Voal – Përpara disa ditësh deklarata e Kryetarit të Akademisë së Shkenca dhe Arteve Vladimir Kostić u shoqërua me një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga presidenti i Serbisë Nikolić. Në deklaratën e lëshuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë thuhet se deklarata e kryeakademikut Vladimir Kostić është befasuese. “Presidentin Nikolić e ka befasuar shumë, që të mos përdorim ndonjë fjalë më të ashpër, deklarata e Presidentit të ASHAS Vladimir Kostić, se Kosova de facto është e pavarur dhe de jure e humbur për Serbinë dhe se aleanca me Rusinë është një alternativë artificiale dhe se Serbia duhet të hyjë në parajasën e BE-së”, thuhet në reagim. “Profesori Kostić e ka thënë këtë dhe ka mbetur i gjallë” vazhdon më tej reagimi.
Pas këtij reagimi të ashpër nga Nikolić, kryeakademiku Vladimir Kostić, një shkencëtar i njohur në neurologji, që e sheh të ardhmen e Serbisë vetëm tek integrimi në BE, deklaroi se nuk tërhiqet nga qendrimi i tij.
Në mbështetje të tij u deklarua menjëherë historiania serbe Latinka Perović, që i ka thënë gazetës “Danas” se kryetari i Akademisë serbe ka thënë të vërtetën në lidhje me pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se me atë rast ai ka pasur sjellje të intelektualit të pavarur dhe të përgjegjshëm.
Dhe pas zonjës Perović tani në mbështetje të akademikut Kostić kanë dalë mbi njëqind personalitete të jetës publike të Serbisë, intelektualë dhe profesorë universiteti, përafqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë. Dialogplus ka sjellë një letër nga Qendra për Politikë Praktike, në të cilën mes të tjerash thuhet se “Është e drejtë e secilit të shprehë qëndrimin e tij për Kosovën dhe për çdo temë tjetër. Kjo e drejtë nuk mund dhe nuk guxon të cënohet mga individët apo pushteti që e shpallin si interes nacional”. Këtë letër e kanë nënshkruar, mes të tjerëve, profesorët universitarë Dragan Popadiq, Dubravka Stojanoviq, Ratko Bozhoviq, Ilija Vujaçiq, Milena Dragiçeviq Sheshiq, Radina Vuçetiq, Jovan Teokareviq, Slobodan Markoviq, Svenka Saviq, akademiku Julijan Tamash, gazetarët Gordana Susha, Branko Çeqen, Rade Radovaniq, Grujica Spasoviq, Jelka Jovanoviq, Mijat Lakiçeviq, Misha Brkiq, Nadezhda Gaçe, Vukashin Obradoviq, Nebojsha Spaiq, Slavisha Lekiq, Vojkan Ristiq, Vesna Malishiq, sociologët Vesna Peshiq, Sreçko Mihajloviq, regjisorët Kokan Mladenoviq, Anja Susha, Goran Markoviq dhe të tjerë.
“Kjo është një përkrahje për gjestin e guximshëm të një njeriu, i cili ka thënë atë që e mendon shumica”, deklaroi Ljubinka Trgovçeviq, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Beogradit dhe po ashtu nënshkruese e letrës. “Njerëzit tanë, e sidomos politikanët tanë, më shumë duan të fshihen pas frazave patriotike të tipit , duke mos e pranuar se de fakto Kosova qëmoti është e humbur për Serbinë”, deklaroi Trgovçeviq në një kronikë të Radio Evropa e Lirë. Po ashtu në mbrojtje të akademikut Kostiq ka dalë edhe PEN Qendra e Serbisë.

Komentet