Ngjitja për në Llogara është një paralajmërim se diçka e bukur e madhështore do të shfaqet pas saj. Ajo portë mikpritëse është si një fortesë natyrore e cila meriton kujdes e vëmendje, gjakftohtësi e tendosje të muskujve, por edhe guxim në çdo rast udhëtimi.
Kur kalojmë përmes atyre pyjeve të reja e shekullore plot gjelbërim, të ruajtura nga sëpatat e motosharrat vrastare, na shfaqet poshtë saj një pamje e mrekullueshme: Deti Jon i mysët me ujin kristal, që duket aq afër, por edhe larg e i pamundur për t’u shijuar. Ajo rrugë zigzag e drithëruese, “thikë për të poshtë” me shumë kthesa të forta, është një sprovë trimërie e kujdesi, profesionalizmi e ekuilibri për çdo drejtues automjeti. Për të zbritur në këmbët e saj, në atë parajsë marramendëse, të ngjan sikur kalon portën e ferrit a në galeritë e thella nëntokësore (megjithëse plot dritë), për të kërkuar që kurrkund në botë zor se ka cilësi më të mirë, ujin magjik.
E gjithë Riviera, disi e ashpër dhe e bukur, mban brenda histori të lavdishme, por të falë edhe shumë ndjesi e emocion. Shkëmbinjtë e thepisur e majat e tyre përzier me retë, bokërimat e rrëpirat me bar të përskuqur në të zbehtë nga thatësira e verës, rrëgallat me gur e guralecë gri e tek tuk ca lisa si mriza ombrellë që janë sprovë e një mbijetese të vështirë nga kushtet atmosferike, shpate kodrash plot gjelbërim të dendur, (kryesisht mare e shqopë), e përballë tyre pjerrësira e pllaja pothuajse të zhveshura nga furtunat e thatësira që ndahen nga përrenj të shterur, i shfaqen më së pari çdo vizitori që merr atë rrugë. Shikon kala e suka karakoll prej nga mund të vrojtosh pa vështirësi pamje magjepsëse. Riviera në njërën anë e detin nën këmbët tua, vende-vende oaze të vërteta e ndërtime interesante që nuk kanë të sharë, bile të krahasueshme me çdo vend tjetër. Fshatra e plazhe njëri pas tjetrit deri në pjesën më fundore ngjajnë si një gjerdan me margaritarë. Është e pamundur të përmendesh të gjitha plazhet, por duhen veçuar disa prej tyre më në zë: Grama, Dhrale-Palasë, Dhërmi, Jalë, Livadh, Himarë, Llaman, Porto Palermo, Qeparo, Borsh, Bunec, Lukovë, Kakome, Sarandë, Ksamil etj. Bregdeti befasues e mbresëlënës për t’u vizituar, por i pamundur për t’u përshkruar i ka të gjitha tonalitetet e meloditë, me plazhe të krijuara butë mes kodrash që zbresin nga malet e futen thellë si thika gjigande në det. Ato ngjajnë si kurriz balenash, krokodilësh, devesh, zvarranikësh e diku diku si dema e rinoceront të ngrirë e pa koka. Përballë hapësirash të tilla, në mes reales e joreales, të ngjallet kënaqësi e huti , me perceptime konkrete, por edhe iluzione. Në plazhin e Livadheve të duket sikur dielli lindë në njërën kodër e perëndon në tjetrën. Bregdeti madhështor ruan në shpatullat e tij përpjekjet e mundimshme e dëshpëruese të heronjve të betonimit e bunkerizimit për ruajtjen e hapësirave tona të paprekshme, por edhe disa dëshmi të dukshme të brezareve të kthyera në pemëtore e toka pjellore. Një kafe në Jalë në Rezidencën Ushtarake, në atë kodër piktoreske që të afron pamje përrallore, është një relaks i vërtetë që të zgjatë jetën e të zgjon kujtime nga e kaluara jo fort e largët. Pranë e pranë janë harmonizuar e jetojnë prej mijëra vitesh këto gjire të bukura me shkëmbinjtë thikë të prerë si me sëpatë magjike, me pamje të frikshme e madhështore që shpesh bëhen sprovë trimërie e mençurie për heronjtë e detit.
Gjithfarë mrekullish e çudirash kanë krijuar dallgët e fuqishme në ato masivë me gurë të shumëllojshëm. Disi të pamundur e ka çdo piktor a skulptor për t’i pasqyruar me vërtetësi ato dukuri spektakolare të natyrës, por një kamera e ndjeshme dhe kujdesshme mund të na afrojë deri diku këtë realitet pothuajse të pabesueshëm. Sado të flasësh e të shkruash për bregdetin, për kalatë e ndërtuara në pikat më strategjike, për objektet e kultit, për monumentet e ngjarjet historike, për malet e shkëmbinjtë, kala mbi kalatë, dëshmi e një rruge të gjatë e të lavdishme për liri e pavarësi, përsëri mbetesh borxhli. Në Kalanë e Himarës, në të Ali Pashës Porto Palermo, në Borsh, në të Likursit, në Butrintin e famshëm e deri në Finiq pamë shumë vizitorë vendas e të huaj që interesoheshin e befasoheshin me monumentet e natyrës e kulturës, me vlerat e një trashëgimie të pasur e historinë e lavdishme që edukon e ngjallë krenari. Mirëmbajta, pasurimi, ripërtëritja e promovimi i këtyre vlerave kërkon më shumë kujdes nga Pushteti vendor e Qendror. Duhet të ketë edhe fletëpalosje e broshura me të dhëna për vizitorët, mundësisht edhe në gjuhë të huaj. Këto ditë kanë qene dëshmi e manifestimit të multi-kulturave e shumë gjuhëve të huaja të artikuluara nga vende të botës. Vizitorët e pushuesit kënaqen e entuziazmohen me ato që shohin e dëgjojnë, por edhe shprehin habi e mospajtim. Në disa raste pamë të huaj që mblidhnin me qese mbeturinat e hedhura vend e pa vend me të cilat syri ynë edhe është mësuar. Në pika të veçanta janë krijuar pirgje me gjithfarë mbeturinash me pasoja shumë të rënda për shëndetin e turizmin. Për të shkuar nga Livadhet në Jalë, ndonëse ecëm rreth një orë nëpër një rrugë makine plot gur të ngulur e të shkulur, gropa e pragje, nuk e ndjemë fare lodhjen. Më së fundi na irrituan shumë mbeturinat e hedhura pa asnjë kriter. U tronditëm para se të shkonim në Jalë kur pamë grumbuj me mbeturina plastike, gërryerje e shfrytëzim skandaloz të mjedisit. Raste analoge, ndonëse me përmasa më të vogla, pamë edhe gjetkë si në Porto Palermo, pa harruar të vlerësojmë edhe arritjet pozitive.
Qendra e Borshit, ajo perlë me ato burime uji Kristal, një pasuri e paçmuar e dhuruar nga zoti, që ruhej e mirëmbahej, është për t’u marrë shembull. Edhe për sistemimin e ujërave të bardha e të zeza mbetet shume për t’u bërë, veçanërisht në Himarë. Inspektorati i Mjedisit e i Shëndetësisë duhet të marrin masa të rrepta e efikase. Duhet paraprirë me masa paraprake, në verë duhet të jetë punë më intensive.
Fqinjësia e mirëkuptimi i popujve, bashkëpunimi ndërkulturor e vendosja e urave të miqësisë kanë qenë e mbeten vlera të çmuara. Pika me delikate dhe e ndjeshme janë minoritetet. Me shumë bisedues, sa herë hyja në histori e politike, vëreja një lloj stepje e frenimi, mendime te kujdesshme racionale nga pjesa dërrmuese shqiptare a minoritar.
“Jam himarjot, jam shqiptar e grek, prejardhjen e kam grek, banoj në Shqipëri”.
“Kjo tokë është shqiptare, me minoritetin jetojmë si vëllezër, jemi miq”
“Më dhemb njësoj si për Shqipërinë edhe për Greqinë”.
“Shkojmë si vëllezër, bëjmë krushqi, vizita e sebepe, jetojmë së bashku, nuk kemi probleme” -shprehen te gjithë.
– Po për liritë e të drejtat tuaja a keni vërejtje, – i pyes disa minoritarë.
– Jo, nuk kemi vërejtje. Të gjitha të drejtat i kemi sit ë gjithë shqiptarët: gjuhën, shkollën, besimin, të drejtën e fjalës, të votës, për t’u zgjedhur, barazinë para ligjit, etj.
– Po ata deputetët e politikanët grekë që vijnë?
– Është punë e tyre, është politika e këtej e andej kufirit që na ngatërron, punojnë për interesat e tyre.
Edhe në ndonjë rast të veçuar kur ndonjëri shprehet si nën zë se këto toka kanë qenë greke, është i pavendosur, i paargumentuar, e dyshues. Duket qartas se as vete nuk beson në atë që thotë.
Flasim e bisedojmë shtruar, shqiptarë e minoritarë, vizitorë vendas e të huaj, pimë kafe e raki, katolikë, myslimanë e ortodoks, pa dallime, si vëllezër, madje kujtojnë edhe martesa me besime të ndryshme. (në kafenë e kalasë, Himarë).
Në pamje gjithçka duket mirë dhe e përgjithshmja ashtu është. Meraku me shume sillet rreth ekonomisë e punësimit, për më shumë unitet e më pak korrupsion. Një gjë me bëri përshtypje: Nuk kishin dëshirë t’u shënojë emrat… më shumë ata te minoritetit, por edhe vendasit. Kjo nuk flet mirë për funksionimin e demokracisë. Në mes të tjerëve njeri më tha hapur se nuk ka problem. Vangjel Goro, 75 vjeç “Brez pas brezi kam qenë dhe jam shqiptar. Me minoritetin shkojmë si vëllezër. Himarën e prish politika. Toka ka qene dhe është shqiptare”.
– Po disa politikane greke ç’thonë?
– Kur duan për të marrë, e quajnë të tyren, kur duhet për të dhënë, na japin bërrylin.
Krahas zhvillimeve pozitive, diskutojnë edhe për ndërtimet e moslegalizimet, frikën e shembjeve për njerëzit e thjeshtë, për problemet e ujërave të zeza e të bardha, për rrugë e kanalizime, për punimet pa cilësi e shpërdorimet.
Rruga për në Livadh, e ndërtuar para pak vitesh, është shembur, e prishur tek përroi i Vishes.
Përballë rritjes së vështirësive të natyrshme, fryma është optimiste, plazhet janë pothuajse plot edhe këtë fillim shtatori e bizneset i kanë të ardhurat në rritje.
Flitet edhe për plane e projekte konkrete, për infrastrukturën nga sektori publik e privat.
Urojmë të bëhen sa më shpejt realitet!
Komentet