-Rreth librit të ri të poetit Gjon Neçaj-
Para pak ditësh poeti i njohur Gjon Neçaj u rikthye tek lexuesit me librin e ri poetik ‘’Edhe të tjera, edhe të tjera…’’ , libri i tij i dymbëdhjetë në rradhë.
Libri vjen pas një pauze kohore, poeti kohë më parë kaloi një gjendje të rëndë shëndetësore, e cila i rrezikoi jetën, por gjithësesi ja doli ta mposhtë dhe tja dalë falë besimit, dashurisë së pakufishme të familjes dhe miqve të tij të shumtë. Një moment vertetë delikat kur çdonjëri mund të dekurajohej, të trishtohej dhe ti dorëzohej trillit të mbrapshtë të fatit…
Por Neçaj nuk mbeti pre e goditjes së papritur, forca e ëndrrës dhe magjia e pafundme e poezisë miksuar me mbështetjen fisnike të njerëve të njohur dhe të adhuruesve të artit të tij poetik e mbajtën gjallë fizikisht dhe shpirtërisht, pak nga pak u shkëput prej shpirtit të tij një pjesë e shtrenjtë dhe e ngujuar e motiveve të krijimtarisë krijuar gjatë çasteve të vështira të mbijetesës dhe kthehet tashmë si një produkt i bukur dhe i lakmuar nga çdo lexues i çdo moshe.
Libri i Neçajt është një pasqyrim objektiv i realitetit të tij fizik dhe shpirtëror, ndërsa ka arritur të sfidojë përmes poezisë së tij të bukur goditjet e padrejta dhe ndonjëherë fatin e lig si dhe duke mbetur i adhuruar nga ndjekësit e tij besnikë:
…Vonë po duket në horizont dielli
A thua dhe ai na ka harruar
E mistershëm jetojmë në këtë botë
E sa vështirë të arrijmë
Atë që ëndërrojmë çdo cast dhe orë…
Si një Robinson i vetmuar në jetën e pasosur të këtij fillim shekulli ai klith me gjithë forcën shpirtërore prej njeriu që ka ecur gjithmonë me forcën e mendjes së pastër dhe djersën e tij të ndershme, ndonëse e dhimbshme të mendosh se sa ëndrra të vrara kanë humbur ritmit të rëndë dhe ndonjëherë të padrejtë dhe vrastar të jetës:
Qëkur linda, i vrarë në zemër isha
Por i vdekur kurrësesi
Sa doja të jetoja
Në brendësinë e shpirtit tim fëminor
Me shpresë dhe fjalë përpëlitëse…
Jo më kot gazetari Ramiz Lushaj e ka konsideruar si një pelegrin të çmuar të kohës, i cili udhëton mes kohëve me vargun e tij ngarkuar emocionalisht me të verteta të dhimbshme rreth fatit të njeriut ndersha ndeshet pamëshirë në filozofinë absurd të ekzistencës së rrezikuar dhe përpiqet ta sfidojë me tharmin e shpirtit dhe lutjes poetike, e cila kumbon si këmbanë shprese, si apel i domosdoshëm në dilemat e përditshme të njeriut të sotëm të shoqërisë globale:
Në dy shekuj Gjon Neçaj udhëto me poezinë
Ky burrë i fismë që nuk ishte në mekë e as në Itakë
Krijon shejtninë e tij me shpirt nga vargu në varg…
Nga Nikaj-Mertur, krahinë e tij të dashur, nga vendlindja e tij në Mserr, nga konturet e rrënuara të kullës së moçme, mbi kujtimet e fëminisë që brofin si zogj të çmendur deri tek lutjet e tij drejtuar zotit për faljen e jetës dhe arritjen e qëllimit jetësor me bashkëshorten e tij dhe djalin e vetëm, krejt poezia e tij në këtë libër është një lumë i dalldisur ndjenjash dhe figurash të mrekullueshme poetike, prah ku çdo lexues mund të ndalet një minutë dhe të reflektojë për çastin e tij jetësor dhe raportet e tij me natyrën, besimin, mungesat dhe humbjet, shpresat dhe skajet e lumturisë humbur në horizontin e mjegulluar të jetës:
Gjymtyrët kockorë të endjeve rrugëtare
Vallëzojnë trishtueshëm në tokën e nëmun
Ndërsa morfologjia e fjalës mat kutin galaktik
Në rrugët e fjetura të vendlindjes time…
Pavarësisht vuajtjeve fizike dhe shpirtërore dhe rriskut të momentit jetësor, poezia e neçajt ka ruajtur tiparet e saj të përvijuara në kohë dhe shpërfaqur në njëmbëdhjetë librat e tij të mëparshëm, qëmtimin e detajit befasues, metaforat unike, simbolikën e qëlluat dhe thellësinë tematike dhe të trajtimit poetik:
Sot kullat e shkretuara mbajnë peshën e viteve
Nën rrfanat e jetës së motit
Ajkuna qan përmallshëm
E bjeshkët lotojnë
Fillimi dhe fundi i një epoke
Delir i trazuar vargu im…
Gjon Neçaj me poezinë në librin e ri na rrëfen qëndresën njerëzore dhe intelektuale, dhimbja e tij është mikluese si një mesazh kuptimplotë për jetën dhe dashurinë ndaj saj…
Udhëve të botës
Me një bjeshkë
Në gjak…
Poeti e ka ndërtuar ngrehinën e tij jetësore dhe poetike duke sfiduar tekat e fatit dhe duke besuar në fuqinë e patjetërsueshme të dashurisë.
Tropojë, 08 Maj 2025