Kreu i kësaj komune ku ndodhi ky gjest antishqiptar, nuk ka denjuar që të japë ndonjë deklaratë për këtë çështje.
Janë rikthyer në Maqedoninë e Veriut parullat antishqiptare, që shpërthejnë herë pas here si kërpudhat pas çdo shiu politik ose elektoral.
Në një stacion autobusi në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut-Shkup, përkatësisht atë pranë konviktit “Goce Dellçev”, është gjetur nga një shqiptar një parullë e shkruar me të bardhë: “Smrtza shqiptari-Vdekje shqiptarëve”.
Është Ylli Pacuku, një aktivist i shoqërisë civile në Shkup, i cili, pasi ka mësuar se kishte disa ditë kjo parullë, ka shkuar vetë dhe ka fshirë frazën që nxit urrejtje.
Pacuku, ka shkruar në faqen e tij në rrjetet sociale se ishte lajmëruar nga disa bashkëveprimtarë të tij për parullën, për të cilën nuk e ka çarë kokën askush nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
“Ky mbishkrim me urrejtje te stacioni i autobusit para konviktit Goce Delçev ka qenë disa ditë duke qarkulluar nëpër rrjete sociale. Prisja ta pastronin, por meqë qëndroi ende, thjesht e pastrova vet.
Nuk është asgjë e madhe, thjesht nuk dua të kaloj çdo ditë në një vend ku edhe vetë kam pritur autobus më herët dhe të shoh fjalë që s’kanë vend në një hapësirë studentore, e as në këtë qytet.
E sa u përket atyre që i shkruajnë këto… ndoshta është koha të investojnë më shumë te mendja sesa te markerat”, shkruan Ylli Pacuku, postimi i të cilit është ndarë edhe nga Bujar Osmani nënkryetar i BDI-së dhe ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.
Zona, ku është shkruar parulla, është një territor ku shqiptarët janë goxha të paktë në numër. Lagja Taslixhe ku ndodhet konvikti me emrin e heroit të rilindjes kombëtare bullgare, ndodhet në komunën e Karposhit. E cila është pjesë e bashkisë se madhe të Shkupit. E ndodhur në një nga periferitë e “qeta” të kryeqytetit, kjo zonë me një popullsi deri në 60 mijë vetë, pra me një dendësi të madhe, ka rreth 84% maqedonas, ndërkohë që shqiptarët nuk i kapin as 4% të popullsisë. Karposhi ka gjithashtu serbë, që janë gati sa shqiptarët përkatësisht rreth 4% dhe një numër të vogël romësh.
Kjo komunë periferike drejtohet nga Sotir Lukrovski, një nacionalist maqedonas i VRMO-DPMNE e kryeministrit Mickovsi, i cili në faqen zyrtare të institucionit nuk ka denjuar të vendosë gjuhën shqipe, çka është e detyruar me ligj.
Kreu i kësaj komune ku ndodhi ky gjest antishqiptar, nuk ka denjuar që të japë ndonjë deklaratë për këtë çështje./ Pamfleti