Nëse në qershor Ministria e Jashtme gjermane i cilësoi protestat e zhvilluara në Shqipëri si një çështje të brendshme të vendit, qëndrimi i Berlinit zyrtar duket se ka marrë një nuancë të re përballë zhvillimeve më të fundit.
I pyetur nga Deutsche Welle gjatë Konferencës Federale për Shtyp në Gjermani, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, ka theksuar se Shqipëria ka ende punë dhe detyra për të përmbushur, veçanërisht në fushat e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas zëdhënësit të diplomacisë gjermane, shqetësimet e ngritura nga ndërkombëtarët përputhen me ato të vetë qytetarëve shqiptarë.
“Kërkesa të ngjashme ngre edhe popullsia në Shqipëri. Pa dashur të hyj konkretisht në përmbajtjen e këtyre demonstratave, besoj se është e qartë që shteti i së drejtës dhe çështja e korrupsionit janë kritere të rëndësishme nëse një vend dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, është shprehur zyrtari i lartë gjerman, Martin Giese.
Deklarata nga Berlini vjen në një moment mjaft delikat të zhvillimeve politike dhe sociale në Shqipëri, duke vlerësuar se e ardhmja e integrimit evropian të vendit mbetet e lidhur ngushtë me reformimin e drejtësisë dhe luftën pa kompromis ndaj fenomenit të korrupsionit.