Ndërsa Shqipëria i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Popullore Evropiane (EPP) ngre shqetësimin për situatën politike në vend.
Rezoluta e miratuar sot, 30 prill 2025, nga Partia Popullore Europiane shpreh shqetësimin se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional dhe se shteti ligjor nuk garantohet për shkak të kapjes së drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.
“Duke marrë parasysh vullnetin e fortë dhe aspiratat evropiane të popullit shqiptar, si dhe të partisë sonë anëtare shqiptare brenda EPP-së;
Duke iu referuar Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Vendore në Shqipëri (2023) dhe për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2021;
Duke u mbështetur në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2023; Indeksin e Projektit Botëror për Drejtësinë për vitin 2024; dhe Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2023;
Duke përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian për të hapur negociatat për Kapitujt me Shqipërinë, të kushtëzuara me zbatimin e reformave demokratike të nevojshme;
Ndërsa Shqipëria i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Popullore Evropiane (EPP) shpreh shqetësimin e saj për situatën aktuale politike. Raportet e përmendura më sipër kanë evidentuar shkelje serioze, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës, cenimin e fshehtësisë dhe lirisë së votimit, si dhe njëanshmërinë mediatike. Vëzhgimet më të fundit dhe burimet e sipërpërmendura mbërrijnë në përfundimin se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional dhe se shteti ligjor nuk garantohet për shkak të kapjes së drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.”
PD, evidentohet në raport, ka depozituar mbi 100 ankesa zyrtare në KQZ, përfshirë blerje votash, punësime selektive, përdorim të pasurive publike dhe manipulime në administratë.
Më shumë se 100 ankesa zyrtare janë paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke dokumentuar shkelje të dyshuara sistematike dhe të qëllimshme, përfshirë:
⦁ Blerje votash përmes shpërblimeve në para dhe kultivimit të kanabisit;
⦁ Punësime dhe praktika prokurimi elektorale në favor të mbështetësve të Partisë Socialiste;
⦁ Abuzim me funksionet publike dhe median;
⦁ Emërim i paligjshëm i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt, pa një proces demokratik, me qëllim kontrollin e burimeve bashkiake për fushatën e vitit 2025;
⦁ Kërcënime dhe ndjekje penale ndaj kandidatëve të opozitës
Shkarko dokumentin: Rezoluta e PPE-së për Shqipërinë, 30 prill 2025