VOAL

VOAL

Rilindja nuk vdes – Nga SINAN KASTRATI

February 13, 2020

Komentet

Ngërçi politik në Kosovë- Albulena Haxhiu: S’ka pushime verore pa konstituimin e Kuvendit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit të 33-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se mosvotimi nga ana e partive tjera politike është veprim i papërgjegjshëm politikisht e juridikisht shkelje e Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Haxhiu tha se gjithçka zgjidhet nëse partitë politike vendosin të kryejnë “detyrat që i kanë”.

“Vlerësoj edhe njëherë që është qëndrim i papërgjegjshëm, politikisht veprimet e opozitës janë veprime të papërgjegjshme, juridikisht janë shkelje të kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Uroj që opozita të reflektoj sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata të marrin pjesë në votim.

Nuk themi që ata duhet të votojnë domosdo po, ne po themi që është e rëndësishme që opozita të marrë pjesë në votim, e ka obligim kushtetues, për ata duhet të votojnë për, kundër ose abstenim, gjithçka zgjidhet në qoftë se opozita vendos të kryej detyrat që i ka”, tha Haxhiu.

Haxhiu përmendi edhe të kaluarën kur PDK-ja nuk ka propozuar dy muaj radhazi emrin e kandidatit për kryetar të kuvendit, duke thënë se LVV-ja nuk është duke e bërë këtë dhe se është e rëndësishme që të jenë bashkë e të unifikuar.

“Ne do të ishim bllokues në çoftë se pas votimit të deputetëve nuk do të bënim propozimin për kandidatin për kryetar të kuvendit, siç ka ndodhur në të kaluarën, PDK-ja nuk e ka propozuar dy muaj radhazi emrin e kandidatit për kryetarë të kuvendit, por ne se kemi bërë këtë, e kemi adresuar përgjegjësinë që kemi, kemi thënë që është e rëndësishme që të jemi bashkë, të jemi të unifikuar, kur vie puna te qeveria përgjegjësia i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi Haxhiu.

Ndërsa rreth pushimit veror për deputetët, Haxhiu tha se nuk do të ketë pushime pa konstituim të Kuvendit. /KP/

 

Mitrovica provon një fillim të ri, por a do të funksionojë?

evropaelire.org

Bekim Bislimi

Mitrovica po bën një hap të ri drejt bashkëpunimit: për herë të parë është formuar Bordi i Përbashkët mes jugut dhe veriut të qytetit. Qëllimi? Projekte të përbashkëta që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër. Por, a do të funksionojë ky mekanizëm në një realitet të ndërlikuar politik?

Mitrovica – qyteti i ndarjes më të theksuar etnike në Kosovë – ka themeluar Bordin e Përbashkët mes komunës jugore me shumicë shqiptare dhe asaj veriore me shumicë serbe.

Ky hap është përshëndetur nga Qeveria në detyrë e vendit, ashtu si edhe nga dy komunat, të cilat e kanë cilësuar si mundësi për të sjellë projekte të përbashkëta, që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër.

Bazuar në Ligjin për kufijtë administrativë të komunave, Bordi, i krijuar zyrtarisht javën e kaluar, përbëhet nga dhjetë anëtarë – nga pesë për secilën komunë.

Kryesues i tij është emëruar Elbert Krasniqi, ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Qëllimi është përafrimi i qytetarëve, krijimi i kushteve më të mira dhe bashkëpunimi ndërmjet komunave për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarin”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Krasniqi, së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të parë të Bordit të Përbashkët.

Krasniqi, së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të parë të Bordit të Përbashkët.

Ky bord nuk është një ide e re. Fillimisht është paraparë me Pakon e Ahtisaarit, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008, dhe ku është parashikuar edhe themelimi i dy komunave të ndara.

Më pas është përfshirë në Ligjin për kufijtë administrativë komunalë të vitit 2008, por nuk është realizuar kurrë, për shkak të refuzimit të vazhdueshëm nga ana e udhëheqjes së Mitrovicës së Veriut, e cila, deri në vitin 2023, ka qenë nën kontrollin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

“Prandaj edhe janë frenuar fondet ndërkombëtare”, thotë Katarina Agjançiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Mitrovica do të ishte shumë më e zhvilluar dhe do të krahasohej me qytetet tjera të zhvilluara në Kosovë. Por, kemi stagnuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Mitrovica e Veriut, ashtu si edhe tri komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi – janë udhëhequr me vite nga Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, dhe vështirë u janë bindur vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Dy vjet më parë, pasi qytetarët serbë i kanë bojkotuar zgjedhjet lokale në këto komuna, me kërkesë të kësaj partie, pushtetin e kanë marrë kryetarë shqiptarë.

Cili është roli i Bordit të Përbashkët të Mitrovicës?

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Bordi i Përbashkët synon të lehtësojë koordinimin ndërmjet dy komunave të Mitrovicës.

“Është mundësi e mirë për bashkëpunimin e dy komunave”, thotë ai, duke shtuar se Qeveria në detyrë është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë të përbashkët, me synimin që projektet të realizohen dhe qytetarët të përfitojnë një jetë më të mirë.

Ura mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.

Ura mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.

Javën e kaluar, në një takim me gazetarët, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u pyet nëse krijimi i Bordit nënkupton një hap drejt bashkimit të qytetit në një komunë të vetme.

Ai e mohoi këtë në mënyrë kategorike.

“Jo. Si parakusht, në Bord duhet të hysh si komunë dhe jo si diçka tjetër, si për shembull zyrë administrative apo çfarëdo entiteti tjetër”, tha Atiq.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se ky mekanizëm mund të ketë jetë të gjatë.

Në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale thonë se formimi i Bordit është hap pozitiv, por nuk duhet parë si zgjidhje përfundimtare.

Sadri Rrmoku nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se ky organ ka rol konsultativ, jo vendimmarrës, dhe synon të nxisë koordinimin për çështje praktike mes dy komunave.

Por, shton ai, funksionimi i tij mund të sfidohet nëse pas zgjedhjeve lokale në tetor, Mitrovicën e Veriut e udhëheq një parti serbe që nuk ka vullnet për të marrë pjesë në Bord.

“Konsideroj se ky mund të jetë një hap, të paktën, i rëndësishëm për politikën ditore. Por, mendoj se, në momentin që ndryshon prapë situata politike në vend, funksionalizimi i tij do të jetë i vështirë”, thekson Rrmoku.

Çka ndodh nëse Bordi bojkotohet nga njëra komunë?

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë për këtë mundësi, thotë se nuk dëshiron të spekulojë për situata hipotetike.

“Fokusi im si kryesues dhe pajtimi nga të gjithë anëtarët është që ta shfrytëzojmë këtë kohë, në mënyrë që të punojmë dhe të krijojmë kushte më të mira për jetën e qytetarëve”, thotë Krasniqi.

Qëndrim të ngjashëm ndan edhe nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Katarina Agjançiq.

Ajo e sheh Bordin si një mjet në shërbim të qytetarëve, jo si instrument politik.

“Se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve (lokale) të tetorit, vërtet nuk e di”, thotë Agjançiq.

Sipas Ligjit për kufijtë administrativë të komunave, Bordi duhet të konstituohet brenda një afati të caktuar kohor, pas konstituimit të kuvendeve komunale të komunave përkatëse, si dhe të zhvillojë bashkëpunim funksional në bazë të marrëveshjes mes komunave.

Paragrafi 2 i nenit 8 të këtij ligji përcakton se, nëse Bordi nuk konstituohet në kohën e paraparë, kryesuesi i tij merr përsipër funksionet e përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 7, deri në formimin e plotë të Bordit.

Ky paragraf thekson se Bordi synon zhvillimin e bashkëpunimit funksional në fushat që hyjnë në kompetencat vetanake të komunave, siç janë: zhvillimi ekonomik lokal, shëndetësia publike, planifikimi urban dhe rural, e të tjera.

Por, Rrmoku thekson se kryetari i Bordit nuk ka kompetenca ekzekutive për të ushtruar kompetencat vetanake, të cilat hyjnë në sferën e kompetencave të komunave.

“Mendoj që neni 8 (paragrafi 2) është problem të funksionalizohet, edhe në rast se njëra komunë refuzon (Bordin). Nuk e ka këtë kompetencë Bordi, në rast se njëra prej komunave nuk do që të diskutojë zbatimin e këtyre kompetencave vetanake me një komunë tjetër. Në atë rast, konsideroj se Bordi është jofunksional”, thekson Rrmoku.

Që prej marrjes së pushtetit në vitin 2021, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti – tashmë në largim – ka shtuar përpjekjet për shtrirjen e autoritetit shtetëror në veri të Kosovës.

Mes tjerash, ajo ka mbyllur dhjetëra institucione që funksiononin nën sistemin e Serbisë, me arsyetimin se veprimtaria e tyre ishte e paligjshme.

Edhe krijimi i Bordit të Përbashkët të Mitrovicës mund të shihet tani si pjesë e këtij kursi për konsolidimin e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës.

Një dënim me 15 vjet burg për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burgim Zhivojin Nesiq për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht për dhunimin e një gruaje.

Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila tha se Nesiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave serbe ka kryer këtë vepër penale.

Gjykatësja tha se e dëmtuara e kishte identifikuar të akuzuarin para Komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës. Ajo po ashtu identifikimin e tij e kishte bërë edhe para policisë, por edhe në gjykatë dhe prokurori.

“Dëshmitë e të dëmtuarës gjejnë mbështetje në dëshmitë e dëshmitarëve okularë A.A., H.A., dhe H.H., ku nga këto dëshmi, gjykata ka vërtetuar se Zhivojin Nesiq me përdorimin e dhunës fizike dhe psiqike dhe veprimeve çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar. Dhe me këto veprime të kundërligjshme, Zhivojin Nesiq ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit”, tha Namani-Hajra, raporton Betimi për Drejtësi.

Aktakuza ndaj Nesiqit ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 26 gusht të vitit 2024 dhe gjykimi – që ka qenë i mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit – nisi më 11 shtator të po atij viti.

Nesiq gjendet në paraburgim që nga 5 marsi i vitit 2024 dhe gjykata ia ka vazhduar këtë masë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Në Kosovë, më 2021 ishte shqiptuar aktgjykimi i parë dënues për dhunë seksuale gjatë luftës. Zoran Vukotiq u dënua fillimisht me dhjetë vjet burgim për dhunë seksuale. Por, çështja u kthye në rigjykim dhe ish-rezervisti i policisë serbe u dënua sërish me dhjetë vjet burgim. Megjithatë, më 2023, Gjykata e Apelit ia rriti dënimin në 13 vjet burgim.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Kosovë – Ushtarë të aviacionit amerikan, stërvitje me helikopter përgjatë kufirit me Serbinë

Ushtarë të aviacionit amerikan, të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, realizuan një futje ajrore të trupave këmbësore amerikane në mbështetje të një patrullimi të pavarur në veri të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë.

KFOR tha se kjo lloj stërvitjeje është “thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë dhe bashkëveprimit ndërmjet njësive, si dhe për të mbajtur efektshmërinë e nevojshme në veprimet e KFOR-it për një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, në përputhje me rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë. sn

Kosova i dëbon dy pjesëtarë të MPB-së serbe dhe ua ndalon hyrjen për 5 vjet

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet kosovare i kanë dëbuar nga vendi dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) disa orë pasi i kishin arrestuar të shtunën nën dyshimin për cenim të sigurisë kombëtare, konfirmuan avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë të dielën.

Nikolla Vujoviq dhe Mlladen Millojevia u dëbuan të shtunën në mbrëmje dhe të dyve u është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, thanë avokatët e tyre Bogdan Laziq dhe Srgjan Mitroviq, përkatësisht.

Vujoviq dhe Millojeviq ishin në mesin e tre pjesëtarëve dhe të një pjesëtari të pensionuar të MPB-së serbe që u arrestuan në Kosovë të shtunën.

Autoritetet kosovare e kanë konfirmuar vetëm arrestimin e Vujeviqit dhe qëllimin për dëbimin e tij, pasi ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ia hoqi atij shtetësinë kosovare të shtunën duke thënë se ai është i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë.

Svecla tha të shtunën se Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.

Millojeviq ushtron detyrën e policit të Serbisë në Rashkë dhe vjen nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vujoviq , i cili vjen nga Zubin Potoku po ashtu në veri të Kosovës, ka paralajmëruar padi ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për heqjen e shtetësisë, tha avokati i tij.

Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës; kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.

Svçla tha se Serbia po bën “përpjekje sistematike” për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, “akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi vendimin e autoriteteve kosovare për arrestimin e pjesëtarëve dhe ish-pjesëtarit të MPB-së të shtunën.

Ajo tha se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”.

Arrestimi i tyre ndodhi një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-pjesëtar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Arbnor Spahiu dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të premten.

Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.

Kosova do ta dëbojë policin e Serbisë pas ia hoqi shtetësinë kosovare për arsye sigurie

Radio Evropa e Lirë

Në një njoftim në Facebook, Sveçla tha se Nikolla Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.

Më vonë, Policia e Kosovës tha në një njoftim për media se Drejtoria për Migrim dhe të Huaj ka filluar procedurat “për ta larguar me forcë nga vendi ynë” Vujoviqin.

“Deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar.

Për të ndaluarin me inicialet N.V., Zyra serbe tha se autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim për “dëbim të kundërligjshëm”.

Svçla tha se Serbia po bën “përpjekje sistematike” për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, “akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Ai theksoi se u bazua në ligjin për Shtetësinë aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, kur mori vendimin për t’ia hequr shtetësinë Vujoviqit.

“Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj”, tha ai.

Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës; kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.

Ministri nuk dha më shumë hollësi rreth Vujoviqit, apo veprimtarisë së tij të dyshuar.

Më vonë, Ministria e Brendshme e Kosovës tha se Vujoviqi, duke qenë edhe shtetas i Serbisë, është marrë me aktivitete “që cenojnë sigurinë e Kosovës, në cilësinë e pjesëtarit të forcave të policisë së Serbisë – e gjitha kjo pa pëlqim nga organi kompetent dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake siç e parasheh legjislacioni në fuqi”.

Vendimi i Sveçlës vjen në një kohë kur autoritetet kosovare kanë arrestuar serbë e shqiptarë në Kosovë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Derisa shpeshtohen rastet, njohësit e sigurisë thonë se inteligjenca serbe ka shtrirë rrënjët në tërë territorin e Kosovës ndër vite.

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai e pranoi fajësinë për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Xhelal Sveçla bën deklaratën e fortë: Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës për të destabilizuar vendin

 

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, “Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Sveçla, në një postim në Facebook, shkruan se duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror.

“Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, shkruan Sveçla.

Ai thotë se nuk mund dhe nuk do të lejohet në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë.

“Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj. Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook. RTK

Vendimi – I hiqet shtetësia e Kosovës një serbi, shkak rrezikimi i sigurisë kombëtare

Nikola Vujoviqit i është hequr shtetësia e Republikës së Kosovës pasi duke shërbyer si pjesëtar i forcave policore të Serbisë ka rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës, ka thënë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla ka thënë se Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të veta, gjë që cenon sigurinë kombëtare dhe ka për synim destabilizimin.

“Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cënim i sigurisë sonë kombëtare. Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, njoftoi ai në Facebook.

Sveçla ka theksuar se nuk do të tolerohet në asnjë formë cenimi i sigurisë kombëtare./KOHA

Të dënuarit nga Specialja do të vuajnë dënimin në Belgjikë

Radio Evropa e Lirë

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftuan se kanë arritur një marrëveshje me Belgjikën, që të dënuarit nga kjo gjykatë të mund ta vuajnë dënimin me burgim në këtë shtet.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e Dhomave të Specializuara për të kryer mandatin e vet”, tha kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, sipas një njoftimi për media.

Trendafilova u bëri thirrje edhe shteteve të tjera që të nënshkruajnë marrëveshje me Dhomat e Specializuara – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në mënyrë që, sipas saj “të fuqizohet korniza e gjykatës për zbatimin e dënimeve”.

Specialja kujtoi se të dënuarit në formë të prerë duhet të vuajnë dënimin jashtë Kosovës, bazuar në këmbimin e letrave më 2014 mes përfaqësueses së atëhershme të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Cathrine Ashton, dhe atëbotë presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deri më tani, kjo gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të drejtësisë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Varroset me nderime të larta shtetërore ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi

Iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit në ekzil në vitet ’90, Bujar Bukoshi. Ai u varros sot në varrezat në Velani të Prishtinës.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit, e cilësoi Bukoshin si kryeministër të jashtëzakonshëm, shkruan Paparaci.

“Bujari ishte në Kosovë edhe nëse nuk ishte në Kosovë. Ishte kryeministër i jashtëzakonshëm, sepse kohërat ishin të tilla, sepse edhe personaliteti ishte i tillë. Ishte kryeministër i një populli pa ushtri, por me mijëra vullnetarë të gatshëm për luftën çlirimtare. Doktor Bujari ka lënë mbresat më të mira popullit të Kosovës edhe me shërbimin e tij si mjek, por edhe si udhëheqës, si kryeministër.

Nga një karrierë akademike hoqi dorë për t’i shërbyer popullit të Kosovës. Ai e kishte një detyrë të vështirë, sepse ishte udha lidhëse midis rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur. Personalisht e kam takuar për herë të parë në moshën time 10 vjeçare atëherë kur prindërit e mi patën organizuar një ndejë për mjekët që kishin përfunduar me sukses operimin e babait tim pas shpërthimit të idhzës.

Nuk e harroj admirimin e prindërve të mi ndaj doktorit. Jam takuar edhe më 21 janar 1999 në Bruksel. Me veturën e tij kishe ardhur për të na mbështetur. Bujar Bukoshi kontribuoi, sepse punoi që ne sot e kemi lirinë dhe shtetin që e gëzojmë”, tha Kurti. bw

Abdixhiku i LDK-së shpalos agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur të enjten një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t’i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare.

Duke e propozuar agjendën me 15 pika si mënyrë për të dalë nga ngërçi politik, Abdixhiku tha se “qeveria e unitetit kombëtar nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është më e mira e mundshme, por është përgjegjësia që ajo bart në vete domosdo për gjendje ne tanishme”.

Ai tha se kjo “është në kontratë e nderit mes forcave politike dhe qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza e tanishme”.

Agjenda e tij përfshin reforma kushtetuese, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, rritjen e pagave, si dhe zgjidhjen e krizës energjetike.

Agjenda 15-pikëshe e Abdixhikut

Pika e 1: funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe departiartizimin e institucioneve të pavarura.

Pika e 2: rritja e pagave dhe zbatimi i ligjit për pagën.

Pika e 3: pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike.

Pika e 4: fillimi i projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës.

Pika e 5: rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive.

Pika e 6: votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Pika e 7: fillimi i procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Pika e 8: Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë për vendin.

Pika e 9: Ndryshime kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional.

Pika e 10: hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

Pika 11: përgatitja institucionale për Lojërat Mesdhetare.

Pika 12: reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pika 13: rishikimi i formulës për buxhetin e komunave dhe ndryshimet e nevojshme.

Pika 14: përgatitja për zgjedhje të rregullat dhe të lira demokratike brenda 10 muajve.

Pika 15: mekanizmi i transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare.

Propozimi i Abdixhikut – i paralajmëruar kohë më parë – vjen pasi vendi është zhytur në një krizë politike, duke mos mundur t’i formojë institucionet e reja as katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kjo krizë vjen për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Prej prillit, deputetët janë mbledhur plot 30 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Për ketë, LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare me të gjitha partitë parlamentare, deri në zgjedhjen e presidentit të ri në prillin e vitit të ardhshëm.

Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë ide, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK-ja ka pasur ofertë nga Vetëvendosje për ta formuar një koalicion qeverisës, por nuk ka pranuar dhe Abdixhiku e përsëriti kundërshtimin e tij edhe të enjten.

“Për shkak të katër vjetëve të fundit, për shkak të printimeve elektorale dhe për shkak të dallimeve thelbësore që i kemi në vlera, ky bashkëpunim ka qenë dhe është i pamundur”, tha Abdixhiku.

Deputët do të mblidhen sërish të premten, në përpjekje për ta bërë Kuvendin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.

Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.

MPJD thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut në Serbi

Radio Evropa e Lirë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) tha të mërkurën se është duke i ndjekur me “vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, në Serbi, dhe se i ka njoftuar vendet e QUINT-it për këtë.

Ndërkohë, për rastin e ish-policit të ndaluar në Serbi është angazhuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi një muaj paraburgim për Spahiun gjoja për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Basnjkë në veri të Kosovës.

MPJD tha në një njoftim në Facebook – duke iu referuar deklaratave të familjes dhe avokatit të Spahihut – se akuzat ndaj tij kanë të bëjnë me rastin e Banjskës.

“Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij”, tha Ministria.

Ajo theksoi shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, së bashku me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.

“Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë”, thuhet në njoftim.

Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse, tha Ministria.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, tha ajo.

Kosova do të vazhdojë t’i shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Kosovës të marrë fund, dhe që Spahiu të lirohet sa më parë, tha ajo.

Ndërkohë, Kupina theksoi se presidentja Osmani ka kontaktuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe ka qenë po ashtu në kontakt me shtetet e QUINT-it dhe Zyrën e BE-së.

“Angazhimi i Presidentes do të vazhdojë”, tha ai.

Serbia e akuzon Spahiun se ka kryer këtë vepër penale në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Por, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.

“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.

Edhe avokati Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.

Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.

Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.

Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Këtë javë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.


Send this to a friend