Anëtarë të forcave iraniane të sigurisë, të veshur civilë, po ndalojnë mijëra persona në kuadër të një fushate masive arrestimesh dhe frikësimi, me synim parandalimin e protestave të mëtejshme, pas shtypjes së trazirave më vdekjeprurëse që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, thanë burime për Reuters.
Protestat e kufizuara që nisën muajin e kaluar në Pazarin e Madh të Teheranit, me fokus vështirësitë ekonomike, u përshkallëzuan shpejt në kërcënimin më serioz për regjimin teokratik shiit të Iranit në 50 vitet e fundit, me protestuesit që kërkonin dorëheqjen e udhëheqësve.
Autoritetet ndërprenë aksesin në internet dhe shtypën protestat me dhunë, duke shkaktuar vdekjen e mijëra personave, sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Teherani akuzon “terroristë të armatosur” të lidhur me Izraelin dhe SHBA-në për trazirat.
Ditët e fundit, forcat e sigurisë të veshura civilë kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh masive, ndërsa në rrugë vërehet prani e shtuar e policisë dhe janë ngritur pika kontrolli, sipas pesë aktivistëve që folën në kushte anonimiteti nga brenda Iranit.
Sipas tyre, të arrestuarit dërgohen në qendra sekrete paraburgimi.
“Po arrestojnë këdo”, tha një nga aktivistët. “Askush nuk e di se ku i çojnë apo ku i mbajnë. Me këto arrestime dhe kërcënime, po përpiqen të frikësojnë shoqërinë.”
Raporte të ngjashme i kanë dhënë Reuters-it edhe avokatë, mjekë, dëshmitarë okularë dhe dy zyrtarë iranianë, të cilët folën me kusht që të mos identifikohen, nga frika e hakmarrjes nga forcat e sigurisë.
Sipas dëshmive, arrestimet masive synojnë të parandalojnë çdo ringjallje të protestave përmes përhapjes së frikës, në një kohë kur regjimi iranian po përballet me presion gjithnjë e më të madh nga jashtë.
Ndërkohë, pasiguria për një ndërhyrje të mundshme ushtarake kundër Republikës Islamike vazhdon, pasi javën e kaluar presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një “armatë” po i afrohej Iranit, megjithëse shprehu shpresën se nuk do të ishte e nevojshme ta përdorte.
Megjithatë, dje ai përsëriti kërcënimet, duke i kërkuar Iranit të negociojë kufizime për programin e tij bërthamor dhe duke paralajmëruar se çdo sulm i ardhshëm amerikan do të ishte “shumë më i ashpër” se sulmet ajrore të qershorit ndaj tre objekteve bërthamore.
Burime nga vendet perëndimore dhe të Lindjes së Mesme i thanë Reuters-it këtë javë se Trump po shqyrton opsionet kundër Iranit, të cilat përfshijnë goditje të synuara ndaj forcave të sigurisë dhe udhëheqësve, me qëllim frymëzimin e protestuesve.
Arrestime për protesta të viteve të mëparshme
Një nga aktivistët tha se forcat e sigurisë po arrestojnë jo vetëm persona të dyshuar për përfshirje në protestat e fundit, por edhe individë që ishin arrestuar gjatë protestave të viteve të mëparshme, “edhe nëse këtë herë nuk kanë marrë pjesë, si edhe anëtarë të familjeve të tyre”.
Bilanci më i fundit i viktimave, i përpiluar nga organizata me seli në SHBA, HRANA, flet për 6.373 të vdekur – 5.993 protestues, 214 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 113 persona nën moshën 18 vjeç. Sipas HRANA-s, numri i arrestimeve ka arritur në 42.486.
Në të njëjtën kohë, dy zyrtarë iranianë, që folën në kushte anonimiteti, konfirmuan për Reuters se mijëra arrestime janë kryer ditët e fundit.
Sipas tyre, shumë prej të arrestuarve dërgohen në qendra jozyrtare paraburgimi, “përfshirë magazina dhe ambiente të improvizuara”, ndërsa autoritetet gjyqësore veprojnë me shpejtësi për të trajtuar çështjet.
Autoritetet iraniane shmangin komentet publike mbi numrin e arrestimeve apo vendndodhjen e të ndaluarve për shkak të protestave.
Arrestimet po vazhdojnë në të gjithë vendin, nga qytetet e vogla deri në kryeqytet, denoncojnë dëshmitarë okularë dhe aktivistë.
“E arrestuan vëllanë dhe kushëririn tim disa ditë më parë”, tha një banor i Iranit veriperëndimor, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Hynë në shtëpinë tonë të veshur civilë, kontrolluan të gjithë ndërtesën dhe konfiskuan të gjithë laptopët dhe telefonat celularë. Na paralajmëruan se, nëse e bëjmë publike këtë ngjarje, do të na arrestojnë të gjithëve.”
Familje të tronditura kërkojnë të rinj të zhdukur
Mbi 60% e popullsisë prej 92 milionë banorësh të Iranit është nën moshën 30 vjeç. Tre avokatë iranianë i thanë Reuters-it se dhjetëra familje u janë drejtuar kohët e fundit për ndihmë për të afërmit e arrestuar.
“Shumë familje vijnë tek ne për ndihmë ligjore për fëmijët e tyre të arrestuar”, tha një avokat. “Disa prej të ndaluarve janë nën moshën 18 vjeç, djem dhe vajza.”
Pesë mjekë i thanë Reuters-it se protestues të plagosur gjatë demonstratave janë larguar nga spitalet nga forcat e sigurisë, ndërsa dhjetëra mjekë kanë marrë paralajmërime nga autoritetet që të mos ndihmojnë të plagosurit e përfshirë në protestë.
“Kanë arrestuar shumë mjekë dhe infermierë që ndihmuan protestues të plagosur… Po arrestojnë këdo”, tha një nga mjekët.
gsh