Sot për herë të parë ekskluziv isht në “Gazeta Shqiptare” po botojmë të plotë një dokument sekret të prillit të vitit 1970 të ish zv/ministrit të Brendshëm, Rexhep Kolli, drejtuar drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë në KQ të PPSH, Behar Shtyllës dhe njëkohësisht sekretarit të Komitetit Qendror, Ramiz Alisë, lidhur me survejimin e vazhdueshëm që i bëhej emigracionit kosovar në Shqipëri nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu, në këtë dokument sekret të MPB-së konstatohet në mënyrë të qartë edhe një vazhdë e rregullt informacionesh të marra në rrugë operative nga agjentët e Sigurimit rreth qëndrimeve dhe opinioneve personale të emigrantëve politikë shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi lidhur me trajtimin që u bëhej atyre nga e shtetit shqiptar dhe regjimit të Enver Hoxhës.Ardhja e dhjetëra emigrantëve shqiptarë të Kosovës apo të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi drejt territorit të Shqipërisë për t’i shpëtuar regjimit të terrorit të ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviç në vitet ’50-’60 do të shihej me një sy tejet mosbesues dhe jo shumë dashamirës nga regjimi i Tiranës zyrtare. Dhe kjo për shumë arsye. Së pari, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të Kosovës, të cilët do të vinin në Shqipëri, do të cilësoheshin nga Sigurimi i Shtetit si “agjentë të mundshëm” të UDB-së dhe do të survejoheshin dhe ndiqeshin rregullisht. Së dyti, shumë prej tyre ashtu siç cilësohet në këtë kabllogram sekret, do të internoheshin në kampet e Çermës dhe Savrës në zonën e Myzeqesë, ku do të përballeshin me kushte të vështira pune dhe jetese.
Së treti, regjimi komunist i kohës u trembej qëndrimeve zyrtare të komunistëve kosovarë lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi në një dimension të ri, sidomos pas daljes së Shqipërisë nga KNER-i dhe Traktati i Varshavës gjatë pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë. Një afrim sado i paktë i Enver Hoxhës me Josip Broz Titon si një shenjë kundërpeshe të ndikimit sovjetik në Ballkan do të komentohej nga klasa politike kosovare si një braktisje nga ana e Tiranës Zyrtare të kërkesave të tyre për marrjen e statusit të një autonomie të zgjeruar në të njëjtin nivel me ish-republikat e tjera në Jugosllavinë e asaj kohe. Në të njëjtën kohë qëndrimet e emigracionit kosovar në Shqipëri do të konstatonin edhe në kërkesat e vazhdueshme për shkëmbime eksperiencash të shpeshta politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe atyre kosovarë, duke e gjykuar si të vetmen mundësi kooperimi dhe bashkimi të faktorit politik shqiptar në Ballkan. Interesi dhe ndikimi i veçantë i politikës zyrtare shqiptare mbi Kosovën dhe vitet e tjera në ish- Jugosllavi do të vinte vetëm në vitin 1981 e në vazhdim gjatë zhvillimit të demonstratave të famshme për liri dhe demokraci nga populli i Kosovës, drejtuar kundër represionit jugosllav.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
Ekzemplar Nr. 1 DEGA E VEÇANTE Tiranë, më 1.4.1970 Nr. 175 Shokut Behar (Shtylla) LENDA: Mbi disa pikëpamje armiqësore në radhët e emigracionit kosovar me banim në RPSH.
KOMITETIT QENDROR TE PPSH SHOKUT RAMIZ ALIA TIRANE Në vendin tonë që nga viti 1948 e në vazhdim kanë ardhur një masë e konsiderueshme shqiptarësh nga krahinat e Kosovës dhe viseve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi. Nga ana jonë, në bazë të orientimeve është bërë trajtimi i tyre duke i konsideruar emigrantë politikë. Pjesa kryesore e këtij emigracioni është stabilizuar përfundimisht në vendin tonë dhe si e tillë punon dhe aktivizohet në të gjithë sektorët e jetës së vendit. Qëndrimi politik i tyre është pro vijës së Partisë dhe e gatshme për të kryer çdo detyrë për mbrojtjen e atdheut. Mirëpo në radhët e këtij emigracioni ka edhe elementë armiq e irredentistë, që i kundërvihen me qëllim vijës së Partisë në shumë çështje dhe sidomos në atë që ka të bëjë me problemin e Kosovës.
Nga përpunimi që u bëjnë organet tona këtyre elementëve, veprimtaria e tyre armiqësore mund të përmblidhet në këto drejtime: -Flitet se Republika Popullore e Shqipërisë dhe udhëheqja e saj asnjëherë nuk ka menduar seriozisht për Kosovën. Veprimtaria e saj në këtë drejtim ka qenë e pakët. Edhe në periudhën më të vështirë që ka kaluar Kosova në vitet 1955-1956 – aksioni i armëve dhe masat e tjera Rankoviçiane – shtypi dhe radioja shqiptare janë mjaftuar me artikuj vetëm kundër revizionizmit titist dhe nuk kanë shkruar asnjë të veçantë për Kosovën. Kabllogrami i MPB-së: “Vetëm pas terrorit rankoviçian u kujtua për Kosovën Tirana zyrtare” – Gjendja dhe trajtimi i emigracionit kosovar në Shqipëri jo gjithmonë ka qenë i drejtë.
Kosovarët s’janë trajtuar si shqiptarë dhe patriotë, por janë mbajtur në kampet e Çermës dhe Semanit. Vetëm atëherë kur në Jugosllavi filloi të ndryshonte gjendja e kosovarit, me heqjen e Rankovicit, qeveria shqiptare mori disa masa dhe prishi Semanin, ndërsa Çerma vazhdon të ekzistojë dhe është një turp që akoma djem prej Kosove mbahen atje. Në rast se udhëheqja e Partisë e di këtë gjendje, ne nuk jemi me të. (Dihet se në Seman të Fierit dhe në Çermë të Lushnjës janë mbajtur personat më negativë, armiq dhe vagabondë, të cilët here mbas here i kemi riatdhesuar në Jugosllavi. Ndërsa aktualisht Çerma është një sektor ferme ku banojnë disa familje dhe individë kosovarë. Më tepër janë elementë armiq të dënuar si agjentë të UDBsë, ose të tillë që kërkojnë me insistim të shkojnë në Jugosllavi). -Aktualisht pak mendohet për Kosovën. Shtypin dhe radioja shqiptare nuk po ndërmerr asnjë veprim, asnjë artikull për gjendjen e atjeshme. Shumë shqiptarë të Kosovës, ose viseve të tjera në Maqedoni dhe në Mal të Zi po largohen përgjithmonë nga këto krahina, gjë kjo që si pasojë do të bjerë asimilimin dhe zhdukjen e kombit shqiptar. Vendin e tyre do ta zënë kolonët serbë, malazezë dhe maqedonas. -Ne si kosovarë, pavarësisht se ç’bën shteti shqiptar, duhet të organizohemi dhe të punojmë për Kosovën. -Mendohet deri në organizim grupesh me persona të besuar, të cilët janë në gjendje për të ekzistuar në rast se veprimtaria e tyre keqkuptohet nga organet e Sigurimit të Shtetit, duke menduar se me këto veprime do t’i diktojnë PPSH-së qëndrimin që duhet të mbajë në drejtim të Kosovës.
-Kërkojnë që Ministria e Arsimit, universiteti, Biblioteka Kombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme, përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit të akordojnë fonde të veçanta dhe këto të shpenzohen për të futur në Kosovë literaturë marksiste-leniniste, qoftë të klasikëve të marksizmit, apo veprat e shokut Enver. Historia e PPSH-së dhe materiale të tjera të Partisë. E gjithë kjo të behet edhe me ndihmën e kosovarëve që jetojnë në vendin tonë. -Këta elementë armiq dhe irredentistë përpiqen që pikëpamjet e tyre dhe këtë qëndrim t’i fusnin edhe në radhët e studentëve kosovarë, që ndjekin institucionet e larta arsimore. Si pasojë, në radhët e disa studentëve ka shfaqje që cenojnë unitetin e tyre. Ka grindje dhe akuza që i bëjnë njëri-tjetrit për lidhje me organet tona të Sigurimit të Shtetit. Kjo veprimtari armiqësore ka për qëllim që të dobësojë unitetin e këtij emigracioni, ta hedhë në opozicion me vijën dhe qëndrimin e Partisë, një nga qëllimet kryesore edhe të zbulimit jugosllav.
Rexhep Kolli: “Disa patriotë kosovarë, të lëkundur, se kuptojnë qëndrimin e Partisë” Vërehen raste se ky qëndrim armiqësor ka lëkundur edhe disa kosovarë të tjerë me qëndrim të mirë politik, të cilët nuk kanë arritur ta kuptojnë si duhet qëndrimin e Partisë karshi Jugosllavisë dhe në veçanti Kosovës, se me ta nuk bëhet punë e duhur ideopolitike dhe jo gjithmonë zbatohet udhëzimi i Këshillit të Ministrave për trajtimin ekonomik. Krahas punës politiko-edukative të diferencuar me këta persona si dhe masave agjenturalo-operative kundrejt elementit armik, që do të ndërmarrin organet tona, mendojmë se edhe organet e Partisë dhe të pushtetit në rreth si dhe Komiteti i Partisë së Universitetit, duke u mbështetur edhe në të dhënat e Degëve të Punëve të Brendshme të rrisin punën politiko- ideologjike në drejtim të tyre, duke angazhuar shokë dhe kuadro, si dhe të zbatojë drejt udhëzimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin e tyre, mbasi praktika e deritanishme ka treguar që mjaft nga këta, për probleme të ndryshme strehimi, punë, shkollim etj. drejtohen vetëm në Organet e Punëve të Brendshme. Ky spostim ka ardhur si rezultat i kujdesit të pakët që tregohet nga organet që janë ngarkuar për zbatimin e këtyre detyrave. Mendimi ynë është se përplasja e tyre për zgjidhjen e të gjitha problemeve në organet tona edhe politikisht nuk është e drejtë.
ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME REXHEP KOLLI ……………………………. SEKRET EKZEMPLAR Nr. 1 E përkohshme, 5 vjet
Komentet