VOAL

VOAL

Rusi-Kroaci, ja formacionet zyrtare

July 7, 2018

Komentet

Ndeshja – ‘Independent’: Shqipëria kundër Serbisë, një përballje me tensione politike. Vuçiç i hedh benzinë zjarrit

INDEPENDENT

Zhurma e turmës apo emocionet e lojës janë tipike për futbollin ndërkombëtar. Por kur Shqipëria dhe Serbia të përballen të shtunën në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026, energjia do të jetë ndryshe.

Ndeshja në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me tre pikët, pasi jehona e përballjeve të kaluara është e pamundur të shpërfillet. Është një përplasje thellësisht e rrënjosur në identitetet kombëtare, që organizatorët po përpiqen me forcë ta mbajnë jashtë fushës.

Kjo është një nga rivalitetet më të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht në futbollin europian, e lidhur me tensione të thella historike dhe etnike, veçanërisht në lidhje me konfliktin e Kosovës dhe historinë më të gjerë të Ballkanit.

Serbia dhe Shqipëria ndodhen në të njëjtin grup kualifikues europian — së bashku me Anglinë, Letoninë dhe Andorrën.

Hera e fundit që u përballën në tokën shqiptare ishte në vitin 2015, kur Serbia fitoi 2-0, edhe pse tifozët serbë ishin të ndaluar të merrnin pjesë në ndeshje.

Përplasja në Beograd më 2014 ende e freskët në kujtesë

Një ndeshje mes ekipeve në Beograd në vitin 2014 u braktis kur një dron, që mbante një flamur shqiptar, shkaktoi një përleshje të madhe. Shqipërisë iu dha fitorja 3-0 pasi u vendos që ndeshja nuk mund të vazhdonte për shkak të mjedisit armiqësor në stadium. Kjo fitore vulosi kualifikimin historik të Shqipërisë në Kampionatin Europian 2016 — për herë të parë në histori.

Ajo ndeshje konsiderohej tashmë me rrezik të lartë. Kosova, me shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 — një lëvizje që Serbia nuk e njeh. Futbolli, shpesh pasqyrë e nacionalizmit dhe politikës, pasqyroi thellësisht këtë ndarje.

Teksa Tirana përgatitet për përballjen më të fundit, kujtimet e asaj nate — dhe ethet nacionaliste që ajo ngjalli — qëndrojnë të pranishme nën sipërfaqe.

Marrëdhëniet e tensionuara të Serbisë me Kosovën

Serbia dhe Shqipëria mbeten në kundërshti për statusin e Kosovës, tashmë shtet i pavarur, dhe rivaliteti mes tifozëve është ende shumë i ashpër.

Pothuajse gjysma e skuadrës shqiptare përbëhet nga lojtarë me origjinë shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut ose jugu i Serbisë.

Për lojtarët, kjo është një përballje e mbuluar nga historia, politika dhe krenaria kombëtare — një kujtesë se nganjëherë sporti nuk është thjesht një lojë.

Mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj, i cili ishte pjesë e ndeshjes së vitit 2014, tha se kaosi “nuk duhet të përsëritet.”

“Duhet të jemi të qetë dhe të vetëdijshëm që jemi futbollistë,” tha ai. “Jemi këtu për të kënaqur tifozët dhe për të dhënë më të mirën për fitoren”.

Organizatorët u kujtojnë tifozëve se është një lojë

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, u bëri thirrje shqiptarëve ta shohin ndeshjen si një ngjarje sportive “ku ekipi merr mbështetje dhe energji pozitive nga tifozët për të arritur qëllimin.”

“Duam të japim mesazhin: ta jetojmë si një festë sportive,” tha Duka për Associated Press.

Do të ketë prani të shtuar të policisë, mbyllje rrugësh dhe kontrolle për tifozët që hyjnë në stadium. Tifozët serbë nuk do të lejohen, gjë që “do të kontribuojë për një ambient më të qetë,” shtoi Duka.

Të dy palët kanë ndërmarrë hapa për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë. Shqipëria dhe Serbia do të bashkë-organizojnë Kampionatin Europian për 21-vjeçarë në vitin 2027, në një projekt që synon të kapërcejë tensionet politike.

“Lojtarët nuk mbajnë mbi supe barrën e historisë apo të tensioneve politike,” tha Duka. “Ata garojnë në fushë për të fituar, për të dhënë më të mirën për fanellën që përfaqësojnë dhe, mbi të gjitha, për të ndërtuar një urë respekti përmes lojës”.

Nacionalistët dhe tifozët e futbollit në përplasje

Megjithëse tensionet politike janë zbutur disi vitet e fundit, nacionalistët dhe tifozët e futbollit nga të dyja palët janë thellësisht në kundërshti. Si Shqipëria, ashtu edhe Serbia kanë marrë sanksione nga organizata europiane e futbollit për shkak të incidenteve me ngarkesë politike që kanë përfshirë tifozët.

Megjithatë, presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, së fundmi i hodhi benzinë zjarrit, duke i thënë trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkoviç, gjatë një tubimi të madh me mbështetësit e tij, se Serbia duhet të fitojë.

“Shko atje dhe mundi ata,” i tha Vuçiç Stojkoviçit, i cili ishte në mesin e turmës.

Stojkoviçi dhe disa lojtarë kanë përpjekur të qetësojnë tensionet, duke thënë se është thjesht një ndeshje tjetër.

“Të gjithë thonë se ndeshja e parë është shumë e rëndësishme,” tha Stojkoviç për ndeshjen hapëse të Serbisë në Grupin K. “Jemi shumë të fokusuar që të fillojmë siç duam dhe do të përgatitemi të luajmë më mirë që të mundemi në këtë aspekt, me gjithë respektin për Shqipërinë”.

Tifozët Kuq e Zi nuk do të jenë në stadium ndaj Serbisë, ja se ku do ta mbështesin kombëtaren

Grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë bërë një reagim në rrjetet sociale në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Ata deklarojnë se edhe pse nuk do të jenë në “Arena Kombëtare” do të mblidhen tek Lulishte Vëllezërit Frashëri përballë Piramidës për të ndjekur ndeshjen me një ekran të madh të vendosur nga vetë ata.

REAGIMI

Tifozat Kuq e Zi nuk ndalen.

Pavarësisht se nuk do të jemi në stadium më 7 qershor, kur Shqipëria do të përballet me shkijet, ne do të jemi aty pranë.

Prej orës 19:00 mblidhemi tek Lulishte Vëllezërit Frashëri përballë Piramidës për të ndjekur ndeshjen me një ekran të madh të vendosur nga ne.

Për ne nuk ka rëndësi prezenca në stadium, por do të jemi aty për Kombin, duke kënduar të gjithë krah njëri-tjetrit, në një ditë që shpresojmë të kthehet në festë.

Largim i sigurt nga Çelsi, Brojën e kërkon një ndër klubet më të famshëm në botë

Sëlltik po monitoron situatën e Armando Brojës. Sulmuesi i Kombëtares është rikthyer sërish të jetë në qendër të merkatos së verës, pasi largimi i tij nga Çelsi raportohet i sigurt.

Sëlltik kërkon të përforcohet në sulm dhe 23-vjeçari shfaqet si alternativë. Një ndër klubet më të famshëm në botë është në gjurmët e tij, pas sezonit ku mbizotëruan dëmtimet.

Broja ishte i huazuar tek Evertoni. Kartonin e tij ndërkohë e zotëron Çelsi deri në vitin 2028.

Mbetet për t’u parë nëse do të jetë sërish huazim, apo këtë herë do të aplikohet transferim i përhershëm. Broja ndërkohë është tërësisht i rikuperuar nga dëmtimet.

Emra të tjerë të përmendur më parë për sulmuesin shqiptar janë Milani, Ajaksi, PSV dhe Lajpcig. Kështu janë disa vende ku shfaqet interes për të. Panorama

 

VIDEO/ Pasi doli në foto me Edi Ramën, Nusreti përjashtohet nga festa e Champions League

Kuzhinieri turk Nusret Gökçe, i njohur si ‘Salt Bae’, është përjashtuar nga festa e pas finales së Ligës së Kampionëve në Mynih. Bashkë me të, jashtë ambienteve ku zhvillohej festa e PSG, shihet duke u nxjerrë edhe shoqëruesi i tij.

Mediat e huaja kanë raportuar se Nusret tentoi të merrte pjesë në festën e pas finales së Ligës së Kampionëve, duke u përpjekur të bëjë foto me lojtarët dhe të përfshihej në atmosferën e ngjarjes. Përpjekjet e tij janë hasur me kundërshtime nga organizatorët dhe siguria, të cilët e kanë përjashtuar nga ngjarja.

Ky incident ka sjellë reagime të ndryshme në mediat sociale dhe forume online, ku përdoruesit kanë diskutuar mbi sjelljen e Nusret dhe ndikimin e tij në imazhin e ngjarjeve të tilla. Disa kanë shprehur shqetësim për mungesën e respektit ndaj lojtarëve dhe organizatorëve, ndërsa të tjerë kanë kritikuar reagimin e tepërt të sigurisë.

Ky rast është një tjetër episod në serinë e incidenteve që lidhen me sjelljen e ‘Salt Bae’ në ngjarje të rëndësishme sportive, pas ngjarjes së ngjashme në finalen e Kupës së Botës 2022, ku ai u përball me kritika për tentativën e tij për të bërë foto me lojtarët dhe për shkeljen e rregullave të FIFA-s.

Ky incident ka hapur një debat të gjerë mbi kufijtë e pranueshëm të sjelljes së personazheve publikë në ngjarje të tilla dhe rëndësinë e respektimit të rregullave dhe etikës në mjedise profesionale.

Image

Francë: Dy të vdekur, mbi 500 të arrestuar gjatë festimeve pasi PSG fiton Ligën e Kampionëve

Tifozët gjatë festimeve në Paris.

 

 

Radio Evropa e Lirë

Dy persona kanë vdekur, qindra janë arrestuar dhe janë djegur vetura në Francë gjatë natës, teksa tifozët e futbollit kanë festuar fitoren e Ligës së Kampionëve nga Paris Saint-Germain.

Epiqendra e euforisë ishte në Paris, ku tifozët parakaluan me makina, kënduan nëpër rrugë dhe hodhën fishekzjarrë, pas fitores 5:0 të PSG-së ndaj Inter Milanit në Munih.

Ministria e Brendshme e Francës tha se 491 persona u arrestuan në Paris, pas përleshjeve mes tifozëve dhe policëve.

Në mbarë Francën, përfshirë edhe Parisin, në total janë arrestuar 599, tha Ministria.

Gjatë festimeve vdiqën dy persona.

Policia franceze në Paris gjatë festimeve të tifozëve të futbollit.

Policia franceze në Paris gjatë festimeve të tifozëve të futbollit.

Një burrë që po ngiste në skuter në Paris vdiq pasi u godit nga një veturë. Në qytetin Dax, një djalë 17-vjeçar u ther për vdekje teksa një turmë ishte mbledhur për të festuar për fitoren e PSG-së, thanë prokurorët.

Ai vdiq “gjatë festimeve”, tha zyra e prokurorit, por nuk tregoi nëse vdekja e tij ishte e lidhur drejtpërdrejt me finalen e Ligës së Kampionëve. Në njoftim u tha se personi i dyshuar “është në arrati”.

Ministria e Brendshme tha se 18 policë janë lënduar në Paris, dhe tre të tjerë në pjesë të tjera të Francës, teksa tifozët kishin dalë në rrugë për të festuar. Edhe shtatë zjarrfikës po ashtu janë lënduar.

Autoritetet raportuan se gjatë natës janë raportuar 692 zjarre janë raportuar gjatë natës, përfshirë 264 vetura që u dogjën.

Ekipi i PSG-së do të parakalojë nëpër Paris të dielën, ku dhjetëra mijëra mbështetës të ekipit futbollist pritet të mblidhen për të festuar fitoren e Ligës së Kampionëve.

Ndeshja Shqipëri-Serbi, FSHF publikon informacion për shitjen e biletave: Çdo tifoz me ID me vete

Federate Shqiptare e Futbollit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me procesin e shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi, që do të luhet më 7 qershor 2025, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Shitja e biletave sipas FSHF ka nisur që prej datës 15 maj, por afati i fundit ishte 30 maj. Ky afat vlente për të gjithë shqiptarët si brenda e jashtë vendit. Çdokush kishte të drejtë të aplikonte për blerjen deri në 4 bileta.

Risia kësaj here vjen për faktin se aplikimi nuk do të thotë domosdoshmërisht biletë hyrëse për në stadium, pasi nga data 31 maj deri më 2 qershor, do zhvillohet një short elektronik që do përzgjedhë në mënyrë rastësore të gjithë tifozët që do të mund të jenë të pranishëm në stadium. Çdokush që do të mund të marrë pjesë në ndeshje, do të marrë një e-mail zyrtar me një link personal nga FSHF-ja, për të vijuar më pas me përfundimin e procesit të blerjes së biletave të aplikuara.

Deri më tani janë regjistruar mbi 200 mijë aplikime, sipas FSHF-së. Për siguri, do të sigurohet eliminimi i aplikimeve të dyfishta e të dyshimta, llogaritë e krijuara enkas për spekulim apo abuzim, si dhe për të siguruar që çdo person do ketë vetëm një mundësi të drejtë.

Pas marrjes së biletës, kjo e fundit do të jetë e personalizuar me emër dhe mbiemër. Në hyrje të stadiumit, bileta do të kontrollohet nga Policia e Shtetit së bashku me mjetin identifikues për të shmangur abuzimet.

I gjithë ky proces i gjatë sigurie vjen si ndihmë për eliminimin e platformave ndërkombëtare që blejnë bileta në sasi dhe i shesin onlinë më shtrenjtë, e gjithashtu për “tregtarët e biletave”, që operojnë në mënyrë të paligjshme me para në dorë.

Ky është një model i njëjtë me atë të UEFA-s në rastet kur kërkesat janë jashtëzakonisht të larta, si në finalet e Champions League, Europa League, Conferece League apo Kampionateve Europianeve, ku aplikohet gjithashtu shorti elektronik i rastësishëm për përzgjedhjen e tifozëve, shprehet FSHF-ja. sn

Libri i Artë- PSG shkruan historinë, merr Championsin e parë

PSG mundi 5-0 Interin në finalen e Champions.Tashmë PSG ka emrin e tij si fitues në historinë e Champions. Skuadra e Luis Enrikes bëhet e dyta në Francë, që fiton trofeun më prestigjioz europian, pas Marsejës.

Në krye është Real Madrid me 15 trofe të fituar dhe Milani vazhdon të ndjekë me 7 Champions. Bajerni dhe Liverpuli ndërkohë kanë nga gjashtë trofe.

Img 6622

 

Beteja për lavdi në Mynih, PSG kërkon historinë, Interi rikthimin në majë të Europës (21:00)

Për herë të pestë në histori, Mynihu do të presë finalen e Ligës së Kampionëve (UCL) dhe me katër finalet e mëparshme në këtë qytet shenjat janë në favor të Paris Saint-Germain, që përballet me Interin për trofeun më të madh në futbollin e klubeve europiane.

Fitorja e këtij trofeu ka qenë objektivi i madh për PSG që prej marrjes së pronësisë nga Katari në vitin 2011, por dështimet e njëpasnjëshme e kanë ndjekur klubin francez, me vetëm tri skuadra që kanë luajtur më shumë ndeshje në UCL sesa ata (167) pa e fituar asnjëherë titullin.

Një nga ato dështime erdhi në finalen e vitit 2020, kur PSG u mposht nga Bayerni, duke zgjatur edhe më tej pritjen për fitore franceze në këtë kompeticion, që daton që nga triumfi i Marsejës ndaj Milanit në vitin 1993, që rastësisht ndodhi gjithashtu në Mynih! Trajneri Luis Enrique synon të bëhet trajneri i gjashtë në historinë e Ligës së Kampionëve që fiton këtë trofe me dy klube të ndryshme dhe një sukses i tillë do t’i siguronte PSG-së katër trofe për sezonin: Ligue 1, Kupën e Francës, Trofeun e Kampionëve dhe, për herë të parë në histori, Ligën e Kampionëve.

Fitorja e fundit e Interit në UCL erdhi në vitin 2010, por kjo finale përfaqëson shansin e fundit të zikaltërve për të fituar një trofe këtë sezon, pasi e humbën titullin në Serisë A për vetëm një pikë ndaj Napolit. Djemtë e Simone Inzaghit kanë sfiduar çdo parashikim gjatë fazës me eliminim direkt këtë edicion, duke mposhtur Bayernin në çerekfinale falë një fitoreje 2-1 pikërisht në këtë stadium, e më pas duke kaluar Barcelonën në gjysmëfinale me një rezultat të jashtëzakonshëm total prej 7-6.

Ndryshe nga PSG, skuadra e Interit bazohet te përvoja: lojtarët mbi 30 vjeç kanë luajtur 43% të minutave të ekipit këtë sezon në UCL. Edhe pse këmbët e lodhura ndihen pas një sezoni të gjatë, kjo formulë ka funksionuar mjaft mirë.

Një pjesë e madhe e këtyre lojtarëve ishin pjesë e skuadrës që humbi finalen e vitit 2023 kundër Manchester City, ndaj këtë herë janë edhe më të vendosur për ta rikthyer Interin në majën e Europës për herë të katërt në histori.

Lojtarët për t’u ndjekur: Asnjë lojtar i PSG-së nuk ka kontribuar më shumë në gola këtë sezon në UCL sesa Ousmane Dembélé, me 12 (8 gola, 4 asistime), përfshirë një tregolësh në tokën gjermane kundër Stuttgartit në fazën në grupe. Lautaro Martínez nga Interi kërkon të bëhet lojtari i parë që shënon 10 gola në një sezon europian për zikaltërit, ndërsa mund të bëhet gjithashtu vetëm i gjashti që shënon në të katër fazat me eliminim direkt të një edicioni të vetëm në UCL.

Statistikë interesante: Interi ka shënuar i pari në 11 nga 14 ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve. sn

Kombëtaria dhe Pseudokombëtarija- Nga BESNIK DIZDARI

E kam fjalën për “duelin” midis këtyre dy koncepteve apo dukurive që papritmas po na mbërrijnë edhe përmes futbollit, madje sidomos përmes futbollit. E pra, këto ditë, në tokën sportive shqiptare ka lindur një shfaqje unikale, madje e vetme në histori: Shqipëria ka organizuar për herë të parë një turne final europian të futbollit. Në këtë rast më të voglin për nga rangu, atë të ekipeve finaliste të Kombëtareve 17-vjeçare, të njohur si “EURO U17”. Vetë Shqipëria, me skuadrën e saj, ka marrë pjesë si vend organizator. Çka do të thotë se ndërkaq, ajo ka marrë përsipër të organizojë 15 ndeshje në katër qytete të saj: Tiranë, Elbasan, Durrës, Rrogozhinë. Siç u pa, gjithçka po organizohet shumë mirë. Për fat, Shqipëria me këtë Kombëtare të saj 17-vjeçare i ka humbur të tria ndeshjet me të njëjtin rezultat 0-4! Pa shënuar asnjë gol, pa marrë asnjë pikë dhe po të bëjmë renditjen e 8 ekipeve ajo është e fundit me 0 pikë, me 0 gola, me 0 fitore, me 0 barazime. Më keq nuk ka ku shkon. Më saktë: më keq se asnjëherë tjetër në histori. Dhe për më tepër e gjitha kjo i ngjet në stadiumet e saj, para publikut të saj. E tash po mundohem ta lehtësoj paksa. Shqipëria pati fatin të ndeshet me ekipet e shteteve ndër më të fuqishmit në Europë, edhe për ekipet e moshave: Gjermani, Francë e Portugali. Kësisoj, për një çast mund të mendosh se kjo katastrofë universale në historinë tonë, edhe mund të justifikohet.

Mirëpo, kur sheh ndërkohë, se në të gjitha kahet sundon shifra e pamëshirshme “0”, atëherë deri këtu kjo nuk mund të pranohet. Ndërkaq, në Rubrikën Sportive të televizionit publik, RTSH, me sa arrita të shoh e të dëgjoj, u përjetua një eufori e qartë. Thuajse gjithçka u paraqit gati si një mrekulli. Duke ngatërruar keqas dështimin e skuadrës së Shqipërisë me organizimin e mirë të turneut në tanësi. Vetvetiu të vjen keq që edhe këtu, pra në sport apo në futboll, sundon përulja e llojit të politikës. U fol deri për ndikimin e këtij turneu për te turizmi, e madje organizimi i tij u përcaktua deri si dhe një “vitrinë për Shqipërinë”! Dhe u arrit deri aty saqë u fol për ardhjen në stadiumet të një shumice “të jashtëzakonshme” spektatorësh, edhe pse kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Stadiumet nuk mbërritën as te mbushja me spektatorë e gjysmës të tribunave të tyre. E edhe në këtë rast mund të them se, me të gjitha llojet e organizimeve europiane të saj, që nga politika e deri te futbolli, Shqipëria përjeton euforina artificiale të papërshkrueshme. Dhe le të përshkohemi te “Kombëtaria dhe Pseudokombëtaria”, siç është titulli i këtij shkrimi. Sigurisht që do të flasim me fakte.

Vështroni tash emrat e 18 futbollistëve të aktivizuar të Shqipërisë në këtë turne, si dhe klubet prej nga ata vijnë:HULI/Juventus, GECAJ/Juventus, NUHAJ/Olympiakos, SYLEJMANI/Servette, FERATI/ Rio Aves, KURTI/ Virtus Entela, VUKAJ/Inter, LLANA/Olympiakos, RAMKU/ Udinese, GJOKA/Paok, KULLA/Sassuolo, SHEJI/Torino, MYRTAJ/Tottenham, HALLIDRI/Hellas Verona, ÇEKREZI/Torino, REDZEPI/Stuttgart, DURMISHI/Juventus, HARADINI/ RotWeis Essen.

E shihni se nga 18 lojtarët, plot 10 vijnë nga klube italiane, madje deri të Juventus, Inter, Torino, Verona… Aq sa të duket se kjo është Italia U17, jo Shqipëria U17. Dhe që me këta emra klubesh të famshëm do të bëhej nami. Por thjesht tri humbje fort të thella me të njëjtin rezultat 0-4! Dhe o burra, me editoriale euforikë! Mbërrijmë ndërkaq, te më e rëndësishmja e të rëndësishmeve: asnjë lojtar nga Shqipëria! Asnjë lojtar prej klubeve shqiptare! Asnjë talent të të ashtuquajturave “Akademi” të tyre! Por vetëm Juventus, Inter, Torino, Verona, Olympiakos, Servette, Udinese, Paok, Tottenham, Stuttgart! Konkluzioni? “Shqipëria nuk ka më talente në futboll”. Të jetë e vërtetë…? Dhe Shqipëria që jep alarmin për të gjetur futbollistë të kombësisë shqiptare në vende të tjera, sidomos në Itali, prej ku pra, vinin plot 10 lojtarë nga 18 që u aktivizuan, të cilët së bashku me të tjerët nuk janë lojtarë të lindur në Shqipëri, por që kanë emigruar në Itali, Greqi, Zvicër, Angli apo Gjermani. Po të cilët, për fat, e kanë mësuar Himnin e Shqipërisë, edhe pse shqipja tyre mund të mos jetë zotëruar plotësisht. E dimë ndërkaq, se kudo Kombëtaret U17 synim kryesor kanë të formojnë talente për Kombëtaren e parë. Mirëpo, a keni studiuar se sa lojtarë të Shqipërisë U17 kanë arritur te Kombëtarja e parë e Shqipërisë të pakën në 10 vjetët e fundit? Studioheni dhe do të zhgënjeheni. Ky “studim” ia vlen, qoftë për të kujtuar ndershmërisht këtë dukuri të pamëshirshme që po u thotë “ndal” talenteve të futbollit të tokës shqiptare. Sepse, siç besoj e dini, që pak ose aspak shqiptarë të futbollit të tokës së Shqipërisë pra, do të gjeni edhe te Shqipëritë U19 e U21. Madje, deri te Kombëtarja e parë, e cila edhe në prag të ndeshjes me Serbinë, ndër 24 lojtarë vetëm 3 kanë dalë nga futbolli i qyteteve të Shqipërisë! Natyrisht, nuk jemi kundër përzgjedhjeve të djemve shqiptarë të jashtë Shqipërisë. Aq më tepër kur kujton se Kombëtarja e parë e Shqipërisë arriti në dy finalet e Europës, duke pasur mbi 80 për qind lojtarë jo të Republikës së Shqipërisë.

Por logjika të thotë: “Masa në vendin e duhur”! Sidomos kur është fjala për Kombëtaret 17, 19 apo 21-vjeçare, ku me logjikën më elementare duhet që shumica të jenë nga akademitë apo skuadrat e Kampionateve të Shqipërisë. Nga 7 skuadrat që po marrin pjesë në këtë kampionat U17, vetëm Italia kishte 4 lojtarë të jashtë Italisë, Belgjika vetëm 5, Çekia vetëm 1, Anglia vetëm 1, Franca dhe Portugalia asnjë. Kjo është dukuria mbareuropiane, së cilës nuk ka përse t’i ikë Shqipëria nëse dëshiron që Kombëtaria të mposhtë Pseudokombëtarinë në zhvillimin e futbollit kombëtar shqiptar, kryesisht përmes talenteve të dalë prej farishteve të futbollit të saj. Aq më tepër që kjo Shqipëri dihet, nuk ka forca të fitojë një titull europian të këtij rangu. Nuk mund t’i ikim realitetit. Po në Shqipëri, po për fat po buçet “thirrja”: “Këtu nuk ka më talente”! Dhe vrapojnë jashtë kufijve trajnerë e menaxherë, zyrtarë e vëzhgues. Për fat, pa mbërritur te ngritja e “çadrave” të kampingjeve deri në Zvicër që pat shkaktuar protestën e këtij vendi. Vërtet, si ka mundësi që kjo Shqipëri U17, asisoj krejt europiane apo ndërkombëtare e shumështetëshe, edhe në turin paraprak humbi qartë e thellë dhe fitoi vetëm 1 pikë me Ishujt Faroe? E megjithatë, prapë, o burra përtej Adriatikut. Madje, edhe me trajner italian, i cili edhe ai qenka bindur si Republika e Shqipërisë nuk ka më talente futbolli, përsa kohë përzgjedh lojtarë vetëm jashtë Shqipërisë.

LE TË SHKOJMË TE HISTORIA…

Para viteve 1990, më 1978 dhe 1981, Shqipëria e 21-vjeçarëve të Shyqyri Rrelit ka fituar dy herë titullin e Kampionit të Ballkanit me të gjithë futbollistë të tokës së Shqipërisë. Emrat kanë qenë të tillë si Musta, F.Rragami, Starova, H.Gega, Kola, H.Ballgjini, Bajaziti, Minga, Sh.Ballgjini, Vukatana, K.Hysi, Targaj, Sh.Muça, Luçi, Lika, të cilët rrufeshëm shkuan te Kombëtarja e parë. Në midis iu hyri një ndeshje miqësore e jashtëzakonshme me Kombëtaren 21- vjeçare të Francës, një 2-2 dramatik në Tiranë, që habiti francezët (shënuan Bajaziti e Skuro) e që sot çuditërisht nuk e përmend askush (pra edhe autori i këtyre radhëve). Këtu, mbas 46 vjetëve po përmend për herë të parë lojtarët e Shqipërisë të drejtuar po nga trajneri Rreli, të cilët ishin këta: Musta, Eksarko, H.Gega, Deliu, Hafizi, Vukatana, H.Ballgjini, Kola, Bajaziti, Lleshi, Minga, Lika, Skuro. Pa harruar se përballë tyre nuk ishte dokushdo, por një Francë me Ayache, Thouvenel, Jeanol e Pleimelding, të cilët gjithashtu do të mbërrinin te Kombëtarja e parë e Francës. Dhe 2-2 në Tiranë, me këta 19, 20 a 21- vjeçarë, shumica e të cilëve do të bëheshin po aq titullarë të paharrueshëm të Kombëtares së Shqipërisë. Kalojmë te Shqipëria e 18-vjeçarëve të Kampionatit Europian të vitit 1982, ajo e cila mbërriti deri në turneun final të Finlandës, mbasi eliminoi Qipron. Emrat ishin të tillë si Mersini, Zmijani, S.Gega, Ocelli, Lekbello, Kushta, Josa, me në krye Demollarin. I pat përzgjedhur dhe drejtuar trajneri i paharrueshëm Bahri Ishka. Mbas pak të gjithë, madje si titullarë, veshën fanellën e Kombëtares. Mandej do të mbërrinim te viti i bujshëm, për ne i famshëm, ai 1983 kur 21-vjeçarët e Ramazan Rragamit hynë në 8 më të mirët e Europës, duke eliminuar Gjermaninë, Turqinë dhe Austrinë. Janë ata, të cilët menjëherë shkuan te Kombëtarja jonë e famshme 1984 e Shyqyri Rrelit, 2-2 Polonisë e 2-0 Belgjikës: Musta, F.Rragami, Targaj, Hodja, Omuri, H.Ballgjini, Lame, Eksarko, Demollari, Muça, Minga, Kola, Zmijani, Ocelli, Vila. Janë të pafund kombëtarasit e Shqipërisë “së vogël” të lindur e të rritur në fushat e blerta të stadiumeve të saj.

Dhe sot nuk paska më talente toka shqiptare e futbollit? No comment! Ndonëse më duhet të theksoj fort se Shqipëria ka pasur, e doemos ende ka talente. Pyesim: Sa para konsumohen për të mbajtur të ashtuquajturat “Akademi të moshave të reja” në klubet shqiptare? Sa të duash, apo jo? Dhe asnjë talent prej tyre? Duket që për këtë varfëri të pashoqe qenka bindur sidomos edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila përveç të tjerave, sapo ka marrë vendimin që në skuadrat e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë të lejon të luajnë lojtarë të huaj sa të duash, pa asnjë kufizim! E, sot, kjo Federatë ka fituar një pavarësi historike. Të tillë nuk e ka pasur kurrë. Qeveria e ministria nuk i ndërhynë për asgjë. Se sa për shtetin, ai nuk e ka sportin e futbollin në agjendë. Drejtuesit e skuadrave të futbollit në qytete nuk bëzajnë, vetëm heshtin deri në një nënshtrim që nuk e kemi pasur as në kohën e sistemit diktatorial komunist. Kujtoj, sidomos kundërshtimet e disa burrave drejtues të klubeve sportive në mbledhjet në ministri të asokohe. Pse jo, ndonjëherë deri në mbledhje me praninë e anëtarëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH. E gjitha kjo situatë e sotme ka vetëm një emër: servilizëm i rangut më të parë. Çka nënkupton qartë se Pseudokombëtaria, tash për tash, e ka fituar betejën me Kombëtarinë.

/Gazeta Panorama

Heysel, dyzet vjet më parë tmerri që tronditi botën e futbollit 

39 njerëz të vdekur në finalen e Kupës së Kampionëve

VOAL- Kanë kaluar dyzet vjet që nga ajo 29 maj famëkeq i vitit 1985, kur një finale e Kupës së Kampionëve u shndërrua në një tragjedi të madhe njerëzore. Një tragjedi e shkaktuar nga një grup tifozësh të dhunshëm, huliganët, të cilët tani janë gjithashtu pjesë e arkeologjisë së futbollit për shkak të atij episodi, por edhe nga pamjaftueshmëria e stadiumit në të cilin u zhvillua ndeshja dhe një organizim i keq i forcave.

Jemi në stadiumin Heysel (sot King Baldwin pas rinovimit të plotë në vitin 1995) një orë nga fishkëllima e fillimit të sfidës midis Juventusit dhe Liverpoolit që do ta shohë Zonjën e Vjetër të ngrejë kupën për herë të parë në histori. Në impiant vendosin t’u caktojnë tifozëve të vetëorganizuar të Juventusit dhe një pjese të vogël të audiencës neutrale sektorin Z, të vendosur në kthesën përballë ultrasve të Biankonerëve dhe pranë huliganëve anglezë.

Tifozët e të Kuqve fillojnë të sulmojnë për të përfituar nga e gjithë kthesa pa gjetur rezistencë dhe duke shkaktuar arratisjen e spektatorëve të frikësuar të cilët, në një përpjekje për të hyrë në fushën e lojës, zmbrapsen me pranga nga policia. Turma më pas përplaset në anën e sektorit duke shkaktuar shembjen e një muri të strukturës së vjetër. Bilanci i tragjedisë së madhe është 39 të vdekur (dhe mbi 600 të plagosur), të cilët tani përkujtohen nga një pllakë në murin e stadiumit. Në një klimë surreale, me mbi një orë vonesë, vendoset të luhet e njëjta finale për arsye të … rendit publik dhe Juventusi fiton 1-0 falë një penalltie të shndërruar në gol nga Platini, duke performuar në festime që do të jenë krejtësisht të papërshtatshme dhe për të cilat shumë protagonistë do të kërkojnë falje.

Që nga ajo Kupë e përgjakshme – dhe masakra e Hillsborough (96 të vdekur) katër vjet më vonë – koncepti i sigurisë në stadiumet evropiane filloi të reformohet sipas situatës që kemi para syve tanë sot. RSI

Akull, mungesë oksigjeni dhe..- Aventura që për pak u kthye në tragjedi, parashutisti rrëmbehet nga erërat dhe përfundon mbi re

Një parashutist në Kinë i shpëtoi për mrekulli një ngjarjeje qw mund tw cconte nw fatalitet, pasi u rrëmbye nga erërat dhe u ngrit në një lartësi prej afro 8,000 metrash mbi tokë, në kushte ekstreme me temperatura nën -40°C dhe mungesë të theksuar oksigjeni.

Ngjarja ndodhi në malet Qilian, ku parashutisti Liu Ge kishte nisur fluturimin nga një lartësi prej 3,000 metrash. Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ai humbi kontrollin e parashutës pak minuta pas ngritjes, duke u ngritur shumë më lart nga sa ishte planifikuar.

“Isha i mbuluar me akull, ndjeja mungesën e oksigjenit dhe duart më ishin ngrirë, por vazhdova të komunikoj me ekipin tim,” tha Liu për Global Times.

Pavarësisht kushteve ekstreme, Liu nuk humbi ndjenjat dhe arriti të ulej në mënyrë të sigurt. Megjithatë, përjetimi i shkaktoi ngrirje të rëndë dhe ai u shtrua në spital.

Pas publikimit të videos, autoritetet kineze njoftuan se kanë nisur një hetim për fluturimin, pasi dyshohet se Liu nuk kishte marrë lejen e nevojshme për të kryer hedhjen. bw

Kualifikueset e Kupës së Botës 2026- Ndeshjet ndaj Serbisë & Letonisë, trajneri Silvinjo publikon listën

Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, ndaj Serbisë dhe Letonisë.

Trajneri Silvinjo ka bërë publike listën me 27 lojtarët e ftuar për këto dy përballje të rëndësishme.

Lista e plotë:

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani

 

 

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha

Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku

Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45.

Ndërsa ndeshja ndaj Letonisë do të luhet më 10 qershor, në stadiumin “Skonto Stadions”, po në orën 20:45.

Fshf 1

Send this to a friend