Kur pushteti kujtohet të flasë për rrënimin që vetë ka ushqyer
RTSH dhe arsimi i lartë nuk janë sot në krizë sepse “diçka shkoi krejt papritur keq.” Ky është një perceptim i gabuar.
Ata janë në krizë sepse për vite me radhë janë lënë të hyjnë në entropi institucionale, në gjendjen ku energjia organizative shteron, ku rregullat ekzistojnë vetëm në letër dhe ku qëllimi i institucionit humbet kuptimin.
Në teorië organizative, entropia nuk është aksident. Ajo shfaqet kur:
mungon përgjegjësia e qartë;
autoriteti dhe autonomia bien ndesh me njëra-tjetrën;
sistemi mbahet gjallë vetëm për të ekzistuar, jo për të përmbushur misionin.
Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur me RTSH-në dhe universitetet publike. Pushteti politik ka krijuar institucione që:
quhen të pavarura, por varen financiarisht nga qeveria;
kanë mision publik, por trajtohen si instrumente politike;
kërkojnë llogaridhënie nga poshtë, por nuk japin llogari nga lart, nuk marrin përgjegjësi për vendimet dhe veprimet e veta.
Kjo prodhon entropi të organizuar: jo kaos të hapur, por rrënim të ngadaltë, të kontrolluar dhe të heshtur, ose një “vdekje e ngadaltë” institucionale.
Prandaj më vjen keq , po, ndjej keqardhje për ata qytetarë që ende ulen përballë ekranit, përfshirë RTSH-në, me shpresën se do të gjejnë programe edukative, mendim kritik, apo respekt për inteligjencën e tyre.
Përjashtimet ekzistojnë, por edhe ato pak që funksionojnë nuk e ndryshojnë realitetin; ato vetëm se e bëjnë më të dukshme të vërtetën e hidhur:
– institucionet janë të ngujuara dhe pa energji, të mbajtura në një gjendje që nuk prodhon zhvillim, por vetëm ekzistencë.
Fakti që Kryeministri shfaqet në vitin e trembëdhjetë të pushtetit për të denoncuar RTSH-në dhe ligjin për arsimin e lartë nuk është reformë.
Është zhvendosje përgjegjësie.
Ky është shembulli klasik i pushtetit afatgjatë: autori i sistemit refuzon autorësinë e pasojave dhe shfaqet si gjykatës i dështimit që vetë e ka prodhuar.
Në vend që të flasë për:
ligjet që kanë mbetur në fuqi për dekada,
mënyrën se si financohen dhe kontrollohen institucionet,
frikën dhe autocensurën e prodhuar sistematikisht,
pushteti flet për “institucione që nuk funksionojnë”, sikur ato të ishin subjekte autonome, të shkëputura nga arkitektura politike që i ka mbajtur peng! E gjitha kjo manipulon perceptimin publik dhe e fsheh përgjegjësinë reale.
Në teoritë organizative, kjo quhet këputje e zinxhirit të përgjegjësisë.
Në praktikë, është hipokrizi politike.
RTSH dhe universitetet janë lënë në entropi sepse prodhojnë kuptim, kujtesë dhe mendim kritik; dhe kjo është e rrezikshme për pushtetin që kërkon stabilitet përmes heshtjes, jo besimit.
Institucionet nuk kanë dështuar sot. Ato u konsumuan ngadalë, deri sa u shndërruan në struktura që ekzistojnë, por nuk jetojnë. Dhe pushteti që flet sot si reformator nuk po kërkon t’i shpëtojë ato. Ai po kërkon të shpëtojë narrativën e vet, duke lënë entropinë të vazhdojë, vetëm se me emër tjetër.
Entropia nuk është thjesht lodhje institucionale; ajo është humbje e kuptimit moral të pushtetit.
Një pushtet që,
– nuk ndërton institucione të qëndrueshme, por i mban ato në gjendje mbijetese, dështon jo nga paaftësia, por nga frika ndaj autonomisë së institucioneve.
– Kur flet si reformator pas vitesh sundimi, nuk kërkon rregull, kërkon harresë.
Institucionet me kujtesë janë të rrezikshme; ato në entropi janë të bindura.
Kjo është arsyeja pse sot flitet për dështime: jo për t’i ndrequr, por për t’i mbajtur në këtë rol të mjegullt, ose për t’ua dhënë privatëve.
Paradoksi nuk është që kryeministri flet për dështimet e RTSH‑së dhe arsimit të lartë.
Paradoksi do të ishte po të pranonte përgjegjësinë e vet dhe të kabineteve që kanë ushqyer entropinë për vite me radhë. Por këtë ai nuk e bën.
Orwell shkruante se ata që kontrollojnë fjalët dhe kuptimin e tyre krijojnë një “realitet paralel” ku dështimet shfaqen si fatkeqësi të jashtme, jo si rezultat i veprimeve të tyre. Fjala përdoret për të mbajtur narrativën, jo për të ndrequr institucionet.
Institucionet që zhvillojnë mendimin kritik dhe kujtesën kolektive janë kërcënuese për pushtetin që kontrollon perceptimin, jo realitetin.
Pushteti që flet vonë nuk është zgjuar; Ai shpik një amnezë politike.
Entropia nuk është rezultat i paaftësisë njerëzore; ajo është produkt i një modeli pushteti që ushqen vetë rrënimin dhe e mban institucionin të shterpë, të dobët dhe të nënshtruar, duke e kthyer këtë dobësi në mjet kontrolli.
Ajo që rezulton nuk është një institucion që funksionon, por një strukturë që ekziston vetëm për të justifikuar pushtetin që e krijoi.