të rrezikojë “komprometimin” e të verë në lojë karjerën e mirëqënien. E bëri më 1915 përballë Esat Pashës; më 1922 kur organizoi me Zija Dibrën kryengritjen e marsit; më 1927 kur u largua nga KONARE, mbasi pa të mbizotëronte në të fryma filosovjetike; më 1936, kur i u drejtua shokëve të mërgimit me një letër, në të cilën propozonte ndryshimin e qëndrimit ndaj Mbretërisë shqiptare, mbas ardhjes në fuqi të Qeverisë së Mehdi Frashërit; më 1938, kur përfaqësuesit të qeverisë italiane në bisedime i u drejtua me fjalët “Le të qëndrojë Zogu edhe njëqind vjet të tjera në qeverisjen e Shqipërisë…”; në nëntor 1941 kur mori përgjegjësinë e qeverisë nën pushtim me të vetmin qëllim për të shmangur një fitore të komunizmit n’Atdheun e tij; më 28 nëndor 1942 kur i priu demostruesve në Vlorë me flamurin në dorë; në janar 1943, kur dha dorëheqjen si Kryeministër në shenjë thyerjeje të bashkëpunimit me italianët; më 1952 kur i u drejtua Departamentit Amerikan të Shtetit për strehim politik, duke argumentuar arsyet e qëndrimit pro boshtit në luftën e dytë botërore.

Sa i vendosur ishte të mbronte bindjet e tij politike, shkencore apo morale, po aq i gatshëm ishte t’i diskutonte ato hapur, ndershmërisht. I ndjeri Mark Temali më tregonte në kampin e Gradishtës se si një bisedë prej dy orësh me ish kryeministrin e kishte kthyer nga një kundërshtar të Qeverisë në një bashkëpuntor të saj, duke pranuar detyrën e federalit në Korçë.

Mbas fjalimit në kinema “Savoja” me titull “Në hullí të historisë” qe i gatshëm të priste këdo që dëshironte të bisedonte sy më sy me të për problemet e Vendit dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Nuk kishte paragjykime t’asnjë forme, prandaj ishte i gatshëm të dëgjonte pikpamjet e të tjerëve, të çdo moshe, të çdo sëre, të çdo krahine, të çdo bindjeje politike, mjaft që t’i shërbenin çështjes shqiptare.

Ishte një njeri që i pëlqente rregulli në jetën e zakonshme dhe serioziteti në punë. I përkushtohej skajshmërisht çdo lloj aktiviteti që ndërmerrte, si atij intelektual e shkencor apo politik, si dhe çështjeve familjare, të farefisit apo të rrethit shoqëror e miqësor. Ishte një kundërshtar i vendosur i anarkisë, i çrregullimeve, i punës shkel e shko, i mungesës së seriozitetit. Në konceptet e tij për jetën publike një vënd të veçantë zinte elementi disiplinë, pa të cilën ai nuk e kuptonte mbarëvajtjen e Shtetit dhe të institucioneve të tij. Disiplina nuk ishte një nënshtrim i verbër ndaj autoritetit epror, por një ndjenjë respekti ndaj detyrës që kishte secili, një ndjenjë përgjegjësie ndaj zbatimit të rregullave e ligjeve të miratuara nga institucionet.

Një veti tjetër e karakterit të Mustafa Krujës ishte mungesa e ndrojtjes për të njohur gabimet edhe në hapësirë kohe. Në “Kujtimet..” ai, djegien e shtëpisë në Krujë mbas dështimit të lëvizjes së marsit 1922, nuk i a vesh “barbarisë” së Shtetit, por fajit të tij. Në fakt atë lëvizje, së bashku me revolucionin e qershorit 1924, mbas kalimit të viteve, i quajti veprime të dëmshme për ecurinë demokratike të jetës politike shqiptare. Në këtë kuadër mund të vendosen edhe ndryshimet e qëndrimit ndaj kundërshtarit të rreptë të tij, Ahmet Zogut. Tërësia e marredhënieve të tyre, që nga njohja në moshë fare të re në një shkollë të Stambollit e deri tek fqinjësia vëllazërore n’Aleksandri t’Egjyptit, përmban ne vetvete gjithshka nxori në pah politika shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Ajo ishte shprehje e idealeve por dhe e interesave, e respektit ndaj kundërshtarit por edhe e luftës së pamëshirshme ndaj tij, e vlerësimit të tij privatisht por edhe e denigrimit publik, e qëndrimit ngulmues në bindjet por edhe e ndryshimit të përkatësive politike.

Në vjeshtën e vitit 1943, kur u pa se fitorja e Boshtit, me të gjitha përfitimet e Shqipërisë etnike, po largohej gjithënjë e më tepër, ndërsa ajo e Aleatëve, me rrezikun e mbizotërimit të komunistëve në strukturat e qëndresës antifashiste, bëhej më e prekëshme, Mustafa Kruja ariti në përfundimin se Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: mobilizimin e të gjitha forcave të shëndosha të Kombit nën drejtimin e Mbretit të mërguar. Që nga shtëpia e Kapidan Gjonit në Shkodër niset mesazhi për kundërshtarin e shumë viteve: “ Si mue si Kapidanin e Mirditës do t’na kesh bashkëpuntorë e përkrahës!”. Ishte dora e shtrirë Mbretit dhe njohja e vetëdijshme e rolit dhe aftësive të tij, jo për komoditet politik apo përfitim vetiak, por për një bindje të thellë se kjo ishte rruga e shmangies së një katastrofe, të cilën ai e kishte paralajmëruar në të gjitha mënyrat. Para këtij synimi të gjitha vlerësimet, qëndrimet, mëritë e së shkuarës liheshin mënjanë, i dorëzoheshin kohës e historisë. Ishte pa dyshim një tregues burrërie e shqiptarizmi, ashtu siç kishte qënë, një vit më parë, mbrojtja e tezës se Shqipëria e bashkuar me Kosovën në gjysëm lirie ishte më e pranueshme se ajo pa Kosovën në liri.

Kjo ishte me pak fjalë figura e Mustafa Krujës, mbi të cilën është hedhur sistematikisht balta e shpifjeve dhe diskreditimit. Ajo është e lidhur me një epokë, tashmë të largët, me një mendësi, një mënyrë të konceptuari të çështjes shqiptare, në një nga periudhat më të ndërlikuara të një shekulli të shënuar nga tragjedi të të gjitha niveleve. Ashtu sikurse ajo mendësi, në tërësinë e saj, po ashtu edhe ajo figurë presin sot një rivlerësim objektiv e të paanshëm, nga sita e historisë së vërtetë. Fatkeqësisht strukturat shkencore, politike, kulturore të Vendit tonë nuk janë ende në gjëndje t’a bëjnë, ato mbeten të ngujuara në kullat ideologjike të mendimit komunist. Konferenca përkujtimore në sallën Balsha të Hotel Tirsanës qe një hap i fuqishëm n’atë drejtim. Kumtesat e mbajtura në atë sallë, nga studjuesit e shquar që shpalosën opinionet e tyre janë një dëshmi. Atyre u shkon falënderimi i përzemërt jo vetëm i familjes e farefisit të Mustafa Krujës, por dhe i atij opinioni shoqëror që është i etur të njohë, në termat e tij të vërteta, të shkuarën e Vendit të tij.

Rishkrimi i historisë, kryefjala e këtij tubimi, duhet të jetë një proçes i thellë, i pandërprerë, i tejdukshëm, cilësor, në vazhdimësi, një proçes rindërtimi mbi kritere të së vërtetës të së shkuarës sonë, dukuri kjo e domosdoshme për të davaritur mjegullnajën e stërmadhe të mashtrimit që, për më shumë se gjysëm shekulli, ka errësuar mëndjet e shqiptarëve duke çoroditur idetë e tyre.
Dhjetor 2008

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA -1
Tiranë 2011

blank

Raportet e këqija me Vjosa Osmanin, Edi Rama orkestron sulme kundër saj

Tashmë janë evidente raportet e tensionuara mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama. Ato u manifestuan edhe në Nju Jork gjatë ditëve të fundit, ku le që nuk u takuan me njëri-tjetrin, as sa për kurtoazi, por nga qëndrimi i tyre atje lindi edhe një konflikt i ri. Në vend të një reagimi nga Rama, kundër Osmanit u sulën gazetarët e tij dhe mediat që kanë seli në Tiranë.

Aty ku u bie të takohen, në forume ndërkombëtare, Edi Rama e Vjosa Osmani, sillen sikur të ishin nga dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Njësoj ndodhi edhe në Nju Jork gjatë 7-8 ditëve të fundit qëndruan të dy. Si pjesëmarrës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, Osmanit e Ramës u ra të shihen në takimin që e organizoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në pamjet që i publikoi Kryeministri në largim i Malit të Zi Dritan Abazoviq, Rama e Osmani nuk u panë duke i shtrënguar duart.

Kur Presidentja Osmani dha një intervistë për Zërin e Amerikës nuk e la pa u marrë me Ramën.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore”, tha ajo.

Tutje, Presidentja i përmendi raportet me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, me të cilin tha se “ka raporte të shkëlqyeshme”.

“Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve” tha Osmani.

Rama, i cili kohëve të fundit ka rregulluar pak raportet me Kryeministri Kurti, në fjalimin e tij në OKB një pjesë të madhe ia kushtoi Kosovës, më saktësisht raportit të Dick Martyt, të cilin e  ka marrë përsipër ta kontestojë aty ku është miratuar, në Këshill të Evropës.

Për këtë fjalim, te një pjesë e eksponentëve politikë u thanë fjalë të mëdha ndërsa u kritikuan Kurti e Osmani, të cilëve iu kërkua që t’i bëjnë jehonë fjalimit të Ramës për krerët e UÇK’së që ndodhen në Hagë.

Ai nuk u mor fare me Vjosa Osmanin. Por këtë e bënë media të afërta, të cilat iu sulën Osmanit.

U shkruan se ajo e ka përjetuar më keq fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në sallën e OKB, se vetë Serbia.

“E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës dhe Shqipërisë, e ka përjetuar si një e ftuar e papërfillur e Asamblesë dhe mbi të gjitha, si një fjalim që ajo nuk di as ta lexojë, dhe jo më ta shkruajë” shkruante një media në Tiranë.

“Duket qartë se ajo nuk e duron dot Shqipërinë as kur e mbron Kosovën. Dhe për të justifikuar sikletin e saj në sallë, kur vendin e saj e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ndërsa ajo i kërkonte foto presidentit të SHBA me Dua Lipën, shpërtheu tek Zëri i Amerikës, duke akuzuar Edi Ramën se po ja shpëton fytyrën Serbisë”, vazhdon artikulli.

Lajmi që implikon edhe Dua Lipën, u dha në një media tjetër që ka raporte të ngushta me Ramën.

Sipas tyre, Osmani ka kërkuar takim me Presidentin Biden duke thënë se do të shkojë te ai me Dua Lipën, yllin kosovar të muzikës në skenën ndërkombëtare.

Ky lajm u përgënjeshtrua shpejt nga Presidenca.

“Demant. Presidentja Osmani asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në të cilën thotë se do ta marrë me vete edhe Dua Lipën në takim. Të gjitha letrat e Presidentes dërguar Presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk e kanë pasur një përmbajtje të tillë.

Prandaj, raportimet e tilla nga disa mediume, janë të pavërteta” shkroi Bekim Kupina këshilltari për media i Presidentes.Express

blank

Mediat turke ‘shuplakë’ Ramës: Shkolla dhe kopshti u mbyllën me kerkesë të Erdogan

Ndërsa kryeministri Edi Rama vazhdon të mohojë se pas vendimit të qeverisë për mbylljen e kolegjit Mehmet  Akif dhe kopshtit Turgut Ozal, fshihet plotësimi i kërkesës së vazhdueshme të  Presidentit  Rexhep Taip Erdogan,  duket se ne Turqi, situata është e qartë. 

Sipas mediave turke, insitucionet arsimore, të Kompanisë Turgut Uzal, u mbyllën me kërkesë të Presidentit të Turqisë, Erdogan.  “Takvim”, një gazetë pranë qeverisë në Turqi, shkruan se mbyllja e kopshtit dhe shkollës erdhën “pas përpjekjeve të gjata diplomatike dhe vizitës së fundit të Presidentit të Turqisë në Ballkan”.

Sipas “Takvim”, qeveria shqiptare vendosi mbylljen e këtyre shkollave dhe përzënien e mësuesve prej tyre pas aktivitetit të shtuar të diplomacisë turke.

Shkollat u mbyllën pas përpjekjeve diplomatike të Turqisë. Menjëherë pas vizitës së Presidentit Erdogan në Ballkan filloi edhe mbyllja e aktivitetit të tyre duke i përzënë prej andej. Pas kopshtit të kompanisë “Turgut Ozal”, u mbyll edhe kolegji “Mehmet Akif”, shkruan Takvim në faqen e saj.

Në të njëjtën linjë e kanë raportuar ngjarjen edhe gazetat  “Aksam” si edhe televizioni shtetëror turk, TRT.

Kryeministri Edi Rama, e ka argumentuar,  mbylljen e  këtyre insitucionev e arsimore, të cilësuara si të financuara nga Fondacioni Gylen, me moszbatimin e ligjit, për marrjen e licensës pas ndryshimit të godinës.  Por vendimi  I qeverisë,  erdhi disa muaj, pas ultimatumit  të presidentit Erdogan, I cili  kërkoi të merren masa kunder  organizates FETO në Shqipëri, në mënyre qe marredheniet mes dy vendeve mos të erresohen.

Pas mbylljes së kopshtit dhe kolegjit të vajzave,  në nisje të vitit  të ri shkollor, më shumë se 400 fëmijë dhe adoleshentë, u lënë jashtë bankave të shkollës ndersa dhejtra mesues,  ngelen te papune.   syri.net

blank

Pse e mohoi Rama kapriçion 3.7 milionë euro në kryeministri

Që Edi Rama është maniak i arredimit, fasadave dhe gjithçka që lidhet me imazhin, kjo nuk është lajm. Prekja e piktorit u dha ngjyrë korridoreve dhe fasadës së Ministrisë së Kulturës. Nuancat në veshje bënin gjithnjë diferencën me kostumet gri të politikanëve të kohës.

Kurimi i imazhit provokativ i dha formë politikanit kontravers, që e përshtati zyrën e Bashkisë së Tiranës sipas shijes së tij, bojatisi pallatet, mbrojti idenë e mbjelljes së pëmve të shtrenjta në rrugët e kryeqytetit, vendosi “kërpudhën” kuqeblu në oborrin e kryeministrisë, markizën që pulson si në hyrjen e një diskoje, COD-in, mini-kinemanë, pikturat në mure, koshin e basketbollit dhe lapsat e panumërt. Estetika e definon Edi Ramën. Ka qenë kartvizita e tij si politikan. Dikur ai mburrej me të.

Prandaj mohimi që i bëri instalacionit gjigand, të quajtur “Parku Eden” që do të vendoset në kryeministri, ishte i pazakontë. Në vend të formës, ai theksoi përmbajtjen. Në vend të estetikës, funksionin.

“Qeveria ka ndërmarrë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do të shtrihet në të gjitha institucionet, nga kryeministria tek ministritë, dhe nuk bëhet fjalë për një vepër arti, por për një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me krijimin e një mikroklime dhe mjediseve të reja të punës që ka nevojë aty dhe nuk është diçka që bëhet për mua apo për ne” u shpreh kryeministri, kur doli nga mbledhja e kryesisë së PS.

Instalacion 3.7 milion euro dhe thirrje për kursim

Ndryshe nga çfarë thotë Edi Rama, investimi në oborrin e kryeministrisë është në radhë të parë një atraksion, që merr kuptim vetëm për hir të prejardhjes së Edi Ramës si artist.

“Parku Eden” është projekt i studios “Precht” e themeluar nga arkitekti austriak Chris Precht, e specializuar në përdorimin e materialeve natyrale me ndikim të pakët në mjedis.

Mohimi që i bëri Rama si një projekt atraksioni në radhë të parë, vjen si pasojë e krizës ku po kalon vendi. Qeveria ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për të nxitur kursimin e energjisë.
Në fillim të muajit hyn në fuqi një llogaritje e re e faturimit të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë do ta paguajnë 4 herë më shumë pjesën e mbetur.

 

Në anën tjetër, zv.kryeministrja Balluku ka këshilluar qytetarët të ecin në këmbë dhe të shmangin lëvizjen me makinë, ndërkohë që duhet ta mbajnë sa më pak hapur derën e frigoriferit.

Rritja e çmimeve ka rënduar xhepat e konsumatorëve, që nga ushqimet bazë deri tek karburantet.
Kësisoj, kur qytetarëve iu kërkohet të shtrëngojnë rripat se ka luftë në Ukrainë, si mund të justifikohet shpenzimi i 3.7 milion eurove për një kapriçio të kryeministrit?

Në këtë situatë, zgjedhja e Ramës për të shpenzuar miliona euro mbi këtë projekt ngjan me një tekë personale të tij, tipike për politikanët që për nga mënyra e jetesës i ndan me qytetarët një hendek i madh./Lapsi.al

blank

Pesë mësime nga Italia – Nga Ditmir Bushati

Të mësuar me “rrëmujën” e politikës italiane, por edhe me faktin se lidhja mes Shqipërisë dhe Italisë është e fortë dhe shtrihet përtej qeverive të radhës, nuk para i japim vëmendjen e duhur ndryshimeve politike atje, të cilat janë të shpeshta. Aq më tëpër që këto ndryshime nuk përjetohen me dramaticitet nga vetë italianët, por janë pjesë organike e sistemit demokratik. Edhe pse shpesh na pëlqen ta krahasojmë veten me italianët për stilin e jetës, veshjeve dhe ushqimit dhe përpiqemi të nxjerrim në pah përkatësinë tonë mesdhetare, për nga mënyra sesi e lexojmë dhe ushtrojmë politikën jemi të prapambetur.
Përjetimi i zgjedhjeve të sapopërfunduara në Itali nga komentet e ndryshme në rrjetet sociale dhe hapësirën mediatike shqiptare më sollën në vëmendje të njëjtat përjetime si me fitoren e Presidentit Trump në vitin 2016 në SHBA; zgjedhjet e 2018-ës në Itali që konfirmuan si forcë të parë politike Lëvizjen e Pesë Yjeve; apo fitoren e Syrizas dhe referendumet e njëpasnjëshme në Greqi. Me pak fjalë, më shumë sesa tek pylli (fenomeni) e kemi huq të keq të përqendrohemi tek pema (individi), në funksion të agjendës politike të ditës.
I.
Mesazhi kryesor nga zgjedhjet e sapopërfunduara në Itali është se mbështetësit më të vendosur të qeverisë së unitetit të Mario Draghit humbën keq. Biles më keq se sa parashikonin sondazhet. Fratelli d’Italia, partia kryesore opozitare e drejtuar nga Giorgia Meloni, e cila nuk u bë pjesë e qeverisë Draghi është fituesi i madh. Lëvizja e Pesë Yjeve, e cila i “hoqi prizën” qeverisë Draghi gjithashtu arriti një rezultat më të mirë krahasuar me parashikimin e sondazheve. Megjithëse qeveria Draghi ka bërë një punë të lavdërueshme dhe është e respektuar në arenën ndërkombëtare, mesa duket italianëve ju sos durimi për qeveritë që formohen jo si rezultat i votës popullore, por për shkak të algoritmeve të kulisave politike e financiare.
II.
Mesazhi i dytë nga këto zgjedhje është se nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis të majtës dhe të djathtës, përsa i përket mbështetjes popullore. Por natyrisht, brenda koalicionit fitues të së djathtës bie në sy rezultati historik i partisë së Giorgia Melonit. Ndërkohë, rezultati për Legën e Matteo Salvinit është zhgënjyes, krahasuar me zgjedhjet e 2018-ës. Kjo, pa dyshim, e dobëson pozitën e partisë së tij brenda koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Është fakt i pamohueshëm se që prej rënies së qeverisë Draghi, Meloni konsiderohej si kryeministrja në ardhje. Ndaj, ajo nuk nguroi të lëshonte sinjale qetësimi në drejtim të tregjeve financiare dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Meloni u zotua për të rinegociuar me BE-në fondin e rimëkëmbjes së Italisë. Ndërkohë që qëndrimet e saj për agresionin rus në Ukrainë dhe rolin e NATO-s nuk lënë vend për spekulime.
Për herë të parë në historinë e saj Italia do të ketë një grua kryeministre. Çështjet sociale, shkalla e ulët e lindshmërisë në Itali, çështjet e identitetit përkundrejt politikave skllavëruese të tregjeve financiare, janë disa prej temave ku Meloni është pozicionuar qartë dhe ka siguruar mbështetjen e italianëve. Ajo dhe partia e saj mbrojnë gjithashtu një sistem presidencial për Italinë, megjithëse kjo ka pak gjasa të realizohet. Mendimet e saj mbi politikën ekonomike nuk shtrihen shumë përtej taksimit të sheshtë dhe rolit më ndërhyrës të shtetit tek ndërmarrjet e mëdha.
Mbetet të shihet se si do të veprojë Meloni në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Italinë dhe Europën. Eksperienca e saj e vetme në qeveri, deri më tani, ka qenë si ministre e rinisë gjatë mandatit të fundit të kryeministrit Silvio Berlusconi. Ajo është bërë e njohur gjatë kohës së saj si politikane në opozitë. Ndryshe nga më parë, asaj do t’i duhet të përballet me një krizë të mundshme të borxhit sovran apo një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë. Gjithashtu, Meloni do të duhet të bashkëpunojë me partnerët e koalicionit, Salvinin dhe Berlusconin, për të garantuar qëndrueshmërinë pesë vjeçare të qeverisë.
III.
Mesazhi i tretë i këtyre zgjedhjeve është gabimi në strategjinë e përballjes me Melonin dhe përçarja e partive të qendrës së majtë. Është e vështirë të thuash saktësisht se çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike pas dorëheqjes së parevokueshme të Enrico Lettës, i cili u rithirr në skenën politike për të marrë drejtimin e partisë, pas përçarjeve të mëdha dhe humbjes së lidhjeve me rrënjët, që e kanë gjenezën tek koha e drejtimit të partisë nga Matteo Renzi. Zgjedhjet dëshmuan se linjat e sulmit të Partisë Demokratike dhe nxitja e frikës në popull për të parandaluar ardhjen e Melonit në krye të qeverisë, sikundër strategjia e “djegies së urave” me aleatë të mundshëm si Pesë Yjet, dështoi. Një koalicion parazgjedhor i PD-së me Pesë Yjet mund të sillte një tjetër rezultat.
E majta italiane është përballë sfidave të mëdha, për të evituar kësisoj eksperiencat e hidhura të të “majtës së kaviarit” në Francë, apo të laburistëve në Mbretërinë e Bashkuar, që për shkak të arratisjes nga boshti i programatik dhe ai i vlerave në qeverisje dje janë të pafuqishëm për të frenuar ndryshimet e njëpasnjëshme të konservatorëve që tranzitojnë pushtetin brenda llojit sot.
Nga ana tjetër, Pesë Yjet ndihen të kënaqur me rezultatin e tyre. Natyrisht që rezultati është më i dobët krahasuar me vitin 2018, por më i mirë seç pritej pas përçarjeve dhe traumave të brendshme që kaloi partia. Rezultati është deri diku një sukses për ish kryeministrin Giuseppe Conte, me të cilin ai legjitimon rolin e tij përcaktues në rënien e Mario Draghit në muajin Korrik.
IV.
Mesazhi i katërt ka lidhje me të ashtuquajturën votë kundër mënyrës së funksionimit të BE-së. Them kështu, sepse në media gabimisht është lexuar bardhë e zi, si votë anti-europiane. Ndërkohë që partitë fituese kanë parashtruar kritika për mënyrën e funksionimit të BE-së, por jo për daljen e Italisë nga BE-ja. Dhe kjo është normale për një vend që është ekonomia e tretë e BE-së.
Analiza e shifrave na çon në përfundime më të drejta sesa zhytja në detin e paragjykimeve që na imponojnë rrjetet sociale. Në vitin 2018, shumica e italianëve votuan për partitë me qëndrime kritike ndaj mënyrës së funksionimit të institucioneve të BE-së. Asokohe, Lëvizja Pesë Yjet shënoi 32.4%, Partia Lega 17.5% dhe Fratelli d’Italia 4.3%. Pra, në total rreth 54.2% të votave. Në zgjedhjet e këtij viti, mbështetja për partitë që kundërshtojnë mënyrën e funksionimit të institucioneve europiane ra në në 34.9%. Fratelli d’Italia shënoi 26%, Partia Lega 8.9%. Ndërkohë, partia Italexit që promovon daljen e Italisë nga BE-ja mori vetëm 1.9% të votave, duke mos e kaluar dot pragun e përfaqësimit në Parlament. Ndonëse tingëllon paradoksale, një mënyrë e të lexuarit të shifrave ka lidhje me punën e lavdërueshme të qeverisë Draghi me lëvrimin e fondit të rimëkëmbjes nga Pandemia, apo të programit të BE-së për brezin e ardhshëm.
V.
Përtej mësimeve të mësipërme, në planin afatgjatë, ka edhe një mësim tejet të rëndësishëm që vlen gjithandej për politikën. Italisë do t’i duhet të llogarisë faktin se besimi i qytetarëve në sistemin e saj politik po shterret. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte e ulët, me një rënie prej 9% nga zgjedhjet e kaluara. Vështruar në këtë prizëm, mbetet të shohim nëse Giorgia Meloni mund ta kthejë erën në drejtim tjetër, apo nëse do të çimentojë zhgënjimin e përhapur.

blank

Operimi me dronë, një front i ri në luftën e Ukrainës

Ushtarët ukrainas duke u trajnuar për operimin e dronëve në shkollën Kurk. 22 shtator 2022.

Sam Skove

Ruslan, 41-vjeçar, ish-menaxher i shitjeve që kërkoi që të mos i publikohej mbiemri për arsye sigurie, nisi të mësonte sesi të operonte dronët e luftës në fillim të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit.

Njësia e rezervistëve e Ruslanit ishte afër aeroportit Gostomel të Kievit në ditën e parë të luftës kur parashutistët e njësive elite të Rusisë nisën sulmin. Teksa forcat ukrainase u përpoqën të zmbrapsnin forcat ruse, njësia e Ruslanit mësoi se njësia e 72-të e artilerisë kishte nevojë që të shënjestroheshin forcat ruse.

Edhe pse njësia e Ruslanit nuk kishte asnjë trajnim për të operuar dronët, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vendosën të merrnin përsipër këtë detyrë.

“Një prej ushtarëve në ekipin tonë kishte një dron”, kujton ai. “Ne kishim vetëm tetë ushtarë: njëri e fluturonte dronin, të tjerët e ruanim atë”.

Shtatë muaj më vonë, Ruslan është në rotacion nga fronti për të përmirësuar aftësitë e tij dhe po mëson për operimin e dronëve në shkollën e dronëve Kruk në Kiev, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë ukrainase dhe organizatave joqeveritare për të trajnuar mijëra persona për të operuar me dronët gjatë misioneve të rëndësishme ushtarako-zbuluese.

I ulur në një stol së bashku me ushtarë të tjerë pas ndjekjes së ligjëratave, Ruslan shprehu vendosmërinë e tij për të mësuar më shumë: “Ne asnjëherë nuk kemi pasur kohë për të parë pjesën e kontrollit” të dronëve në vijën e frontit, tha ai.

“Problemi më i rëndësishëm”

Përderisa në mediat sociale ukrainase vazhdimisht shfaqen fushata për mbledhjen e parave për blerjen e dronëve për ushtrinë, “problemi më i rëndësishëm për ne është mungesa e pilotëve”, tha Maks, një instruktor 45-vjeçar në Dronarium, një tjetër shkollë në Kiev ku personeli ushtarak mëson për përdorimin e dronëve.

Edhe Maks kërkoi që mbiemri të mos i publikohej për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

“Ka një problem të madh me operatorëve e dronëve në Ukrainë”, tha Anton Frolov, kryeinstruktor në shkollën e dronëve në Kruk.

“Ne nuk kemi mjaftueshëm pilotë me përvojë”.

Nevoja për operatorë të tillë është e madhe për shkak të rolit të rëndësishëm që këto pajisje mund të luajnë në zbulimin e pozicioneve të armikut dhe të pikave të tij të dobëta.

“Nëse e fitojmë qiellin, ne e fitojmë luftën”, tha Frolov.

Edhe pse janë më pak të avancuar, dronët komercialë që janë në dispozicion “janë asete kyçe” sipas Samuel Bendett, analist në Qendrën për Analiza Detare me seli në Shtetet e Bashkuara.

 

Lufta e dronëve

Në luftën në shkallë të gjerë e Rusisë me Ukrainën – që tani ka hyrë në muajin e tetë – janë shfaqur dronë që përdoren për shumë role. Të dyja palët kanë dislokuar dronë ushtarakë të avancuar, të aftë për të fluturuar deri në 300 kilometra dhe për të mbledhur informacione të inteligjencës apo për të kryer sulme vdekjeprurëse.

Dronët civilë, megjithatë, përdoren më shumë, veçmas nga pala ukrainase.

Dronët komercialë – që kushtojnë shumë më pak se dronët ushtarakë – që fillimisht u ndërtuan për fotografime nga ajri, tani po përdoren për të zbuluar vendndodhjen e tankeve të armikut dhe depove të furnizimit.

Në fillim të korrikut, ushtria ukrainase në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital, nisi nisëm e “Ushtrisë së Dronëve”.

 

Kjo nismë mbledh para për blerjen e dronëve ushtarakë, po ashtu udhëheq një program të donacioneve civile për dronët dhe punon me shkollat e dronëve civilë për t’iu ofruar trajnime për operimin e dronëve nga ushtria.

Një pilot i dronëve për çdo togë

Por, më të çmueshëm se dronët janë operatorët e kualifikuar të dronëve, të cilët janë të trajnuar për të shfrytëzuar sa më shumë teknologjinë.

Kur nisi lufta, shumë civilë entuziastë ngarendën që të bëheshin pilotë të dronëve. Por, këto kuadro të patrajnuara shkaktuan humbje të mëdha, tha instruktori i shkollës Dronarium, Maks.

“Ata pësuan humbje të mëdha”, tha ai. “Ata e panë fluturimin në luftë përmes prizmit të fluturimeve në kushte civile”.

Në disa raste, Rusia i identifikoi dhe i shënjestroi pozicionet e operatorëve, duke shfrytëzuar një veçori kyçe të sigurisë për t’iu ndihmuar forcave të rendit, u tha në deklaratën e ministrit të Transformimit Digjital, Mykhailo Federov.

Nevoja shumë e madhe për operatorë të kualifikuar po nxit ambiciet e Ukrainës për të arritur qëllimet sa i përket operatorëve të trajnuar.

“Ne planifikojmë të trajnojmë rreth 2.000 operatorë në dy apo tre muajt e ardhshëm”, tha Fedorov në gusht për Forbes Ukraine.

Shkollat e dronëve Kruk dhe Dronarium kanë pranuar donacione për të vazhduar operacionet e tyre, por edhe kanë pranuar ndihmë financiare nga Ministria e Transformimit Digjital.

Shkolla për operimin e dronëve, Kruk, që nga prilli ka trajnuar 400 operatorë, tha për Radion Evropa e Lirë instruktori i kësaj shkolle, Frolov. Ndërkaq, shkolla Dronarium ka trajnuar 871 operatorë që nga nisja e luftës, sipas informacioneve të postuara në ueb-faqen e kësaj shkolle.

Oleksandr, shef i trajnuesve në Dronarium, tha se shkolla aktualisht po trajnon rreth 400 operatorë në muaj, në tri qendra në Ukrainë.

Ai tha se dëshiron që çdo togë të ketë një operator të dronëve. Duke pasur parasysh se madhësia e ushtrisë së Ukrainës në kohë lufte është prej 700.000 trupash, arritja e këtij objektivi nënkupton se duhet të trajnohen mijëra operatorë.

Pesë minuta

Në qendrën për trajnime në Kiev të shkollës Kruk, instruktori 25-vjeçar, Ilya Trokhin, po trajnonte një grup studentësh në një mëngjes të ftohtë shtatori.

“Largoje kokën që aty”, u dëgjua duke i bërtitur Trokhin një studenti, që po ushtronte nisjen e një droni nga pëllëmba e dorës së tij.

Instruktori i operimit të dronëve, Ilya Trokhin.

Instruktori i operimit të dronëve, Ilya Trokhin.

Disa minuta më vonë, një student tjetër preu gishtin në helikat e dronit.

Trokhin, që ka mësuar operimin e dronëve para nisjes së luftës pasi ai xhironte miqtë e tij duke skijuar, tha se një tregues i fuqishëm sesa mirë një student do të performojë në kursin pesëditor, është niveli i interesimit që shfaq.

“Është shumë e rëndësishme që vetë kadeti të dëshirojë të mësojë”, tha ai për REL-in, teksa disa studentë po praktikonin se si të nisnin dhe ulnin një dron.

Instruktorët në Kruk dhe Dronarium thanë se është shumë e rëndësishme që studentët të mësojnë se si të shmangin zbulimin teksa janë duke operuar me dronë. Në shkollën Dronarium, studentët mësojnë se si të përdorin tendat e kamuflazhit për të fshehur pozicionet e tyre.

Operatorët po ashtu mësojnë se si të reagojnë nëse njësitë ruse marrin kontrollin e dronëve të tyre. Oleksandr nga Dronariumi tha se kjo varet krejt nga situata: një operator i dronëve mund të vazhdojë të fluturojë pajisjen për aq kohë sa e ka kontrollin e lëvizjeve të tij, edhe nëse humb kontrollin e disa prej funksioneve të tjera.

Shkolla Kruk po ashtu ofron trajnime për operacione të bombardimeve për ata studentë që janë të interesuar. Ata trajnohen për lëshim të bombave të vogla që kanë peshë të njëjtë me ato që përdoren gjatë luftimeve.

Një bombë e rreme që përdoret për trajnim në shkollën Kurk.

Një bombë e rreme që përdoret për trajnim në shkollën Kurk.

Rrëfimet e instruktorëve reflektojnë natyrën ad-hok të nxitimit të Ukrainës për të trajnuar numër sa më të lartë të operatorëve të dronëve.

Një instruktor 28-vjeçar në Dronarium, më herët kishte shërbyer si asistent i operatorit të dronëve afër Harkivit, edhe pse nuk kishte pasur asnjë eksperiencë praktike të fluturimit të dronëve. Kur operatori i dronëve u largua nga batalioni, ai u promovua në postin e operatorit, duke mësuar aty për aty punën.

Shkolla Dronarium ofron trajnime vetëm për dronët komercialë. Oleksandr tha se manuali 30T është veçanërisht i dobishëm, pasi modelet e dronëve që kushtojnë 10.000 dollarë zakonisht shiten për përdorime në sektorët e bujqësisë dhe industrisë sesa për zbulimin e ushtarëve rusë.

Dronët nuk përdoren menjëherë sapo të nxirren nga kutia. Pa dhënë specifika, Oleksandr tha se modifikimet bëhen për të mbrojtur dronët nga detektimi i forcave ruse.

Një ushtar ukrainas, i njohur me nofkën Akela, konfirmoi se sistemet ruse kundër dronëve janë shumë aktive në frontin e luftës. Sipas Frolovit, jetëgjatësia e një droni civil në fushëbetejë është rreth pesë minuta, për shkak të pajisjeve ushtarake elektronike të Rusisë.

Përpjekja e Ukrainës për të trajnuar më shumë operatorë të dronëve është një garë me Rusinë, e cila po ashtu po trajnon ushtarët për përdorimin e dronëve komercialë.

Më herët gjatë këtij muaji, civilët rusë – së bashku me operatorët e “vijave të frontit në zonat e pushtuara nga Rusia në lindje të Ukrainës – mbajtën një garë për dronët dhe një seri ligjëratash në qytetin perëndimor rus të Novgorodit, në mënyrë që të ndanin njohuritë në mesin e operatorëve të dronëve ushtarakë.

Një kanal në mediat sociale, që ishte i lidhur me këtë ngjarje ruse, postoi përfundimet kyçe të këtij ngjarje, duke theksuar se “ka një deficit të madh të operatorëve të kualifikuar të dronëve, por edhe një deficit edhe më të madh të instruktorëve të mirë”.

Pjesëmarrësit në këtë kurs, sipas organizatorëve, thanë se komanda e ushtrisë ruse ka mbyllur veshët sa i përket nevojës për më shumë dronë.

Ukraina, ndërkaq, po përshpejton fushatën e trajnimit të operatorëve dhe të blerjes së dronëve shtesë.

“Ata nuk na lanë asnjë zgjidhje tjetër”, tha Fedorov për REL-in. Duke bërë me dorë drejt një karrigeje që gjendej pranë tij, ai shtoi: “Nëse kjo karrige do të mund të fluturonte, ne do ta përdornim atë në luftime”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, gisht në sytë e Perëndimit

Më 23 shtator, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Selakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve.

Maja Zhivanoviq, Dushan Komarçeviq

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan shpjegim nga Serbia për atë që ministri i Jashtëm i këtij vendi ka nënshkruar me homologun e tij rus në Nju Jork, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Duke folur për gazetarët në Beograd, Hill ka thënë se, javën e kaluar, në Nju Jork janë mbajtur bisedime të shkëlqyeshme midis delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë, por se në fund të tyre është mësuar për nënshkrimin e një protokolli.

“Në këtë kohë, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë. Shumë pak edhe e bëjnë këtë. Vetëm ata rekrutë të mjerë që po mobilizohen për të shkuar në luftë [në Ukrainë]”, ka thënë ambasadori amerikan.

Dokumenti për bashkëpunim që kanë nënshkruar Serbia dhe Rusia, ka shkaktuar reagime të furishme brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë kanë thënë se duhet të mendojnë edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Marrëveshja e nënshkruar nga udhëheqësit e diplomacisë së Serbisë dhe të Rusisë, në rrethana të rregullta gjeopolitike, është një dokument i zakonshëm në diplomaci, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.

Por, shton ai, pushtimi i Ukrainës nga Rusia hedh një dritë tjetër mbi këtë veprim, nga i cili, siç thotë, përfiton kryesisht Federata Ruse, e cila aktualisht është e izoluar nga marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Çdo letër, qoftë edhe e kësaj natyre, bie në sy, shkakton dyshime dhe paraqet një hap të rëndësishëm për Rusinë… se ky izolim është thyer dhe se ka vende që po e kontaktojnë atë dhe po nënshkruajnë marrëveshje me të”, thotë Gjukiq.

Sipas tij, edhe Serbia ka bërë një lëvizje të pamenduar.

“Me këtë lëvizje, Qeveria serbe u ka futur gishtin në sy si Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe Bashkimit Evropian, ku i ka interesat e saj më të mëdha – ekonomike, politike, investuese e të gjitha”, thotë Gjukiq.

Serbia, edhe pse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht kërkesave të Perëndimit.

Serbia është e varur nga gazi rus dhe hulumtimet tregojnë se shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si vend mik dhe kundërshtojnë masat kundër saj.

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se respektojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

Por, kjo nuk e ka penguar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë që të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë dhe të konfirmojë vazhdimin e bashkëpunimit me atë vend.

Nënshkrimi i marrëveshjes

Më 23 shtator, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, kanë nënshkruar Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve për dy vjetët e ardhshëm.

Sellakoviq është ministër me mandat teknik, pasi në Serbi pritet të formohet Qeveria e re, pas zgjedhjeve që janë mbajtur në prill të këtij viti.

Sellakoviq është zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq, e cila ka fituar më së shumti vota në këto zgjedhje.

Kryeministrja e deritashme e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka fituar mandatin për të formuar edhe Qeverinë e re, por nuk dihet nëse Sellakoviq do të mbajë ose jo ndonjë post në Qeverinë e re.

Plani i Konsultimeve i Ministrive të Jashtme për periudhën 2023-2024 është nënshkruar në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka postuar në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.

Nga videoja mund të konstatohet se Plani i Konsultimeve është nënshkruar në ambientet e misionit rus në Kombet e Bashkuara.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia ka nënshkruar me Rusinë që nga 24 shkurti, kur shteti rus ka nisur pushtimin e fqinjit të tij.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike.

Dënimet nga Brukseli

Bashkimi Evropian ka kritikuar marrëveshjen diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se blloku është “seriozisht i shqetësuar” për afrimin e Serbisë me Rusinë.

“Ne po jetojmë në kohën e një agresioni të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër shtetit sovran të Ukrainës. Marrëveshja për Konsultime të rregullta midis Ministrive të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë agresore, në këtë moment, jep një sinjal veçanërisht të fortë të synimit [të Serbisë] për të forcuar bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë Stano.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se në rrethanat aktuale, BE-ja “pret që Serbia të qëndrojë krah saj, në mbrojtje të vlerave evropiane dhe ligjit ndërkombëtar”.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me Rusinë, Serbia ka dërguar një mesazh krejtësisht të kundërt, edhe pse ka thënë se nuk do t’i njohë rezultatet e [të ashtuquajturave] referendume që Rusia po zhvillon në territorin e pushtuar të Ukrainës”, ka thënë Giaufret.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, ka thënë se nënshkrimi i “planit për konsultime” midis Serbisë dhe Rusisë është një “goditje” mbi procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar Ukrainën, një vend kandidat për në BE. Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, ka thënë Billçik.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, e ka cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes si “skandal të rëndë”. Sipas saj, Serbia ka nënshkruar marrëveshje me agresor “në mes të një lufte të furishme”.

“…ndoshta është vetëm një sinjal për ne që t’i ngrijmë negociatat e pranimit evropian [të Serbisë], sepse hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka thënë ajo.

Dënimet nga opozita

Partia opozitare serbe për Liri dhe Drejtësi (SSP) ka thënë se “është e pabesueshme që në momentin kur e gjithë bota po shikon me frikë lëvizjet e Moskës, që kërcënojnë paqen botërore, dhe po shikon vuajtjet e përditshme të popullit ukrainas”, ministri Sellakoviq nënshkruan marrëveshje me një shtet që “shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territorin e një vendi tjetër, të njohur ndërkombëtarisht”.

“Kur e gjithë bota dënon sjelljen e Moskës, ministri ynë teknik i fut gishtin në sy të gjithë botës së qytetëruar dhe nënshkruan një marrëveshje që nuk duhej të nënshkruhej”, kanë thënë nga SSP-ja.

Zyrtari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), Aleksandar Marton, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të anulojë, siç ka thënë, planin skandaloz dhe të dëmshëm.

“Në një luftë në të cilën të gjitha shtetet paqësore dhe demokratike janë në njërën anë – në anën e Ukrainës si viktimë e agresionit – Serbia ka zgjedhur të jetë në anën e gabuar të historisë, së bashku me regjimet kriminale në Kremlin, Damask, Phenjan, Teheran dhe Minsk”, ka thënë Marton.

Deputeti i listës opozitare “Na duhet së bashku”, Gjorgje Miketiq, ka kërkuar që Sellakoviq të shpjegojë në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Serbisë se çfarë saktësisht ka nënshkruar në Nju Jork.

“Në emër të kujt e ka nënshkruar dhe me urdhër të kujt? A ka qenë akt i tij personal, është nënshkruar me urdhër të presidentit të Serbisë apo presidentit të Rusisë? Apo, Qeveria me mandat teknik ka marrë vendim që Serbia të braktisë rrugën e anëtarësimit në BE, për të cilën gjë nuk ka të drejtë”, ka thënë Miketiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë përfshin plani dhe çfarë mesazhi i dërgon Bashkimit Evropian, ministri Sellakoviq ka thënë se “ai dokument po sulmohet nga ata që as nuk e kanë parë”.

Ai ka thënë se Plani i Konsultimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet” dhe ka theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike, siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

Politika balancuese

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në daljet e tij publike shpesh flet për politikën e balancimit. Edhe pse Kushtetuta e Serbisë thotë se ky vend bazohet në parimet dhe vlerat evropiane, zyrtarët në Serbi mbajnë marrëdhënie të ngushta edhe me Rusinë.

Vuçiq është takuar më 24 shtator në Nju Jork me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Ndonëse detajet e atij takimi nuk janë nxjerrë në ueb-faqen e Presidencës së Serbisë, ato mund të gjenden në atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Sipas saj, Lavrov dhe Vuçiq kanë shkëmbyer mendime për situatën në Ballkan dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare. Ata kanë theksuar vendosmërinë e tyre të ndërsjellë për të vazhduar “zhvillimin dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe, thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe dialogun intensiv në nivel të lartë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë ruse.

Vetë Vuçiq, atë ditë, ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq. Ai ka thënë se është ulur në një restorant amerikan dhe se ka porositur një supë ruse.

Iracionaliteti i politikës serbe

Nënshkrimin e dokumentit të fundit nga krerët e diplomacisë së Serbisë dhe Rusisë, Sreqko Gjukiq e vlerëson si një tjetër dëshmi të iracionalitetit të politikës së jashtme të Serbisë.

“Përmes këtij iracionaliteti, ajo dëshiron të tregojë pavarësinë e saj dhe në fund do të ketë pasoja negative”, paralajmëron Gjukiq.

Megjithatë, ai nuk mendon se ky hap mund të ketë pasoja në rrugën evropiane të Serbisë.

Përgatiti: Valona Tela

Send this to a friend