Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me zyrtarët aktualë të Venezuelës vetëm nëse ata marrin “vendimet e duhura”, deklaroi sot Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar se Uashingtoni do të vijojë të mbajë në fuqi masat e presionit ndaj vendit të Amerikës Latine, përfshirë edhe embargon e naftës.
“Nëse nuk merren vendimet e duhura, SHBA do të ruajë shumë mekanizma ndikimi për të mbrojtur interesat tona, përfshirë embargon e naftës. Në të ardhmen do të gjykojmë veprimet e tyre”, u shpreh Rubio në një intervistë për CBS, duke iu referuar qeverisë venezueliane.
Shefi i diplomacisë amerikane duket se ka zbutur edhe deklaratat e bëra një ditë më parë nga presidenti Donald Trump, i cili kishte thënë se SHBA mund të “marrë në dorë drejtimin” e Venezuelës dhe nuk do të hezitonte të dërgonte trupa ushtarake, nëse do të ishte e nevojshme.
Rubio theksoi se, edhe pse Trump nuk përjashton publikisht asnjë opsion, përfshirë ndërhyrjen ushtarake, aktualisht fokusi i SHBA-së është embargoja e naftës, e cila, sipas tij, i jep Uashingtonit ndikim të konsiderueshëm mbi zhvillimet e ardhshme.
Roli i Delcy Rodríguez
Sipas Kushtetutës së Venezuelës, në mungesë të presidentit Nicolás Maduro, detyrën e kreut të shtetit e merr zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez. Gjykata e Lartë e Venezuelës i ka dhënë asaj autorizimin të marrë këtë rol mbrëmjen e kaluar.
I pyetur për Rodríguez, Rubio deklaroi se SHBA do të vlerësojë veprimet e saj dhe të drejtuesve të tjerë që mbeten në pushtet dhe “do të shohë se çfarë do të ndodhë”.
Ai shtoi se ndryshimi me Nicolás Maduro qëndron në faktin se “personi përgjegjës më parë ishte dikush me të cilin nuk mund të bashkëpunoje” dhe që “nuk i respektoi marrëveshjet”.
Sa i përket mundësisë së mbështetjes për figurat e opozitës, si Maria Corina Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, apo kandidati i opozitës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Edmundo González Urrutia, Rubio shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Ai theksoi se SHBA nuk mund të ndërhyjë më në punët e brendshme politike të vendeve të tjera, duke nënvizuar se Venezuela nuk është “Libia, Iraku apo Afganistani”.
“Misioni ynë këtu është shumë i ndryshëm. Ne po përballemi me atë që përbën një kërcënim për interesat amerikane”, përfundoi Rubio. Panorama