Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm. Adriatik Llalla, ka dhënë për herë të parë një intervistë ekskluzive për Çim Peka Live, pas dënimit të tij nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në akuzën për korrupsion, ku ka folur hapur për shumë prapaskena kundër tij, duke akuzuar drejtëpërdrejt edhe ambasadorët e rëndësishëm të huaj në Tiranë
Çim Peka: Kemi mbrëmjen e sotme në një intervistë ekskluzive, ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Mirëmbrëma. Kënaqësi të ju kem në studion dhe pranove këtë ftesë. Jam i sigurtë që keni pasur ftesa edhe nga mediat e tjera, apo keni bllok nga media.
Adriatik Llalla: Faleminderit për ftesën, kënaqësi të jem në studion tuaj.
Peka: A keni pasur ftesa të tjera.
Llalla: Ftesa ka përditë, por kënaqësia ime është të jem para jush sot.
Peka: Zoti Llalla, Gjykata e shkallës së parë Kundër Korrupsionit ju dënoi pak ditë më parë me dy vjet burgim, 5 vjet qëndrim jashtë funksioneve publike dhe konfiskimin të pasurisë tuaj. Një pyetje si fillim- Si u ndjetë, pasi ju keni qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme për 5 vjet dhe a e prisnit këtë vendim?
Llalla: Të jem i sinqertë, një vendim të tillë e prisja. Është një vendim që u mor jashtë sallës së gjykimit, prej më shumë kohësh, hetimet e nisura ndaj meje, edhe përpara se prokuroria të niste hetimet, dukej se një vendim i tillë ishte marrë dhe u formalizua në sallën e gjykimit. Normalisht nuk ndihem mirë. Nuk ka si ndihet mirë një njeri që është dënuar për një vepër që nuk e ka kryer. Por krahas vetes ndjej se sistemi i drejtësisë po shkon drejt një modeli tjetër të zhvillimit, ku në shumë raste vendimmarrjet merren jashtë sallën së gjykimit për të plotësuar tekat, dëshirat, mllefet e individëve të caktuar.
Peka: Një vendim të tillë e prisnit në sallën e gjyqit, por ditën që jeni emëruar kryeprokuror, a ke menduar ndonjëherë se do të dënoheni për korrupsion dhe ish-kryeprokurori, apo prokurori Adriatik Llalla do të jetë një ditë i burgosur?
Llalla: Hetimet ndaj meje filluan për korrupsion dhe për disa vepra të tjera penale. Nuk u la veprim hetimor pa u bërë për të verifikuar nëse kishte korrupsion apo jo. Përfundimi ishte se prej meje, akuza mendoj se shkoi në mos deklarim të pasurive dhe për asnjë vepër tjetër penale. Vepër për të cilën jam edhe dënuar në pritje për të ndjekur ecurinë e mëtejshme të procesit.
Peka: Në momentin që jeni zgjedhur si kryeprokuror, a keni menduar se një funksion i tillë ka edhe rrisqe të tilla?
Llalla: Normalisht këto janë kostot e pushtetit, por në bindjen time, punën time ka qenë gjithmonë i sigurtë që nuk ka pasur asnjë veprim të kundërligjshëm, aq më tepër për korrupsion, apo vepra të kësaj natyre.
Peka: Jemi i bindur se nuk keni kryer korrupsion, por gjykata arriti në përfundimin se ju keni fshehur pasurinë ne 3 raste, cilat janë këto raste dhe provat që mori për bazë gjykata?
Llalla: Do të bëj një përmbledhje të asaj çfarë aludohet në lidhje me pasuritë e mia. Bëhet fjalë për një apartament banimi 60 metra2 në qytetin e Durrësit, 22 mijë metër2 tokë arë në një fshat të largët të Tiranës dhe kati i 3-të i banesës ku unë jetoj prej mëse 20 vitesh. Sipas akuzës edhe më pas të gjykatës, asnjë prej meje nuk pati pretendime nëse këto pasuri ishin deklaruar, prona që unë i kam dhe i kam deklaruar. Pretendimi i akuzës është se nuk është deklaruara vlera reale e ndërtimit të këtyre pronave. Akuzë që e bazojnë vetëm në një akt ekspertimi teknik e kryer nga një eksperte e zgjedhur nga prokurori, pa kryer asnjë veprim tjetër hetimor. Kjo u mor përbazë dhe mbi bazën e këtij ekspertimi gjykata arriti në konkluzionin që unë kam kryer këtë vepër penale. Akt të cilin unë realisht është kryer në mënyrë të njëashme dhe në provat e reja që dolën gjatë gjykimit, e sillte të domosdoshme kryerjen e një akti tjetër ekspertimi. Gjykata nuk mori në konsideratë vetëm me qëllimin që ti referohen këtij akti që në përfundim të gjykimit të gjindej shkaku që të më deklaronte fajtor.
Peka: Pra janë 3 raste. Një apartament në Durrës, tokë në një fshat të Tiranës dhe kati i 3-të i banesës. Ju thoni se i keni të deklaruara. Nuk i justifikojnë të ardhurat tuaja këto pasuri?
Llalla: Këto pasuri janë të siguruara nga burime të ardhurash legjitime, të verifikuara, kontrolluara prej 3 vitesh nga hetimi. I vetmi pretendim në rastin tim, bazohet në rastin e rivlerësimit, në bazë të të cilit pretendohet se këto prona kanë vlerë më të lartë dyfish se sa i kam deklaruar unë.
Peka: Sa është blerë apartamenti në Durrës?
Llalla: Apartamenti në Durrës është blerë 22 mln lekë të vjetra në vitin 2012. Në kohën kur e kam blerë, duke iu referuar pallatit ku është blerë apartamenti im, çmimi shkon në 600 mijë lekë të vjetra metri katrorë, kurse prej meje është blerë me 35 mijë lekë metri katror. Është blerë më lirë se apartamentet e tjera.
Peka: Pse më lirë?
Llalla: Është një marrëveshje që u lidh me ndërtuesin e objektit, dëshmi të cilën ai e bëri edhe para trupës gjyqësore. Është një marrëveshje e lidhur me vullnetin tonë të lirë, në një moment të vështirë që ai ndodhej, ku unë isha i interesuar të bleja një apartament në Durrës. Ramë dakord dhe unë deri para daljes së vendimit gjyqësor, kisha në pronësi këtë apartament.
Peka: Keni qenë Prokuror i Përgjithëm në atë kohë?
Llalla: Jo, kam qenë në Insepektoriatin e deklarimit të pasurive.
Peka: Nuk është një favor që i është bërë prokurorit të përgjithshëm?
Llalla: Nuk ka lidhje me funksionin e fundit që kam pasur.
Peka: Me informacionet që kam unë, prokurorja që ka nisur çështjen edhe ajo ka blerë një apartament në atë zonë me rreth 14 mln, pra në vlerën më të ulët se sa ju.
Llalla: Ky është një realitet i bërë publik në momentin kur kjo ish-prokurore tashmë ishte në procesin e vettingut. Nga të dhënat e bëra publike rezultoi se ajo kishte blerë apartamentin 14 mln lekë dhe brenda 9 muajsh, pra bëhet fjalë për prokuroren Donika Prela, në atë kohë e komanduar nga Arta Marku, si drejtuese e Prokurorisë së Durrësit dhe filloi për këtë arsye, sepse apartamenti im ishte blerë me çmim më të lirë se zona.
Peka: Pra, Donika Prela që ka nisur hetimin ndaj jush për këtë apartament, vetë ka deklaruar në vetting se ka blerë një apartament gati në gjysmën e çmimit të apartamentit tuaj/
Llalla: Gati në gjysmën e çmimit tim dhe në 9 muaj e ka shitur në 3-fishin e çmimit, ndërsa apartamenti im i blerë në vitin 2012 vazhdon të qëndrojë aty.
Peka: Donika Prela ka qenë prokurore e emëruar nga ju?
Llalla: Ka qenë prokurore brenda sistemit në prokurorinë e Durrësit.
Peka: Flasim pak për tokën. 22 mijë metra2. Me çfarë çmimi është blerë?
Llalla: Çmimi mesatar i tokës është 67 mijë lekë metri katror.
Peka: Ju akuzoheni se e keni blerë më lirë?
Llalla: Akuza bazohet pikërisht në këtë se është blerë më lirë se sa tregu. Ndërkohë që sipas të dhënave të mbledhura nga vetë eksperti gjatë hetimit rezulton se në vetëm 1 rast, pronat kanë qenë më të lartë se sa i pronës time, dhe të gjitha rastet e tjera kanë qenë me çmimin më të ulët.
Peka: Pra në zonën ku keni blerë këtë tokë, çmimi është më i ulët…
Llalla: Bëhet fjalë për një fshat rreth 10 km jashtë Tirane që është një zonë me infrastrukturë jo normale.
Peka: A ka emra të tjerë të njohur ngjitur me pronën tuaj që mund ta kenë blerë më lirë?
Llalla: Në dijeninë time, ka shumë emra të njohur, personazhe publike, zyrtarë, të dhënat e të cilëve mund të gjenden lehtësisht brenda deklarimit të pasurive, ku çdo kush mund ti gjejë. Ashtu siç ka pasur mundësinë prokuroria që krahas rastit tim, ku janë mbledhur të dhënat për të gjithë tokat kufitare, ku çmimi është më i ulët, ku kanë dalë edhe emrat e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve, në asnjë rast tjetër nuk është filluar hetimi, përfshirë ministra dhe ish-ministra.
Peka: Është komshi me ju Damian Gjiknuri?
Llalla: Nuk mund të them me saktësi, se cili është komshi apo jo.
Peka: Kur është bërë hetimi, rezulton se Gjiknuri është komshi me ju dhe e ka blerë me rreth 3 mijë lekë, pra me gjysmën e çmimit tuaj. A keni dijeni se ka nisur hetimit për Gjiknurin?
Llalla: Nuk di të ketë nisur hetim si për Gjiknurin, apo rast tjetër të kësaj natyre.
Peka: Gjergj Bojaxhi?
Llalla: Unë jam rast i vetëm që ka nisur hetimi, prandaj këmbëngul se hetimi ndaj meje ka qenë i paravendosur dhe vendimi nga gjykata atë ditë ka qenë i paravendosur.
Peka: Do të vijmë tek arsyet e hetimit ndaj jush, por kalojmë të pjesa e tretë. Tek akuza e 3-të. Kati i 3-të i banesës tuaj, për çfarë akuzoheni?
Llalla: Kati i 3-të i banesës, gjykata bazohet në faktin se pretendon sipas ekspertes se kati i 3-të nuk është ndërtuar në vitin e deklaruar prej meje. Unë e kam deklaruar të përfunduar në vitin 2006, sipas ekspertes pretendohet se ndërtimi është përfunduar në vitin 2002 dhe vlera e ndërtimit ka qenë më e larta. Duke llogaritur këtu krahun e punës apo shpenzimet e tjera. Ndërkohë që puna në banesën time, që nga themelet deri në ndërtimin përfundimtar është bërë me punë vullnetaren time, të familjarëve të mi. Përveç kostos së ndërtimit, çdo shpenzim tjetër ka qenë puna jonë.
Peka: Kur është bërë ky apartament, çfarë funksioni keni pasur?
Llalla: Kam qenë oficer prokuror në disa rrethe të vendit.
Peka: Këto janë 3 akuzat që gjykata ju ka dënuar.
Llalla: Pretendohet se prej meje nuk është deklaruara vlera reale. Bëhet fjalë edhe për dy raste të tjera lidhur me shpenzimet më pas. Si shpenzimet për lindjen e djalit tonë nga bashkëshortja në SHBA dhe shpenzimet për pagesën e një qiraje 6 mujore në Gjermani.
Peka: Çfarë shpenzimesh ka pasur lindja e djalit në SHBA?
Llalla: Lindja e djalit sipas marrëveshjes së nënshkruar nga gruaja me spitalin përkatës ku është realizuar lindja, e nënshkruar në datën 2 janar 2017, në bazë të cilës bashkëshortja merrte përsipër që mbasi të faturohej nga spitali, do të paguante menjëherë detyrimet spitalore. Në atë vit, adresa ishte e një mikut tonë që jeton në SHBA, ku shkon dhe fatura spitalore. Fatura e parë ka shkuar në 17 maj të vitit 2017, ditë në të cilën është pagesa prej tij. Fatura nuk kalonte shifrën prej 300 mijë lekësh të cilat janë detyrim që subjekti e deklaroi më pas në Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive. Shifra tjetër prej 5 mijë dollarësh është paguar pasi unë jam larguar nga funksioni dhe nuk kisha më detyrime deklarimi.
Peka: Z. Llall, realisht, pasuria juaj sipas raportimeve mediatike, shkon diku tek 100 milion lekë (të reja). Pak a shumë sa ajo e ish-gazetarit dhe ish-deputetit Alfred Peza, për të cilin ju kishit hapur hetim për pastrim parash. Është me të vërtetë shumë e madhe kjo për një zyrtar shteti… Kjo pasuri a justifikohet me të ardhurat e ligjshme gjatë jetës tuaj?
Llalla: Realisht vlera që përmendët është përdorur nga media dhe pikërisht nga personi që përmendët. Emrin e tij nuk dua të përmend e as të dëgjoj. Bëhet fjalë për një shpifës ordiner i cili gjatë gjithë këtyre viteve është marrë personalisht me mua dhe familjen time, duke shpifur, aluduar histori nga më të paimagjinueshmet. Në rastin konkret pasuria ime nuk është çmimi. Nuk është problem që të kisha pasuri në ato vlera. Por pasuria nuk është ajo në ato vlera. Ai është çmimi që pasuritë janë rivlerësuar. Dua të shpjegoj se çfarë thotë ligji për rivlerësimin e pasurive se kjo është edhe një ndër arsyet e tjera ku pretendohet dhe bazohet akuza ndaj meje. Ligji për rivlerësimin e pasurive del gjithmonë në varësi të rrethanave kur shteti ka interes për të rivlerësuar pronë në zhvillim më një zonë të caktuar. Interesi i shtetit është se në një periudhë të caktuar përfiton 2 % të tatimit për pronat që rivlerësohet, ndërsa subjekti në rastin tim unë, shmangin në të ardhmen një tatimi prej 15% që është detyrim për tu paguar në favor të shtetit. Më ka rastisur në të dy herët janë edhe momentet kur kanë dalë rastet e rivlerësimit të pronave.
Peka: Megjithatë këtë vlerë që i ka vendosur pasurisë tuaj, keni hetuar edhe ju për pastrim parash. Çfarë ka rezultuar nga hetimit ndaj ish-gazetarit Peza, sot sekretari Dixhital i PS?
Llalla: Hetimi ndaj Pezës ka nisur në bazë të kallëzimit të Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, hetim të cilin e filloi Prokuroria e Përgjithshme, duke kryer procedurat hetimore. Më pas atij iu hoq imuniteti si deputet, dha dorëheqjen dhe u largua si deputet. Pas largimit tim nga prokuroria, në mënyrë jo ligjore në bindjen time, materialet i kaluan prokurorisë së krimeve të rënda dhe më pas dosja kaloi në Gjykatën e Tiranës. Veprime në tërësi në shkelje të ligjit, pasi ky ishte një ish-deputet dhe duhej hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme, e më pas nga SPAK apo Krimet e rënda. Në gjykatën e Tiranës mori pafajësi, nuk u ankimua. Një çështje që ka kaluar në heshtje, mund të jetë hera e parë që sot përmendet rasti i ish-deputetit. Si për koincidencë të faktit, ndodh që ky deputet me pronat që iu sekuestruan gjatë gjykimit, çështja u ankimua në Gjykatën e Lartë, ku i njëjti gjyqtar që gjykoi rastin e tij, gjykoi dhe rastin tim. Hoqi sekuestron ndaj pronave të tij dhe në të njëjtat rrethana në rastin tim nuk u mor në konsideratë dhe vazhdojnë të jenë të sekuestruara tashmë.
Peka: Është i njëjti gjyqtar?
Llalla: I njëjti gjyqtar, tashmë i larguar nga sistemi i drejtësisë, Edmond Islamaj ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Peka: Çfarë do të kërkoni në Apel dhe përse gjykata duhet të marrë parasysh argumentet tuaja?
Llalla: Me shpresën që gjykata e Apelit do të jetë realiste, nuk do të jetë e ndikuar nga rrethanat që përmenda deri tani, janë të gjitha rrethanat që të vendosë për pafajësinë time, pasi nuk kam kryer asnjë vepër penale që më akuzojnë. Dua të theksoi se vendimi i shkallës së parë, gjyqtarja që shqyrtoi çështjen ishte i paravendosur, nisur nga rrjedhshmëria që ajo ndoqi procesin. Gjatë gjithë procesit u rrëzua çdo provë, kërkesë e imja për marrjen e provave, si për riekspertim, thirrje dëshmitarësh, marrje dokumentesh, që lind e domosdoshme në një proces gjykimi. Proces që mund të jetë rekord në Shqipëri, çdo 2 ditë ose brenda javës ishte lënë seancë gjyqësore, që nuk ka ndodhur as me të arrestuarit, paraburgosurit që mund të kenë vite në qeli dhe nuk lihen seanca në periudha kaq të shkurtra. E ndoqa vetë procesin nga data 16 prill deri në 20 maj kur u dha vendimi. Proces gjykimi që edhe pse është i hapur për publikun, duke shfrytëzuar masat anti-Covid u la të bëhej me dyer të mbyllura. Në sallën e gjyqit nuk mungonte një çift që dukej se ishin të huaj, me të cilët dukej se kishte kontakte dhe vetë gjyqtarja. Salla e gjyqit u bë e hapur për publikun vetëm ditën e vendimit, ku salla u mbush me gazetarë, ku nuk u respektuan më masat anti-Covid.
Peka: Si kanë qenë vendimmarrjet e gjykatave në raste të ngjashme?
Llalla: Është rasti i parë në historinë shqiptare që një zyrtar dhe çdo nënpunës tjetër i hetuar të dënohet me burgim. Një vepër penale që parashikon dënimin nga gjobë deri në 3 vite burg. Në shumicën e rasteve gjykata ka vendosur gjobë dhe në mjaft raste është pushuar. Në mjaft raste, tashmë gjykata e posaçme ka hetuar ose gjykuar zyrtar të niveleve të ndryshme, përfshirë dhe gjyqtarë të akuzuar për korrupsion ka aplikuar masa dënimi pezullim ose punë në interes publik. Po kështu edhe për zyrtarë të niveleve të larta, të akuzuar për vepra edhe shumë më të rënda penale, ka shkuar në masën e dënimit ka qenë pezullim i ekzekutimit të vendimit penal.
Peka: Nëse gjykatat do të vendosin përfundimisht dënimin tuaj me burgim, si mund ta vuaj ish-Prokurori i Përgjithshëm dënimin me burgim mes te dënuarve qe janë dënuar gjate kohës tuaj edhe te dënuarve te tjerë?
Llalla: Normalisht nuk është se do të ndihet mirë, nëse do të shkojë drejt një fundi të tillë. Gjithsesi do të respektoj vendimin e drejtësisë shqiptare për të vuajtur dënimin që nëse vlerësohet, sipas rregullave të bazuar në ligj. Nuk ndihem i kërcënuar apo i trembur. Nuk do të dal të debatoj apo zihem me të dënuar të tjerë nëse do të shkoj në të tilla rrethana. Nga ana tjetër nuk kam frikë askënd, sepse kushdo që është hetuar apo gjykuar gjatë kohës që unë drejtoja akuzën, apo kam punuar prokuror i thjeshtë në të gjitha rrethet e vendit nuk është hetuar apo dënuar në mënyrë tendencioze. Gjithçka është bazuar në prova.
Peka: Nëse nuk keni frikë askënd, pse nuk keni nisur hetimet për të njëjtën çështje për kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj sepse i keni pasur të dhënat e deklarimit të pasurive të tyre. Veliaj e ka të paktën me dyfishin e vlerës, apartamentin që ka blerë. Rama ka deklaruar se ka blerë tokë me 2 mijë lekë të vjetra, sot po flasim për një pronë milionash. A ndiheni përgjegjës që shikoni se jeni në këtë situatë dhe nuk keni filluar hetim për këta zyrtarë të lartë që qartësisht nuk e justifikojnë çmimin e tregut për kohën kur janë blerë?
Llalla: Nëse do të ndiqej kjo praktikë që është ndjekur me mua sot, pra të dënohesh për një deklarim që ti e ke bërë në përputhje me ligjin, kontrata në përputhje me ligjin, vetë subjektet kanë bërë, dokumentuar përpara noterit me vullnetin e tyre të plotë. Është një marrëveshje mes palëve dhe nuk ka arsye për të filluar hetim. Por nëse do të hapej sot, siç ka filluar rasti im, prokuroria është e detyruar të nisë hetimet për cilin do, përfshirë edhe ata që përmendët ju.
Peka: Prokuroria fillon hetime edhe kryesisht. Ka nisur hetime edhe për raste të tjera deklaratash në publik. Rama në atë kohë ka deklaruar për një tokë të blerë për 2500 lekë. Më vonë është shprehur se shtëpinë e ka bërë me kursimet e gruas. Kur filloi protesta e studentëve, ai tha se shtëpinë e kam bërë me kursimet e mia si refugjat në Paris. Deklarata kontradiktore, ku çdo prokuror do të niste hetim për korrupsion aktiv. Ju keni qenë prokuror në 2019.
Llalla: Jo, unë nuk kam qenë prokuror në 2019. Mandati im ka përfunduar në fund të 2017.
Peka: Nuk keni qenë prokuror kur ka deklaruar Rama, sepse janë dy deklarata që çdo prokurori që zbaton ligjin do të niste hetim. Ju po thoni se keni blere pronat me çmimin real ashtu siç kanë blerë edhe shumë zyrtarë te tjerë dhe qytetar ne atë zone, po kështu rivlerësimi i pronës është një veprim ligjor. A keni dijeni ju për emra konkrete dhe si e shpjegoni qe për te njëjtat shkaqe ndaj jush kane filluar hetimet dhe u dënuat dhe për asnjë rast tjetër nuk kane filluar?
Llalla: Emra konkret nuk kam. Di kontratat që janë lidhur, me ato jam njohur gjatë procesit të hetimit, pra ku eksperti ka përmendur të gjithë rastet e ngjashme ku pronar janë shitur me çmim më të lirë. Por emrat konkret nuk kam. Emra kam dëgjuar shumë, por nuk mund të flas në opinion, por nuk mund të flas me emra.
Peka: Natyrisht, procesi penal zhvillohet në gjykatë. Por, kur bëhet fjalë për ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, njeriun që ka pasur fatet e shumë njerëzve në dorë, ka një interes shumë të lartë publik. Aq më tepër që emri juaj shënoi një rekord botëror, si personi i parë në planet që Sekretari Amerikan i Shtetit i bëri publike ndalimin, duke e shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor.
Zoti Llalla, cili është korrupsioni madh që keni bërë ju dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju konsideroi si të përfshirë në korrupsion galopant?
Llalla: Është një vendim i DASH që normalisht nuk më bën të ndihem aspak mirë, krenar, as veten as familjen time, as si shqiptar, as ballkanas apo evropian, sepse dal se kryeprokurori shqiptar del si më i korruptuari në botë, pa ju referuar një rasti konkret. Të dalë edhe në shumë kontinente të tjera, jo veç këtu. Pra flasim për kryeprokurorin që del si njeriu më i korruptuar në vend. Faktet që ju referuan DASH janë të çuditshme për mua. Unë do të ju referohem një përgjigje që vetë DASH i ka kthyer prokurorisë shqiptare lidhur me të dhënat që ata kërkuan për arsyen e ndalimit.
Nuk ka asnjë fakt, siç u citua. Del qartë që DASH thotë se ka një informacion në publikun e gjerë, por se kush është ky informacion, prej shumë vitesh juve si gazetar, nuk ka ndodhur ndonjë rast që një qytetar, shtetas, gazetar, përfshirë edhe ai individi që përmendëm më përpara të më thotë një rast korrupsioni në të cilin Llalla është i përfshirë, në një çështje të caktuar temë të caktuar korrupsioni. Opinioni i DASH është krijuar në bazë të këtij portali anonim të krijuar nga ky ish-deputet.
Peka: Ju po thoni se sekretari Tillerson ju ka shpallur non grata se ka besuar portalin e Alfred Pezës?
Llalla: Nuk ka tjetër, nuk ka pasur asnjë të dhënë tjetër publike. Përgjigja i referohet një opinioni të gjerë publik, përveç një portali që u krijua kundër rregullave duke u betuar përditë se do të më shkatërronte mua dhe familjen time, etj. Qëllim që deri diku ka arritur ta realizojë duke e kthyer në një konflikt personal e jo vetëm ligjor.
Peka: Alfred Peza nuk tremb njeri, është ish-gazetar, ish-deputet, një prej megafonave të Ramës, por gjithsesi është pak e papranueshme të mendojmë se Peza paska ndikim tek ambasada këtu apo DASH për të ju shpallur non grata. Ky sulm ju ka ardhur nga ambasada këtu duke përdorur portalin e Pezës, apo mendoni se ka edhe politikanë të lartë kundër jush.
Llalla: Në morinë e të gjithë këtyre që përmende secili ka rolin e vete. Unë po e nis nga politikanët shqiptare. Gjatë kohës që ish kryeprokuror, shumë zyrtarë të lartë, përfshirë politikanë, deputet, kryetarë bashkisë, u hetuan, dënuan, ndëshkuan për veprat që kishin kryer. Njëherazi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit u larguan një sërë deputetësh që ishin kthyer në faktor politik në vend, sepse nuk ishin vetëm deputetë, por kishin edhe pasuri të konsiderueshme, media apo çdo material që ndikonte mbi pushtetin. Këta kanë ndikim në çështjen time. U krijuan përplasjet siç edhe rastit të krijuar vetëm për të më sulmuar mua.
Peka: Kush prej zyrtarëve të lartë, mendoni se ka ndikuar, hakmarrë ndaj jush.
Llalla: Secili me rolin e vet, më aktivët duket qartë që media, megafoni ka qenë Peza.
Peka: Asnjëri prej tyre nuk është dënuar, thjeshtë ka pasur nisje hetimesh. A do të thotë kjo që Llalla nuk e ka bërë punën e tij, apo është shantazhuar?
Llalla: Puna ime është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka asnjë rast të tolerimit, raste të shkeljes së ligjit. Përfundimit e gjykimit kanë ndodhur pasi unë jam larguar nga drejtimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjithë gjyqet kanë përfunduar apo kanë shpallur të pafajshëm pasi unë jam larguar.
Peka: Dakord, ju keni nisur hetimet, por Rama ka lënë jo njëherë, por disa herë të kuptohet se dalja e përgjimeve të zgjedhjes së Dibrës dhe Durrësit, në gazetën Bild ka qenë një bashkëpunim i prokurorisë shqiptare për të dëmtuar Edi Ramën dhe zgjedhjet e 2017. A ka pasur gisht Adriatik Llalla në publikimin e këtyre përgjimeve?
Llalla: Nuk mundet që prokurori të përfshihet në nxjerrje të sekretit të hetimit. Do të ishte një tjetër shkelje ligjore.
Peka: A filluar një hetim për të kuptuar se nga dolën keto të dhëna?
Llalla: Këto hetime kanë nisur dhe përfunduar pasi unë jam larguar nga funksioni, pasi mandati im ka përfunduar në në fund të vitit 2017. Nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur pasi unë jam larguar nga funksioni.
Peka: A mendoni se sulmi i brendshëm ka ndodhur pikërisht publikimi i këtyre përgjimeve? Ose firma juaj për të përgjuar këto zyrtarë?
Llalla: Unë kam qenë gjithmonë në ushtrim të detyrës time.
Peka: A mund të ndodhin përgjimet pa urdhër të prokurorit?
Llalla: Përgjimet formalizohen me vendimin e gjykatës. Përgjimet e proceduriale bëhen me firmën e gjykatës.
Peka: A keni qenë në dijeni se po përgjohen këta zyrtarë të lartë?
Llalla: Isha në dijeni të shumë hetimeve që kishin nisur. Prokurori i Përgjithshëm ka pasur kompetenca më të mëdha se sa sot dhe tek unë, ishte detyrim që strukturat e prokurorisë të raportonin për ecurinë e hetimeve, sidomos kur bëhej fjalë për çështje sensitive.
Peka: Në një intervistë te Fevziu jeni shprehur se Donald Lu është investuar kundër jush. Pse?
Llalla: Marrëdhëniet e mia me ambasadorin u kthyen në një debat personal. Lidhur më shumë me qëndrimet që unë mbaja për çështje të caktuara. Ajo që është për tu theksuar që është një lloj nënvlerësimi që ne shqiptarët i bëjmë vetes tonë është se përulemi përpara çdo të huaji që vjen në vendin tonë. Pikërisht kjo ndodhi edhe me ambasadorin Lu. Kemi pasur disa herë debate për tema të caktuara për të cilat ndërhynte ose kërkonte të impononte mënyrën se si ai e vlerësonte zgjidhjen. Një ndër temat e diskutuara në debate ka qenë edhe Reforma në Drejtësi.
Peka: Keni pasur debate me Donald Lu për reformën në Drejtësi?
Llalla: Në tryeza pune edhe kemi debatuar.
Peka: Keni qenë kundër reformës…
Llalla: Nuk kam qenë kundër reformës. Sistemi i drejtësisë kishte nevojë për tu reformuar, jo për tu sulmuar. Unë kam qenë kundër sulmit në bllok që po bëhej ndaj punonjësve të sistemit të drejtësisë. Të gjithë u hodhën kundër punonjësve të sistemit të drejtësisë, atyre që në ditët më të vështira, në vitin 1997, punuan në çdo cep të vendit. Prokurori i Gjirokastrës i cili mbronte prokurorinë me armë. Në Vlorë, Lushnje, Berat, e kudo tjetër. Këta njerëz nisën të sulmoheshin dhe etiketoheshin si kriminel, që realisht janë njerëz që punonin ndershmërisht. Sulm në bllok, duke përfshirë edhe presidentin Nishani që ishte i pari që sulmonte punonjësit e drejtësisë dhe të gjithë me radhë.
Peka: Ju ka sulmuar dhe presidenti Nishani?
Llalla: Mua personalisht jo, por sistemin e drejtësisë. Nishani, Dedja, kryetari i gjykatës së lartë e të gjithë me radhë u hodhën të gjithë kundër punonjësve të sistemit me idenë se mund të siguronin privilegje në të ardhmen. Në daljet publike kam qenë i vetmi zyrtar i cili kam qenë kundër luftës në bllok që po i bëhej njerëzve të drejtësisë.
Peka: Ju keni qenë i zgjedhur nga Nishani si kryeprokuror. A ja keni thënë Nishanit se pse po e sulmoni drejtësinë në bllok?
Llalla: I kam thënë Nishanit, Metës dhe kujtdo tjetër, që ky nuk është veprimi i duhur. Ne nuk mund të demotivojmë pjesën pozitive. Një nga debatet me Donald Lu ka qenë pikërisht kjo. Sepse nuk mund të sulmohet në bllok të gjithë punonjësit e sistemit, sepse po demotivojmë pjesën pozitive të punonjësve të sistemi te drëjtësisë dhe fakti po e tregon se jo të gjithë mund të futen në një kallëp, sepse vettingu po tregon se pjesa më e madhe po e kalon këtë proces.
Peka: Gjatë kohës që ishit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, u përfshitë në një debat të ashpër, madje edhe me akuza personale me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Përse kjo përplasje? A nuk mund të kishit një qëndrim më luajal dhe të shmangnit kursin e debateve me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Llalla: Me Donald Lu debati u kthye në konflikt personal. Filluan debatet mediatike, sulmet e ndërsjellta pa pasur asnjë arsye madhore, përveç faktit se në natyrën e tij, ose ashtu kishte gjetur rrugën në shumë institucione të tjera, synonte të bëhej ashtu siç donte ai. Në një moment që ata nuk perceptonin dot mendimin ndryshe, mendimin e një drejtuesit të një institucioni të shtetit shqiptar.
Peka: Pra fillimisht me Donald Lu përplasja ishte për reformën në drejtësi, nuk pranonte asnjë lloj mendimi ndryshe nga ai?
Llalla: Fakti tregon se ky proces reforme siç erdhi, u implementua pa marrë mendimin e askujt brenda sistemit. Prokuroria përshembull, çoi anëtarë të grupit të punës, dy nga anëtarët më të mirë që kishim. Fatkeqësisht të dy janë larguar nga sistemi, si Dritan Rreshka dhe Henrik Ligori. Ishin pjesë e grupit të punës, por realisht nuk dhanë ndonjë kontribut sepse mendimi i tyre nuk u mor asnjëherë në konsideratë. Në bindjen time, unë kam qenë gjithmonë që akuza të mos decentralizohej, por të ishte një institucion i centralizuar. Tashmë me ndryshimet ligjore nuk është më ai institucion i centralizuar dhe mendoj se rrjedha që ka marrë nuk është më ai institucion serioz shtetëror.
Peka: Tashmë është e njohur për median, është një email që Donald Lu ju ka dërguar ju dhe thotë: Z. Llalla faleminderit për përgjigjen tuaj të shpejtë, nuk mund të theksoj mjaftueshëm se sa i shqetësuar jam personalisht për pasoja e ndjekjes penale të këtyre personave të Bankers Petroleum nga prokurori i Fierit. Në çdo vend tjetër do të prisnim të shihnim gjoba dhe penalitete administrative. Akuzat penale janë të pazakonta. Kjo do të ketë një ndikim kryesor në aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime të huaja pikërisht kur ministri Gjiknuri po përpiqet të kërkoj investime të huaja që të marrin pjesë në ankand për blloqet e naftës në Shqipëri. Dua te jem i sinqertw me ju që është dyshimi im që trysnia dhe presioni politik është pas vendimit të prokurorit të Fierit. Ne do ta ndjekim këtë çështje nga shumë afër, me respekt Donald Lu.”
Kjo është Email i dërguar nga Donald Lu, çfarë e lidh Donald Lu me Bankers dhe cila është e vërteta, a kishit ju dyshime që prokurori i Fierit i ka kërkuar ryshfet Bankers.
Llalla: Prokurori i Fierit ka ushtruar në mënyrë korrekte punën, ai që ka pasur çështjen ka nisur një hetim në rrugë normale për situatën që ndodhi në disa puse nafte që sollën pasoje në zonën naftëmbajtëse, por edhe pronat e banorëve dhe ka qenë një nga debatet e tjera që kam pasur me zotin Lu.
Peka: Lu ndërhyri për çështjen e Bankers dhe te Fevziu keni thwnw që ju ka njoftuar një biznesmen i fuqishëm, që nëse nuk do të pushoni çështjen zoti Lu do të vijë në zyrën tuaj, a ndodhi kjo?
Llalla: Si e kam përmendur atje po.
Peka: Zoti Lu ju erdhi me pronarin e Bankers?
Llalla: Po ne u prezantuam dhe rezultoi që ai ishte pronari ose menaxheri që vinte nga Kanadaja.
Peka: Dhe si u ndatë nga ky takim?
Llalla: Në të njëjtat rrethana, duke këmbënguli që prokuroria do të hetoj rastin në mënyrë korrekte deri në fund dhe nëse do të vlerësoj që nëse kishte përgjegjësi penale një punonjës i kompanisë do të shkonte drejt përgjegjësisë penale ose në të kundërt çështja do të merrte një rrugë tjetër.
Peka: Ju nuk e ndaluar hetimit?
Llalla: Jo asnjëherë, i kemi kërkuar kompanisë që të ç’dëmtonin banorët e asaj zonës që edhe sot besoj që janë pa banesa, por asnjë nuk e mori këtë përgjegjësi.
Peka: Sekretari i Shtetit Tillerson që ka firmosur deklarimin non-grada të Adriatik Llallës ishte aksioner në këtë kompani, a jam korrekt?
Llalla: Po, është e vërtetë.
Peka: Ju po e pranoni që Tillerson që ka firmosur deklarimin non-grada ishte aksioner i kësaj kompanie që ju nuk keni ndalur hetimin ndaj saj të kërkuar nga Donald Lu. Në përgjigjen e DASH ndaj prokurorisë shqiptare nuk ka asnjë të dhënë konkrete përveç faktit që thuhet se ka kryer korrupsion masiv sipas opinionit. A e konsideroni këtë rast si një hakmarrje të numrit një të DASH ndaj jush?
Llalla: Nëse do të shkonte rasti im që rasti i parë në botë ku do të cenoheshin interesat e Sekretarit të DASH do të ishte interesante nëse do të lidhej me këtë, por fakti që Tillerson është ortak kësaj kompanie mund ta vërtetoj çdo kusht.
Peka: Ju mendoni se u cënuan interesat e zotit Tillerson që u shkarkua më vonë nga Trump?
Llalla: Pse jo!
Peka: Por nuk aludoni deri aty që mendoni se ai u shkarkua për rastin tuaj?
Llalla: Jo nuk e besoj.
Peka: Megjithatë po në ato vite kanë filluar disa shpime të tjera për naftë edhe te Bankers, por edhe të kompanive të tjera ku Soros ishte aksioner, a keni informacion që Soros është aksioner të Bankers?
Llall: Jo nuk kam informacione.
Peka: Plus kësaj është i njohur fakti që Xhorxh Soros ka qenë inspirues dhe përfitues nga donacioni i Reformës në Drejtësi në Shqipëri. A e lidhni edhe këtë sulm ndaj jush me këtë emër apo jo.
Llalla: Çdo gjë mund të jetë e mundur lidhur me përplasjen që ka ndodhur me ambasadorin Lu në 2016 ku me cilësoj si pengues në Reformën në Drejtësi në rrethana krejt absurde, pasi prokurori nuk kishte asnjë kompetence mbi legjislativin ose ekzekutivin që ta pengonte reformën fare. I kërkohej nga grupi i eksperteve ne i vendosëm më të mirët, ndërsa në tryeza pune unë kisha mendimet e mia për mënyrën se si duhet të funksiononte institucioni i prokurorisë.
Peka: Sot ambasadori i SHBA nuk është Lu, por Kim dhe ditën që është marrë vendimi për ju që jeni dënuar me 2 vite burg ka reaguar në Tuitter e cila thotë: Më vjen mirë që shoh që jep rezultate kjo përfshirë dhe ish-zyrtarë të lartë që u është ndaluar hyrja në SHBA për korrupsion, tregon qe askush pavarësisht sa i fuqishëm nuk është mbi ligjin, kur të gjithë janë te barabarte para ligjit të gjithë kanë dinjitet. Ky është dinjiteti vërtetë ju drejtohet ju apo Sali Berishës, pasi është dita kur është publikuar reagimi i Bliken për Berishën.
Llalla: Siç duket nga teksti ky Tuitter ka lidhje me mua, nuk e kam ndjekur pasi kur jam larguar jam tërhequr në jetën time private, në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor, për të parë ecurinë dhe zhvillimet, por nuk e kam ndjekur deklarata e ambasadores.
Peka: Duke parë pozitat në të cilat jeni, a jeni penduar që nuk keni dëgjuar këshillat e ambasadorit Lu. Lalla sot si ish-i persekutuar a e kupton qe me Amerikën edhe kur s’ka të drejtë nuk luhet.
Lalla: E kam të vështirë të pranoj me atë që Amerika është e njëjtë me atë që ishin ambasadorët.
Peka: Por veproj Sekretari i Shtetit.
Lllalla: Po veproj, por megjithatë e kam të vështirë ta pranoj që Amerika vepron në këtë formë. Unë, familja ime u persekutuam vetëm pasi ishim të njohur për mendimet tona pro amerikane, pro demokratike kundër një regjimi totalitar siç ishte diktatura komuniste.
Peka: Babai juaj është dënuar nga regjimi komunist si një agjent i CIA-s, ndërsa ju djali i tij jeni shpallur non grada po nga SHBA, a e keni imagjinuar ndonjëherë një situatë të tillë?
Llalla: Babai ka bërë 15 vite burg.
Peka: A keni pyetur ndonjëherë nëse ka qenë agjent i Cia-s?
Llalla: Gjate gjithë kohës që babi ishte gjallë në diktature kur ishte koha për të deëgjuar Zërin e Amerikës, ne mblidheshim në një dhomë të fshehtë dhe shpresonim se ca do të bëhej kur do të ndërhynte Amerika dhe do të na mbështeste në rrugen tonë drejtë demokracisë. Çfarëdo mund të ketë ndodhur, por në dijeninë time nuk di që të ketë shërbyer si agjent, përveç faktit që babi im ka mbaruar një shkollë amerikane dhe ka shërbyer në shumë aktivitete të ndryshme dhe ato janë tema që gjithkush i merr në varr.
Peka: Duke pasur parasysh Donald Lu, sekretarin Tillerson rasti konkret a është kjo Amerika që shpresonim të ishte kur e dëgjonim Zërin e Amerikës fshehurazi?
Llalla: Realisht ndjej një zhgënjim, nisur që nga ambasada që kemi këtu e cila pala shqiptare personeli është i gjithi pasardhës të nomenklaturës së kuqe të zyrtarëve më të lartë të kohës së komunizmit, dhe çuditërisht të gjithë ata që zgjidhen nga lotaria amerikane janë nga kjo kategori.
Peka: Ju thoni se po drejtoheni padrejtësisht dhe me presionin Ambasadës, a është SPAKU nën ndikim e Ambasadës Amerikane?
Llalla: Po!
Peka: Jeni i bindur për këtë?
Llalla: Jam i bindur që gjërat e bëra publike dhe seancat e mija ndiqeshin nga përfaqësuesit të ambasadës dhe gjyqtarja gjithë kohës mbante një kontakt vizual me një çift që ndodhej në sallë dhe mesa duket merrte aprovimet nëse do të miratoni një veprim të caktuar duket qartë ndikimi i tyre në sallën e gjyqit.
Peka: Zoti Lalla nuk jeni i vetmi qe jeni kërcënuar nga një ambasador amerikan, në këtë studio ku jeni ulur ju është e bujshme deklaratat e Presidentit Meta i cili tha: Ambasadorja Kim me kërkoj te shkel ligjin pasi siç tha Meta edhe ne kemi gjera për ju; pra është një shantazh i drejtpërdrejtë.
Nderkohë zoti Berisha në mënyrë surprizë është shpallur non-grada nga SHBA ashtu si ju në të njëjtat argumente edhe përgjigja e zëdhënësit të DASH është me motivacioni se opinioni në Shqipëri dhe rajon është i bindur për korrupsionin por nuk kërkohen prova nga ne. A është kërkuar Adriatik Llalës si kryeprokuror të arrestoj Ilir Metën dhe Sali Berishën?
Llalla: Kjo është temë për të cilën jam shprehur më herët dhe duket e pavend që ti rikthemi të tillë diskutimi dhe të mos ta ripërsërisim.
Peka: Kohë e kaluar, por a ju është kërkuar konkretisht me emër të arrestohet Sali Berisha konkretisht nga një ambasador?
Llalla Për Berishën po, më është kërkuar që të arrestohen, një kërkesë që është bërë nga ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin që të arrestohet dhe të ndiqet shembulli i Kroacisë.
Ajo më tha se, që Shqipëria të futet në BE duhet të ndjekë rrugën e Kroacisë dhe të arrestoj Sali Berishën dhe ti ke rastin që të tregosh forcën tënde të ndihmosh Shqipërinë të futet në BE. Ajo ka përfituar nga rasti që ishte në statusin e diplomates, sepse në kushte të tjera kjo është e patolerueshme për secilin qytetar të lirë kërkohet arrestim pa prova është absurditet që kërkon të hysh në zyrat e një shteti të pavarur dhe ti imponohesh në forma të tilla.
Peka: I njoftuar për këtë kërkesë institucionet shqiptare?
Llalla: Po kam informuar zotin Nishani, Presidenti i Republikës, dhe zotin Meta që ishte kryetar parlamenti.
Peka: Si reagoi Nishani?
Llalla: Zotit Nishani ju duk e pabesueshme. Vlahutin kishte shkuar menjëherë pas takimit me mua, në zyrën e Metës për të sqaruar këtë debat, duke i paraprirë ndonjë reagimi të mundshëm të tij, moment në të cilin Meta kontaktoj me mua dhe sqaroj se si ishte situata.
Peka: A keni pasur prova ju për Sali Berishën:
Llalla: Në asnjë rast nuk ka pasur që hetimi të nxjerr prova që Sali Berisha të ishte përfshirë në një situatë paligjshmërie.
Peka: A ka pasur ndonjë rast që Berisha të jetë akuzuar nga qeveria Rama në prokurori:
Lalla: Jo asnjë rast.
Peka: Në një letër që keni dërguar në Kongresin Amerikan është bërë në media publike dhe nuk e di sa e vërtetë përmbajtja, jeni shprehur që ju është kërkuar nga ambasadori amerikan arrestimi i zotit Meta?
Llalla: Për zotin Meta u pozicionua vetë dhe pas takimit me Lu u shpreh në mënyrë jo korrekte që tha; unë i besoj ambasadorit dhe jo prokurorisë shqiptare.
Peka: Për Berishën ka pasur kërkesë për arrestim vetëm nga Vlahutin dhe jo nga ambasadori amerikan.
Llalla: Jo ambasadori amerikan
Peka: Pse i larguar fëmijët në Gjermani.
Llalla: Largimi i fëmijëve është një situatë tjetër e vështirë gjatë detyrës time. U detyrova që në fundin e vitit të tyre shkollor, me goditjen e disa bandave kriminale në vend, kisha informacione të besueshme se situata dhe jeta e fëmijëve ishte në rrezik dhe në këtë mënyrë vendosa largimin e tyre ne Gjermani që jetonin pranë disa të afërmve të mi.
Peka: Pas arrestimit të cilës bandë u ndjetë të rrezikuar?
Llalla: Kanë qenë disa banda që kishin lidhje të forta me strukturat e qeverise siç ishte banda e Shullazit që ishte kthyer një bandë me aktivitet dhe mbështetje të gjerë nga strukturat e shtetit.
Peka: Ju keni qenë Kryeprokuror dhe Tahiri ministri i Brendshëm, cilat kanë qenë raportet dhe a jeni ndjerë në konflikt me ish-ministrin që më vonë i zbuluar se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës?
Llalla: Raportet me ministrin Tahiri kanë qenë si me çdo zyrtar tjetër kanë qenë marrëdhënie korrekte dhe institucionale dhe me asnjë nuk kam pasur marrëdhënie shoqërore.
Peka: Pas kaq shumë kohës a jeni penduar për arrestimin e ish-guvernatorit të bankës, Ardian Fullani, tani që gjykata e ka shpallur të pafajshëm:
Llalla: Është i vetmi rast në punën time që është vepruar me nxitim.
Peka: A keni ndonjë peng si ish-kryeprokuror për ndonjë zyrtarë të lartë që duhet të ishte prapa hekurave?
Llalla: Raste mund të ketë shumë, por ne nuk mundemi ti referohemi vetëm prononcimeve të medieve ose ne Facebook vërtetë pritet arrestimi i tyre, por një institucion nuk vepron mbi bazën e kësaj forme.
Peka: Media për ministra konkret nuk kanë vetëm opinione por kanë fakte ulëritëse për korrupsionin e tyre, zoti Llalla nëse prokurori juaj do të kishte arrestuar disa ministra që për to u publikuan fakte tronditëse në vitet 2014-2015 dhe a jeni edhe ju shkaktar e kësaj reforme problematike me mos veprimin tuaj?
Llalla: Në të gjitha rastet kur unë isha në krye të prokurorisë është vepruar në kohën e duhur për çdo material, denoncim dhe kallëzim kur krijohet bindja se kisha prova të duhura për të vepruar.
Peka: Llalla ekziston një perceptim që ju keni materiale komprometuese për politikanët tanë por edhe përfaqësuesit e huaj aktiv në vendin tonë, materiale që do të shkaktonin termet në politikën shqiptare, por ndoshta edhe në diplomacinë e huaja në Shqipëri. Si qëndron e vërteta dhe a keni realisht një koment për këto, nuk dua t’ju krahasoj me çantën e zezë të Spartak Brahos. Pra po flasim për momentin kur keni drejtuar prokurorinë në kohën kur korrupsioni ka arritur nivele të frikshme?
Llalla: Nuk dua të bëj një krahasim me rastin e deputetëve ish-sigurimsa të shtetit që mbanin çanta dhe kërcënonin zyrtarë të shtetin. Natyrisht që gjatë kohës që drejtoja organin e akuzës ashtu dhe më para ligji i jepte kompetenca me shumë kryeprokurorit se sa ka sot, me ligjin aktual. Pra duhet të funksiononte si institucion i centralizuar. Informacionet në atë kohë vinin nga drejtime dhe burime të ndryshme që kishin dhe detyrën të raportonin duke përfshirë veprat që nga siguria kombëtare që përfshin korrupsion, vrasje, trafikime etj. Po e nisim nga siguria kombëtare dhe kur vinin informacione të tilla kryeprokurori i Përgjithshëm është i detyruar të informoj dhe komunikoj me drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit drejtuesit të policisë për të rakorduar punë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Dhe është normale që në zyrën e kryeprokurorit të mbledh shumë informacion që krahas formalisht ka edhe materialisht dhe sigurisht skaliten edhe në mendjen.
Peka: Pra i keni jo vetëm në mendje?
Llalla: Ka materiale të bollshme
Peka: Do ishte mirë që për ato materiale të bollshme të ishte nisur një hetim ose të kishte një ekzekutim që në atë kohë por e rëndësishme është që materiale ka të bollshme.
Zoti Llalla unë të falënderoj për këtë interviste dhe uroj që të gjitha pretendimet tuaj të jenë korrekte sepse në finale e vërteta duhet të fitoj mbi gjithçka.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Bjellorusinë, John Coale, flet për REL-in në Letoni, më 17 shtator.
Artyom Radygin
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, John Coale, e ka mbikëqyrur lirimin e qindra të burgosurve nga Bjellorusia gjatë 22 muajve të fundit, përfshirë 25 këtë javë.
Por organizatat për të drejtat e njeriut thonë se qindra të tjerë kanë mbetur në burg. Ato gjithashtu e kanë vënë në pikëpyetje qasjen e Uashingtonit për shkëmbimin e civilëve, për të cilët ato besojnë se janë burgosur padrejtësisht, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të rënda perëndimore të vendosura pas një shtypjeje vdekjeprurëse të disidencës nga udhëheqësi autoritar, Aleksandr Lukashenko, pasi ai pretendoi fitoren në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat opozita dhe shumë vende perëndimore i cilësuan si “të manipuluara”.
Coale foli më 17 shtator me Artyom Radygin nga Shërbimi i programeve në rusisht të Radios Evropa e Lirë, për përmirësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Minskut që nga kthimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025 dhe për drejtimin e marrëdhënieve diplomatike.
Radio Evropa e Lirë: Në mars, u liruan 250 njerëz, të burgosur politikë, por javën e kaluar ishin vetëm 25. Është një lajm i shkëlqyeshëm që 25 njerëz u liruan nga burgu, por megjithatë është shumë interesante se çfarë ndodhi. Pse u ul numri?
John Coale: Në përgjithësi, janë liruar 800 deri në 900 të burgosur dhe nganjëherë janë liruar 150, e nganjëherë 14. Pra, sado që mund të arrij t’i nxjerr në këtë çast, i nxjerr. Besoj se në negociatat e mia të fundit, të cilat janë ende në vazhdim, në një të ardhme shumë të afërt mund t’i nxjerrim edhe 100, mbi 100 njerëz, dhe do ta bëjmë këtë… ndoshta brenda një muaji apo kështu diçka.
Radio Evropa e Lirë: Cilat çështje duhet të zgjidhen para se kjo të bëhet realitet?
John Coale: Epo, gjëra të tilla si fakti që në të kaluarën kemi hequr disa sanksione për të nxjerrë njerëzit nga burgu dhe duhet të sigurohemi që bankat dhe bizneset në Shtetet e Bashkuara ta kuptojnë se çfarë nënkupton heqja e sanksioneve, pra që në thelb është në rregull të bësh biznes në këtë zonë.
Kështu që duhet të kthehemi dhe ta rregullojmë një pjesë të kësaj. Ne nuk e dinim se bizneset dhe bankat amerikane, si dhe institucione të tjera, nuk e kuptonin se çfarë nënkuptonte kjo. Pra, duhet ta bëjmë këtë dhe më pas do të rikthehemi.
Radio Evropa e Lirë: [Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në mërgim] Svyatlana Tsikhanouskaya pretendon se Aleksandr Lukashenko i “shet” të burgosurit në këmbim të heqjes së sanksioneve. Pra, a krijojnë këto marrëveshje, heqja e sanksioneve, një nxitje për Lukashenkon që të arrestojë më shumë të burgosur politikë, në mënyrë që të ketë diçka për të shkëmbyer?
John Coale: Nuk jam i sigurt… Çdokush me të cilin flas jep një numër të ndryshëm të njerëzve që arrestohen tani.
Pra, nuk e di cili është numri real. Por nëse Lukashenko po shkëmben të burgosur për lehtësim të sanksioneve, për mua është në rregull, sepse jam unë ai që u shikon në sy të burgosurve të liruar dhe shoh se çfarë do të thotë liria për ta. Për mua, kjo është shumë më e rëndësishme sesa disa çështje politike që mund t’i ketë dikush jashtë.
Çështja ime dhe çështja e Shteteve të Bashkuara është humanitare, për t’i ndihmuar njerëzit. Nëse mund t’i nxjerr 25 njerëz, mendoj se është shumë mirë. Nëse mund t’i nxjerr 200, është shumë më mirë. Pra, kështu e shohim ne. Dhe, e dini, Svyatlana mund të ketë mendimin e saj, unë mund të kem timin.
Mendoj se një ditë Shtetet e Bashkuara do të donin të kishin më shumë lidhje ekonomike me Bjellorusinë. Mendoj se Perëndimi do të donte që kjo të ishte gjendja normale.
Radio Evropa e Lirë: Aleksandr Lukashenko e sheh këtë ndryshe. Ai mohon se këta persona të liruar janë të burgosur politikë. Si ju përgjigjët atij?
John Coale: Unë i quaj të burgosur. Nëse ai dëshiron që unë t’i quaj kështu, do t’i quaj lepuj nëse kjo do të bëjë që t’i nxjerr jashtë, nuk më intereson. Pra, nëse ai beson se nuk janë të burgosur politikë, le ta besojë këtë. Unë thjesht njoh njerëz. Kështu që, për mua, semantika e kësaj çështjeje nuk është vërtet e rëndësishme. Mund të jetë e rëndësishme për njerëzit e tjerë, por për mua nuk është.
Radio Evropa e Lirë: A ka synime të tjera të vizitave tuaja në Bjellorusi, përveç lirimit të të burgosurve politikë?
John Coale: Po. Kanë qenë të burgosurit, por gjithashtu edhe që Qeveria bjelloruse të sillet më mirë nga sa mendoj se është sjellë me disa prej fqinjëve të saj, në mënyrë që të mund ta rikthejmë në familjen e kombeve. Edhe ata pajtohen me këtë. Kemi ecur hap pas hapi gjatë një viti e gjysmë të fundit dhe mendoj se po bëjmë përparim, por, sigurisht, Lukashenko e ka vendin e vet që duhet ta udhëheqë, e ka një aleat, [presidentin rus Vladimir] Putin, jashtë vendit, kështu që është e ndërlikuar.
Por mendoj se bota do të ishte vend më i mirë nëse Bjellorusia do të ishte në komunikim me pjesën tjetër të botës në mënyrë të mirë. Dhe mendoj se ata po përpiqen.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju bën të sigurt se Bjellorusia mund të riintegrohet me sukses në familjen e kombeve?
John Coale: Ata po përpiqen dhe po shkojmë në atë drejtim. Nuk jam aq i sigurt, por ne po bëjmë përparim, ata po bëjnë përparim. Pra, mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur. Nuk mendoj se kjo ndodh brenda natës. Është një proces i vërtetë. Dhe aleatja e saj më e madhe është Rusia, ndërsa Bjellorusia është një nga aleatët e paktë që ka Rusia. Kështu që ata duhet ta zgjidhin këtë, jo unë.
Radio Evropa e Lirë: Pra, a është e mundur të institucionalizohen marrëdhëniet e ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë, apo ato do të bazohen në një ekuilibër të thjeshtë të fuqisë?
John Coale: Jo, mendoj se mund t’i institucionalizojmë. Mendoj se duhet ta rihapim ambasadën tonë. [Shënim i redaktorit: Shtetet e Bashkuara pezulluan veprimtarinë në ambasadën e tyre në Minsk në shkurt 2022, menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, me disa sulme të nisura nga territori bjellorus].
Ka shumë hapa që duhen të ndërmerren. Por ajo që kam mësuar është se kjo është gjë graduale. Është një botë shumë komplekse. Kjo është gjë graduale. Por për mua, po shkon në drejtimin e duhur, gjë që është shumë më mirë sesa drejtimi i gabuar.
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët më herët se dëshironi ta zgjidhni çështjen e Bjellorusisë përpara se të fokusoheni te Rusia. Pra, si planifikoni t’i qaseni Kremlinit?
John Coale: Epo, mund t’i bëj të dyja. Mund të vazhdoj atë që po bëj me Bjellorusinë. Dhe kam folur me njerëz, dhe [i dërguari i posaçëm i SHBA-së] Steve Witkoff do të duhej të përfshihej, si dhe [i dërguari i posaçëm amerikan për paqen] Jared [Kushner], për të bërë një lloj shkëmbimi të të burgosurve civilë. Kam folur me ta dhe po bëjmë përparim.
Radio Evropa e Lirë: A keni bërë ndonjë përparim sa u përket shtetasve amerikanë që ndodhen aktualisht në Rusi?
John Coale: Epo, shtetasit amerikanë, por gjithashtu do të doja të ktheja disa prej rusëve dhe ukrainasve në vendet e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Aleksandr Lukashenko ka përmendur në intervistat e tij se po i ofrohet Donald Trumpit dhe liderëve të tjerë si ndërmjetësues me Kremlinin. A e sheh Donald Trump Lukashenkon si një ndërmjetësues të mundshëm?
John Coale: Mendoj se mbase, po, sepse ekziston një marrëdhënie më shumë se 30-vjeçare mes Putinit dhe Lukashenkos. Ata janë miq. Njëri është vëllai i madh, tjetri është vëllai i vogël, por janë miq dhe flasin. Flasin gjatë gjithë kohës. Dhe Lukashenko e viziton shpesh Moskën. Pra, kjo do të ishte e dobishme. Ai mund të ishte i dobishëm si ndërmjetësues mes luftërave, me luftën.
Radio Evropa e Lirë: Por aktualisht, kur shikojmë lajmet për shkëmbimin e të burgosurve, gjithmonë ka diçka për sanksionet që po hiqen. Kush zgjedh se cilat sanksione do të vendosen në tryezë përpara se të lirohen të burgosurit?
John Coale: Epo, në Bjellorusi, këtë e bëj unë, dhe pastaj flas me sekretarin e shtetit ose vetë presidentin, dhe kalojmë përmes një procesi. Pra, John Coale mendon se duhet t’i heqim sanksionet ndaj kësaj, kësaj dhe kësaj. Dhe ose miratohet, ose thuhet: “Epo, këtë nuk mund ta bësh, por këtë mund ta bësh”.
Radio Evropa e Lirë: Si e matni suksesin?
John Coale: Duke i nxjerrë njerëzit nga burgjet. Duke i nxjerrë dhe duke i parë të ribashkohen me familjet e tyre. Ne dalim bashkë me ta dhe ndonjëherë familjet janë njoftuar, ose ambasadorë të vendeve të ndryshme dalin për t’i përshëndetur, u japim telefona që të telefonojnë familjet e tyre; familja nuk ka fare dijeni se ata janë të lirë, dhe është një moment gëzimi. Kështu e mat suksesin.
Radio Evropa e Lirë: Do të doja të kthehesha te shkëmbimi i të burgosurve civilë mes Rusisë dhe Ukrainës. Cili është statusi aktual dhe cilat janë perspektivat e këtij procesi?
John Coale: Mendoj se po fillon, mendoj se ideja është në tryezë, si të thuash, dhe kur të kthehem në Uashington do të shtyj më tej për këtë, sepse mendoj se është një gjë e rëndësishme.
Kongresi i ka dërguar presidentit amerikan, Donald Trump, një projektligj për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, duke hapur një fazë të re të presionit ekonomik të Uashingtonit ndaj Moskës.
Senatorja Jeanne Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëkryesuese e Grupit të Vëzhguesve të NATO-s në Senat, tha se legjislacioni synon të shënjestrojë të ardhurat financiare dhe energjetike të Rusisë dhe të rrisë presionin ndaj Kremlinit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 17 shtator, Shaheen foli për projektligjin për sanksionet, nevojat urgjente të Ukrainës, luftën hibride ruse dhe aktivitetet e Moskës përgjatë krahut lindor të NATO-s. Ajo në këtë intervistë po ashtu foli për paqëndrueshmërinë në Ballkan dhe rolin e opozitës ruse në kundërshtimin e narrativit të Kremlinit për luftën.
“Presioni ndaj Putinit”
Radio Evropa e Lirë: Kongresi sapo ka miratuar projektligjin për sanksionet ndaj Rusisë, legjislacioni i parë i madh dypartiak i Kongresit në mbështetje të Ukrainës që nga paketa e ndihmës emergjente e miratuar në prill të vitit 2024. Çfarë ndryshon për Moskën tani që legjislacioni po i dërgohet presidentit Trump për nënshkrim?
Jeanne Shaheen: Shpresoj se ky dërgon një mesazh të rëndësishëm. Ishte një votim me mbështetje shumë të fortë dypartiake në të dyja dhomat. Në Senat u miratua me 86 vota për dhe 11 kundër, ndërsa dje [v.j. 16 shtator] në Dhomën e Përfaqësuesve mori mbi 100 vota, me mbështetje të madhe dypartiake.
E mbështetën si demokratët, ashtu edhe republikanët. Ajo që do të bëjë është të godasë jo vetëm sektorin financiar të Rusisë, oligarkët dhe njerëzit përreth Vladimir Putinit që po ndihmojnë në zhvillimin e luftës së Rusisë. Do të godasë gjithashtu të ardhurat që po e financojnë këtë luftë, të ardhurat nga nafta dhe gazi.
Legjislacioni do të vendosë tarifa ndaj pesë vendeve kryesore që përdorin naftën dhe gazin rus, që janë kryesisht Kina dhe India. Ato janë përdorueset më të mëdha. Dhe, ajo që kemi dëgjuar nga India është se nëse ky projektligj miratohet ajo do të ndalojë blerjen e naftës dhe gazit rus.
Pra, shpresoj se ky legjislacion do t’i dërgojë një mesazh të fortë jo vetëm Putinit dhe Rusisë, por edhe Kinës dhe blerësve të tjerë të naftës dhe gazit rus. Ai po ashtu godet flotën në hije.
Por, ky është edhe një mesazh për Ukrainën. Dje patëm një konferencë për media ku udhëheqësit e të dyja dhomave folën për mesazhin që po u dërgojmë ukrainasve. Mesazhi është se ne e vlerësojmë guximin e tyre. Ata po luftojnë për demokracinë dhe lirinë dhe ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur.
Radio Evropa e Lirë: Sa shpejt mund të fillojnë këto sanksione që të ushtrojnë presion të matshëm mbi ekonominë ruse dhe çfarë do të përcaktojë shpejtësinë me të cilën ato do të hyjnë në fuqi?
Jeanne Shaheen: Kjo varet nga administrata. Tani, presidenti po planifikon ta nënshkruajë këtë projektligj brenda një dite apo pak më shumë. Shpresojmë që, sapo të nënshkruhet, Departamenti i Thesarit të fillojë zbatimin e këtyre sanksioneve.
Ne kemi punuar shumë ngushtë me përfaqësuesin tregtar, ambasadorin Jamieson Greer, për legjislacionin, në mënyrë që ata të jenë të përfshirë dhe të shqyrtojnë vendet dhe mënyrën se si do të përcaktojnë se cilat prej tyre preken.
Prandaj, shpresojmë shumë se do të shohim veprime nga administrata sapo të miratohet projektligji.
Radio Evropa e Lirë: Kritikët kanë vënë në pikëpyetje nëse sanksionet do të ndryshojnë vërtet llogaritjet e Moskës. Cilët tregues konkretë do të vëzhgoni në javët dhe muajt e ardhshëm për të kuptuar nëse masat po funksionojnë?
Jeanne Shaheen: Do të vëzhgojmë nga afër zbatimin e tyre. Dhe, nuk është vetëm pjesa e sanksioneve që mendojmë se është e rëndësishme, por edhe, siç thashë, ndërprerja e burimeve financiare.
Rusia merr mbi 50 për qind të të ardhurave të saj nga shitja e naftës dhe gazit. Dhe e dimë që Evropa tashmë është shkëputur nga nafta ruse dhe është në proces të shkëputjes edhe nga gazi rus. Por, ka vende të tjera në botë që nuk e kanë bërë këtë.
Në këtë drejtim, Kina është më e spikatura. Kina duhet ta marrë mesazhin se nëse dëshiron të vazhdojë të blejë gaz rus, nëse dëshiron të vazhdojë ta ndihmojë Rusinë të financojë dhe të paguajë për këtë luftë të paprovokuar që po vret civilë, që është e tmerrshme, dhe nëse Rusia po ka rreth 35.000 viktima në mesin e ushtarëve në muaj, atëherë Kina do të duhet të paguajë. Do të duhet të paguajë vlerën e tregut.
Nuk duhet të ketë më blerje të naftës dhe gazit në tregun e zi përmes flotës në hije, ku nuk paguhet çmimi i tregut.
Radio Evropa e Lirë: Ukraina po hyn në një tjetër fazë të vështirë të luftës. Ju jeni në kontakt të rregullt me zyrtarët ukrainas. Çfarë i nevojitet më urgjentisht Kievit nga Uashingtoni tani?
Jeanne Shaheen: Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu dhënë penguesit që po u ndihmojnë ata të mbrohen nga raketat ruse.
Kjo është një sfidë sepse po hasim vështirësi me bazën tonë industriale të mbrojtjes, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe te aleatët tanë evropianë. Mendoj se po përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i siguruar Ukrainës këta pengues.
Duhet të sigurohemi që të kenë lidhje me Starlink, në mënyrë që të mund të ndjekin atë që po ndodh me raketat ruse. Dhe, duhet t’i ndihmojmë të përgatiten për një tjetër dimër shumë të ftohtë.
Duhet po ashtu të mendojmë për çdo mënyrë që mundemi për t’i bërë presion Vladimir Putinit që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe ta ndalë këtë luftë. Ekonomia e tij po lëkundet. Siç thashë, ai ka 35.000 viktima në mesin e ushtarëve në muaj.
Aftësia për të kompensuar nevojën për ushtarë përmes rekrutimit po i kushton shumë para thesarit rus. Prandaj duhet të vazhdojmë të ushtrojmë sa më shumë presion që mundemi, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por të gjithë aleatët tanë.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump ka folur për një armëpushim në fushën e energjisë mes Rusisë dhe Ukrainës. Në çfarë kushtesh mund të bëhet një armëpushim i kufizuar një rrugë drejt një marrëveshjeje më të gjerë?
Jeanne Shaheen: Mendoj se kjo varet nga mënyra se si strukturohet armëpushimi dhe nëse Rusia është vërtet serioze për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Deri tani, nuk ka qenë.
Vladimir Putini po i mban të gjithë në pritje, duke e zvarritur procesin edhe me administratën Trump dhe të dërguarit e saj, sepse mendon se mund të na rraskapitë, sa të heqim dorë.
Epo, mendoj se dje pamë një mesazh të fortë nga Kongresi, nga dy partitë, se nuk do ta lejojmë Putinin dhe Rusinë të na bëjnë të heqim dorë duke na rraskapitur. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ushtruar presion ndaj tyre.
“Lufta hibride po ndodh që një kohë”
Radio Evropa e Lirë: Rusia po përdor gjithnjë e më shumë dronë, sulme kibernetike, sabotime dhe mjete të tjera përtej Ukrainës. Sipas jush, ku përfundon lufta konvencionale dhe ku fillon lufta hibride?
Jeanne Shaheen: Lufta hibride po zhvillohet tash e një kohë dhe tani po shohim një intensifikim të saj.
Lajmi i mirë është se ukrainasit janë shumë novatorë. Ata kanë qenë një hap përpara teknologjisë ruse të dronëve dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur këtë.
Kjo nuk është vetëm në interes të Ukrainës, është edhe në interes të Amerikës. Ajo që kemi parë në Lindjen e Mesme është se këta dronë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ndaj aseteve amerikane në Lindjen e Mesme.
Ne duhet të jemi sa më të avancuar në aspektin teknologjik në fushën e dronëve dhe kundërdronëve dhe Ukraina mund të na ndihmojë me këtë.
Në fakt, presidenti Zelensky, kur u takua rreth një muaj më parë me senatorët, e bëri këtë ofertë. Ai tha: “Ne duam të punojmë me ju për ta ofruar këtë teknologji”.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni ngritur, në mënyrë specifike, shqetësime për aktivitetin rus përgjatë krahut lindor të NATO-s. Çfarë, sipas vlerësimit tuaj, po teston Moska në Baltik dhe në Poloni?
Jeanne Shaheen: Ai nuk po e teston vetëm në Baltik. Po e teston edhe në Poloni.
Ne e dimë se ai po e përdor. Sot patëm një seancë dëgjimore në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe një nga çështjet që u ngrit ishte fakti se Serbia ka shërbyer si një pikë ndalimi për rusët kur ata kryen sulmin në Lajpcig. Më pas u kthyen në Serbi.
Prandaj duhet të sigurohemi që po e luftojmë luftën hibride kudo që mundemi. Dhe kjo nuk është vetëm në interes të Amerikës, por edhe në interes të aleatëve tanë evropianë.
Sapo pamë Distriktin Jugor të Nju Jorkut që ngriti aktakuzë ndaj pesë rusëve, të cilët flasin për vrasjen e amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Ata janë banditë, janë mafiozë, janë të lidhur me Vladimir Putinin dhe ai i ka këta banditë, që po shënjestrojnë disidentët rusë, të cilët ndodhen ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Rusia vazhdon të veprojë nën pragun e një lufte të hapur, si duhet të duket përgjigjja e SHBA-së dhe e NATO-s?
Jeanne Shaheen: Mendoj se duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur Ukrainën.
Duhet të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe të jemi në gjendje t’u përgjigjemi disa prej këtyre sulmeve hibride. Ata po punojnë për këtë në mënyra që, mendoj, do të jenë të dukshme gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm.
Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Serbia, por edhe te Ballkani më gjerësisht. Ju keni ngritur shqetësime për mundësinë e paqëndrueshmërisë, që mund të përfshijë Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Cili është shqetësimi më i madh që keni sot për këtë çështje.
Jeanne Shaheen: Është lidhja që Serbia dhe serbët në Republikën Sërpska kanë me Rusinë dhe interesi i tyre për ta destabilizuar rajonin.
Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duhet ta bëjmë të qartë se edhe ushtria jonë po e vëzhgon situatën nga afër.
Ne kemi një prani të NATO-s në Kosovë. Kemi misionin EUFOR në Bosnjë e Hercegovinë. Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto misione janë në gatishmëri të lartë dhe po e vëzhgojnë nga afër atë që po ndodh.
Radio Evropa e Lirë: Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë. Çfarë mund të nënkuptojë ky vendim për politikën e Kosovës dhe sigurinë rajonale?
Jeanne Shaheen: Nuk e di. Nuk kam pasur rastin që ta shqyrtoj këtë çështje, prandaj nuk mund të komentoj për këtë.
Roli i opozitës ruse
Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Rusia. Çfarë roli mund të luajë opozita ruse përderisa lufta vazhdon dhe shtypja brenda Rusisë mbetet e ashpër?
Jeanne Shaheen: Ata kanë qenë shumë efektivë në nxjerrjen në pah të asaj që po ndodh në Rusi dhe në ruajtjen e lidhjeve me vendin, në mënyra që mund të ndihmojnë në rritjen e numrit të disidentëve që ndodhen brenda Rusisë dhe në shpërndarjen e informacionit për atë që Vladimir Putini po bën, për sa i përket shtypjes të kujtdo që nuk e ndjek politikën e tij.
Ata po zbulojnë pasojat e viktimave që po ndodhin. Dhe, po flasin për ndikimin e sanksioneve në ekonominë ruse, sanksione që janë vendosur jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Evropa, si dhe për pasojat e këtij legjislacioni të ri dhe ndikimin që do të ketë.
Pra, opozita ruse qenë shumë e rëndësishëm në përpjekjet për ta mbajtur përgjegjës Putinin.
Radio Evropa e Lirë: Për fund, nga Ukraina te Baltiku dhe Polonia e deri te Ballkani, a janë këto kriza të veçanta, apo i shihni si elemente të ndërlidhura të një sfide më të gjerë ndaj sigurisë evropiane?
Jeanne Shaheen: Le të jemi të qartë, ajo që po ndodh është e gjitha e ndërlidhur dhe po shohim Rusinë duke bashkëpunuar me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Iran.
Ne e dimë se iranianët po përdorin informacion nga Kina dhe Rusia që u ndihmojnë për të shënjestruar asetet amerikane.
Është e papranueshme që ne të mos bëjmë gjithçka që mundemi për të shënjestruar Vladimir Putinin, për të goditur Kinën, për t’i ndalur sulmet e tyre ndaj burrave dhe grave amerikane që shërbejnë në Lindjen e Mesme dhe ndaj aseteve tona atje.
Kjo po u kushton para taksapaguesve amerikanë dhe po u kushton jetë amerikanëve, dhe kjo nuk duhet të lejohet. Kjo administratë duhet të bëjë më shumë për ta ndalur këtë.
Procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në dënimet që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shqiptuan më 16 shtator kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët i shpallën fajtorë për krime lufte, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Por, Tromp, e cila ka ndjekur nga afër edhe procesin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në atë që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se më i mundshëm është një ndryshim i pjesshëm sesa i plotë i aktgjykimit ndaj tyre.
Para intervistës, në disa komente për REL-in, Tromp e cilësoi si “mëkat fillestar” të Dhomave të Specializuara faktin që, sipas saj, ato u konceptuan për ta “kënaqur” Serbinë, dhe jo si një institucion i mirëfilltë i përcaktimit të përgjegjësisë.
Ajo vlerësoi se gjykata u krijua më 2015 si çmim për vazhdimin e mbështetjes perëndimore për Kosovën, “me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do të çonin drejt njohjes së pavarësisë” së shtetit.
Sipas Trompit, aktgjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së ka pasoja përtej përgjegjësisë së tyre individuale. Ajo veçon konstatimin për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” dhe përmendjen në aktgjykim të personave që nuk ishin të pandehur në këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë: Mbrojtja e katër të dënuarve ka paralajmëruar apel. Bazuar në aktgjykimin e 16 shtatorit, ku i shihni bazat më të forta juridike për ta kundërshtuar shpalljen e fajësisë?
Nevena Tromp: Kryesorja është kundërshtimi i vetë ekzistencës së “qëllimit të përbashkët kriminal”, së bashku me mënyrën se si aktgjykimi e dalloi kontributin individual të katër të pandehurve.
U konstatua se Thaçi dhe Krasniqi i kishin përdorur aktivisht pozitat e tyre për t’i zbatuar aspektet kriminale të “qëllimit të përbashkët”, ndërsa shpallja fajtor e Selimit mbështetet në një cilësim thelbësisht të ndryshëm: mosparandalimin dhe mosndëshkimin e krimeve për të cilat ai kishte autoritetin dhe dijeninë për të vepruar, një konstatim i bazuar në mosveprim dhe jo në zbatim aktiv.
Kjo është baza më e kundërshtueshme në apel, sepse varet nga vlerësime të lidhura me faktet specifike rreth asaj që ai dinte, kur dinte dhe çfarë mund të bënte realisht lidhur me të.
Një bazë e dytë e mundshme ka të bëjë me vetë materialin provues, veçanërisht me mbështetjen në deklaratat e dëshmitarëve, të marra shumë vite pas ngjarjeve në fjalë, të cilat ekipet e mbrojtjes pranë Dhomave të Specializuara i kanë kundërshtuar në procedura të mëparshme.
Radio Evropa e Lirë: Sa e vështirë është, nga pikëpamja e së drejtës së apelit, të kundërshtohet konstatimi i trupit gjykues se të katër të dënuarit kishin dhe zbatonin një qëllim të përbashkët kriminal?
Nevena Tromp: Është e vështirë. Shqyrtimi në apel në këtë sistem, i trashëguar nga jurisprudenca e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), nuk i peshon sërish provat; ai përqendrohet në zbatimin e ligjit mbi provat dhe faktet, ashtu siç janë konstatuar.
Gjyqtarët e ndërtuan konstatimin për “qëllimin e përbashkët” në mënyrë kumulative – nga modelet e shënjestrimit të “bashkëpunëtorëve” të supozuar para dhe gjatë luftës, nga komunikatat dhe deklaratat politike që u referoheshin “masave ndëshkuese”, si dhe nga struktura dhe mënyra e veprimit të objekteve të ndalimit në të gjithë territorin e kontrolluar nga UÇK-ja.
Pritja realiste është një apel që e ngushton aktgjykimin në aspektet e tij anësore: cili individ lidhej me cilat krime specifike, nëse viktima të caktuara i ishin atribuuar siç duhej “qëllimit të përbashkët”.
Radio Evropa e Lirë: Cilat rezultate janë ligjërisht të mundshme në apel? A mund të rrëzohet shpallja e fajësisë, të ndryshohen konstatime të veçanta ose të ulen dënimet?
Nevena Tromp: Paneli i Gjykatës së Apelit i Dhomave të Specializuara mund ta konfirmojë aktgjykimin, ta rrëzojë shpalljen e fajësisë për pika të caktuara të aktakuzës, t’i rrisë ose t’i ulë dënimet, ose, në parim, të urdhërojë një rigjykim të pjesshëm për çështje të veçanta.
Një shkallë tjetër, Paneli i Gjykatës Supreme, është i disponueshëm në rrethana më të kufizuara, përfshirë rastet kur në apel shpallet fajësi pas një shpalljeje të pafajësisë, ose gjatë shqyrtimit të dënimeve veçanërisht të rënda.
Duke pasur parasysh dallimet tashmë të dukshme në aktgjykimin e shkallës së parë, rezultati më i mundshëm nuk është një rrëzim i plotë, por një i pjesshëm – një ulje, veçanërisht për Selimin ose Veselin, kontributin e të cilëve në “qëllimin e përbashkët”, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara e cilësuan me terma më të dobët sesa atë të Thaçit dhe Krasniqit.
Por, aktgjykimet në apel në gjykatat penale ndërkombëtare mbeten të paparashikueshme. Vlen gjithashtu të kujtohet se vetë Tribunali në Hagë pati raste, në të cilat dënime të rënda të trupit gjykues u rrëzuan në apel, deri në shpallje pafajësie. Gjithçka mbetet e mundshme.
E, çfarë nëse Prokuroria vendos të apelojë? Kjo meriton të merret seriozisht, sepse një apel i Prokurorisë do të shënjestronte pjesën e aktgjykimit që aktualisht i jep mbrojtjes dhe Qeverisë së Kosovës bazën e tyre më të fortë retorike: shpalljen e pafajësisë për të gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit.
Krimet kundër njerëzimit kërkojnë prova për një politikë në nivel shtetëror ose organizativ, dhe zakonisht sjellin pasojat më të rënda në aspektin e dënimit në këtë fushë, prandaj rikthimi i disa ose i të gjashtë pikave nuk do të ishte një ndryshim i vogël. Ai do ta rihapte vetë çështjen e dënimit, me gjasë në drejtim të rritjes.
Në aspektin procedural, ai do të garantonte, gjithashtu, një proces më të gjatë: sipas strukturës me tri shkallë të Dhomave të Specializuara, një vendim i Panelit të Apelit që e shndërron një shpallje pafajësie në shpallje fajësie aktivizon një shtresë tjetër shqyrtimi në Panelin e Gjykatës Supreme.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të ketë ky aktgjykim brenda Kosovës, ku UÇK-ja mbetet në qendër të narrativit politik dhe historik të vendit?
Nevena Tromp: Një nga rezultatet me pasojat më të mëdha të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” është konstatimi i tyre për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” – një konstatim që bie në kundërshtim të thellë me rezultatet e vetë Tribunalit të Hagës për të njëjtën çështje.
Tribunali gjykoi gjashtë komandantë të UÇK-së në dy gjykime për akuza të krahasueshme – keqtrajtimin në kampe ndalimi të njerëzve të akuzuar për bashkëpunim – dhe të dyja çështjet përfunduan kryesisht me shpallje pafajësie.
Në asnjë aktgjykim të Tribunalit të Hagës nuk u konstatua se ekzistonte një “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në nivelin e UÇK-së si të tillë – me një qëllim të përbashkët dhe një synim të përbashkët për të kryer krime. Çështjet “Limaj” dhe “Haradinaj” të TPNJ-së, cilido qoftë rezultati i tyre, u zhvilluan gjithmonë mbi një teori të individualizuar: komandantë të identifikuar me emër, që përgjigjeshin për kampe të caktuara ose incidente të caktuara, pa ndonjë konstatim se udhëheqja e UÇK-së, si tërësi, kishte drejtuar një ndërmarrje kriminale.
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara bën diçka kategorikisht të ndryshme. Përtej katër të pandehurve të shpallur fajtorë, ai emërton shtatë individë të tjerë – Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin – si persona që kishin “ndarë dhe ishin pajtuar me qëllimin e përbashkët kriminal” dhe si vetë “anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale të pretenduar”, pa qenë asnjëri prej tyre i pandehur në këtë çështje, ose pa pasur mundësinë ta kundërshtonte atë cilësim, siç do të mund ta bënte një i pandehur.
Doktrina thotë se konstatime të tilla nuk përbëjnë shpallje formale fajësie për personin e përmendur; ato ekzistojnë vetëm për të përcaktuar formën e përgjegjësisë së të akuzuarve faktikë.
Katër të pandehurit ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë kaluan nëpër një gjykim kontradiktor. Shtatë të tjerët jo: ata nuk kishin avokatë në këtë procedurë, as mundësi për t’i kundërshtuar provat e përdorura për t’i vendosur emrat e tyre në një aktgjykim publik, dhe as të drejtë apeli, sepse nuk kishin qenë asnjëherë palë që në fillim.
Rasti i Fatmir Limajt e shndërron këtë në diçka më serioze sesa versioni i zakonshëm i problemit. Ai nuk ishte thjesht i paakuzuar dhe i padëgjuar në këtë procedurë. Ai u akuzua nga TPNJ-ja, doli në gjyq, dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2005 për, në thelb, të njëjtën kategori akuzash.
Ta emërtosh tani, në aktgjykimin e një tribunali tjetër, që ka të bëjë me një pjesë të madhe të së njëjtës sjellje në themel të çështjes, si pjesëmarrës në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, pa një aktakuzë të re dhe pa një gjykim të ri, në të cilin ai të mund ta kundërshtonte atë cilësim, do të thotë të rihapësh një çështje që një gjykatë tashmë e kishte zgjidhur në favor të tij – jo përmes ndonjë procesi që i jep atij cilësi procedurale për t’u përgjigjur, por përmes një konstatimi të bërë në çështjen e dikujt tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Dhomat e Specializuara u krijuan nga vetë Kosova, megjithatë aktgjykimi po refuzohet nga shumë figura politike dhe qytetarë. Çfarë do të thotë ky moment për besueshmërinë e Gjykatës, dhe për besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë?
Nevena Tromp: Klasa politike që e refuzon këtë aktgjykim sot mbivendoset në masë të konsiderueshme me atë se e pranoi pa dëshirë krijimin e Gjykatës në vitin 2015, nën trysni të konsiderueshme ndërkombëtare.
Kjo mbivendosje vepron në të dyja drejtimet. Do të thotë se kritikët e saj nuk mund ta hedhin poshtë Gjykatën si një imponim tërësisht të huaj, pa asnjë gjurmë vendore, por gjithashtu do të thotë se e njëjta udhëheqje që tani po i kërkon publikut ta shohë aktgjykimin si jolegjitim, dikur e vlerësoi krijimin e Gjykatës si diçka që mund të përballohej, madje si të nevojshme, për pozitën ndërkombëtare të shtetit.
Kjo dykuptimësi ka të ngjarë ta thellojë, jo ta zgjidhë, gërryerjen e besimit publik tashmë të dukshëm në Kosovë: një gjykatë e krijuar brenda vendit, aktgjykimi kryesor i së cilës kundër udhëheqjes themeluese të vendit refuzohet nga një pjesë e madhe e klasës politike dhe publikut, e minon teorinë se ky ka qenë ndonjëherë një akt plotësisht legjitim i vetëqeverisjes dhe e përforcon një narrativ, tashmë të pranishëm në mbarë rajonin, se gjykata të tilla funksionojnë si instrumente të kushtëzimit të jashtëm dhe jo të llogaridhënies së brendshme.
Radio Evropa e Lirë: A ekziston një mënyrë ligjore për ta “zhbërë” Gjykatën?
Nevena Tromp: Vetë aktgjykimi i shkallës së parë ia njeh Thaçit kontributin e tij për ta bërë të mundur krijimin e Dhomave të Specializuara – pothuajse duke e përqeshur për atë bashkëpunim, tani që ai ka ndihmuar në shpalljen e tij fajtor.
Ekziston një parim i përgjithshëm që vlen të përmendet këtu: cilido proces institucional që ka fuqinë për të krijuar diçka, zakonisht ka edhe fuqinë për ta zhbërë atë. I zbatuar te Dhomat e Specializuara, ky mund të ishte, në parim, drejtimi. Por, vetëm nëse Kosova do të ishte në gjendje të çlirohej nga trysnia ndërkombëtare që e prodhoi Gjykatën që në fillim.
Në vitin 2017, Kuvendi i Kosovës tentoi vërtet ta shfuqizonte plotësisht ligjin që mundësoi krijimin e saj, dhe tentativa dështoi nën trysninë e vazhdueshme diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët e bënë të qartë se zhbërja e Gjykatës do ta rrezikonte liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrugën e saj më të gjerë drejt anëtarësimit në BE.
Tani, pas aktgjykimeve konkrete, kjo ka të ngjarë të jetë edhe më e vështirë sesa ishte në vitin 2017, kur ende nuk kishte aktakuza, gjykime ose shpallje fajësie.
Ligjërisht mbetet e mundur, por është një ndërmarrje vërtet komplekse: themelimi i Dhomave të Specializuara është sanksionuar drejtpërdrejt në Kushtetutën e Kosovës përmes amendamentit të vitit 2015 që shtoi nenin 162, prandaj shpërbërja e tyre do të kërkonte një amendament tjetër kushtetues, që do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash të të gjithë deputetëve dhe një shumicë të veçantë prej dy të tretash mes deputetëve që mbajnë vende të rezervuara për komunitetet joshumicë – një prag qëllimisht i lartë, i hartuar për ta bërë të vështirë pikërisht këtë lloj kthimi prapa.
Radio Evropa e Lirë: Duke parë përtej Kosovës, si mund të ndikojë ky aktgjykim në mënyrën se si diskutohen luftërat e viteve ’90, përgjegjësia për krimet dhe drejtësia ndërkombëtare në mbarë Ballkanin Perëndimor?
Nevena Tromp: Aktgjykimi ndikon drejtpërdrejt në rrëfimin themeltar të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të shtetësisë së saj. Të dyja mbështeten në masë të madhe te UÇK-ja si forca qendrore çlirimtare.
Publiku i Kosovës dhe udhëheqja e saj politike dhe shtetërore ndihen të tradhtuar. Kosova bashkëpunoi me bashkësinë ndërkombëtare që nga vera e vitit 1998, dhe që atëherë ka qenë një partnere dhe aleate e besueshme. Në periudhën e pasluftës, Kosova pranoi një qeverisje të gjerë ndërkombëtare dhe mbeti një aleate besnike gjatë gjithë kohës.
Njëzet e shtatë vjet pas humbjes së Kosovës, Serbia është kthyer në lojë, përmes një procesi që përshkruhet më së miri si “lawfare” (luftë me mjete juridike): vazhdimi i objektivave të kohës së luftës me mjete ligjore, duke përdorur të njëjtat gjykata dhe instrumente të drejtësisë penale ndërkombëtare që Beogradi dikur i refuzonte si antiserbe, tani të ripërdorura për ta riformuluar rolin e vetë Serbisë në dhunë dhe për t’i relativizuar aktgjykimet e TPNJ-së kundër zyrtarëve të saj të dënuar, duke e ridrejtuar vëmendjen te “kriminaliteti” i ish-kundërshtarit të saj.
Çështja e TPNJ-së për Kosovën, “Shainoviq dhe të tjerët”, prodhoi dënime përfundimtare, të konfirmuara në apel, prej 22 vjetësh burgim për Nebojsha Pavkoviqin, 18 vjetësh për Nikolla Shainoviqin, 20 vjetësh për Sreten Lukiqin dhe 14 vjetësh për Vlladimir Llazareviqin – për një ndërmarrje të përbashkët kriminale që tribunali e gjeti përgjegjëse për zhvendosjen me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjen e qindra të tjerëve në trembëdhjetë komuna. Millan Millutinoviq, president i Serbisë në atë kohë, u shpall plotësisht i pafajshëm.
Dhomat e Specializuara, duke gjykuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, të ndërtuar rreth 96 vrasjeve dhe ndalimit të më pak se 400 personave, tani i kanë dënuar dy figurat e saj më të larta me nga 25 vjet burgim – një shifër më e lartë sesa ajo që mori përfundimisht cilido zyrtar serb për një fushatë të një shkalle kategorikisht më të madhe.
Në Beograd, aktgjykimi po pritet me diçka të afërt me mosbesimin, edhe mes atyre që mund ta kishin pritur – dhe presidenti Aleksandar Vuçiq do ta përdorë atë sidoqoftë, duke e paraqitur udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës, jo atë të Serbisë, si palën e dënuar më rëndë për krime lufte.
Në Prishtinë, efekti shkon në drejtimin tjetër: zhgënjim, me protesta në rrugë që rrezikojnë vazhdimin e paqëndrueshmërisë në shtetin më të ri të Evropës.
Kryetari i trupit gjykues e trajtoi këtë drejtpërdrejt gjatë leximit të aktgjykimit, duke theksuar se procedurat “nuk ishin një gjykim mbi legjitimitetin e UÇK-së ose përpjekjen e Kosovës për pavarësi”, dhe, në të njëjtën frymë, se çështja “nuk përcaktoi përgjegjësinë për krimet e përmasave të gjera të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe dhe njësitë paramilitare”.
Vlen gjithashtu të pyetet pse një gjyqtar e ndien fare nevojën ta udhëzojë publikun se si duhet ta pranojë kuptimin politik të një aktgjykimi. Legjitimiteti, pavarësia dhe fajësia organizative nuk janë kategori juridike për të cilat vendos një aktgjykim, dhe një gjykatë që ndihet e detyruar të menaxhojë mënyrën se si do të interpretohet vendimi i saj, po pranon në mënyrë të nënkuptuar se pritja e atij vendimi nuk mund t’i besohet vetëm arsyetimit juridik.
Pasojat nuk kufizohen në Kosovë ose në Ballkanin Perëndimor. Drejtësia penale ndërkombëtare, si institucion, tashmë përballet me sulme të vazhdueshme retorike nga udhëheqës që janë subjekt i mekanizmave të saj gjetkë.
Një çështje me vëmendje të madhe publike, në të cilën një tribunal i mbështetur nga Perëndimi, dhe i financuar nga BE-ja, prodhon një rezultat që një pjesë e konsiderueshme e opinionit të informuar e konsideron joproporcional, politikisht të leverdishëm ose strategjikisht të përshtatshëm për një aktor rajonal në raport me një tjetër, ofron pikërisht atë lloj shembulli mbi të cilin mbështeten argumente të tilla, pavarësisht bazës doktrinare të aktgjykimit individual.
Ajo që vihet në lojë nga mënyra se si pranohet ky aktgjykim nuk është vetëm marrëdhënia e Kosovës me aleatët e saj, ose politika e brendshme e Serbisë, por besueshmëria më e gjerë dhe e ardhmja e të gjithë sistemit ndërkombëtar të përcaktimit të përgjegjësisë.
Intervista është redaktuar për t’u bërë më e qartë dhe më e përmbledhur.
Aktgjykimindaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të përballet me një proces të fuqishëm apeli nga të dyja palët, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Mark Ellis.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se mbrojtja pritet të sfidojë konstatimet që lidhin të akuzuarit me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, ndërsa Prokuroria mund të kundërshtojë lirimin e tyre nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Sipas tij, përtej betejës juridike që vazhdon, aktgjykimi ka rëndësi edhe për viktimat, të cilat tani mund ta shohin dënimin për krime lufte si një formë drejtësie.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Veseli me 18 dhe Selimi me 13.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
“Aktgjykimi sjell një formë drejtësie për viktimat”
Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj i parë për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara? Çfarë ju bie më shumë në sy?
Mark Ellis: Mendoj se ajo që bie më shumë në sy tani është pyetja që zakonisht shtrohet në situata të tilla: si do të jetë reagimi në nivel lokal dhe cilat do të jenë pasojat për një pranim të mundshëm afatgjatë të vendimit?
Këto procese dhe gjykime janë, siç e dimë, shumë të ndërlikuara, por mund të jenë mjaft pozitive, sepse procesi juridik është shumë rigoroz dhe sfidues.
Mark Ellis
Shpresa është që pjesë e këtij procesi të jetë një procedurë e fuqishme juridike, e cila në fund prodhon një vendim të arsyetuar mirë, të mbështetur në prova, fakte dhe argumente.
Natyrisht, ky vendim nuk pranohet nga të gjithë.
E dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë dhe çfarë po ndodh tani në Kosovë, por kjo nuk është e pazakontë në konflikte të tilla.
Fatkeqësisht, në planin afatshkurtër, vendimi nuk do të shihet pozitivisht nga të gjithë në rajon, por unë do të shikoja drejt një perspektive më afatgjatë.
Historikisht, pas një apo dy brezash, procese të tilla kanë rëndësi.
Mund të kthehemi deri te Nurembergu, te vendimet që u morën atje dhe ndikimi që ato kanë sot. Kështu do ta shihja unë këtë çështje.
Së dyti, ky proces ka qenë gjithmonë i ndërlikuar për shkak të faktit se Dhomat e Specializuara duhej të krijoheshin nga pamundësia për t’i zhvilluar këto procese në Kosovë.
Kur ndodh diçka e tillë, shpesh ka kritika ndaj vetë procesit.
Por ky ishte i vetmi proces që ishte e mundur të krijohej – në këtë rast, Dhomat e Specializuara të Kosovës – për të mundësuar zhvillimin e një procesi juridik, shqyrtimin e provave për krime të mundshme dhe, më pas, nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për këto krime.
Në fund, e gjithë kjo ka të bëjë me viktimat. Pavarësisht se në cilën anë të një konflikti ndodhet dikush, duhet siguruar zërat e atyre që nuk mund të dëgjohen më.
Për hir të drejtësisë, ky proces është i nevojshëm. Ky proces duhet të ekzistojë.
Radio Evropa e Lirë: Të katërtit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit, por u shpallën fajtorë për krime lufte. Cila është rëndësia juridike e këtij dallimi?
Mark Ellis: Nuk kam asnjë dyshim se gjykata i ka kushtuar kohë të konsiderueshme shpjegimit të këtij dallimi. Por, vetë fakti që ata u shpallën fajtorë për krime lufte, është mjaft domethënës.
Nga pikëpamja juridike, natyrisht, gjithmonë më intereson dallimi që bën një gjykatë në vendimin e saj mes gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Por, në fund, kjo do të thotë se kishte prova të mjaftueshme për të dëshmuar se katër individët kryen krime lufte, dhe këto janë krime jashtëzakonisht të rënda.
Kjo do të thotë gjithashtu se viktimat e këtyre krimeve tani mund ta shohin këtë si një formë drejtësie, dhe sigurisht edhe familjarët e tyre dhe të tjerët do të mund ta shohin në këtë mënyrë.
“Konstatimi për ndërmarrjen e përbashkët kriminale është një hap përpara”
Radio Evropa e Lirë: Trupi gjykues e pranoi teorinë kryesore të Prokurorisë për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal. Çfarë duhej të vërtetonin gjykatësit për të arritur në këtë përfundim?
Mark Ellis: Më duhet ta lexoj më në detaje vendimin, por është një zhvillim i rëndësishëm dhe një hap i rëndësishëm përpara në avancimin e kësaj teorie.
Radio Evropa e Lirë: A sjell ky aktgjykim diçka të rëndësishme në jurisprudencën ekzistuese për ndërmarrjen e përbashkët kriminale?
Mark Ellis: Mendoj se vetë fakti, siç e thashë edhe më herët, që ata kanë gjetur prova të mjaftueshme për ta mbështetur këtë qëndrim, është i rëndësishëm. Ky është një hap përpara. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Është një avancim.
Radio Evropa e Lirë: Mbrojtja tashmë ka paralajmëruar se do ta apelojë aktgjykimin. Cilat pjesë të aktgjykimit mendoni se mund të kundërshtohen më së shumti në apel?
Mark Ellis: Nuk ka dyshim se do të ketë apel dhe kështu duhet të jetë. Apeli është pjesë e procesit gjyqësor.
Një element i rëndësishëm i aktgjykimit është konstatimi i trupit gjykues se të katër të akuzuarit ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Tani do të jetë me rëndësi të shihet se si aktgjykimi e trajton kontributin individual të secilit dhe nëse gjykata ka konstatuar se secili ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në qëllimin e përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave që perceptoheshin si kundërshtarë të synimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së.
Duhet pasur parasysh se ende nuk e kam lexuar aktgjykimin në detaje, por gjykatësit duhej të vërtetonin përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e këtij qëllimi të përbashkët kriminal.
“Edhe Prokuroria mund ta apelojë aktgjykimin”
Radio Evropa e Lirë: Nga përvoja juaj, sa e vështirë është në praktikë që konstatimet eë tilla të rrëzohen në apel?
Mark Ellis: Mendoj se në apel gjithmonë ekziston mundësia të argumentohet se aktgjykimi është i gabuar, qoftë në aspektin faktik, qoftë në atë juridik. Kjo është ajo që do të përpiqet të bëjë mbrojtja.
Por, duhet kujtuar se edhe Prokuroria mund të apelojë.
Sa u përket lirimeve nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pres që Prokuroria të argumentojë se trupi gjykues e ka zbatuar gabimisht kriterin për ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik.
Nga ana tjetër, mendoj se mbrojtja do të argumentojë se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Thaçin me krime konkrete, apo që dëshmonin se ai kishte kontroll efektiv mbi komandantët. Ky ishte një nga argumentet e mbrojtjes. Pra, ata do të argumentojnë se faktet nuk e mbështesin aktgjykimin.
Mendoj se do të kemi një proces të fuqishëm apeli, nga të dyja palët.
Radio Evropa e Lirë: Sa mund të zgjasë procesi i apelit?
Mark Ellis: Është pyetje e mirë. Duke pasur parasysh sa gjatë ka zgjatur gjykimi, edhe apeli mund të marrë kohë. Por, nuk bëhet fjalë për një gjykim të ri – çështja nuk do të rigjykohet nga fillimi.
Në apel do të shqyrtohen çështjet juridike dhe faktet që janë paraqitur gjatë gjykimit. Nuk mund të them saktësisht se sa do të zgjasë procesi, por sigurisht nuk do të zgjasë aq sa gjykimi.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mund ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4, thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.
Në një skenar të tillë, sipas tij, Kuvendi nuk do të mund të mblidhej, ndërsa fati i Qeverisë së sapozgjedhur do të mbetej pezull.
Komentet vijnë në ditën kur Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit më 13 shtator.
Ish-kreu i Kushtetueses paralajmëron se kriza mund të prekë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, të cilin, në rrethanat aktuale, e konsideron “komprometues” për vendin.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasani, Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar të dielën, pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Si e vlerësoni këtë proces nga pikëpamja kushtetuese?
Enver Hasani: Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.
Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe u thirr në një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses. Cili është komenti i juaj?
Enver Hasani: Konstatimi i zonjës Haxhiu është fund e krye arbitrar, për shkak se ajo nuk mund të provojë se nga partia e dytë më e madhe politike ka pasur sabotim dhe heqje dorë nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese.
Se kur mund të konsiderohet se ka ndodhur një sabotim dhe, për pasojë, mosushtrim i së drejtës kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar, është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Arsyetimi për tërheqjen e kandidatit të partisë së dytë më të madhe për nënkryetar të Kuvendit duhet të vlerësohet në kontekstin e gjendjes së stërzgjatur jokushtetuese, të krijuar nga zonja Haxhiu dhe, para saj, nga zoti [kryesuesi i seancës konstituive Avni] Dehari, gjatë tërë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Masa e përkohshme dhe pasojat për Kuvendin
Radio Evropa e Lirë: PDK-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar edhe masë të përkohshme. Çfarë mund të vendosë Gjykata në këtë fazë?
Enver Hasani: Marrë parasysh faktin se në aktgjykimin e saj lidhur me kandidatin serb për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar çështjet relevante, përfshirë edhe situatën kur një forcë politike nuk e ushtron të drejtën e saj kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është e pritshme që Gjykata të vendosë masë të përkohshme dhe, më pas, të vendosë për meritat e rastit.
Nuk do të ishte profesionale që Gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës.
Gjykata e ka bërë këtë edhe herën e kaluar, kur Kuvendi i Kosovës, në mënyrë jokushtetuese, e konsideroi veten të konstituuar dhe vendi më pas shkoi në zgjedhje.
Tani që situata është sqaruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit nuk do të duhej të lejonte që gjendja jokushtetuese të vazhdonte më tej.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se, sipas të gjithë parametrave kushtetues, situata aktuale ka dalë jashtë binarëve normalë kushtetues dhe mund të ndikojë edhe në një votim eventual për presidentin e Republikës.
Është e sigurt se gjendja jokushtetuese e krijuar në Kuvend prodhon pasoja nga dita e dhënies së betimit të deputetëve e deri te vendimi për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit, çfarë pasojash do të kishin vendimet e marra ndërkohë, përfshirë zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës?
Enver Hasani: Sipas rregullit, nëse Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës – diçka që vështirë se mund të mos ndodhë, marrë parasysh atë që thashë më sipër dhe standardet kushtetuese që vetë Gjykata i ka përcaktuar – atëherë ajo duhet të konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 dhe ta rikthejë gjendjen në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo është kështu për dy arsye. E para, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nuk prodhon si pasojë juridike automatike shkuarjen e vendit në zgjedhje. E dyta, Qeveria Kurti 4 është zgjedhur në votimin e parë, kështu që jokushtetutshmëria eventuale e këtij votimi nuk prek rundin e dytë të procedurës për zgjedhjen e Qeverisë, pas dështimit të të cilit vendi shkon në zgjedhje në përputhje me procedurën kushtetuese të nenit 95 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar Qeverinë Hoti.
Zgjedhja e presidentit “do të ishte komprometuese”
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit. Sa e mundshme është zgjedhja e presidentit në rrethanat aktuale?
Enver Hasani: Në aspektin politik, mësa duket, nuk ekzistojnë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Kurti në vazhdimësi po ushtron presion mbi opozitën, me tone të qarta shantazhi, se vendi mund të shkojë në zgjedhje.
As kjo, mësa duket, nuk po pi ujë, meqë vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje, pavarësisht pozitës jo të favorshme të opozitës. Kjo gjendje është, siç thotë populli: ‘I laguri për shi nuk ka dert’.
Në aspektin juridik-kushtetues, nuk besoj se as vetë Lidhja Demokratike e Kosovës ndihet komode me kandidatin e vet, por as vetë kandidati i propozuar, marrë parasysh shkallën e lartë të gjendjes jashtëkushtetuese në të cilën është futur vendi.
Për mendimin tim, çdo zgjedhje e presidentit të Republikës në këto rrethana do të ishte mjaft komprometuese për vendin dhe për ata që kontribuojnë në një proces të tillë.
Gjërat, me procesin jashtëkushtetues në të cilin është zhytur vendi, kanë shkuar shumë larg.
Zgjedhjet eventuale, më 27 dhjetor
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin dhe a mund të çojë kjo në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja?
Enver Hasani: Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos masë të përkohshme, atëherë vendi shkon në zgjedhje pas 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, të dielën, më 13 shtator.
Këtë afat e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe, siç duket, këtë afat po e respekton edhe zoti Kurti, sepse dështimi i zgjedhjes do ta çonte vendin në zgjedhje më 27 dhjetor 2026.
Në një rast të tillë, Gjykata do t’i çonte duart nga mundësia për ta rikthyer gjendjen jashtëkushtetuese në binarët kushtetues dhe, për mendimin tim, do të bënte gabim.
Sipas çdo standardi profesional që vetë Gjykata e ka krijuar përmes aktgjykimeve të vitit të fundit, ajo duhet të pezullojë çdo veprimtari të Kuvendit dhe të organeve të dala prej tij deri në vendosjen meritore për këtë rast.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, çfarë pasojash do të ketë kjo për procesin e konstituimit të Kuvendit, por edhe për proceset tjera eventuale?
Enver Hasani: Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, atëherë Kuvendi nuk mund të mblidhet, ndërsa Qeveria dhe fati i saj mbeten pezull.
Më pas, me vendimin përfundimtar, Gjykata menaxhon pasojat juridike të çdo vendimi eventual të marrë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Ngërç i ri që “lehtësisht mund të shndërrohet në konflikt shoqëror”
Radio Evropa e Lirë: Me zhvillimet aktuale, a jemi para një ngërçi të ri institucional dhe sa reale janë zgjedhjet e parakohshme?
Enver Hasani: Pa asnjë dyshim, jemi para një ngërçi të ri institucional, i cili, për dallim nga ngërçet e mëparshme, mund të shndërrohet lehtësisht në një konflikt shoqëror me përmasa të paparashikueshme.
Kjo për faktin se pushteti i zotit Kurti nuk po tregon asnjë fleksibilitet për respektimin dhe kanalizimin, përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore, të vullnetit politik të më shumë se gjysmës së popullit të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Nëse vendi shkon në zgjedhje, a ka pengesa kushtetuese ose juridike për mbajtjen e tyre?
Enver Hasani: Pra, nuk bëhet më fjalë vetëm për jokushtetutshmëri apo kundërkushtetutshmëri, por për një gjendje jashtëkushtetuese, për një kaos të organizuar institucional, në të cilin lideri dhe vullneti i tij janë supremë, e jo normat kushtetuese dhe ligjore.
Shkeljet e Kushtetutës, pa ndëshkim
Radio Evropa e Lirë: A mund të sjellë Gjykata Kushtetuese qartësi për krizën aktuale, apo vendimet e saj mund të hapin edhe dilema të reja kushtetuese?
Enver Hasani: Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë qartësi kushtetuese për ata që nuk kanë pasur qëllime malicioze. Ata që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë qëllime të tilla, gjithmonë do të gjejnë arsye për të abuzuar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Aktualisht, ta zëmë, zonja Haxhiu citon, në mbështetje të konstituimit arbitrar të Kuvendit, një paragraf të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. I njëjti aktgjykim, më lart, në paragrafin 162, përcakton qartë se së pari zgjidhet presidenti dhe pastaj Qeveria.
Njësoj është edhe me afatin prej 60 ditësh, i cili zotit Kurti po i pëlqen për shkak të datës 27 dhjetor 2026, kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
E njëjta qasje vërehet edhe ndaj afatit 30-ditor, të cilin Kurti po e trajton si një afat që mund të shkelet, me arsyetimin se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton një pasojë juridike të drejtpërdrejtë për shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë në aktgjykimin e fundit se Kuvendi duhet të konstituohet brenda këtij afati.
Radio Evropa e Lirë: Pse ndodh kjo?
Enver Hasani: Sepse nuk ekziston një vepër e posaçme penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ekzistonte një vepër e tillë, jam i sigurt se Kurti do të sillej ndryshe.
Shkurt, deri këtu nuk shoh asnjë bazë për ta fajësuar Gjykatën Kushtetuese.
Teoria që Prokuroria Speciale përdor për t’i lidhur Hashim Thaçin dhe tre të bashkakuzuarit me krimet e pretenduara mund të shkojë shumë përtej katër personave në bankën e të akuzuarve.
Kështu vlerëson Timothy Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe ekspert i drejtësisë penale ndërkombëtare, i cili ka punuar edhe në rastin e Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Waters thotë se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” është një teori që mundëson lidhjen e të akuzuarve me krime që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë.
“Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet”, thotë ai, duke shtuar se pjesa më e vështirë është të dëshmohet lidhja mes krimeve dhe personave në gjykim.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktakuza përmban dhjetë pika: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Ajo përfshin, mes tjerash, akuza për përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer së paku nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi gjithë Kosovën përmes, mes tjerash, frikësimit, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë.
Viktimat e pretenduara përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së.
Waters thotë se teknikisht gjykohen katër individë, por se implikimet e teorisë mbi të cilën mbështetet rasti, mund të shtrihen shumë më gjerë.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Waters, fillimisht doja t’ju pyesja: çfarë është në të vërtetë në gjykim në këtë rast – individët, apo edhe versioni i Prokurorisë për mënyrën se si ka vepruar UÇK-ja?
Timothy Waters
Timothy Waters: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Natyrisht, ka një përgjigje teknike dhe një më të gjerë.
Teknikisht, vetëm këta individë janë në gjykim. E gjithë kjo fushë e së drejtës mbështetet në idenë se gjykohen individët, jo grupet apo shtetet. Pra, ky është edhe thelbi i këtij projekti: pretendimi se përgjegjësia është individuale.
Por, unë jam mjaft skeptik se gjërat mund të ndahen kaq lehtë. Në praktikë, proceset e tilla shpesh shihen si diçka shumë më e gjerë – si një lloj aktakuze ndaj një lëvizjeje politike apo një lëvizjeje të luftës.
Kjo nuk është diçka e re. Ka ndodhur në shumë procese të tilla, që nga Nurembergu, madje mund të kthehemi edhe deri te Lufta e Parë Botërore.
Gjithmonë ka ekzistuar ideja se këto gjykime kanë të bëjnë jo vetëm me individët, por edhe me konfliktin më të gjerë dhe shoqëritë që qëndrojnë pas tij.
Kjo është, gjithashtu, një lloj mbështetjeje e tërthortë për këtë projekt… sepse ka atë që sot e quajmë ‘lawfare’ [përdorim i ligjit si mjet në një konflikt më të gjerë].
Pra, kjo është diçka e pashmangshme në procese të tilla: ato gjithmonë përfundojnë duke pasur kuptim më të gjerë sesa vetëm përgjegjësia e individëve që janë në bankën e të akuzuarve.
Kur përgjegjësia individuale shkon përtej individit
Radio Evropa e Lirë: Sa i rëndësishëm është për vendimin përfundimtar debati nëse UÇK-ja ishte e koordinuar apo e fragmentuar?
Timothy Waters: Ne ende nuk e dimë vendimin përfundimtar, prandaj mund vetëm të hamendësojmë se sa vendimtare do të jetë kjo çështje.
Por, duke parë se si kjo teori është përdorur në raste të tjera, është një pjesë shumë e rëndësishme.
Njerëz si Thaçi nuk akuzohen se i kanë kryer drejtpërdrejt veprat.
Në raste të tilla, një gjë është të dëshmosh se dikush ka vrarë apo torturuar një person; pyetja më e vështirë është të përcaktosh marrëdhënien mes atyre që i kanë kryer veprat dhe njerëzve në strukturën ushtarake ose politike.
Këtu kemi persona që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë apo urdhëruar drejtpërdrejt krimet, por që, sipas Prokurorisë, kanë pasur një lloj marrëdhënieje komanduese ose vendimmarrëse me to.
Teoria mbi të cilën Prokuroria e ka ndërtuar rastin, quhet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.
Është një koncept juridik shumë i ndërlikuar. Ai lejon që shumë njerëz të lidhen me një grup veprash penale, duke bërë që një person të mbajë përgjegjësi juridike për krime të kryera nga të tjerët – madje edhe për krime për të cilat mund të mos ketë ditur.
Shembulli më i njohur nga pala tjetër e konfliktit është rasti i Sllobodan Millosheviqit.
Ai u gjykua mbi bazën e teorisë së ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’, e cila përfshinte luftërat në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Kjo krijoi një teori të gjerë që mundësonte lidhjen e shumë njerëzve dhe veprave brenda së njëjtës ndërmarrje.
E njëjta teori po përdoret edhe këtu. Nuk po e them këtë domosdoshmërisht si kritikë, por për të shpjeguar se ajo i jep Prokurorisë mundësi të shkojë shumë larg, pa qenë e nevojshme të dëshmojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes secilit të akuzuar dhe secilit krim.
Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet. Është aq e gjerë sa mund të krijojë një narrativ që i lidh të akuzuarit me një gamë shumë të madhe të veprimeve të UÇK-së.
Dhe kjo na kthen te pyetja juaj e parë: a po gjykohen katër individë, apo po gjykohet një ndërmarrje shumë më e gjerë, me një qëllim të përbashkët, gjatë së cilës janë kryer krime?
Kjo është edhe arsyeja pse procese të tilla mund të perceptohen si sulm ndaj një lëvizjeje më të gjerë. Në Kosovë, shumë njerëz e shohin këtë si një sulm ndaj luftës çlirimtare dhe lëvizjes që qëndronte pas saj. A e kanë gabim ata që e shohin kështu? Nuk më takon mua ta them.
Pse lidhja me krimet është pjesa më e vështirë?
Radio Evropa e Lirë: A mund të konstatojnë gjyqtarët se janë kryer krime, por se Prokuroria ka dështuar t’i lidhë ato me katër të akuzuarit?
Timothy Waters: Po, kjo është sigurisht e mundur. Sepse, kjo është pikërisht një teori që synon të krijojë lidhjen mes krimeve dhe të të akuzuarve.
Ajo që ka ndodhur është jashtëzakonisht e rëndësishme: dikush është vrarë, një familje është shkatërruar dhe, natyrisht, kjo duhet të dëshmohet.
Por shpesh është më e lehtë të vërtetohet vetë krimi. Mund të kesh trupa të gjetur në një pus, njerëz të vrarë me duart e lidhura pas shpine… Dikush i ka vrarë dhe shpesh mund të përcaktohet se kush e ka bërë. Ndonjëherë ka edhe video.
Ajo që nuk kemi është një video që mund të tregojë lidhjen mes atij krimi dhe dikujt si Thaçi. Nëse ai, për shembull, është duke negociuar në Francë, cila është marrëdhënia e tij me diçka që po ndodh në terren në atë kohë apo më vonë?
Unë kam punuar shumë në rastin e Millosheviqit. Ai nuk ishte fizikisht pranë vendeve ku zhvilloheshin këto luftëra. Lidhja me të ndërtohej – edhe pse ai proces nuk përfundoi – përmes bisedave, urdhrave dhe marrëdhënieve me të tjerët.
Pra, pikërisht këto lidhje duhet të dëshmohen. Sepse, në shumë prej këtyre rasteve, ekzistenca e krimeve nuk është çështja më e kontestuar. Pjesa e vështirë është të dëshmohet marrëdhënia mes atyre krimeve dhe personave që janë në gjykim.
Dhe për ta dëshmuar këtë, përdoret një teori që mund të shtrihet te një numër shumë i madh njerëzish.
Formalisht, askush nuk po thotë se UÇK-ja është në gjykim. Në gjykim janë këta katër persona. Por, teoria që përdoret nuk përfundon domosdoshmërisht me ta; logjikisht, implikimet e saj mund të shtrihen edhe te shumë njerëz të tjerë.
Kjo nuk do të thotë se ata njerëz do të gjykohen. Por, është e kuptueshme që implikimet e një teorie të tillë mund të krijojnë shqetësim, sepse prekin mënyrën se si njerëzit e shohin atë për të cilën kanë luftuar.
Katër të akuzuarit: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi.
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se do të ishte shumë e vështirë të dëshmohej një ndërmarrje e tillë e përbashkët kriminale?
Timothy Waters: Të dëshmosh lidhjen e një personi me një varg ngjarjesh është e ndërlikuar. Kjo teori mundëson që barra e provës të jetë më e lehtë. Nuk po e them këtë si kritikë, por thjesht po e përshkruaj se si funksionon.
Për ta ilustruar, mund të mendojmë për mënyrën se si gjykatat kanë ndryshuar qasjen ndaj rasteve të dhunës seksuale, ose ndaj dëshmive të fëmijëve.
Në disa raste janë ndryshuar mënyrat e dëshmimit apo standardet që duhet të përmbushen, sepse është pranuar se historikisht gjykatat, për shembull, nuk u kanë besuar sa duhet dëshmive të grave që kanë raportuar dhunë seksuale.
Standardet ndryshohen me synimin për të arritur tek e vërteta.
Edhe kjo teori përpiqet të bëjë diçka të ngjashme. Ajo thotë se duhet të ketë një barrë më të lehtë, më të ulët, për të arritur tek e vërteta që qëndron pas këtyre ngjarjeve.
Nëse kjo duhet bërë apo jo, është një pyetje e vështirë. Unë vetëm po them se ky është qëllimi dhe efekti i saj: e bën më të lehtë provimin e lidhjes.
Ka edhe një shaka të vjetër për ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’: “Çfarë do të thotë në të vërtetë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’? Përgjigjja: Thjesht, dënoji të gjithë”. Sepse, kjo teori mund të shtrihet shumë gjerë.
Kjo tregon edhe pse prokurorët e pëlqejnë, ndërsa avokatët mbrojtës jo.
Nëse je kritik ndaj një gjykate, mund ta shohësh këtë si një instrument që ia bën punën tepër të lehtë Prokurorisë.
“45 vjet burgim”: Çfarë tregon kërkesa e Prokurorisë?
Radio Evropa e Lirë: Prokuroria po kërkon nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Çfarë na tregon kjo për mënyrën se si Prokuroria e vlerëson peshën e këtij rasti?
Timothy Waters: Kërkesa për 45 vjet, besoj, sinjalizon se Prokuroria e konsideron këtë një rast jashtëzakonisht serioz.
Por, mënyra se si përcaktohen dënimet në këto gjykata, është shumë e vështirë për t’u kuptuar, sepse nuk ekziston një teori e qartë pas tyre.
Dhe ky nuk është problem vetëm i gjykatave ndërkombëtare. Edhe në sistemet kombëtare, përcaktimi i dënimit është shumë i ndërlikuar.
Ose vendos rregulla të ngurta dhe përfundon duke dhënë dënime të ngjashme për raste shumë të ndryshme, ose lë shumë hapësirë për vlerësim dhe atëherë lind pyetja: sa vjet meriton dikush për gjenocid – 40 apo 20? Po për krime kundër njerëzimit apo krime lufte – 40, 20 apo 10 vjet? Kush mund ta përcaktojë këtë?
Nuk është një çështje që mund të përkthehet lehtësisht në terma moralë.
Fajësi apo pafajësi: Çfarë ndryshon pas verdiktit?
Radio Evropa e Lirë: Nëse do të shpalleshin të pafajshëm, çfarë do të tregonte kjo për rastin e Prokurorisë?
Timothy Waters: Nëse shpallen të pafajshëm, kjo mund të nënkuptojë se drejtësia është vënë në vend dhe ne duhet të jemi të kënaqur me këtë, sepse qëllimi nuk është që njerëzit të dënohen me çdo kusht.
Por, mund të shihet edhe krejt ndryshe.
Një nga problemet që kam me këto gjykata, që nga vitet ‘90, është se… ato supozohet të jenë gjykata që zbatojnë ligjin dhe zhvillojnë procese të drejta – dhe unë besoj se, në përgjithësi, janë të tilla. Por, pas tyre ekziston edhe një projekt më i gjerë: ideja se ato duhet të sjellin drejtësi. Dhe kjo drejtësi shpesh perceptohet sikur mund të arrihet vetëm përmes dënimeve.
Prandaj, një vendim pafajësie nuk shihet domosdoshmërisht si dëshmi se sistemi funksionoi siç duhet; mund të shihet edhe si dështim.
Natyrisht, kjo ndodh edhe në sistemet kombëtare. Nuk kam dëgjuar ndonjë prokuror që humb një rast dhe thotë: ‘Jam i kënaqur që sistemi i drejtësisë po funksionon’. Prokurorët duan ta fitojnë rastin, ashtu si edhe mbrojtja.
Por, çështja është më e gjerë se kaq. Brenda gjithë ekosistemit të mbështetjes diplomatike dhe të shoqërisë civile rreth këtyre gjykatave, si dhe mes vetë personelit të tyre, ekziston ideja se roli i gjykatës është të arrijë dënime që kontribuojnë në përcaktimin e së vërtetës për këto konflikte.
Pra, këto gjykata kanë edhe një funksion narrativ, dhe një vendim pafajësie nuk i shërben atij funksioni në të njëjtën mënyrë.
Prandaj, mendoj se pafajësia do të perceptohej si një dështim i madh, edhe pse sigurisht do të kishte njerëz, në Kosovë dhe gjetkë, që do ta mirëprisnin.
Radio Evropa e Lirë: Po nëse shpallen fajtorë? Çfarë do të thoshte një vendim i tillë për UÇK-në dhe për luftën e Kosovës?
Timothy Waters: Një vendim fajësie, në radhë të parë, do të ishte vendim ndaj katër individëve, të cilët më pas do të kishin të drejtën e apelit dhe, nëse vendimi mbetet në fuqi, do të vuanin dënimet e shqiptuara. Ky është fakt më vete.
Por mendoj se disa aktorë, për shembull në Serbi, do ta interpretonin një vendim të tillë si dëshmi të paligjshmërisë së UÇK-së në përgjithësi.
Ndërsa, siç e kuptoj unë – dhe ju e dini këtë shumë më mirë se unë – në Kosovë, shumica e aktorëve ka të ngjarë ta refuzonin vendimin si jolegjitim.
Nëse ndodh kështu, kjo do të ishte plotësisht në përputhje me atë që kemi parë në gjykimet e tjera për luftërat në ish-Jugosllavi.
Këto vendime pothuajse gjithmonë interpretohen përmes përkatësisë etnike. Mund ta kuptosh se cilës palë i përket dikush nga mënyra se si reagon ndaj proceseve gjyqësore në Kroaci, Serbi apo Bosnje.
Kjo më çon te një përfundim tjetër: një nga gjërat që dikur mendonim se këto gjykata do të arrinin – krijimin e narrativëve të rinj që do të ndihmonin pajtimin – ka dështuar plotësisht.
Ato nuk e kryejnë këtë funksion.
Dhe pse do të prisnim që kjo gjykatë ta bënte këtë, veçanërisht në këtë rast? Kjo është një gjykatë tërësisht ndërkombëtare dhe, sipas meje, e imponuar nga jashtë. E di se formalisht është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por financohet, kontrollohet dhe përbëhet nga të huajt.
Po të ndodhte kjo 150 vjet më parë, do ta quanim një lloj kapitullimi: një gjykatë e jashtme e imponuar ndaj një shteti. Si mund të pritet që ajo të perceptohet si legjitime nga njerëzit ndaj të cilëve është imponuar? Mua më duket shumë e pamundur.
“Gjykatat nuk e kanë sjellë pajtimin”
Radio Evropa e Lirë: Bazuar në punën tuaj në rastin e Millosheviqit, ku përfundon përgjegjësia penale individuale dhe ku fillon gjykimi historik?
Timothy Waters: Besoj se kufiri mes tyre është i paqartë. Në teori, këto gjykata merren vetëm me përgjegjësinë penale individuale. Por, nëse shohim se si e kanë perceptuar vetë rolin e tyre, veçanërisht që nga vitet ‘90, ato shpesh e kanë parë veten edhe si institucione që tregojnë një narrativ më të gjerë historik dhe me rëndësi politike.
Disa prej këtyre gjykatave, madje, e kanë pasur të përcaktuar në statut se duhet të kontribuojnë në pajtim.
Edhe Tribunali për ish-Jugosllavinë [ICTY] e shihte hapur veten, sidomos në fillim, si një gjykatë që do të ndihmonte në pajtim.
Kjo nënkupton një rol shumë më të madh sesa thjesht të përcaktosh përgjegjësinë juridike të një individi.
Me kalimin e kohës, këto ambicie u zvogëluan, pjesërisht sepse u bë e qartë se gjykatat nuk po arrinin atë që ishte pritur prej tyre.
Kur ICTY-ja përfundoi punën, vetë përfaqësuesit e saj pranuan se nuk ishte arritur pajtimi mes palëve të dikurshme ndërluftuese në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Kosovë.
Për mua, kjo ishte madje një nënvlerësim. Është arritur shumë pak – ndoshta, në disa raste, situata është bërë edhe më e keqe.
Pra, ambiciet e këtyre gjykatave nuk përputhen domosdoshmërisht me atë që ato realisht mund të arrijnë.
Nuk dua të sugjeroj se pikërisht kjo po ndodh edhe këtu. Mendoj se këto gjykata kanë mësuar të kenë synime më modeste.
Dhomat e Specializuara janë një ndërmarrje shumë më e kufizuar – si në fushëveprim, ashtu edhe në ambicie.
Njerëzit kalojnë pranë ekranit me numërimin mbrapsht në Prishtinë, i cili tregon kohën e mbetur deri në shpalljen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Fotografia është bërë më 11 shtator.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë, sipas jush, do të ketë më shumë rëndësi te ky vendim: rezultati, arsyetimi juridik apo ajo që do të lërë pas si dëshmi historike?
Timothy Waters: Mendoj se rekordi historik do të jetë më pak i rëndësishmi. Nuk besoj se njerëzit do t’i drejtohen kësaj gjykate për ta kuptuar historinë e tyre. Ata do t’u drejtohen rrëfimeve të veta, familjeve, arsimit dhe shoqërisë së tyre për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.
E kam të vështirë të imagjinoj se kjo gjykatë do t’ua ndryshojë mendimin njerëzve në Kosovë apo Serbi për atë që ka ndodhur.
Rezultati pritet të ketë rëndësi politike. Një vendim fajësie apo pafajësie do të ndikojë në politikën në Kosovë, në rajon dhe potencialisht edhe në Shtetet e Bashkuara – në masën që SHBA-ja do t’i kushtojë vëmendje.
Arsyetimi juridik do të ketë rëndësi kryesisht brenda vetë fushës së drejtësisë penale ndërkombëtare. Ky rast mbështetet në teorinë e ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’ dhe juristët do të duan të shohin se si e ka trajtuar gjykata këtë teori: cilat pjesë i ka pranuar, cilat i ka refuzuar dhe nëse ka ndryshuar apo zhvilluar ndonjë doktrinë juridike.
Në këtë fushë, vëmendja shpesh përqendrohet pikërisht te këto çështje: teoritë e reja juridike, zgjerimi i fushëveprimit të krimeve apo ndryshimet procedurale.
Çdo vendim analizohet hollësisht për të parë se çfarë nënkupton për të drejtën penale ndërkombëtare dhe për rastet e ardhshme.
Por jam skeptik se kjo ka po aq rëndësi jashtë botës juridike.
Pasojat më të rëndësishme do t’i ketë rezultati dhe mënyra se si aktorët e ndryshëm do ta përdorin politikisht një vendim fajësie apo pafajësie.
Radio Evropa e Lirë: Këto ditë pamë se si një kriminel i dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros me nderime shtetërore në Serbi. Cili është komenti juaj?
Timothy Waters: Në rastin e Mlladiqit, lidhja me strukturën komanduese ishte shumë më e drejtpërdrejtë. Kemi pasur pamje filmike; ai ishte aty, ishte gjeneral, jepte urdhra.
E, megjithatë, shikoni reagimin. I gjithë gjykimi, procedurat dhe argumentet juridike nuk kanë pasur rëndësi për njerëzit që nuk e konsiderojnë gjykatën legjitime.
Dhe, shikoni edhe palën tjetër: as boshnjakët nuk janë të kënaqur, sepse për ta verdikti ishte i pamjaftueshëm – gjenocidi u njoh vetëm për Srebrenicën dhe jo për vende të tjera.
Pra, kush në atë pjesë të botës e konsideron këtë një rezultat të mirë? Për cilën palë ky proces ka kontribuar në pajtim apo në krijimin e një realiteti të ri?
Në vend të kësaj, kemi funeral shtetëror dhe Mlladiqin që trajtohet si hero. Për mua, kjo na tregon shumë më tepër sesa ajo që ndodh brenda sallës së gjyqit.
Ndoshta duhet t’i kemi këto gjykime sepse janë procedurialisht të drejta ose sepse mund të prodhojnë një rezultat të drejtë. Por, ato janë jashtëzakonisht të kushtueshme nëse ky është i vetmi qëllim. Dhe unë mendoj se është më mirë kur vetë shoqëritë i zhvillojnë këto procese. Një gjykim në Serbi, edhe dekada më vonë, do të kishte pasur më shumë vlerë sesa gjithë kjo.
Edhe nëse besojmë se këto gjykime ia vlejnë, pyetja mbetet e njëjtë edhe për njerëzit që po gjykohen tani: a i kanë kryer këto vepra dhe, nëse po, a meritojnë të dënohen? Sigurisht, nëse akuzat dëshmohen.
Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kjo është mënyra më e mirë apo më e dobishme për ta bërë këtë. Për këtë jam shumë skeptik.
Radio Evropa e Lirë: Cila është alternativa atëherë?
Timothy Waters: Po, kjo është një pikë shumë e mirë. Madje jam duke punuar në një libër, një nga titujt e mundshëm të të cilit është ‘Just Doing Something’ (‘Thjesht të bësh diçka’).
Sepse, pavarësisht të gjitha problemeve dhe dëshmive se këto gjykata nuk funksionojnë siç pritet, në fund gjithmonë thuhet: ‘Po, por duhet të bëjmë diçka’.
Por ‘diçka’ mund të nënkuptojë edhe të mos e bësh këtë. Mund të nënkuptojë të bësh diçka tjetër, madje edhe të presësh.
Mbaj mend një bisedë me disa kroatë, të cilët më thanë: ‘Nëse nuk e kemi Tribunalin për ish-Jugosllavinë, ne në Kroaci nuk do t’i zhvillojmë vetë këto procese’. Dhe përgjigjja ime ishte: ‘Ndoshta kjo është e vërtetë. Por, pse të mos presim derisa të jeni gati?’
Ndoshta kjo nuk do të ndodhë për disa dekada. Por, imponimi i një procesi nga jashtë nuk do ta përshpejtojë domosdoshmërisht këtë.
Natyrisht, ka kundërargumente. Dikush tjetër mund t’ju thotë se këto gjykata e nxisin ndryshimin – dhe në disa raste mund ta bëjnë këtë.
Por, në Ballkan ka arsye të forta për të dyshuar nëse kjo mund të funksionojë ndonjëherë.
Prandaj, një alternativë është që bashkësia ndërkombëtare të mos ndërhyjë fare përmes gjykatave të tilla, nisur nga ideja se ardhja e një grupi gjyqtarësh të huaj për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, nuk do të sjellë shumë dobi, nëse vetë shoqëria nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj.
Nëse një ditë bëhet gati, atëherë një proces i tillë mund të ketë vlerë.
Unë do të isha në rregull edhe sikur këto gjykata të mos ekzistonin.
Kjo është fusha ime, por nuk mendoj se ato po arrijnë shumë. Në vend të tyre, mund të nxiten proceset vendore dhe të mendohet edhe për forma që nuk lidhen me gjykimet.
Pse jo shkrimi i historisë? Projekte arsimore? Ka shumë mënyra përmes të cilave shoqëritë përballen me të kaluarën e tyre dhe që nuk kanë të bëjnë me gjykatat.
Gjykimet janë procese formale juridike, por ato zhvillohen brenda një konteksti politik dhe shoqëror. Ato kanë nevojë për atë mjedis që të funksionojnë. Nëse një shoqëri nuk është e gatshme të angazhohet me një proces të tillë juridik, ai nuk do të zërë rrënjë.
Dhe, mendoj se pikërisht ky është problemi këtu. Është problem në Kosovë, në Serbi dhe, në mënyrë veçanërisht të theksuar, në Bosnje.
Mund të kthehemi edhe te Gjermania dhe Nurembergu. Edhe ai ishte një proces i imponuar nga jashtë dhe ka hulumtime që tregojnë se ka shumë pak dëshmi se gjermanët u bindën prej tij.
Ndryshimet në qëndrimet e shoqërisë gjermane nuk i shohim deri në vitet ‘60.
Dhe pyetja është: a ndodhi kjo për shkak të Nurembergut, apo për shkak të kalimit të kohës dhe shumë ndryshimeve të tjera?
Gjermanët filluan t’i zhvillonin edhe vetë gjykimet e tyre, dhe kjo ndoshta ishte më e dobishme.
Por as gjykimet nuk ishin faktori kryesor. Ishte një proces shumë më i gjerë ndryshimesh shoqërore.
Pra, ndryshimi është i mundur. Për shumë dekada, Gjermania është bërë një nga shoqëritë më të përkushtuara ndaj përballjes me këtë të kaluar. Por kjo mund të mos ketë ndodhur sepse iu imponua një gjykim. Mund të ketë ndodhur për shkak të një transformimi shumë më të gjerë shoqëror.
Aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të ketë peshë përtej fatit juridik të katër të akuzuarve.
Mark Ellis, njohës i çështjeve ligjore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe përgjegjësisë komanduese kur bëhet fjalë për udhëheqës të lartë.
Në qendër do të jetë çështja nëse ka ekzistuar një qëllim i përbashkët kriminal dhe nëse secili prej të akuzuarve kishte kontroll efektiv dhe dijeni për krimet e kryera nga vartësit.
Për Ellisin, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, rëndësia e vendimit nuk qëndron vetëm te përfundimi i tij, por edhe te mënyra se si do të arsyetohet, si dhe te gjurmët që mund t’i lërë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në të kuptuarit e luftës në Kosovë.
Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.
Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.
Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.
Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.
Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator 2026.
Në qendër, ndërmarrja e përbashkët kriminale
Radio Evropa e Lirë: Pas më shumë se tre vjetësh gjykim, cilat i shihni si çështjet kryesore ligjore që gjyqtarët duhet t’i zgjidhin në rastin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit?
Mark Ellis: Në përgjithësi, mendoj se ky është një rast jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe çështjet ligjore janë vërtet interesante.
Mendoj se, para së gjithash, njerëzit do të përqendrohen te pyetja nëse ka ekzistuar fare një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe, nëse po, cili ka qenë fushëveprimi i saj.
Ky është fokusi kryesor.
Siç e dimë, aktakuza thotë se të katër të akuzuarit e kanë ndarë këtë qëllim të përbashkët. Kështu që, detyra e parë, mendoj unë, do të jetë të vendoset nëse ky qëllim i përbashkët është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, pastaj, natyrisht, të kalohet te vlerësimi i pjesëmarrjes së secilit të pandehur në këtë plan të përbashkët.
Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve.
Sepse, siç e dimë, katër të pandehurit kanë pasur funksione të ndryshme dhe, prandaj, mendoj se do të duhet të vlerësohet kontributi i secilit prej tyre.
Pra, duhet t’i ndash deri diku këto çështje, edhe pse të katër individët i shqyrton brenda konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Çështja tjetër që gjithmonë më ka interesuar dhe që mendoj se do të jetë interesante këtu, është përgjegjësia komanduese.
Ajo, siç e dimë, është ngritur paralelisht me akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Këtu flasim për një koncept që ekziston prej një kohe mjaft të gjatë. Ai ishte pjesë e Statutit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, por trupi gjykues do të duhet ta vlerësojë veçmas secilin të pandehur, nëse ka ekzistuar kjo marrëdhënie epror-vartës dhe nëse i pandehuri ka pasur kontroll efektiv.
Kjo është vërtet thelbësore këtu.
Pastaj, duhet të përcaktohet nëse të pandehurit e dinin ose kishin arsye ta dinin se krimet po kryheshin dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar ato. Ky është një test ligjor i veçantë nga akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Pra, këto janë çështjet që më intrigojnë në këtë rast dhe që mendoj se janë thelbësore për të.
Në fokus edhe kontrolli dhe hierarkia në UÇK
Radio Evropa e Lirë: Sa vendimtare është për aktgjykimin përplasja mes pretendimit të Prokurorisë se krimet ishin pjesë e një fushate të koordinuar dhe argumentit të mbrojtjes se UÇK-ja ishte e fragmentuar dhe se katër të akuzuarit nuk kishin kontroll efektiv në terren?
Mark Ellis: Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj se kjo është njëra prej një apo dy çështjeve faktike më vendimtare që do të trajtohen në aktgjykim, sepse prek si akuzën për përgjegjësi komanduese, ashtu edhe teorinë e Prokurorisë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Prokuroria ka argumentuar se të katërtit ushtronin një lloj autoriteti të përgjithshëm mbi këtë lëvizje dhe mbi veprimet që ndodhën, përfshirë – nëse më kujtohet saktë – edhe mbi rrjetin e qendrave të ndalimit ku, natyrisht, pretendohet se janë kryer krime.
Prokuroria do të thotë: “Ne mund ta provojmë këtë përmes komunikimeve të UÇK-së, komunikimeve të brendshme”.
Por, siç e thatë edhe ju, mbrojtja argumenton se, në fakt, e gjithë kjo strukturë ishte e organizuar shumë lirshëm. Nuk kishte hierarki. Autoriteti operacional për të cilin është diskutuar në këtë rast, sipas këtij argumenti, u takonte komandantëve ushtarakë dhe jo udhëheqjes politike dhe të inteligjencës që tani është në gjykim.
Prandaj, vendimi do të duhej ta trajtonte këtë çështje. Këto janë pika vërtet kritike.
Radio Evropa e Lirë: Por, sa e vështirë është, sipas së drejtës penale ndërkombëtare, të kalohet nga vërtetimi se krimet kanë ndodhur te vërtetimi se udhëheqës të lartë politikë ose ushtarakë janë individualisht përgjegjës për to? Cilat prova zakonisht e krijojnë këtë lidhje?
Mark Ellis: Lidhja ka të bëjë me aftësinë për të treguar se të pandehurit, në fakt, ishin në pozitë autoriteti. Se kishin kontroll efektiv. Se kishin kontroll mbi atë që po ndodhte. Se e dinin se çfarë po bënin vartësit dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar. Të gjitha këto shërbejnë për ta ndërtuar rastin.
Prokuroria ka qenë në gjendje t’i përdorë komunikimet e brendshme që ka arritur t’i fusë në dosjen gjyqësore dhe kjo është ajo që bëhet: ndërtohet një strukturë provash.
Ju pyetët më herët nëse kjo është një pjesë kritike e rastit. Dhe është. Sepse, si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria kanë shpenzuar shumë kohë duke u përqendruar në përpjekjet për t’i hedhur poshtë argumentet e njëra-tjetrës.
Pra, në thelb, bëhet fjalë për ndërtimin e rastit përmes provave.
Radio Evropa e Lirë: Por, nëse gjyqtarët arrijnë në përfundimin se krimet janë kryer, por nuk binden se Prokuroria e ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm lidhjen e të pandehurve me to, çfarë do të nënkuptonte kjo për teorinë më të gjerë të Prokurorisë për rastin?
Mark Ellis: Siç e thashë në fillim, këtu kemi dy linja paralele: njëra lidhet me përgjegjësinë komanduese, ndërsa tjetra me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Pra, teoria e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mund të qëndrojë edhe pa u provuar se secili prej të pandehurve ka urdhëruar ose kryer personalisht një veprim të caktuar të paligjshëm apo keqtrajtim.
Ajo shërben si teori që i lidh të katër të pandehurit me krimet e pretenduara, ndërsa përgjegjësia individuale komanduese shqyrtohet veçmas.
Mendoj se ndërmarrja e përbashkët kriminale është ndoshta pjesa më kritike e rastit.
Ju pyetët më herët se sa qendrore është kjo teori e Prokurorisë dhe çfarë do të ndodhte nëse gjyqtarët do ta hidhnin poshtë. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ose e kufizojnë ndjeshëm ndërmarrjen e përbashkët kriminale, atëherë duhet të mbështeten te përgjegjësia individuale, përfshirë përgjegjësinë komanduese, e cila duhet të lidhet konkretisht me secilin të pandehur dhe jo me një qëllim më të gjerë të përbashkët.
Kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet. Por, atëherë lind pyetja tjetër: çfarë ndodh nëse nuk mund të provohet se një i pandehur kishte kontroll efektiv? Nëse nuk provohet as kjo, atëherë rasti fillon të dobësohet.
Pra, gjyqtarët mund ta hedhin poshtë ose ta kufizojnë ndjeshëm teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe, megjithatë, të konstatojnë përgjegjësi individuale, veçanërisht mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.
Kjo është arsyeja pse kjo çështje është kaq e rëndësishme për aktgjykimin.
Në anën tjetër, nëse gjyqtarët e pranojnë teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale kryesisht ashtu siç është paraqitur në aktakuzë, përfshirë format e saj të zgjeruara, kjo do të kishte rëndësi të madhe. Do të përforconte zbatueshmërinë e kësaj doktrine në tribunalet ndërkombëtare, sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale ka qenë një koncept i debatueshëm, veçanërisht forma e tretë e saj [që ka të bëjë me pasojat e parashikueshme].
Kjo formë është përballur me shqyrtim dhe kritika gjithnjë e më të mëdha në qarqet e së drejtës penale ndërkombëtare. Prandaj, nëse gjyqtarët e mbështesin atë, kjo do t’i jepte peshë më të madhe këtij koncepti.
Për këtë arsye, rëndësia e aktgjykimit shkon përtej Kosovës. Qoftë nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ndërmarrjen e përbashkët kriminale, e kufizojnë zbatimin e saj apo e pranojnë atë, vendimi do të ketë rëndësi edhe për rastet e ardhshme dhe për gjykatat që mund ta përdorin këtë koncept.
Një aktgjykim me peshë përtej Kosovës
Radio Evropa e Lirë: Ky është rasti më i rëndësishëm që Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vendosin ndonjëherë. A do të jetë – më 16 shtator – në lojë edhe vetë besueshmëria e Gjykatës?
Mark Ellis: Unë asnjëherë nuk kam qenë prej atyre që e lidhin besueshmërinë e një gjykate me vendimin që ajo merr. Gjithmonë kam qenë i rezervuar ndaj një qasjeje të tillë.
Ajo që shikoj unë, është se sa mirë është arsyetuar aktgjykimi, sa kontrovers ka qenë vendimi dhe cilat kanë qenë argumentet mbi të cilat është mbështetur.
Deri më tani, vetë rasti ka qenë i shoqëruar me kundërthënie. Por, për shembull, nëse akuzat nuk do të vërtetoheshin, unë nuk do të thosha menjëherë se po vihet në dyshim e gjithë besueshmëria e procesit apo e Gjykatës. Unë nuk e shoh kështu.
Duhet parë me shumë kujdes se cili ka qenë vendimi dhe si është arsyetuar ai.
Sepse, çfarëdo që të ndodhë, mendoj se ky aktgjykim do të ketë ndikim të thellë në rastet e ardhshme dhe në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.
Radio Evropa e Lirë: A mund të bëhet ky aktgjykim precedent për mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare e vlerësojnë përgjegjësinë?
Mark Ellis: Mendoj se do të bëhet precedent. Mendoj se do t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese, pavarësisht se cili do të jetë vendimi.
Kështu funksionon e drejta ndërkombëtare. Ajo vazhdon të ndërtohet mbi vetveten dhe rastet; vendimet në këto raste përcaktojnë dhe ripërcaktojnë elemente të teorisë juridike.
Radio Evropa e Lirë: Cilido qoftë aktgjykimi, ai do të bëhet pjesë e debatit për mënyrën se si kujtohet lufta e Kosovës. Si duhet një gjykatë ta bëjë dallimin mes gjykimit të përgjegjësisë penale të katër individëve dhe dhënies së një gjykimi për UÇK-në apo për legjitimitetin e vetë luftës së Kosovës?
Mark Ellis: Gjithmonë kam menduar se gjykatat duhet të shihen si institucione me përgjegjësi të rëndësishme, por të kufizuara. Ato merren me akuza dhe raste konkrete. Roli i tyre është të përpiqen të sjellin drejtësi për viktimat që nuk kanë më zë, por kjo nuk do të thotë se gjykatat arrijnë ta bëjnë këtë gjithmonë.
Pasojat e vendimeve të tyre mund të jenë të mëdha dhe të shtrihen shumë më gjerë. Shpesh, njerëzit jashtë sistemit gjyqësor i marrin këto vendime dhe përpiqen t’i përdorin për interesat e tyre, për të mbështetur qëndrimet që kanë. Gjykatat nuk mund ta kontrollojnë këtë.
Por, mendoj se është shumë e rëndësishme që vendimi të jetë i arsyetuar mirë, pavarësisht rezultatit përfundimtar, dhe të përfshijë edhe kontekstin historik – nëse mund ta quajmë kështu – të asaj që ka ndodhur në Kosovë, siç e përmendët edhe ju.
Në këtë kuptim, vendimet gjyqësore mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si historia do ta shohë konfliktin.
Por, përsëri, gjykata është e kufizuar nga rasti që ka përpara dhe nga akuzat për të cilat duhet të vendosë. Ajo duhet të qëndrojë brenda këtyre kufijve.
Besoj se vendime të tilla ndihmojnë në krijimin e një baze faktike, me rëndësi historike dhe sa më afër së vërtetës që një gjykatë mund të arrijë.
Kjo, mendoj, e ndihmon publikun të kuptojë se çfarë ka ndodhur dhe, shpresoj, ndihmon edhe që në historinë e asaj që ka ndodhur të mbetet një bazë e së vërtetës, që disa fakte të jenë nxjerrë në pah përmes procesit gjyqësor.
Mendoj se ky është një kontribut i rëndësishëm që japin gjykatat.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të shikoni ju, personalisht, në aktgjykim?
Mark Ellis: Mendoj se do të shikoj pikërisht atë që sapo thashë: nëse është një vendim i qartë dhe i mirëpërcaktuar, që na jep një pasqyrë më të thellë për krimet e kryera, në raport me akuzat konkrete.
Do të shikoj, gjithashtu, se si ky vendim mund të ndihmojë në rikonfirmimin e parimeve juridike që njohim sot apo në ripërcaktimin e tyre – nëse do t’i forcojë apo do t’i dobësojë ato. Për mua, këto do të jenë ndër aspektet më të rëndësishme të vendimit.
Dhe, në fund, do ta pyes veten: a na ndihmon ky vendim të kemi një pasqyrë objektive dhe historike, sado të kufizuar, për atë që ka ndodhur? Mendoj se edhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme.
Nëse njerëzit në njërën apo tjetrën anë të konfliktit do ta pranojnë vendimin, kjo është çështje tjetër.
Nëse vendimi është i arsyetuar mirë, unë do të jem plotësisht i kënaqur me këtë.
Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se zgjedhjet e reja eventuale, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që ka bërë Kosova ndër vite.
“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, thotë Walker.
“Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje”
Radio Evropa e Lirë: Zoti Walker, përmes një letre, ju propozuat këtë javë emrin e Faton Bislimit për president të Kosovës. Cilat janë arsyet që ju shtynë drejt këtij propozimi?
William Walker: Epo, me pak fjalë, jam lodhur nga konfuzioni dhe ngecja e procesit zgjedhor që po vazhdon tash e tri apo katër palë zgjedhje. Tani po thuhet se, nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, do të duhet të shkojnë në zgjedhje të tjera.
Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.
Mendoj se Kosova, thjesht, duhet të rikthehet në rrugën e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë që nga viti 2000, por veçanërisht që nga pavarësia në vitin 2008.
Mendoj se është koha të ecet përsëri përpara.
Radio Evropa e Lirë: Pse propozuat pikërisht zotin Bislimi?
William Walker: Sepse, e dini, i kam parë problemet që kanë pasur presidentët, veçanërisht ajo që sapo u largua [Vjosa Osmani], jo ushtruesja e detyrës.
E kuptoj se Presidenca është vërtet mjaft ndryshe nga ajo që kërkohet nga një kryeministër, apo nga disa poste të tjera. Presidenti përfaqëson Kosovën në tërësi. Nuk mund të bazohet në një parti politike apo në një lider të caktuar politik.
Për Presidencën nevojitet një grup i tërë aftësish dhe mendoj se Vjosa e kishte shumicën e tyre, por, fatkeqësisht, kishte disa probleme.
Toni Bislimin e njoh prej kohësh dhe mendoj se ai i ka pothuajse të gjitha, në mos të gjitha, aftësitë që unë konsideroj se i nevojiten një kandidati presidencial.
Nuk mund të mendoj për dikë tjetër që njoh në Kosovë, dhe njoh shumë njerëz në Kosovë.
Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë. Të njohurit e gjuhës angleze është me rëndësi, por gjithashtu edhe njohja e Evropës dhe mënyrës se si funksionon ajo.
Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë.
Kush është Faton Bislimi?
Faton Bislimi ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në legjislaturën e shtatë, nga dhjetori i vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.
Në maj të vitit 2023, ai dha dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, duke akuzuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për “sforcim të pozitës personale e jo të partisë”.
Disa muaj më vonë synoi ta sfidonte Abdixhikun për postin e kryetarit, por Kuvendi Zgjedhor nuk ia pranoi kandidaturën, me arsyetimin se nuk ishte në përputhje me rregulloren e punës.
Bislimi tani vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aktivist i kauzës kombëtare.
Në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, ai tha se e mirëpret propozimin e ish-ambasadorit William Walker dhe se e konsideron nder të veçantë besimin e shprehur ndaj tij nga një njeri që, siç tha, ka luajtur rol të rëndësishëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se vlerësimin e Walkerit e sheh edhe si njohje të angazhimit të tij prej më shumë se dy dekadash për Kosovën dhe shqiptarët në Uashington, ndonëse nuk ka mbajtur ndonjë pozitë zyrtare atje.
“I jam mirënjohës ambasadorit Walker për fjalët e tij dhe, mbi të gjitha, për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, tha Bislimi për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar nëse është kontaktuar prej partive që po negociojnë.
Bisedimet për presidentin e Kosovës po zhvillohen mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit të fundit, më 26 gusht, ata thanë se kanë diskutuar edhe për emra konkretë, por nuk i bënë publikë.
Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar propozimin me zotin Bislimi?
William Walker: Jo, por disa njerëz ma sugjeruan emrin e tij dhe atëherë kuptova më mirë se çfarë përfaqësonte dhe çfarë aftësish kishte, pasi e njoh prej disa vitesh.
Radio Evropa e Lirë: Para se ta propozonit zotin Bislimi, a keni komunikuar me liderët e partive politike në Kosovë? A i keni informuar ata për hapin që do të ndërmerrnit?
William Walker: Jo, jo. Pikërisht ketë synonte letra. Ua dërgova letrën, besoj, verbërisht. Kështu do ta përshkruaja.
Thjesht, mendova se katër partitë kryesore, në vend që të grinden për përqindjet në zgjedhje, për ulëset në parlament dhe për postet që mund të mbanin nëse do të mund të bashkoheshin… thjesht, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Pra, letra ishte përpjekja ime e parë për t’u thënë partive se mendoj që Toni do të ishte një kandidat i mirë nëse ato do të mund të bashkoheshin.
Mendoj se ai ka mbështetje… ose, e dini, njerëzit në të katër partitë e njohin. Ai është gjithashtu shumë i njohur këtu në diasporë – gjë që mendoj se është e rëndësishme.
Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë përgjigje nga liderët, të cilëve u keni shkruar lidhur me propozimin tuaj? Dhe a keni ndonjë konfirmim se emri i tij do të merret në konsideratë?
William Walker: Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët. Sigurisht që kam ndjekur lajmet në Kosovë dhe kam parë se është raportuar gjerësisht në media se e kam bërë këtë propozim.
Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje.
Radio Evropa e Lirë: Përveç jush, zotin Bislimi e ka propozuar edhe ish-kongresisti Joe Dioguardi. A jeni në dijeni për propozimin e tij?
William Walker: Po, e kam parë edhe atë në media, po.
Radio Evropa e Lirë: A jeni koordinuar me të lidhur me propozimin. A keni diskutuar me të?
William Walker: Jo, jo. Nuk kam folur me Joe Dioguardin prej vitesh. E njoh, sigurisht, sepse është nga Nju Jorku dhe e kam takuar disa herë në Nju Jork, si dhe në Kosovë, por jo, nuk kam folur me të prej shumë kohësh.
“Kosova është një perlë demokratike”
Radio Evropa e Lirë: Kosova është thellësisht e ndarë politikisht. A mendoni se propozimi juaj mund të sigurojë vërtet mbështetje përtej vijave partiake, apo synon kryesisht të nxisë një debat më të gjerë për alternativat?
William Walker: Supozoj se do ta bëjë këtë. Nëse dikush e merr seriozisht propozimin tim, ai do të nxisë një debat, një argument apo një diskutim lidhur me atë nëse ai është kandidati i duhur.
Vazhdimisht them se Kosova është një vend ku deri në vitin 2000 – dhe më e rëndësishmja deri në vitin 2008 – shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të fitonin përvojë në qeverisje.
Ata nuk kanë mundur të punësohen në institucionet shtetërore, nuk kanë mundur të sigurojnë shumë vende pune që do t’u jepnin përvojë për sa i përket zhvillimit të vendit.
Dhe, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur që nga viti 2008 tregon se Kosova – kur shumicës shqiptare i është dhënë mundësia të tregonte se çfarë mund të bënte – ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Për mua, Kosova nuk është një demokraci perfekte, por është po aq e përsosur sa çdo vend tjetër në Evropë. Të gjitha gjërat që unë gjithmonë i kam konsideruar si gurët themeltarë të demokracisë – liria e fjalës, liria e fesë, liria e tubimit – janë të pranishme në Kosovën e sotme, vetëm 18 vjet pas pavarësisë.
Shumicës së vendeve iu duhen dekada për të arritur aty ku janë. Për mua, Kosova tani, deri në këtë konfuzionin lidhur me zgjedhjen e presidentit, është një perlë, një perlë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin historikisht të gjithë e kanë parë si një qendër problemesh.
Dhe, ja ku jemi në vitin 2026. Kosova është një demokraci funksionale. E dini, të drejtat e minoriteteve, për të cilat të gjithë kanë bërtitur… nuk di ndonjë vend në Evropë ku minoritetet trajtohen aq drejt dhe me aq bujari sa në Kosovë.
Prandaj, sipas mendimit tim, bota duhet të dëgjojë më shumë nga kosovarët, nga ajo që bën Qeveria në Kosovë.
Mendoj që Kosova duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar historinë e saj dhe atë që përfaqëson.
Një gjë që ajo nuk përfaqëson, është kërcënimi për ndonjërin nga fqinjët e saj.
Përkundrazi, ajo përfaqëson një shembull të një kombi paqësor dhe demokratik që thjesht po përpiqet të ndërtojë veten, si shtet i ri në zemër të Evropës.
“Një gjeneratë e re duhet të dalë përpara”
Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i shqetësuar për krizën aktuale politike në Kosovë?
William Walker: Padyshim që kjo është një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja kryesore për propozimin tim. Pjesa më e madhe e problemit, ose shumë aspekte të problemit të procesit zgjedhor bazohen në Kushtetutën, e cila u hartua po nga kosovarët, por edhe nga BE-ja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga këshilltarë të tjerë që erdhën pas luftës për të thënë: ja çfarë duhet të bëni, duhet t’i mbroni minoritetet, duhet ta bëni këtë, duhet ta bëni atë, e kështu me radhë.
Tani keni këtë proces… ku udhëheqja që doli nga lufta, ka qenë udhëheqja e partive që nga viti 2000. Një gjeneratë e re e lidershipit duhet të dalë përpara. Ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe të talentuar që janë rritur në Kosovë pas luftës dhe është koha që disa prej tyre të kenë më shumë rol.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se është në rrezik nëse liderët politikë nuk arrijnë të gjejnë një kompromis?
William Walker: Mungesa aktuale e ecjes përpara do të vazhdojë. Ka çështje të rëndësishme. Natyrisht, marrëdhënia me Serbinë, nevoja për dialog që prodhon diçka… Siç e thashë, Kosova nuk është kërcënim për askënd, ndërsa Serbia vazhdon të jetë kërcënim në Ballkan.
Unë vetëm shpresoj që katër partitë të jenë në gjendje të bien dakord për diçka që është e mirë për Kosovën si shtet dhe që komunitetet të bashkohen shpejt.
Mendoj se duhet të marrin një vendim se deri kur duhet të zgjedhin një president të ri ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Vendi nuk ka nevojë për edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni.
Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Sa dëm mund t’u shkaktojë paqëndrueshmëria e zgjatur politike këtyre marrëdhënieve dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës?
William Walker: Po, kam dëgjuar shumë për tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe, padyshim, ka tensione, ka probleme. Përsëri, mendoj se Toni është një person që mund t’i kapërcejë këto barriera. Ai i njeh Shtetet e Bashkuara, e njeh Uashingtonin. Nuk mendoj se do t’i bënte disa nga gabimet që mendoj se janë bërë dhe nuk dua të hyj në to.
E di se ku qëndron kritika dhe mendoj se një pjesë e problemit nuk qëndron te liderët politikë në Kosovë, por te liderët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara.
Mendoj se Kosova i kushton shumë rëndësi marrëdhënies së saj, kosovarët i kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara.
Por, ajo që harrojmë është se njerëzit që kanë qenë në pushtet këtu në Uashington gjatë 20, 25, 26 vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë dekadës së fundit apo më shumë, nuk kanë njohuri për atë se si ishte lufta në Kosovë, kush i bënte çfarë kujt…
Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë i lidhur ngushtë me Kosovën për dekada. Duke e parë vendin sot, çfarë ju shqetëson më shumë dhe çfarë mesazhi do t’iu dërgonit liderëve politikë të Kosovës?
William Walker: Më lejoni të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes së pari. Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit.
Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar.
Kosova, në kohën e tanishme, mendoj se është në prag të të qenët një perlë absolute në qendër në Ballkanit, në qendër të Evropës.
Mendoj se kundërshtimet e disa vendeve të BE-së, Spanjës dhe të tjerëve, se Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kërkesat e demokracisë, janë krejtësisht të gabuara. Ato nuk po e shikojnë mënyrën se si vetë i trajtojnë minoritetet, demokracinë e tyre.
Kosova është një perlë, me të vërtetë është, dhe e gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe aftësive të njerëzve të Kosovës.
Unë dua që ajo të rikthehet në rrugën e duhur. Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë.
Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri.
Intervista është shkurtuar për arsye qartësie dhe gjatësie.
Ish-prokurori i Hagës, Geoffrey Nice, thotë se nuk pati ndonjë mendim apo emocion veçanërisht të fortë pasi lexoi lajmin se ka vdekur Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte.
“Mlladiqi sot i përket kryesisht historisë. Madje edhe në pjesë të ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, mund të gjeni të rinj në moshë studentore që nuk e dinë se kush është ai. Pra, bëhet fjalë për një figurë historike”, tha Nice në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).
Nice thotë se gjykimi ndaj Mlladiqit, që në kohën e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ishte komandant i ushtrisë së Republikës Sërpska, nuk ndryshonte në thelb nga gjykimet e tjera.
“Kjo nuk do të thotë se të gjitha ishin të drejta, por vetëm se nuk ishin ndryshe. Gjykimi paraqet historinë e ngjarjeve nga viti 1992 e tutje dhe më pas, sikurse shumë procese të tjera për përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjet në ish-Jugosllavi, përqendrohet te Srebrenica”, thotë Nice.
Ish-prokurori në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, i cili udhëhoqi çështjen kundër Sllobodan Millosheviqit, thotë se “bazuar në faktet e vërtetuara, është e mundur të shihet se sa lehtë armiqësia mes grupeve, në këtë rast mes republikave ose pjesëve të tyre që përpiqeshin të ndryshonin kufijtë, mund të shndërrohet në qëllim të keq, qëllim kriminal, madje edhe në qëllim gjenocidal të njerëzve, nga maja deri në fund të zinxhirit komandues ushtarak dhe politik”.
“Megjithatë, kjo nuk sjell në thelb asgjë të re në të drejtën ndërkombëtare humanitare, e cila veçse ishte mirë e konsoliduar”, vlerëson Nice.
Radio Evropa e Lirë: Si fillim, çfarë mendimesh ju kalojnë nëpër kokë tani pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, teksa ai po vuante dënimin me burgim?
Geoffrey Nice: Mendimi im i parë ishte se ai ka vdekur dhe se historia, në njëfarë mënyre, ka përfunduar, megjithëse në fakt ajo kishte përfunduar shumë kohë më parë.
Ligji është ashtu siç është, dhe ky është një fakt.
Megjithatë, ekziston një aspekt i rëndësishëm që rrjedh nga vdekja e Mlladiqit dhe për të cilin disa shtete duhet të mendojnë: Si e dinte Mlladiqi më 10 dhe 11 korrik 1995 se mund të hynte në Srebrenicë dhe të bënte atë që bëri?
Nuk jam i sigurt nëse kjo ka qenë ndonjëherë objekt i një përfundimi të qartë, megjithëse ekzistojnë shumë prova që të paktën tregojnë një pjesë të prapavijës së ngjarjeve që mund të jetë e rëndësishme.
Video: Krimet e “Kasapit të Bosnjës”
Këto prova janë publikisht të qasshme në vende të ndryshme, por me kalimin e kohës ato nuk janë lidhur në mënyrë sistematike dhe nuk janë vendosur në qendër të vëmendjes.
Në fund të majit 1995, presidenti francez, Jacques Chirac, dhe kryeministri britanik, John Major, i kërkuan presidentit amerikan, Bill Clinton, të pajtohej që forcat ajrore të mos përdoreshin për shpëtimin e Srebrenicës.
Ekipi më i ngushtë i Clintonit e pranoi këtë propozim të dielën, më 28 maj. Bëhet fjalë për atë që u quajt “marrëveshje e heshtur”, përkatësisht marrëveshje sekrete.
Kjo qasje ndaj mbrojtjes së Srebrenicës nuk iu përcoll ushtarëve holandezë që ishin dislokuar atje, e as myslimanëve boshnjakë.
Pyetja të cilës Mlladiqi ndoshta mund t’i kishte dhënë përgjigje, ose ndoshta ia ka dhënë tashmë dikujt tjetër, nuk e di, është: Si e dinte se mund të bënte atë që bëri?
Mund të ketë disa shpjegime: informacione të inteligjencës, vlerësim të situatës nga ana e tij, apo edhe informacion që ia kishte përcjellë dikush nga Perëndimi.
Tani gjasat që kjo pyetje të sqarohet plotësisht janë disi më të vogla, sepse nuk është më e mundur të pyetet ai [Mlladiqi].
Mund të shpresojmë se e vërteta, megjithatë në fund nuk do të humbasë.
“Nxitje e publikut për reagim emocional dhe përçarës”
Radio Evropa e Lirë: Tridhjetë vjet pas luftës, Bosnje dhe Hercegovina vazhdon të jetë thellësisht e ndarë dhe është e qartë se vdekja e Mlladiqit do të pritet në mënyra krejtësisht të ndryshme nga komunitete të ndryshme. Kreu i partisë më të madhe në Republikën Sërpska, Millorad Dodik, deklaroi menjëherë se “Mlladiqi është vrarë”. A tregon kjo dështimin e drejtësisë ndërkombëtare, ashtu siç u administrua nga Tribunali i Hagës?
Geoffrey Nice: Para së gjithash, kjo tregon qëndrueshmërinë e qëndrimeve të rrënjosura thellë, të cilat mund të jenë edhe të njëanshme. Nuk duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje pretendimeve të tilla, madje asnjë vëmendje, përveç nëse mbështeten me prova.
Pra, çfarë provash ka Millorad Dodiku për pretendimin se Mlladiqi është vrarë?
Ne e dimë se ka pasur kërkesa për lirimin e tij për shkak të gjendjes shëndetësore. Duke pasur parasysh peshën e krimeve për të cilat është dënuar, dhe me të drejtë është dënuar, mendoj se nuk ka shumë hapësirë për kundërshtime ndaj faktit që ai u transferua për trajtim, me sa duket, në një spital të OKB-së.
Prandaj, pretendimi se ai është vrarë është thjesht një përpjekje për të nxitur publikun drejt një reagimi emocional dhe përçarës, gjë që ndoshta është relativisht e lehtë të arrihet nëse i drejtohesh një audience që tashmë ka paragjykime të rrënjosura thellë.
Duhet të kujtojmë se më shumë se 25 vjet më parë, shumë serbë dhe banorë të Republikës Sërpska besonin se Srebrenica ishte tërësisht e trilluar.
Më pas, gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, u shfaq një pjesë e një videoje dhe më vonë e gjithë videoja që tregon vrasjen e gjashtë të rinjve, shumë prej tyre në moshë të re, në Tërnovo, të kryer nga pjesëtarë të “Skorpionëve”, një njësi që i përgjigjej zinxhirit serb të komandës.
Pas kësaj, mendimi ndryshoi. Njerëzit filluan të pranonin se Srebrenica ishte vërtet një masakër për të cilën përgjegjëse ishte Serbia.
Një nga politikanët kryesorë serbë mori pjesë edhe në përkujtimin në Srebrenicë në vitin 2015, mendoj se bëhej fjalë për presidentin ose kryeministrin e atëhershëm të Serbisë.
Prandaj, nuk mendoj se qëndrime të tilla nga Serbia duhet të na befasojnë, shqetësojnë apo brengosin, përveç nëse ekzistojnë prova që i mbështesin ato. Dhe, aq sa di unë, aktualisht nuk ka prova të tilla.
Radio Evropa e Lirë: Sa e rrezikshme është kur politikanët përpiqen të riinterpretojnë ngjarje që tashmë kanë qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë?
Geoffrey Nice: Mendoj se kjo është para së gjithash një çështje për njerëzit e vetë rajonit.
Unë jam i huaj, anglez. Do të doja të isha diçka më shumë se kaq, por kështu është.
Të kuptuarit e cenueshmërisë së zonave të caktuara të ish-Jugosllavisë dhe vlerësimi i pasojave të mundshme të dukurive të tilla janë çështje për të cilat është më mirë të bisedohet me njerëz nga vendet që preken drejtpërdrejt ose nga shtetet fqinje.
Nuk dua të dal përtej kufijve të ekspertizës sime.
Tribunali i Hagës, “burim i paçmueshëm për historianët”
Radio Evropa e Lirë: Nëse pas 50 vjetësh Tribunali i Hagës do të mbahej mend vetëm për një gjë, a do të dëshironit që të mbahej mend për ndëshkimin e autorëve apo për lënien e një trashëgimie të së vërtetës që politika nuk mund ta fshijë më?
Geoffrey Nice: Nëse do të më duhej të zgjidhja mes këtyre dy mundësive, do të ishte shumë më e rëndësishme për mua që të mbetej një dokumentim i besueshëm.
Ne që udhëhoqëm proceset gjyqësore, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe nganjëherë presioneve politike nga jashtë, gjithmonë u përpoqëm të lëmë pas prova të pastra dhe të besueshme, pavarësisht presioneve.
Edhe pse gjyqtarët gjithmonë thoshin se nuk ishin aty për të shkruar historinë, ata e dinin se, në njëfarë kuptimi, po e bënin pikërisht këtë.
Në këtë aspekt, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) është një burim i paçmueshëm për historianët, për shkak të sasisë së madhe të dokumentacionit të detajuar që ka mbledhur.
Këto të dhëna janë tashmë të qasshme për kërkim përmes mjeteve standarde kompjuterike, ndërsa me zhvillimin e inteligjencës artificiale do të bëhen edhe më të qasshme për studiuesit, të cilët shpresoj se do ta konsiderojnë këtë dokumentim të besueshëm.
Ndëshkimi i autorëve është një element krejtësisht i veçantë i çdo mekanizmi gjyqësor. Vlera e tij është e pasigurt dhe nuk ka shumë gjasa që ai të mund ta pengojë një kriminel të ardhshëm të luftës.
Hetimet, e ndoshta edhe vetë proceset gjyqësore që zbulojnë të vërtetën, megjithatë mund t’i parandalojnë disa njerëz të kryejnë krime lufte.
Radio Evropa e Lirë: A mund ta ndryshojë vetë një aktgjykim gjykate kujtesën kolektive apo roli i tij kufizohet në vërtetimin e fakteve?
Geoffrey Nice: Po, aktgjykimet mund të bëhen pjesë e kujtesës kolektive.
Për një qytetar të zakonshëm, i cili ndoshta nuk ka interes të madh për politikën, përveç pjesëmarrjes herë pas here në zgjedhje, është më e thjeshtë të dijë, sado e thjeshtë që mund të jetë kjo njohuri, se Mlladiqi është dënuar për gjenocid, për shembull.
Njerëzit mund ta pranojnë këtë informacion, të jetojnë me të dhe ta konsiderojnë të besueshëm.
Megjithatë, për qëllime më të gjera shoqërore sesa thjesht ndihma ndaj votuesve për të kuptuar këtë të kaluar të vështirë, shumë më i vlefshëm është dokumentimi i detajuar i ngjarjeve.
Një dokumentim i tillë i detajuar është jashtëzakonisht i rëndësishëm, edhe pse do ta ketë shumë më të vështirë të bëhet pjesë e një kujtese kolektive të thjeshtë ose të thjeshtuar.
Një gjykatë si ajo e Hagës nuk do të themelohej në ditët e sotme
Radio Evropa e Lirë: A është drejtësia ndërkombëtare sot më e fuqishme sesa në vitet ’90 apo presionet politike ndaj institucioneve ndërkombëtare janë më të mëdha se kurrë më parë?
Geoffrey Nice: Mendoj se nuk ka asnjë dyshim se rendi ndërkombëtar është dobësuar dhe se është minuar qëllimisht nga disa njerëz, ndër ta (presidenti rus Vladimir) Putin, (presidenti i SHBA-së Donald) Trump dhe, deri në një masë, edhe (udhëheqësi i Kinës) Xi Jinping.
Sipas mendimit tim, perspektivat që e drejta ndërkombëtare humanitare të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e botës janë zvogëluar ndjeshëm.
Nuk duhet të jemi as të rezervuar, as naivë kur flasim për arsyet pse ka ndodhur kjo.
Kjo ka ndodhur sepse shtetet e mëdha nuk duan që të hetohen, të gjykohen apo të dënohen nga shtetet e vogla. Më saktësisht, udhëheqësit e tyre individualë nuk duan t’i nënshtrohen një procesi të tillë.
Nuk mund të pretendohet se Perandoria Britanike në shekullin XIX nuk do të kishte vepruar njësoj si Trumpi, sikur atëherë të ekzistonin institucione si Gjykata Ndërkombëtare Penale ose Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, të cilat do të hetonin krimet e kryera gjatë zgjerimit kolonial.
Realiteti është se ata vepruan nga ajo që ishte e qartë për këdo që e vëzhgonte më thellë situatën: një vendosmëri për ta ruajtur sovranitetin e tyre me çdo kusht dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje në të.
Me këtë, ata e dobësuan seriozisht fuqinë e drejtpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Radio Evropa e Lirë: Nëse sot do të themelohej një gjykatë e re ndërkombëtare sipas modelit të Tribunalit të Hagës, çfarë do të ndryshonit në strukturën e saj?
Geoffrey Nice: Nuk mendoj se një gjykatë e tillë do të themelohej sot.
Aktualisht, pyetja kryesore është nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale do të dobësohet gradualisht apo edhe do të shkatërrohet, siç dëshirojnë disa udhëheqës politikë.
Megjithatë, meqë e parashtruat këtë pyetje, do t’i përgjigjem.
Mendoj se çdo mekanizëm i ri për përcaktimin e përgjegjësisë për konfliktet e armatosura, me supozimin se fuqitë e mëdha do ta lejonin, nuk do të duhej domosdoshmërish të ndiqte modelin amerikan, anglez apo australian të gjykimit, i cili është i ngadaltë.
Po ashtu, nuk do të duhej të ndiqte as modelin klasik evropian inkuizitor, i cili gjithashtu ka shumë mangësi, siç e dinë shumë njerëz.
Mendoj se një zgjidhje interesante dhe e mirëpritur do të ishte një sistem inkuizitor i modernizuar, i përshtatur me kohën e sotme, që karakterizohet nga qasja e jashtëzakonshme në informacion përmes internetit, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të tjera.
Në një sistem të tillë, gjyqtarët do të kishin një rol dhe kompetenca shumë më të mëdha për zhvillimin efikas dhe të shpejtë të procedurave.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar protestat që vijojnë prej 84 ditësh me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si një nga lëvizjet më masive shoqërore në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist.
Në një intervistë për “TheNewsAgents”, Bushati argumentoi se pas kësaj valë protestash qëndron një pakënaqësi e thellë dhe e gjerë sociale, e grumbulluar gjatë dekadave të fundit.
“Sepse kjo ka të bëjë edhe me kapitalizmin grabitqar që kemi përjetuar gjatë 30–35 viteve të fundit, ku të mirat publike dhe hapësira publike janë tkurrur gjithnjë e më shumë dhe të mirat publike dhe hapësira publike janë, në njëfarë mënyre, “privatizuar” nga një grusht njerëzish. Ka një frustrim në rritje për sa u përket pabarazive, mungesës së mundësive. Njerëzit po kuptonin se i ashtuquajturi zhvillim që kemi parë gjatë viteve të fundit po ndodhte në kurriz të lirive të tyre politike dhe ekonomike. Pra, është shumë më tepër sesa mbrojtja e natyrës. Ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet jeta publike në këtë vend; ka të bëjë me mënyrën se si mundësitë ekonomike shpërndahen në mënyrë të pabarabartë në shoqëri. Por mënyra se si unë i shoh protestat është si një thirrje për pajtim mes mbrojtjes së mjedisit ose natyrës dhe zhvillimit”, tha Bushati.
Bushati tha se protestat kanë qenë në qendër të debatit publik, ndërsa vuri në dukje edhe mobilizimin e diasporës shqiptare në qytetet perëndimore, ku janë zhvilluar tubime në mbështetje të kauzave të protestuesve në Tiranë.
Ditmir Bushati: Mendoj se ato [protestat] kanë qenë në epiqendër të debatit publik dhe vëmendjes publike, sepse është hera e parë që nga rënia e komunizmit që kemi protesta kaq masive dhe intensive në rrugët e Tiranës. Por, në të njëjtën kohë, kemi parë edhe mobilizimin e diasporës sonë. Një e treta e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë, kryesisht në kryeqytetet perëndimore. Ata kanë organizuar gjithashtu tubime në mbështetje të kauzave që janë mbrojtur dhe promovuar nga protestuesit këtu në Tiranë.
TheNewsAgents: Në pamje të parë, duke e parë këtë çështje, mund të mendosh se kjo është një çështje relativisht e vogël që lidhet me një rezervat natyror në një ishull të caktuar. Pse e ka ndezur kaq shumë situatën?
Ditmir Bushati: Sepse kjo ka të bëjë edhe me kapitalizmin grabitqar që kemi përjetuar gjatë 30–35 viteve të fundit, ku të mirat publike dhe hapësira publike janë tkurrur gjithnjë e më shumë dhe të mirat publike dhe hapësira publike janë, në njëfarë mënyre, “privatizuar” nga një grusht njerëzish. Ka një frustrim në rritje për sa u përket pabarazive, mungesës së mundësive. Njerëzit po kuptonin se i ashtuquajturi zhvillim që kemi parë gjatë viteve të fundit po ndodhte në kurriz të lirive të tyre politike dhe ekonomike. Pra, është shumë më tepër sesa mbrojtja e natyrës. Ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet jeta publike në këtë vend; ka të bëjë me mënyrën se si mundësitë ekonomike shpërndahen në mënyrë të pabarabartë në shoqëri. Por mënyra se si unë i shoh protestat është si një thirrje për pajtim mes mbrojtjes së mjedisit ose natyrës dhe zhvillimit. Pra, për një pajtim mes të mirave publike dhe të mirave private, dhe shpresoj që ky të jetë një moment përcaktues për Shqipërinë, që gradualisht të kalojë drejt një lloji tjetër kapitalizmi, nga ai grabitqar që kemi përjetuar gjatë 30–35 viteve të fundit, drejt një kapitalizmi më social.
Gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks identifikimi, thotë Samira Krehiq, udhëheqëse e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krehiq flet për rolin që do të ketë ICMP-ja pas zbulimit të mbetjeve mortore të së paku 23 personave në Zubin Potok të Kosovës, zhvarrimi i të cilëve përfundoi më 21 gusht.
Ky institucion pritet të kryejë analizat e ADN-së dhe krahasimin e mostrave biologjike për të arritur identifikimin e mbetjeve mortore.
Krehic thotë se gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas saj, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.
Ajo thotë se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.
“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, thotë Krehiq.
ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999. Sipas një raporti të institucionit të vitit 2017, mbi 2.500 nga rreth 4.500 personat e zhdukur nga lufta dhe pasojave të saj ishin identifikuar me ndihmën e teknologjisë së ADN-së.
Rreth 2.000 raste të tjera ishin identifikuar përmes metodave tradicionale, kryesisht para vitit 2002.
Në intervistën për REL-in, Krehic shpjegon si mund të trajtohen identifikimet e gabuara në të kaluarën dhe çfarë duhet të bëjë Kosova për ta zvogëluar varësinë nga ndihma ndërkombëtare.
Radio Evropa e Lirë: Mbetjet mortore të së paku 23 personave u zbuluan së fundi në varreza masive në Zubin Potok, në Kosovë. A mund të na tregoni çfarë nënkupton kjo dhe çfarë ndodh nga momenti kur gjenden mbetjet mortore deri në konfirmimin e identitetit?
Samira Krehiq: Ky ishte një lajm i mirë jo vetëm për familjet e personave të zhdukur, por për të gjithë ne që jemi të përfshirë në këtë proces. Pas një kohe shumë të gjatë, institucionet e Kosovës arritën të lokalizojnë dhe të fillojnë nxjerrjen e mbetjeve mortore të viktimave të konfliktit në Kosovë. Gërmimi i fundit, besoj, ishte në Rashkë, në Rudnicë, shumë kohë më parë. Prandaj, kjo paraqet përparim. Presim të marrim pjesë në procesin e identifikimit të të gjitha viktimave dhe, si gjithmonë, të punojmë me familjet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Procesi nga nxjerrja e mbetjeve njerëzore deri në identifikimin e tyre është shumë kompleks dhe multidisiplinar. Ai përfshin fusha të ndryshme ekspertize: arkeologjinë mjekoligjore, antropologjinë, patologjinë mjekoligjore në terren, analizën e ADN-së, menaxhimin e një sasie shumë të madhe informacioni dhe, në fund, konfirmimin zyrtar ligjor të identitetit.
I thjeshtuar, procesi mund të përshkruhet në disa faza. Fillimisht zbulohen mbetjet njerëzore, të cilat më pas nxirren me kujdes, dokumentohen dhe transferohen në një objekt mortor për ekzaminim. Atje, specialistët mjekoligjorë i ekzaminojnë mbetjet dhe dokumentojnë të gjitha të dhënat që mund të ndihmojnë në përcaktimin e identitetit të viktimave, përfshirë gjendjen e mbetjeve, profilin biologjik të viktimave dhe çdo provë tjetër relevante të gjetur në vendngjarje. Specialistët e mjekësisë ligjore marrin mostrat përkatëse post-mortem (pas vdekjes), për analizën e ADN-së.
Pasi në laboratorët e ICMP-së përcaktohet përputhja e ADN-së me profilet referuese të familjarëve, familjet njoftohen dhe ftohen për identifikimin zyrtar, i cili kryhet në përputhje me legjislacionin vendor të secilit shtet.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore dhe administrative, mbetjet mund t’i kthehen familjes.
Në raste më komplekse, për shembull kur mbetjet janë të pjesshme ose të fragmentuara, kur nuk ka mostra të mjaftueshme referuese nga familjarët ose kur ADN-ja është degraduar, procesi mund të bëhet shumë më sfidues dhe të marrë më shumë kohë. Në raste të tilla mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë për të arritur rezultatin e dëshiruar.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli do të ketë ICMP-ja në identifikimin e mbetjeve mortore të zbuluara në Zubin Potok?
Samira Krehiq: Si edhe më parë, jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme profesionale, nga gërmimi dhe ekzaminimi i mbetjeve mortore dhe deri te analiza e mostrave biologjike që dalin nga ky gërmim. Do të përfshihemi definitivisht në atë fazë të procesit. Gjithashtu, vazhdimisht mbledhim mostra referuese nga familjarët e mbijetuar, në mënyrë që kolegët tanë në laboratorin e ADN-së në Hagë t’i krahasojnë profilet referuese me profilet post-mortem.
Ne u ofrojmë mbështetje të vazhdueshme edhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur, për t’i ndihmuar që të përfshihen aktivisht ose të mbeten të përfshira në këtë proces shumë të rëndësishëm. Bashkëpunojmë ngushtë me institucionet e Kosovës, njësoj si në çdo shtet tjetër.
Mbetemi në dispozicion për çdo lloj ndihme, veçanërisht për Komisionin Qeveritar të Kosovës, për ngritjen e kapaciteteve të tij dhe për ta ndihmuar në menaxhimin, konsolidimin dhe ruajtjen, në një program të krijuar posaçërisht që ia kemi dhuruar, të sasisë së madhe të të dhënave që krijohen gjatë procesit. Ka edhe fusha të tjera në të cilat ICMP-ja punon me institucionet e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Pse Kosova vazhdon të mbështetet në ICMP-në për identifikime? A i ka aktualisht kapacitetet për ta kryer këtë proces në mënyrë të pavarur dhe kur mund të ndodhë kjo?
Samira Krehiq: Siç thashë, identifikimet e udhëhequra nga ADN-ja, sidomos në territorin e ish-Jugosllavisë ku konflikti kishte karakter rajonal, duhet të shihen në këtë kontekst. Viktimat ose familjet e personave të zhdukur lëviznin nga një shtet në tjetrin. Edhe trupat e viktimave nganjëherë kalonin kufijtë pa qëllim, për shembull përmes lumenjve, ose zhvendoseshin qëllimisht. Në rastin e viktimave të Kosovës, ato u transportuan ilegalisht dhe fshehurazi përtej kufirit, në territorin e Serbisë, dhe u varrosën në varreza masive të fshehta. Karakteri i konfliktit përcaktoi edhe natyrën dhe strukturën e procesit të identifikimit të krijuar në fillim.
Përjashtimi i një shteti nga ky sistem dhe ngritja e një sistemi të pavarur nuk do të prodhonte rezultatet që kemi arritur deri tani dhe nuk do ta ndihmonte identifikimin e viktimave, nëse nuk planifikohet me kujdes dhe nuk dakordohet me autoritetet vendore, të gjitha palët e interesuara dhe shtetet fqinje, sidomos në rastet e bashkëpunimit ndërkufitar ose në rastet që u interesojnë disa shteteve. Procesi duhet të zhvillohet hap pas hapi, për të siguruar transparencën, rigorozitetin shkencor, zbatimin e standardeve më të larta mjekoligjore dhe shkëmbimin e informacionit.
Aktualisht po përqendrohemi në këtë çështje dhe kemi zhvilluar bashkëpunim shumë intensiv, para së gjithash me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, krahas Komisionit të Kosovës (për Persona të Zhdukur) dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Po diskutojmë se si të përparojmë në këtë fushë. Tashmë kemi ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm për kapacitetet teknike të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe trajnimin e shkencëtarëve të ADN-së. Por, kjo nuk duhet marrë lehtë. Procesi duhet të zhvillohet me shumë kujdes, për të siguruar vazhdimësinë, të njëjtën cilësi dhe qasjen e familjeve të personave të zhdukur në këtë shërbim.
Radio Evropa e Lirë: A lidhet kjo me faktin se mostrat e gjakut të mbledhura më herët ndodhen në Hagë?
Samira Krehiq: Jetojmë në një botë ku i gjithë informacioni shkëmbehet në mënyrë elektronike. Vendndodhja fizike e serverëve ose e vetë mostrave nuk ndikon në proces pasi ato përpunohen dhe shndërrohen në versione elektronike, në seri numerike. Vendndodhja nuk ndikon në suksesin e krahasimit të ADN-së apo në ndonjë pjesë tjetër të procesit. Njerëzit e përdorin internetin çdo ditë dhe i ruajnë të dhënat në cloud, pa pyetur se ku ndodhet fizikisht hapësira ku ruhen, sepse në këtë pikë kjo nuk ka rëndësi. Prandaj, kjo nuk është pengesë. Ekzistojnë konsiderata të tjera ligjore, etike dhe politike që duhet t’i marrim parasysh.
Radio Evropa e Lirë: Kur u publikua lajmi se në Zubin Potok mund të ishin gjetur mbetje njerëzore, autoritetet deklaruan se ato mund t’i përkisnin një grupi të caktuar nga Kosova, pjesëtarët e të cilit u zhdukën gjatë luftës. Çfarë mendoni për deklarata të tilla dhe çfarë provash nevojiten për ta konfirmuar këtë lidhje?
Samira Krehiq: Përgjegjësia për procesin dhe sidomos për hetimin u takon shtetit dhe organeve hetimore shtetërore. Nuk mund ta komentoj deklaratën, pavarësisht se kush e ka bërë. Por, nga pikëpamja shkencore dhe nga përvoja jonë e madhe në identifikimin e mijëra viktimave në mbarë botën, siguria ekziston vetëm pasi të lëshohet raporti i përputhjes së ADN-së. Niveli i sigurisë në përputhjen e mbetjeve të gjetura me mostrat referuese të familjeve është mbi 99.95 për qind.
Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave të gjetura, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas. Kjo është përvoja jonë. Procesi i identifikimit është çështje serioze. Përpjekjet e shtetit për t’i rindërtuar ngjarjet, për t’u dhënë përgjigje familjeve dhe për t’i përmbushur detyrimet ndaj tyre janë për t’u vlerësuar. Por përfundimet, rindërtimi i ngjarjeve dhe përcaktimi i fakteve duhet ta presin përfundimin e procesit të identifikimit.
Në shumë pjesë të botës kemi punuar në raste ku, bazuar në deklarata, ngjarje ose informacione të ndryshme, supozohej se një grup ose individ i caktuar ishte gjetur në një vend të caktuar, por kjo nuk doli domosdoshmërisht e vërtetë. Në fund, ADN-ja dhe e gjithë puna që e shoqëron procesin e identifikimit, përfshirë punën mjekoligjore në objektin mortor dhe në vendin e gërmimit, do ta tregojnë historinë e ngjarjeve që çuan në zbulimin e varrezës në Zubin Potok.
Radio Evropa e Lirë: Kanë kaluar gati tri dekada nga lufta dhe nga zhdukja e shumë prej personave që ende nuk janë gjetur. Si ndikon kalimi i kohës në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve njerëzore?
Samira Krehiq: Është proces shkencor dhe kompleks, ndërsa koha është armik i procesit në të gjitha aspektet. Nga pikëpamja shkencore, përcaktimi i identitetit personal mund të jetë veçanërisht sfidues kur mbetjet janë të fragmentuara, të përziera ose të degraduara; kur identifikimet e mëparshme janë bërë pa analizë të ADN-së, kur ka pak të dhëna për personin ose personat e zhdukur ose kur nuk ka mostra të mjaftueshme referuese nga familja. Në raste të tilla, procesi mund të zgjasë dhe të jetë i ndërlikuar, por nuk është i pamundur. Mund të kërkojë kohë të konsiderueshme, ekspertizë shtesë dhe bashkimin e burimeve të ndryshme të provave.
Megjithatë, vetë kalimi i kohës nuk është armiku më i madh i identifikimit. Ne kemi një program në Vietnam për të ndihmuar në gjetjen dhe identifikimin e viktimave të Luftës së Vietnamit. Edhe pas gjithë atyre dekadave dhe në mjedise shumë të pafavorshme ku gjenden mbetjet, kemi arritur të identifikojmë persona duke përdorur madje mostra referuese nga nipërit dhe mbesat e tyre. Nga pikëpamja shkencore, përveç kohës, ka edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në proces. Çdo rast trajtohet veçmas, në varësi të mjedisit, gjendjes së mbetjeve dhe faktit nëse varreza është parësore apo dytësore. Nuk ka një recetë universale, qasja është gjithmonë individuale.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët varrezat parësore dhe dytësore. Kur mbetjet gjenden në disa lokacione të afërta, çfarë mund t’i tregojë kjo analizës mjekoligjore për mënyrën se si kanë vdekur viktimat ose nëse trupat e tyre janë zhvendosur më vonë? A është kjo pjesë e rëndësishme e identifikimit të viktimave dhe e përcaktimit të asaj që u ka ndodhur?
Samira Krehiq: Po hyjmë në aspektin mjekoligjor të punës së antropologëve mjekoligjorë dhe specialistëve të tjerë. Duke u mbështetur në përvojën tonë të gjerë dhe në numrin e madh të operacioneve të gjetjes së mbetjeve ku ka ndihmuar ICMP-ja, procesi i identifikimit dhe sidomos ADN-ja mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjeve dhe në të kuptuarit e asaj që ka ndodhur.
Shembulli i Srebrenicës është një enigmë e njohur mjekoligjore në mbarë botën, sepse mbetjet zakonisht zhvendoseshin nga vendi fillestar në një vend tjetër, ndonjëherë edhe në një të tretë. Falë ADN-së, arritëm t’i ribashkojmë pjesët e individëve, që u gjetën në varreza të ndryshme, në një person dhe një identitet. Por jo vetëm kaq: arritëm t’i ndihmonim autoritetet ta rindërtonin ngjarjen dhe ta kuptonin se si ishte krijuar varreza, si ishte zhvendosur nga një lokacion në tjetrin dhe më pas në një të tretë, si dhe çfarë kishte ndodhur, duke rindërtuar tërë rrjedhën e ngjarjeve.
Jemi të gatshëm ta ofrojmë këtë lloj ndihme edhe në rastin e Kosovës. Kjo punë do të ndihmojë edhe në zbulimin e rrethanave që lidhen me vrasjen e viktimave të gjetura tani në Zubin Potok.
Radio Evropa e Lirë: A keni qenë deri tani në kontakt me autoritetet e Kosovës? A keni zhvilluar takime për rolin që do të keni në këtë proces?
Samira Krehiq: Kemi një proces shumë mirë të përcaktuar. Bashkëpunimi ynë zgjat prej shumë vjetësh dhe të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë. Presim të na vijë numri i mostrave.
Në të njëjtën mënyrë, e ndjekim punën për rishikimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në objektin mortor në Prishtinë, sepse kemi parë shtim të mostrave. Ka pasur dhe vazhdon të ketë shkëmbim intensiv informacioni me specialistët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionin e Kosovës dhe të gjithë të përfshirët. Secili ka një rol të rëndësishëm për ta përfunduar këtë proces dhe për t’u dhënë përgjigje familjeve të personave të zhdukur.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët mbetjet mortore të paidentifikuara. Në të kaluarën, disa mbetje janë identifikuar gabimisht për shkak të përdorimit të metodave tradicionale të identifikimit. Sa të përhapura ishin këto gabime në Kosovë dhe a mund të zbulohen e të korrigjohen tani përmes ADN-së?
Samira Krehiq: Do të ishte e papërgjegjshme që dikush të jepte një numër të identifikimeve të mundshme të gabuara. Kjo as nuk është e nevojshme, sepse do të shkaktonte shqetësim të panevojshëm te familjet e personave të zhdukur që i identifikuan të afërmit e tyre përmes metodave tradicionale, para se ADN-ja të bëhej standardi i artë i identifikimit.
Nëse shteti vendos ta trajtojë këtë çështje, dhe e di se tashmë janë zhvilluar disa aktivitete, qasja duhet të jetë shumë e kujdesshme, e synuar dhe e paraprirë nga shumë analiza para kontaktimit të familjeve. Ajo duhet të kombinohet me punën në objektin mortor në Prishtinë. Kemi punuar në një skenar të ngjashëm në Bosnjë e Hercegovinë, ku morëm pjesë në rishikimin e 12 objekteve mortore dhe të mbi 3.500 grupeve të mbetjeve njerëzore. Pas atij rishikimi, ndër përfundimet dhe rekomandimet që ua dhamë autoriteteve ishte që t’u afroheshin grupeve të caktuara të familjeve dhe të mblidhnin mostra shtesë referuese për verifikimin e identitetit të të afërmve të tyre.
Ky veprim nuk u ndërmor vetëm nga ICMP-ja. Ne punuam me Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës për të miratuar një strategji të plotë, të koordinuar edhe me Institutin për Personat e Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës. Strategjia jepte udhëzime se cilët hapa duhej të ndërmerreshin në secilin skenar. Qasja duhet të jetë shumë e kujdesshme, individuale dhe e paraprirë nga analiza të shumta para kontaktimit të familjeve.
Familjet duhet të informohen për këtë përpjekje dhe ta kuptojnë arsyen pse bëhet, sepse një shtet mund ta trajtojë çështjen e identifikimeve të gabuara vetëm me pjesëmarrjen vullnetare të familjeve që më parë i kanë identifikuar të afërmit e tyre. Nëse ato nuk duan të marrin pjesë dhe t’i ndihmojnë fqinjët, të afërmit ose bashkëqytetarët që ta zgjidhin problemin e tyre, procesi nuk do të funksionojë. Prandaj, duhet të ketë një qasje të koordinuar dhe të harmonizuar, të dakorduar ose miratuar nga autoritetet shtetërore. Pastaj mund të ndihmojnë edhe të tjerët, përfshirë ICMP-në me përvojën e saj në këtë fushë.
Radio Evropa e Lirë: Nëse kthehemi te rasti konkret i Zubin Potokut, e dimë se është e vështirë të caktohet një afat, por nëse mostrat do t’i pranonit, le të themi, gjatë muajve të ardhshëm, sa mund të zgjasë procesi deri kur familjet të fillojnë të marrin identifikimet?
Samira Krehiq: Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, është e rëndësishme të kuptohet si funksionon identifikimi dhe analiza e ADN-së, sepse është proces shumë kompleks. Ne i krahasojmë profilet e ADN-së të nxjerra nga mbetjet e gjetura me profilet e ADN-së nga mostrat referuese të dhëna nga familjarët. Që procesi të fillojë dhe të ketë sukses, këto dy përbërës janë thelbësorë. Kjo mundëson që mbetjet e gjetura të krahasohen sistematikisht me gjithë bazën e të dhënave referuese për të gjithë personat e zhdukur, në vend se të mbështetemi në supozime se kush mund të jetë personi.
Ky është një dallim kryesor ndërmjet qasjes së ICMP-së për identifikimin përmes ADN-së dhe punës që zakonisht kryhet në laboratorët kriminalistikë ose civilë në mbarë botën, ku analiza e ADN-së përgjithësisht përdoret për të përcaktuar lidhjen ndërmjet një individi të caktuar dhe provës që ai ka lënë në një vendngjarje. Këtu kemi një proces shumë të madh krahasimi ndërmjet të gjitha mostrave (të mbetjeve mortore) dhe të gjitha mostrave referuese.
Nëse profili i ADN-së mund të nxirret me sukses nga mostra e kockës që pranojmë dhe ka lidhje gjenetike të rëndësishme e shumë të fuqishme me mostrën referuese të familjes, në nivelin 99.95 për qind, ICMP-ja lëshon raportin e përputhjes së ADN-së. Por, nuk mund të garantohet se procesi do të jetë i drejtpërdrejtë. Ky është vetëm një përshkrim shumë i thjeshtuar, pa përmendur kontrollet e ndryshme, nivelet e miratimit, verifikimit dhe mbikëqyrjes që zbatohen në laborator.
Suksesi dhe shpejtësia e analizës së ADN-së varen nga cilësia dhe numri i mostrave të pranuara. Nganjëherë dërgohet një numër i madh i panevojshëm mostrash, ndërsa herë të tjera numri është i pamjaftueshëm. Kjo varet edhe nga aftësia e patologut mjekoligjor që i merr mostrat. Po ashtu, varet nëse familjet e personave të zhdukur i kanë dhënë ICMP-së mostra referuese. Edhe nëse teorikisht i kemi të dyja, rëndësi ka gjendja e mostrës së ADN-së nga mbetjet, nëse është degraduar me kalimin e kohës dhe mjedisi ku kanë qëndruar mbetjet mortore. Ka shumë faktorë që ndikojnë në shpejtësinë e procesit. Nganjëherë duhet të përsërisim analiza të caktuara. Kolegët në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës i njohin shumë mirë këto çështje. Ndonjëherë kërkojmë një mostër rezervë të kockës, por ajo mund të mos jetë në dispozicion.
Nëse duam ta trajtojmë seriozisht këtë punë dhe të mos mendojmë vetëm për shpejtësinë, por për saktësinë, thjesht nuk e dimë afatin. Mund të zgjasë relativisht pak, por edhe shumë më gjatë. Varet nga të dyja pjesët e procesit.
Radio Evropa e Lirë: Mund të bëhet fjalë për muaj ose për vite?
Samira Krehiq: Nganjëherë njerëzit pyesin pse mbetjet janë gjetur, për shembull, pesë vjet më parë dhe raporti i përputhjes së ADN-së vjen vetëm tani. Kur i shikojmë të dhënat, mund të shohim se familja nuk kishte dhënë mostra të mjaftueshme, se kishte vetëm një familjar ose asnjë, dhe mostrat u dhanë më vonë, ose se nevojitej një mostër shtesë rezervë e kockës, por ajo nuk ishte dërguar.
Ky nuk është proces automatik. Çdo rast është specifik dhe shkencëtarët e shqyrtojnë me shumë kujdes. ICMP-ja nuk do ta ngadalësojë ose përshpejtojë procesin vetëm për hir të shpejtësisë. Do të zbatohet e njëjta metodologji si për mostrat që vijnë nga çdo vend tjetër i botës. Laboratori i ADN-së i ICMP-së është i akredituar dhe punojmë sipas standardeve të caktuara shkencore. Do të bëjmë çmos që t’i përpunojmë mostrat sapo t’i pranojmë.
Radio Evropa e Lirë: Cilin do ta veçonit si suksesin më të madh ose sfidën më të madhe me të cilën përballet Kosova në të ardhmen lidhur me identifikimin e personave të zhdukur? Pothuajse 30 vjet pas luftës u krye një zhvarrim, prandaj ende ka shpresë për të ardhmen, apo jo?
Samira Krehiq: Kosova, krahas shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë, është shembull i mirë për vendet e tjera të botës se si çështja e personave të zhdukur mund të trajtohet në mënyrë sistematike dhe institucionale. Kosova ka institucion të specializuar dhe korniza institucionale ekziston. Ekziston Komisioni i Kosovës dhe Ligji për Personat e Zhdukur, i miratuar vite më parë, si dhe zbatimi i tij. Ka një shoqëri civile shumë aktive dhe familje të personave të zhdukur që vazhdojnë të jenë shumë të interesuara dhe aktive në proces. Ka kapacitete të mira mjekoligjore, të cilat tani po i zhvillojmë edhe më tej. Pra, ekzistojnë parakushtet për ta çuar procesin përpara.
ICMP-ja do të vazhdojë të punojë. Një nga fushat ku përqendrohemi tani është zvogëlimi i varësisë së Kosovës nga ndihma ndërkombëtare. Shteti duhet ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi. Është detyrim ligjor i shtetit dhe institucioneve të tij t’i mbrojnë qytetarët dhe, kur kjo mbrojtje dështon, t’i mbrojnë të mbijetuarit, t’u sigurojnë qasje në të gjitha këto të drejta dhe në informacion, si dhe t’u tregojnë çfarë ka ndodhur. Ne po ndihmojmë dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë proces.
Gjithashtu punojmë për të siguruar që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe që shteti, ndoshta edhe dekada nga sot, të ketë kapacitet për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’i mbrojtur familjet për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Parakushtet bazë ekzistojnë. Kemi punuar shumë gjatë viteve për t’i krijuar këto kapacitete. Tani duhet të shkojmë një hap më tej: t’i forcojmë, t’i aftësojmë për ta zvogëluar varësinë nga ndihma ndërkombëtare dhe për ta marrë përgjegjësinë e plotë për procesin. Ne do të jemi këtu për të ndihmuar.
As zgjedhjet e reja dhe as një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i jepnin zgjidhje të qëndrueshme krizës institucionale në Kosovë, nëse partitë nuk tregojnë vullnet për kompromis dhe bashkëjetesë politike, thotë analistja politike, Donika Emini.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini thotë se partitë janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, pa ndryshuar raportet mes tyre, çdo rrugëdalje nga bllokada do të ishte vetëm e përkohshme dhe vendi rrezikon të kthehet sërish në të njëjtën pikë.
Emini vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje është në pozitën më të favorshme nga vazhdimi i bllokadës, pasi sipas saj, përmes Qeverisë në detyrë, vazhdon ta ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrjen e një Kuvendi funksional.
“Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes”, paralajmëron ajo, duke shtuar se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të çojë gradualisht drejt kapjes së shtetit.
Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë edhe partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, të cilat i përshkruan si të dobëta, të përçara dhe pa strategji të përbashkët. Sipas Eminit, vazhdimi i krizës mund t’iu konvenojë edhe atyre, nëse e shohin atë si instrument për ta sfiduar dhe dobësuar Vetëvendosjen.
Ajo nuk pret as ndonjë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, duke theksuar se përgjegjësia për daljen nga kriza u takon para së gjithash partive politike të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Për momentin nuk po shihet ndonjë përpjekje konkrete për marrëveshje politike, ndërsa partitë [PDK, LDK e Aleanca] e kanë refuzuar edhe ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentit për takim. Çfarë tregon kjo për thellësinë e krizës politike?
Donika Emini: Për momentin, ajo që po shohim është se partitë politike janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk po shfaqin ndonjë vullnet serioz për kompromis apo negociata. Refuzimi i ftesës për takim nga partitë opozitare është një tregues i qartë se kriza është shumë më e thellë sesa një mosmarrëveshje për formimin e Qeverisë.
Në fakt, çështja nuk është vetëm Qeveria, të cilën Vetëvendosje mund ta formojë relativisht lehtë. Problemi kryesor është zgjedhja e presidentit, dhe pikërisht aty po vazhdojnë të njëjtat divergjenca politike që i kemi parë që nga shkurti i vitit 2025. Pra, nuk kemi parë ndonjë zbutje të qëndrimeve gjatë ditëve të fundit.
Përkundrazi, kemi një situatë ku kufijtë mes institucioneve dhe roleve politike janë bërë jashtëzakonisht të paqartë. Personat e njëjtë janë njëkohësisht deputetë, ministra, kryeministër, kryetar Kuvendi, president apo ushtrues të funksioneve të tjera institucionale. Kjo është një situatë e pazakontë dhe, në vend se ta ndihmojë zgjidhjen e krizës, e ka bërë edhe më të ndërlikuar.
Por, mendoj se duhet parë edhe kalkulimi politik. Vetëvendosje, edhe pse nuk mori rezultatet që do të dëshironte në zgjedhjet e fundit, është ende në një pozitë relativisht më komode se partitë opozitare. Prandaj, ekziston një dyshim i arsyeshëm se mund të jetë duke i shtyrë gjërat deri në kufijtë e afateve kushtetuese, me synimin potencial për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
Dhe këtu hyn edhe dobësia e opozitës. Partia Demokratike e Kosovës [PDK] vazhdon të ketë përçarje të brendshme, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] po përballet gjithashtu me një krizë të sajën, e cila tashmë është bërë më e dukshme publikisht. Në këtë konfigurim, një palë zgjedhje të reja mund të mos jenë domosdoshmërisht një skenar i keq për Vetëvendosjen.
Në fund të fundit, edhe në këtë situatë të bllokimit, Vetëvendosje vazhdon të ketë kontroll mbi institucionet, administratën dhe buxhetin përmes Qeverisë në detyrë. Pra, edhe pse politikisht kemi një krizë institucionale, në praktikë Vetëvendosje ende po e qeverisë vendin. Kjo e bën kalkulimin për zgjedhje të reja shumë më të favorshëm për të sesa mund të duket në shikim të parë.
Radio Evropa e Lirë: A shihni ende mundësi reale që partitë të arrijnë marrëveshje për një president konsensual para përfundimit të afateve kushtetuese?
Donika Emini: Jo, për momentin nuk shoh ndonjë mundësi reale që partitë të arrijnë një marrëveshje për një president konsensual brenda afateve kushtetuese. Kjo sepse ende nuk është definuar se si ky president konsensual do të dukej. Takimet, deklaratat dhe lëvizjet që kemi parë deri tani duken më shumë si veprime performative sesa si përpjekje reale për ta zgjidhur krizën.
Partitë e dinin shumë mirë se çfarë situate i priste pas rezultatit të zgjedhjeve. Megjithatë, që nga viti 2025 nuk ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në qëndrimet e tyre dhe nuk shoh ndonjë arsye të besoj se kjo do të ndryshojë në dy muajt e ardhshëm.
Në fakt, pjesa më e madhe e diskutimit është përqendruar te Qeveria dhe te mënyra se si do të ndahej pushteti, ndërkohë që elefanti në dhomë është zgjedhja e presidentit. Dhe pikërisht këtu partitë nuk duket se janë fare pranë një pozicioni të përbashkët.
Deri tani, asnjë emër që është përmendur apo diskutuar nuk ka dhënë ndonjë sinjal se mund të marrë mbështetjen e shumicës së aktorëve politikë që do të duhej të ishin pjesë e zgjidhjes.
Prandaj, mendoj se çështja nuk është vetëm cili do të jetë emri i presidentit. Çështja kryesore është nëse partitë janë të gatshme të bashkëjetojnë politikisht dhe të bëjnë kompromis. Dhe, këtu kam më shumë dyshime.
Për opozitën, për momentin, duket se përballja dhe sfidimi i Vetëvendosjes për çështjen e presidentit mbetet një nga instrumentet kryesore politike. Nëse vazhdimi i krizës shihet si një mënyrë për ta dobësuar Vetëvendosjen, atëherë ekziston shumë pak incentivë për të bërë kompromisin që do të ishte i nevojshëm për ta zgjidhur krizën.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndryshonte që kjo të ndodhte?
Donika Emini: Mendoj se ajo që duhet të ndryshojë është, para së gjithash, mënyra se si partitë politike e shohin njëra-tjetrën dhe mënyra se si e kuptojnë përgjegjësinë e tyre institucionale. Skena politike në Kosovë nuk mund të vazhdojë të jetë kaq e polarizuar. Duhet të ketë një kulturë kompromisi dhe bashkëjetese politike, sepse nëse sot problemi është presidenti, nesër do të jetë diçka tjetër.
Kjo krizë e ka treguar se bllokimi dhe shantazhimi institucional si instrumente politike e mbajnë shtetin në krizë të vazhdueshme. Prandaj, zgjidhja nuk është ndonjë formulë magjike apo ndonjë mekanizëm i ri që duhet ta shpikim. Zgjidhja ka qenë gjithmonë aty: partitë politike duhet të marrin përgjegjësi politike, të mësojnë të bëjnë kompromis dhe të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, duke u udhëhequr nga interesat strategjike të vendit dhe jo nga interesat e ngushta partiake apo personale.
Në njëfarë mënyre, kjo krizë ka ndihmuar edhe në demistifikimin e Vetëvendosjes. Ajo ka ndërtuar për një kohë të gjatë narrativin se është ndryshe nga partitë e tjera. Por, mënyra se si është zhvilluar kjo krizë ka treguar se edhe Vetëvendosje është pjesë e të njëjtës kulturë politike. Përkundrazi, mënyra e saj e të bërit politikë ka kontribuar në krijimin e kësaj atmosfere të polarizuar dhe të bllokimit institucional.
Dhe kjo është veçanërisht problematike për një sistem demokratik ende të brishtë si Kosova. Institucionet duhet të funksionojnë, ndërsa mosmarrëveshjet politike duhet të zhvillohen përmes debatit demokratik dhe përplasjeve rreth politikave, jo përmes bllokimit të institucioneve.
Pra, rruga përpara është relativisht e thjeshtë: partitë duhet të jenë në gjendje të dakordohen për çështjet themelore të interesit shtetëror dhe t’i mundësojnë institucioneve të funksionojnë. Pastaj, dallimet politike le të zhvillohen në mënyrë demokratike, përmes politikave dhe debatit publik. Kjo do të ishte mënyra më e thjeshtë dhe më e qëndrueshme për të dalë nga kjo krizë.
Radio Evropa e Lirë: Si i vlerësoni veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje deri tani? A shihni një strategji politike pas mënyrës se si po menaxhohet kjo situatë?
Donika Emini: Po, unë shoh një strategji politike shumë të qartë në mënyrën se si Vetëvendosje po e menaxhon këtë situatë. Për mua, kjo nuk është thjesht një situatë kaotike apo një krizë që ka dalë jashtë kontrollit. Që nga viti 2025, por edhe më herët, Vetëvendosje ka pasur një strategji shumë të qartë operative dhe ka qenë në një pozitë të privilegjuar.
Edhe pse formalisht kemi një Qeveri në detyrë dhe një Kuvend që nuk po funksionon, në praktikë Vetëvendosje vazhdon të ketë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën. Dhe, kjo është shumë e rëndësishme sepse në këtë moment nuk kemi një Kuvend funksional që ushtron kontroll dhe mbikëqyrje mbi institucionet.
Pra, Kosova nuk është plotësisht e paralizuar. Përkundrazi, gjatë kësaj kohe kanë vazhduar emërime dhe procese të rëndësishme institucionale. Pikërisht ky është vakuumi që i krijon Vetëvendosjes një pozitë shumë të favorshme: mund të vazhdojë të bëjë gjëra që ndoshta do ta kishte më të vështirë t’i bënte në një situatë normale, kur institucionet funksionojnë dhe kur ekziston mbikëqyrje më e madhe.
Kjo është edhe arsyeja pse mendoj se Vetëvendosje nuk ka ndonjë incentivë të madhe për ta zgjidhur krizën institucionale. Përkundrazi, sa më gjatë të zvarritet kjo situatë, aq më pak mbikëqyrje ka, aq më shumë kontroll ka dhe aq më shumë kohë i krijohet për ta konsoliduar agjendën e vet politike.
Edhe kalkulimi elektoral është i rëndësishëm. Nëse zgjedhjet shtyhen për dimër, kur diaspora është në Kosovë, kjo mund të jetë edhe më e favorshme për Vetëvendosjen. Diaspora nuk i përjeton në të njëjtën mënyrë pasojat e drejtpërdrejta të krizës institucionale dhe të jetës së përditshme në Kosovë. Ndërkohë, me një opozitë të dobët dhe të përçarë, Vetëvendosje e di se ka shumë pak gjasa të sfidohet seriozisht në zgjedhje të reja.
Pra, në këtë konfigurim, situate është në favor të Vetëvendosjes. Ka zhvillime dhe vendime të ndryshme që mund ta forcojnë narrativin e Kurtit kundër partive të tjera, ndërsa vetë Vetëvendosje mbetet në pozitën më të mirë.
Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes. Dhe, pikërisht këtu qëndron shqetësimi im: nëse kjo vazhdon, mund të mos kemi më vetëm një krizë politike, por një proces që gradualisht mund të çojë drejt kapjes së shtetit.
Radio Evropa e Lirë: Sa përgjegjësi mbajnë partitë e tjera për bllokadën dhe a po veprojnë ato si një bllok me strategji të përbashkët, apo secila sipas interesave të veta politike?
Donika Emini: Partitë opozitare mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për këtë krizë. Pikë së pari, ato absolutisht nuk janë një bllok dhe kjo është dëshmuar gjatë viteve të fundit. Ato kanë pasur mundësi të paktën të ecin përpara me procese të caktuara dhe ta sfidojnë më seriozisht pozitën e Vetëvendosjes, por nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë, pikërisht sepse nuk janë një pol i unifikuar.
Madje, ato duket se duan të qëndrojnë sa më larg perceptimit se janë një front i përbashkët kundër [udhëheqësit të LVV-së, Albin] Kurtit, sepse kjo do ta ushqente narrativin që ai ka ndërtuar për ta: “ata kundër Vetëvendosjes”. Kjo është dëshmuar edhe nga fakti që [kreu i LDK-së] Lumir Abdixhiku është takuar me Kurtin dhe ka pasur edhe sinjale se mund të ketë pasur mundësi për ndonjë marrëveshje për bashkëpunim apo ndarje të pushtetit.
Prandaj, nuk do të thosha se duhet të jenë një bllok politik kundër Vetëvendosjes. Por, nëse të gjitha këto parti pretendojnë se kanë të njëjtin shqetësim, pra se Vetëvendosje po e kap shtetin, atëherë pyetja është pse nuk kanë arritur të paktën të koordinohen dhe të kenë një strategji të përbashkët për t’iu përgjigjur kësaj.
Në vend të kësaj, ato shpesh po e ndjekin Vetëvendosjen edhe në mënyrën e reagimit. Për shembull, mënyra se si po kërkohet mbajtja e seancave dhe njëkohësisht po bëhen veprime performative dhe bllokime fizike të institucioneve ngjan shumë me mënyrën e të bërit politikë që Vetëvendosje e ka përdorur në të kaluarën. Pra, pas pothuajse gjashtë vjetësh në opozitë, partitë e tjera ende nuk kanë zhvilluar një mënyrë të tyren për të bërë opozitë.
Dhe problemi nuk është vetëm mungesa e koordinimit mes tyre. Këto parti kanë vështirësi edhe brenda vetvetes. Si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja po përballen me probleme dhe përçarje të brendshme. Pra, ato janë pjesë e kësaj krize, duan apo nuk duan.
Nëse duan ta paraqesin krizën vetëm si problem të Kurtit, është e drejta e tyre politike. Por, ato janë gjithashtu pjesë e mungesës së zgjidhjes. Kjo nuk do të thotë se duhet të votojnë çfarëdo që propozon Vetëvendosje, por së paku duhet të jenë në gjendje të kenë një qëndrim politik më të qartë, të koordinohen dhe të mos jenë kaq të humbura politikisht sa janë sot.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se zgjedhjet e reja janë diçka që partitë po përpiqen ta shmangin, apo për disa prej tyre mund të jenë tashmë një rezultat i dëshirueshëm?
Donika Emini: Mendoj se Vetëvendosje është partia që aktualisht është në pozitën më komode sa i përket zgjedhjeve të reja. Edhe nëse zgjedhjet organizohen deri në fund të vitit apo në një moment tjetër, nëse partitë vazhdojnë të qëndrojnë në këtë konfigurim, pozita e Vetëvendosjes është larg së qenit e sfiduar seriozisht.
Për partitë e tjera, situata është më e ndërlikuar. PDK-ja duket se po e lidh një pjesë të shpresave të saj me kthimin e [ish-kreu i PDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim] Thaçit, që potencialisht mund ta bashkojë dhe ta forcojë partinë nga brenda dhe ta ndihmojë të tejkalojë sfidat dhe krizën e brendshme me të cilën po përballet.
Për LDK-në, ndërkaq, nuk është aq e qartë se cili do të ishte qëllimi i zgjedhjeve të reja. Është e vërtetë që në zgjedhjet e qershorit pati një rritje të lehtë të rezultatit krahasuar me dhjetorin, por nuk jam e sigurt se LDK-ja mund ta përballojë edhe një proces tjetër zgjedhor në gjendjen në të cilën ndodhet sot.
Dhe kjo situatë tregon se nuk mund të flasim për një qëndrim të unifikuar të partive ndaj zgjedhjeve të reja. Për Vetëvendosjen, ato mund të jenë një opsion shumë më i favorshëm sesa për partitë e tjera. Për PDK-në, shumëçka duket se lidhet me atë se çfarë do të ndodhë me Thaçin dhe nëse kthimi i tij do të ndikonte në forcimin e partisë. Ndërsa për LDK-në, një tjetër proces zgjedhor mund të jetë më shumë rrezik sesa mundësi.
Radio Evropa e Lirë: Kosova po i afrohet edhe një paqartësie tjetër juridike lidhur me ushtrimin e detyrës së presidentit, pasi Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, në këtë post mund të qëndrojë deri më 4 tetor. Çfarë pasojash institucionale dhe politike mund të prodhojë skadimi i këtij mandati nëse kriza nuk zgjidhet?
Donika Emini: Mendoj se boshllëqet ligjore apo kushtetuese nuk janë diçka e re për sistemin politik të Kosovës. Nëse edhe këtë herë përballemi me një situatë të paqartë juridike, për shkak të përfundimit të mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentit, atëherë ka shumë gjasa që çështja të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese.
Por kjo, në njëfarë mënyre, mund të shndërrohet në një strategji për të fituar kohë. Pritet vendimi i Gjykatës, i cili potencialisht do të vendosë një precedent, dhe pastaj ne vazhdojmë të përballemi me sfida të reja.
Problemi, megjithatë, nuk ka qenë asnjëherë vetëm Kushtetuta. Problemi janë partitë politike. Nuk ekziston një kushtetutë në botë që mund t’i parashikojë dhe t’i mbushë të gjitha boshllëqet që krijohen nga dinamika e përditshme politike. Kushtetuta vendos bazën dhe përcakton se si është dizajnuar sistemi, ndërsa pjesa tjetër duhet të funksionojë përmes proceseve politike dhe institucionale që e mbështesin këtë strukturë.
Në rastin e Kosovës, problemi është se nuk ka pasur një përpjekje të mjaftueshme për ta bërë këtë. Përkundrazi, shpesh përpjekja ka qenë që të sfidohet Kushtetuta, të gjenden boshllëqet dhe pastaj të shihet se si këto boshllëqe mund të përdoren në interes të partive politike.
Prandaj, nuk do të ishte e papritur që edhe një herë të kthehemi te Gjykata Kushtetuese, apo edhe të kemi shkelje të Kushtetutës para se çështja të shkojë atje, dhe pastaj vendimet e Gjykatës të përdoren përsëri si mënyrë për të fituar kohë.
Gjykata Kushtetuese, sigurisht, mund të japë një qartësi juridike. Por, pyetja është: çfarë egjidh kjo në aspektin politik? Kemi pasur shumë vendime dhe opinione të Gjykatës Kushtetuese gjatë viteve të fundit dhe ato nuk e kanë zgjidhur krizën politike.
Radio Evropa e Lirë: Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje vetë, a ka nevojë për një ndërhyrje apo sqarim të ri juridik? Dhe, a ka ardhur momenti për një rol më aktiv të partnerëve ndërkombëtarë?
Donika Emini: Po, mund të ketë përsëri një ndërhyrje juridike përmes Gjykatës Kushtetuese, sidomos nëse krijohen situata të reja që kërkojnë sqarim. Por, problemi është se kjo mund të kthehet në një proces pa fund. Partitë mund ta sfidojnë një vendim, mund të krijojnë një situatë të re dhe pastaj të kërkohet përsëri një sqarim tjetër juridik. Këtë e kemi parë edhe më herët.
Dhe kjo, në njëfarë mënyre, është e përshtatshme për partitë, sepse çdo vendim apo procedurë e re juridike u jep atyre edhe më shumë kohë. Por, duhet ta kemi shumë të qartë se një sqarim juridik nuk e zgjidh krizën politike. Gjykata mund të japë qartësi se çfarë lejohet apo nuk lejohet në aspektin kushtetues, por nuk mund t’i detyrojë partitë të bëjnë kompromis.
Sa i përket ndërhyrjes së partnerëve ndërkombëtarë, nuk mendoj se jemi më në fillim të viteve 2000. Komuniteti ndërkombëtar sot nuk është ai që ishte atëherë dhe Kosova nuk është më në të njëjtin pozicion në agjendën ndërkombëtare. Jemi pjesë e një periferie ku Kosova nuk është prioritet, as për Bashkimin Evropian dhe as për Shtetet e Bashkuara.
Fakti që Shtetet e Bashkuara nuk kanë aktualisht ambasador në Kosovë dhe funksionojnë me një të ngarkuar me punë tregon shumë për nivelin e prioritetit që i jepet rajonit në përgjithësi, por edhe Kosovës në veçanti. Edhe vendet evropiane nuk kanë shumë interes të angazhohen në një krizë të tillë, sidomos përderisa nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë, qoftë në veri apo në përgjithësi.
Në këtë kuptim, mungesa e institucioneve funksionale në Kosovë madje mund të jetë një arsye e mirë që partnerët ndërkombëtarë të mos merren shumë me këtë çështje, përderisa nuk ka ndonjë urgjencë të sigurisë.
Ndërkohë, Kosova po humb kohë në procesin e integrimit evropian, në zbatimin e Planit të Rritjes dhe në përfitimin nga fondet që lidhen me të. Nëse afatet vazhdojnë të mos respektohen, ekziston edhe rreziku që këto fonde të ridestinohen te vendet e tjera.
Por, në përgjithësi, nuk shoh ndonjë urgjencë të madhe nga komuniteti ndërkombëtar për të ndërhyrë. Bota është shumë më e fragmentuar, partnerët ndërkombëtarë nuk kanë më të njëjtat interesa, as në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Ukraina dhe shumë pika të tjera të krizave ndërkombëtare janë më lart në agjendë. Askush nuk ka sot të njëjtin kapital diplomatik dhe politik për ta investuar në Kosovë.
Gjithashtu, nuk mendoj se duhet të presim që komuniteti ndërkombëtar ta zgjidhë këtë krizë. Kosova është shtet i pavarur dhe përgjegjësia për funksionimin e institucioneve të saj bie, para së gjithash, mbi partitë dhe aktorët politikë të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Në këtë pikë, cili do të ishte skenari më realist për daljen nga kriza dhe cilët janë hapat që duhet të ndodhin të parët?
Donika Emini: Skenari më realist është që partitë politike më në fund të kuptojnë se kjo krizë nuk mund të zgjidhet përmes bllokimit, përmes gjetjes së boshllëqeve kushtetuese apo duke e shtyrë problemin te Gjykata Kushtetuese. Këto mund të blejnë kohë, por nuk e zgjidhin krizën.
Hapi i parë duhet të jetë një vullnet real politik për kompromis. Partitë duhet të ulen dhe të diskutojnë seriozisht për çështjet që janë në tryezë, mbi të gjitha për presidentin dhe funksionalizimin e institucioneve. Nuk mendoj se zgjidhja është që partitë opozitare të bëhen një bllok kundër Vetëvendosjes, por duhet të ketë së paku koordinim dhe një minimum të përbashkët të interesave që ato i konsiderojnë të rëndësishme për funksionimin e shtetit.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje duhet ta kuptojë se pozita e saj e favorshme nuk mund të përdoret pafundësisht për ta zvarritur krizën. Për momentin, ajo është në pozitën më komode, sepse edhe në kushtet e krizës vazhdon të ketë shumë kontroll institucional dhe opozita është e dobët dhe e përçarë. Por, kjo nuk do të thotë se vazhdimi i krizës është në interesin e shtetit.
Pra, hapi i parë është që partitë të marrin përgjegjësi politike dhe të pranojnë bashkëjetesën politike. Pastaj duhet të funksionalizohen institucionet dhe të zgjidhen çështjet konkrete që kanë mbetur pezull.
Nëse partitë vazhdojnë ta shohin njëra-tjetrën vetëm si kundërshtarë që duhet të bllokohen, atëherë nuk besoj se ka ndonjë skenar magjik që mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë. Mund të kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, mund të kemi edhe zgjedhje të reja, por nëse kultura politike dhe raporti mes partive nuk ndryshojnë, atëherë rrezikojmë të kthehemi përsëri në të njëjtën pikë.
Zgjidhja është relativisht e thjeshtë: institucionet duhet të funksionojnë, partitë duhet të komprometojnë dhe dallimet politike duhet të zhvendosen nga bllokimi institucional drejt debatit demokratik dhe politikave konkrete. Pa këtë ndryshim, çdo zgjidhje tjetër do të jetë vetëm e përkohshme.
Komentet