VOAL

VOAL

Rivotim në Tearcë të Tetovës

December 25, 2016

Komentet

Mbi gjysmë miliardi euro për autostradën ende të papërfunduar Kërçovë – Ohër

Aleksandar Samarxhiski

Sanimi i rrëshqitjeve të dheut, mbrojtja nga shembjet në shpate përmes pyllëzimit, vendosja e rrjetave dhe spërkatjes me beton, janë disa prej hapave që po merren aktualisht në terren në autostradën Kërçovë – Ohër. Kjo autostradë kushton pothuajse 600 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve tashmë janë paguar. Mesatarisht, shteti paguan 9.7 milionë euro për një kilometër autostradë.

Pothuajse e gjithë shuma e projektuar së fundmi për autostradën Kërçovë–Ohër është paguar. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë ndarë rreth 560 milionë euro për këtë segment.

E nisur zyrtarisht për ndërtim në vitin 2014, disa muaj pasi në nëntor 2013 u nënshkrua kontrata, autostrada edhe pas 12 vjetësh nuk është përfunduar.

“Deri në këtë moment janë realizuar 557.985.782,11 euro ose 93.3 për qind e shumës së paraparë për ndërtimin e autostradës Kërçovë–Ohër”, thuhet në të dhënat e fundit që nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSH) i janë ndarë Radios Evropa e Lirë.

Nëse shuma e paguar deri më tani përbën 93.3 për qind të totalit të paraparë, atëherë vlera përfundimtare, sipas projeksioneve aktuale, do të arrijë në 598.055.500 euro. Kjo është mbi 200 milionë euro më shumë se 374 milionë eurot e projektuara fillimisht, të bëra publike më shumë se një dekadë më parë.

Segmenti është i gjatë rreth 57 kilometra, që do të thotë se një kilometër i kësaj arterie të rëndësishme rrugore për Maqedoninë e Veriut do të kushtojë rreth 9.7 milionë euro.

Çfarë po punohet në terren?

Nga NPRSH bëjnë të ditur se aktualisht “ndërtimi është në fazë të avancuar”.

“Po punohet në sanimin e rrëshqitjeve të reja të dheut, si dhe në përgatitjen e masave mbrojtëse në shpate, përmes pyllëzimit, vendosjes së rrjetës gjeokompozite dhe spërkatjes me beton. Më pas, në disa shpate po zbatohet zgjidhja me të ashtuquajturat galeri”, thonë nga Ndërmarrja Publike.

Qëllimi është që sa më shumë pjesë të segmentit të bëhen funksionale, për të lehtësuar “udhëtimin drejt qendrës turistike në Ohër”.

Qyteti i Ohrit, i vendosur në bregun e Liqenit të Ohrit, në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, ka mbi 50 mijë banorë. Ai është edhe destinacioni më i njohur turistik në vend, ku sipas raporteve të Komunës, në vitet 2023 dhe 2024 janë regjistruar mbi 1.1 milionë netëqëndrime turistike për secilin vit.

Nga problemet me projektin dhe mungesa e punëtorëve te përplasjet politike

Sipas informacioneve të fundit në dispozicion për autostradën, e cila pritet të lehtësojë udhëtimin në këtë rajon, deri më tani janë përfunduar rreth 40 kilometra nga gjithsej 57.

Autostrada po ndërtohet nga kompania kineze Sinohydro, ndërsa Enti Shtetëror i Revizionit, në një nga raportet e tij për Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, e ka cilësuar atë si “investimi më i madh infrastrukturor me ndërtim shumëvjeçar”.

Që në vitin 2022, revizorët konstatuan se vlera e projektit ishte rritur për të paktën 45 për qind, si dhe se kjo autostradë kishte zgjatjen më të madhe të afatit të ndërtimit. Ajo duhej të përfundonte për katër vjet.

Arsyetimet që autoritetet i kanë dhënë për zvarritjen janë evidentuar edhe nga revizorët, të cilët kanë vërejtur se ndër shkaqet kryesore për dinamikën e ngadalësuar përmenden: mangësi në projekt, shpronësime të vonuara, marrëdhënie të pazgjidhura pronësore-juridike, dislokim objektesh, mungesë e stafit teknik, mekanizimit dhe pajisjeve.

Përveç këtyre problemeve, aktorët politikë prej vitesh kanë akuzuar njëri-tjetrin për ngecjen e projektit. Kur në qershor 2025 u hapën 20 kilometrat e parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE, paralajmëroi se segmenti duhet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2026, duke akuzuar se projekti më herët ishte shndërruar në “simbol të ngecjes” dhe “pasqyrë të turpshme të një shteti që numëron në vend”.

Nga ana tjetër, opozitarja LSDM, në qeverisjen e së cilës aludoi zëvendëskryeministri, pretendon se kur mori pushtetin në vitin 2017, në terren gjeti vetëm 30 për qind progres të punimeve, pa shpronësime, pa projekte kyç të përfunduara, dhe me një sërë problemesh, por se arriti të realizojë 83 për qind të projektit.

Projektin e kanë shoqëruar edhe kontestime që përfunduan me aktakuzë nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) në lëndën “Trajektorja”, për shkak të dyshimeve për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë mbi 150 milionë euro. Të akuzuar ishin ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dhe ish-drejtori i NPRSH-së, Ljupço Georgievski. Proces gjyqësor pati, por nuk u arrit vendim i formës së prerë, pasi lënda u parashkrua.

Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe kontrata për autostradën Miladinovci–Shtip, e arritur në të njëjtën periudhë me atë për Kërçovë–Ohër. Megjithatë, kjo autostradë prej 47 kilometrash u përfundua dhe u lëshua në përdorim në qershor 2019. Sipas NPRSH-së, në të janë investuar 177 milionë euro, ose mesatarisht 3,8 milionë euro për kilometër.

Pa ushqim dhe ujë, futbollisti maqedonas Ashkovski rrëfen tmerrin në Iran: Më shpëtoi Asani

Një rrëfim i fortë vjen nga futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Stefan Ashkovski, i cili ka përjetuar nga afër tensionet dhe kaosin në Irani, mes bombardimeve dhe kufijve të mbyllur.

Në një intervistë për mediat vendase, Ashkovski tregon se për tre ditë ka mbetur pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa shpërthimet dëgjoheshin vazhdimisht mbi kokën e tij. “Isha vetëm në mes të luftës. Gjithçka rreth meje ishte frikë, rrënoja dhe panik”, shprehet ai, duke përshkruar një realitet larg fushave të blerta dhe tribunave të mbushura.

Sipas tij, në momentet më kritike, ndihma i erdhi nga ish-bashkëlojtari Jasir Asani, i cili aktivizohet po ashtu në Iran. “Asani më shpëtoi. Pa të, nuk e di si do të kishte përfunduar kjo histori”, ka deklaruar Ashkovski, duke e cilësuar ndërhyrjen e tij vendimtare për largimin nga zona e rrezikut.

Futbollisti rrëfen se arriti të largohej vetëm në çastet e fundit, mes pasigurive dhe vështirësive të shumta. Ai shprehet i zhgënjyer edhe me drejtues brenda klubit iranian Persepolis F.C., duke pretenduar se nuk mori mbështetjen e nevojshme në një situatë që rrezikonte jetën.

Dëshmia e Ashkovskit hedh dritë mbi anën e errët të profesionit të sportistit në kohë krizash, kur kontratat dhe ndeshjet zëvendësohen nga sirenat e alarmit dhe lufta për mbijetesë, larg familjes dhe çdo garancie sigurie./JOQ

“Shqiptarët, rol shtetformues në RMV!”- Begaj takim me homologen e tij në Maqedoninë e Veriut: Shqipëria e vendosur për forcimin e partneritetit dhe rrugën drejt BE

Shqipëria mbetet e vendosur të forcojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut si dy fqinje mike, partnere të besueshme dhe aleate në NATO, me synim integrimin në Bashkimin Evropian me kontribut thelbësor në këtë proces të faktorit shtetformues shqiptar që jeton atje. Këtë qëndrim riafirmoi Presidenti Bajram Begaj, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u prit nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Krerët e dy shteteve zhvilluan një takim “kokë më kokë” dhe më pas në praninë e delegacioneve të tyre.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për mediat me homologen maqedonase, bëri të ditur konkluzionet e këtij takimi, pjesë e të cilit ishte dhe çështja e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik, me kontribut kyç në avancimin Euroatlantik”, – garantoi Kreu i Shtetit.

Ndërsa vlerësoi përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Presidenti riafirmoi gjatë bisedës me Presidenten Siljanovska-Davkova qëndrimin e Shqipërisë për respektimin e detyrimeve që burojnë prej saj.

begaj maqedoni

Çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar me Presidenten e Maqedonisë së Veriut ishte dhe avancimi me zbatimin e projektit strategjik të Korridorit VIII, për të cilin Presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë e konsolidimit të bashkëpunimit, duke e pozicionuar këtë Korridor si flamurshenjë të integrimit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Një rëndësi të veçantë në këtë vizitë Presidenti i Republikës i kushtoi thellimit të bashkëpunimit në fushën akademike dhe atë të arsimit.

Presidenti Begaj siguroi Presidenten Siljanovska-Davkova se Shqipëria mbetet e angazhuar jo vetëm për bashkëpunimin politik, ekonomik e shoqëror, por dhe për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor, thelbësor për anëtarësimin në BE. Panorama

Arrestohet Artan Grubi pas më shumë se një viti në arrati

Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.

Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës.

Ndërtimet pa leje në Ohër, rrezik për tragjedi të reja

Pas publikimit të raportit, Prokuroria Publike ka iniciuar një lëndë dhe ka njoftuar se po zhvillon një fazë para-hetuese në komunë.

 

Edhe Zyra e Auditorit Shtetëror ka konstatuar në raportin e saj më të fundit se një kompleks hotelier është ndërtuar pa leje, si dhe se 23 objekte hoteliere kanë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme hapësira publike dhe kanë vendosur pajisje urbane. Megjithëse Komuna e Ohrit ka refuzuar 4.847 kërkesa për legalizim, autoritetet kompetente nuk kanë ndërmarrë masa për largimin e tyre, kanë konstatuar auditorët. Pas publikimit të raportit, Prokuroria Publike ka iniciuar një lëndë dhe ka njoftuar se po zhvillon një fazë para-hetuese në komunë.

Rreziku nga objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme qëndron në faktin se ato nuk kalojnë kontrollet e sigurisë dhe as nuk janë të regjistruara në sistem si objekte ekzistuese, gjë që paraqet rrezik të madh në rast zjarresh apo fatkeqësish natyrore, sidomos duke pasur parasysh se mirëpresin mysafirë, thonë ekspertët e ndërtimit për Radio Evropa e Lirë.

Profesori Goran Markovski nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup thotë se objektet që janë nisur të ndërtohen pa leje janë ndërtime të paligjshme, pavarësisht se çfarë dokumentacioni mund të kenë marrë më vonë.

Sipas tij, veçanërisht problematike është kur këto ndërtime legalizohen pasi tashmë janë përfunduar, sepse, siç thekson ai, procedura e legalizimit dhe regjistrimit në kadastër shpesh reduktohet vetëm në dorëzimin e një incizimi gjeodezik dhe pagesën e taksave komunale, ka kaluar këto objekte në kontrolle të stabilitetit, kapacitetit mbajtës, rezistencës sizmike apo mbrojtjes kundër zjarrit.

“Kjo është e papranueshme. Një objekt i paligjshëm mund të ndërtohet aq pa cilësi sa që mund të shembet vetvetiu dhe të lëndojë dikë. Mund të ketë shkallë të pasigurta ose, për shembull, nëse objekti është hotel dhe ka ashensor – kush e kontrollon atë në një ndërtim të paligjshëm? Kush ka nënshkruar se ashensori është në rregull, nëse instalimi elektrik është vendosur sipas standardeve dhe nëse rryma është lidhur siç duhet?”, paralajmëron ai.

Në Ohër është ndërtuar një hotel pa leje ndërtimi dhe pa pagesë për rregullimin e tokës ndërtimore, ndërsa 23 objekte hoteliere kanë përdorur hapësira publike pa leje, duke vendosur pajisje urbane si konstruksione fikse dhe streha me shtylla çeliku, si dhe hapësira të mbyllura me ndarje prej xhami, kanë konstatuar auditorët shtetërorë në raportin e tyre më të fundit./REL

Studentët e juridikut dorëzuan peticion- Mickoski: Kërkesa për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, duhet t’u lejohet!

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat foli në lidhje me kërkesat e studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës që të jetë edhe në gjuhën shqipe.

Mickovski theksoi se ligji për gjuhët në këtë rast është i qartë dhe sipas tij nëse kërkesa është që provimi të jetë edhe në gjuhën shqipe, si e tillë duhet të lejohet.

“Ligji për gjuhët është i qartë në këtë rast. Nëse dikush kërkon dhënien e provimit në shqip, duhet t’i lejohet”, deklaroi Mickoski.

Studentët e juridikut dorëzuan peticion në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Ndërkohë që nga Ministria e Drejtësisë thonë se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk parashikon dhënien e provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Kritika ndaj njëra-tjetrës pati edhe mes pozitës dhe opozitës shqiptare. bw

Ndodh për herë të parë në një shekull- Liturgjia dhe bekimi i ujit bëhen në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut

Për herë të parë në thuajse një shekull, ujërat e Radikës u bekuan në gjuhën shqipe, një ngjarje me një domethënie të thellë, jo vetëm fetare, por edhe kulturore dhe njerëzore.

Liturgjia e kënduar nga At Nikolla Kojdheli, që u dëgjua përgjatë kreshtave të Rekës së Epërme, ishte një thirrje për shtigjet e humbura dhe për bijtë e harruar, një kujtesë që nuk kërkonte leje nga koha, por që ia kthente ndërgjegjes gurin, ujërat dhe malet.

Ky bekim i ujërave, që përshkonte jo vetëm ujin, por edhe kujtesën kolektive, ishte një moment simbolik që shënonte shndërrimin dhe hapjen, duke sjellë mesazhe të fuqishme për bashkimin dhe përjetësimin e vlerave të të kaluarës. Uji u bë një mjet shenjtërimi dhe lidhjeje për njerëzit, duke shkrirë kufijtë e kohës dhe duke përforcuar identitetin shpirtëror dhe kulturor të komunitetit.

Ky moment i veçantë bëhet i mundur me iniciativën e ambasadorit të Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, dhe peshkopit të Antaninskit, z. Partenij, që kontribuuan për ta realizuar këtë ngjarje të rëndësishme.

Bekimi i ujërave të Radikës, në frymën e kësaj feste të shenjtë, përfaqëson një shfaqje të qartë dhe konkrete të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare, që ka pasur një ndikim të thellë te të gjithë ata që morën pjesë dhe e ndoqën ngjarjen. bw

Mbi gjashtë mijë të huaj morën leje pune në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar

Ndër sektorët ku punësohen më shumë punëtorë të huaj është ndërtimtaria.

 

Aleksandar Samarxhiski

Gjithsej 6.128 punëtorë të huaj morën leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025. Pra, trefish më shumë se para pesë vjetëve, kur për shkak të punës në vend kishin marrë leje 1.704 punëtorë, tregojnë të dhënat që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Ndërtimtaria, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë, janë vendet ku ka pasur interesim më të madh për punësimin e të huajve, sipas Agjencisë së Punësimit nga viti 2020.

Punëtorët nga Turqia mbizotërojnë, por tani në Maqedoninë e Veriut po mbërrijnë gjithnjë e më shumë punëtorë nga Nepali, Bangladeshi dhe India.

Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet janë ndër shtetet, qytetarëve të të cilave MPB-ja u ka lëshuar leje qëndrimi për shkak të punës.

Se nga cilët shtetas të huaj ka kërkesën më të madhe, tregojnë edhe të dhënat që REL-i i ka marrë nga Agjencia e Punësimit.

Sipas tyre, në vitin 2025 janë lëshuar gjithsej 8.509 mendime pozitive për leje pune. Në këtë numër përfshihen edhe 798 leje personale pune të lëshuara për administratorë, menaxherë etj. Ky mendim është i nevojshëm ndër dokumentet që i mbledh MPB-ja kur vendos nëse do ta miratojë apo jo leje-qëndrimin.

Edhe këto të dhëna tregojnë trendin në rritje të të huajve që kërkojnë punë në vend. Në vitin 2020, për shembull, Agjencia kishte lëshuar 3.227 mendime pozitive, që është dy herë më pak se në vitin 2025.

Prej vitesh, të parët në këtë listë janë punëtorët nga Turqia, ndërsa në vitet 2024 dhe 2025, në pesë shtetet kryesore qytetarët e të cilave kanë marrë mendime pozitive, përfshihen edhe Nepali, Bangladeshi dhe India.

Vitin e kaluar, nga gjithsej 8.509 mendime, Agjencia e Punësimit i dha 2.815 mendime vetëm për shtetasit turq. Pas tyre vijnë shtetasit e Bangladeshit me 1.567, nepalezët me 1.089 dhe indianët me 1.079.

Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës me 406.

Më herët, kur edhe numri i kuotave dhe lejeve për të huaj ishte dukshëm më i vogël, këto vende i zinin shtetet e rajonit, si Serbia, Shqipëria dhe Kosova.

Trendi i rritjes së numrit të punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku ata shpesh shihen në kantierë ndërtimi, por edhe në hotele, restorante, bare etj.

Ky proces, thekson Krste Bllazhevski nga shoqata vullnetare dhe jofitimprurëse e bizneseve hotelierike dhe gastronomike – HOTAM, është i natyrshëm duke pasur parasysh se punëtorët vendas po migrojnë drejt vendeve të tjera evropiane.

Pjesa më e madhe e lejeve kërkohen për Shkupin, ndërsa nga disa dhjetëra në vit lëshohen për Manastirin, Tetovën, Ohrin, Kumanovën etj.

“Këta janë punëtorë nga shtete më të varfra, të cilët këtu do të siguronin bukën e gojës, do të mbijetonin dhe do të dërgonin diçka për familjet e tyre, sepse edhe sot ekzistojnë vende ku ata marrin paga prej 100 dollarësh në muaj. Këtu marrin 600–800 dollarë”, thotë Bllazhevski për REL-in.

Ka ofertë dhe kërkesë për punëtorë të huaj

Por, si vijnë ata në Maqedoninë e Veriut? Praktika më e shpeshtë, kur bëhet fjalë për punëtorë nga vende të largëta si Nepali dhe Bangladeshi, është përmes agjencive ndërmjetësuese.

Ndryshe nga e kaluara, sot – thekson Bllazhevski – ka mjaft agjenci të tilla që çdo ditë u ofrojnë punëtorë. Sipas tij, ka dhjetëra të tilla. Ato dërgojnë video, CV të përvojës së punës së kandidatëve etj.

Një agjenci e tillë, që prej katër vjetësh sjell punëtorë të huaj në Maqedoninë e Veriut, është edhe “Balkan – Human Resources”. Ajo bashkëpunon me një agjenci nga Bangladeshi.

“Në fillim ishte e vështirë t’i gjeja punëtorët e parë, t’i bindja njerëzit se këtu tek ne ka punë edhe për ta. Mirëpo, me ardhjen e njerëzve të parë këtu, u krijua besimi dhe tani është më e lehtë të gjenden njerëz për të ardhur këtu”, thotë për REL-in një përfaqësues i agjencisë.

Sipas tij, interesi i punëdhënësve vendas është i madh.

“Në fillim isha skeptik se Maqedonia vërtet do të kishte aq shumë nevojë për fuqi punëtore, por vlerësimi im ishte i gabuar. Shoh çdo ditë e më shumë kërkesa”, shton ai.

“E mësojnë shpejt gjuhën”

Ai përmend së pari gastronominë, e më pas prodhimin dhe ndërtimtarinë si sektorët që kërkojnë më së shumti punëtorë.

Bllazhevski nga HOTAM thotë se kohët e fundit punëtorët që vijnë nuk janë “vetëm punëtorë të përgjithshëm”.

“Ka edhe shumë punëtorë me përvojë, të cilët mund ta kuptojnë shpejt se çfarë duhet të punojnë këtu”, thekson ai.

Në hotelieri dhe gastronomi, më së shpeshti të huajt angazhohen për “punë prapaskene” – pastrim, punë në kuzhinë etj. Por, sipas Bllazhevskit, ata e mësojnë shpejt gjuhën. Nga përvoja, për gjashtë muaj i zotërojnë gjërat bazë, ndërsa shpesh kuptohen edhe në anglisht.

“E dini, asnjë shtet në botë deri më sot nuk ka dështuar për shkak të fuqisë punëtore, nuk është prapambetur. Vetëm ecet përpara. Nëse nuk ka kush t’i kryejë pozitat e punës, atëherë do të jemi në problem të madh, do të duhet të mbyllen objekte dhe të mos ketë të ardhura”, thotë Bllazhevski.

Mbi 160 punëtorë të huaj ikën nga vendi

Megjithatë, përvoja disavjeçare me punëtorë nga vende të largëta, si India, Nepali dhe Bangladeshi, tregoi se edhe vendet e punës që ata i zënë, boshatisen, pasi ata ikin drejt vendeve të tjera evropiane. Këtë problem nuk e mohojnë as përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe as agjencitë ndërmjetësuese.

Përfaqësuesi i “Balkan – Human Resources” thotë se aktualisht bashkëpunon vetëm me një agjenci nga Bangladeshi, sepse një pjesë e tyre “i keqpërdorin kompanitë tona për të ikur në vende të tjera evropiane”.

Sipas tij, vetëm katër për qind e atyre që agjencia e tij i ka sjellë në vend janë larguar.

Trendi i ikjes së punëtorëve të huaj, sipas Bllazhevskit, është zvogëluar.

“Rregulloret nuk ishin të rregulluara siç duhet dhe një numër i caktuar punëtorësh-migrantë e shfrytëzuan këtë. Por vitin e kaluar, ata që erdhën, qëndruan. Nëse disa u larguan, ky është një numër shumë minimal”, pohon ai.

Në vitin 2025, kur leje morën 6.128 shtetas të huaj, MPB-ja ka evidentuar 166 të huaj që e kanë lëshuar Maqedoninë e Veriut, ndërsa kanë qenë në vend me status “qëndrim i përkohshëm për shkak të punësimit”.

Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga MPB-ja, prej tyre 129 ishin shtetas të Bangladeshit, 34 të Nepalit dhe tre të Indisë.

Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e të huajve nuk guxon të tejkalojë 5% të popullsisë së përgjithshme të aftë për punë në vend. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i të punësuarve në tremujorin e tretë të vitit 2025 ishte rreth 705.000, ndërsa të papunë rreth 92.000.

Sa i përket kuotës për leje pune për të huaj, për vitin 2025 Qeveria e ka caktuar atë në 10.000 punëtorë. Edhe kjo, paralelisht me rritjen e numrit të punëtorëve të huaj të angazhuar, është rritur gjatë viteve të fundit. Në fund të vitit 2023, qeveria e mëparshme e rriti nga pesë në shtatë mijë. Më herët, ajo ishte 3.250.

Vitin e kaluar, Qeveria propozoi, ndërsa Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për të Huajt, sipas të cilave parashihet që jashtë kësaj kuote, qëndrimi i përkohshëm për arsye pune t’i miratohet edhe një të huaji që punon në projekte strategjike të përcaktuara me ligj të veçantë.

Kjo do të thotë se punëtorët e angazhuar në projekte strategjike janë fuqi punëtore shtesë, jashtë kuotës prej 10.000.

Një projekt i tillë strategjik është, për shembull, ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”.

Aleanca Kombëtare për Integrim fiton dy komuna në zgjedhjet e përsëritura lokale në Maqedoninë e Veriut

Radio Evropa e Lirë

Koalicioni shqiptar i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) i ka fituar dy komuna në zgjedhjet e përsëritura lokale në disa komuna të Maqedonisë së Veriut të dielën, sipas rezultateve preliminare.

Kandidati i AKI – koalicionit që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Valbon Limani, e mposhti kandidatin e koalicionit tjetër shqiptar, VLEN, Nevzat Bejta, për ta fituar komunën e Gostivarit.

AKI-j e fitoi edhe Vrapçishten me kandidatin Isen Shabani.

Kundërshtari i Shabanit në këto zgjedhje ishte Zulhajrat Demiri, i cili u mbështet nga Grupi i Votuesve.

Përvec këtyre dy komunave, zgjedhjet lokale u përsëritën edhe në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë.

Komunën e Mavrovës-Rostushës e fitoi Oner Jakupovski, i cili u mbështet nga koalicioni Maqedonia e Juaj, i udhëhequr nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE.

Jakupovski, i cili ishte kandidat në rundin e parë të zgjedhjeve në vitin 2025, hyri në garë për kryetar komune me të njëjtin kundërshtar, Anes Ahmeti, i mbështetur nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja.

Kandidati i vetëm në Qendër Zhupë, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve, siguroi 973 vota. Në këtë komunë.

Këto rezultate u shpallën në një konferencë për shtyp të dielën vonë nga zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Radica Todorovska Aleksovska.

Ajo njoftoi se komisioni do t’i shpallë rezultatet fillestare zyrtare të hënën, pasi të mbërrijnë procesverbalet nga qendrat e votimit.

Gjatë ditës së zgjedhjeve policia nuk regjistroi asnjë incident apo shkelje të rendit publik.

Ministria e Brendshme, në një deklaratë, vlerësoi se zgjedhjet e përsëritura lokale u “mbajtën në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike”.

Arsyeja për zgjedhjet e përsëritura është se nuk dolën mjaftueshëm njerëz për të votuar në votimin e 19 tetorit të vitit të kaluar.

Një kusht që zgjedhjet të ishin të suksesshme ishte që të paktën një e treta e qytetarëve të regjistruar në Listën e Votuesve të votonin.

Por, ndryshe nga atëherë, sipas rregullave zgjedhore, nuk kishte nevojë për regjistrim të popullsisë në zgjedhjet e përsëritura më 11 janar.

“Shpresoj çdo ditë”: Qindra pacientë presin transplantim organesh në Maqedoninë e Veriut

Mjekët kryejnë një transpantim te një pacient në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

 

Sunçica Stojanovska Zoksimovska

Lista e pritjes për transplantim organesh në Maqedoninë e Veriut dominohet nga pacientët që kanë nevojë për veshka. Pjesa më e madhe e rreth 1.600 pacientëve në dializë presin transplantim të veshkës nga një dhurues i vdekur; disa prej tyre prej dekadash, ndërsa disa të tjerë vdesin duke pritur. Në vitin 2025, familjet e tre dhuruesve janë pajtuar t’i dhurojnë organet.

Brankica Razmoska nga fshati veriperëndimor i Maqedonisë së Veriut, Vevçani, është 32 vjeçe dhe jeta e saj varet nga aparati i dializës.

Asaj iu shfaq sëmundja kur ishte tetë vjeçare. Në moshën 16-vjeçare veshkat i dështuan plotësisht dhe ajo u fut në dializë si pasojë. Për fat të mirë, nëna e saj ishte dhuruese e afërt dhe ia dhuroi një veshkë. Për fat të keq, pas dhjetë vjetësh, ajo veshkë dështoi dhe që nga viti 2019 ajo është sërish në dializë, nga katër orë, tri herë në javë.

Brankica Razmoska.

Brankica Razmoska.

“Derisa të rinjtë e tjerë planifikojnë të ardhmen, ne planifikojmë terapitë. Dhe, kjo është shumë e vështirë”, thotë ajo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL), teksa pret transplantimin e veshkës.

Asaj nuk i jeton më babai, ndërsa nuk ka vëllezër apo motra, prandaj nuk ka dhurues tjetër të afërt përveç nënës, e cila tashmë i ka dhuruar një veshkë. Për këtë arsye, transplantimi i ardhshëm është i mundur vetëm nga një dhurues kadaverik (një njeri që dhuron organet pasi të ketë vdekur).

“Shpresoj shumë, çdo ditë shpresoj që një ditë të më thërrasin dhe të më ftojnë për transplantim. Lutja ime është se me dhurimin e organeve ju nuk humbni asgjë, ju dhuroni jetë. Nëse dikush humb një njeri, ai njeri mund të vazhdojë të jetojë në një njeri tjetër, dhe të ndihmojë shumë”, thotë Razmoska.

Në Maqedoninë e Veriut janë rreth 1.600 pacientë në dializë dhe 23 qendra dialize. Shumica e tyre presin transplantim kadaverik, sepse nuk kanë dhurues të afërm.

Në listën e pritjes për organe janë rreth 200 pacientë. Prej tyre, 165 presin veshka, rreth 30 kanë nevojë për zemër, ndërsa të tjerët për mëlçi ose kocka.

Disa pacientë presin me dekada, ndërsa një pjesë e tyre kurrë nuk arrijnë të marrin organ, thotë Dushko Gjorgjiev, kryetar i shoqatës së pacientëve me sëmundje të veshkave, “Nefron”.

“Kemi vite kur nuk kryhen fare transplantime kadaverike, kemi vite kur ky numër rritet disi, por në thelb është shumë i vogël për të përmbushur nevojat e pacientëve”, thotë Gjorgjiev.

Rregullorja në vend është ajo e “pëlqimit të supozuar” për dhurimin e organeve. Pra, secili është dhurues, përveç nëse gjatë jetës është deklaruar ndryshe. Megjithatë, pas vdekjes së trurit, familja ka fjalën e fundit nëse do t’i dhurojë apo jo organet.

Jeta pas transplantimit

Për dallimin mes jetës në dializë dhe jetës me veshkë të transplantuar dëshmon Tanja Pavlovska nga Shkupi, e cila tashmë 18 vjet jeton me një veshkë nga dhurues i gjallë: tezja e saj.

Edhe pse disa anëtarë të familjes kanë bërë analiza, vetëm tezja ka rezultuar dhuruese e përputhshme.

“Dializa është një moment i rëndë fizikisht dhe psiqikisht. Pas transplantimit, jeta m’u kthye në normalitet: kam më shumë energji, shëndet më të mirë, më shumë aktivitet, më shumë kohë për familjen, miqtë, shkoj në punë normalisht, u ktheva në rrjedhën e zakonshme të jetës”, thotë Pavlovska.

Tanja Pavlovska.

Tanja Pavlovska.

Ajo konsideron se ndërgjegjësimi për dhurimin e organeve është i pamjaftueshëm dhe se frika dhe dezinformatat i largojnë njerëzit nga ky akt human.

“Mendoj se duhet të flitet më shumë për këtë temë, të zgjohet ndërgjegjja te secili prej nesh. Supozoj se problemi më i madh është frika e njerëzve se çfarë mund të ndodhë. Tezja ime ndihet shkëlqyeshëm, nuk ka asnjë pasojë dhe shpresoj që të mos ketë as në të ardhmen”, tha Pavlovska për REL-in.

Tre të ndjerë dhurues organesh në vitin 2025

Në vitin 2025 ishin 13 dhurues potencialë organesh, njerëz që kanë humbur jetën. Disa prej tyre janë përjashtuar për arsye mjekësore. Familjet e tre dhuruesve janë pajtuar t’i dhurojnë organet e tyre. Janë kryer dy transplantime të mëlçisë, gjashtë transplantime të veshkave, dhjetë transplantime kockash dhe tri transplantime të indeve muskulo-skeletore.

Po në vitin 2025 janë kryer edhe pesë transplantime të veshkës nga dhurues të gjallë, si dhe ka filluar një program i ri transplantimi me nëntë transplante të kornesë (brirëzës), sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vitet 2024 dhe 2023 ishin nga dy dhurues të vdekur dhe edhe gjashtë dhurues të gjallë organesh.

Transplantimi kadaverik mbetet sfidë, sepse kur familjet refuzojnë t’i dhurojnë organet e të afërmit të tyre, kjo i zemëron edhe mjekët.

Biljana Kuzmanovska.

Biljana Kuzmanovska.

“Kur ne si ekip koordinues i kryejmë të gjitha testet, diagnostikojmë vdekjen e trurit, vlerësojmë organet, konkludojmë se kemi një dhurues potencial që mund t’u japë jetë disa pacientëve dhe përballemi me refuzim nga familja, atëherë jemi vërtet të pafuqishëm. Ne jemi të detyruar ligjërisht ta respektojmë vullnetin e familjes, e cila ka të drejtë të japë ose të mos japë pëlqim”, thotë Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplantim.

E kundërta ndodh kur mjekët marrin pëlqimin.

“Këto janë momente shumë emocionale, si për ne ashtu edhe për familjet. Ne jemi përballë një vullkani mirësie. Kur sheh përpara teje njerëz që humbasin dikë më të dashur në jetë dhe prapë pajtohen të dhurojnë një pjesë të trupit të të dashurit të tyre që të jetojë në trupin e njerëzve që nuk do t’i njohin kurrë… kjo vërtet të ndryshon. Edhe mua më ndryshon”, thotë Kuzmanovska.

Mjekët janë krenarë që te pacientët nuk ka pasur komplikime pas transplantimeve.

Për vitin 2026, ekipi i transplantimit po përgatitet të fusë një metodë tjetër: transplantimin e mëlçisë nga dhurues i gjallë. Aspekti ligjor është përgatitur, ndërsa nëse do të kryhet një transplantim i tillë në Maqedoninë e Veriut do të varet edhe nga ekzistenca e dhuruesve.

Mbi 500 transplantime të veshkave në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut po i afrohet 50-vjetorit të transplantimit të parë të veshkës, të kryer në vitin 1977 – një sukses mjekësor që, sipas shoqatës “Nefron”, tregon se vendi ka kohë që është në hap me sistemet moderne shëndetësore.

Megjithatë, ata vlerësojnë se numri i transplantimeve, rreth 510, nuk është i mjaftueshëm.

“Kemi vende në rajon, si Kroacia, që për një vit e gjysmë kryejnë aq transplantime sa ne kemi kryer për 50 vjet. Në botë tashmë ka edhe ritransplantime. Te ne kjo nuk ndodh sepse kemi shumë pak organe dhe shumë pacientë në pritje. Numri real i njerëzve që presin organe është më i madh se ai në listë, sepse në mungesë të transplantimit kadaverik pacientët nuk i kryejnë analizat dhe tipizimet e nevojshme, duke e ditur paraprakisht se në të ardhmen e afërt nuk mund të marrin organ, ndërsa analizat kërkojnë kohë dhe para”, thotë Gjorgjiev.

Sipas tij, është e domosdoshme një fushatë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit për ngritjen e ndërgjegjësimit për dhurimin e organeve, si dhe zgjerimi ose ndërtimi i një Qendre të re të Transplantimit, e cila nuk funksionon që nga pandemia kur shërbente si qendër për COVID-19.

Dusko Georgiev.

Dusko Georgiev.

Koordinatorja kombëtare Kuzmanovska njofton se Qendra po rinovohet dhe do të ketë pesë bokse dhe një pjesë për dializë. Gjithashtu, tani e tutje pacientët me vdekje të trurit do të mund të identifikohen edhe nga njësia e kujdesit intensiv në SPQ “8 Shtatori”, ndryshe nga më parë kur kjo bëhej vetëm në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL).

Po ashtu, po përgatiten ndryshime në ligjin për transplantim, me të cilat do të lejohet që dhurues të gjallë organesh të jenë edhe kushërinjtë e parë. Deri tani kjo ishte e kufizuar te nëna, babai, vëllai, motra, gjyshja, gjyshi, daja, xhaxhai, tezja, fëmijët dhe nipërit dhe mbesat.

Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?

Zorana Gaxhovska Spasovska

“Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë (REL).

Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq.

Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.

“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.

Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.

Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.

Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase

Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase.

Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.

“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.

Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë

Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.

Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.

“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.

Sipas regjistrimit të vitit 2021, i realizuar në periudhën kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi, 3.9 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i përkatësin etnisë turke.

Të dhënat tregojnë se nga 83.000 turq etnikë, rreth 71.000 jetojnë në vend, ndërsa 12.000 jashtë vendit.

Biznesi, punësimi dhe arsimi si motive për migrim

Interesi i qytetarëve turq për qëndrim në vend vërehet edhe në jetën e përditshme – nga dyqanet që ofrojnë ushqime tradicionale turke deri tek të rinjtë që shëtisin në qendër të Shkupit.

Analisti Donço Gerasimovski thotë se motiv për rritjen e kërkesës për shtetësi maqedonase nga qytetarët turq mund të jenë biznesi, punësimi ose arsimi, ndërsa sipas tij interesi më i madh shihet në fushën e biznesit.

“Merrni si shembull ndërtimtarinë operative. Sa objekte po ndërtohen në vendin tonë, ndërtesa banimi të mëdha dhe të gjera, të realizuara nga kompani turke. Që ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin, ata duhet të rregullojnë edhe shtetësinë e tyre. Gjithçka është në funksion të interesit të biznesmenëve, sportistëve dhe atyre që kanë më shumë fitime këtu sesa në vendet e tyre”, shpjegon Gerasimovski.

Ai shton se kjo ndikon edhe në strukturën etnike të popullsisë.

“Të gjithë këta persona, varësisht nga vendet nga vijnë, e rrisin numrin e asaj përkatësie etnike”, thotë ai.

Me rritjen e interesit për shtetësi, në vend vërehet edhe rritje e kapitalit turk, përkatësisht e kompanive të hapura nga pronarë turq.

Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk

Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132.

Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.

“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s për REL-in.

Në rritje është edhe numri i studentëve që vijnë në vend.

Sipas profesorit Kiril Barabareev nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, gjatë 12 vjetëve të fundit rreth 900 studentë nga Turqia janë regjistruar në këtë universitet.

“Sipas bisedave që kam pasur, Turqia ka shumë të rinj që nuk arrijnë të regjistrohen në sistemin e tyre universitar dhe, duke qenë se arsimi privat atje është shumë i shtrenjtë, ata kërkojnë universitete në rajon ku mund të studiojnë”, thotë ai.

Pasaporta maqedonase dhe udhëtimi pa viza në zonën Shengen si motiv

Mediat turke, pas ngjarjeve në Mal të Zi, ku në tetor të këtij viti u hoq përkohësisht regjimi pa viza për shtetasit turq për shkak të një sërë incidentesh, shkruajnë se Maqedonia e Veriut është bërë destinacion i ri tërheqës për qytetarët turq për shkak të përparësive që ofron.

Një nga arsyet që theksohet është mundësia për udhëtim pa viza në zonën Shengen me pasaportë maqedonase. Po ashtu, përmenden procedura e shpejtë dhe e lirë për themelimin e kompanive, si dhe kostot e përballueshme të jetesës – qiraja, ushqimi dhe transporti – që janë më të ulëta krahasuar me Turqinë.

“Afërsia me Evropën, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, pozita strategjike në Ballkan mundëson qasje të lehtë drejt Evropës”, thuhet në analizë.

Ndërkohë, Mali i Zi më 24 dhjetor hoqi vizat për shtetasit turq, por e uli qëndrimin e lejuar nga 90 ditë në 30 ditë, me qëllim, sipas qeverisë malazeze, parandalimin e migrimit ilegal dhe harmonizimin me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

Sipas ndryshimeve të fundit të rregullave evropiane për udhëtimin pa viza, të miratuara muajin e kaluar, është hapur mundësia për pezullim më të shpejtë të regjimit pa viza për vendet jashtë BE-së që paraqesin shqetësim për migrimin ose sigurinë.

Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë, bën pjesë në grupin e vendeve që mund të përballen me monitorim të shtuar për zbatimin e këtyre rregullave.

Disa nga arsyet për vendosjen e kufizimeve mund të jenë harmonizimi i dobët me politikën e vizave të BE-së dhe programet për dhënien e shtetësisë për investitorë, të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, që mundësojnë marrjen e shtetësisë pa lidhje reale dhe të dëshmueshme me vendin.

Gjithashtu, po shqyrtohen edhe rreziqe sigurie të lidhura me kërcënime hibride, përfshirë përdorimin politik të migrimit dhe dobësitë në sigurinë e dokumenteve personale, gjë që e ndërlikon edhe më tej pozitën e vendeve të treta që kanë regjim pa viza me BE-në.

Shqiptari që po zhduket nga frika Nga Dijana Toska

Këtë temë e kam trajtuar edhe para disa vitesh, por sot e shoh më qartë se kurrë:

ne po vdesim për së gjalli, çdo ditë e më shumë.

Shqiptari sot nuk po vritet. Ai po vdes nga frika. Pak nga pak. Çdo ditë.

Frika nuk po na vjen nga shteti, por nga partitë shqiptare, që me një vend pune, një tender, një favor mizerabël, e kanë shndërruar njeriun në qenie vegjetative:

që ha, që hesht, dhe që nuk i beson më as fjalës së vet.

Kështu mbahet pushteti.

Secili duke u frikësuar nga dikush.

Liderët shqiptarë nuk kanë frikë nga populli. Ata kanë frikë nga partneri maqedonas:

kush do të zgjidhet për koalicion, kush do të shpërblehet me pushtet, kush do të mbijetojë edhe një mandat.

Ata vdesin për pushtet, jo për komb.

Liderët shqiptarë jetojnë të tmerruar nga shërbimet sekrete dhe nga shefi i qeverisë.

Çdo ditë e kalojnë duke “vdekur nga pak”, nga frika se kur do t’u hapen dosjet,

kur do t’u dalin në shesh veprat e tyre antikombëtare.

Ka edhe më keq. Disa vdesin edhe më shumë herë.

Janë spiunët e dyfishtë:

flasin shqip, mendojnë sllavisht e arabisht.

Një soj i tyre luan bixhoz fshehurazi në bodrumet e errëta sllave dhe nënshkruan verdikte antishqiptare.

Soji tjetër e mban sexhaden si kravatë. Falet kudo që i bie rruga:

në parlament, në xhami me bodigardë e policë. Në universitete u mban ders studentëve për pastërtin e “muslimanizmit” të tij, shet poza morale dhe lobon kundër identitetit të kombit të vet edhe pse në pushtet ka ardhur me 200 vota, i mjaftojnë për ta shitur popullin e vet.

Disa liderë tanë kanë vdekur ditën që kanë hyrë në pushtet.

Ditën kur kanë premtuar zvogëlimin dhe ndryshimin e identitetit kombëtar, ditën kur pranuan që ne të shpallemi pakicë dhe të flasim gjuhën e “20 përqindshit”.

Jo nga padituria.

Por sepse kishin detyra për t’i kryer.

Nga një popullsi shtetformuese, me mbi 30 përqind, po copëtohemi për t’u zvogëluar.

Për t’u riformatuar si dy etnitete pakicë brenda së njëjtës etni:

“shqiptari” dhe “muslimani”.

Kjo që po ndodh nuk është fat. Është projekt.

Është sistem i këtij pushteti shtetëror dhe sistem i intereseve të huaja antishqiptare.

Liderët tanë nuk gabuan, ata zgjodhën këtë rrugë.

Identitetin nuk e humbëm.Ata e nënshkruan.

Pakica nuk u shpall rastësisht nga dikush. Ata e legalizuan

Akademia nuk u shua. Ata e shitën.

Kultura shqiptare nuk u harrua. Ata po e fshijnë çdo ditë.

Feja nuk po jetohet. Ata po e përdorin për ndarje.

Dhe frika nuk është më neutralitet.Është krim në bashkëfajësi.

Kush mban përgjegjësi?

Historia nuk i gjykon kombet nga sa herë u mashtruan,

por nga sa herë pranuan të vdesin për së gjalli.

Shqiptari nuk rrezikon të zhduket nga armiku.

Rrezikon të zhduket nga frika për ta thënë të vërtetën.

Pyetja nuk është më: a po vdesim.

Pyetja është:

kush do të mbajë përgjegjësi për këtë vdekje?

25.12.2025

 


Send this to a friend