VOAL

VOAL

REL: Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës u bënë bashkë në Tiranë, zotime për bashkëpunim

November 27, 2022
blank

Komentet

blank

Kryegjykatësja e Dhomave të Specializuara,Trendafilova, viziton sot Kosovën, Policia shton masat

Prishtinë – Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, sot do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

“Në këtë takim ajo do të flasë për zhvillimet aktuale në DHSK si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve. Ky takim ndërveprues organizohet në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të DHSK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, njofton RTK.

Specialja njofton se kjo vizitë ka të bëj me aktivitetet e Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim mbahet në Prishtinë.

Kurse Partia Socialdemokrate sot mban protestë me rastin e vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

“UÇK nuk mund të gjykohet. Vizita e z. Trëndafilova në Kosovë është pikërisht për të rregulluar imazhin e kësaj gjykate të padrejtë. Gjykata Speciale është në krizë nga mungesa e thellë e legjitimitetit. PSD-ja është e vendosur që kjo përpjekje të mos arrijë qëllimin. Trendafilova nuk është e mirëseardhur këtu. Të bashkohemi të mërkurën me 29 nëntor, ta kundërshtojmë së bashku padrejtësinë që po mundohen t’na e interpretojnë si drejtësi”, njofton PSD.

Ndryshe Policia e Kosovës gjatë vizitës në Kosovës, të kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit në vendin tonë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit  ë lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, njofton Policia.

blank

Kurti për Adem Demaçin: Njeri i madh, e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës

Sot në qytetin e Podujevës u zbulua shtatorja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili thuri fjalë të mëdha për Demaçin.

“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë dhe një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh, Adem Demacit”, tha ai.

Kurti tha se Demaçi prehet i qetë se jetoi përnjëmend.

“Njeri i madh, që e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës dhe në përvojë intime absolute”, tha ai.

Në fund, Kurti uroi pjesëmarrësit për festën e 28 nëntorit. /Express/

blank

Kurti: I takon BE-së ta publikojë draft-statutin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është ai i cili duhet ta publikojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, sipas tij, duhet të bëjë ndërmjetësi evropian.

Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Tash i përket ndërmjetësit [BE-së], i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, tha Kurti para gazetarëve të premten në Prishtinë.

Kurti përsëriti se më 26 tetor, në takimin në Bruksel me liderët evropianë, ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar “paketën, jo njërin prej teksteve” që sipas tij nënkupton së pari Marrëveshje Bazike, Aneksi i zbatimit dhe pastaj draft-statuti.

Ndërkaq, në fillim të këtij viti arritën Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e tij.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Sipas Kurtit, duke refuzuar nënshkrimin, Serbia nuk dëshiron asociacion për serbët e Kosovës, por “kundër Kosovës”.

“U lëshua një shans unik e i jashtëzakonshëm që të vuloset normalizimi. Me këtë rast, më lejoni të theksoj që nëse Serbia do të ishte e interesuar për normalizim, përveç që nuk do ta shkelte Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit, njëkohësisht ajo do të bënte hapa të përparimit sa i përket kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, tha Kurti.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Çka ka thënë Vuçiqi për Asociacionin?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk mund të flasë në publik për hollësitë e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se dokumenti është “bazë e mirë për të ardhmen”.

Më 26 tetor, Vuçiqi ka thënë se është plotësisht i gatshëm për formimin e Asociacionit por, shtoi se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës.

Më pas, më 2 nëntor ai ka përsëritur se “është gënjeshtër se është i gatshëm të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.rel

blank

Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale në veri, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

Numri dy i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se pas javës së parë të dhjetorit nuk do të ketë më në rrugët e Veriut makina me targa ilegale. Këtë deklaratë Elshani e ka bërë në një intervistë për KosSev, transmeton Express.

“Policia s’mund të garantojë që pas afatit të regjistrimit nuk do të ketë djegie të veturave, por mund të garantojmë që pas javës së parë të dhjetorit automjetet me targa KM, Pr, PZ, GL, UR, PE dhe DA, që të mos jenë në rrugët në veri të Kosovës”, ka thënë Elshani.

Elshani ka thënë se ka interesim të pronarëve të veturave që t’i regjistrojnë ato me RKS dhe se një kërkesë të tillë ia kanë adresuar MPB-së.

“Kur i kemi marrë ato kërkesa, ua kemi përcjellë eprorëve tanë dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Ne i kërkuam Ministrisë së Punëve të Brendshme që kërkesën tonë t’ia përcjellë qeverisë, sepse e dinim që duhej ta merrte atë vendim që njerëzit të kishin një mundësi tjetër për të regjistruar makinat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e miratoi kërkesën tonë dhe u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga 1 deri më 30 nëntor të riregjistrohen”, ka shtuar ai.

Elshani ka thënë se nëse do të shihet në rrugë një makinë me targa KM, do t’i merren targat sepse një veturë e tillë s’duhet të jetë në qarkullim. Ai ka thënë se nëse haset edhe për herë të dytë, do të konfiskohet vetura.

Pas skadimit të afatit për regjistrim, Elshani ka thënë se pronarët e veturave që nuk kanë kaluar në targat RKS do të gjobiten sikur të ishin të paregjistruar.

Që nga fillimi i procesit, më shumë se 2800 vetura kanë kaluar nga targat KM në RKS.

“Deri të hënën në orën 16:00 janë riregjistruar 2013 vetura, por në këto dhjetë vjet kanë kaluar mbi 800 vetura në targa RKS. Ka ende kohë deri më 30 nëntor, ajo që është e rëndësishme të thuhet është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendrat e Regjistrimit punojnë të shtunave dhe të dielave”, ka deklaruar ai.

blank

EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun e Kosovës

Gjashtë këshilltarë policorë i janë shtuar EULEX-it që nga e enjtja, si përforcim i misionit në Kosovë.

Këta përbëjnë një ekip të specializuar që sipas njoftimit thuhet se do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, “duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet”.

“Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e misionit.

Dislokimi i këtij ekipi special do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa, siç ka thënë EULEX-i, “misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

Pjesëtarët e Ekipit Special të EULEX-it janë të dërguar tre nga Holanda dhe tre nga Suedia. Ata do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

“Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren”, thuhet në njoftim./KOHA

blank

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë nuk do të mbahen në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë

VOA

Serbët e Kosovës që duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit, duket se do të udhëtojnë drejt Serbisë për të hedhur votën e tyre, ndërsa Prishtina nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në Kosovë.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, mblodhi të mërkurën në Rashkë, një komunë në Serbinë jugperëndimore, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të diskutuar rrugët e përfshirjes së tyre në votime.

Mbledhja u organizua pak pasi ai njoftoi Komisionin e Zgjedhjeve në Serbi se “nuk është e mundur mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë”, meqë siç tha ai, “regjimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, me në krye Albin Kurtin, e kushtëzon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen nga Beogradi të pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë”.

Në fillim të nëntorit, Beogradi i kërkoi misionit të OSBE-së në Kosovë që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi. OSBE-ja tha se e ka informuar qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një përgjigje ndaj kërkesës së OSBE-së tha se “për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në të kaluarën, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë lehtësuar nga misioni i OSBE-së dhe deri në vitin 2020 Kosova, nuk e ka penguar organizimin e tyre. Votat janë grumbulluar nga OSBE-ja dhe janë dërguar për numërim në Serbi.

Por, në prill të vitit 2022, qeveria e Kryeministrit Kurti tha se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj. Serbia refuzoi dhe si rrjedhojë votuesit serbë nga Kosova kanë votuar në Serbi.

Në janar të vitit 2022, qeveria e Kosovës nuk pranoi mbajtjen në shtetin e saj të një referendumi të Serbisë, duke ofruar mundësinë që kjo të ndodhë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që u refuzua nga Beogradi.

Me 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.

Shpallja dhe mbajtja e tyre, ndodh në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në këtë periudhë mund të zvarrisë zbatimin e marrëveshjes, tashmë të vonuar.

blank

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë shtyhet deri në pranverë

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë përsëri edhe për disa muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, që tani parashihet të fillojë në prillin e vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën e 22 nëntorit, se procesi i regjistrimit “nuk është menaxhuar mirë” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka përmendur, po ashtu, edhe udhëheqjen e re të ASK-së si faktor që e ka shtyrë të propozojë shtyrjen e sërishme të procesit të regjistrimit të popullsisë.

Sipas vendimit të ri qeveritar, procesi do të zhvillohet nga 5 prilli deri më 17 maj të vitit 2024.

Më 23 gusht, Qeveria kishte vendosur ta shtynte për dy muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe kishte paraparë që ai të niste më 1 nëntor.

Duke e arsyetuar atë vendim gjatë një takimi të Qeverisë, kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator.

Ai kishte thënë se procesi ishte shtyrë shkaku i rezistencës nga Komisioni Qendror i Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas regjistrimit të bërë më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion.

Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.rel

blank

Qeveria kundërshton propozimin e KE-së për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

 

Qeveria e Kosovës tha se është e shqetësuar me propozimin e Komisionit Evropian që vizat të hiqen për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës. Ekzekutivi kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta rishqyrtojë këtë propozim.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ky propozim i KE-së për pasaportat që lëshohen “nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese serbe” nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, tha Bislimi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës fton BE-në që këto dokumente “t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”.

Propozimi i KE-së u argumentua me faktin se liberalizimi i vizave do të nisë së zbatuari më 1 janar të vitit 2023.

Por, Bislimi tha se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk nënkupton që pjesëtarët e komunitetit serb do të mbesin pa liberalizim, pasi ata, sipas tij, mund të pajisjen me pasaporta të lëshuara nga Kosova.

“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29 për qind”, tha Bislimi, duke shtuar se këtë kundërshtim e kanë adresuar në instancat më të larta të BE-së.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.

Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Por, në propozimin e ri, KE-ja ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

Lidhur me propozimin e KE-së kanë reaguar më herët gjatë 21 nëntorit edhe mbi 20 organizata të shoqërisë civile.

Përmes një letre të hapur drejtuar Ylva Johansson, komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, shoqëria civile ka kërkuar që KE-ja të tërheqë propozimin.

Në letrën e shoqërisë civile, veç tjerash, thuhet se ky propozim do të “sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës” përmes pajisjes me dokumente të Kosovës dhe “do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, nëse propozimi i KE-së nuk jetësohet, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.rel

 

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.
Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë.
Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme.
Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh.
Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.
Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza.
Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%.
Mbetemi të përkushtuar që të sigurohemi që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës.
Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta.
blank

Faton Bislmi: Konspiracionet deri në absurditet kënaqin egot e atyre që s’e kanë as minimumin e vetbesimit për të argumentuar

“Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron!”
— Luigj Gurakuqi
Të dashur miq,
U jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe shumë falenderues për mesazhet e panumërta inkurajuese e përkrahëse.
Proceset politike nuk duhet të thyejnë asnjëherë vizionin tonë e aq më pak të zbehin njerëzoren tek secili nga ne.
Trumpetimet propaganduese janë zhurmë koti nga ata që militantizmin politik e partiak e kanë të vetmin mjet të shprehjes.
Konspiracionet deri në absurditet kënaqin vetëm egot e atyre që s’e kanë as minimumin e vetbesimit për të argumentuar.
Familjen tonë biologjike na e përcakton Zoti, dhe unë ndjehem jashtëzakonisht i bekuar me familjen dhe familjarët e mi!
Familjen politike e zgjedhim vet dhe me bindje.
Urtësia politike, fuqia e argumentit dhe kjartësia e fakteve janë themeltare për një politikë që tejkalon sfida e prodhon sukses.
Ndjesia për dhembshuri pa kurajon për veprim nuk mjafton.
Përkundër e përtej secilit veprim jo të drejtë dje, sot e tutje koha do e dëshmojë se përpjekja e oferta ime e sinqertë ndaj familjes sime politike ishte një mundësi për më mirë!
Sidoqoftë, angazhimi dhe puna ime për LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare, për familjen tonë politike, vazhdon tutje!
Demokracia nuk është vetëm akt, por proces, rrjedhën e së cilës s’mund ta ndalojë askush!
blank blank blank
blank

Haxhiu: Nuk ka dëme të provave nga zjarri në Mjekësinë Ligjore

Një zjarr i ka përfshirë disa zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë mëngjesin e së martës. Nuk raportohet për persona të lënduar, sipas Policisë së Kosovës.

Zjarrfikësit, policia dhe prokuroria kanë dalë në vendin e ngjarjes, njoftuan autoritetet.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi në Facebook se “nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave”.

Zjarri kaploi disa nga zyrat në katin e dytë të ndërtesës së Institutit, si dhe pjesën e çatisë mbi to.

Policia e Kosovës tha se zjarri në dy zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u raportua në orën 8:00 të martën.

Policia doli menjëherë në vendin e ngjarjes dhe tha se zjarrfikësit e kanë lokalizuar zjarrin.

Nuk dihet se çfarë mund ta ketë shkaktuar zjarrin në ndërtesën e këtij Instituti.

Policia tregoi se i ka nisur tashmë hetimet “për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit mjekoligjor në vend, për të siguruar shërbime mjekoligjore, mësimdhënie dhe shërbime përkrahëse për familjet e personave të zhdukur.

Detyrat e tij përfshijnë, po ashtu, sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, kryerjen e zhvarrosjeve, kryerjen e inspektimeve pas vdekjes dhe kryerjen e autopsive.rel

blank

IKSHPK: Uji i Badocit sërish është i pijshëm

Liqeni i Badocit. Tetor, 2023.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se vlerat e manganit në ujin e liqenit të Badocit janë brenda standardeve për konsum të qytetarëve.

Përmes një njoftimi për media, IKSHPK tha se së bashku me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë ndërmarrë masat e nevojshme që gjendje e ujit të ishte brenda standardeve dhe që vlerat e manganit të ishin të lejuar për pije.

Më 19 tetor, IKSHPK-ja kishte rekomanduar qytetarët që furnizohen me ujë nga Badoci që të mos e përdornin atë as për pije, e as për gatim, për shkak se u gjetën nivele të larta të manganit.

Më pas, IKSHPK-ja tha se vlerat e manganit kishin rënë, duke e bërë të lejueshëm ujin për pastrim, por jo për pije.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mangani është një element esencial për shumë gjallesa, përfshirë këtu edhe njerëzit. Por, “efekte të padëshirueshme në shëndetin e njerëzve mund të shkaktohen nga marrja e pamjaftueshme ose ekspozimi i tepërt [ndaj manganit]”.

Por, uji që ka nivele të larta të manganit rrezikon që të shkaktojë probleme shëndetësore te njerëzit.

Liqeni artificial i Badocit është ndërtuar në vitet ’60 dhe furnizon me ujë një pjesë të qytetit të Prishtinës dhe disa zona përreth.rel

blank

Stoltenbergu viziton Kosovën mes paralajmërimeve se Rusia synon të nxisë konflikt

Mimoza Sadiku

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 20 nëntor qëndron në Kosovë, në kuadër të një turi në disa shtete të rajonit, ku shefi i aleancës ushtarake perëndimore do të zhvillojë takime në krerët e shteteve.

Sipas agjendës, në Kosovë shefi i NATO-s do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë vjen në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas një sulmi të armatosur në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serbësh.

Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar së fundi ka shpeshtuar thirrjet që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe e Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, pesë ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor.

Për çështjen e fundit, Bashkimi Evropian është pajtuar me presidentin Volodymyr Zelensky, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.

Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, ka folur më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.

Stotelberg do të qëndrojë në Kosovë, shtet ku aleanca ushtarake ka mbi 4.600 trupa. Kosova për një kohë të gjatë ka thënë se ka dy qëllime strategjike sa u përket integrimeve euroatlantike: anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por, për aspiratën e fundit, fillimisht ka kërkuar që të pranohet në Programin e Partneritetit të Paqes.

Por, integrimet euroatlantike të Kosovës shpesh është thënë se do të kalojnë përmes dialogut për normalizim që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Megjithatë, në këto dy institucione në të cilat Kosova mëton të anëtarësohet, ka shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e shpallur më 2008.

Qëndrimi i NATO-s për Kosovën

NATO përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit – ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serb – Stoltenberg kërkoi nga të dyja palët që të përmbahen nga nxitja e tensioneve dhe të kthehen menjëherë në dialog.

Për shkak të situatës së tensionuar pas sulmit në Banjskë, NATO mori vendim që të rrisë praninë e saj ushtarake, në kuadër të misionit të KFOR.

Ky mision është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur shtimin e pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it, por ai ka theksuar se nuk ka nevojë për një angazhim më aktiv të kësaj force në territorin e Kosovës.

“Ata janë të nevojshëm për siguri dhe mbrojtje.. dhe kështu do të mbetet. Ne nuk kemi nevojë ta bëjmë KFOR-in reagues të parë”, ka deklaruar Kurti më 25 tetor.

Por, kryeministri kosovar ka kërkuar që trupat shtesë të KFOR-it të “koncentrohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që nga fundi i majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë të kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e prillit, votime që u bojkotuan nga serbët.

Më 29 maj, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan pas konfrontimit me protestuesit në Zveçan. Pas dhunës, Stoltenberg e cilësoi atë të papranueshëm dhe tha se dhuna e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin dhe vë në rrezik aspiratat euroatlantike.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë, por edhe më pas në Serbi, vjen në kohën kur të dyja shteteve u është dorëzuar një draft-statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar, që po kërkon që Asociacioni të themelohet, ka thënë se ai është një model modern evropian për Asociacionin. Kurti ka thënë se është i gatshëm ta pranojë dhe nënshkruajë këtë draft-statut.

Kosova sytë kah Partneriteti për Paqe

Sa u përket aspiratave euroatlantike, Kosova ka shprehur dëshirën e saj që një ditë të jetë anëtare e NATO-s. Por, para se të ndodhë kjo, Prishtina ka kërkuar që të bashkohet në Programin e aleancës për Partneritet për Paqe.

Qeveria e Kosovës veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në këtë program.

Presidentja Osmani shpesh e ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është parakusht për paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Osmani madje i ka kërkuar ndihmë Shteteve të Bashkuara për përfshirjen në Partneritetin për Paqe dhe eventualisht në NATO. Uashingtoni i ka premtuar Kosovës mbështetje për integrimet euroatlantike.

Kryeministri Kurti, në një plan të propozuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më herët gjatë vitit – ka përmendur Programin e Partneritetit për Paqe.

Kurti ka propozuar që të ndërmerren hapa për anëtarësimin e Kosovës në BE, në mekanizma të tjerë evropianë dhe “nënshkrimin e Partneritetit për Paqe me NATO-n”.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.

NATO ka thënë se ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Partneriteti për Paqe përfshin shumë fusha të aktivitetit të NATO-s, sikurse: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1.600 aktivitete.

Pikërisht, në kuadër të këtij programi, më 1999 disa shtete dërguan forca paqeruajtëse Kosovë në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Atëbotë ishin vendosur në Kosovë afër 50.000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s.

Në përgjithësi, ky program ofron një kornizë politike për bashkëpunim me NATO-n. Në kuadër të programit, secili shtet partner vendos vet për ritmin, por edhe thellimin e bashkëpunimit me aleancën.

Aleanca ka disa mjete dhe mekanizma për të shtyrë përpara bashkëpunimin me shtetet anëtare, përmes disa politikave dhe programeve, planeve të veprimit dhe formave të tjera të bashkëpunimit.

Në NATO ka tri lloje të dokumenteve të partneritetit dypalësh: Programi i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Individual, Programi i Planeve të Veprimit Individual dhe Programi Vjetor Kombëtar.

I pari është dokument standard, që zakonisht zhvillohet çdo dy vjet nga shteti partner në konsultim me NATO-n dhe kërkn miratimin e Këshillit të Atlantikut. Ai strukturohet dhe përshtatet me interesat dhe synimet e shtetit partner dhe NATO-s.

Dokumenti i dytë përqendrohet në reformat e brendshme të shteteve partnere. Aty trajtohen edhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe synon të koordinojë të gjitha aspektet e raporteve të shteteve partnere dhe NATO-s përmes një dialogu politik dhe sistematik me Aleancën.

Ndërkaq, Programi Vjetor Kombëtar është dokumenti më kërkues që përqendrohet në reformat demokratike, të sigurisë dhe të mbrojtjes, që zhvillohet çdo vit nga shtetet partnere në konsultim me NATO-n.

Në këtë program kanë qasje vetëm shtetet që janë pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësim, që është procesi që gjurmon përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Në Partneritetin për Paqe marrin pjesë edhe shtete që nuk kanë shprehur aspirata që një ditë të bëhen pjesë e NATO-s. Këtu bën pjesë Serbia, e cila i është bashkuar programit, por edhe është anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euroatlantik (EAPC), i cili synon bashkëpunimin politik mes shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të Partneritetit.

Politika e anëtarësimit në NATO është “me dyer të hapura”, por zgjerimi i këtij institucioni kërkon vendim unanim të të gjithë anëtare.

Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia, janë anëtare të NATO-s të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo mosnjohje paraqet pengesë për përparimin e Kosovës drejt integrimit në aleancë.

Cila shtete të tjera do të vizitojë Stoltenberg?

Para Kosovës, Stoltenberg ka vizituar Bosnje e Hercegovinën ku është takuar me anëtarët e presidencës trepalëshe dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe ndërkombëtarë.

Pas Kosovës, shefi i NATO-s më 21 nëntor do të qëndrojë në Serbi, ku është paraparë të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren e këtij shteti Ana Bërnabiq. Po të njëjtën ditë, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.

Më 22 nëntor ai do të përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.


Send this to a friend