VOAL

VOAL

Regjisori serb: Ne vepruam në Kosovë si nazistët, 1500 kufoma shqiptarësh u dogjën në furrat e Trepçes

July 25, 2021

Komentet

Sot është turp të jesh socialist! – Nga Irena Beqiraj

Teksa shikoj videot e të rinjve që hiqen zvarrë, ndiej turp për të majtën kriminale të këtij vendi.

Më përzihet stomaku sa herë shoh socialistë të vjetër, disa të plakur në politikë e të tjerë në prag të portave të Shën Pjetrit, që, për të ruajtur privilegjet personale, kanë humbur vetëdijen politike.

Karakteri i një politikani nuk matet vetëm nga fitoret që arrin, por nga vendimet që merr kur çmimi për të bërë atë që është e drejtë është pikërisht humbja e pushtetit. Në momente të tilla, humbja e pushtetit mund të bëhet forma më e lartë e vetëdijes politike.

Sot, besnikëria juaj politike bie ndesh me përgjegjësinë që keni. Bindja ndaj autokratit socialist ju detyron të sakrifikoni integritetin personal, atë integritet që, ndoshta me naivitet, besoja se disa prej jush ende e kishit.

Politika nuk është  profesion, është mision. Me politikë duhet të merret ai që dëshiron të lërë gjurmë në histori, jo ai që kërkon të qëndrojë me çdo kusht edhe me dhunë mbi fëmijët në pushtet.

Historia nuk nderon ata që qëndruan më gjatë në pushtet. Ajo nderon ata që patën guximin të mbronin vendin kur të tjerët, nga frika, zgjodhën heshtjen.

Një politikan që zgjedh anën e duhur mund të humbasë karrierën, por fiton diçka shumë më të qëndrueshme: respektin e historisë.

Pushteti, në fund të fundit, është i përkohshëm. Për dreq, të gjithë jemi të vdekshëm! Janë zgjedhjet e vështira ato që përcaktojnë vlerën e një politikani dhe gjurmën që ai lë në jetën publike.

Të shumtë janë ata që më thonë se nuk keni këllqe, se keni skelete në dollap, se pushteti ju ka ç’burrëruar. Por, edhe sikur të jetë kështu, më mirë një fund i tmerrshëm sesa një jetë politike  pa nder. Më mirë të humbasësh gjithçka sesa të mbetesh peng i një sekti politik që, sipas bindjes sime, përfaqëson një nga deformimet më të rrezikshme të jetës publike shqiptare që prej themelimit të shtetit më 1912.

Karma is not a bitch. Përkundrazi, është një llogaritare hyjnore. Mos e harroni këtë!

Jam përpjekur maksimalisht ta mirëkuptoj pamundësinë tuaj për të vepruar. Por nuk mund ta pranoj kurrsesi justifikimin e askujt prej jush se janë të rinjtë ata që po i vënë zjarrin Shqipërisë.

Zjarrin Shqipërisë po ia vini ju!

Për 136 ditë, njerëzit protestuan në mënyrë paqësore. Çfarë bëtë ju gjatë gjithë kësaj kohe?

Vazhduat të miratonit ligje dhe të mbanit në këmbë mekanizma që,  lejojnë kalimin e parave publike pa garë e pa mbikëqyrje te Roni dhe shokët e tij. Jo vetëm kaq, por u tallët me njerëzit që protestonin.

Dhe, si qershia mbi tortë, ofruat praninë tuaj besnike, me orar të përcaktuar, për të admiruar modelin e ri të flokëve të Zeqinesë dhe të një mori personazhesh të tjera pa vlerë që i shërbejnë pushtetit.

Zjarrin Shqipërisë po ia vini ju, sepse me modelin tuaj ekonomik të ‘dolce vitta-s’, me kazino, hotele, verë, drogë e prostitucion, po ndërtoni një vend ku të rinjtë humbasin shpresën për të ardhmen.

Jeni ju që e kthyet Shqipërinë në atdheun e dashur të çdo maskarai dhe në tokë armike për çdo shqiptar që nuk pranon të bëhet horr.

Dhe kufomën politike të Ramës në pushtet e mbani ju. Po ju . Sepse nuk u bëtë kurrë politikanë. Mbetët transaksionalë, të burgosur të formulës «më jep, të të jap». Mbetët të vegjël. Mbetët ushtarë të bindur, aty ku duhej të ishit përfaqësues të qytetarëve.

E kthyet bindjen politike në bindje personale, partinë në strehë privilegjesh dhe përfaqësimin qytetar në pazar interesash. Në vend që të ushtronit pushtetin për të mbrojtur interesin publik, zgjodhët të mbronit pushtetin edhe kur ai bie ndesh me përgjegjësinë tuaj morale.

Dhe kjo është tragjedia juaj: ju e dini që nuk po i shërbeni më një ideali politik, por mbijetesës së një pushteti që e ka zëvendësuar idealin me interesin, bindjen me frikën dhe përgjegjësinë me llogarinë personale.

Hekuri i mirë nuk përdoret kurrë për gozhdë. Prandaj, sot, të quhesh socialist është turp. Jo thjesht për shkak të Ramës, por për shkakun tuaj: sepse ju, që duhej të mbronit dinjitetin e së majtës, e kthyet politikën nga mision në biznes, partinë nga ideal në instrument privilegjesh dhe përfaqësimin politik nga përgjegjësi në pazar.

“Korrupsioni qeveritar nxiti protestat” – The Guardian jehonë situatës në Shqipëri: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

Media prestigjioze britanike The Guardian i ka bërë jehonë protestës në Shqipëri dhe zhvillimeve të ditëve të fundit, teksa qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

The Guardian:

“Ne po protestojmë për një Shqipëri të Re, një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku qytetari i zakonshëm ka të njëjtat të drejta dhe të njëjtat mundësi si të pasurit dhe të fuqishmit”, tha artistja dhe aktivis bwtja Mei Seva, e cila ka muaj që proteston në Shqipëri.

Dhjetëra mijëra studentë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit të vendit, Tiranës, duke i vënë flakën një ndërtese qeveritare dhe dy bankave, si dhe duke hedhur gurë ndaj policisë. Protestat u nxitën nga rritja e kostove të arsimit dhe korrupsioni i dyshuar qeveritar, me shumë që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.

Vala e fundit e demonstratave erdhi pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të etiketuara si “revolucioni i flamingove”, mbi planet për një kompleks turistik të diskutueshëm të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Trazirat janë pjesë e një vale më të gjerë të aktivizmit studentor që përfshin Evropën mbi arsimin dhe kushtet e jetesës.

Washington Post: Dita e tretë e përplasjeve në Shqipëri, protestat kundër qeverisë zgjerohen

Demonstruesit e udhëhequr nga studentët janë përplasur me policinë shqiptare në Tiranë për të tretën ditë radhazi, duke iu bashkuar një lëvizjeje më të gjerë kundër qeverisë.

Të enjten, demonstruesit e udhëhequr nga studentët u përleshën për të tretën ditë radhazi me policinë shqiptare në kryeqytetin Tiranë, duke iu bashkuar një lëvizjeje më të gjerë kundër qeverisë. Të rinjtë që protestojnë kundër qeverisë socialiste, e cila ka qenë në pushtet prej kohësh, hodhën gurë drejt kordonit policor para Ministrisë së Arsimit. Policia e ndërhyrjes së shpejtë u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë uji. Disa demonstrues u ndaluan nga policia.

Përplasjet e fundit vijnë pas trazirave të së mërkurës, kur protestuesit sulmuan ndërtesa qeveritare, banka dhe biznese. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 89 persona mbetën të plagosur, mes tyre 61 efektivë policie.

Protestat udhëhiqen nga grupe studentore që kërkojnë reforma në arsim. Ata i janë bashkuar të ashtuquajturës “Lëvizja e Flamingove”, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për shkak të akuzave për korrupsion të përhapur dhe kundërshton projektin e madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë.

Të enjten, nxënës të shkollave të mesme iu bashkuan mijëra protestuesve në marshimet në qendër të kryeqytetit, duke brohoritur “Rama, jep dorëheqjen!” dhe duke paralizuar qarkullimin në qytet.

“Do të jemi çdo ditë në shesh”, shkroi në një postim në internet Mateo Yskollari, një nga organizatorët e njohur të protestës. “Përgjigjja jonë ndaj çdo përpjekjeje për të na mbyllur gojën do të jetë zgjerimi i protestës, mobilizimi qytetar dhe mosbindja civile”.

Megjithëse protestat kanë qenë kryesisht paqësore, ato janë kthyer në përplasje të dhunshme kur demonstruesit janë përballur me kordonët e policisë. Grupe të rinjsh janë shkëputur gjithashtu nga tubimet për të sulmuar ndërtesa qeveritare dhe vitrina biznesesh.

Të enjten, Rama përshëndeti punonjësit që po pastronin zonat e dëmtuara dhe publikoi një videomesazh nga një godinë universitare e djegur. Ai akuzoi drejtpërdrejt kundërshtarët politikë për nxitjen e dhunës dhe premtoi se do të qëndrojë në detyrë si kryeministër për të çuar më tej përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Do t’i kalojmë të gjithë së bashku këto orë të vështira, sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, sepse Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Europës”, tha ai. “Askush nuk mund ta kapë Shqipërinë për fyti. Kushdo që mendon se ligji nuk vlen për të, e ka gabim”.

Socialistët e Ramës fituan mandatin e katërt radhazi në zgjedhjet e vitit të kaluar, ndërsa Shqipëria nuk pritet të zhvillojë zgjedhje të tjera parlamentare deri në vitin 2029.

Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës konservatore, mbështeti protestat studentore dhe i kërkoi Ramës të emërojë një qeveri kujdestare për të përgatitur zgjedhje të parakohshme.

“Kjo lëvizje nuk është thjesht një protestë kundër qeverisë”, deklaroi partia. “Është një revoltë kundër një modeli qeverisjeje të krijuar nga Edi Rama, i cili ua ka vjedhur shpresën të rinjve, ka shkelur besimin e qytetarëve dhe po e largon gjithnjë e më shumë Shqipërinë nga e ardhmja e saj europiane”.

Një delegacion i Bashkimit Europian në Shqipëri bëri thirrje të mërkurën në mbrëmje që autoritetet të reagojnë në mënyrë proporcionale, duke shprehur shqetësim për “përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë”. /Washington Post – Syri.net

Jehona e protestave në Shqipëri kalon kufijtë! Media greke: Protestat studentore kundër Ramës përhapen në të gjithë vendin. Incidente, lëndime dhe arrestime

Jehona e protestave të studentëve dhe të rinjve në Shqipëri ka kaluar kufijtë, duke tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Demonstratat kundër qeverisë, që kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të tjera të vendit, po pasqyrohen edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat raportojnë për zgjerimin e protestave, bojkotin e mësimit dhe përplasjet me policinë.

Mes mediave që i kanë kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri është edhe media greke “Protothema”, e cila shkruan se protestat antiqeveritare po përhapen çdo ditë në më shumë qytete, ndërsa të premten situata u përshkallëzua me përplasje të reja me policinë, dëmtime të ndërtesave publike dhe raportime për persona të lënduar. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitarë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë në shtatë qytete: Lezhë, Shkodër, Burrel, Laç, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.

Në disa prej këtyre qyteteve, protestat po zhvillohen për të dytën ditë radhazi, ndërsa në Burrel dhe Laç janë regjistruar tubime që prej fillimit të valës së demonstratave. Të rinjtë po protestojnë kundër situatës ekonomike dhe mungesës së perspektivës në vend, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në Korçë, ku në protestë janë mbledhur kryesisht nxënës të shkollave të mesme, të rinjtë kanë ngritur shqetësimin se Shqipëria nuk u ofron një të ardhme të sigurt, duke vënë në dukje pagat e ulëta dhe pasigurinë në tregun e punës.

ARTIKULLIPërplasjet në Lezhë dhe raportimi për një nxënëse të lënduar

Media greke ndalet edhe te incidentet e regjistruara në Lezhë, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, tensionet u shtuan pasi një grup protestuesish tentoi të hynte në ambientet e bashkisë, por nuk ia doli.

Më pas, u raportuan dëmtime në godinën e një shkolle të mesme, ku u thyen xhama, si dhe dëmtime të kangjellave dhe sinjalistikës rrugore. Gjatë përplasjeve, disa protestues dyshohet se hodhën gurë në drejtim të policisë. Sipas të njëjtave raportime, një nxënëse u lëndua në fytyrë pasi u godit nga një gur gjatë incidenteve. Pas përshkallëzimit të situatës, drejtues të policisë urdhëruan tërheqjen e efektivëve, me qëllim shmangien e përplasjeve të mëtejshme me të rinjtë.

Sulm ndaj zyrave të Partisë Socialiste në Shkodër
Incidente janë regjistruar edhe në Shkodër, ku një grup të rinjsh kanë sulmuar për të dytën ditë radhazi zyrat e Partisë Socialiste. Sipas mediave shqiptare, protestuesit kanë hedhur gurë drejt dritareve të godinës, ndërsa policia ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin. Paralelisht, një grup adoleshentësh ka vijuar marshimin në rrugët e qytetit, ndërsa protestuesit kanë bllokuar edhe një rrethrrotullim, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Tensione në Elbasan, Korçë dhe Laç
Në Elbasan, ku nxënësit e shkollave të mesme kanë bojkotuar mësimin për të dytën ditë radhazi, protestuesit u kanë vënë flakën disa kazanëve të mbeturinave. Ndërkohë, në Laç është raportuar për dëmtime në Pallatin e Kulturës, ku janë thyer xhamat e godinës. Në Korçë dhe Burrel janë zhvilluar gjithashtu protesta, ndërsa mediat shqiptare raportojnë për arrestime pas incidenteve të regjistruara.

Përhapja e protestave në qytete të ndryshme tregon zgjerimin e mobilizimit të nxënësve dhe studentëve, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

Bizneset në Tiranë ulin qepenat nga frika e incidenteve
Në kryeqytet, protestuesit janë mbledhur sërish pranë Ministrisë së Arsimit, pas disa ditësh demonstratash dhe përplasjesh. Në zonat ku pritet të kalojnë protestuesit, shumë biznese kanë ulur qepenat nga frika e dëmtimeve të mundshme. Pronarët e bizneseve u kanë bërë thirrje protestuesve të shmangin shkatërrimin e pronës private. Një tregtar, biznesi i të cilit ishte dëmtuar një ditë më parë, është parë duke mbledhur xhamat e thyer dhe duke u përpjekur të riparonte dëmet.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, ai ka shprehur mbështetje për studentët dhe kërkesat e tyre, por ka kundërshtuar format e dhunshme të protestës që prekin bizneset e vogla.

Rama viziton bizneset e dëmtuara: Këto zjarre nuk janë të studentëve
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vizituar bizneset e dëmtuara nga zjarret dhe incidentet e natës së kaluar në Tiranë. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur solidaritet me pronarët e prekur dhe ka premtuar mbështetjen e qeverisë për familjet që kanë pësuar dëme. Rama i ka cilësuar dëmet si shkatërrim të punës dhe mundit të familjeve të zakonshme, ndërsa ka argumentuar se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë kërkesat e nxënësve dhe studentëve. Kryeministri ka akuzuar opozitën se po përpiqet të shfrytëzojë protestat për të nxitur dhunë, duke ngritur pretendime edhe për përfshirjen e aktorëve të huaj, të cilët, sipas tij, synojnë të pengojnë rrugën evropiane të Shqipërisë. bw

DW: Studentët vijojnë protestat, në Tiranë vijnë edhe të rinj nga qytete të tjera! A mund të sjellë ndryshim?

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijuan protestën për të tretën ditë radhazi. Në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit.

Në orën 08:03 të mëngjesit të së enjtes (15.10.2026), pas dy ditësh protestash studentore të shoqëruara me tensione dhe dhunë në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama theu heshtjen. Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama publikoi një videomesazh, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe shkatërrimet në kryeqytet. “Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë” – deklaroi ai. Por përgjigjja ndaj kërkesës kryesore të protestuesve erdhi më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Rama e bëri të qartë se dorëheqje nuk do të ketë.

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijojntë protestën dhe në Tiranë mbërriten edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Protesta ka pasur gjithashtu edhe në qytete të tejra. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe zjarre, ndërsa pati të plagosur dhe dëme në ndërtesa e biznese.

Revoltë kundër klasës politike

Në themel të revoltës qëndron pakënaqësia e të rinjve me qeverisjen, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. “Ne nuk kemi ku studiojmë, ne nuk kemi të ardhura, jetojmë me qira, nuk mbulojmë dot shpenzimet tona. Qeveritarët na kanë pirë gjakun me vite dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për të gjithë këta njerëz që janë në shesh” – shprehet një studente për DW.

Për Rigels Xhemollarin, nga Qëndresa Qytetare, revolta studentore është e lidhur me pakënaqësitë e shprehura gjatë muajve të lëvizjes”Flamingo Revolution”. “Mungesa e reflektimit të kryeministrit gjatë katër muajve protestë në bulevard dhe tallja e tij me protestuesit. Pastaj arsyet e tjera lidhen me situatën ekonomike, aferat korruptive dhe skandalet e njëpasnjëshme” – shprehet ai për DW.

Por pakënaqësia e studentëve nuk kufizohet vetëm te qeveria. Krahas kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, në shesh janë dëgjuar thirrje edhe kundër opozitës, ndonëse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën.

A ka një rrugëdalje politike?

Analisti politik Mark Marku, njëherësh dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e sheh protestën e studentëve si reagimin e një brezi që zgjoi shoqërinë dhe riktheu debatin për ndryshimin. Por ai paralajmëron se dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim politik. “Një veprim politik nuk matet nga qëllimet, por nga rezultati” – shprehet Marku.

Për këtë arsye, ai thekson nevojën që protesta të ketë një platformë dhe një alternativë politike që qytetarët të mund ta votojnë, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje. “Protesta nuk votohet” – thotë analisti.

Ndërsa Xhemollari, e sheh dorëheqjen e kryeministrit si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund revoltës. “Protesta ka vetëm një kërkesë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike, dorëheqjen e kryeministrit” – shprehet ai për DW. Sipas aktivistit, pas largimit të Ramës, Presidenti i Republikës duhet të mbledhë partitë politike për krijimin e një qeverie kujdestare me kryeministër apartiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjevelokale dhe parlamentare në maj të vitit 2027.

Në vitin 2018, Shqipëria u përfshi nga protesta masive studentore, të përqendruara kryesisht te problemet e arsimit të lartë. Tetë vjet më vonë, studentët janë rikthyer në rrugë, këtë herë duke kërkuar ndryshim politik./DW

“New York Times”: Pse Shqipëria është përfshirë nga protesta të dhunshme

Të enjten, mijëra studentë paralizuan kryeqytetin e Shqipërisë, duke ndezur zjarre në rrugë dhe duke ngritur barrikada me elemente hekuri. Zemërimi për kostot e larta të arsimit u shndërruan në protesta të dhunshme, përmes të cilave kërkohet dorëheqja e kryeministrit.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke arrestuar dhjetëra persona dhe duke ngritur akuza ndaj pothuajse 100 individëve në total. Megjithatë, duket se këto masa nuk e zbutën presionin në rritje ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Kundërshtimi publik ndaj një projekti për një resort luksoz – të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit Trump – u ndërthur me pakënaqësinë në rritje lidhur me korrupsionin dhe koston e lartë të jetesës.

Këtë javë, demonstratat që kanë vazhduar prej muajsh për këto çështje u përshkallëzuan në protesta të dhunshme në Tiranë. Kostot e arsimit nxorën në rrugë nxënës të shkollave të mesme, studentë të universiteteve dhe qytetarë të tjerë.

Teksa marshonin drejt Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, disa prej protestuesve u vunë zjarrin koshave të mbeturinave dhe stacioneve të autobusëve, goditën me gurë ndërtesat qeveritare e bankat, si dhe u përleshën me policinë.

“Shqiptarët kanë protestuar për më shumë se 4 muaj duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por askush nuk u ka kushtuar vëmendje kërkesave të tyre” – tha Anila Shehu, studente e vitit të tretë në degën e inxhinierisë. “Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë të protestojmë me çdo mjet dhe në çdo mënyrë të mundshme derisa Rama të japë dorëheqjen. Boll më!”

Protestuesit bllokuan disa rrugë, ndezën zjarre dhe shkulën gardhe hekuri për t’i përdorur si barrikada. Disa prej tyre shkulën blloqe betoni nga trotuaret dhe thyen xhamat e ndërtesave që lidhen me qeverinë. Ata gjithashtu shprehën zemërimin e tyre ndaj bankave dhe institucioneve financiare, duke i goditur ato me gurë dhe duke shkatërruar bankomatet. Policia u përpoq t’i frenonte protestat duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Autoritetet njoftuan se kanë arrestuar 55 persona, ndërsa ndaj 98 të tjerëve janë ngritur akuza për vepra penale. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 89 persona kanë mbetur të lënduar, mes të cilëve 61 punonjës policie dhe 18 protestues.

Z. Rama, i cili vitin e kaluar siguroi mandatin e katërt si kryeministër pas fitores dërrmuese të Partisë Socialiste, deklaroi se protestat studentore janë marrë nën kontroll nga grupe që synojnë të pengojnë planet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Të enjten, ai vizitoi rrënojat e djegura të Kolegjit të Evropës – një institucion pasuniversitar që trajnon teknokratët e ardhshëm të Evropës dhe që ka degë edhe në Belgjikë e Poloni.

“Kushdo që ka gisht në këtë kaos, me siguri do të mbajë përgjegjësi”, tha ai në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Pas ditës së tretë radhazi të protestave, të enjten, nga kontejnerët e mbeturinave ende dilte tym, ndërsa disa dyqane dhe pika turistike qëndronin të mbyllura. Në një dyqan bizhuterish në katin e parë të hotelit “Maritim Hotel Plaza Tirana”, punonjësit i mbuluan vitrinat me letër, duke u përgatitur për mundësinë e shkatërrimeve të mëtejshme. Disa protestues i vunë në shënjestër ndërtesa të tilla, duke argumentuar se nisma e qeverisë për një pamje të re urbane – të hartuar nga arkitektë të huaj – shërben për të fshehur neglizhencën ndaj shkollave dhe universiteteve të vetë Shqipërisë.

“Nuk jam kundër protestës. Qëllimi është kundërshtimi ndaj kryeministrit dhe qeverisë,” tha Arian Krypci, 57-vjeç, kreu i sigurisë administrative në “FiBank”, teksa qëndronte përpara një dege të djegur të bankës së tij, pranë zyrës së kryeministrit.

“Por, që situata të përshkallëzohet në këtë mënyrë, kjo nuk më pëlqen aspak,” shtoi ai. “Qeveria duhet të marrë një vendim: ose të japë dorëheqjen, ose të nxjerrë policinë apo ushtrinë në rrugë, sepse ky kaos nuk mund të vazhdojë pafundësisht.”

Ajo që nisi si një protestë e udhëhequr nga studentët në mbështetje të demonstratave paqësore kundër projekteve të ndërtimit luksoz, është zgjeruar duke përfshirë grupe tifozësh futbolli dhe të tjerë që shprehin zemërim ndaj qeverisë, shpjegoi Emir Lecini, anëtar i grupit studentor që ndihmoi në nisjen e protestës. “Nuk mund të them se ku do të shkojnë protestat më tej apo cili do të jetë hapi i radhës, sepse situata është bërë e pamundur për t’u kontrolluar,” tha ai. “Megjithatë, ne qëndrojmë pas kërkesës sonë për dorëheqjen e Ramës dhe protestat nuk do të ndalen derisa ai të largohet.”

Protestat kundër projektit që lidhet me Kushnerin nisën pasi një video qarkulloi në internet. Ajo tregonte roje sigurie private, më 30 maj, duke tërhequr zvarrë një burrë që u ishte bashkuar disa dhjetëra banorëve dhe aktivistëve mjedisorë në një plazh në Shqipërinë e Jugut – një zonë që z. Kushner dhe partnerët e tij të biznesit duan ta përfshijnë në një projekt të propozuar për një hotel dhe resort luksoz.

Të njohura si “revolucioni i flamingove” – një aludim për botën e pasur të shpendëve në atë rajon – protestat kishin qenë kryesisht paqësore deri në këtë javë, duke i ngjarë një karnavali të përditshëm në Tiranë.

Për protestuesit, projekti i planifikuar që lidhet me Kushnerin u shndërrua në simbol të një sistemi ku politikanët, të cilët ndjekin interesat e tyre personale, u japin kontrata fitimprurëse miqve të tyre, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. Z. Rama, i cili ka qenë pjesë e qeverisjes herë pas here që nga viti 1998 dhe që është objekti kryesor i zemërimit, krahas Sali Berishës, 81 vjeç, ish-kryeministër që drejton partinë kryesore opozitare.

Muajin e kaluar, z. Rama deklaroi se zhvillimi i projektit ishte pezulluar, ndërsa qeveria po vlerësonte ndikimin e tij në mjedisin përreth. Ai theksoi se vazhdimi i ndërtimit të këtij projekti luksoz varet nga ky vlerësim.

Z. Rama i tha agjencisë Reuters se nuk do të japë dorëheqjen, duke shtuar se një veprim i tillë “do të ishte tradhti ndaj shqiptarëve, të cilët më dhanë një mandat të fortë për të përmbyllur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

©Marrë nga New York Times, Raportuan nga Shqipëria Fatjona Mejdini dhe Paul Mozur.

Revolta e studentëve në rrugët e Tiranës, BIRN: Policia humbi kontrollin e territorit dhe tregoi mungesë të thellë profesionalizmi

Përshkallëzimi i protestave studentore dhe qytetare për të tretën ditë radhazi në Tiranë dhe përhapja e tyre në disa qytete të tjera të vendit, të shoqëruara me përplasje të ashpra fizike, përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe sulme, zjarrvënie e plaçkitje ndaj institucioneve publike dhe bizneseve private, ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Policisë së Shtetit për të menaxhuar situatën e krijuar.

Ekspertë të sigurisë, studiues dhe ish-drejtues të lartë të policisë vlerësojnë se reagimi i uniformave blu ka shfaqur mangësi të theksuara operacionale, duke kaluar nga dhuna individuale jashtë protokolleve, te tërheqja dhe lënia e qendrës së kryeqytetit pa kontroll gjatë natës së dytë, e deri te ndjekja agresive me gaz lotsjellës në zonat e banuara në ditën e tretë. Ndërkohë drejtuesit aktualë këmbëngulin se strukturat po veprojnë brenda ligjit përballë një agresiviteti ekstrem.

“Sjellja e Policisë së Shtetit është e çuditshme. Nuk di të them nëse kanë urdhër apo jo, por mënyra si po menaxhohet situata është problematike,” tha Gledis Nano, ekspert sigurie dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i mbrojti veprimet e vartësve të tij në një bisedë telefonike me BIRN duke deklaruar se po ndiqen procedurat standarde, se “nuk ka një të mesme të artë në këto situata”. Ndërkohë në konferencë shtypi ai paralajmëroi se policia nuk do të tërhiqet. “Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë”, tha ai.

Bilanci i 72 orëve të revoltës

Vala e protestave që ka përfshirë vendin që prej së martës erdhi pas më shumë se katër muajsh tubimesh të pandërprera paqësore që kërkonin largimi e qeverisë,  të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, e nxitur fillimisht në fund të majit nga kundërshtimi ndaj projekteve turistike në Zvërnec.

Këtë javë megjithatë protesta u kthye në një revoltë masive të studentëve dhe gjimnazistëve për kushtet e arsimit, koston e papërballueshme të jetesës dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Protesta përshkallëzoi në dhunë të martën pasdite dhe prej atij momenti, përplasja mes protestuesve dhe policisë ka ndaluar vetëm pas mesnatës.

Ndërkohë të enjten, në ditën e tretë të saj, protesta doli jashtë kufijve të Tiranës pasi studentët dhe nxënësit e gjimnazeve bojkotuan mësimin dhe u përplasën me policinë në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Kamëz dhe Krujë. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë anuloi seancën plenare.

Vetëm në kryeqytet, bilanci i tre ditëve të përplasjeve  shënoi shifra të larta të lënduarish, dëmtimesh dhe arrestimesh. Të martën, protesta para Ministrisë së Arsimit u mbyll me 23 të shoqëruar nga policia, prej të cilëve u arrestuan 16 persona dhe procedimin e 49 të tjerëve. Ndërkohë gjatë protestës u lënduan gjashtë policë, një gazetare dhe të paktën 13 qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore.

Të mërkurën, 14 tetor, përplasjet u shtrinë në të gjithë qytetin, ku protestues të maskuar sulmuan me gurë, kapsolla dhe kokteje molotovi institucionet shtetërore, thyen filiale bankash e biznese private, si dhe sulmuan Komisariatin e Policisë nr. 2, ku dogjën një automjet policie dhe dëmtuan tre mjete të tjera. Për ngjarjet e së mërkurës policia njoftoi se u arrestuan në flagrancë 55 shtetas përfshi dy të mitur dhe u proceduan penalisht 98 të tjerë, përfshirë edhe persona të akuzuar për vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit.

Në një deklaratë për shtyp të enjten pasdite, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se gjatë 72 orëve të tensioneve numri i punonjësve të policisë të plagosur ka arritur në 71 efektivë, disa prej të cilëve me dëmtime të rënda. Ministria e Shëndetësisë, e cila raportoi fillimisht numrin e personave të lënduar përfshi protestuesit, nuk ka bërë njoftime në ditët vijuese.

Kritikat ndaj policisë

Mënyra se si policia ka reaguar gjatë këtyre tre ditëve, e kritikuar edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, organizatat e medias dhe përfaqësitë diplomatike perëndimore që dënuan si dhunën ndaj pronës, ashtu edhe veprimet joproporcionale të policisë, shihet me skepticizëm nga ish-drejtuesit e lartë të vetë institucionit dhe studiuesit e sigurisë.

Për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, dhuna dhe sidomos përshkallëzimi i saj me sulme ndaj bizneseve private janë tërësisht të patolerueshme, por ai thekson se Policia e Shtetit e kishte mundësinë për ta ndaluar këtë degradim dhe mbetet e paqartë pse nuk është vepruar në kohë. Sipas Nanos, policia nuk mund të kapet në befasi nga lëvizjet e protestuesve, pasi përveç Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH, ajo disponon informacion operativ dhe e ka të qartë paraprakisht se çfarë mund të ndodhë në një protestë të tillë.

Ai kujtoi se ekzistojnë protokolle të qarta ligjore që policia duhet t’i zbatojë, që nga thirrjet me zë, te përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës, e deri te mënyra e rregulluar se si efektivët lëvizin në terren, duke shtuar se megjithëse policia nuk lëviz aq shpejt sa protestuesit, ajo nuk ka pse t’i ndjekë ata në mënyrë kaotike.

“Kjo me punonjës policie që shkëputen nga kordoni dhe qëllojnë me shkopinj gome protestues derisa këta rrëzohen në tokë, është joprofesionale,” tha Nano, duke shtuar se nuk beson që efektivët të kenë urdhër për veprime të tilla, por e sheh si “mungesë trajnimi dhe profesionalizmi të atyre efektivëve”.

“Policia e Shtetit e ka mundësinë të ndalojë përshkallëzimi e dhunës nuk mund të them se cilat janë arsyet që nuk është vepruar”, tha ai duke e cilësuar si të “çuditshme dhe të pakuptueshme” mënyrën e veprimit.

Ndërsa ditën e parë pati akuza për përdorim joproporcional të forcës dhe gazit lotsjellës në zona urbane me banorë e fëmijë, nata e së mërkurës nxori në pah të kundërtën mungesën totale të kontrollit të territorit teksa sulmoheshin ministritë, bankat, bizneset dhe Komisariati nr. 2. Një tjetër ish-drejtues i policisë dhe i forcave të FNSH-së, i cili kërkoi të mbetej anonim, tha se situata mund të menaxhohej dhe të përballohej, por mosndërhyrja e policisë në momente të caktuara “la shumë për të dëshiruar”, pasi të mërkurën policia e komisariateve nuk ishte e pranishme në rrugë deri pas mesnate.

“Policia nuk kishte kontroll fare mbi territorin; s’po them në gjithë qytetin, por në atë që njihet si Unaza e Vogël,” tha ish-drejtuesi i FNSH-së. Ai shpjegoi se nuk është vetëm FNSH-ja që ka detyra të caktuara, por edhe policia e komisariateve duhej të ishte e angazhuar dhe e pranishme në rrugë, sidomos pasi protesta u shpërnda, kur ndodhi edhe pjesa më e madhe e vandalizmave dhe thyerjeve dhe duhej të ishte në gjendje të ndërhynte e t’i ndalonte ato, qoftë përmes pranisë, qoftë përmes presionit.

Për Romario Shehun, studiues i Programit të Sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, luhatjet e sjelljes policore në këto protesta lidhen ngushtë me problemet e brendshme strukturore të institucionit dhe perceptimin e kahershëm publik se policia në Shqipëri funksionon si “zgjatim i pushtetit ekzekutiv”, çka ka dëmtuar legjitimitetin, besimin e publikut dhe vetë performancën e saj.

Sipas tij, efektivët përballen sot me padrejtësi në sistemin e gradave, mungesë meritokracie, mungesë të mbështetjes psiko-sociale dhe orë të gjata pune, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ata menaxhojnë situatat e tensionuara.

“Orët e gjata në shërbim, lodhja, presioni psikologjik dhe sulmet e vazhdueshme fizike që përballojnë mund të ndikojnë në vetëkontrollin e punonjësve dhe t’i shtyjnë ata të dalin përtej kufijve të lejuar,” tha Shehu, duke theksuar se megjithëse protestat aktuale në Tiranë e më gjerë pasqyrojnë këtë dinamikë, “dhuna joproporcionale e policisë nuk justifikohet”.

Ai shtoi se përshkallëzimi i situatave nuk i shërben asnjëherë policisë, ndaj qetësimi, komunikimi dhe vetëkontrolli duhet të jenë pjesë e profesionalizmit policor edhe kur pala tjetër shfaqet e dhunshme. Megjithatë, Shehu e sheh përplasjen aktuale mes të rinjve dhe policisë si simptomë të një krize shumë më të rëndë shoqërore dhe institucionale, ku vërehet një normalizim shqetësues i dhunës dhe mllefit ndaj institucioneve.

“Është e dhimbshme të shohësh video ku policët dhunojnë të rinj, por po aq e papranueshme është të shohësh të mitur që dhunojnë punonjës policie,” tha Shehu. “Kur policia dhe të rinjtë përfundojnë në këtë marrëdhënie armiqësore, kemi një problem shumë më të thellë se një protestë. Kemi një problem të besimit, të autoritetit dhe të mënyrës se si po e ndërtojmë marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarin”, tha ai.

Por kreu aktual i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mohoi që policia të ketë pasur qasje të ndryshme apo mangësi në planin operacional gjatë tre ditëve, duke këmbëngulur se të gjithë drejtuesit kanë qenë “në lartësinë e detyrës”, se policia “nuk është pronë e asnjë partie politike” dhe se përdorimi i gazit lotsjellës ishte i pashmangshëm përballë “lumit të breshërive të gurëve”.

“Nuk e pa njeri sa gurë përballoi policia ditën e parë dhe të gjithë u ankuan vetëm për reagimin me forcë të policisë. Ditën e dytë ankohen se policia ishte më pak aktive,” tha Hita./BIRN/

“Studentët në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës” – Eurodeputetja Ilaria Salis: Po nxitet një kryengritje popullore që mund të shënojë një pikë kthese për vendin

Eurodeputetja Ilaria Salis ka reaguar për revoltën studentore në Shqipëri, që ka hyrë në ditën e tretë, duke theksuar se ata kanë dalë në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës, pas muajsh protestash nga lëvizja Flamingo.

 

Në një reagim në rrjete sociale, ajo shkruan se të rinjtë shqiptarë po protestojnë për vështirësitë ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës, duke nxitur një kryengritje të vërtetë popullore që mund të shënojë një pikë kthese në historinë e vendit.

REAGIMI I PLOTE:

Një protestë popullore po ndizet në Shqipëri!  Pas muajsh mobilizimi nga “Lëvizja Flamingo” — në të cilën kam marrë pjesë edhe unë personalisht, duke udhëtuar drejt Tiranës qershorin e kaluar për të shprehur mbështetjen time — protestat janë intensifikuar ndjeshëm gjatë dy ditëve të fundit.

Studentët kanë dalë në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës për të denoncuar shkurtimet në arsim, vështirësitë ekonomike në rritje, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës, duke nxitur një kryengritje të vërtetë popullore që mund të shënojë një pikë kthese në historinë e vendit.

Pakënaqësia është e thellë dhe e përhapur; gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin ta kanalizojnë zemërimin dhe zhgënjimin e tyre në një luftë kolektive.

Nga Madridi në Tiranë, e duke kaluar përmes Francës, një erë rebelimi dhe proteste po përfshin të gjithë kontinentin. Ky është versioni më i mirë i Evropës: ai që del në rrugë. Dhe pikërisht nga kjo Evropë e luftës duhet të marrim frymëzim e energji të re për një projekt politik, i cili është i aftë ta transformojë shoqërinë tonë mbi baza progresive. Panorama

Bizneset në solidaritet me protestat e studentëve: Jemi me ju, mos na dëmtoni

Biznese të ndryshme në Tiranë kanë shprehur solidaritet me protestat e studentëve dhe të rinjve, duke vendosur mesazhe në ambientet e tyre për të treguar mbështetjen ndaj kauzës së tyre.

“Jemi me ju, mos na dëmtoni”, është mesazhi që përcillet nga bizneset, ndërsa qepenat e tyre jane te mbyllura.

Reagimi vjen në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me tensione, përplasje dhe dëmtime të disa bizneseve e institucioneve. Panorama

“Solidaritet të plotë me kërkesat e drejta të studentëve”/ Vendi në revoltë, Forumi i Dialogut Politik: Qeveri kujdestare me afat 12 mujor për përgatitjen e zgjedhjeve

Forumi i Dialogut Politik në një deklaratë shpreh mbështetje për revoltën studentore në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke theksuar se kërkesat e të rinjve janë të drejta.

Ky Forum thekson se Shqipëria po kalon në një krizë të thellë politike dhe sociale, ndërsa zgjidhja shihet tek një qeveri kujdestare me afat 12 mujor, për të bërë të mundur përgatitjen e zgjedhjeve të reja.

“Skandalet e pafundme qeveritare, abuzimi me taksat dhe pronat publike nga njëra anë, si dhe revolta qytetare dhe reagimi me dhunë dhe propagandë ndaj saj nga ana tjetër tregojnë se kjo qeveri ëshë pengesa kryesore për stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin e vendit”, thuhet në deklaratë.

DEKLARATË E FORUMI I DIALOGUT POLITIK
Shqipëria është në krizë të thellë politike dhe sociale për shkak të akumulimit të pakënaqësive të mëdha. Qeveria vijon të reagojë ndaj krizës përmes injorimit të arsyeve të krizës dhe prodhimin e propagandës që nuk e beson më askush. Kjo propagandë po drejton vëmendjen te pasojat anësore të revoltës dhe jo te arsyet rrënjësore të saj.
Skandalet e pafundme qeveritare, abuzimi me taksat dhe pronat publike nga njëra anë, si dhe revolta qytetare dhe reagimi me dhunë dhe propagandë ndaj saj nga ana tjetër tregojnë se kjo qeveri ëshë pengesa kryesore për stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin e vendit.
Për këtë arsye Forumi i Dialogut Politik:
1. Shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e drejta të studentëve dhe qytetarëve të tjerë në protestë prej afro 140 ditësh.
2. Kërkon krijimin e një qeverie kujdestare me mandat të kufizuar për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe vijimin e procesit të integrimit.
3. Kërkon ndryshimin e kodit zgjedhor dhe miratimin e një kodi të ri që pasqyron nevojat përfaqësuese të shqiptareve.
4. Kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme pas një afati 12 mujor të nevojshëm për përgatitjen e tyre.
Shqipëria meriton demokraci, integrim dhe zhvillim.
Një sistem i ri duhet të çlirojë shtetin nga partia dhe të çlirojë ekonominë nga politika. bw

REL: Protesta në Tiranë vazhdon, Kryeministri Rama thotë se nuk dorëhiqet

Jetmira Delia-Kaci

Protesta e studentëve në Shqipëri ka hyrë në ditën e saj të tretë me shumë protestues që janë mbledhur dhe po marshojnë në rrugët e Tiranës. ]

Protesta, sipas studentëve, është kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit. Kërkesë e tyre ndër tjerash ka qenë edhe dorëheqja e qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.

Ndërkohë, Rama e ka mohuar mundësinë e dorëheqjes si pasojë e protestave në një përgjigje për Reuters.

Siç ka cituar Reuters, Rama tha se “nuk do të lejojë dhunën të pengonte Shqipërinë në arritjen e synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Në protestën e ditës paraprake, dhjetëra protestues dhe zyrtarë policorë u lënduan gjatë përleshjeve që zgjatën disa orë.

Dhjetëra mijëra studentë që dolën në protestë të mërkurën i vunë zjarrin dy ndërtesave qeveritare dhe dy bankave, si dhe hodhën gurë në drejtim të policisë.

Përveç ndërtesave publike, më 14 tetor u dëmtuan edhe disa objekte private përfshirë atyre të bizneseve.

Tutje, zjarri iu vu edhe një zyreje të “Kolegjit të Evropës”, që ishte hapur në bashkëpunim mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Rama dhe BE dënojnë dhunën në protestë

Me një video para objektit të dëmtuar të Kolegjit të Evropës, kryeministri i Shqipërisë e dënoi dhunën në protestën e së mërkurës.

Sipas tij, kjo protestë nuk është e studentëve.

“Këto janë të tjera duar…Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara me zjarr dhe me hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë”, tha Rama në Facebook, më 15 tetor.

Në anën tjetër, zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një deklaratë publike më 15 tetor, po ashtu dënoi “dhunën e përshkallëzuar dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”.

Çfarë ndodhi në protestën e 14 tetorit?

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha vonë në mbrëmje se 23 oficerë policie, 5 protestues dhe 1 kalimtar janë pranuar për ndihmë mjekësore.

Policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve ua vunë zjarrin ndërtesës së Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë, përmbysën kontejnerët e mbeturinave dhe dëmtuan biznese lokale në sheshin e kryeqytetit.

Një degë e Raiffeisen Bank, pranë Ministrisë së Arsimit, u përfshi gjithashtu nga zjarri, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Protestuesit gjithashtu thyen portën e ndërtesës së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi të “papranueshëm” shënjestrimin e godinës së organit ligjvënës dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke thënë se “dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë”.

Policia e Shtetit tha se i ka ndaluar 35 protestues.

Dy protestues para një zjarri të madh gjatë protestës në Tiranë, Shqipëri, 14 tetor.

Dy protestues para një zjarri të madh gjatë protestës në Tiranë, Shqipëri, 14 tetor.

Kjo është protesta më e dhunshme kundër korrupsionit në Tiranë qëkurse nisën protestat në maj dhe përben sfidë në rritje për Qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Përshkallëzimi i dhunës vjen pas një vere me protesta paqësore kundër Ramës, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin e paprekur të jugut të Shqipërisë.

“Ky është një revolucion. Jemi lodhur nga protestat paqësore. Nuk do të ndalemi derisa Rama të japë dorëheqjen”, tha Lora, një studente që nuk pranoi ta bënte publik mbiemrin e saj, teksa hidhte gurë në drejtim të policisë.

Protestues të tjerë brohoritën “Dorëheqje” dhe “Policia e krimit”.

Organizatorët thonë se po protestojnë për kushte më të mira studimi, tarifa më të përballueshme dhe mundësi punësimi.

A mund ta vënë protestat studentore Qeverinë Rama në vështirësi?

Protestat studentore në Shqipëri mund të jenë shprehje e një pakënaqësie më të gjerë shoqërore, që shkon përtej problemeve në arsim, vlerëson analisti Redion Qirjazi.

Sipas tij, mungesa e perspektivës, vështirësitë ekonomike dhe pasiguria për të ardhmen janë ndër shqetësimet që kanë nxitur pakënaqësinë e të rinjve, krahas mosbesimit ndaj institucioneve dhe klasës politike.

“Historikisht, studentët kanë qenë shpesh katalizatorë të ndryshimeve shoqërore, sepse artikulojnë probleme që prekin kategori të gjera të popullsisë”, thotë Qirjazi, drejtori ekzekutiv i fondacionit Mary Ward Loreto në Shqipëri, për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se lëvizja studentore ka potencial të shënojë fillimin e një mobilizimi më të gjerë qytetar.

Megjithatë, nëse protestat do të shndërrohen në një sfidë serioze për Qeverinë e kryeministrit Edi Rama, sipas Qirjazit, do të varet nga aftësia e protestuesve për të ruajtur mobilizimin dhe për të zgjeruar mbështetjen.

“Nëse protestat arrijnë të mobilizojnë edhe kategori të tjera shoqërore, të ruajnë intensitetin dhe të artikulojnë kërkesa konkrete, ato mund të krijojnë një presion politik serioz ndaj Qeverisë”, thotë ai.

Qirjazi thekson se stabiliteti institucional i një qeverie nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë të pakënaqësisë shoqërore.

Sipas tij, sfida kryesore për Qeverinë Rama është t’u përgjigjet shqetësimeve që po shprehen përmes protestave.

“Nëse kjo nuk ndodh, ka gjasa që pakënaqësia të thellohet dhe ta vendosë qeverisjen në pozita edhe më të vështira”, paralajmëron Qirjazi.

Gjatë gjithë ditës së protestës, Policia e Shtetit u bëri thirrje protestuesve përmes njoftimeve edhe në rrjetet sociale ta ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen “menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë”.

Të martën, qindra protestues të mbledhur për rreth nëntë orë në kryeqytet, hodhën gurë dhe mjete piroteknike drejt institucioneve dhe policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 27 persona morën trajtim mjekësor pas protestës të martën, përfshirë protestues, policë, gazetarë, kalimtarë dhe një diplomat të huaj.

Mbi 50 persona u shoqëruan në polici.

Një demonstrues duke u trajtuar pas prekjes nga gazi lotsjellës, më 13 tetor.

Një demonstrues duke u trajtuar pas prekjes nga gazi lotsjellës, më 13 tetor.

Ndërkohë, pretendimet e protestuesve për përdorim të tepruar të forcës nga policia kanë nxitur hetime.

Pas publikimit të pamjeve ku shihej një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar, teksa shoqërohej nga policët, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër efektivë dhe shefin e rendit në një prej komisariateve të Tiranës.

I riu pësoi frakturë në këmbë, por rrethanat e lëndimit mbeten të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetime, ndërsa Policia ka paralajmëruar përgjegjësi për çdo tejkalim të kompetencave. Edhe Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin e proporcionalitetit të përdorimit të forcës.

Çfarë kërkojnë protestuesit?

Pakënaqësitë që nxorën studentët në rrugë lidhen me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit.

Por, protesta e së martës kishte edhe një kërkesë politike: largimin e Qeverisë Rama.

Arvina Lleshi, aktiviste dhe një nga organizatoret e protestës, tha për Radion Evropa e Lirë se protestuesit nuk synojnë më të negociojnë me qeverinë për përmbushjen e kërkesave të veçanta.

Protesta antiqeveritare në Tiranë, më 13 tetor.

Protesta antiqeveritare në Tiranë, më 13 tetor.

“Ne nuk kemi kërkesa që t’ia drejtojmë Ministrisë së Arsimit apo Qeverisë dhe të diskutojmë për plotësimin e tyre. Ka vetëm një kërkesë: Largimin e Qeverisë Rama. Pa dorëheqje, nuk ndalojmë”, tha Lleshi.

Ajo e lidhi protestën studentore me tubimet e lëvizjes “Revolucioni Flamingo”, që po zhvillohen prej më shumë se katër muajsh në Tiranë kundër qeverisë. Sipas saj, mungesa e përgjigjes nga autoritetet i ka shtyrë organizatorët drejt përshkallëzimit të protestave.

Lëvizja “Revolucioni Flamingo” nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, për shkak të shqetësimeve për ndikimin në mjedis, por gradualisht u shndërrua në një mobilizim më të gjerë kundër korrupsionit, pabarazisë ekonomike dhe mënyrës së qeverisjes.

Sipas platformës së publikuar nga lëvizja, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, formimin e një qeverie teknike kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ata kërkojnë gjithashtu anulimin e projektit turistik në Zvërnec dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe të ligjit për investimet strategjike, që i konsiderojnë abuzive.

Aktivistët e saj kanë kritikuar si kryeministrin Rama, ashtu edhe figura të opozitës, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe ligjore. Në protestën e së martës morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës.

Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me protestën dhe thirrjet për dorëheqjen e saj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Megjithatë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi përmes rrjeteve sociale dhunën ndaj institucioneve, sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës publike.

Ajo theksoi se dhuna nuk është mënyrë për të shprehur pakënaqësinë, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesës politike të protestuesve për largimin e qeverisë.

“Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi”, shkroi ajo në Facebook.

Kjo është dita e dytë e protestës që përshkallëzon në dhunë.

Pas protestës së martës, studentët kishin bërë thirrje për bojkot të mësimit të mërkurën dhe vazhdimin e tubimeve, duke synuar përfshirjen e studentëve edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.

Organizatorët i janë referuar protestave studentore të vitit 2018, duke argumentuar se kërkesat e asaj kohe nuk janë përmbushur plotësisht.

Në dhjetor të vitit 2018, mijëra studentë protestuan kundër tarifave të larta universitare, kostove të provimeve të mbartura dhe kushteve të dobëta të jetesës në konvikte, duke paraqitur tetë kërkesa për reformimin e arsimit të lartë.

Tiranë, 13 tetor.

Tiranë, 13 tetor.

Qeveria mori disa masa, përfshirë uljen e tarifave, por pakënaqësitë lidhur me financimin e universiteteve, cilësinë e arsimit dhe përfaqësimin e studentëve vazhduan.

Tetë vjet më vonë, protesta e re ka shkuar përtej kërkesave arsimore, duke vënë në qendër përgjegjësinë politike të qeverisë.

LE MONDE: Vazhdon protesta antiqeveritare në Tiranë, kërkohet largimi i kryeministrit Rama

LE MONDE

Protestuesit dhe policia u përleshën të mërkurën, më 14 tetor, në Tiranë, ku u shkaktuan disa zjarre, gjatë ditës së dytë radhazi të dhunës pas tubimeve të studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Njësitë e policisë për ndërhyrje të posaçme përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës në përpjekje të përsëritura për të zmbrapsur turmën, e cila përbëhej nga disa qindra persona. Ndërkohë, protestuesit vunë në shënjestër Ministrinë e Arsimit dhe disa biznese, duke thyer vitrinat.

Një natë më parë, ndërtesave qeveritare u ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe më shumë se 12 persona ishin arrestuar, njoftoi policia. Sipas saj, disa persona kishin thyer dyert e bashkisë, kishin ndezur zjarr brenda saj dhe kishin dëmtuar ndërtesa të tjera.

Të mërkurën, gazetarët e Agjencisë France-Presse panë protestuesit duke hedhur sende të forta, veçanërisht gurë kalldrëmi dhe kokteje Molotov, duke u vënë flakën kazanëve të plehrave dhe duke ngritur barrikada përgjatë një rruge kryesore në qendër të kryeqytetit shqiptar, pranë Ministrisë së Arsimit.

16 persona të shoqëruar

Gazetarët panë dy persona që u ngjitën mbi murin e ndërtesës ku ndodhet Ministria e Arsimit dhe hodhën bomba tymuese brenda saj. Shumë prej dritareve të ndërtesës ishin thyer një ditë më parë, gjatë një proteste.

Pak më vonë, nga një dritare doli një re e dendur tymi të zi. Më pas ndërhynë zjarrfikësit, të cilët arritën t’i shuanin shpejt flakët.

Të martën, qindra persona ishin mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe më shumë ndihmë për studentët. Forcat e rendit kishin shoqëruar 16 persona.

Policia deklaroi se efektivët e saj ishin përballur atë ditë me “dhunë të vazhdueshme”. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të martën morën ndihmë mjekësore tetë protestues, gjashtë policë, tre gazetarë dhe dy kalimtarë, ndër të tjera për shkak të gazit lotsjellës.

Bashkimi Evropian (BE), anëtarësimin në të cilin synon Shqipëria, shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi si “përshkallëzim të dhunës”.

“Kemi marrë dijeni për pretendimet lidhur me përdorimin e tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve”, deklaroi delegacioni i BE-së në Tiranë. Duke kërkuar një hetim, ai u bëri thirrje “të gjitha palëve që të ulin tensionet”.

Këto akte dhune vijnë pas më shumë se katër muajsh protestash kundër qeverisë, të nxitura nga një projekt për ndërtimin e një hoteli luksoz në një rezervat natyror bregdetar. Projekti lidhet me Ivankën, njërën nga dy vajzat e Donald Trumpit, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Ky projekt ka nxitur zemërim për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe mungesës së transparencës.

Studentët iu bashkuan këtyre kërkesave, ndërsa u shpjeguan mediave shqiptare se tubimi i së martës synonte të denonconte kushtet në universitete, tarifat e studimit dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë. sn


Send this to a friend