VOAL

VOAL

RRUSTEM GECI – 15 POEZI NGA LIBRI ‘ROGANA’

May 27, 2015

Komentet

Më 15 Dhjetor 2010 ora 00:01 – Shqiptarët e Shqipërisë pa viza në Europë – Zonen Shengen

15 dhjetori 2010 është data kur më në fund  shqiptarët mundën të lëvizin pa viza në Europë. Pak javë pas marrjes së vendimit nga ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, më 14 dhjetor u botua lajmi në Eur-Lex, gazeta zyrtare e BE-së, ku bëhej me dije hapjen e dritës jeshile për shqiptarët e Shqipërisë të cilët filluan prej orës 00:01 të datës 15 dhjetor 2010 të lëvizin të lirë në Zonën Shengen

“Duke filluar nga data 15/12/2010, qytetarët e Republikës së Shqipërisë nuk do të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në 25 prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe në 3 shtete të tjera jo-anëtare të BE-së, pjesë të zonës Shengen. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që kanë një pasaportë të vlefshme biometrike, mund të udhëtojnë pa vizë në këto shtete për periudha afatshkurtra deri në 90 ditë çdo gjashtë muaj (180 ditë), për qëllime biznesi, për studime apo për turizëm” thuhej mes të tjerash në gazetën zyrtare të BE-së.

 

 

Elia Zaharia më 18 dhjetor promovon librin e ri në Prishtinë

VOAL- Në faqen e saj në facebook Elia Zaharia bën të ditur se do të promovojë librin e sa të ri në Prishtinë:

Të dashur miq që më keni pyetur se kur do mundësohet një prezantim i librit në Prishtinë. Më në fund po ndaj me ju lajmin e bukur që më 18 dhjetor ora 17:00 do jem pranë jush në Dukagjini Bookstore për të folur rreth këtij krijimi kaq të dashur letrar. Ky libër do vijë për lexuesit e vegjël këtë prag festash, për tju zbukuruar bredhin e për t’ju ftuar në një botë magjike🎄✨Pres me padurim t’ju takoj të gjithëve, ndaj Save the Date 🤗

KËNGA LABE RRON ME NE- Nga Albert HABAZAJ

 

 

kënduar nga grupi i grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
teksti: Albert Habazaj
marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj
kthyese: Shpresa Kapo Çelaj
hedhëse: Hava Çelaj Muçaj
bëjnë eee, mbushin këngën:
Lavdie Goxho Xhakaj, Liri Gaçaj Shkurtaj, Bejushe Gaçaj Veraj, Liljana Rrapi Kapaj, Fatmira Hodo Skëndaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Flutura Nanaj

.

Që kur lindi lab i parë
(Nuk dihet se kur ka lindur),
Në hall të tij – faqebardhë
Me këngë labe është rritur.

.

Që kur lindi lab i parë
Në krahë të tij labëresha,
Kënga u rrodhi ujëvarë
Gurrë shpirti, siç e desha.

.

Në këngë u ndritën gëzimet
Me çfarë kishin në vatër,
Me këng’ labe qanë hidhërimet
Edhe me malet u matën.

.

Kënga si qiri në vatër
Kënga në shpirt si floriri,
Pika e ujit të pastër
Qumështi i bardhë i gjirit.

.

Kënga që më mësoi gjyshja
Më ngjan si shqiponjë mbi male,
Nëna, baba, … dallëndyshja
Më rritën me këngë labe.

.

Sa herë më dukej si buka
Me këngë zjarrin e ndeza,
Si flori në shpirt e futa
Kënga labe rron në breza.

.

Ku ka rrjedhur, do pikojë [ref.]
Kënga mjaltë,
Kënga labe – gojë më gojë
Merr uratë
E jetë të gjatë!

A ia vlen të pres dhe pak… Superstruktura e diktaturë-tranzicionit – i mban peng shqiptarët dhe Shqipërinë Esse nga Elida Buçpapaj

“A ia vlen të pres dhe pak…” titullohet poezia e shkruar në vitin 1991 dhe e përfshirë në librin tim të dytë poetik “Unë nuk jam e përjetshme” botuar nga Shtëpia Botuese “Dardania” 1994 me kopertinë të piktorit të mirënjohur Nazmi Hoxha, libër të cilin e kanë vlerësuar dy poetë shumë të rëndësishëm të Kosovës si Teki Dervishi dhe Ramadan Musliu.

Libri im i parë me titull “Vij”, i dërguar për botim gjatë diktaturës kur isha gjimnaziste, humbi në sirtarët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Nuk ishte i botueshëm. I shkruar nga bija e një poeti dhe gazetari të persekutuar nga diktatura. Bija e persekutuar e një poeti të persekutuar. Viktimë e viktimës së viktimës, prej viktimës.

Poetët janë edhe naivë, edhe pararendës të fatthënës.

Besojnë të parët, dyshojnë të parët, zhgënjehen të parët, rebelohen të parët.

Prandaj diktatorët i urrejnë për vdekje.

Që në vitin 1991 e kam ndjerë atë tragjedi që do të vinte gjatë tre dekadave. Shpopullimin, deportimin e një populli nën flamujt e sloganëve marramendës.

Megjithatë e kemi një mburojë të ekzistencës, Aleancën Euro-Atlantike.

Faleminderit Zotit.

Shihni Ukrainën si po e vrasin!

Se sot vetëm Zotin kemi.

Sistemi demokratik, të cilit ne poetët i falemi, Perëndimi ylli ynë polar – duket sikur e ka marrë stuhija.

Larg qoftë!

******

Ne ishim një popull i zhdukur.

Askush nuk fliste për ne. Për një popull të prangosur. Sikur Shqipëria të ndodhej në vendin më të humbur të botës.

Sot një gazetar italian më tregon se malet e Shqipërisë shihen nga Puglia, e megjithatë ne ishim të harruar, të dalë nga kujtesa e Europës, nga hartat gjeografike dhe demografike.

Shqipëria ishte si një Titanik i mbytur,

por askush nuk i kërkoi asnjë relike,

nuk doli asnjë Longfellow të kujtohej t’i thurrte një elegji edhe pse ishim trashëgimtarët gjenetikë të Skënderbeut, dikur shpëtimtarit të tyre!

Poezia që po iu sjell, në libër titullohet “To be or not to be”, titull që në botimet tek Bota Sot dhe Voal-online.ch e kam ndryshuar me vargjet brënda saj si “A ia vlen të pres edhe pak” – “A ia vlen që të iki prej këndej” – apo “Eksodus: Ne nuk donim të iknim Ose Ne donim nga sytë këmbët të iknim”.

Fjala ishte për një dilemë jetë ose vdekje. Jo si vdekjet e mëparëshme përpara skuadrës së pushkatimit ose humbëtirave të internimeve,

por përmes mohimit të qënies, poshtrimit përmes përjashtimit, sikur nuk ke qenë në këtë botë, si varret e humbura të 6000 shqiptarëve ,

ku nuk gjendet asnjë eshtër, për t’i bërë adn.

Në Shqipërinë staliniste të vitit 1991, statuja e Stalinit do të hiqej e fundit në krahasim me vendet e Lindjes dhe pluralizmi po krijohej nga superstrektura e diktaturës, fatalitet që po e ndjek vendin tonë edhe sot e kësaj dite.

Unë si e re, atëhere dyshoja dhe, si unë shumë e shumë shqiptarë të tjerë, por prapë përpiqesha t’i davarisja dyshimet duke menduar se sistemi i ri demokratik do të ndërtohej  mbi parime që mbeshteteshin tek drejtësia – dhe shteti i së drejtës do të krijonte hapësira për të gjithë, pasi Shqipëria është një vend me burime të pashterrshme, tashmë e shpopulluar nga 3 milionë shqiptarë, shumica prej të cilëve të rinj e të reja.

Në vitin 1991 ne nuk ishim bashkëfajtorë, nuk ishim as disidentë, ishim viktima të ndryrë në një bunker nga persekutorët, trashëgimtarët e të cilëve qendrojnë sot në krye të superstrukturës së tranzicionit, përfshi shoqërinë civile, që nuk e çojnë kurrë në mendje idenë e konvertimit, pasi nuk e njohin meritokracinë, garën, vlerën, por vetëm uzurpimin e të gjithë Shqipërisë vetëm për vete, gjithçka vetëm për vete dhe, prandaj, Shqipëria po zbrazet e po zhbëhet.

Në vitin 1991 nuk kërkonim hakmarrje, as shpagim, por drejtësi.

Asnjëherë nuk kërkojmë hakmarrje, por gjithmonë drejtësi.

Deshëm ta shihnim Shqipërinë si gjithë Europa.

Sot, pas 35 viteve, fatbardhësia e shqiptarëve është se asnjë kriminel persekutor nuk e ka pësuar nga vetgjyqësia.

Nuk është vrarë asnjë hetues mizor me duar të përgjakura nga viktimat e tij.

Por gjendemi përpara një kalbësije, degrade dhe dështim kombëtar se kjo kastë nuk lejoi të ndërtohej sistemi demokratik dhe për 35 vjet Shqipëria si asnjë vend tjetër i Europës Lindore, aq më tepër një vend anëtar i NATO-s nuk mban qëndrim si shtet ndaj sistemit diktatorial dhe krimeve të kryera, përkundrazi luan me kartën e injorimit dhe harresës së diktuar nga e njëjta superstrukturë e diktaturës sot e tranzicionit.

Në vitin 1991 nuk u bëmë pjesë e Eksodit të ambasadave sepse besonim, megjithë dyshimet.

Besonim se një popull që kishte vuajtur dhe izoluar aq shumë nuk do t’ia lejonte vetes të provonte kthimin mbrapa të vuajtjeve.

Vuajtjet e tranzicionit nuk do të ishin arrestime, pushkatime, internime.

Jo, do të ishin përjashtime, injorime dhe shpopullim e dëbim i miliona shqiptarëve në një Eksodus Biblik.

Izolimi në diktaturë dhe dëbimi në post diktaturë përbëjnë binomin për t’i shbërë shqiptarë.

Izolimi dhe dëbimi – janë në sinonimi të plotë – paçka në dukje si dy kahje të kundërta, si në antitezë.

 

“A ia vlen që të pres edhe pak – e pyesja veten në poezi/ Asgjë e frikëshme ndoshta më nuk do të ngjasë/Ndoshta do të jetë kthyer edhe njeriu…/

 

Por njeriu veç ikën nga Mëmati jonë i dashur deri në vuajtje dhe Atdheun tonë të shtrenjtë vazhdon ta rrënojë Njeriu i Ri (tashmë me dhëmbë të implantuar) i tornuar në kudhrën e hekurt në një melanzh diktaturash, e proletariatit, tranzicionit, korrupsionit, krimit të organizuar, varfërisë, poshtrimit – një skelet prej rrenash, edhe sot e kësaj dite një ngrehinë e coftë rrenash, që ka rrënuar Teatrin, Universitetet, Shkollat, Kulturën, trashëgiminë materiale dhe shpirtërore, që e ka varrosur besën, fjalën e dhënë, traditën, historinë dhe ku gjithçka fillon e mbaron me një grusht hiçash bashkuar rreth partive, si unitet monist i antivlerës që urrejnë gjithçka, që nuk e kanë provuar kurrë as dhimbjen dhe as dashurinë, që na urrejnë sepse jemi ndryshe prej tyre, e urrejnë sidomos të qenit ndryshe prej tyre, që urrejnë sidomos të qënit tonë njerëz të lirë, që urrejnë votën, garën, meritokracinë, e cila do t’i kthente në  magazinën e vjetersirave.

 

A IA VLEN TË PRES EDHE PAK….

 

A ia vlen të iki prej këtej
Sepse këtu s’njoh kënd
Sepse miqtë më braktisën kur isha e uritur,
e frikësuar, kur frika ishte obsesioni
im i vetëm në trupin tim.

A ia vlen të iki prej këtej,
Sepse këtu s’më njeh kush
Sepse njeriu nuk m’i justifikoi
Gabimet dhe fajet e pakryera
Kurrë, asnjëherë…

A ia vlen të pres edhe pak
Është një pritje tepër e shkurtër
Flokët nuk do të më rriten aspak
Gjatë kësaj pritjeje…
Sa të mbledh pak vrullin,
hovin, hobin tim të telendisur
sa majtas-djathtas
sa djathtas-majtas,
të qethur,
të qeshur, të përqeshur,
të kallur në baltë
të tallur si klloun
të qërruar, të çalë, të tharë
si lulet e ballsamosura
nëpër herbariume…

A ia vlen të pres edhe pak
Sa të mbledh dalldinë time
të grisur copa-copa
të zhubrosur, të groposur
nëpër rërat e plazheve shkretëtirë
si zonat rreth Nevadës
e Saharës,
Dalldinë time, të harxhuar, të shuar
të thyer, fyer të mbyllur në çmendinë
për psikopati, skizofreni, herezi
e cila e pohonte
aq sigurisht ekzistencën time.

A ia vlen që të pres edhe pak
Asgjë e frikshme ndoshta më nuk do të ngjasë
Ndoshta do të jetë kthyer edhe njeriu
Dhe unë kam mbetur e fosilizuar
Ajo që kam qenë para shumë kohe….

 

1991

‘In memoriam’, botohet monografi per Nexhmedin Zajmin, familja sjell studimin me imazhe të veprave të piktorit

TIRANE

35 vite pas ndarjes nga jeta të piktorit të njohur, Nexhmedin Zajmi, i biri Uvil Zajmi ka mbledhur miqtë e artdashësit, në prezantimin e një monografie, që sjell dhe dokumenton jetën dhe veprën e piktorit. Nga fëmijëria të pedagogët që i zbuluan talentin, si Odise Paskali, nga fillimi i mësimeve te studimet jashtë, kthimi në atdhe dhe një karrierë që u shtri në kohë dhe në vepra, monografia është një lloj monumenti mbi artin që ai la pas.

Monografia përfshin piktura, fotografi dhe një studim për artistin, pa lënë mënjanë edhe qasjen e fëmijëve të artistit, që sjellin anën tjetër të tij, atë të babait përtej kuadrove, penelave e heronjve.

Krijimtaria artistike e Nexhmedin Zajmit fillon që në vitet 30-të e mbaron në vitin 1991, vit kur ai u nda nga jeta në 19 maj. Zajmi i përket brezit të piktorëve të parë që vunë themelet e artit shqiptar ndërsa një pjesë e karrierës së tij ju kushtua, prezantimit e përjetësimit të portreteve e jetës zakonore, të zonave malore dhe periferive, duke sjellë edhe kostumet populloreve të arealeve të ndryshme.

Poezia- Poezi nga SULEJMAN MATO

Janë yjet që më zënë rrugën në jug,
dhe shirat e pasqyruara në burime dhe ujra,
është një milingonë e varur në një fije kashte ,
eshte kopshti me tulipanë dhe polifonia e ullinjve,
është një gomar që këndon në brigje,
dhe vetmia e melodive baritore.
.
Eshtë një bisedë me yjet për ca çështje tokësore,
janë degët e it qershisë që trokasin në xhama,
është një anije që humbet në horizont,
eshte një mbrëmje mbi barin e “Jarden de Leman” ,
janë fluturat që jetojnë vetëm një ditë.
.
Eshtë një ëndërr në “Gunterbryner Plas”,
është pritja e anijeve që kthehen nga Troja,
janë plakat e Vunoit që presin djemtë në muzg,
janë fjalët e mia të pathëna…
Është harresa që çel gjethe drite,
është zëri i nënës në një degë ulliri ,
dhe ulërima e miteve në zgafellat e braktisura,
.
Poezia…
është fjala që përsosi botën…

Protagonistët e rremë- Poezi nga FATBARDH AMURSI

Po i mbyllin shtigjet e së nesërmes,
protagonistët e rremë,
kusari që të zë pritë
na mbahet si udhërrëfyes,
Novatorët,
avanguardistët,
dje këta i quanin dekadentë,
sot si demode e plotë epitete fyes.
Përherë të avantazhuar:
për shkak të pushtetit
ofiqeve të pamerituara,
lidhjeve klienteliste,
Duke shkëmbyer favore
livadhisin në panairin e kotësive.
Pasi i marrin të gjithë
ankohen për kismete të vjedhura,
se u ke hyrë në hak,
Atë çka për vetë e gatisin,
si hark triumfi
ty duan ta kthejnë në lak.
I pretendojnë majat
duke u zvarritur,
duke u shpallur fitues pa garë,
Ngjitu ti po deshe në Everest,
i katapultuari
prapë të del i parë.
Aty ku heroi s’është më një aspiratë,
ku në luftën e bërrylave
gjoksi del jashtë mode,
si relike.
Dhe sheshi i burrave nga duel titanësh
kthehet në një sofër poetike.
Ngaqë s’ecin vetë
s’duhet të ecësh as ti
dhe zënë pikat kyçe,
ku s’ke nga ia mban,
Atdheu rrezikon të mbetet
peng i protagonistëve të rremë,
ku përherë i zoti do bëhet kurban.
.
Fatbardh Amursi

MARSI- Poezi nga ALFRED DE MUSSET- Përktheu SKËNDER BUҪPAPAJ

Oh! Sa mrekulli marsi!
Është muaj i befasive!
Gjithçka përtërin flladi
Nga agu në muzg pyjeve.

.
Përroi s’rrjedh i qetë,
Toka aspak nuk po ngrin,
Përgatit stinën e blertë
Era që nga jugu fryn…

.
S’ka ardhur ende bilbili
plot me nota dhe trille,
por bulkthat dërdëllisin
në brigje dhe pemishte.

.
Mbi gardhin e shpërgjumur,
Krenar për lulet me aromë,
Shihet pjeshka e lumtur
Duke i hapur sythat rozë.

.
Shi apo diell, ngricë apo erë
çdo gjë tash ka sharm e lezet;
është marsi që i vjen të dënesë
dhe buzëqesh mes lotëve të vet.

Roberto Saviano: Mafiet kanë frikë nga ndjenjat e lumturisë (Intervista)

 

VOAL- Shkrimtari më i famshëm anti-mafia në Itali dhe në mbarë botën, Roberto Saviano, ishte i pranishëm të enjten në mbrëmje në SUPSI në Manno për të prezantuar librin e tij të fundit: “L’amore mio non muore”. Ai tregon historinë e Rossella Casanit, një studenteje fiorentine e cila e gjen veten të zënë në mes të një grindjeje të përgjakshme që përfshin familjen e të dashurit të saj. Ajo përpiqet të raportojë krimin, për të liruar partnerin e saj nga ajo jetë. Ai zhduket më 22 shkurt 1981. Trupi i tij nuk është gjetur kurrë. SEIDISERA e RSI-së intervistoi shkrimtarin dhe gazetarin e famshëm, duke reflektuar mbi një jetë të kaluar duke ekspozuar organizatat kriminale.

Roberto Saviano, si e hasët historinë e Rosella Casini-t dhe pse vendosët ta tregonit atë?

Hasa rastësisht në historinë e Rossella-s. Po shqyrtoja, siç bëj çdo vit, arkivat e atyre që ranë në luftën kundër mafies. Por pak dihej sepse prindërit e saj kishin vdekur dhe unë nuk kisha miq të saj… derisa gjeta kushëririn e saj, Sauro, i cili është një nga bashkëprotagonistët në pjesën e parë të librit. Pastaj arritëm të arrinim edhe njerëzit që ishin në shtëpinë e Francescos, të dashurit të Rosselës. Ajo ishte e bindur se dashuria ishte kapitali i nevojshëm për të transformuar botën përreth saj. Rossella e do Francescon, djalin e një anëtari të Ndrangheta-s, dhe përpiqet ta shpëtojë këtë djalë, i cili më pas, në fakt, e lë vetëm. Ajo nuk mund ta kuptojë se sa shumë ai zgjodhi familjen dhe zgjodhi ato rregulla. Është një histori që tregon se si organizatat kriminale i frikësohen ndjenjave të lumturisë. Ndrangheta e shqyen atë, ajo është bërë copë-copë fizikisht, ia këputin këmbët, krahët, ia prenë kokën, e hedhin në det, siç na tha një kriminel i penduar. Një vajzë 1.60 metra e gjatë, nga Toskana. Për çfarë mund të ishte kaq e frikshme? Frika se edhe lënia e trupit të tij në tokë, i vrarë, do të minonte një sistem, domethënë, duke i bërë të gjithë të kuptojnë se përpjekja e tij për të transformuar gjërat përmes emocioneve – jo përmes luftërave sindikale, por përmes emocioneve – mund të jetë një shembull, pothuajse ngjitës.

A pati një moment para publikimit të Gomorrës kur i thatë vetes: “Nëse vazhdoj me librin tim, jeta ime do të ndryshojë”? A i imagjinuat të gjitha këto paraprakisht?

Jo, jo, absolutisht jo. Mendova se do ta ndryshoja jetën time, por për mirë. E shkrova këtë libër me shumë entuziazëm. Pas disa javësh, arriti numrin 10 në listën e librave më të shitur. Drejtori i atëhershëm editorial, Antonio Riccardi, më telefonoi dhe më tha diçka që, o Zot, duke menduar për të sot… Ai tha: “Tani je një shkrimtar profesionist.” Isha 26 vjeç dhe mendoja se kisha vite lumturie përpara meje, plot mundësi narrative. Dhe në vend të kësaj, një bum i papritur, krejtësisht i papritur. Dhe kjo ishte për shkak të shumë arsyeve, jo vetëm atyre të librit. Personazhi im… ajo që ndodhi në Casal di Principe… fakti që unë sfidova klanet… simboli që Gomorra bëhet… bota që bëhet e vetëdijshme për dinamika të caktuara përmes Gomorrës. Dhe kështu e gjithë kjo çon në atë që në fund të fundit bëhet shembja e jetës sime.

Ia vlente? Nëse do të mund të ktheheshe pas, a do të ndryshoje diçka?

Pa dyshim, nëse do të mund të ktheheshe pas, unë do të ndryshoja gjithçka. Nuk do të bëja asgjë përsëri. Jo, për hir të Zotit, do të bëja gjithçka ndryshe, me më shumë kujdes, më shumë hapësirë ​​letrare, më pak beteja militante. Humba, humba. Por humba, jo beteja ime. Është një betejë që është ende gjallë, e vërtetë dhe e fortë. Lexuesit e mi janë atje, gra dhe burra nga Evropa dhe më gjerë. Ata janë të uritur për të vërtetën dhe të gatshëm të angazhohen. Kur them se humba, është sepse beteja ishte e tmerrshme, me një çmim shumë të lartë. Për më tepër, lëvizja antimafia është zhdukur praktikisht. Në Itali, këtë verë, udhëheqësit e klanit Moccia, një klan i madh, u liruan, pa asnjë skandal. Dhe një grup i madh biznesi nga Acerra, i cili e kishte helmuar fjalë për fjalë Tokën e Zjarreve, mori mbrapsht 200 milionë euro. Lëvizja antimafia është zhdukur në mënyrë efektive. Duhet të mendosh se e gjithë kjo ka të bëjë me: “Kiev, Kiev, Kiev, Gaza, Gaza, Gaza, Trump, Trump, Trump”. Nuk është si më parë. Domethënë, nuk ka më një faqe ndërkombëtare, dhe pastaj një lokale ose kombëtare. Jo, tani ka vetëm një faqe. Dhe mafiat e dinë këtë. Nuk ke opinion publik që në mënyrë efektive u kërkon institucioneve të ndërhyjnë. Dhe mafiat në mënyrë efektive nuk janë më problem. Problemi janë emigrantët, ata që vjedhin shtëpitë. Por kur mafia sjell pasuri, kujt i intereson? RSI

Kipc i Uria Hip Poezi nga Elida Buçpapaj

fytyrë pa shprehje,
sy të vengërt
çakërr, bosh
vardiset
lëpirëse
zyrë më zyrë
jargos
t’i hedhin
një kockë post
buzë të holla
që puthja i neverit
gjuhë nepërke bëlbit
kipc i Uria Hip

Gustav Floberi në gjyq

ExLibris

Fjala e prokurorit të mbretit, zotit Ernest Pinar

Zotërinj! Duke filluar këtë debat, Ministria e Arsimit Publik paraqet para jush një faj që nuk mund të mbulohet lehtë. Ky nuk është një paragjykim, por një ofendim i moralit shoqëror dhe i fesë, të cilat, pa dyshim, spikasin në këtë vepër. Janë shprehje pak të dyshimta dhe të turbullta, që mund të përcaktojnë moralin, që përçon tej e tej romani i zotit Gustav Flober.

Por, tekefundit, kur bëhet fjalë për mendime të drejta dhe praktike, është e lehtë të gjykosh në këtë këndvështrim, të dallosh nëse kjo ose ajo faqe e një libri prek fenë apo moralin publik. Vështirësia nuk qëndron te paragjykimi ynë por, para së gjithash, është sidomos në shtrirjen e veprës që kemi përpara për ta gjykuar. Këtu është fjala për një roman të tërë. Kur një artikull gazete i nënshtrohet analizës dhe vlerësimit tuaj se, ku fillon dhe ku mbaron shkelja e ligjit, Ministria e Arsimit Publik e lexon atë dhe ia nënshtron vlerësimit tuaj. Këtu nuk bëhet fjalë për një artikull gazete, por për një roman të tërë, i cili fillon të shkruhet më 1 tetor dhe mbaron më 15 dhjetor dhe që përbëhet nga gjashtë fashikuj të botuar në “Revistën e Parisit”, në vitin 1856.

… Ofendimi i moralit publik jepet në skenat epshndjellëse, që do t’jua sjell para syve, ndërsa ofendimi i moralit fetar është në imazhet plot epsh të përziera me gjëra të shenjta.

… Do të kufizohem duke ju cituar katër skena, ose, më mirë të themi, katër tablo.

E para, do të jetë ajo e dashurive dhe konkretisht e Emës me Rodolfin. E dyta, koha e ndërmjetme fetare mes dy tradhtive të saj bashkëshortore. E treta, mëkati i saj me Leonin, që është shkelja e kurorës bashkëshortore për të dytën herë. Dhe në fund, e katërta, të cilën duhet ta citoj, është vdekja e zonjës Bovari.

… Pra, qysh në gabimin e parë, qysh në mëkatin e parë, ajo i thur lavdi tradhtisë bashkëshortore. I këndon himnin kishtar kësaj tradhtie, i thur poezi dhe përjeton epshet e saj.

… Zotërinj! Keni para jush tre fajtorë: zotin Flober, autorin e librit, zotin Pisha, redaktorin dhe zotin Pije, botuesin. Në këtë këndvështrim nuk ka shkelje të normave të moralit pa publicitet dhe të gjithë ata janë po aq fajtorë. Veçse ne nxitojmë të themi se kryeredaktori i gazetës “Artisti” dhe botuesi i veprës janë fajtorë të rangut të dytë. Fajtori i parë, i akuzuar është autori i veprës, zoti Flober, ai, që me dijeninë dhe miratimin e redaktorit, proteston ndaj refuzimit të botimit të veprës së tij. Pas tij, në radhë të dytë vjen zoti Loran Pisha, të cilit ju do t’ju duhet t’i kërkoni llogari, jo për refuzimin e botimit të kësaj vepre, por për të gjitha ato që duhet të kishte bërë. Dhe në fund vjen botuesi, i cili është një roje vigjilente ndaj këtij skandali… nëse lejojnë të shkelet ligji, është njësoj sikur të lënë të kalojë armiku… Por sa për Floberin, fajtorin kryesor, pikërisht ndaj tij, duhet të jemi shumë të ashpër.

… Po e supozojmë se vepra është morale, por një konkluzion moral nuk mund të ketë në brendinë e tij detaje e çaste epshndjellëse që ndodhen në vepër. Dhe, së dyti, unë them se vepra në themel nuk ka moral.

Zotërinj! Unë them se detaje dhe momente epshndjellëse nuk mund të mbulohen me një përfundim të moralshëm, kur në të tregohen gjithë orgjitë e paimagjinueshme, kur përshkruhen tërë turpet dhe poshtërsitë e një femre publike, duke e bërë të vdesë mbi një shtrat të ndonjë spitali.

A do të ishte e lejuar të analizoheshin dhe të tregoheshin të gjitha pozat e saj epshndjellëse? Kjo gjë do të ishte sikur të shkoje kundër të gjitha rregullave të gjykimit të shëndoshë. Kjo do të ishte sikur t’ia vije në dorë helmin të gjithëve dhe ilaçin në dorën e një pakice të vogël njerëzish, nëse do të gjendej një ilaç i tillë.

Kush janë ata që e lexojnë romanin e zotit Flober?

… Skenat epshndjellëse të pikturuara me penelin e zotit Flober, në përgjithësi, kanë më shumë ndikim sesa arsyetimet me mendje të ftohtë.

… Kush mund ta dënojë këtë grua në libër?

I tillë është përfundimi. Në libër nuk gjendet një personazh që mund ta dënojë atë. Nëse ju do të gjenit aty një personazh me arsye të shëndoshë, nëse do të gjenit në të një vlerë të vetme të virtytit, i cili do ta dënonte rëndë tradhtinë bashkëshortore, atëherë unë do të isha gabuar në vlerësimin tim. Pra, nëse në të gjithë veprën e zotit Flober nuk gjeni dot një personazh që do ta bënte atë të ulte kokën nga turpi, nëse nuk ka një mendim a ide, një linjë virtyti që ta damkosë me mëkat tradhtinë bashkëshortore, atëherë unë kam të drejtë të them se romani i zotit Flober “Zonja Bovari”, është i pamoralshëm.

A do të dënohej kjo vepër në emër të nderit bashkëshortor?

Por nderi bashkëshortor është paraqitur me një bashkëshort të padjallëzuar, i cili pas vdekjes së gruas, kur takon Rodolfin, kërkon të gjejë te fytyra e dashnorit të saj tiparet e gruas që dashuronte me gjithë shpirt.

Po ju pyes, vallë a do ta demaskoni me turp këtë grua, në emër të nderit bashkëshortor, kur në vepër s’gjendet asnjë fjalë e vetme, ku burri i saj të dorëzohet para shkeljes së kurorës martesore?

FJALA E MBROJTJES NGA AVOKATI, ZOTI ANTUAN ZHYL-SENAR

… Po vij këtu në këtë sallë gjyqi, për të përmbushur një detyrim ndërgjegjeje, pasi e kam lexuar veprën, pasi kam ndier e shijuar gjithçka që për mua është e ndershme dhe fetare.

…Zoti Gustav Flober është njeri me karakter serioz, i prirë nga natyra e tij për çështje të rëndësishme, për gjëra të trishtuara. Nuk është ai tip njeriu që ministri i Arsimit Publik me ato pesëmbëdhjetë apo njëzet rreshtat e qëmtuara aty-këtu në roman, ka dashur t’jua paraqesë si krijues të skenave epshndjellëse.

… Ajo që zoti Flober ka dashur mbi të gjitha ka qenë subjekti i studimit të jetës reale. Të krijojë dhe paraqesë tipa të vërtetë të klasës së mesme të shoqërisë aktuale, që jetojnë në kushtet e jetës së përditshme dhe që paraqesin para syve të lexuesit tablonë reale, e cila haset më shpesh në botë… Na përshkruan një grua që shkon drejt vesit, për shkak të një martese të papërshtatshme për të dhe nga vesi i shkallës së fundit të poshtërimit dhe fatkeqësisë… Zhgënjimi, dhimbja, brejtja e ndërgjegjes e kaplojnë atë menjëherë.

… Te vepra e tij, në çdo faqe të saj, pasqyrohen tërë rrugët e mëdha ku kalon shoqëria jonë.

…Kjo vepër është shkruar me një fuqi të madhe vëzhguese deri në detajet më të imta, të cilën e vlerëson edhe zoti prokuror. Këtu duhet të përqendrohet vëmendja juaj, sepse, nëse akuza s’ka baza, ajo duhet të bjerë.

… Por ata që e kanë lexuar librin deri në fund, ashtu si unë, do të thonë: Ai është diçka për t’u vlerësuar, për t’u lexuar me dëshirë që, jo vetëm e shfajëson autorin, por ju detyron të largoheni nga përndjekja që i bëni, sepse kur ai arrin të shkruajë pjesët më të vështira dhe pikërisht ato të shthurjes së Ema Bovarisë, në vend që të bëjë si disa shkrimtarë klasikë, të cilët Ministria e Arsimit Publik i njeh mirë, harron se, duke shkruar këtë roman po përgatiste aktakuzën e tij.

… Për të ky roman nuk ka qenë objekt i një kënaqësie, por është një punë hulumtuese e pandërprerë prej dy a tre vitesh.

… Klienti im shkoi te Lamartini dhe tek ai gjeti, jo vetëm një njeri që i ka dhënë kurajë, por një person që i ka thënë: “Më keni dhënë në dorë veprën më të mirë letrare që kam lexuar qysh prej njëzet vitesh… Besoj se në tërë jetën time kam njohur njeriun që në veprat e tij letrare, si dhe në këtë të fundit, e ka kuptuar më së miri se ç’është morali publik dhe ai fetar, i dashur miku im, nuk ka mundësi që në Francë të gjendet një gjykatës që t’ju ndëshkojë. Është për të ardhur keq që kanë hedhur baltë mbi karakterin që ka vepra juaj dhe që kanë dhënë urdhër për ta përndjekur atë, por s’është e mundur që në nderin e vendit dhe të epokës sonë, të gjendet një gjykatë për t’ju dënuar.” Me një fjalë, këto ishin lëvdata të tilla, të cilat klienti im me thjeshtësinë që e karakterizon, mezi merrte guximin të m’i përsëriste.

Pra, mos e harroni këtë zoti prokuror i mbretit se, kur doni të gjykoni mendimet e autorit të romanit, kur doni të gjeni në të ngjyrimin epshndjellës, unë e konsideroj dhe e vlerësoj si një libër të shkëlqyer.

“Dhe befas Leoni iu duk po aq i largët ndaj saj, si të tjerët. ‘Megjithatë, e dua,’ thoshte me vete. S’ishte e lumtur, nuk pati qenë kurrë e tillë. Nga i vinte kjo, pra, kjo mungesë e të përjetuarit të dashurisë, kjo përdhosje e gjërave, ku ajo mbështetej?” A ka ndonjë gjë epshndjellëse këtu, te këta rreshta?

Botimi i parë origjinal i romanit “Madamë Bovari”, Botues: Michel Lévy frères, Paris, 1857, 12×18,5cm, 2 volume, lidhje e thjeshtë.

… Libri i tij nuk do të lexohej po të ishte shkruar ndryshe, nëse, për të treguar një edukim të tillë të rrezikshëm si ai i zonjës Bovari, ai nuk do të derdhte në vepër si lumë imazhe mjaft të këndshme dhe s’do të pikturonte me penën e tij tablotë e vrullshme e sentimentale, për të cilat po qortohet… Dhe po deklaroj se nuk ka gjë më të kotë se ç’është thënë deri më tani, për ngjyrën dhe natyrën epshndjellëse të veprës… Zoti Flober është autori i një libri të mirë, i një libri që është ngacmim i virtyteve nga tmerri i vesit.

E mbroj një njeri që, nëse do të kishte takuar një kritik letrar, ai do ta kritikonte për formën e librit të tij për disa shprehje, për shumë detaje në këtë pikë, dhe ai do ta kishte pranuar këtë kritikë letrare me gjithë zemër. Por kur sheh se akuzohet për fyerje të moralit publik dhe të fesë, zoti Flober nuk përmbahet dhe proteston para jush mjaft i habitur dhe me tërë energjitë që ka në dispozicion kundër kësaj akuze të pabazë.

Ju, zotërinj gjyqtarë, nuk jeni nga ata që i ndëshkojnë librat vetëm duke lexuar disa rreshta, por jeni nga ata që, para së gjithash, gjykoni mendimet, sesi ato ndërthuren në vepër dhe që do t’i bëni vetes atë pyetje, me të cilën e kam nisur fjalën e mbrojtjes dhe me të cilën po e mbyll:

A të bën ta duash vesin leximi i një libri të tillë, a të frymëzon tmerri ndaj vesit?

Po kjo pendesë kaq e tmerrshme për gabimin, a nuk e shtyn atë, a nuk ngacmon virtytin tek ajo?

Leximi i këtij libri nuk mund të shkaktojë te ju ndonjë përshtypje ndryshe nga ajo që na ka bërë neve dhe duhet ta dini: Në tërësinë e tij ky libër është i shkëlqyer dhe se në të detajet janë të paqortueshme.

E gjithë letërsia klasike na dhuron tablo dhe skena mjaft të ndryshme nga ato që na janë lejuar.

Përktheu nga origjinali Çlirim Gega

Fragment nga romani “Zonja Bovari”, nga Gustave Flaubert

Megjithatë, ajo nganjëherë mendonte se ato ditë të para të martesës ishin më të bukurat e jetës së saj, muaji i mjaltit, siç thuhet. Që ta shijonte nektarin e tyre, e mira ishte të kalonte nëpër ato vende me emra kumbues, ku ditët e para pas martesës kalohen në një plogështi aq të këndshme! Hipur në ndonjë karrocë poste, me perde mëndafshi të kaltër nga brenda, ngjitesh ngadalë nëpër rrugët e rrëpirëta, duke dëgjuar gurgullimën e shurdhët të ujëvarës. Kur perëndon dielli, ngopesh me erën e këndshme të limonëve në breg të gjive të detit; pastaj në mbrëmje, duke ndenjur mbi tarracën e vilave, vetëm për vetëm dhe kapur dorë për dore, vështron yjet dhe bën plane për të ardhmen. Ajo mendonte se në këtë rruzull tokësor disa vende duhet të krijonin lumturi, si ndonjë bimë e veçantë, që çel mbarë në një vend dhe që s’bëhet dot askund tjetër. Përse të mos prehej edhe ajo, mbështetur mbi bërryla në ballkonin e ndonjë vile zvicerane, a të mbyllej bashkë me trishtimin e saj në ndonjë shtëpizë fusharake skoceze, si bashkëshorte e një burri të veshur me frak kadifeje të zezë me kinda të gjatë dhe me çizme prej lëkure të butë, me kapelë me majë dhe me mansheta!

Ndoshta do të kishte dëshirë t’ia hapte zemrën ndokujt për të gjitha këto ëndërrime. Po si mund ta shprehte një siklet të pakapshëm, që ndërronte trajtë si retë, që vërtitej si vorbull ere? Nuk gjente dot fjalët, domethënë rastin, i mungonte guximi.Megjithatë, asaj i dukej se, po ta donte Sharli një gjë të tillë, po ta kishte parandier, po të ishte puqur qoftë edhe një herë të vetme shikimi i tij me mendimet e saj, zemra do t’i zbrazej përnjëherë nga gjithë ajo ngarkesë, ashtu siç bien frutat e pjekura të pemëve sa vë dorën në to. Mirëpo, sa më shumë i lidhte jeta bashkëshortore, aq më tepër në brendësi të shpirtit ajo shkëputej prej tij.

Bisedat që bënte Sharli ishin të rrafshëta si trotuare rrugësh dhe në to qarkullonin mendime dosido të njerëzve me veshje aq të zakontë, sa s’të ngjallnin asnjë emocion, s’të bënin as të qeshje, as të ëndërroje. Kur banonte në Ruan, i thoshte ai, s’ishte bërë asnjëherë kureshtar të shkonte të shihte ndonjë shfaqje në teatër me aktorë nga Parisi. S’dinte as të notonte, as të bënte skermë, as të gjuante me pisqollë, bile, një ditë, nuk kishte qenë në gjendje t’i shpjegonte asaj një term të të hipurit në kalë, të cilin ajo e kishte hasur në një roman.
Mirëpo, a nuk është e domosdoshme vallë që burri të shkëlqejë në shumë drejtime, ta bëjë bashkëshorten të njohë forcën e pashtershme të dashurisë, shijet e stërholluara të jetës, të gjitha të fshehtat? Ndërsa ai s’i mësonte asaj asgjë, s’dinte kurrgjë, s’kishte asnjë dëshirë. Kujtonte se ajo ishte e lumtur; dhe ajo e kishte inat që ai s’e prishte fare terezinë, që s’dilte kurrë nga ajo plogështi e patrazuar, që e ndiente bile veten të lumtur prej saj.


Send this to a friend