Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në Romë përpara takimit të tij me homologen italiane, Giorgia Meloni, ku aktivistë nga e majta italiane dhe përfaqësues të partisë “Più Europa” u mblodhën përballë selisë së kryeministrisë italiane për të kundërshtuar paktin e emigracionit mes dy vendeve, duke e cilësuar atë një dështim të kushtueshëm.
Në një lidhje direkte nga Roma me Alba Kepin, gazetarja theksoi se protestuesit kërkuan anulimin e menjëhershëm të marrëveshjes, ku lideri i partisë “Più Europa”, Rikardo Maxhi, deklaroi se takimi Rama-Meloni duhet të kishte vetëm një pikë në axhendë: “eliminimin e paktit mbi emigracionin”.
Sipas Kepit, opozita italiane argumenton se pakti është tërësisht jofunksional, pasi që nga nënshkrimi i marrëveshjes në nëntor 2023, numri i emigrantëve të transferuar në Shqipëri ka qenë tepër i ulët dhe për më tepër, situata krijon një kosto të dyfishtë për shtetin italian, pasi shumë prej emigrantëve fitojnë proceset gjyqësore dhe rikthehen legalisht në Itali, duke kërkuar shpenzime të reja administrative dhe logjistike.
Alba Kepi: Unë ndodhem përballë selisë së kryeministrisë, pra selisë së qeverisë italiane ku për pak minuta pritet të mbërrijë Edi Rama për një takim dypalësh me Giorgia Melonin. Dhe pikërisht rreth gjysëm ore para se të nisë ky takim dhe para mbërritjes së Ramës këtu në selinë e qeverisë italiane, ka qenë aktivistë të së majtës italiane dhe përfaqësues të partisë Più Europa, të cilët me një slogan gjigand kanë protestuar kundër kampeve të ngritura në Shqipëri. Është Rikardo Maxhi, lideri i partisë Più Europa, i cili ka dhënë një deklaratë për Syri TV, ku shprehet se sot ky takim duhet të kishte vetëm një pikë në axhendën e tij, pikën për të eleminuar paktin mbi emigracionin, për të shkatërruar apo për të prishur pra këtë marrëveshje dhe për të mos bërë më funksionale ato kampe dhe atë investim që është bërë në Shqipëri. Sipas aktivistëve, të cilët ishin edhe ata mbështetës të partisë Più Europa, u shprehën se ky është një një shpenzim i jashtëzakonshëm për qeverinë italiane mbi të gjitha, pasi nuk po funksionon. Pasi numri i emigrantëve të cilët mbërrijnë në Shqipëri dhe riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës është shumë, shumë, shumë i ulët në krahasim me këtë shpenzim që thuhet se ka kaluar 600 milionë euro dhe shkon deri 1 miliardë euro. Pyetjes sime, nëse i shqetëson forcat opozitare italiane fakti se Shqipëria renditet në raportet e ndërkombëtarëve si një vend ndër më të korruptuarit, padyshim dhe kjo është një tjetër pikë e cila influencon në mënyrën se si do të menaxhohen kampet në Shqipëri. Dhe një tjetër preokupim i forcave opozitare italiane. Këto përfaqësues, Rikardo Maxhi dhe të gjithë forcat e tjera të opozitës italiane kanë qenë, ne kemi parë muajt e shkuar, kanë zhvilluar disa vizita në në kampin e Gjadrit, ku kanë dokumentuar jo vetëm shkeljet e lirive dhe të drejtave të të njeriut për ata emigrantë, por dhe faktin se numri i tyre është mjaft, mjaft, mjaft i ulët. Thuhet se prej nëntorit të 2023-shit dhe deri sot kur ky pakt, kjo marrëveshje tashmë është në akt, numri i emigrantëve që kanë mbërritur në Shqipëri është shumë i ulët dhe mbi të gjitha është një shpenzim i dyfishtë për Italinë, pasi mbasi mbërrijnë në Shqipëri, ata arrijnë të fitojnë proceset gjyqësore dhe rikthehen dhe njëherë në Itali duke pasur një kosto të dyfishtë për shtetin italian. Pra protesta sot përballë qeverisë, kryeministrisë italiane, selisë së kryeministrisë, ishte pikërisht për të protestuar kundër kësaj marrëveshje dhe për t’i dhënë fund këtij pakti i cili nuk është funksional.
