Profet i pari njeri,
i fundit frymor i frymës, ç’gradë mund të ketë?
Dy sytë në ballë,
a mos hyrja,
a mos dalja,
e tunelit me dy hyrje të kësaj bote?
Botës, s’je matje, pashë më pashë dhe symbyllur,
lëviz, shkon, vjen, rrotullohesh,
hija, a mos akrepi i madh i orës fatale
dhe vetë trupi njerëzor- akrepi i vogël?
Tani pse ndale?
Mendimet pse i përzure:
“-Më lini vetëm,
mos t’ju shoh më në derë!..”?
Peshën e pikës e shkule,
tutje e hodhe gurin e saj,
shkopinjtë e përmasave një për një
me duar e me këmbë i theve,
shtatë ngjyrat e shikimit i përzieve,
a për të bardhën fillestare,
a për të bardhën fundore?
Por hënën, hënën e përgjysmuar,
pse “njëra vithe“ e quajte?
A mos e plota femër ty, si mashkull,
përgjysëm të deshi?
A nga mesi e lart,
për te shezlogu i Kashtës së Kumtrit?
A nga mesi e poshtë,
te lëng i vullkanit, me ty për shkop?
Ku të deshi tjetër, ku?
A te hyrja,
a te dalja e tunelit me dy hyrje e kësaj bote?
Kërthiza- gryka e pusit më të mistershëm,
jo shtriga,
por e Bukura e Dheut,
nga aty shkëputet.
Tani asgjë më, asgjë, as nga leximet e filozofëve,
“supergruaja” e Nietzsches gjithnjë e më tepër te mungesa,
simbol i bukurisë femërore i plotë veçanërisht në art,
“Mona Liza” nga Da Vinçi
e pa konkurueshme,
piktura “Merilin Monro” nga Uarhol
e konkurueshme.
“-O pasy!..”,
“-O pavesh!..”,
“-O pagojë!..”, –
Kujt po i flet? Cilës trajtë?
Loti- sy i dalë,
vesh i varur
apo flluskë e frymës?
Po unaza në gisht, a mos rreth i lotit të ndezur?
Në lëngun e lotit gishtin e lage,
në gojë e fute, fëmija siç bën,
kripa e shtatë shijeve,
a për të bardhën fillestare,
a për të bardhën fundore?
Para pusit të trupit të vetes tash në vendnumuro,
gati të hidhesh e të mbytesh
jo te gjak i pakicës, por te ujë i shumicës në trup.
Por, në çastin e fundit,
shtytja e frymës së fundit, insektin shtyn
nga cep i buzës së tharë,
zërin ngre sa mund gjallesa
duke fluturuar.
Komentet